SHËNIME GJUHËSORE TË KARANTINËS (II)

nga Tannhäuser

Nga përkthen Plasari?

Libri i fundit i Aurel Plasarit (me recensues Pëllumb Xhufin dhe Shaban Sinanin) për mesjetën arbërore[1] hedh dritë mbi historinë e hershme të shqiptarëve duke ri-interpretuar fakte të njohura ose duke sjellë të dhëna të reja për një periudhë përndryshe të errët të historisë. I shkruar me stilin e vet të autorit që ndonjëherë nuk i shmanget skolasticizmit akademik me vogëlsira e detaje (jo aq sa tek vepra tjetër e autorit mbi Skënderbeun), libri është një sintezë e plotë për Arbërinë mesjetare që do t’i hyjë punë studiuesit medievist. Por ngaqë edhe autorit të këtyre shënimeve i pëlqejnë vogëlsirat e detajet, e para e punës ishte të kontrolloja citimet e autorëve grekë se mos gjeja ndonjë surprizë. Dhe në fakt nuk u zhgënjeva. Nuk munguan nga leximi edhe disa momente cringe, sidomos atje ku autori e quan autoren bizantine Anna Komnena, thjesht Anna, sikur të ishin shokë klase, por kjo është më shumë çështje estetike apo shije.

Të vijmë pak tek teksti. Në f. 46 të librit shkruan Plasari:

Konstandin Sathasi ka pas vënë theksin edhe mbi një tezë keqkuptimi: “Arbërit [Les Albanais] nuk ishin të panjohur për bizantinët, por këta kishin arsyet e veta për t’i mallkuar dhe nëmur ata si kryengritës e si cuba” [149]. Gjurmë të këtij qëndrimi deri në shek. XV, ndeshen, për shembull, te një autor si Gjeorg Sfrantzes (Γεώργιος Σφραντζής), i cili nuk ngurronte t’i cilësonte Alvanitët si “më i keqi e i padobishmi popull” (τὸ κάκιστον καὶ ἀφελέστατον γένος τῶν Ἀλβανιτῶν), edhe pse ishte në dijeni të plotë të qëndresës së tyre të fuqishme dhe luftës së tyre të armatosur antiturke [150].

Tek shënimi 150 në fund të faqes Plasari vazhdon:

Vlen të sillet e plotë kalesa e Sfrantzës:  Ἔτι δὲ καὶ τὸ κάκιστον καὶ ἀφελέστατον γένος τῶν Ἀλβανιτῶν, καιροῦ λαβόμενον τῆς ὑπολήψεως καὶ ἁρπακτικῆς αὐτῶν γνώμης ἁρμοδίου, τί οὐκ ἔπραξαν ᾒ τί οὐκ εἰργάσαντο κακόν; Ἀπιστοῦντες γὰρ δὶς τοῦ σαββάτου, ἀπὸ τὸν ἕνα τῶν αὐθεντῶν εἰς τὸν ἄλλον ἀπήρχοντο· καὶ κάστρα, ὡς ἡ ἐκείνων γλῶσσα, εἰς κεφαλατίκια ἀπῄτουν, εἰ δ’ οὖν, εἰς τὸν ἄλλον ἀπήρχοντο καὶ οἱ ἄλλοι πρὸς τὸν ἕτερον τῶν δεσποτῶν ὁμοίως” etj. “Por edhe ai më i keqi e më i padobishmi popull i Arbëneshëve, (Albaniton) duke gjetur rastin e përshtatshëm me mënyrën dhe mendimin e tyre të mbrapshtë e lakmitar, ç’nuk bënë dhe ç’të liga nuk kurdisën?! Sepse, duke e shkelur fjalën dy herë brenda javës, kalonin nga një sundimtar te tjetri, dhe qytetet, me emrat në gjuhën e tyre, u kërkonin të qeveriseshin prej tyre, përndryshe kalonin te tjetri, ashtu si qytetet e tjera te tjetri prej despotëve [despotët Dhimitër dhe Thoma Paleologë, A.P]” etj. SPRHRANTZES, Memorii 1401-1477, XXXIX, § 8.

Kjo “etj.” në fund të tekstit edhe mund të ishte shmangur nëse i sqarohej lexuesit se dy despotët e mësipërm ishte njëri pro-turk dhe tjetri pro-perëndimor dhe se teksti origjinal vazhdon edhe me një informacion interesant që për mendimin tim nuk mund të lihej jashtë por mbase mund të prishej në këtë mënyrë argumenti i Plasarit. Vazhdon Sfrantzes me fjalinë e mëposhtme: “Διὰ μέσου οὖν, εἴ τι ἆρα καὶ εὕρισκον τῶν ἀθλίων τάχα Ῥωμαίων, ἀλλὰ δὴ καὶ τῶν Ἀλβανιτῶν καὶ συγγενῶν πολλάκις καὶ οἰκείων αὐτῶν, πάντα διηρπάζοντο καὶ ἠφάνιζον.” Përkthej: “Ndërkohë, nëse gjenin diçka që u përkiste bizantinëve (romeive) të shkretë, por shumë herë edhe albanitëve, madje edhe në familjarët e të afërmit e tyre, të gjitha i rrëmbenin dhe i shkatërronin”. Nuk po zgjatem më shumë këtu, autori ka pasur me siguri arsyet e veta për ta zgjatur ose jo citimin.

Në përkthimin e mësipërm Plasari nuk shënon se kush është përkthyesi (fatkeqësisht nuk kam në duar përkthimin e Koço Bozhorit për krahasim), pra mund të supozojmë se është ai vetë. Këtu fillojnë problemet. Botimi i Sfrantzes të cilit i referohet Plasari është ai kritik i bizantinistit rumun Vasile Grecu[2] në origjinalin greqisht dhe në përkthimin rumanisht, të cilin përdor edhe unë për këto shënime. Mirëpo fjala ἀφελέστατον nuk përkthehet në shqip si më i padobishmi, ky është një gabim fatal po të lihet kështu. Fjala e greqishtes ka kuptimin mendjelehtë, i paqëndrueshëm, naiv. Atëherë, çfarë ka ndodhur këtu? Duke përdorur përkthimin nga ana e kundërt, pra nga shqipja në greqisht, komponenti më i padobishmi na çon tek fjala greke ἀνωφελέστατον, dhe kjo me radhën e saj tek vepra e autorit që njihet si Pseudo-Sfrantzes (Makarios Melissenos) dhe në disa botime të tjera.[3] Atëherë nga cili botim dhe nga cila gjuhë përkthen Plasari? Sigurisht jo nga greqishtja. Edhe për disa arsye të tjera. E lë mënjanë frazën e origjinalit δὶς τοῦ σαββάτου që lexuesi grek i Sfrantzes e di që është fraza biblike e Ungjillit sipas Lukës, 18,12, dhe që kuptimi nuk është dy herë në javë stricto sensu, por “shumë herë, shpesh”; kaloj në disa çështje që mua më duken më të rëndësishme.

Pasazhi καὶ κάστρα, ὡς ἡ ἐκείνων γλῶσσα është dhënë në shqip dhe qytetet, me emrat në gjuhën e tyre, në vend që të përkthehej (saktë): “dhe kastrat (ose kështjellat), siç quhen në gjuhën e tyre”. Po të hedhim një sy tekstit të Pseudo-Sfrantzes, që është pothuajse identik, në këtë pjesë ai ka shtuar një informacion interesant që nuk di nëse është vënë re nga albanologët gjer tani: καὶ ἀντὶ τοῦ εἰπεῖν κώμας ἄστεα, κάστρα ἔλεγον κατὰ τὴν αὐτῶν γλῶσσαν τὴν βαρβαρίζουσαν, pra në shqip: “dhe në vend që të thonë fshatra apo qytete, kastra i quanin sipas gjuhës së tyre barbare” (f. 530 e botimit Grecu). Në latinisht botimi i Migne përkthen po ashtu ut vicos aut oppida appellarent, lingua sua barbare castras dicentes (Chronicon Majus, Lib. IV, 391). Të jetë vallë ndonjë reflektim mbi prapashtesën –kastër të shqipes ky informacion?

Pjesa e fundit me të cilën unë nuk jam krejt dakord është εἰς κεφαλατίκια ἀπῄτουν, që në shqip është dhënë si: “u kërkonin të qeveriseshin prej tyre”. Vështirësinë relative e krijon fjala κεφαλατίκιον, një term i administratës bizantine që për kuptimin e saj tre fjalorët (Du Cange, Kriaras, Trapp)[4] që përdor unë për greqishten mesjetare japin këto kuptime: a. prijës, komandant, udhëheqës b. zotërim, njësi administrative ku shtrihej zotërimi i kefalas dhe c. taksë. Domethënë, këta albanitë më sipër kërkonin që këto kështjella (qendra banimi) të kishin një prijës nga ata, ose të ktheheshin në zotërime të tilla administrative, ose të merrnin taksat nga ato. Anoj më shumë për kuptimin e taksës pasi dy kuptimet e para dëshmohen më shumë në tekste të greqishtes popullore mesjetare.[5]

 

Mihali dhe Era.

Në një segment të librit (f. 38-39), Plasari i qaset një problemi historiografik në lidhje me disa etnikone të përdorura nga Ataliati tek vepra e tij gjë që na jep edhe neve një shkas që ta rishqyrtojmë këtë problem.

Shkruan Plasari:

“Dëshmitë e Ataliatit për Arbërit nuk kanë kaluar pa ndonjë debat, që ka pasur të bëjë me trajtat e ndryshme të përdorura për ta: herë Arbanë (sic!), çfarë kujton trajtën e hershme të Ptolemeut, dhe herë Arbanitë, trajtë që do të vijë duke u trashëguar edhe prej të tjerësh autorë bizantinë. Ka qenë bizantologia greke Era Vranusi ajo që i është kthyer dhe rikthyer çështjes së termave Ἀλβανοί dhe Ἀρβανῖται si e para përmendje e Arbërve në burimet e shek. XI, pra posaçërisht tek Ataliati. Për ç’i takon përmendjes së parë, Ἀλβανοί καί Λατῖνοι, ajo ka ngulmuar në interpretimin që, në rrethanat e ngjarjes së përshkruar në Itali, të ketë qenë fjala për dy grupe popujsh të Italisë së Jugut: të parët “Frankët” të zbritur në Itali nga veriu, d.m.th. normandë meqë burimet greke në shek. XI nuk e njihnin termin Νορμανδοί, kurse të dytët banorë të hershëm të Italisë ose ndryshe longobardë. Për mbështetje ka thirrur edhe një kalesë të Vijuesit të përmendur të Joan Skilitzes, i cili kur ka riprodhuar të njëjtën ngjarje i ka përmendur dy kontingjentet si Φράγγοι dhe Ἰταλοί. Për përmendjen e dytë të Arbërve autorja ka ngulmuar në një tjetër interpretim: që emrit λβανοί të mos ketë qenë emër etnik, por epitet që duhet shkruar me të vogël dhe që ka pasur kuptimin “i huaj” (aubain, albanus), çfarë do të thotë që Ataliati ta ketë pasur fjalët për normandët si “të huaj” në rajonin e Epirit. Vetëm përmendjen e tretë, Ἀρβανῖται, autorja e ka pranuar si përmendje të emrit etnik të shqiptarëve, duke e shtyrë kështu datimin e shfaqjes së tyre tek Ataliati nga viti 1040 më 1078-1079 [111]. Përfundimet e saj nuk kanë qëndruar, sidomos mbas vërejtjeve të një numri bizantologësh, ndër të cilët kryesorë Alain Ducellier [112] dhe Koço Bozhori [113]. Ngulmimi i tepruar i historianes greke në interpretimet e saj e detyroi Ducellier-në të vinte në dukje se një ngulmin i tillë për të refuzuar përmendjen e Arbërve në shekullin në fjalë dhe për t’i parë ata të shfaqen sa më vonë në burimet historike dëshmonte një “prapamendim nacionalist”, të cilin autorja rrekej ta maskonte duke u bërë qesharake me akuzën ndaj bizantologut francez për “nacionalizëm shqiptar” [114]. Në gjendjen e sotme të studimeve mund të shtohet befasimi që një historiane si znj. Vranusi të mos ketë njohuri si për polisemitë e papritura që ndeshen kur, edhe tek i njëjti autor, po i njëjti term mund të shenjojë më shumë realitete gjeografike ose etnike, ashtu si edhe e kundërta: kur tek autorët bizantinë i njëjti realitet gjeografik ose etnik mund të pranojë më shumë se një emërtim nga i njëjti autor, për të mos thënë edhe në të njëjtën vepër.”

Në radhë të parë duhet thënë se është shumë pozitive që autori nuk e shpërfill debatin që kanë ngjallur vëzhgimet e Vranusi-t siç kanë bërë autorë të tjerë. Nga ana tjetër vini re se si pozicionimet e autores greke quhen “ngulmime” (katër herë në tekstin e cituar) dhe, pothuajse me një shfajësim pranon ato që thotë Ducellier për një prapamendim nacionalist që verboi (aveuglée)[6] autoren greke. Si qëndroni problemi? Vranusi ka shkruar një artikull të gjatë për termat Albanoi dhe Arvanites dhe përmendjen e hershme të popullit shqiptar,[7] ku trajton kryesisht tre pasazhet e Ataliatit dhe përfundon me argumente të shëndosha historike dhe gjuhësore se termi Albanoi përshkruan jo arbërit, por normandët. Argumentet dhe faktet janë ato që janë (mua të paktën më ka bindur); këtu nuk do zgjatem siç thashë edhe më lartë tek problemi historik, por tek ai historiografik. Si mund të quhet “ngulmim” një tezë origjinale e autores për të cilën madje është shprehur një herë të vetme, është tjetër gjë.

Plasari më lart është ngatërruar, pasi mendon se bizantinistja greke ka dy interpretime për termin Albanoi të Ataliatit, gjë që më bën të besoj se nuk e ka lexuar atë, ose e njeh tërthorazi nga replikimet e Bozhorit apo të Ducellier-së. Si në përmendjen a parë, ashtu edhe në të dytën emërtimi i normandëve ka ardhur nga fjala albanus “i huaj” i latinishtes mesjetare.[8] Të shkojmë pak më tutje. Në gjendjen e sotme të studimeve është e papranueshme për një autor si Plasari dhe një punim shkencor me ato pretendime që mund të ketë një libër i tillë, të përdorë ende një botim kritik të vjetëruar si ai i Bonnës[9] pa marrë në konsideratë zhvillimet e reja në këtë drejtim. Atëherë, për këdo të interesuar, mund të themi se ka dy botime kritike më të reja, të shkëlqyeshme nga të gjitha anët; një spanjoll[10] me përkthim spanjisht dhe komentim historik; dhe një grek[11] i cili është i inkuadruar në Corpus Fontium Historiae Byzantinae (Series Atheniensis) për të zëvëndësuar botimin e Bonnës. Tek botimi i Pérez Martín pasazhet e Ataliatit për Ἀλβανοί-të përkthehen albanos (f. 7) dhe Ἀρβανῖται si albaneses (f. 213) por autorja mendon, duke cituar Bozhorin dhe Ducellier-në se janë i njëjti term që shkëmbehet tek autorët bizantinë (f. 335, shën. 88).

Te botimi i Tsolakis, i cili nuk ka komente, shikojmë së tek Index Nominum, tek zëri Ἀλβανοί (f.250) i referohet veprës së Era Vranusi-t, pra i dallon qartë si dy emërtime të ndryshme albanët dhe arvanitët. Një profeci e imja thotë se tek botimet e ardhshme akademike shqiptare do parapëlqehet botimi i autores spanjolle. E zhvillojmë edhe pak këtë argument të gjendjes së sotme të studimeve. Përkthimi i parë i Ataliatit në anglisht u bë nga dy bizantinistë të njohur me origjinë greke, Anthony Kaldellis dhe Dimitris Krallis, në bazë të botimit kritik të Pérez Martín dhe u botua në serinë Dumbarton Oaks Medieval Library.[12] Për çështjen që na intereson, pasazhin e parë të Ataliatit ata e përkthejnë Ἀλβανοί si Albans (f. 13) dhe në shënimin përkatës sqarojnë: An antiquarian term reffering probably to the Normans (from ancient Alba, near Rome), not modern Albanians (f. 595). Po ashtu tek indeksi (f. 628) sqarohet: Albanoi (Albans, the Normans). Kurse termi Ἀρβανῖται përkthehet Arvanitai (f. 543) dhe shënimi përkatës sqaron: I.e., Albanians (f. 609). Njëri prej përkthyesve, Krallis, që është marrë gjatë me Ataliatin dhe veprën e tij, e ka të qartë se Ataliati flet për mercenarë normandë duke u bazuar tek rezultatet e Vranusi.[13]

Të njëjtat rezultate aprovon edhe një bizantinist tjetër i njohur, Ioannis Polemis, në përkthimin e vetë të Ataliatit në greqishten e re.[14] Veç këtyre mund të shtojmë edhe ndonjë autor tjetër që është bazuar te vëzhgimet e Vranusi, si gjuhëtari italian Lucio Melazzo, i cili në një studim mbi normandët dhe gjuhën e tyre, e zhvillon dhe e zgjeron më tej argumentin linguistik të saj.[15] Sipas Melazzo-s (f. 246): The Normans, the Φράγγοι of Scylitzes, are named Ἀλβανοί by Michael Attaleiates. This term, which is not an ethnic but just a common noun, should be written witth a small α- and corresponds to the well known word of medieval Latin albani, meaning “aliens” and denoting those who, as foreigners, were not subjects of the country in which they had settled. Edhe ndonjë tjetër historian i ka marrë parasysh vëzhgimet nga Vranusi.[16] Po ashtu, në kontekstin gjuhësor, duhet të kemi parasysh se emri etnik i shqiptarëve del në burimet më të hershme (latine, bizantine apo sllave) me trajtën fillestare arb- dhe më vonë me atë alb-.[17]

Nga këto që parashtrova më lart nuk dua të them se historiografia shqiptare duhet me doemos të pranojë pa debat një mendim ndryshe, por nga ana tjetër nuk duhet të ngelet e mbërthyer në pozicionime të vjetra pa i vështruar zhvillimet e shkencës bashkëkohore. Fundja fundit, çka solli si përfundim studimi i bizantinistes greke nuk ishte veçse spostimi i përmendjes së arbërve nga viti 1040 në vitin 1079/1080. Dikush mund të thotë se për një historiografi që ende debaton për një ditë të nëntorit 1944, dyzet vjet janë një jetë e tërë. As karta e nacionalizmit proverbial grek mund të përdoret në gjendjen e sotme të studimeve  se na duhet pastaj të pranojmë se të gjithë grekët më lart janë të këqij apo pjesë të ndonjë konspiracioni dhe vetëm Bozhori ishte grek i mirë.

Unë në fakt këtu gjej edhe një arsye tjetër që e bën historiografinë shqiptare kaq negative ndaj studimit të Vranusi-t. Mbi pasazhin e parë të Ataliatit historiografia shqiptare kishte ngritur një teori të tërë se si ishin marrëdhëniet e arbërve me bizantinët dhe për statusin aktual të atyre në perandori. Përmblidhet në këtë pasazh nga historiani Kristo Frashëri: “Materialin na e jep tërthorazi vetë M. Attaleiates, i cili duke përshkruar kryengritjen e vitit 1043 thotë se albanitët dhe latinët deri disa kohë më parë ishin shtetas të barabartë të perandorisë dhe kishin të njëjtën fe me bizantinët, por pastaj u bënë në mënyrën më të çuditshme armiq të tyre. Kjo do të thotë se më 1043 albanitët, arbanitët banorët e krahinës Albanon, Arbanon, nuk ishin as shtetas bizantinë, as ndjekës të ortodoksisë. Nuk kishin pra të përbashkët me bizantinët e kombësisë. Si të tillë ata nuk mund të quheshin më «romaios».”[18] Pra në këtë mënyrë, nëse pranohej ajo çka thoshte Vranusi duhej të rishkruhej historia mesjetare e Shqipërisë. Por këtu nuk është faji i Vranusi-t nëse historianët shqiptarë ndërtojnë teori mbi të dhëna të pasigurta ose të paktën kontroverse.

 

Kujdes theksin!

Po nga e njëjta vepër e Plasarit është edhe shënimi i fundit. Shkruan ai (f. 39-40):

Edhe theksimi i rëndësisë së pranisë të këtij funksionari arbër në administratën ushtarake të provincave bizantine në shek. XI nga specialistë të Mesjetës shqiptare – Shuteriqi [119], Bozhori [120], Ducellier [121] etj. – e ka pas vënë në punë bizantologen Era Vranousi për ta vështruar kalesën e Anna Komnenës në mënyrë kritike, duke mos i pranuar leximet dhe interpretimet e Shuteriqit, Bozhorit, Kolë Lukës etj. Simbas saj këta, tok me Alain Ducellier-në, nuk zotëronin rregullat e lakimit dhe të theksimit të greqishtes [122]. Për të te “ἐξ Ἀρβάνων κομισκόρτης” i Aleksiadës nuk është fjala për Arbanonin, por për një rajon gjeografik të quajtur “Αρβανα” [123]. Ndërhyrjet e mëpasme të Ducellier-së [124] dhe të Bozhorit [125] i kanë dhënë fund një polemike të tillë.

Këtu Plasari nuk ka kuptuar se për çfarë është fjala, madje edhe këtë vepër të autores greke siç duket e njeh vetëm nga replikat e Bozhorit. Vranusi kishte shkruar një studim të botuar në vitin 1962 për një pasazh të Anna Komnenës ku trajtoheshin dy terma, komiskorti dhe Arbanoni.[19] Tek kjo vepër ajo theksonte se komiskorti nuk është gjë tjetër veçse një funksionar, një ofiq i njohur bizantin dhe jo një emër i përveçëm dhe se nga pasazhi nuk del nëse ka qenë arbër ose jo pasi pasazhi duhej lexuar ἐξ Ἀρβάνων dhe jo ἐξ Ἀρβανῶν. Plasari nuk mund ta kuptojë këtë pasi vetë përdor botimin e Leib (1937), i cili ashtu si edhe ai i Teubner (1884), e korrigjuan leximin e hershëm të botimit të Bonnës (1839), pra theksi shkoi në /a/-në e dytë dhe jo në /o/-në e fundit. Kështu që ndryshoi edhe kuptimi, në prej Arbanave ose Arbënave (ἐξ Ἀρβάνων) nga prej Arbërve (ἐξ Ἀρβανῶν). Për këtë çështje shkruante edhe Petros Furikis[20] (që çuditërisht edhe pse studimi i tij përkon me atë të Plasarit ky i fundit nuk e ka në literaturën e tij), shumë më herët se Vranusi: “Kjo shprehje e parregullt na kishte shtënë prej shumë kohësh dyshimin se grafia «ἐξ Ἀρβανῶν ὁρμωμένῳ» nuk ishte e saktë, dhe se nuk ishte e mundur t’i referohej emrit të arbërve (Ἀλβανῶν) si komb e si racë, siç e kanë kuptuar disa. Nga pozicioni i vështirë na nxori botimi i ri kritik i «Aleksiadës» prej Teubner-it, në të cilin pasazhi, në bazë të grafive të kodikëve të tjerë, ndreqet në «τῷ ἐξ Ἀρβάνων ὁρμωμένῳ Κομισκόρτῃ». Duke pasur parasysh këtë grafi, kemi të drejtë të kërkojmë një trajtë emërore të një toponimi Ἄρβανοι [árvani], Ἀρβᾶνοι [arváni] ose Ἄρβανα [árvana], njëjësi i të cilit duhej të ishte Ἄρβανος [árvanos] ose Ἀρβᾶνος [arvános] ose Ἄρβανον [árvanon]. Trajta e parë dhe e dytë përjashtohen, sepse është e vështirë të interpretohen nëpërmjet shqipes, dhe akoma më e vështirë nëpërmjet greqishtes; trajta e tretë, përkundrazi, mund të interpretohet lehtë nëpërmjet shqipes.”[21]

Natyrisht Plasarit, apo ndokujt që nuk është folës natyral i greqishtes, kjo çështje e lakimit dhe e theksit mund të duken dytësore, por rregullat e greqishtes vlejnë edhe për ata. Keqkuptimet vijojnë. Tek pjesa që Plasari shkruan Për të te “ἐξ Ἀρβάνων κομισκόρτης” i Aleksiadës nuk është fjala për Arbanonin, por për një rajon gjeografik të quajtur “Αρβανα” , ai bën një autogol pasi Vranusi nuk thotë diçka të tillë por thotë se trajta Ἄρβανον dhe trajta Ἄρβανα janë e njëjta trajtë por në numra të ndryshëm (njëjës neuter i pari dhe shumës neuter i dyti), madje duket qartë edhe tek shënimi 123 që ka sjellë vetë Plasari për të cituar Vranusi-n. Dhe kjo, ndërrimi i numrit nëpër toponime, është një dukuri e njohur e greqishtes. Madje, çfarë është më interesante, Vranusi, tok me bizantinistin arbëresh Giuseppe Schirò (gjatë një konferencë në Oksford) ia kishte vënë në dukje Ducellier-së këtë fakt të greqishtes dhe se trajta në shumës ndeshet edhe në tekste të mëvonshme, por ky nuk i morri parasysh.[22] Duhet vënë në dukje këtu se edhe në latinishte ndeshet trajta Arbana e cila është menduar si femërore në vend që të merret si neuter shumës ArbanaArbanorum.[23]

Si konkluzion i përgjithshëm pas këtyre shënimeve, për mua si lexues, është nga njëra anë tronditja (për të mos thënë humbja) e besimit tek autori; pasi rastisi që të kisha edhe kohë edhe literaturë për të kontrolluar ato çfarë shkruhen. Po për ato që nuk mund t’i kontrolloj apo t’i verifikoj si i bëhet? Si mund ta di nëse autori nuk më gënjen dhe nuk më paraqet fakte të përzgjedhura ose të censuruara si dikur? Nga ana tjetër, nëse nga një përkthim të vogël që nuk ishte veçse një shënim në një varg shënimesh dalin kaq shumë gabime, cili është niveli i përkthimeve në botimet e tjera dokumentare? A duhen rishikuar dhe rishkruar të gjitha ato vëllime me kronistët bizantinë, kronistët osmanë, kronistët italianë apo autorët antikë për historinë shqiptare? Food for thought.

 

(c) 2020, Tannhäuser. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Duke u nisur nga natyra kritike e këtij studimi, revista i mirëpret replikat nga palët e interesuara.


[1] Plasari A., Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2020.

[2] Georgios Sphrantzes, Memorii, 1401-1477, In anexa Pseudo-Phrantzes: Macarie Melissenos Cronica, 1258-1481, Editie critica de Vasile Grecu, Scriptores Byzantini V, Editura Academiei Republicii Socialiste Romania, Bukuresht 1966.

[3] Ibidem, f. 530 (IV,16,5). Shih edhe aparatin kritik, f. 114. Po ashtu khs. p.sh. edhe botimin e Migne në PG 156, 391.

[4] Du Cange, Glossarium ad scriptores mediae et infimae graecitatis, Akademische Druck und Verlagsanstalt, Graz 1958 (riprodhim i bot. 1688), s.v. κεφαλατίκιον; Καζάζης Ι.Ν. – Καραναστάσης Τ.Α., Επιτομή του Λεξικού της Μεσαιωνικής Ελληνικής Δημώδους Γραμματείας 1100-1669 του Εμμανουήλ Κριαρά, v. I (A-K), Selanik 2001, s.v. κεφαλατίκιον; Trapp E. (unter Mitarbeit von W. Hörandner und J. Diethart), Lexikon zur byzantinischen Gräzität, besonders des 9.–12. Jahrhunderts, v. I (A-K), Veröffentlichungen der Kommission für Byzantinistik VI, Verlag der ÖAW, Vienë 2001, s.v. κεφαλατίκιον.

[5] Khs. edhe Τσιρπανλής Ζ.Ν., «Το “κεφαλατίκι” (testagium – mazzucato) στην ιπποτοκρατούμενη Κω (1441, 1512)», Βυζαντινά 15 (1989), f. 169.

[6] Ducellier A., “Nouvel essai de mise au point sur l’apparition du peuple albanais dans les sources historiques byzantines”, Iliria 5 (1976), f. 210.

[7] Βρανούση Έ.Λ., «Οἱ ὅροι «Ἀλβανοὶ» καὶ «Ἀρβανῖται» καὶ ἡ πρώτη μνεία τοῦ ὁμωνύμου λαοῦ τῆς Βαλκανικῆς εἰς τὰς πηγὰς τοῦ ΙΑ᾽αἰῶνος» Σύμμεικτα 2 (1970), f. 207-254. Një përmbledhje në frëngjisht e këtij punimi u paraqit në Kongresin e II Ndërkombëtar të Studimeve të Evropës Juglondore, Vranoussi E.L., “Les termes Ἀλβανοί et Ἀρβανῖται et la première mention des Albanais dans les sources du XIe siècle”, Actes du IIe Congres International Des Etudes du Sud-Est Europeen, v. II (Histoire), Association Internationale Des Etudes du Sud-Est Europeen, Athinë 1972, f. 387-396.

[8] Βρανούση Έ.Λ., «Οἱ ὅροι «Ἀλβανοὶ» καὶ «Ἀρβανῖται» καὶ ἡ πρώτη μνεία τοῦ ὁμωνύμου λαοῦ τῆς Βαλκανικῆς εἰς τὰς πηγὰς τοῦ ΙΑ᾽αἰῶνος» Σύμμεικτα 2 (1970), f. 225-226, 231, 235.

[9] Michaelis Attaliotae Historia, opus a Wladimiro Bruneto de Presle inventum, descriptum, correctum; recognovit Immanuel Bekkerus, Corpus Scriptorum Historiae Byzantinae, Bonnae 1853.

[10] Miguel Ataliates Historia, introducción, edición, traducción del griego y comentario de Inmaculada Pérez Martín, Nueva Roma 15, Consejo Superior de Investigaciones Científicas, Madrid 2002.

[11] Michaelis Attaliatae Historia, recensuit Eudoxos Th. Tsolakis, Corpus Fontium Historiae Byzantinae L, Acadamia Atheniensis, Institutum Litterarum Graecarum et Latinarum, Studiis Destinatum, Athenis 2011.

[12] Michael Attaleiates, The History, Dumbarton Oaks Medieval Library 16, translated by Anthony Kaldellis and Dimitris Krallis, Harvard University Press, Keimbrixh Ma. – Londër 2012.

[13] Krallis D., Michael Attaleiates and the Politics of Imperial Decline in Eleventh-Century Byzantium, ACMRS, Tempe, Arizona 2012, f. 185, shën. 39.

[14] Ατταλειάτης Μιχαήλ, Ιστορία, Κείμενα Βυζαντινής Ιστοριογραφίας 8, Athinë 1997, f. 33.

[15] Melazzo L., “The Normans through their languages”, në Chibnall M. (ed.), Anglo-Norman Studies XV. Proceedings of the Battle Conference 1992, Boydell Press, Woodbridge, Suffolk 1993, f. 244-248.

[16] Madgearu A. (Gordon M. ed.), The wars of the Balkan Peninsula: Their medieval origins, Scarecrow Press, Lanham, Md 2008, f. 25.

[17] Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu II (A-B), Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1976, s.v. arbër arbën, f. 68; Luka K., “Dëshmi të lashtësisë dhe të shtrirjes së emrit etnik arbën/ arbër” në Konferenca Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar të Gjuhës dhe të Kulturës së tij, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1988, f. 284.

[18] Frashëri K., “Trojet e shqiptarëve në shek. XV.” në Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike, v. I, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1969, f. 110-111. Ribotuar edhe në Studime për Epokën e Skënderbeut I, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1989, f. 9. Khs. edhe Xhufi P., “Shqipëria në kryqëzim të dy botëve (shek.. XI-XIV)”, në: po ai, Dilemat e Arbërit. Studime mbi Shqipërinë mesjetare, Pegi, Tiranë 2006, f. 53. Po ashtu tek i njëjti autor, Nga Paleologët te Muzakajt: Berati dhe Vlora në shekujt XII-XV, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2009, f. 82 dhe Árbërit e Jonit. Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII (bot. II i plotësuar), Onufri, Tiranë 2017, f. 512.

[19] Βρανούση E.Λ., «Κομισκόρτης ο εξ Αρβάνων», σχόλια εις χωρίον της Άννης Κομνηνής, Εκδόσεις Εταιρίας Ηπειρωτικών Μελετών, Janinë 1962.

[20] Φουρίκης Π., «Πόθεν το εθνικόν Αρβανίτης», Αθηνά 43 (1931), f. 3-37, përkthyer në shqip nga Aristotel Spiro si: Furiqis P.A., “Prejardhja e etnonimit Arvanit”, Albanohellenica 2 (2000-1), f. 117-142.

[21] Φουρίκης, idem, f. 26-27, Furiqis, idem, f. 134-135.

[22] Βρανούση Έ.Λ., «Οἱ ὅροι «Ἀλβανοὶ» καὶ «Ἀρβανῖται» καὶ ἡ πρώτη μνεία τοῦ ὁμωνύμου λαοῦ τῆς Βαλκανικῆς εἰς τὰς πηγὰς τοῦ ΙΑ᾽αἰῶνος» Σύμμεικτα 2 (1970), f. 240-241. Tek botimi i Kronikës së Tokove të G. Schirò-së ndeshet termi në shumës τα Άλβανα, shih Cronaca dei Tocco di Cefalonia di Anonimo. Prolegomeni – testo critico, traduzione di Giuseppe Schirò, Academia Nazionale dei Lincei, Romë 1975, f. 531 (indeks).

[23] Βρανούση E.Λ., «Κομισκόρτης ο εξ Αρβάνων», σχόλια εις χωρίον της Άννης Κομνηνής, Εκδόσεις Εταιρίας Ηπειρωτικών Μελετών, Janinë 1962, f. 21-22, shën. 2.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin