PLLAKA E KATËRT

Në vitet 1930, një pllakë gramafoni prej 78 rpm, e vetmja që qarkullonte në treg, nuk lejonte më shumë se 4-5 minuta regjistrim për faqe – që këtej, një vepër e gjatë, si një opera, mund të kërkonte edhe një duzinë pllakash.

Aso kohe qëllonte që edhe fjalimet e mëdha të politikanëve të shiteshin në pllaka gramafoni. Një i tillë i Stalinit, veçanërisht i rëndësishëm, kërkoi plot 4 pllaka. Deri këtu asgjë për t’u çuditur.

Vetëm se ana e pasme e pllakës së 4-t ishte e gjitha me duartrokitje, brohorima dhe ovacione.

Shtëpia botuese diskografike nuk kish guxuar që t’i shkurtonte këto – dhe me të drejtë.

Me siguri ka pasur qytetarë të Bashkimit Sovjetik, aso kohe, që pasi e dëgjonin fjalimin pllakë pas pllake, nuk harronin të vinin edhe anën B të pllakës së katërt në gramafon, për të mos e humbur fundin.

Ca prej këtyre do ta kenë bërë nga entuziazmi, ca nga forca e zakonit (“le ta dëgjojmë të gjithën, se e kemi blerë me pará”) ca të tjerë nga frika se mos i raportonte ndonjë mysafir që kishin për darkë ose fqinji: “nuk e dëgjuan pllakën e fundit!”

Përndryshe, duartrokitjet pas fjalës së Stalinit ose edhe përmendjes së Stalinit, në çfarëdo forumi, ishin gjithnjë problematike – kur do të mbaronin, dhe kush do të guxonte që ta ndalonte duartrokitjen i pari?

Kur Stalini vetë ishte i pranishëm, ua bënte me dorë të tjerëve që të ndalonin dhe këta, pak si me zor, “bindeshin”; por kur nuk ishte Stalini, mungonte vullneti për t’i dhënë fund festës.

Tregon Solzhenjicini se, në një konferencë ku Stalini nuk merrte pjesë dhe ku askush nuk po e guxonte të ndalonte, pas pesë minutash më të moshuarit nga publiku filluan të dihatnin nga sikleti dhe pas dhjetë minutash udhëheqësit e distriktit, që ishin në presidium dhe në sytë e të gjithëve, filluan të binin përdhé njëri pas tjetrit, derisa erdhën dhe i morën me ambulanca.

Mbase edhe kanë bërë sikur…

I pari që e ndaloi duartrokitjen, atë ditë, ishte një drejtor fabrike, të cilin e arrestuan të nesërmen – dhe e dënuan me dhjetë vjet, por me një akuzë tjetër.

Por ana B e pllakës së katërt, me vetëm duartrokitje, e ngre këtë histori në një rrafsh tjetër, gati mistik.

Përfytyroni, thotë Martin Amis, nga i cili e kam marrë këtë histori (Koba the Dread), sikur të jeni ulur, në dhomë, në apartamentin tuaj në Moskën e vitit 1937, dhe ta dëgjoni anën B të pllakës së 4-t. Në errësirë. Do të ketë tingëlluar, vazhdon ai, si afrimi i frikës, si muzika e psikozës, si tërbimi i shtetit.

Përpiqem edhe unë ta përfytyroj, dhe më dëgjohet si zhurmë radiacioni kozmik – ose një numerator Geiger që ka dalë mendsh, prej radioaktivitetit të Stalinit.

Kujtoj shfaqje të ngjashme, nga rinia ime: njerëz të ngritur në këmbë, që duartrokisnin me teknika të ndryshme, që madje i ndryshonin për të shmangur stresin nga përsëritja (gjithë duke përgjuar rendimentin e atyre që kishin përbri); njerëz që duatrokisnin sikur rrihnin gruan; njerëz që kalonin nga duartrokitja kaotike në një tjetër, staccato, si ritmi i çizmeve të ushtarëve në bulevard: trak-trak, trak-trak (turma që ëndërron të jetë ushtri, duke dihatur si në rreshtore); parullat “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” “Parti e Punës”, “Enver Hoxha” që ndiqnin ritmin e përplasjes së duarve, parullat e tjera, që hidheshin “spontanisht”, për ta thyer monotoninë e ritmit dhe që e kthenin turmën sërish në kaos – dhe, si për ta mbyllur këtë karnaval, ekstaza me “Enver Hoxha o tungjatjeta”.

Por në Shqipëri të paktën nuk i kishim këto në pllaka gramafoni, dhe nuk do të na akuzonte kush pastaj pse nuk i dëgjonim deri në fund.

Ja edhe Ismail Kadareja, në monologun e “gardërobistit plak” të sallës Georgievskaja në Kremlin, ku mbahej “mbledhja e 81 partive” (te Dimri i madh):

Ishin bërë kongrese dhe plenume të tjera, gjithfarë mbledhjesh solemne e botërore si kjo, megjithatë nuk kish pasur kurrë të tillë heshtje. Përkundrazi, kishte pasur raste kur zjarrmia kishte qenë kaq e madhe, saqë delegatët dilnin në pushim me duar të skuqura nga duartrokitjet dhe me zëra të ngjirur. Kishte pasur edhe dy raste kur njerëzve u ishin fryrë duart, madje herën e fundit (atij nuk i kujtohej mirë ç’mbledhje qe), në pushim kishin sjellë pranë gardërobës një si govatë me ujë me kripë, ku delegatët, të ngashëryer, me fytyra ende të ndezura, futnin duart e fryra në ujë, rrinin gjysmë të përkulur, i shikonin duart, disa me gëzim, disa me një farë mërie, kurse ndonjëri kishte në fytyrë një dehje të tillë, saqë gardërobisti besonte se ai njeri, porsa të hynte në sallë, në qoftë se nuk ia lidhnin duart, do të fillonte përsëri të duartrokiste, gjersa ato t’i çaheshin dhe t’i pëlciste gjaku.

Rreziqet e nënvleftësuara të së qenit pjesë e një publiku entuziast!

Te Turma dhe pushteti, Elias Canetti lë të kuptohet se natyra kaotike e duartrokitjes, përballë një shfaqjeje skenike të organizuar deri në detaje, një koncerti ose një fjalimi, është edhe një mënyrë e masës së publikut për t’u konstituuar si masë – dhe jo si shumë individësh.[1]

Duatrokitjet në një regjistrim – tashmë CD, por edhe vinil – i dëgjon në raste koncertesh të regjistruara live; producentët mendojnë se zhurma e publikut i jep kontekst dhe atmosferë performancës. Producenti Manfred Eicher, i ECM-së, lejon duatrokitje të gjata në fund të koncerteve solo të Keith Jarrett (p.sh. Rio dhe Carnegie Hall kanë më shumë duartrokitje se pllaka e 4-t e fjalimit të Stalinit) – çfarë vjen me një farë ironie, për ata që e kanë parasysh marrëdhënien aq konfliktuale të këtij pianisti me publikun (Keith-in e nervozojnë shumë kruarjet e zërit, kolla, telefonat celularë…; shih edhe shënimin 1 më poshtë).

Ngushëllimi i vetëm: asnjë nga ata që ia kanë prishur festën Keith-it nuk ka përfunduar në burg.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Te Canetti kam lexuar edhe faktin kurioz, që – sipas një protokolli të rreptë – turmat në prani të një mbreti në Etiopinë e lashtë duhej të duartrokisnin edhe kur ky kollej, teshtinte ose shfrynte hundët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin