Dy pasazhe nga Borges-i (në bisedë me Osvaldo Ferrari), për gjuhën dhe leksikun e ligjërimit poetik, u bënë shkas për shënimet e mëposhtme:
1.
Borges: Fjalëve u ndryshon, me kohën, vlera ose forca. Nëse ndonjëri thotë, për shembull, se Rubén Darío[1] tani tingëllon pak i vjetruar, kjo do të thotë se magjia e fjaëve që përdor poeti për ne sikur është konsumuar pak; si në rastin e fjalës “mjellmë”, të fjalës “princeshë”, të fjalës “liqen”, fjalë që pa dyshim ruajnë ende një farë magjie, por që Darío i ka konsumuar; ose ua kemi konsumuar magjinë ne vetë, kur kemi lexuar dhe rilexuar Daríon. Dhe kjo duhet t’i ndodhë çdo poeti që varet nga fjalë të caktuara: këto fjalë vijnë dhe e humbin prestigjin. Nuk ka fjalë që të mos ketë magjinë e vet; vetëm se do të ishte më mirë që një poet të mos dashurohej shumë pas disa fjalëve, sepse pastaj mund të shkojë deri atje sa të abuzojë me to dhe t’i bëjë të tingëllojnë klishe.
Ky pasazh më kujton një batutë të Salvador Dalí-së: i pari që i krahasoi faqet e një vajze me trëndafilin ishte doemos gjeni; i pari që e përsëriti këtë krahasim ishte, me gjasë, idiot. Që fjalët e humbin forcën shprehëse (“magjinë” për të cilën flet Borges-i), për këtë bindemi sapo lexojmë një poezi të Naimit: gjuha na tingëllon e sheshtë, leksiku i varfër dhe i shpëlarë. Por për këtë efekt – tek ne – nuk e ka fajin Naimi: në kohën e tij, të shkruaje ashtu ishte absolutisht revolucionare. Që ne nuk e ndiejmë më këtë, kjo vjen ngaqë jemi ekspozuar shumë ndaj shqipes së “Rilindjes”; dhe sot e vlerësojmë për arsye të tjera, më shumë ideologjike. Por Borges-i nuk flet këtu për efektin intertekstual, ose për çfarë ndodh kur një fjalë i bashkëlidhet kaq shumë një poeti ose një shkolle, sa na çon menjëherë atje: nëse unë ulem të shkruaj poezi dhe përdor krahasime si “porsi gjâma e rrfès zhgjetare” dhe “porsi i ambli fllad i erës, qi lmon gjit e drandofillit”, lexuesi i informuar do të kujtojë se po parodizoj Fishtën. Togfjalëshi “gjit e drandofillit” jo vetëm që e ka humbur magjinë si metaforë poetike, por edhe lirinë për t’u përdorur: cilido nga ne që e përdor, kërkon të “personifikojë” Fishtën, për homazh a për qesëndi. Nga ana tjetër, klishe mund të jenë jo vetëm fjalët, por edhe imazhet a tiparet e sendeve të shënjuara nga këto fjalë – trëndafili sot e ka të vështirë ta gjejë rrugën drejt një vargu, por kjo nuk ka të bëjë me fjalën trëndafil, por me imazhin mendor që evokon fjala – të një luleje të bukur edhe erëkëndshme, por edhe të një efekti poetik tashmë të lodhur, të konsumuar, “gastado”, siç e quan Borges-i. Kjo pastaj përfton edhe një kontradiktë të përbindshme, midis disa objekteve që i tërheqin vetvetiu poetët, si deti (dhe deti) ose qielli (qielli), dhe faktit që për detin dhe qiellin kanë thurur vargje të gjithë, aq sa çdo rimarrje e fjalës dhe e temës do të mbytet sakaq nga intertekstualiteti. Të mos harrojmë, pastaj, se poezia e rishpik veten qoftë duke i hapur dyert një leksiku të ri, qoftë duke larguar leksikun e vjetruar, që deri dje ishte mishërim i vetë shpirtit poetik; por kjo ndodh ngaqë leksiku i djeshëm – që në kohën e vet pat qenë edhe ai revolucionar – ka rënë viktimë e suksesit të vet. Cili poet shqip do të guxonte sot të shkruante për “shtylla tensioni të lartë”, “diga hidrocentralesh,” “montatorë” dhe “oxhaqe fabrikash që nxjerrin tym”, përveçse për të parodizuar poezinë industriale të viteve 1960 ose për të evokuar një atmosferë të katastrofës ambientale? E megjithatë, hapja e leksikut poetik ndaj terminologjisë teknike ishte një nga risitë e mëdha të poezisë shqipe, përtej konsideratave politike dhe nevojës për t’i kënduar industrializimit. Për arsye të ngjashme, shumë fjalë të shqipes standard e kanë humbur magjinë poetike, ngaqë janë konsumuar; çfarë u ka dhënë krahë poetëve me rrënjë në gegnishte që të sjellin frymë të re në poezinë e këtyre dekadave të fundit, edhe nëpërmjet një leksiku të ri; edhe pse jo duke u kthyer te “gjit e drandofillit.” Por kjo nuk do të thotë se poezia e mirë varet kryekëput nga risitë leksikore ose ndjeshmëria ndaj statusit të fjalëve; ka poetë që rrëfejnë histori (poezi narrative) ose e varfërojnë ligjërimin e tyre qëllimisht, në emër të minimalizmit ose efektit miniaturë; ka edhe poetë që ruajnë leksikun tradicional, por luajnë me sintaksën, fonetikën, kolazhin dhe me aspekte të tjera të gjuhës poetike.
[…]2.
Borges: Goethe thoshte edhe se letrarët francezë nuk duheshin admiruar shumë sepse, shtonte, “Është gjuha që vjershëron për ta”; mendonte se meritën për vargjet e kish frëngjishtja. Unë mendoj se kur dikush shkruan një faqe të mirë në frëngjisht ose në anglisht kjo nuk na autorizon të japim ndonjë gjykim për shkruesin: këto gjuhë janë përpunuar kaq shumë, sa gati funksionojnë vetvetiu. Përndryshe, nëse dikush arrin të nxjerrë një faqe të mirë në spanjisht, i është dashur të kapërcejë gjithfarë vështirësish, gjithfarë rimash të sforcuara… dhe aq shumë fjalë të paparashikuara, sa për ta shkruar atë faqe të mirë në spanjisht, një person duhet të ketë, të paktën, dhunti letrare. Ndërsa në anglishte ose në frëngjishte jo, këto gjuhë janë përpunuar kaq shumë, sa gati funksionojnë vetvetiu.
[…]Poetët […] janë shumë dyshues ndaj gjuhës, pikërisht ngaqë e përdorin dhe ngaqë ia njohin kufizimet. Më duket se Goethe pat thënë: “Mua më ka rënë në hise më e keqja”, që ishte gjermanishtja – çfarë besoj se e kish gabim – por, në fund të fundit, atij i duhej të luftonte me gjermanishten dhe ia njihte kufijtë… Pastaj, nëse nuk e teproj po ta them, fati im është spanjishtja dhe për këtë arsye jam shumë i ndjeshëm ndaj pengesave që më nxjerr dhe ngathtësive; pikërisht ngaqë më duhet ta përdor. Ndërsa, gjuhët e tjera, thjesht i pranoj siç janë. Por i pranoj me mirënjohje, siç përpiqem t’i pranoj me mirënjohje të gjitha gjërat, dhe nuk ua vë re mangësitë. Por, sikur të kisha pasur fat një gjuhë tjetër, do t’ia vija re mungesat ose paaftësitë.
Vërtet, frëngjishtja deri nga mesi i shekullit XX dhe pastaj anglishtja që vijon të dominojë sot e kësaj dite janë aq të përpunuara, sa gati “shkruajnë veten”, fluturojnë me auto-pilot, meqë subjekti shkrues ka në dispozicion një pasuri formash dhe alternativash të sigurta, nga të cilat të zgjedhë. Kjo ka të bëjë, para së gjithash, me kodifikimin stilistik të ligjërimit në ato gjuhë, falë traditës së gjatë të lëvrimit intensiv, në nivel të lartë; kodifikim që prek edhe leksikun, ose nivelin e fjalës. Mirëpo pikërisht këtu më duhet të bëj atë pyetje, e cila në analizë të fundit, i nxiti këto shënime: fakti që një gjuhë si frëngjishtja “vjershëron vetë”, për ta thënë me Goethe-n, ose që anglishtja i çliron autorët e vet nga mundime që i provojnë autorët në gjuhë më të vogla, a nuk i ekspozon tekstet në këto gjuhë të mëdha ndaj konsumimit dhe klishesë, në kuptimin siç i parashtron këto rreziqe Borges-i vetë, në pasazhin e parë? Me fjalë të tjera, ky organizim i brendshëm i ligjërimit, ky konsolidim stilistik, ky shtresim edhe i leksikut falë traditës, a nuk kthehet pastaj në pengojcë, për këdo që kërkon të shkruajë rishtas? Se, po ta lexosh pasazhin e dytë nga Borges-i nga kjo pikëpamje, duket sikur, për anglishten dhe frëngjishten, janë gjuhët vetë, me autoritetin e traditës dhe automatizmat stilistike të kolauduara mirë, që i “detyrojnë” autorët ta hedhin hapin e valles me një ritëm dhe manierë të caktuar, duke i detyruar të zgjedhin midis “letrares” dhe “joletrares” më shpesh dhe më shumë se autorët e gjuhëve të tjera, më pak të lëvruara. Dhe, nëse është kështu, atëherë njëlloj mund të themi se një shkrimtar i ri në frëngjishte a në anglishte do ta ketë më të vështirë se ai që debuton në mongolishte ose në shqipe, për t’u mbrojtur nga klishetë dhe për të mos e lënë gjuhën (autoritetin gjuhësor) që t’ia marrë në kontroll ligjërimin. Nga ana tjetër, duket sikur Goethe-ja dhe bashkë me të edhe Borges-i kanë parasysh më shumë, herën e dytë, lehtësinë e të vjershëruarit, ritmet dhe kadencat sipas të cilave organizohet shprehja poetike, shmangien e fjalëve jo-poetike; dhe, sa i përket leksikut poetik, edhe lehtësinë që i ofron poetit një traditë e leksikut poetik që i paraprin. Por edhe këtu, të paktën në shekullin XX, poetët e mëdhenj gjithnjë kanë sjellë me vete përmbysje leksikore, duke u çelur rrugë fjalëve të reja: kujtoj këtu Majakovskin, por edhe futuristët në Itali; dadaistët dhe surrealistët anembanë; poetët e beat generation (kush e lexon Howl të Allen Ginsberg-ut do ta kuptojë menjëherë se për çfarë e kam fjalën); dhe deri te rappers më të mirë sot në anglishte, në frëngjishte dhe në gjuhë të tjera, e kanë kërkuar origjinalitetin duke përmbysur kodifikimet leksikore ekzistuese. Sërish, kjo nuk është receta e vetme për të përfituar nga tradita gjithë duke e kapërcyer, por është të paktën nga më të sprovuarat. Borges-i vetë ishte poet i rafinuar, me vargje dhe forma strofike (sonete) që jo rrallë synonin perfeksionin formal, por ai u shqua më shumë për besnikërinë ndaj traditës se për futje risish në mënyrën e të shprehurit; në një kuptim, i zotëronte kodet e “zanatit” aq mirë, sa e kish të pamundur të shkëputej prej tyre; e megjithatë, jo çdo poet, madje jo çdo poet i madh, duhet të sjellë pa tjetër përmbysje të kodeve. Aq më tepër që shekulli XX shënjoi edhe një hapje të regjistrave poetikë ndaj regjistrave të tjerë, çfarë i lejoi autorët në gjuhët e mëdha dhe të vogla të përdornin material nga regjistrat informalë, bisedorë, dialektet sociale dhe zhargonet teknologjike, për efektet që synonin; e gjitha kjo, në kundërshtim me vizionin tradicionalist të gjuhës poetike. Por ka një pikë që nuk mundem veçse të bie dakord me pasazhin e dytë të Borges-it: gjuhë si anglishtja standard dhe frëngjishtja standard kanë pasur kohë të zhvillohen në mënyrë të vetvetishme dhe ta zëvendësojnë strukturën mekanike, artificiale të çdo standardi me struktura më organike, më të natyrshme; ndryshe nga gjuhë që janë standardizuar më vonë, dhe që ende tingëllojnë artificiale për ata që duan t’i përdorin me synime estetike; dhe këtu kam parasysh edhe shqipen, e cila ka vetëm gjysmë shekulli që është standardizuar. Standardizimi ose normëzimi nuk kanë lidhje me kodifikimin poetik, sikurse e di çdo poet që e ka të vështirë të negociojë me imponimet ndonjëherë arbitrare të standardit – dhe aq më e vërtetë bëhet kjo, po të kemi parasysh se shumë gjuhë nuk janë standardizuar për t’ua lehtësuar punën shkrimtarëve. Në këtë kuptim, autorëve si Fishta ose Lasgushi u rridhte ligjërimi poetik më lehtë se kolegëve të tyre në vitet 1960-1970, që përpiqeshin t’i konformoheshin standardit.
© 2020 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Citimet e Borges-it janë nga J.L. Borges, Osvaldo Ferrari, En Diálogo, Edición Definitiva, 1985.
[1] Poet nga Nikaragua (1867-1916) që mbahet si nismëtari i modernizmit në letërsinë spanjishte.