SPROVË PËR NJË FENOMENOLOGJI TË TË “FORTIT”

nga Edon Qesari

Një ndër problematikat e hershme dhe të përhershme, në rastet kur shtrohet publikisht mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri, ka të bëjë me fenomenin e boss-ëve. Thënë ndryshe, të cubave të rrënjosur në hapësira rurale dhe gjysmë-urbane që, falë aftësive të tyre, kanë arritur të krijojnë dhe të shtrëngojnë të tillë radhë mbështetësish sa për të kushtëzuar rezultatin e zgjedhjeve nëpër lokalitetet përkatëse. (Po e lemë jashtë Tiranën, pasi kjo, për shkak të statusit të kryqytetit, përbën një rast sui generis, që pak i përshtatet përshkrimit tonë të botës shqiptare përtej saj).

Shpeshherë cubat janë prodhim rrethanash nga më të larmishmet, e secili rast nuk i ngjan tjetrit; e pavarësisht veçantive individuale, “të fortët”, siç njihen në zhargonin e përditshëm të publicistikës kryeqytetase, përgjithësisht ngjajnë si dy pika uji në disa tipare (i kërkohet ndjesë, paraprakisht, lexuesit nëse në renditjen që ndjek has ndonjë stereotipizim paragjykues):

  • formim kulturor/arsimor të pjesshëm ose krejt të mangët, pavarësisht diplomimit formal;
  • luhatshmëri/fleksibilitet të lartë ideologjik dhe/ose partiak;
  • burime financiare relativisht të larta, skenari i prejardhjes së të cilëve i lihet ndjekësve të kronikës së zezë;
  • veprimtari të dyshimta nga ana ligjore (çfarë po thoshim?);
  • përvetësim të monopolit lokal të ushtrimit të dhunës në dëm të autoritetit shtetëror;
  • njohje apo marrëdhënie jashtë-ligjore me zyrtarë lokalë të gjithëfarëllojshëm;
  • bujari, veçanërisht monetare, ndaj shtresave nevojtare, por jo vetëm – thuhet se të fortët bëjnë ndere dhe një veprimtari e tillë bamirëse u kthehet pas në trajtë borxhi moral;
  • aftësi të mira drejtimi dhe organizimi, sidomos në evente përtej përditshmërisë (fushata, takime zgjedhore, protesta dhe forma të tjera presioni popullor etj.);
  • si dhe, në përmbledhje përfshirëse të kësaj renditjeje, zotërim të asaj cilësie që doracakët e sociologjisë, duke huazuar një term të greqishtes, e quajnë “karizëm” (por të lloji krejt tjetër nga ajo që cilësojnë doracakët akademikë).

Një bagazh i kësisojshëm përvojash individuale – me tipare shtesë që do të ishte e pamundur të përmblidheshin në këtë sprove përgjithësuese – ka arritur të prodhojë dy narrativa të bashkëlidhura dhe vështirë se të zgjidhshme që mbisundojnë imagjinaren kolektive të Shqipërisë së të paktën dy dekadave të fundit:

Së pari, partitë politike, si trupa të ndërmjetëm, diku mes institucioneve dhe të qeverisurve, u kanë besuar këtyre boss-ësh, gjithmonë e më tepër, marrëdhënien mes vetes dhe trupit elektoral. Arsyet janë të shumta, porse, nëse marrim parasysh zbehjen ideologjike të formacioneve që konkurojnë për qeverisje, ndryshkjen e makinazheve përkatëse burokratike-elektorale, kostot gjithmonë e më në rritje të politikëbërjes dhe të angazhimeve elektorale, uljen e murit ndarës mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë në veprimtaritë e udhëhequra nga sektori dhe financimi publik, është vënë re se partitë, në dekadat e fundit, e kanë lënë punën e tyre elektorale dhe tejelektorale në dorë njerëzish që gjykohen, pavarësisht dhe përkundër mjeteve të vëna në përdorim, të aftë në prurjen e votave: qëllimi i epërm dhe i paflijueshëm ky i çdo parie partiake me synime parlamentare dhe bashkiake.

Së dyti, e në vazhdë kronologjike me narrativën e parë, të qenit elektoralisht catchy, i ka bërë këta kingmakers-a – e duke qenë partitë gjithnjë e më shumë të varura nga zotësia organizative dhe nga dorëshpimi financiar i tyre – që të dalin nga avanskena dhe ta dëshirojnë skeptrin për vete. Që do të thotë se gjithnjë e më tepër, ata nuk pranojnë më të bëhen thjesht ndërmjetësues mes partive (apo kandidatëve partiakë) dhe elektoratit, porse duan që të kontraktojnë vetë me këtë të fundit, përmes kandidaturës formale duke marrë si shpërblim zgjedhjen e tyre në parlament ose në institucionet e pushtetit lokal. Duke qenë se fushatat elektorale kushtojnë përhërë e më tepër dhe financimet publike sa vete e bëhen më të vobekëta, kryetarët e partive duken kuptueshëm të lumtur që kokëçarjet në zona të thella dhe të padepërtueshme elektoralisht t’ia lënë në dorë individëve që – nuk ka rëndësi se si – mund të punojnë dhe të shpenzojnë vetë për vetveten. E për këtë lirim barre ia vlen që t’u jepet sigla e partisë dhe bekimi i kryetarit të saj.

Fakt është se kjo narrativë e dytë – themeli i së cilës, në fakte, lë gjithmonë vend për dritëhije sipas rasteve individuale – ka si shtojcë një gjysmë-mit, që me kalimin e viteve (e po aq me masivizimin e diskursit politik nëpër rrjete sociale) gjen goxha peshë në imagjinatën kolektive: atë sipas të cilit, legjislaturat e hershme të pluralizmit shqiptar mbizotëroheshin nga prania e personaliteteve intelektuale (nga kategoria profesionale e profesorëve universitarë, kryesisht).

Se sa i vërtetë është ky gjysmë-mit, të cilin po e quaj të tillë sepse pohimi publik i tij nuk mbështetet dhe aq në ndonjë rezultat vështrimi empirik sesa klishesh të rrënjsoura, mbetet për t’u provuar përtej krahasimeve të thjeshta sasiore. (Në këtë drejtim të fundit, Instituti i Studimeve Politike i prof. Afrim Krasniqit ka kryer disa matje interesante ndër vite, duke shqyrtuar gjithashtu edhe perceptimin publik që lidhet me rrafshin e politikës).

***

Tani, duke u rikthyer tek përpjekjet për të ndryshuar arktekturën zgjedhore – atë tërësi mekanizmash teknikë dhe ligjorë pra, ku përcaktohet modeli dhe detajet e tjera që karakterizojnë mënyrën sesi qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në institucionet qendrore – çështja e të “fortëve” ka zënë gjithmonë e më tepër një peshë të madhe në diskutime.

Për çdo model që është rrëzuar, është pohuar dhe përgjithësisht vërtetuar se ai veç e ka shpeshtuar përfshirjen e të “fortëve” nga ana e partive, duke thelluar varësinë e sferës politike prej tyre. Çka, si pasojë, ka sjellë legjislatura të varfra intelektualisht dhe madje të implikuara ligjërisht në një pjesë të mirë të elementëve të tyre përbërës. Janë ndërtuar hendeqe ligjore për të ndalur disi vërshime kandidatësh me probleme të dukshme penale, por nuk i është bërë derman nivelit intelektual të sikletshëm që kanë shumë deputetë.

Ndonëse, duhet shtuar gjithashtu se:

Në Shqipëri, duke nisur qysh prej viteve 1990, janë shqyrtuar dhe zbatuar sisteme të ndryshme elektorale, duke u luhatur pambarim mes dy skajeve të përfaqësuar nga ai mazhoritar dhe ai proporcional. Në vijim të përvojës, tek secili prej tyre është vënë re se fenomeni i të fortëve, edhe kur sistemi është ndryshuar enkas për ta minuar atë, veçse ka vazhduar. Dhe është dhjamur.

Afërmendsh, larushia e sistemeve është e madhe, pasi nga mazhoritari i pastërt deri tek proporcionali i skajshëm, alternativat mikse dhe ndreqëse mund të gjenden në masë të pafund; pak a shumë si tek trajektorja përgjatë së cilës lëviz pa sosur shigjeta në paradoksin e mirënjohur të Zenonit nga Elea. Porse kjo nuk është një e dhënë shumë e hareshme, sepse do të thotë se nëse punën e të “fortëve” e varim në qafën e një modeli elektoral, siç është dëshmuar tashmë, do të dalë gjithmonë dikush që do ta kapë sistemin. Prej qafe.

Hélas! shërimi i një plage, e cila ka marrë kohën e vet të qelbëzimit, vështirë se mund të vijë përmes ndërhyrjesh kirurgjikale afatshkurtra. Mekanizmi zgjedhor, merret me mend, është një çelës fort i vyer për riprodhimin e sistemit, por që nuk duhet ngatërruar kurrë me identitetin e të fundit. Me një fjalë, tek thirrja pretenduese për ndryshim të sistemit, e cila nënkupton por nuk e thotë se bëhet fjalë vetëm për ndryshim të përbërësit elektoral të këtij, fshihet një imbroglio së paku retorike.

Më shumë se të shënjohet aksh sistem zgjedhor si kusht për përmirësimit e përfaqësimit (e një tjetër, të anatemohet si kusht i përkeqësimit të të njëjtit në krye të herës), mbase do të ishte i udhës një lexim social i problematikës; e cila – gjithmonë mbase – do të na diktonte në mënyrë më pak të përciptë fillesat, jo detyrimisht vetëm kohore, të problematikës së shtruar.

E këtu i kërkohet sërish lexuesit (atij që pas ndjesës së parë ka vazhduar me durim dhe mirëkuptim radhët) që t’ia falë autorit ngjyresën çiltërsisht moraliste të pjesës përmbyllëse.

Një pasqyrë, edhe e ngushtë, mbi vorbullën ekonomike, arsimore, kulturore – e deri paraurbane dhe arkitekturore – të jetës nëpër rrethe dhe provincën shqiptare, do të ishte e mjaftueshme për të parë, mundësisht pa mbyllur zgavrat e hundës, si dhe për të kuptuar se të “fortët” (pra këta që duket se turpërojnë sqimën intelektuale të institucioneve qendrore) luajnë politikisht me porta të hapura. Janë, fillimisht, shprehi përfaqësuese dhe si pasojë, fuqi hegjemonizuese, në ambiente ku ndeshjet e Champions-it dhe ato elektorale kanë të njëjtën vlerë basti; dhe të dy këta gëzojnë autoritetin e padiskutueshëm social të një shkolle apo qendre punësimi.

Rrethet, në vijim, nuk nxjerrin intelektualë (si ata që, me ç’thonë, mbushnin Kuvendin e njëzet e ca viteve më parë), përveçse për t’i eksportuar drejt kryeqytetit dhe me mendjen për t’i dërguar përtej kufirit. Përkundër, rrethet nxjerrin, tërheqin dhe mbajnë në gjirin e tyre ata që ua flasin gjuhën; qoftë kjo dhe e shqiptuar nëpër tryeza bastesh dhe forumesh partiake të improvizuara me rast zgjedhjesh. Me premisa të ngjashme utilitariste, Tirana e partive dhe kryetarëve nuk iu dërgon dot – se nuk ka as leverdi, jo për gjë – ndonjë “të huaj” për t’i përfaqësuar; ndonjë që çaprashit punë integrimi apo pallavra të papërtypshme për kë nuk ia ka shumë ngenë fjalëve të mëdha.

E tillë është demokracia përfaqësuese; jo një auditorium mësimi apo edukate qytetare, por një platformë ku të të ngjashëmit takohen dhe zbulojnë se vijnë nga e njëjta baltë. Nuk është prishur kontrata shoqërore që ngre në këmbë Shtetin si rezultat i vullnetit të nënshkruesëve, e as këta të fundit nuk kanë ndryshuar. Është noteri që ia ka kaluar punën një kolegu të vet, mbase të panxënë me tituj dhe leje, por me siguri më të aftë për të folur gjuhën e kontraktuesëve.

8 Komente

  1. Është noteri që ia ka kaluar punën një kolegu të vet, mbase të panxënë me tituj dhe leje, por me siguri më të aftë për të folur gjuhën e kontraktuesëve…”
    Dmth te fortet qenkan me afer nivelit te popullit .Cfare duhet te behet qe qytetari shqiptar te votoje lirisht dhe jo nen presionin e “cunave problematike por qe sjellin vota”?

  2. Ky eshte votim me perfaqesim. Bajraktarizmi eshte nje tradite e rrenjosur ne Shqiperi, dhe jo domosdoshmerisht e keqe. Kur shikon ca kandidate partish ne North America qe do s’do do i votosh se ske tjeter zgjidhje, te bie leshte tufa-tufa. Edhe zgjedhja e Trumpit si kandidat thuajse jo partiak ishte shenje e kesaj neveritjeje popullore. Ne lagjen tone psh Partia Konservatoreve na vuri nje orthodox Jewish grua me paruke qe nuk me dha as doren kur vajta ta takoj. Dhe une votova per kandidatin liberal, Italian dora jone megjithese kam antaresi konservatore. 🙂 Tung.

  3. Historia 30 vjecare e pluralizmit na meson qe roli i “te forteve” ne poltiken qendrore shqiptare eshte minimal qe te mos them inegzistent.
    Por, sic i tha ai boti atij tjetrit: po mos ma dhje muhabetin uo ‘lla, kur ta tregosh ti, tregoje si te duash ti….

  4. FENOMENOLOGJIA E MODERATORIT (NJË PALIMPSEST)
    Nuk e di pse, po në mend më erdhi “Fenomenologia di Mike Bongiorno”, shkruar nga semiologu Umberto Eco dhe botuar në Diario Minimo. Për ta përmbledhur e perifrazuar: Nga të gjithë mediokrit, ai që arrin të ketë vëmendjen e medias është si të thuash, më i adhuruari. Atij nuk i kërkohet t’i ngjajë dikujt që nuk është, të dalë nga vetja, të bëhet më i mirë, më me kulturë, në fund të fundit më i duruar me spektatorët e paguar (5000-lekësh) që ka përreth. Megjithatë, detyra e tij është e madhe dhe e rëndë: përgatitja e kushteve për arratisjen nga realiteti. Por, që t’i hiqet prej shpine çdo barrë përgjegjësie, ne na serviren disa ideale gati-gati të arritshme: pjesëmarrja së pari. Protagonizmi televiziv. Në këtë mënyrë, i ftuari shndërrohet në një gjysmëperëndi të lakmuar, që mban përpara një kupë të shenjtë mbushur me lëngun hyjnor – Redbull, Shark, Monster ose ndonjë koktej të tipit “Mojito”, pak rëndësi ka. Ideali i konsumatorit të televizionit është edhe ai më i lumturi: sa më shumë konsumon, aq më shumë i lumtur je. Pasi askujt nuk i shkon ndërmend se lumturia ka natyrën e dialektikës hegeliane – ajo është cilësore. Jo, lumturia më e madhe përbëhet nga shuma e lumturive të vogla që arrihen kur ti konsumon, me në krah një këngëtare turbofolk e cila ndërkohë rrëfen për veten dhe gjepura të tilla si tatuazhet e fundit që ka bërë, apo ku i ka kaluar pushimet (e kujt i plasi trapi!). Dhe për këtë arsye ideali mashkullor, ose mashkullori ideal i masmediave nuk është ndonjë figurë politike, ndonjë ministër, por një moderator i së enjtes a së premtes pasdite. Nëse dikush do dilte para pasqyrës, ëndërrimtar do shihte pasqyrimin jo të vet, por të prezantuesit, atëherë ai do ishte edhe njeriu më i lumtur në nënvetëdijen e vet. Tani që e mendoj, skenës mediatike shqiptare i mungon e kundërta kokëposhtë e ndonjë gazetari këmbyer petkash me moderator. Ndoshta do merrnim si shembull Artan Fugën, por ai del tepër rrallë në televizion, shkruan tepër rrallë nëpër gazeta për t’u shndërruar në një ikonë të masmediave që zbret nga ikonostasi vetëm për të shkuar me pushime. Ka Fugë, por s’ka fare mit, krahasuar me mitin moderator. Në mbretërinë e mediokërve, ‘mediakri’ është mbret.
    Kur kthehesh mbrapa në kujtesë, nuk sheh ndonjë idiot: sheh një prezantues me vetullat e kërleshura; dora zgjatet të kapë mizën që nuk është aty, gjuha zgjatet për të prekur striptisten e paspecifikuar të ish-Bashkimit Sovjetik. Thelbi ideologjik i tij është nxjerrja si e si në skenë e Zogut të Tiranës, merita e vetme e të cilit është pasurimi i drejtshqiptimit shqip: “o zemëw, o shpiwt”.
    Vete pa thënë se mashkulli heteroseksual normal, – e ç’është më e keqja – shqiptar nuk është aspak i televizueshëm, ka mungesa shprehie, nuk bën për vëmendjen e kameras.
    Personazhin e shohim ndërkohë të rrethohet me artistë shijesh të dyshimta; tallavaxhinj stonues alla Kush m’i qan hallet e mija, Mejrem, Mejrem, Mejrem, 2x; maratonomakë të plakur dhe shoqetarë civilë që nuk hapin kurrë gojë në prani të specialistëve.
    Për kë nuk e di, media paraqet një zonë jastëk, a cushion zone, siç thuhet, mes botës dhe botimit. Që kohët e fundit, për fat të keq, është shndërruar në një synim. Je i famshëm sepse del në media, dhe nuk shfaqesh në media sepse je i famshëm. Për njeriun që s’ka bukë të hajë, kanaçja e bekuar e pijes energjike është një synim për t’u arritur, është vetë integrimi veriatlantik-europian.
    Njeriu jomesatar, me interesa kulturore, politike dhe ekonomike te moderatori sheh kufizimin e vet, dhe triumfin mediokër të këtij kufizimi. Është e kotë të dëgjosh Bahun ose Mendelssohn-Bartholdy-n; dëgjimi i klipit të fundit, “Malli” i Kidës mjafton. A e keni vënë re humbjen e mbiemrit nëpër personazhe të reklamuar kohët e fundit? A mos është kjo lindja e një aristokracie të re? Krahasojeni për shembull me Pepinin e Landenit ose me Mountbattenin e Burmës? A nuk tingëllojnë pak si shumë njëlloj?
    Gjatë gjithë këtij shkrimi duhet të kemi kujdes të mos ngatërrojmë kekun me byrekun, dmth moderatorin me personazhin moderator. Po ta shohësh, ky nuk të le përshtypjen e ndonjë ideali bukurie mashkullore, atletizmi, guximi apo testosteronesh. Urrejtja e thellë që disa ushqejnë për të, lidhet me një arketip fëminor, që kur ishim të vegjël mbante llastiqe për zogjtë apo linçonte macet e shkreta që kishin fatin e keq t’i binin në dorë. Por në të njëjtën kohë, edhe fytyrën e përshkuar nga drita e pendesës kur e kapin me presh ndër duar. Një NUK DO TA BËJ MË, të gdhendur në gur. Për t’u bërë moderator, nuk duhet me pasë fare komplekse, nuk ke pse di anglisht dhe as që duhet ta mësosh. Madje, nuk do kishe mësuar dot as frëngjisht po të mos kishe qenë në Francë, pasi frëngjishtja këtu nuk të hyn në punë. Megjithatë, duhet shprehur admirim i gjallë për dikë që ka kulturë të gjerë, duke mos e frenuar veten në batuta për midhjen ose pjeshkën, pa të shkuar ndërmend se tjetri ndoshta ndihet në siklet kur flitet për këto gjëra drejtpërdrejt në ekran. Për moderatorin, klakerët (spektatorët me pagesë) nuk janë dhe nuk duhet të jenë njerëz, persona të mirëfilltë; në rastin më të mirë janë idiotë, si p.sh. “Ma hiqni prej leckash atë idiotin aty”.
    Si dobare ndodh me shumë moderatorë të tjerë, duhet folur një shqipe e thjeshtë; ligjërimi duhet me qenë ligjërimi bazë i asfaltit të rrugës që nuk ngrihet dot deri në rang trotuari. Kategoritë gramatikore dhe sintaktike nuk njihen, njihet vetëm shkalla sipërore të mbiemrave. Njeriu nuk ka pse të vrasë mendjen për ta kuptuar, është shumë e thjeshtë ta kuptosh moderatorin.
    Moderatori nuk qesh sepse ka ndjenjën e humorit, ai qesh sepse është i vetëkënaqur, ka një emision televiziv, ka shefa të ngjashëm me veten, merr shumë dhe shpenzon shumë, si dhe pi shumë pije energjike. Me gjithë këtë energji, njeriu duhet të jetë i lumtur me patjetër. Të bie në sy që moderatori nuk përdor perifrazime në ato përimtimet e veta me natyrë seksuale dhe është përherë i çiltër në lidhje me përvojat e veta seksuale. Meqë jam në temë, m’u kujtua diçka nga vjetëria klasike: romakët, komb i zgjuar kishin arritur t’i gjenin çare edhe vetë elefantëve të Pirros, që për kohën ishin arma më e sofistikuar, ishin tanksi i vjetërsisë klasike. Romakët lyenin derra me zift dhe ua lëshonin elefantëve, të cilët merrnin vrapin të tmerruar nga derrat guçitës në flakë, shpeshherë duke vrarë e duke shkelur me këmbë në numër të madh ushtarët që duhej të mbronin. I tillë duhet të jetë një moderator i mirë, ekstatik si derr në flakë.

    1. Patjetër që titulli shkërben paksa të njëjtin e Eco-s.

      Ndërsa mua, arratia jote pindarike këtu sipër, me solli ndërmend të premten mbrëma. Kushedi pse ë!?

      1. Siç thotë dhe Nashua te Mërgata e Qyqeve, “Çdo ngjashmëri me persona realë apo imagjinarë është tërësisht rastësore.”

  5. i drejte vezhgimi besoj se nje analize deskriptive si ato qe ofron Krasniqi nuk do te hidhte shume drite ne kete punen e perfaqesimit te intelektualeve. Interesant do te ishte sesi ky nivel reflektohet ne ligjerimin publik, cfare eshte vene re disa here ketu te peizazhe ne komentet e sherreve parlamentare qe i ngjajne atyre poshte lagjes, ku ironia e sarkazma na ka lene shendene, se nuk e kupton jo vetem audienca, gjindja, por edhe bashkefolesi.

    Atehere si mund te hulumtohet nese kredencialet akademike i ka edhe Tom Doshi qe se paku ka aq dinjitet sa te mos hiqet intelektual apo te kerkoje poste shteterore? Dhe pyetja tjeter, a eshte kjo nje risi, kur historikisht kemi pasur cuba e kacake (partizan, greviste urie, protestues me hunje e hekura neper sqetulla)?

    Dmth, cfare lloje politike behet qe kerkon karaktere te tilla, ose cfare karakteresh kemi qe bejne politike te tille. e te tjera pula-veza filozofira… por kam idene se fajesohet ca shume populli

    Atehere, praktikisht, per ta mbajtur cubin large salles se parlamentit, se na felliq ne televizor apo me te huajin, duhet ti fitohet zemra .. thone se Sali Berisha e ka pasur kete “karizem”, akademik a tjetersoj kuptim.

    Mbaj mend qe per shkak te detyres sime u perplasa njehere me nje te tille te forte me trupin sa nje dollap e koken sa te nje mushke … fizikisht nuk ka gjasa te hahesh me te, e as me te shara … e imagjinoj qe ne luften elektorale ky karakter te hap probleme e nuk mund te perballet me hartime apo veprimtari te tjera civile … per kete duhen angazhuar njerez te ngjashem qe i flasin gjuhen, e ne kete menyre edhe une e ruaj gjuhen, edhe ai dinjitetin se merret me sojin e vete e menyrat e tyre … per gjithcka tjeter duhen heronj… mu kujtua tani nje film i Woody Allen mbi nje regjizor ne Broadway.. duhet te kete edhe intelektuale ne radhet e ketyre … qe ndoshta lexojne Peizazhet.

  6. Jam me durimpakun, nuk ka ndonje gje te re, kemi te njejten menyre si eshte riprodhuar pushteti ne cdo kohe.
    Populli nga natyra eshte konservator, nuk mund te priten risite nga populli.
    Populli nuk ngrihet ne revolucione, por per probleme ngushtesisht mbijetese dhe eshte detyra e shtresave te ndryshme, vecanerisht intelektualeve dhe pasanikeve qe kerkojne nje lloj tjeter shteti e pushteti, qe protestat popullore per mbijetese t’i kthejne ne revolucione.

    Ne 1990 u krye nje revolucion pseudodemokratik, realisht kleptokratik dhe intelektualet qe e moren pushtetin dhe mbushen legjislaturat e viteve 90, nuk bene gje tjeter vecse forcuan kleptokracine. Pra, shteti eshte i kapur dhe kjo pune ka marre fund, deri ne protestat popullore per ceshtje qe lidhen me mbijetesen. Aty pastaj eshte detyra e intelektualeve dhe pasanikeve qe duan nje shtet e pushtet ndryshe, qe te vihen ne krye e te kryejne ndryshimet e nevojshme. Trenin studentor e lane te ikte, te shohim kur te vije treni i radhes.

    Lidhjet e popullit me te fortet jane fiziologjike ne cdo kohe dhe ne nje sistem kleptokratik forcohen me tej, per arsye se kur shteti kapet per t’u vjele, interlokutori i popullit nuk eshte as njeriu i administrates shteterore dhe aq me pak politikani aktiv, por ai qe njeriu i thjeshte ka besim se do i kryeje nje pune te caktuar, kategori qe e ka kapur i forti dhe seksesi, qe shpesh jane e njejta gje, ne kuptimin qe sekseri qellon shpesh te jete ndonje i forte.

    Kodi zgjedhor e zgjedhjet jane farsa, sepse ndryshimi real ( per mire a per keq) kerkon 3 faktore

    1- situate te keqe ekonomike qe kategori te ndryshme popullore te dalin bashke ne shesh
    2- grupime intelektuale qe kane nje ide te perbashket, nje vizion per te ardhmen
    3- grupime pasanikesh qe e shohin veten te penalizuar nga sistemi aktual dhe jane gati te financojne ndryshimin

    Pra, duhet te bashkepunojne taksapaguesi i rrenuar ( populli), intelektuali i paangazhuar dhe pasaniku ( pa perjashtuar te fortin). Kuptohet qe kyci eshte intelektuali, se cfare do te behet me ndryshimin, nqs do te sillen njesoj si intelektualet e 1990, do kemi kalimin nga kleptokracia ne kleptokraci.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin