NJERËZ, EMRA, GJURMË

Amazoni më rekomandoi të lexoja, falas, një roman japonez, A Man, nga Hirano Keiichiro; u intrigova nga fabula dhe vendosa t’i jap një shans. Romani m’u duk shumë i mirë: që tani shoh se vazhdon të ofrohet falas, për të abonuarit në Kindle Unlimited, po imitoj edhe unë Amazonin dhe po e rekomandoj.

Tema: të ndërrosh identitetin, të rikrijohesh si subjekt, duke e fshirë nga ekzistenca veten tënde të vjetër, mes shansit dhe dramës.

Një farë Daisuké Taniguchi vendoset në një qytet të provincës japoneze dhe atje martohet me një grua të ndarë nga burri. Sjell me vete një histori familjare, por nuk dëshiron të ketë kontakte me familjen.

Të dy kalojnë katër vjet të lumtur, pastaj Daisuké pëson një aksident në punë dhe vdes. E veja e tij, Rié, e merr në sy të lidhet me familjen e tij, dhe ashtu zbulon se burri me të cilin ish martuar nuk ishte Daisuké “real”.

Edhe pse asnjë krim nuk ka ndodhur, Rié-ja pajton shërbimet e një avokati, Kido-s, për të marrë vesh se kush ishte pikërisht burri i saj. Avokati zbulon se në Japoni ekziston një rrjet i tërë që ndihmon ata që duan “të zhduken” – përkundrejt pagesës.

Kido, hap pas hapi, mëson edhe se personi që ishte hequr si Daisuké, kish pasur arsye psikologjike për ta “shfarosur” identitetin e vet të mëparshëm; madje e kish bërë këtë disa herë.

Me identitetin e vet të ri, kish rishpikur një jetë për veten, madje kish bërë të lumtur një grua, Rié-në, dhe djalin e saj nga martesa e mëparshme.

Lumturi e brishtë, që kish zgjatur katër vjet vetëm; dhe e ngritur mbi themele të gënjeshtërta.

Dëshirën për t’u zhdukur, për ta nisur nga e para, për t’i bërë jetës një resetim total – cili prej nesh nuk e ka provuar të paktën një herë?

Në Shqipëri kjo lloj vetëvrasjeje simbolike – të paktën këto 30 vjetët e fundit – kryhej përmes ikjes “jashtë”: sa herë kemi dëgjuar dhe do të dëgjojmë, për të humburit e rigjetur?

Por në Japoni paskan edhe një emër për këtë dukuri sociale – johatsu(sha), “ata që avullojnë” – sepse zhduken pa lënë asnjë gjurmë, si uji mbi zjarr.

Shifrat e “të avulluarve” janë marramendëse: ka burime që flasin për 20 mijë të tillë çdo vit. Arsyeja? Zakonisht turpi – për një dështim në punë a rrëzim, për borxhe, ngaqë nuk e mbajnë dot familjen, ose edhe për t’i ikur një martese të keqe a një marrëdhënieje toksike.

Rrëfejnë për menaxherë firmash të mëdha ose profesorë universiteti, që zhduken dhe pastaj kapin gjëkundi ndonjë punë të thjeshtë, si pjatalarës ose pastrues, me emër tjetër, pamje tjetër, kërkesa të tjera: duke lënë pas, bashkë me emrin dhe namin e vjetër, edhe kostumet europiane, kravatat e mëndafshit, theksin elitar, parfumin e preferuar, regjimin e rreptë të gjumë-zgjimit, abonimin në palestër dhe frekuentimin e koncerteve të kuarteteve të harqeve.

Ka njerëz që ndihmojnë për kalime të tilla, njëlloj si kallauzët e qëmotit – roli i këtyre nuk është i pangjashëm me atë të vrasësve me pagesë (hitmen); vetëm se këta mjaftohen duke të vrarë identitetin, për  të të blatuar një të ri.

Dhe jo për arsyen, në thelb banale, se je duke u fshehur nga autoritetet ose nga policia; por për një arsye të kundërt – sepse kërkon të fshihesh nga e shkuara jote.

Ka edhe nga ata që ia dalin të mbijetojnë tërësisht jashtë sistemit administrativ të gjendjes civile – në Japoni nuk ekziston detyrimi për të pasur dokument identiteti dhe as për t’ia treguar këtë policisë.

Të një ese e këtyre ditëve në InsideOver (Tra gli evaporati del Giappone), Federico Giuliani vëren se Japonia mund të përfytyrohet si një lloj laboratori për dukuritë sociale të bashkëkohësisë: si ata që vdesin ngaqë punojnë shumë (karoshi) dhe ata të tjerët, që tërhiqen nga jeta sociale dhe i kalojnë ditët të mbyllur në dhomë (hikikomori).

Të dyja këto patologji, bashkë me johatsusha-t, ose “të avulluarit”, mbase duan parë edhe si një lloj reagimi ndaj trysnisë sociale, detyrimit për të performuar, peshës së papërballueshme të rolit në jetën e individit.

Këto dukuri i krahasojnë ndonjëherë me çfarë ndodh, kur dikush zhduket nga rrjetet sociale, ose ndërron pseudonim – ose edhe vendos të shkëputet nga një marrëdhënie personale, duke ndërprerë çdo komunikim (ghosting); çfarë në ditët tona parakupton riformulime drastike të pranisë virtuale – online, në telefon, në trajtë statusesh ose mos-statusesh…

Unë do ta quaja konflikt mes subjektit dhe identitetit, ose pamundësi për t’iu përgjigjur me qetësi pyetjes: kush jam unë?

Janë të shumtë ata që e perceptojnë narrativën individuale si lodhje, madje edhe kur nuk duan që t’ia pranojnë vetes si lodhje. Sidomos kur vjen ai moment fatal kur ti sheh – me një farë tmerri – se nuk mund të bësh tjetër, veç asaj çfarë pritet prej teje që të bësh; ose kur e shkuara jote po fillon të manifestohet si skenar i së ardhmes sate.

Kafazi i rolit.

Dikur në Itali, një mikja ime grua e suksesshme dhe në gjendje të mirë ekonomike, e pasur dhe e ngeshme në rehatinë e saj borgjeze, kur mori vesh që unë po bëhesha gati të emigroj në New York, më tha: “Ah të kisha qenë pak më e re, me sa dëshirë do të kisha ikur edhe unë në Amerikë, për ta nisur nga e para…”

Unë këtë “nisje nga e para” njëfarësoj e kisha provuar, kur e lashë Shqipërinë në fund të vitit 1990; por më shumë se çlirim, e pata përjetuar si hutim, si kontuzion të kolonës vertebrale të qenies.

Te romani i Hirano Keiichiro-s, Daisuké kish marrë jo vetëm emrin, por edhe historinë familjare të atij “tjetrit” – jo sepse kjo do t’i hynte në punë, por për plotësi, për t’u ndier i mirëfilltë, në lëkurën e re. I pat thënë së shoqes, Rié-së, emrat e vëllezërve; i pat treguar fotografitë e tyre – reale, ku ai vetë nuk kish dalë. Ishte futur në identitet si ai aktori metodik, që e jeton rolin me ekzagjerim.

Çfarë nënkupton edhe që tjetri, Daisuké-ja “real”, e kish bërë resetimin identitar.

Romani vjen më shumë si përsiatje filozofike, se si thriller; një nga personazhet kryesore, avokati Kido, është vetë në krizë identitare, për shkak të prejardhjes së vet etnike: edhe pse japonez në çdo pikëpamje, ai rrjedh nga një familje etnikisht koreane dhe është Zainichi i brezit të tretë.

Japonia mund të jetë dorëlëshuar, në lidhje me identitetin administrativ, por shoqëria japoneze tregon kujdes të madh, për rrënjët etnike – aq sa një korean, sado i larguar nga të parët e vet, mbetet “i huaj.”

Edhe djali që Rié-ja kish me burrin e parë, por që pastaj u lidh fort me njerkun e vet, Daisuké-në, e përjeton krizën e identitetit në mënyrën e vet, duke protestuar kështu: kur linda, i thotë së ëmës, ne mbanim mbiemrin Yoneda (të babait të tij biologjik dhe burrit të parë të Rié-së); pastaj ti u ndave dhe ne u bëmë Takemoto-t (duke marrë mbiemrin vajzëror të Rié-së); pastaj ti u martove me Daisuké-në dhe ne u bëmë Taniguchi-t (me mbiemrin e Daisuké-së); tani mos na duhet të bëhemi Takemoto sërish?

Nga njëra anë janë njerëzit që avullojnë, nga ana tjetër etiketat e tyre identitare, emrat.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: kur po e mendoja këtë shkrim, u kujtova që një histori me këtë temë e kam përfshirë te Gjashtëdhjetegjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit, prandaj edhe po e (ri)sjell këtu më poshtë:

FENOMENOLOGJI PERDESH

Gjatë një bisede se ku mund të fshihej një njeri, dikush përmendi gufat, të cilat askush në Shqipëri, madje as forcat e ndjekjes, nuk pretendonte dot se i kishin shkelur; edhe pse kush strehohej në shpellë do të dekonspirohej lehtë, nga ata që do t’i shpinin ushqim, sidomos në dimër.

Megjithatë, fantazisë nuk i shpëtonte dot vizioni i një shpelle karstike, me kubé të larta, stalagtite dhe stalagmite; të pajisura mirë me konserva angleze, shishe me lëng limoni dhe ujë të rrjedhshëm, e ku një çetë burrash të stërvitur rrinin në pritje të urdhrit për t’u hedhur në veprim; me veshin të ngjitur pas radiove angleze me valë të shkurtra, të parruar, lëkurëzbehtë si të degdisurit me punë të detyruar në zgafellat ose punëtorët e kripës.

Një bisedues përmendi çatitë ose papafingot e vilave të vjetra që nga jashtë mund të dukeshin të braktisura; ose të atyre shtëpive të tjera që askush nuk e merrte mundimin t’i shembte, për shkak të shëmtimit që do të krijohej ose infeksioneve që mund të përhapeshin prej lakuriqëve të natës. Diskutuam një copë herë për jetën në një mjedis të tillë, ku drita nuk hynte veçse nga të çarat, ose gabimet në zhguall; folëm për dorëshkrimet e gjata e të rishkruara, vetanalizat, novelën e shahut, vitaminat e nevojshme kundër skorbutit, rutinën seksuale detyrimisht të varfër ose, përkundrazi, përfytyrimisht të pasur.

Edhe kështjellat historike mund t’i shërbenin fshehjes, sidomos ato më pak të vizituarat nga turistët dhe çiftet e të dashuruarve; askush, madje as monumentologët, nuk i zotëronte planet e plota të labirinteve të nëndheshme, të kthinave të kërrusura e të shkallareve prej kërmilli; vend i mirë për t’iu hequr botës prej sysh mund të ishin edhe sallat e dikurshme hijerënda të armëve tashmë të përdorura prej barinjve si strehë të përkohshme për bagëtitë, ose nga ushtarët në liridalje, për të shkruar mesazhe të ndyra mbi muret qiklopike dhe gjinjtë e rreshkur të Rozafave.

Nëse është ashtu, shtuan të tjerë, çfarë mund të thuhet për strehimet kundrajrore të lagjeve, ose bunkerët e vjetër të italianëve; bodrumet e shtëpive të kamotshme plot sende të mykura e flokë të prera plakash, që i kanë mbijetuar shkatërrimit dhe rindërtimit; kthinat e shërbimit të përshtatura në urinore poshtë urave ose tunelet e devijimit të lumenjve gjatë ndërtimit të hidrocentraleve; minierat e lashta ilire të argjendit në Mirditë; ish-manastiret ortodokse në zonat e minoritetit grek; karkasat e vagonëve hekurudhorë të braktisur e të autobuzëve të dekomisionuar; anijet që nuk ishin mbytur dot plotësisht, për shkak të fundujit të cekët?

Një shok tjetër, mjek nga profesioni, sugjeroi spitalin psikiatrik, ku dikush mund të pranohej lehtas si i sëmurë me emër të rremë, ose edhe duke u hequr se nuk mbante mend asgjë; herët a vonë do ta syrgjynosnin në repartin e kronikëve, për të cilët nuk kujtohej më askush, përveç nëpunësve të zyrës funerale, sipas rastit. Thuhej se një malësor i kërkuar për vrasje ishte strehuar ashtu; madje kishte pranuar t’i nënshtrohej mjekimit me komë insulinike dhe elektroshok, dhe kishte përfunduar invalid i pashpresë, ironikisht duke e merituar maskën që kishte zgjedhur.

U tha se edhe Diktatori mund të fshihte dikë në vilën e vet; meqë askush nuk do të guxonte të kërkonte atje. Shtëpia e udhëheqësit të shtetit gëzonte po aq eksterritorialitet sa edhe trualli i një ambasade; pa përmendur bibliotekën e pasur, enotekën dhe gatimet e zgjedhura. Pyetjes se pse mund t’i duhej Diktatorit të fshihte dikë, iu dhanë disa përgjigje – me natyrë politike, ose sentimentale. Madje pati edhe ndonjë që hodhi mendimin se rruga më e mirë për një vdekëtar që t’i fshihej vështrimit zhbirues të popullit ishte që të bëhej Diktator; meqë vetëm Diktatori e kishte prerogativën për të vendosur se çfarë ishte e fshehtë dhe çfarë jo.

Disa përmendën pastaj mundësinë për t’u fshehur prapa një maske ose shembëlltyre fjalësh dhe veprash të rreme, siç bënin, në të vërtetë, shumica prej nesh; por ashtu, me pak këmbëngulje, do të dilnim të gjithë të fshehur prej njëri-tjetrit, siç i fshihen organet e brendshme, shpretka dhe pankreasi, syrit kureshtar të Tjetrit.

Një lloj i veçantë fshehjeje, thanë të tjerë bisedues, ishte harresa; madje harresa funksiononte më mirë se teknikat e tjera, të cilat gjithnjë mund të dështonin, përballë vigjilencës së shtuar. U sollën shembuj kapanonesh industriale të zbrazura, tunelesh të ushtrisë pjesërisht të përmbytura, sisteme ujërash të zeza pak të përdorura. Megjithatë, e vetmja mënyrë për dikë që të harrohej përfundimisht, ishte dalja graduale nga skena; zbehja më tepër se zhdukja e menjëhershme.

Përfytyroni, u tha, një njeri që del nga shtëpia e vet një herë në muaj, mundësisht në një ditë me shi rreth orës 10:00 ose 11:15 para dite, dhe ecën në trotuar duke u qëndruar gjithnjë afër mureve, ose duke e ndalur çapin poshtë pemëve që pikojnë. Përfytyroni, u tha, këtë njeri që viziton, herë pas here, banjot publike menjëherë pasi këto pastrohen ose bibliotekën e lagjes të porsalyer me gëlqere ose mjediset e një ndërtese të lënë përgjysmë, për shkak të një gabimi fatal të arkitektit, ose një dyqan të periferisë që pranon rroba të përdorura përkundrejt një pagese modeste. Këtij njeriu në fillim do t’i harrohej emri, pastaj fytyra dhe në fund fare qëllimi.

Gjithsesi, të gjithë ranë në fund dakord se mënyra më e mirë për t’u fshehur, ose më e suksesshmja, ishte ajo që ende nuk dihej nga publiku, ose që mbetej edhe vetë e fshehtë; sepse të gjithë ata që e kishin përdorur, ia kishin dalë vërtet t’i fshiheshin kuriozitetit dhe syrit të tjetrit, duke ruajtur jo vetëm sekretin e tyre, por edhe të ruajtjes vetë.

Mars 2009

5 Komente

  1. Duket si fillimi i Serotoninës së Houellebecq-ut.
    Pa shkuar deri te ndërrimi i emrit dhe i vendit, edhe suksesi i fb tregon veç dëshirë masive për të skalitur një identitet të ri përmes ngjarjesh e fotosh të përzgjedhura. (Forma që i paraprin përmbajtjes, shenja kuptimit.) Virtualisht, ne i jetojmë të gjitha jetët tona paralele, selektojmë prej tyre dhe projektojmë çfarë duam për spektatorin; jemi regjizorë të jetëve tona, presim, ngjisim, hedhim në kosh sekuencat e papëlqyeshme, skarcot që janë hija jonë. Duhet të ekzistojë pa dyshim një plan identik, po me kah të kundërt, realiteti, ku këto hedhurina kanë jetën e tyre. Deri kur të vijnë e të na përndjekin, e të na duhet të nxjerrim një Freud tjetër të kurojmë neuroza të reja, që do të quhen ndryshe. Etj.

    1. Ne leximin vertikal ngaterrova jetet paralele virtuale ( qe pastaj jane reale, se ndikojne tek personi) me fantazine dhe per nje cast m’u duk sikur bota e fantazise behej realitet diku tjeter, ne nje dimension tjeter, dicka si ajo teoria e fizikes spekullative qe nga ana tjeter e cdo vrime te zeze ka nje univers.
      Pastaj m’u kujtuan qe ne 50 filmat,te cilet kane nxjerre me shume te ardhura neper kinema, hiq disa kokrra gjithe te tjeret jane fantazi ( perfshire fantashkencen).
      Pastaj m’u kujtua qe libri me i shitur ne bote, bibla eshte fantazi ( edhe leksionet morale te Krishtit i takojne fantazise morale) dhe se letersia perendimore ka si liber te pare nje lufte fantastike ( fantahistorike).

      Pastaj m’u kujtua Parmenidi me dallimin mes qenies dhe iluzionit ( fantazise i bie), i perkthyer hajdegerisht ne autentike dhe joautentike.

      Pastaj m’u kujtua qe Nicja akuzonte ashper cifutet dhe te krishteret, te cilet e shkulen njeriun nga realiteti pagan per ta zhytur me thelle ne iluzion/ fantazi ( largim nga mishi i kesaj bote ne favor te shpirtit te botes tjeter) dhe se me deshtimin e shkencizmit dhe realizmit, ka nje rikthim te iluzionit, aq shume te ushqyer per 2 mije vjet nga cifutet e te krishteret ( por edhe islamiket do shtoja) dhe qe gjendet lirisht ne fejsbuk dhe instagram, packa se mbuluar ndonjehere me hedonizem.

      Pastaj te lexova horizontalisht dhe nuk m’u kujtua gje.

      1. Ndoshta lexoni më mirë vertikalisht. Me gjasë, ndonjë paraardhës nga Japonia.

        1. E kam prejardhjen shume prozaike, per prejardhje poetike kemi kryeministrin, qe del me origjine kudo ku i shkel kemba ( megjithese per mua eshte si i thone ne Shqiperine e mesme, capon me mbiemer myslyman, qe e mban veten per shqiptar katolik). Ndoshta, po te shkelte ne Japoni, do i dilte ndonje katragjyshe e epokes Meiji, kur Kristaq Rama i Pare ishte per pune ne ambasade dhe prej nga erdhi ne Shqiperi me Kristaq Ramen i Dyte, njekohesisht i titulluar edhe konti i XIII i Durresit.

          Gjithsesi, me patekeq, ngela i zhgenjyer nga leximi horizontal dhe duhej gjithsesi ta pohoja ne ndonje menyre/fjali.
          Eshte interesante ( pjese e vertikalit) qe jeta e njeriut lidhet kaq fort me fantazite e te tjereve – per ate pune, duke filluar qe me emrin-, dhe jo vetem me fantazite e te gjalleve, por edhe sidomos me fantazite e te vdekurve, qofshin keto endrra, utopi, iluzione, shpresa, skicofreni etj.
          Nuk do te ishte keq, sikur te kishte vend gjekundi ne ndonje dimension tjeter per fantazite e gjithsecilit, qe te kompesohej padrejtesia qe i eshte bere/behet 99.99 % te 108 miliard njerezve, te cilet kane gjalluar mbi toke prej zanafilles, te cileve u duhet t’u kushtezohet realiteti, nga fantazite e 0.01% te robve.
          Gjithsesi, gjithe te mirat!

  2. Dies Irae, po thosha që shfaqjet (identiteti i projektuar në FB, por edhe fantazia, dëshirat, ëndrrat për të cilat flisni ju), për arsye të ndryshme, mund të fshihen, manipulohen, censurohen, shpërfillen, po copat e censuruara, të shpërfillura… nuk zhduken. Ato hyjnë në një botë tjetër, e cila herët a vonë do të na përndjekë në këtë botën tonë shqisore, njëlloj siç histeria dhe neurozat mundonin pacientet e reja e të pasura të Freud-it.

    Asgjë nuk zhduket, edhe kur nuk është materiale. Ose ndoshta gjithçka është materiale, dhe identiteti, ëndrrat, fantazitë kanë grimcat ose anti-grimcat e tyre.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin