MBI KORRUPSIONIN STRATEGJIK

nga Arjan Shahini

Një artikull i fundit i Exit.al sjell në vëmendje një tjetër nismë të qeverisë në kuadër të administrimit të pronave të përbashkëta. Sipas Exit.al, parlamenti pritet të miratojë një ligj që i vendos pronat publike në përdorim të “organizatave jofitimprurëse pa asnjë kufizim kohor për aq kohë sa ekziston organizata, pra praktikisht përjetësisht, nëse në të investohen mbi 5 milionë euro.” Gjithashtu, Exit.al (A.  Mborja, 28 Tetor 2019) vëren se projektligji është në vazhdën e nismave të ngjashme që sjellin përqendrimin e pasurive tokësore në duart e një grushti të vogël individësh pranë qeverisë.

Është bërë e modës që këto nisma, të vulosura nga ekspertë shëtitës ndërkombëtarë, të shoqërohen me referenca ndaj praktikave të ngjashme në Britani apo Gjermani, edhe pse realizohen si në Bullgari, Honduras apo Mozambik. Dyshimet për këto nisma vijnë, siç vëren Exit.al, vjen nga mungesa e një liste të gjatë kriteresh, që zakonisht i lihen për plotësim akteve nënligjore, e negociatave ndërmjet qeverisë dhe klientelës.

Por vijimësia kohore (timeline) dhe koherenca e këtyre nismave sa i përket synimeve (p.sh. dëshirën për ti shoqëruar këto nisma me kontrollin ndaj medias online), dëshmojnë, veç kapjes së shtetit, një tjetër dukuri: korrupsionin strategjik.

Në një artikull të Foreign Affairs, disa autorë[1] mendojnë se korrupsioni tanimë është pjesë e strategjisë kombëtare. Këtu nuk bëhet fjalë për korrupsionin e zakonshëm brenda politikës kombëtare, por për shndërrimin e korrupsionit në armë strategjike në politikën e jashtme dhe për të ndikuar mjedisin politik të vendeve të prekura apo edhe në rrafshin global. Sipas autorëve, korruptimi, është pjesë e luftës politike së disa shteteve (fq. 108).

Kuptohet që autorët merren kryesisht me rastin e Ukrainës dhe Turqisë, dhe nuk japin shembuj të përfshirjes së SHBA-së situata të ngjashme, siç ishte rasti i ndërhyrjes në Kosovë për largimin e qeverisë Kurti. Në rastin e Ukrainës, autorët tregojnë se fillesa ishte në Rusi, kur një ambasadore amerikane u largua si pjesë e makinacioneve të disa oligarkëve të lidhur me Rusinë. Më pas ngjarja vijori me ndërhyrjen e D. Trump për të hequr qafe konkurrentin në zgjedhjen presidenciale, duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj djalit të J. Biden nga kryeprokurori i përgjithshëm në Ukrainë. Në rastin e Turqisë shqyrtohet rasti i një banke të lidhur me familjen e Erdogan që ka thyer embargon ekonomike ndaj Iranit; ndërsa Trump ka dashur të ndërhyjë pranë Departamentit të Drejtësisë meqë ka investuar në Turqi. Në të dyja rastet çështje të sigurisë së SHBA-së, izolimi tregtar i Rusisë dhe i Iranit, janë vendosur në pazar për interesa personale të D. Trump.

Në Shqipëri, mediat kanë spekuluar se ka pasur disa raste që pushtetarë kanë dashur të ndikojnë Departamentin e Shtetit të SHBA-së për largimin e ambasadorëve të papëlqyer. P.sh., mendohet se ka qenë rasti i S. Berishës ndaj J. L. Withers, apo i Ilir Metës ndaj D. Lu.  Pa vlerësuar suksesin e këtyre përpjekjeve, është për t’u admiruar nisma dhe konfidenca se disa para dhe ndërhyrje lobiistësh do të mund të ndikonin mbi Departamentin e Shtetit. Nga vjen kjo konfidencë, në mos nga bindja se edhe në SHBA është si tek ne. Sidomos tani, kur më shumë se parimet politike duket se vlen qeska e parasë. Në gjithë librat e fundit kritik ndaj D. Trump mbizotëron ideja se premisa e gjykimit e presidentit amerikan është dobia ekonomike.

Interesante për t’u studiuar nga kjo qasje teorike, janë edhe lëvizjet e Sali Berishës në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (p.sh. me privatizimin e rrjetit elektrik të shpërndarjes, dhuruar një firmë çeke; apo blerja e disa helikopterëve francezë). Korrupsioni këtu përdoret si instrument i politikës së jashtme, për interesin kombëtar, por edhe për synime politike të partisë në pushtet.

Rast interesant tjetër studimor përbën mbyllja e suksesshme e televizionit Agon (Sali Berisha dështoi me Top Channel). Vërejtur nga kjo lupë teorike, rasti mund të jetë pjesë e një strategjie më largpamëse. Akuzat se F. Beccheti kishte përdorur sistemin gjyqësor për të pastruar paratë në Shqipëri, njohur me terminologjinë “sham litigation”, vlejnë ndoshta (shih ndryshimet ligjore mbi median e shpifjen!) edhe për rastin e gjykimit në arbitrazh të Shqipërisë kundër Becchetit. Praktikat e grabitjes të pasurive të shteteve të dobëta nëpërmjet çështjeve të kota gjyqësore janë të vjetra, sidomos kur bëhet fjalë për investime të dështuara e nga kompani fantazmë (shih një rast të ngjashëm në Nigeri). Kështu duhet shqyrtuar nëse paratë që qeveria shqiptare po jep për sekuestrimin e biznesit të Becchetit në Shqipëri nëpërmjet skemës gjyqësore, korruptojnë dikë në Itali për të ndikuar politikën italiane ndaj Shqipërisë. Të shpresojmë në të mirë të Shqipërisë.

Si mund të lexohen atëherë nismat e qeverisë aktuale? Përdorimi i organizatave jofitimprurëse për pastrimin e parave apo transferimin e parave brenda vendit është një praktikë e njohur (si p.sh. nëpërmjet prokurimeve publike, projekteve qeveritare, fshehjes etj.), por ajo që mund të përdoret si korrupsion strategjik, është dhënia e këtyre pronave organizatave jofitimprurëse jashtë vendit për të ndikuar politikën e vendeve përkatëse ndaj Shqipërisë. Më tej kjo ka lidhje me rifeudalizmin e vendit, që rrit rolin e OJF-ve si organizime jo-transparente jashtë vëmendjes së medias dhe publikut.

E meqë jemi në vazhdën e disa shkrimeve me spiunazhin këtu në Peizazhe: Sa e mbrojtur është Shqipëria nga përdorimi i korrupsionit strategjik të Rusisë apo Kinës, a ndonjë shteti tjetri, në vend?  Këtu nuk bëhet fjalë për blerjen e disa individëve për informacion, por për ndikime në politikat e shtetit. Raporti i SHISH në 2019, nuk trajton lidhjen ndërmjet krimit të organizuar e korrupsionit dhe sigurisë kombëtare (veç rastit të terrorizmit), edhe pse kjo është një arsye që përfshihet në këtë fushë.

Gjithashtu nuk kam parë ndonjë trajtim që diskuton p.sh. se sa efikas është kuadri ligjor për të hulumtuar burimin e financimit të OJF-ve, apo ky ligji i fundit mbi detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues – a nuk kanë qenë e detyrueshme regjistrimi i këtyre administratorëve prej 2010?

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Zelikow, Philip, Eric Edelman, Kristofer Harrison, and Celeste Ward Gventer. “The Rise of Strategic Corruption.” Foreign Affairs. 99 (2020): 107.

3 Komente

  1. Mua nuk me duket se ka ndonje rast kur korrupsioni i te huajve eshte perdorur nga keta per interesa kombetare. Te heqesh qafe nje ambasador te bezdisshem amerikan eshte per leverdi personale, ashtu si CEZ-i ishte per leverdi personale e jo se Cekia do lobonte gje me rendesi, se nuk e pyet kush Cekine se kush do futet ne BE e kush jo. Ndersa Franca nuk genjehet as me helikopteret e Saliut dhe as me shfrytezimin e energjise diellore qe po jep Rama, sepse Franca e ka oreksin e madh.
    Po njesoj nuk kam dyshim se mbyllja joligjiore e televizionit AGON qe kishte vetem 1 % te audiences shqiptare me pronar nje sharlatan te njohur, eshte thjesht nje pazar personal i Rames me Beketin per te ndare mes tyre parate e shqiptareve. Po edhe tek 600 milion dollareshi i CEZit ka futur hundet per pjesen e tij edhe Rama, sepse CEZ-i nuk kishte kurrfare qitapesh ne rregull, po ishte kompani e korruptuar me rrenje e dhemballe, si eshte psh edhe Bankersi.

    Pra, nuk kemi ndonje korrupsion strategjik aktiv ne te mire te interesit kombetar, por nje korrupsion strategjik ”pasiv” ku te huajt po na zhgrepin duke ndare pjesen me tanet.

    Mendoj se edhe perdorimi i termit interes kombetar, kur nuk eshte i gabuar sepse vetem teorik dhe jo praktik, eshte manipulativ, pavaresisht se po aq sa edhe nje gjethe fiku.
    Ne radhe te pare, interesi kombetar si paradigme e politikes se jashtme te shtetit shqiptar keto 30 vite ka nevoje per vertetim dhe nuk mund te merret e mireqene.
    Ne shek 18, Luigji 15/XV ndertoi paralel me sherbimin e jashtem shteteror edhe nje sherbim personal ne funksion te vetin dhe dinastise burbone.
    Ky sherbim paralel qe nenkuptonte edhe ambasadore de facto e spiune te mbretit, krahas atyre zyrtare te Frances u pa i nevojshem per shkak se sherbimet zyrtare kishin filluar te funksionin me shume ne interes te Frances, sesa te dinastine burbone, pra Franca kishte dinjitet te vetin si shtet , te pavarur nga dinjiteti i dinastise mbreterore burbone.

    Sherbimi i jashtem shqiptar ne keto 30 vjet ngjan me kete paralelin e Luigjit 15 dhe jo me ate zyrtarin e kohes se tij. Nuk po fusim ketu soj e sorrollop te emeruar neper poste e trafiku i droges me valixhe diplomatike, shitblerja tek te huajt e interesuar etj thjesht funksionin ne dobi te kryeministrit te radhes kundrejt atij interesit te shtetit shqiptar.

    Po njesoj me ate personalin e Luigjin 15 ka qene edhe ne kohen e Dulles dhe ne kohen e Zogollit dhe te njejten kane per te pasur edhe neser, sepse burokracia ne sektor nuk ka fituar ndonje autonomi, eshte burokraci qe lekundet ne krahet e kryeministrit te radhes, se ashtu eshte krijuar prej 100 vjetesh dhe nuk e koncepton dot veten ndryshe.

    Pra, ketu interesi kombetar as ka pasur mundesi te hyje si princip organizativ e strukturues, por thjesht perdoret si gjethe fiku nga ata qe rregullisht thone, shteti jam une, rrjedhimisht interesi kombetar eshte interesi im personal.

    Nga ana tjeter, ka nje te vertete qe ndihet nje shkalafitje parimore ne Perendim dhe nje relaksim post Luftes se Ftohte, qe po jep efekte ne shtimin e korrupsionit.
    Nje nga korruptuesit e medhenj eshte Sorosi, perpjekjet e te cilit ne Gjeorgji e Ukrahine mund te conin ne Luften e Trete Boterore. Ai u perpoq te terhiqte ne aventurat e veta DASH-in, me siguri nepermjet veglave te veta qe i ka korruptuar me menyrat qe di ai, por pa sukses.

    Praktisht Sorosi eshte i pari i nje lloji te ri korruptuesish strategjike, qe jane me siguri te lidhur me interesat e korporatave shumekombeshe apo multinacionaleve si nihen ndryshe.
    Keto do te perpiqen nepermjet dobesimit te principit te interesit kombetar qe te korruptojne zyrtare te larte per te marre favorizime biznesi dhe sigurisht ne udhetimin e tyre mund te terheqin zvarre edhe shtetet e vogla.

    Sistemet demokratike dhe oligarkike jane me te dobeta, qofte ne analize historike qofte ne analize strukturore, sepse kane shume vendimmarres dhe humbasin ne kohe cdo princip moral dhe eficence ne organizimet e tyre.

    1. dakord pjeserisht, megjithate duhet lene e hapur ideja se korrupsioni i CEZ dhe helikopterat e Sarkozy (te cilin Kadafi e mori per fat politikisht me vete), mund ti kene sjelle ca te mira Shqiperise, mjaft sikur ajo ceshtja e vizave.

      1. Vizat nuk jane hequr, por duhen per pune, shkolle, tregti etj.
        Jane hequr vetem vizat turistike, per faktin e thjeshte se ne Shqiperi kishte valute, te ciles i duhej lehtesuar kalimi ne Europe, biles edhe Amerika i ka lehtesuar shume vizat turistike, jane 3 vjecare, me qendrim jo me shume se 6 muaj cdo vit dhe jepen shume lehte ( ose njoh une shume veta qe e kane marre lehte).
        Prej heqjes se vizave turistike me BE dhe lehtesimit me Ameriken ne kemi pasur edhe vite kur turizmi na ka dale me minus, dmth me shume valute ka dale per arsye turistike jashte Shqiperise, sesa ka hyre brenda prej turizmit.

        E kam llafin qe heqjen e vizave turistike e kemi blere/paguajme me valute vit per vit, ne interes te posacem te Italise e Greqise.

        Gjithsesi pertej turizmit, nuk perjashtohet ne parim qe interesat personale te kryeministrit te perkojne ndonjehere me interesin kombetar.
        Perkundrazi, fakti qe mbreti/kryeministri ka interesa personale te cilet mund te perkojne here pas here me interesin kombetar e bejne te preferueshem edhe nje diktator vendas ndaj nje Mbikeqyresi te Pergjithshem te ndonje shteti pushtues.

        Problemi eshte se me keta qe kemi ne keto 30 vjet nuk ka perkitur asnjehere dukshem dhe pashmangshem. Perndryshe ka perkitur ndonjehere me Dullen dhe Zogollin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin