MEMET MBARUAN

nga Adela Radovani

Mëngjesi i 17 majit na gjeti të papërgatitur. Tërmeti që shkundi vjet në nëntor qe një dukuri natyrore që as parashikohet e as shmanget e, paçka se ndodhi pothuaj në të njëjtat orë të lodhshme e të një gjumi të thellë, shembja e Teatrit Kombëtar në agimin e asaj të diele të fundit të karantinës në Tiranë, na tronditi për çudi ca më keq. Ndoshta sepse qe një akt që edhe parashikohet, edhe shmanget. Ndihet në ajrin tiranas një ndryshim, një shqetësim i cili pret që gjërat mund të venë më keq. Veshi të zë fëmijë të vegjël duke luajtur në lagje dhe duke thirrur në lojë e sipër “Rama IK!”. Çdo televizion e portal, çdo analist, prezantues dhe gazetar mban në gojë vetëm atë ngjarje. Të harruara gërmadhat e fatkeqësive natyrore, vdekjet nga korona dhe piku i shumëkërkuar; tashmë njerëzit duan të dinë më të rejat për atë, atë që e kishin lënë në harresë me shpresën se qeveria e zënë me problemet e tjera, nuk do e prekte. Të harruara skandalet e stisura, show-biz dhe shashkat virtuale; tashmë njerëzit duan të dinë për fatin e tokës së lënë djerrë nga kryebashkiaku Veliaj.

Ajo që ndodhi nuk ishte veç një akt dhune e aq më pak për t’u krahasuar me zhvillime librash të famshëm distopikë – në thelb nuk është gabim të krahasosh Vëllanë e Madh me Babanë e Kombit porse realiteti kërkon veprim dhe një lloj vigjilence e cila nuk mund të zhytet nën petkun e verbozitetit letrar. Shembja e Teatrit po kërkon dhe shkakton një kthesë të rëndësishme sidomos për median dhe gazetarinë shqiptare. Ajo që ndodhi ishte përzierje e disa planeve malinje, shpërthimi vullkanik i së keqes, pleksja e interesave politike dhe ekonomike të një sërë personazheve me rëndësi, të cilët fshihen dhe arnohen mes lajmesh, intervistash dhe kronikash të paktën deri më tash. Vetëm një mendje e kujdesshme dhe e angazhuar mund të nxjerrë konkluzione të shëndosha, por mbetet e vështirë për qytetarin mesatar që të bëjë dritë në fund të tunelit.

E diela e fundit e karantinës erdhi rrëmujshëm. Erdhi pas dy javësh të gjata të një pseudokarantine, ku askush nuk merrte më leje për të dalë e për të bërë xhiro. Emisionet e ndryshme televizive, duke përfshirë Opinionin e Fevziut dhe Tempora-n e Sonila Meços, transmetuan dhe ftuan disa herë mjekun imazherist Renato Osmënaj dhe mjekun e plastikës Gëzim Xhepa, të cilët tentuan me aq sa mundën, strukur në fund të emisioneve të gjata e me dhjetëra zhurmues e të ftuar të tjerë, të bindnin shikuesit se karantina dhe zgjatja e saj nuk ishin për arsye të koronavirusit. Arsyet e zgjatjes nuk ishin të qarta dhe as mjekët në fjalë nuk ishin në gjendje ta shpjegonin. Edhe njerëzit qenë hutuar, policia u zhduk nga rrugët, ushtarët sikur i piu dheu, nëpër parqe vërshuan të rinj e të moshuar për të kaluar orët e gjata të papunësisë së detyruar. Qarkullonin dhjetëra opinione të arsyeve të zgjatjes së kotë të karantinës, ndër të cilat u përmend edhe shembja grabitqare e teatrit. Në një koment të përmbledhur për exit.al, gazetari Vincent W.J. van Gerven Oei shpjegon kronologjinë e ditëve para së dielës. Nuk munguan qytetarët, përfshirë edhe mjekët që luftuan me mish e shpirt për informim dhe qëndresë ndaj masave të bllokimit të lëvizjes dhe bizneseve, që deklaruan se do shkonin menjëherë pranë artistëve në sheshin e teatrit për të mbrojtur me trup ndërtesën nëse do ishte nevoja. Unë jam e bindur se përveçse në atë orë, në këto kushte të gjykatave dhe sistemit çyryk të drejtësisë dhe në gjendjen e postpanikut të koronës, qeveria e Ramës do ta kish pasur të pamundur ta shembte Teatrin. Ata nuk po luanin me nervat tona. Ata thjesht nuk mundeshin ta shembnin atë më parë. Mëngjesi i 17 majit, kur shumë prej nesh u zgjuan vonë, na gjeti në gjendje lufte, duke u nisur drejt sheshit, aty ku polici e shumëllojtë, me dhe pa numra, me dhe pa skafandra e maska, po dhunonte aktivistë e gazetarë, mes të cilëve Alfred Lelën, në mënyra nga më brutalet dhe qesharaket, duke marrë parasysh që teatrin kish disa orë që e kishin gërryer. Ende polici e shumtë po ruan gërmadhat, për ndonjë motiv që veç mendjet e tyre perverse e dinë. Protesta e së nesërmes na mblodhi: ra ky mort e u pamë.

Asnjë e keqe nuk vjen pa ndonjë të mirë. Botuesja Anna Shkreli shkruan në faqen e saj në Facebook:

Ma shpifin në kockë të gjithë ata partiakë që ditën e djeshme u munduan të ridikularizonin situatën nëpërmjet statuseve me gjysëm shaka dhe humoreve bajate, krijues portalesh të vogla, lobues lajmesh “të mëdha”. Ky “diversioni” i të kthyerit në shaka të gjërave për t’i zhbërë është një manovër e retorikës politikë e përdorur shumë për fat të keq që tregon vetëm sa pa respekt njerëzor jeni. Në makthet e mia më të këqija jeni ju ushtria e trollave të internetit me ngërdheshjet e përjetshme dhe e profilet fallco nga zyrat e shtypit. Memet mbaruan.”

Ka gjasë që kultura e ironisë së tepruar dhe zhurmimit të lajmeve me rëndësi për publikun buron nga mediet e lidhura e pushtetin, por pak prej nesh i kanë shpëtuar ripostimit dhe ridiskutimit të skandaleve të prodhuara për këtë qëllim. Mëngjesi i 17 majit shënoi për herë të parë një ngrirje të memeve. Një ajër i ftohtë qarkullon tashmë në rrjete sociale, është pothuaj turp të shkruash diçka që nuk lidhet me teatrin, uzurpimin e truallit publik të kryeqytetit dhe paligjshmërinë e veprimeve të shtetit. Edhe portalet më pak serioze i kanë  lënë pas dore shakatë e zakonta, edhe format e dikurshme të troll-it janë ridimensionuar. Raportimi i profileve fallco të paguara direkt nga qeveria, komentimi dhe reagimi negativ ndaj tyre, rritja e shikueshmërisë së politikanëve të lënë qëllimisht jashtë syrit të qytetarit mesatar, janë vetëm disa nga ndryshimet e ndodhura në rrjet. Shkundja e kulturës së memeve ishte një nevojë e domosdoshme për ta përdorur rrjetin social për mirë, në kushtet kur protestuesit dhe qytetarët me ndërgjegje politike nuk i lidh shpesh asgjë tjetër veç dëshirës për të mirën e përgjithshme.

Memet ndoshta nuk do mbarojnë këtu. Por ka ardhur koha për gazetari serioze, për seleksionim të kujdesshëm dhe për drejtim të opinionit publik drejt çështjeve me rëndësi për jetën e tyre. E qartë, ndërsa ne qeshim, të tjerë thurin planet diabolike dhe i zbatojnë ato, nën zhurmën dhe retë e memexhinjve dhe vëmendjekërkuesve të përhershëm.

© 2020, Adela Radovani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina © Dea Imeraj. (dea.thecreator)

1 Koment

  1. Se mos na nodh ndonje e papritur tjeter, si David Foster Wallace, qe edhe pse e kuptoi perpetualen cosmic laughter drejte kur na dhuroi Infinite Jest, e mori teper seriozisht veten, dhe keshtu, e vrau.

    Apo kjo ishte shakaja dhe nuk e kuptova une, si mendje mesatare, qe nuk bej dot drite ne fund te tunelit?

    Une, megjithate, ne mos befsha drite, kerkoj leje, qe te pakten te bej kete trollesire, meme, apo cice, tani dhe ketu, per hir te herojve te mi, me shpresen se renia e tyre nuk ishte – si i thone kaurret – “in vain”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin