PËRRALLA PËR FËMIJË DHE PËR TË RRITUR

nga Ajkuna Dakli

Deri më sot nuk kam patur fatin ta vizitoj Danimarkën, po nëse një ditë do shkoj , e di që do ta mbaj frymën te kjo shtëpi e vogël në foto, në dritaret e së cilës kam përfytyruar gjithnjë një vajzë të vogël të brishtë që shpresonte të rritej duke parë një kërcell të hollë bizeleje që lëshonte shtat nën rrezet imcake të diellit.

Kjo është shtëpia e autorit danez Hans Christian Andersen ( Prill 1805 – Gusht 1875)

Hans Christian Andersen është mbase një nga autorët më të dashur për mua përrallat e të cilit nuk kanë moshë.

Përmbledhjen e parë me përralla, botim i viteve 70 – ma dhuroi im atë kur mbarova klasën e dytë dhe më kërkoi ti nënvizoja fjalët që nuk i kuptoja. Vëllimi fillon me “Petkat e reja të mbretit” . E kam akoma diku në një cep të shtëpisë në Shqipëri (fjala “petka ” e nënvizuar me laps 🙂 )

Më vonë, kur rrëmoja nëpër qoshet e shtëpisë së tim gjyshi gjeta një botim më të hershëm të pacensuruar dhe lexova fundet e shumë historive të cunguara në botimin e viteve 70 si edhe disa përralla të tjera që nuk i kisha lexuar në këtë botim .

Është e mrekullueshme forca e përgjithësimit dhe mesazhi që sjell simbolika e përrallave te Andersenit ;

Sirena që shkëmbeu bishtin e saj ” të mrekullueshëm” me dy këmbë që thernin në çdo hap – çmimi i tjetërsimit të vetvetes për të ecur drejt një dashurie që nuk të kthehet – që si shpërblim e la shtrigën ti shkulë gjuhën e mbeti memece sepse dashuria nuk ka nevojë për fjalë ,dhe më në fund u kthye në një materie të përjetshme shkumë dallgësh ; Këpucët e kuqe që balerina e vogël i dëshiroi aq shumë po që nuk ishin për të dhe me në fund kur i bëri të sajat i sollën vdekjen – çdo pasion që errëson gjithçka tjetër ka fuqinë të vrasë, – po gjithsesi ” zemra e saj u mbush kaq shumë me diell saqë u thye, ajo shkoi lart tek rrezet e diellit në qiell aty ishte ngrohtë dhe bukur dhe askush nuk e pyeti më për këpucët e kuqe ” ; Gishtëza që jetoi një vit në shtëpinë e urithit nën tokë në dimër pa parë diell me sy aty ku “ishte ngrohtë dhe ajo kishte çdo gjë përveç diellit po kjo e bënte kaq të trishtuar” ; Baresha dhe Oxhakfshirësi prej porcelani që deshën të ikin nga mërzia dhe kotësia e botës së tyre, duke u ngjitur me mundim në errësirën e oxhakut po kur arritën në majë asaj” bota iu duk shumë e madhe ” dhe u kthyen prapë- sepse emigrimi është një udhë e mundimshme e plot dilema ; Eliza që thuri triko me fije hithrash pa nxjerrë asnjë fjalë për një vit të tërë që të shpëtonte vëllezërit e saj – sepse dashuria për njerëzit e tu është ajo që të bën të durosh çdo lloj dhimbjeje – ” po në fund vëllait të vogël i mbeti një krah mjellme” sepse koha për të çuar deri në fund veprat e mira nuk mjafton kurrë; Holger Danezi , heroi figurinën e të cilit gjyshi e gdhendi në dru për nipin e vogël që ta mësojë se heronjtë nuk vdesin sepse lënë pas veprat,; Mbreti i pangopur I cili donte të ishte i pari në cdo gjë që verbëria , mosbesimi te vetja, etja për famë dhe servilizmi i lakejve te tij e bënë qesharak dhe më në fund Rosaku i vogël i shëmtuar, i ndryshëm nga të tjerët I cili ishte në fakt mjellmë po që të gjithëve përfshirë atë vetë iu desh kohë të kuptonte se bukuria e vërtetë është ajo që kemi brenda vetes.

Ajo që më ka bërë gjithnjë përshtypje është se të gjitha personazhet flasin pak ose asfare – autori ka dashur t’i japë fjalës një vend të veçantë diçka që duhet përdorur vetëm kur, dhe aq sa duhet.

Janë të gjitha perla që të sjellin parasysh anët e bukura dhe të errëta të jetës dhe mbi të gjitha fuqinë e dashurisë , ëndrrave , kurajës, shpresës, vetëbesimit dhe vetëpërmbajtjes.

Andersen duket se i mëshon idesë se forca e shpirtit vjen nga brenda vetes dhe jo nga jashtë.

I rëndësishëm nuk është fundi po ëndrrat dhe dëshirat që të kanë bërë ta duash jetën.

Dhe siç thuhet në epilogun e përrallës së mrekullueshme “Shitësja e vogël e shkrepëseve” e cila vdiq duke u ngrohur në zjarrin e ëndrrave të saj , “kalimtarët e panë me keqardhje , ka dashur të ngrohet – tha dikush  po askush nuk mund ta dinte ç’gjëra të bukura kishte parë ajo.”

(c) 2020, Ajkuna Dakli. Të jitha të drejtat të rezervuara.

7 Komente

  1. Te falënderoj per komentin Ilir.
    Mendoj se përrallat janë ato që na kanë dhënë të gjithëve konceptet e para morale dhe estetike : E drejta dhe e padrejta; e bukura dhe e shëmtuara; e mira dhe e keqja etj.
    Në rastin e Andersen-it më duket se është më shumë se kaq. Përveç simbolikës , ka një logjikë të admirueshme të rrjedhës së ngjarjeve.
    Fundi është në fakt rrjedhë logjike e zgjedhjes së personazheve të cilët janë të vetëdijshëm për çka humbasin dhe fitojnë por megjithatë kanë kurajën të zgjedhin me zemër, dhe kjo i bën shkrimet jo-përralla ( në kuptimin që nuk kanë elemente “Deus ex machina” – karakteristik për përrallat).
    Ajkuna

  2. Ah ah, dhe përveç të gjitha këtyre, cili prej nesh nuk ka qenë një herë në jetë rosak i vogël i shëmtuar?

    1. Një nga më të bukurat.. 🙂 Ka interpretime të saj që e lidhin me prejardhjen e mundshme aristokratike te Andersen-it, po mua më duket se ka të bëjë me bukurinë e shpirtit të artistit.

  3. Artikull I shkruar mire qe shpjegon ,qarte,thjeshte e bukur metaforat e fuqishme te perrallave te Andersenit dhe qe lexuesit I mbetet ne mendje ajo qe lexon me leximin e pare .

  4. Cudi, perrallat kam lexuar gjithnje me hope, por nuk me kane terhequr kurre! Por tani pas ketij tregimi do kerkoj te gjej Andersenin. Ndoshta ky do jete ndryshe!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin