ME T’ELVANA

nga Fiona Kopali

“Policia e kulturës” kërkon të ndalohet Elvana Gjata për tekstin e saj “kriminal”. E gjitha kjo sepse shkroi e këndoi në Festivalin e Fundvitit vargjet e saj:

Kohën ndale, ndale
Të shkojë ngadalë, ndale
O më ngadalë, ndale
Nanananana…
T’i kam fal’ ty me tana
Me tana, o me tana…

Shqiptarët që u revoltuan nga Elvana, reaguan me krenari kur Era Istrefi u bë superylli botëror me vetëm një fjalë:

Bon bon
Edhe nëse s’bon s’bon
Don don
Bon bon
E di që ti don don…

Po të njëjtët shqiptarë tundën sallën e Pallatit të Kongreseve kur fenomeni Mahmood-i këndoi:

Volevi solo soldi, soldi
Come se avessi avuto soldi, soldi
Prima mi parlavi fino a tardi, tardi
Mi chiedevi come va, come va, come va
Adesso come va, come va, come va…

Suksesi i këtyre këngëve duket të jetë i njëjti motiv përsëritjeje, tamam si këngët për foshnjat që mësojnë fjalët e para. Më e pakta, arrin të të ngulet në kokë edhe disa orë pasi e ke dëgjuar, dhe e shumta, të bën zbulim ndërkombëtar. Duket se Elvana Gjata, me këngë e valle me shami të përgatitura enkas për Eurovision, ka zbatuar të njëjtën formulë. Ndonëse nuk do të jetë përfaqësuesja e Shqipërisë në atë festival, ia doli me t’tana që të bëjë një këngë që do të mbahet mend gjatë.

Festivali i Fundvitit në RTSH, historikisht, kontrollohet nga profesionistë, që pretendojnë të sjellin muzikën më të mirë të vitit. Dekada më parë, kontrolli ishte qendror prej gjendjes politike të vendit, dhe me kulturën merreshin seriozisht profesionistët. Sot, demokracia ka sjellë që kontrolli të zbehet dhe në festival pranohen ato që këngëtarët e kompozitorët janë në gjendje të paraqesin, njëfarë certifikimi i gjendjes aktuale të krijimtarisë muzikore.

Ndonëse Festivali është insitucioni që ka detyrë të promovojë kulturën, pakkush mban mend festivalet e pesë apo dhjetë viteve të fundit, në të cilët mund të ketë patur këngë të mira, por u desh zhurma e këtij të fundit që të kujtoheshim se muzika qenka dobësuar edhe atje. Sepse prej vitesh merremi kryesisht me anglishten e përfaqësuesve tanë në Eurovision, duke pasqyruar edhe në muzikë se na intereson më shumë si u dukemi ndërkombëtarëve.

Më i ngjashmi me festivalin tonë nga organizimi mbetet Sanremo, por ishte ky festival që së fundmi bëri fitues Mahmood-in dhe jo Patty Pravo-n, kurse Vasco Rossi-n e renditi të parafundit më 1983. Të papritura të tilla ka përherë në konkurse, që mund të na shërbejnë si mësime përulësie.

“Vulgu” ynë nuk ka origjinë shqiptare, nuk është as ndikim sllav, thjesht një prirje e përgjithshme botërore, ku këngë të tëra mbeten nën hijen e një kënge të vetme, që jo domosdo është gjithnjë banale:

Hallelujah
Hallelujah
Hallelujah
Hallelujah

(Leonard Cohen, 1975)

 

Just beat it, beat it
Just beat it, beat it
Just beat it, beat it
Just beat it, beat it  

(Michael Jackson, 1982)

 

All the single ladies (All the single ladies)
All the single ladies (All the single ladies)
All the single ladies (All the single ladies)
All the single ladies                        

(Beyoncé, 2008)

Kultura ka ndryshuar bashkë me stilin tonë të jetesës. Shekuj më parë duhej të ishe princ që të dëgjoje tinguj muzikorë në shtëpinë tënde, ndërsa tani kemi lirinë të ndërrojmë videon e YouTube më lehtë se kanalin e televizionit kombëtar. Mund të bëjmë këngë elitare, po aq sa edhe banale, të kërcejmë edhe vals, edhe tallava, madje të kritikojmë ashpër pa patur lidhje me artin.

Kënga del si produkt i shkrirjes së shumë elementëve, nuk është as tekst, as melodi të marra veçmas. Është shumë e lehtë të gjykosh si është diçka, pa marrë fare parasysh çfarë e solli të jetë ashtu. Shqipja masakrohet prej dekadash, dhe kjo këngë nuk është përgjegjëse, por pasojë. Por, aq i bën “policisë kulturore”, e cila nuk ndjen tolerancë për të rejat që vijnë me kalimin e kohës, por na kthen me komandë në vargjet me lulëzime mimozash, erë pranverore, qiej të kaltër, e fraza të tjera kauçuk.

E thotë edhe Elvana, kush ka me na ndal’?

(c) 2019, Fiona Kopali.

3 Komente

  1. Dakort me “policine” e tekstit, qe e teproi paksa ne kete rast, se shqipja keshtu qe keshtu eshte bastarduar me kohe! Por s.d.q., me tekstet e huaja me lart qendron serish larg, pasi ato te huajat jane vetem te thjeshta, por jo te bastarduara gramatikisht, si teksti i E. Gjates! E leme kete.
    Tani, persa i perket muzikes, thua se kenga e Elvanes do te mbahet mend gjate. Fjalet e tua ne vesh te Zotit! Ne fund te fundit, pune gustosh eshte kjo, thonin prinderit tane ne te ketilla raste. Nuk i mbetet njeriu hatri. Dhe thuaj shyqyr qe te gjithe -kush te doje- prezantohen sot permes internetit ne te gjithw boten. Mirpo, edhe tallavaja me e famshme shqiptare e viteve te fundit, “te ka lali xhan”, e cila beri buje ne bote, ne orient e ne Pakistan mbeti numri 1 me shume se sa ne Shqiperi, e cila edhe mua gati me hyri ne qejf dhe e vetmja nga tallavate qe e degjoj nje here ne dy-tre vjet, sot ka humbur bulevardit te zhurmshem te tahallave, ndersa kenge te dikurshme te kohes se “socializmit” ekzistojne akoma ne mendjet dhe zemrat e njerezve. Ndaj ketu do jemi e do te shohim se sa koha do ta mbaje lart tallavane e Elvanes.

  2. Une vras mendjen si mundet dikush ( une ne kete rast, por edhe shume njerez si une) te mbroje shijet e veta te uleta “ pa tingelluar “defensive” dhe pa ndjere nje fare detyrimi per ti shpjeguar partizaneve te shijeve “te larta” qe edhe ne dime ta kapim lopen nga konopi, me t’tonen?

  3. Receta s’ka per keto pune .Trute e miletin te nderlikuar dhe eshte veshtire sidomos kur eshte fjala per kenge te shpjegon se pse iu pelqen.Njehere bera sehir ne TV princin e Anglise duke kenduar me te tjeret kengen Delilah ne koncert te Tom Jones e cila ben fjale per dike qe rrefehet se therri te dashuren nga xhelozia.Njerezit e kendojne kudo kete kenge pavaresisht se ben fjale per nje krim pasioni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin