PËRSIATJE TEORIKE MBI LIBRIN “SHQIPJA TOTALITARE” II

Shqipja totalitare si propaganda më efikase e erës së socializmit shqiptar

(Pjesa e dytë)

Kjo është pjesa e dytë e shënimeve që u shkruan kur sapo pati dalë libri i Ardian Vehbiut “Shqipja Totalitare”, me rastin e prezantimit të librit në New York City, por që nuk qenë botuar më parë. Këtu botohen me rishikime minimale. Shkak që më bëri t’i botoj, bëhet dalja e para pak ditëve e librit të ri të Vehbiut “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”. Sido që, siç e ka shpjeguar edhe autori, dy librat kanë përqasje dhe përmbajtje të ndryshme, për mua, lidhja mes tyre është e qartë. Kësisoj, me shënimet që botoj, lexuesi ndihet t’i rikujtojë, lidhë apo paraprijë atide që do ta ndihmojnë të hyjë qetë e syhapur në leximin e librit të ri.

Gjuhëtari tek “Shqipja totalitare”

Por nëse eseja sociale e medituese e një shkruesi dhe mendimtari shumëplanësh, ka qenë profili i tij parësor në librat e parë që ka botuar, në dy të fundit, “Fraktalet e shqipes” dhe “Shqipja totalitare”, Vehbiu vjen, para së gjithash, me identitetin e tij si gjuhëtar[i]. Ky identitet shfaqet si në analizat gramatikore, leksikore e semantike, ashtu edhe në ato tekstuale e ndërtekstuale.  Esetë, ndonëse nuk i takojnë zhanrit akademik, janë të gjitha shkrime shkencore, për nga analiza, metodologjia, rigoroziteti i argumentit dhe provës. Unë i konsideroj këto dy vepra jo veç si më të mirat për nga pjekuria dhe profesionalizmi në analizë, por edhe si më të nevojshmet në fazën tonë të daljes nga tranzicioni i zgjatur si tunel fundi i të cilit nuk duket ende. Pikërisht qasje e oferta shkencore për të bërë këtë distancim i kanë munguar shqiptarëve këto njëzet vjet, sido që letërsia artistike ka një efekt kolosal në vetënjohjen dhe përgjegjësimin e një populli. Por, siç them më sipër, shkenca jep nëpërmjet një analize teknike e logjike të provuar, gjithësinë dhe strukturën e detajuar të së keqes, shkaqet dhe mundësitë për daljen nga problemi; shkenca është e vetmja që hap një hulli teorike me forcë parathënëse që më pas mund të ndiqet, dhe krijon modele të artikuluara e të artikulueshme për institucionet shoqërore që të prijnë distancime kolektive dhe të udhëheqin rritjen e një mendësie të re më të hapur. Vehbiu në këta dy librat e fundit ka marrë përsipër rolin e guidës gjuhësore të shqipfolësve dhe institucioneve, në një hapësirë lënë djerr ose harruar nga institucionet. Këta i japin pa dyshim vendin e nderit në filozofinë tonë të komunikimit, si eksplorues analitik dhe i guximshëm i teorive të qenies, të njohjes dhe të fuqisë në sjellje gjuhësore dhe komunikim publik gjatë socializmit shqiptar.

Mes shumë profileve të këtij autori e publicisti, për mua profili më i mprehtë dhe ai ku autori gjëllon më me kompetencë e lehtësi, është ai i gjuhëtarit. Por gjuhëtari vetë, zor t’ia dalë të bashkëjetojë me veten etike dhe kohën, pa analizuar gjuhën si të lidhur ngushtë me politikën dhe institucionet. Kjo më duket një prirje e natyrshme dhe e vërtetuar shpesh në raste gjuhëtarësh, edhe ndërkombëtarisht të njohur. Mjafton të kujtojmë që të gjithë filozofët që vunë bazat e postmodernes, në fakt vijnë ose kthejnë sytë nga gjuhësia si e vetmja shkencë që të lejon të kuptosh e të shpjegosh lodrat njerëzore me shenjat, komunikimin në një spektër politik, prodhimin dhe prodhimin e pushtetit dhe lidhjen e tij me forcën e simboleve. Nuk çuditem aspak për këtë prirje të Vehbiut, ku gjuhëtari i bën udhë e respekton sociologun, antropologun, etnografin, studiuesin e mediave dhe komunikimit, madje edhe artistin, dhe përgjithësisht intrpretuesit të simboleve.

Nga pjesët e librit që kam lexuar me më shumë qejf janë ato që merren me analizën strukturore gjuhësore të përmbajtjes totalitare në ligjërimin publik, veçanërisht analiza e përdorimit të përemrave, emërzimi, kohët e foljeve si dhe disa analiza semantike fjalësh e shprehjesh. Në blogun e tij të gjallë, e të vizituar me kërshëri, Vehbiu gjithashtu i falet “fjalës” dhe magjive të saj. Pa i hyrë në hak analizave shoqërore, që shpesh i referohen po gjuhës dhe shenjës në përgjithësi, nga prodhimet më delikate e argëtuese në blogun e tij, janë ato për shqipologjinë, grimca analizash morfologjike e sintaksore që mbajnë gjithnjë një këmbë në semantikë e në pragmatikë. Kjo është një tjetër provë që Vehbiut nuk ia ka qejfi teorinë për teori, dhe sesi i mbin kudo gjatë analizës një si spirancë shpëtimi në tokën e funksionimit të objektit të analizës, në shoqëri. Autori, jashtë çdo dyshimi, adhuron fjalën, por, në adhurim e sipër, nuk ia përton ta telefosë përdorimin e saj deri në atë pikë të analizës, sa mikrokozmosi strukturor (analiza e një parashtese apo e një forme vetore të caktuar) e makrokozmosi diskursiv shoqëror (vlera ideologjike e përdorimit dhe praktikat shoqërore e politike që aktivizohen e përforcohen) humbasin dallimin e bëhen njësh. Në këtë pikë të interpretimit, rrethi i të kuptuarit plotësohet dhe shndërrohet në praksis; shkenca bëhet e përdorshme për shoqërinë.

“Shqipja totalitare”: linjat kryesore

Unë gjej katër dimensione përkundrejt të cilave Vehbiu analizon procesin e totalitarizimit të shqipes, dimensione që gjithashtu mbështesin tezën time fillestare mbi totalitarizimin e saj në përdorimin si propagandë totale e sociologjike. Në veprimin e vet përgjatë tyre, shqipja bie nën kontrollin gati total të propagandistit dhe u ushqen folësve propagandën e regjimit: së pari, zgjedhja dhe detyrimi me dhunë i standardit ose letrarishtes duke shtypur me asgjësim direkt e total të përdorimit të gegërishtes. Këtë aspekt Vehbiu e cik lehtësisht këtu, por e analizon gjerësisht në “Fraktalet e shqipes”; së dyti, dhe pasojë e së parës, eliminimi nga inventari i shqipeve të lëvruara i pasurisë që sillte gegërishtja apo forma të tjera shqipesh të lëvruara të së kaluarës jo-komuniste, në ligjërimin publik, që pavarësisht nga cilësia teknike ose jo, sillnin shumëllojshmëri dhe i nevojiteshin fort shqipes publike. Vehbiu, sido që nuk zgjatet, sjell argumentin e intertekstualitetit si aspekt i natyrshëm e i domosdoshëm i ligjërimit publik; së treti ideologjizimi i sipërfaqes së gjuhës nëpërmjet përdorimit total të sloganeve, zhargoneve, klisheve e ritualeve leksikore që e bënin ligjërimin të mbingarkuar ideologjikisht;

Por është dimensioni i katërt që, sipas meje, sjell ndihmesën më të rëndësishme të librit: ideologjizimi i shpirtit të gjuhës, gjymtimi i mekanizmave të brendshëm që prodhojnë natyrshmëri e liri krijimi gjuhësor; synimi për të shkatërruar motorin e krijimit dhe të risisë individuale në gjuhë që do të përkthehej në çfarëdolloj lirie tjetër të menduari e të vepruari; krijimi i shprehive negative me bazë në strukturat e thella (morfologji, sintaksë, semantikë e pragmatikë), jo në sipërfaqe (fjalë e shprehje të ngurta e klishe, që janë makiazh për gjuhën). Pra është tamam ajo pjesë e gjuhës dhe ligjërimit që më indirekt dhe më ngadalë përçohet nga ideologjia, por që, nga ana tjetër, ka fuqinë të transformojë dhe riprodhojë mendësinë kolektive[ii]. Tamam këtë pjesë të procesit mekanik të totalitarizimit të shqipes, autori e analizon jo veç në të gjitha qoshet e veta strukturore e stilistike, por edhe nga çdo këndvështrim i mundshëm. Këtu analiza strukturore me natyrë gramatikore, leksikore e semantike, prin atë tekstuale e ndërtekstuale[iii]. Vehbiu na fut në galerinë e anomalive të përdorimit totalitar të gjuhës: Përdorime të caktuara kohore që sigurojnë një lidhje artificiale e të detyrueshme të veprimit me të ardhmen; venerimi i autoritetit absolut jashtë çdo interesi a prirjeje të individit nëpërmjet mjetesh gjuhësore, të bërët zakon i prodhimit të ligjërimeve të palidhura ose jashtë kontekstit për arsye ideologjike, interpretimi tjetër për tjetër i fjalëve, arbitrarizmi në rikuptimësimet gjuhësore pasojë e dobësimit deri në zhdukje të lidhjeve mes shenjimit e mbishenjimit të së njëjtës fjalë, zbrazja kuptimore e fjalëve, shprehjeve dhe teksteve të tëra, eliminimi i autorit dhe autorësisë së vërtetë në ligjërim, dhe, nga ana tjetër, autorësimi i rremë i një subjekti që s’ka lidhje me ligjërimin, vetëzhbërja e aktit krijues për çdo individ folës, dhe sidomos normalizimi në përdorim i gjithë këtyre anomalive ligjërimore që përmenda. Kjo klimë publike e gjuhësore krijoi një komunitet folës të çekuilibruar e që vuante çrregullime serioze të sistemit kognitiv që prodhon e lejon përdorimin normal gjuhësor në sferën publike, pa zënë me gojë rënien për tokë të normave etike që karakterizojnë një shoqëri normale. Shqipja totalitare i kalonte përdoruesve të saj ato veçori që karakterizonin kulturën e elitave të interesuara në funksionimin e saj totalitar: “frikën, ambicjen, paranojën, inkompetencën, urrejtjen, lakminë, idiotizmin, ose megalomaninë e udhëheqjes” (Vehbiu. p.69).

Në një botim të dytë (“Shqipja Totalitare” ia vlen të ketë botime të tjera, dhe do vlente shumë si tekst studimi në universitet dhe ndër maturantë) do sugjeroja rikonfigurimin e kufijve të disa kategorive që janë bazë e eseve të ndryshme, dhe krijimin e një logjike më të qartë në strukturën lidhëse mes eseve në radhitjen e tyre në libër. Ndoshta si kriter mund të shërbente ai i grupimit të mjeteve dhe strategjive të totalitarizimit të shqipes publike sipas tri arteve të lashta të diskursit: gramatikës, logjikës dhe retorikës. Por ka edhe shumë rrugë të tjera funksionale.

Lexime të gabuara të “Shqipes totalitare”

Para pak kohësh, në blogun e vet aktiv, dhe gjithnjë sfidues e edukues, autori i “Shqipes totalitare” vetëanalizohej lidhur me reagimin mbrojtës të autorëve (reagim gati i pandërgjrgjshëm) ndaj një lexuesi në Internet që nuk respekton as veten e as veprën që lexon (ose që nuk lexon), dhe krijon një lloj “smogu” në ligjërimin publik që veç ndot rrugët e komunikimit efektiv mes njerëzve. Shpjegimin që do jap më poshtë, nuk ia drejtoj kategorisë së mësipërme të lexuesve. Mendoj se është i nevojshëm për atë lexues që natyrshëm mund të ketë disa paqartësi për kuptimin e librit. Sqaroj tani disa lexime të hasura dhe të mundshme të koncepteve përdorur në esetë e librit, që unë i konsideroj si keqkuptime. Së pari, mjeti gjuhësor në vetvete nuk është fajtor për totalitarizmin apo totalitarizimin. Kështu psh “emërzimi” në vetvete është përdorur e do përdoret gjithnjë, është shpesh i nevojshëm, e ndonjëherë i domosdoshëm. Është të çuarit në ekstrem të përdorimit të tij dhe përdorimi i tij “pa qenë nevoja” ato që mund të shenjojnë një ideologji totalitare dhe të përforcojnë atë. Them “mund” sepse nëse ai nuk del sitematikisht e i fortifikuar me mjete të tjera që demonstrojnë të njëjtën ideologji (pra me shokë shumë), mund të shpjegohet krejt ndryshe. Ndaj përdorimi i një mjeti gjuhësor duhet parë pa fanatizëm, nga shumë anë bashkë, i lidhur me pasojat që sjell në tekst dhe në jetën e përdoruesve, si dhe i lidhur me interesat dominuese të një shoqërie. Gjithashtu, sipas meje, “Shqipja totalitare” nuk do të thotë që “shqipja është totalitare”, por do të thotë, “një version i shqipes që është totalitar”. “Shqipja totalitare” nuk nënkupton as se “gjuha letrare është gjuhë totalitare” dhe as që “toskërishtja është totalitare”, sido që në vendimin e forcuar për përdorimin e saj dhe në disa mënyra të funksionimit të vet, shqipja letrare u bë përçuesja kryesore e totalitarizmit si ideologji dhe praktikë jete në Shqipëri. Por kjo ndodhi sepse ajo ishte gjuha zyrtare e zgjedhur si mjet themelor i komunikimit institucional. “Shqipja totalitare” gjithashtu nuk do të thotë aspak se “Gegërishtja është jototalitare për nga natyra e vet”, meqenëse totalitarët, dora vetë, i prenë krahët përdorimit publik të dialektit. Fjalimet ideologjike të përfaqësuesve partiakë nga Bërdica e Poshtme e Shkodrës, apo nga fshati Llakatund i Vlorës, sido që asnjëri nuk ishte në letrarishte, ishin po aq totalitare në përdorimin gjuhësor të shqipeve përkatëse. Duke qenë që asnjëri nga këto reduktime thjeshtëzuese nuk është i vërtetë, rrjedhimet e nxjerra logjikisht prej tyre janë gjithashtu të gabuara. Pas botimit të librit të Vehbiut diskutime të tipit “atëherë ta zëvendësojmë letrarishten me gegërishten apo të krijojmë një letrarishte të re?”, janë ajo lloj rrjedhoje që markon moskuptimin e librit. Prirjet zëvendësuese ose ato të ekzorcizimit të shpirtit totalitar nga gjuha me operacione formale apo mistike, janë shprehje e pasojë e funksionimit edhe sot të të njëjtave mendësi totalitare që analizohen në libër.

Rigjallërimi i gjuhës dhe eleminimi i përdorimeve dhe shprehive totalitare në të, kryhen vetëm nëpërmjet përdorimit të saj të gjithanshëm, dhe jo prej mospërdorimit. Por teksa gjuha merr frymë e rikthehet në funksionimet e veta të natyrshme e të gjithanshme, ideologji të reja jototalitare duhet të jetojnë e të formësohen në gjuhë ashtu si edhe të riprodhohen kulturalisht prej saj. Nuk bëhemi jototalitarë duke ndryshuar gjuhën që flasim, por duke ndryshuar ne vetë bashkë me të në procesin e komunikimit. Përdorimi i lirë (nuk them “i lëshuar”) dhe intensiv i gjuhës nga një publik e komunitet folës në stile, regjistra e zhanre të ndryshme, në standard e dialekt, dhe kujdesi institucional për to, janë rrugët për t’i rikthyer gjuhës vitalitetin. Për fat të keq, mënyra sesi shqipja përdoret sot nga disa prej politikanëve tanë në të majtë e të djathtë nëpër seanca partiake, TV apo Parlament, në gjuhën standard apo dialektet e shqipes, shpesh shërbehen nga të njëjtat mjete, imitojnë dhe rimbjellin në kulturën tonë arna-arna të njëjtat lule totalitare që karakterizonin ligjërimin publik gjatë Diktaturës. Unë besoj e shpresoj shumë se edhe lëvizja nga një brez në tjetrin do ketë një efekt pozitiv në këtë proces ringjalljeje e çlirësimi.

Por libri i Vehbiut nuk synon të përgjigjet sesi mund të çtotalitarizohet shqipja… ai vetëm analizon mënyrën si ajo u shndërrua në mjet të totalitarizimit të kulturës e mendësisë sonë. Dhe unë mendoj se është me vend ta mbyll komentin tim mbi librin veç duke thënë se gjallërimi gjuhësor nis tamam duke kuptuar si u drunjëzua ajo. Ai do jetë gradual e do vijë nëpërmjet përdorimit aktiv, sistematik e shumëplanësh të gjuhës publike nga njerëz me mendësi të reja e të lira. Ose… më të reja e më të lira.

 

 

[i] U kujtoj lexuesve se ky studim u shkrua menjëherë pas librit “Shqipja totalitare”, dhe jo sot.

[ii] Klishetë leksikore, idiomatike si dhe formulat e gatshme, nuk janë pa gjë. Edhe ato e thajnë gjuhën, dhe sidomos mpijnë trurin folës e krijues, dhe e bëjnë të paaftë të analizojë kritikshëm dhe të prodhojë në liri mendore e kulturore.

[iii] Personalisht, sido që kuptoj interesin e gjuhëtarëve për dimensionin shoqëror dhe të drejtësisë sociale që gjuha gjithnjë mbart me vete, nuk dua kurrë të tradhëtoj këtë aspekt material gjuhësor dhe formal të analizës.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

3 Komente

  1. Nga punet me te mira qe kam lexuar per Shqipen totalitare. Shkruar me nerv e pasion. Me kujtohet se pershtypje pozitive me kishte lene edhe hyrja e znj. L. Shamku ne parathenien e librit (ja pra, paskan kaluar dymbëdhjete vjet!), por ndersa ajo fliste per vete librin, kjo ese e znj. Derhemi trajton universin që shtjellon e ku shtjellohet libri. Dhe nuk do ta bente kurre kaq mire pa formimn e saj te dyfishte ne gjuhesi dhe komunikim.

  2. Rrofsh, Lyss. Duhet ta kisha nxjerre qe atehere. Do kish qene me me vlere per botimin dhe lexuesit e librit. Une ne sirtar nuk mbaj endrra. Duhet t’i boshatis nga shkrime te harruara a te pambaruara. 🙂

  3. Gjuha e drunjte totalitare ka lene pasoja ne komunikimin publik .deri me sot nuk kam degjuar asnje fjalim qe te kete lene fraza frymezuese te tipit JFK apo Martin Luther King .

Lini një Përgjigje te AlbaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin