KAFKASÇE: DRAMË ME NJË AKT

nga Arjan Shahini

Diskutimi mbi rolin e Akademisë së Shkencave, zgjedhjen e S. Gjinushit si kryetar i saj dhe ndryshimet ligjore që po debatohen, sjell edhe njëherë në vëmendje raportin e shtetit me inteligjencien. Më saktë, raportin e kryeministrit, si mbartës direkt i pushtetit, me intelektualët e zëshëm publik (shih p.sh. kritikat e prof. A. Fugës ndaj Akademisë së Shkencave dhe nismës ligjore të disa parlamentarëve).

Forma e këtij raporti ilustrohet më së miri në takimet që E. Rama ka organizuar me pedagogë dhe drejtues të Universitetit të Tiranës, ka folur dy orë vetë dhe kusurin e kohës ia la ministres së arsimit. Problemi nuk është asimetria e pushtetit dhe fodullëku që reflektohet në ligjërimin e kryeministrit, por se kjo gjuhë nuk ka ndryshuar prej kohës së regjimit totalitar.

Institucionet e arsimit të lartë, së paku sipas modelit botëror dhe atij që aspirojnë shumë pedagogë për statusin e tyre, zotërojnë një trupë pedagogjike profesionistësh (kapitalin njerëzor) që janë baza e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Por në Shqipëri ky grup shoqëror (klasë?), që duhet të ishte e çinteresuar dhe besnike ndaj normave të profesionit e racionalizimit, ka qenë nën hyqmin e politikës lokale, për shkak të varësisë ekonomike, lidhjeve paternaliste etj. Kjo vlen sidomos gjatë regjimit komunist, por vijon ende për shkak të inercisë institucionale dhe i personaliteteve të njëjta që zotërojnë sferën publike.

I cilës natyrë ka qenë nënshtrimi i inteligjencies ndaj regjimit? Në vijim një ilustrim nga një bisedë e ish-kryeministrit Mehmet Shehu me Petrit Radovickën, ish-rektorin e Universitetit të Tiranës (1975-81). P. Radovicka, ishte institucion në fushën e energjisë dhe, nisur nga biseda me M. Shehun, besoj se ka qenë i vlerësuar shumë nga regjimi (ndoshta dikush këtu mund të thotë më shumë).

Në vijim unë edhe kam analizuar si e kuptoj unë këtë bisedë. Nuk e kam përjetuar atë kohë, kështu që mund të kem perceptime të gabuara dhe jam i hapur ndaj interpretimeve alternative.

Kafkasçe (1976)

Konteksti: P. Radovicka sapo është emëruar rektor dhe është në një mbledhje me kryeministrin. Kjo mbledhje i shërben si një lloj “kungimi” (“initiation ceremony” për anëtarësim në një bandë). Ai prezantohet me vendndodhjen e pushtetit dhe të udhëheqjes. Mund të jetë edhe një lloj vetting-u (skanimi). Në këtë periudhë regjimi po filtron përdhunshëm radhët e intelektualëve të karakterizuar si jo besnikë. Është viti 1975, periudha gjatë apo pas largimeve, arrestimeve, internimeve, edhe vrasjeve të një plejade intelektualësh e teknicienësh të vjetër që kishin riformatuar shtetin shqiptar: Th. Deljana, K. Theodhosi, A. Këllezi etj. Sipas raportimeve, vetëm në Universitetin Shtetëror të Tiranës ishin “qarkulluar” mbi 300 pedagogë.

Dramë-komedi: Regjisor M. Shehu.

Skenari: AQSH. F. A4/AP-OU, V. 1976, D. 406, “Procesverbal i Mbledhjes së Kryesisë së Këshillit të Ministrave Mbajtur më 19 Maj 1976 mbi: Shqyrtimin e Raportit “Mbi zbatimin e Detyrave të Plenumit IV të Komitetit Qendror …24.05.1975”

Aktorët: Mehmet Shehu (Kryeministër), Tefta Cami (Ministre), Musa Kraja (zv. Ministër i Arsimit dhe Kulturës), Petrit Radovicka (Rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës), Lufter Xhuveli (Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor).

Skena: Në një nga zyrat gjysëm të ndriçuara të Kryeministrisë janë ulur: M. Shehu në krye të tavolinës; rektorët afër njëri-tjetrit në krahun e djathtë rreth një metri të distancuar nga kryeministri e shumë afër derës, ku shohin herë pas here; në krahun e majtë dhe ngjitur tij qëndron Tefta Cami, e afër saj M. Kraja. Drita fokusohet te Radovicka, por duke ardhur nga M. Shehu: hija e tij e madhe bie mbi të gjithë të pranishmit. Sekretarja është në një tavolinë tjetër të vogël. Ajo nuk e ngre kokën; publiku nuk ja sheh asnjëherë fytyrën apo trupin. Rektorët janë veshur trashë, edhe pse cicërimat e zogjve dhe ndonjë degë peme që duket nga dritarja tregojnë së është pranverë. Zyra nuk ka asgjë veç tavolinave dhe duhet të përcillet perceptimi sikur është zyrë hetimi. Në tavolinë nuk ka asgjë veç blloqeve të shënimit për secilin dhe një dosje e madhe dhe e trashë që qëndron në tavolinë. Herë pas here dikush i referohet dosjes me shenjë kur përmendet raporti, por nuk merr asnjë fletë prej saj.

Muzika: Rrahje të shpejta të makinës mekanike së shkrimit (p.sh.). Tinguj të lartë elektronik (theremin!) dëgjohen sa herë që përfundon M. Shehu.

Drama

[Pasi P. Radovicka raporton në lidhje me ndryshimet për tekstet universitare (ku zotohet se do të ripunohen 350 tekste që nga një kontroll i Ministrisë dhe Partisë janë gjetur me gabime ideologjike apo nuk i referohen mjaftueshëm përvojës shqiptare), Mehmet Shehu interesohet mbi tekstet, pasi ishte informuar se studentët nuk merrnin tekste, por mbanin shënime gjatë orëve të leksionit.]

Shehu: Kush i aprovon tekstet që bëjnë autorët tanë? Ju si organizatë Partie dhe si administratë, kini kontroll mbi tekstet? Për të miratuar një tekst, çfarë procedure ndiqni?

Radovicka: Për aprovimin e teksteve ne nuk kemi ndonjë procedurë të caktuar. Ne e shikojmë tekstin, por na mungon aprovimi i fundit, legalizimi i plotë. Deri tani për aprovimin e teksteve ne kemi ndjekur këtë rrugë: Autori ose autorët bëjnë tekstin dhe e paraqesin në katedër, katedra cakton recezentët dhe këta bëjnë diskutimin e tij së bashku me shokë të jashtëm. Ndërsa tekstet më të rëndësishëm, pasi i shikojnë recezentët, aprovohen në këshillin shkencor të fakultetit përkatës dhe ato, që janë akoma më të rëndësishëm, i aprovon Këshilli Shkencor i Universitetit.

[….]

Shehu: Duhet të kihet shumë kujdes për aprovimin e teksteve, sepse me sa kam dëgjuar mbledhjet që organizohen për t’i parë ato, bëhen shumë formalisht, me rrëmujë të madhe dhe autori nuk i merr fare parasysh vërejtjet që mund të bëhen, por i bën një retushë të vogël dhe me kaq puna merr fund.

[Vihet re se M. Shehu jo vetëm që u beson burimeve alternative të informacionit (organizatat e Partisë, pedagogë të pakënaqur, studentë nga familjet e nomeklaturës etj.), por mendon se me to mund të kontrollojë rektorin, duke i bërë të ditur se ai di më shumë. Andaj rektori nuk është thirrur të informojë, por të japë llogari për atë që M. Shehu e di dhe rektori jo. Që në fillim të bisedës M. Shehu vendos rolet duke prezantuar asimetrinë e informacionit dhe lëkundur pozicionin institucional të rektorit, i cili tanimë kalon në pozicion mbrojtës.]

Radovicka: Ne kemi ndjekur këtë metodë që tekstin, pasi e shikojnë recezentët dhe kanë bërë vërejtje e shikojnë përsëri në katedër.

Shehu: Komitetet e Partisë dhe organizatat e Partisë mbajnë përgjegjësi për çështjen e teksteve? Shefi i katedrës dhe autori i tekstit, japin llogari përpara organizatës bazë të Partisë për çështjen e teksteve?

Radovicka: Të gjitha analizat që ne kemi bërë për tekstet, janë drejtuar e zhvilluar në organizatat e Partisë.

[Pas këtij diskutimi M. Shehu kalon në një çështje dytësore për nga përmbajta, por parësore për të përcaktuar rolet dhe vendosur shinat për nënshtrimin e rektorit ndaj ekzekutivit, tanimë jo thjeshtë në një rrafsh institucional, por në atë personal e njerëzor.]

Shehu: Po leksionet i kontrolloni ju? P.sh. ty të ka kontrolluar njeri deri sot se si e zhvillon leksionin?

Radovicka: Mua më kanë ardhur komisione të ndryshme në sallë.

Shehu: Leksionin që mban ti, ia ke dhënë njeriut për të ta lexuar?

Radovicka: Jo, mua deri sot asnjë njeri nuk ma ka lexuar leksionin.

Shehu: Kjo do të thotë se leksionet tek ju nuk kontrollohen.

Radovicka: Leksionet në përgjithësi nuk kontrollohen. Kohët e fundit ne kemi organizuar mbajtjen e leksioneve të Ekonomisë Politike në katedër dhe mbledhje të zgjeruara të Universitetit, përpara se këto të zhvillohen me studentët.

[P. Radovicka mendon se situata kërkon thjeshtë një konfirmim të raportit nënshtrues të USHT ndaj pushtetit, çfarë ai e realizon duke iu referuar çështjeve që janë në fokusin e Partisë, Ekonomia Politike. Më tej, për të sinjalizuar se e ka kuptuar rolin, ai përdorur edhe terminologjinë e drunjtë: “mbledhje të zgjeruara” (pra se i nënshtrohet organizatave të masave). Por gabon, M. Shehu e kërkon nënshtrimin në rrafshin personal.]

Shehu: Ju shumë mirë kini vepruar për leksionet e Ekonomisë Politike, por ka edhe tema të tjera si Historia e Partisë, tema shoqërore të Filosofisë, Letërsisë, etj. të cilat duhet të mbahen para katedrës në fillim e pastaj të mbahen me studentët.

Radovicka: Sic e thashë, më parë nuk diskutohej asnjë leksion, ndërsa mbas fjalës së shokut Enver në 20 dhjetor 1974, janë mbajtur një numur i madh leksionesh para katedrës. Ndërsa për shkencat teknike janë mbajtur rrallë leksione në katedër.

[Me këtë përgjigje P. Radovicka i lutet M. Shehut ta lërë këtë muhabet se biseda është e kotë, por përkushtimi e besnikëria ndaj Partisë dhe Enverit nuk lënë vend për dyshim: një lloj karshillëku duke patur parasysh se M. Shehu kërkonte pikërisht besnikërinë ndaj atij vetë.]

Shehu: Praktikohet tek ju metoda e dhënies së leksioneve studentëve? P.sh. pedagogu para se të mbajë leksini ua jep atë studentëve? Ne kemi dhënë porosi që pedagogu para se të mbajë leksionin, duhet ta pregatisë atë dhë ta shtypë në aqë kopje sa studentë janë dhe t’ua japë atyre. …. Këto që po ju them tani, i kemi dhënë disa herë, sepse nuk kini shumë kohë që jini emëruar në këtë detyrë, por paraardhësit tuaj i dinë mirë këto, sepse për gjëra të tilla, janë kritikuar disa herë në këtë tavolinë. Me sa kam dëgjuar, studentëve nuk u jepet asnjë leksion i shkrojtur, por mësojnë me ato pak shënime që mbajnë.

Radovicka: Studentët kanë tekstin dhe nuk ka përse u duhet edhe leksioni i shkrojtur.

Shehu: Kur të gjitha gjërat qenkan në tekst, përse e bëni ju leksionin, ç’kuptim ka leksioni?

Radovicka: Mund ta diskutojmë këtë çështje?

Shehu: Jam plotësisht dakord që ta diskutojmë?

Radovicka: Unë do të them mendimin tim për këtë çështje, i cili mund të jetë edhe i gabuar. Unë kam këtë mendim. Mënyra e dhënies së leksionit ka dy metoda, një metodë është që pedagogu në klasë jep të gjithë thelbin e kursit të leksionit të tij, sigurisht thotë edhe gjëra të reja, bën edhe ndonjë ndryshim nga libri, azhornim, etj. Pra leksioni duhet t’i ketë të gjitha gjërat themelore, që pedagogu mendon se duhet t’i dijë studenti.

Ndërsa metoda tjetër e dhënies së leksionit është që studenti të mësojë me tekst, kurse pedagogu në leksionin e tij të thotë disa gjëra themelore, të cilat atij i duken se janë të rëndësishme dhe që duhet t’i theksojë.

Shehu: Kur qënka kështu puna, përse i thoni studentit që të mbajë shënime në leksion?

Radovicka: Unë nuk u them studentëve të mbajnë shënime kur shpjegoj leksionin. Por studentët, në përgjithësi, mbajnë shënime vetë gjatë shpjegimit të leksionit, sepse e kanë më të lehtë për ta ndjekur pedagogun dhe për të mësuar.

Unë jam i mendimit që numri i leksioneve të ulet në gjysmën e ose në 1/3 e tyre, dmth të mbahen leksione vetëm për problemet themelore.

Shehu: Cila është metoda më e mirë, kjo që ndiqet sot, apo kjo që themi ne?

Radovicka: Unë nuk mund të them konkretisht se cila metodë të përdoret, por mendoj se metoda e dytë do të jetë më e mirë.

Shehu: Ato pak gjëra që ju mendoni se duhet t’ia thoni studentit me anë të leksionit, përse nuk ja jepni me shkrim?

Kam një çështje tjetër, e cila është jashtë kësaj teme, por do ta them se ka rëndësi të madhe. Përse në shkollat tona dhe sidomos në shkollat e larta, nuk përdoret fjala “shoku”. Studentët duhet të thonë “shoku Petrit”, ose “shoku profesor” dhe jo si flasin deri tani “profesor”, kjo nuk është aspak e hijshme për studentët tanë. Shikoheni këtë çështje shoqja Tefta se ka rëndësi të madhe.

[M. Shehu tregon se ku i rreh çekani: P. Radovicka mund të jetë kokë e madhe, por njohja e vlerave të tij vjen nga Partia, që mund t’ia heqë tapetin nga këmbët kur të dojë. Andaj lipset bindje. Por me ç’duket rektori e humb toruan dhe mendon se mund të kalojë në sulm.]

Radovicka: Unë mendoj se është më mirë të aplikojmë metodën e dytë që studenti të mëosjë në libër, kurse pedagogu t’i shpjegojë gjërat themelore.

Shehu: Leksionin e pregatit pedagogu me shkrim?

Radovicka: E pregatit.

Shehu: Përderi sa pedagogu e pregatit leksionin, përse të mos ia japë këtë studentit?

Radovicka: Ato gjëra që pedagogu thotë në leksionin e tij, janë në libër, kështu që nuk ka përse t’ia japë leksionin studentit.

Shehu: Unë e di se pedagogu nuk kopjon librin kur pregatit leksionin, ai thekson çështjet më themelore dhe më delikate që t’u tërheqë vëmendjen studentëve. Ato që thotë pedagogu në leksioni e tij mendo se janë udhëzuese për studentin se si ta zbërthejë e mësojë tekstin, prandaj mendoj se këto e ndihmojnë mjaft studentin.

Radovicka: Po librat tona nuk janë tekste, manuale, janë përmbledhje leksionesh.

Shehu: Unë nuk po të kuptoj, shoku Petrit. Kini tekstet për elektricitetin p.sh.?

Radovicka: Për elektricitetin ne kemi leksione.

Shehu: Në rast se teksti është mbledhja arithmetike e leksioneve, atëherë leksionet e pedagogëve korespondojnë me tekstin, apo janë havadan?

…. [Diskutime se me çfarë duhet të korrespondojë teksti universitar. Radovicka mundohet të shpjegojë situatën aktuale, Shehu këmbëngul sesi duhet të jetë.]

Shehu: Unë e nuk e kuptoj, personale është çështja e dhënies se leksioneve dhe e teksteve, nuk kanalizohen në një rrugë këto?

Leksioni mendoj se bëhet për një qëllim të caktuar, për të ndihmuar studentin që të kuptojë tekstin dhe për ta zbërthyer atë, pranda ç’të keqe që ky t’u jepet studentëve i shkrojtur. Në rast se ju thoni se të gjitha gjërat i ka teksti, atëherë përse bëhet leksioni, nuk e kuptoj?

Radovicka: Unë mundet edhe të gaboj, sepse nuk jam pedagog, në radhë të parë, jam inxhinier dhe këtu po them mendimin tim, duke patur parasysh eksperiencën time. Në rast se studenti ka tekstin përkatës për një lëndë të caktuar dhe shënimet që ka mbajtur gjatë shpjegimit të leksioinit, është plotësisht në gjendje që të mësojë.

Shehu: Përse e bëni ju leksionin, ç’qëllim ka leksioni yt p.sh.?

[Radovicka e kupton se kjo çështje është personale dhe se është futur në grackë. Ndryshon strategjinë dhe kërkon të përfitojë nga kapitali i vetë personal me udhëheqjen, që mund të jenë arritjet e tij në fushën e energjisë.]

Radovicka: Une do të them mendimin tim, por mundet edhe të gaboj.

Shehu: Është faqe e zezë të thotë Rektori i Universitetit “Mendimi im është ky,” “unë mendoj kështu”, etj. etj. Sipas teje ti qënke ndryshe nga të gjithë të tjerët. Kur nuk flet ti në emër të të gjithë pedagogëve e të studentëve, kush do të flasë, ne? Nuk flitet kështu shoku Petrit, kjo do të thotë që ti të heqësh përgjegjësinë për Universitetin. Ti duhet të mbash tërë përgjegjesinë përpara Komitetit Qëndror të Partisë dhe Qeverisë për Universitetin dhe jo të flasësh në këtë mënyrë.

Pra unë të pyes përse bëhet leksioni në shkollat e larta, ç’qëllim ka leksioni?

[… Diskutime sërish për leksionin, tekstin që duhet ti jepet studentëve dhe nevojnë që del për të dalë nga skema e librit në mënyrë të përcillet informacion i përditësuar.]

Radovicka: Jam plotësisht dakord që azhornimet në tekst janë të domosdoshme.

[Kur tema kalon këtu, duket sikur Radovicka fillon të marrë sërish frymë, sidomos kur në bisedë futet edhe A. Çarçani, por…]

Çarçani: Kështu mendoj se duhet vepruar edhe për Shkencat Politike e Shoqërore, për Historinë e Partisë, etj., ku duhet të shtohen vendimet e plenumeve të Komitetit Qendror të Partisë dhe fjalime të ndryshme të shokut Enver.

Radovicka: Këto patjetër që duhen bërë të shkrojtura.

Shehu: Pak më lart ti, shoku Petrit, na the që kjo nuk mund të bëhet, që të shkruhen leksionet.

Radovicka: Jo, unë nuk e kam thënë një gjë të tillë, ndoshta jam shprehur gabim. Unë thashë që leksionin e kam të shkrojtur.

Shehu: Atëhere na thuaj përse e shkruan leksionin, sepse kjo nuk ka kuptim, kot nuk e shkruan?

Radovicka: Unë e shkruaj leksionin, sepse nuk i them të gjitha ato, që thuhen në tekst, për nj temë të caktuar, por përmbledh gjërat më kryesore.

Shehu: Dmth për çdo temë ti shkruan leksion 10-15 faqe, apo e bën atë si skemë diskutimi?

Radovicka: Unë këtë nuk e bëj, dmth. Nuk shkruaj 10-15 faqe për çdo leksion.

Shehu: Atëhere na thuaj se kush e bën një gjë të tillë? Duhet të kini parasysh, shoku Petrit, se unë nuk ju pyes për gjithë pedagogët e Universitetit dhe jo për ju.

Radovicka: Unë mund t’u them se shumica dërmuese e pedagogëve i kanë të shkrojtura, ndërsa unë jo.

Shehu: Përse pedagogët e shkruajnë leksionin?

[Vazhdon më të njëjtën pyetje dhe përgjigje…]

Kraja: Nga një kontroll që bëmë ne kohët e fundit në dy fakultete, që pregatisin mësues, kemi gjetur pedagogë, të cilët e mbajnë leksionin me copa pusullash dhe këtë e quajnë si diçka normale. Natyrisht, kjo nuk është e përgjithshme, por raste të tilla ka.

Shehu: Sipas mendimit tim këtë gjë e bëjnë mendjemëdhenjtë dhe dembelët. [Këtu goditet edhe njëherë Radovicka, të cilin Shehu nuk e lëshon.]

[…]

Shehu: Është e tmerrshme që pedagogët tanë ta diktojnë leksionin. Është krim të harxhohet koha e studentit në këtë mënyrë. Nuk është aspak e lejueshme për në që kemi arritur në këtë shkallë industrializimi dhe mekanizimi, ndërsa studentin e shkollës së lartë e detyrojnë që të gjitha leksionet t’i shkruajë me dorë. Kjo është një metodë jo e drejtë, bile me karakter revizionist,  e cila i harxhon kohën kot studentit. Ko tregon se Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nuk ka patur asnjë kontroll në këtë drejtim.

[Kraja, që ka qenë zv/ministër edhe gjatë kohës së Thoma Delianës, i cili tanimë gjendet në hetim nga Partia dhe së shpejti internohet, fajëson dekanatet, të cilat nuk kishin kryer kontrolle. Me siguri në këtë kohë M. Shehu është duke i ngushtuar lakun Th. Delianës, fillimisht duke i kooptuar bashkëpunëtorët e ngushtë, pastaj duke vendosur në institucionet e varësisë si Universiteti njerëz të bindur që mund të aktivizohen për planet e tij. Ky lloj “kungimi” që i bën Radovickë besoj se i shërben këtij qëllimi.]

Shehu: Është faji i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës që nuk ka bërë kontrolle të tilla mbi shkollat e larta, po ata vetë çfarë kanë bërë? Nuk duhet lejuar që me fajet e Ministrisë së Arsimit të mbulohen të metat e Universitetit. Universiteti ka një përgjegjësi shumë të madhe për të metat që ekzistojnë në shkollat e larta, ky ka komitet Partie, Rektorat, dekanate, me qindra pedagogë, përse këta nuk e kanë bërë detyrën?

Dua të di se sa orë punon efektivisht një pedagog i Universitetit, flas për pedagogët e përhershëm, jo të jashtmit?

[Radovicka mundohet të shpjegojë ndarjen e kohës, por përplaset me konceptin e M. Shehut që ka një koncept proletar të pedagogut, si proletar i dijes, koha e të cilit duhet normuar si i një punonjësi fabrike. Përplasja shkon edhe më keq, kur tanimë është Radovicka që kërkon ta bëjë çështjen personale për të shmangur një normim rigid të kohës së pedagogëve. Duket qartazi se besnikëria e Radovickës qëndron tek profesionistët e kolegët e tij dhe jo te Partia apo udhëheqja.]

Shehu: Meqënëse e keni lexuar kritikën që u kemi bërë, çfarë masa kini marrë? Ne kemi ngarkuar Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës dhe kemi dhëne “alarmin” për këtë çështje, sepse eshte skandaloze një gjë e tille, dmth, të ngarkohet pedagogu të punojë vetëm 3 orë në ditë. Dakord, ju thoni se pedagogët merren me punë shkencore, po kush e kontrollon dhe programon këtë punë shkencore? Bile unë kam përshtypjen se edhe për përgatitjen e leksioneve nuk u duhet farë kohë, sepse ata viti nga vit thonë të njëjtën gjë. Ne pyetëm Aleks Budën, i cili është profesori ynë më i vjetër, kur flet për luftën e Skënderbeut kundër Ballaban Pashës, leksionin e shkruan nga e para, apo e ke gati të përgatitur që kur e ke dhënë për herë të parë këtë leksion? Ai u përgjegj se nuk e shkruante nga e para, por për ta dhënë këtë leksion i duheshin vetëm 2 orë kohë sa për ta shpjeguar, ndërsa ju u kini caktuar pedagogëve gjithë atë kohë gjoja që të pregatiten për dhënien e leksioneve.

Radovicka: Unë shokun Aleks e nderoj dhe ju e nderoni, dhe shumë mirë që e nderoni, por edhe mua besoj se më nderoni.

Shehu: Sot, shoku Petrit, po flet shumë individualisht, nuk e kemi ditur, por sot po e mësojmë se qënke i tillë.

[… Radovicka e kupton se biseda është pikërisht për të dhe e humb toruan.]

Radovicka: Ju bëtë shumë mirë që më bëtë vërejtje që nuk i shkruaj leksionet para se t’i shpjegoj, por u them se këtej e tutje do t’i shkruaj.

Shehu: Ti mund të mos i shkruash leksionet, ndoshta e kemi ne gabim që themi se duhen shkruar, por për këtë ne do të shpërthejmë debat të madh në gjithë Shqipërinë dhe do të shikojmë se kush do të fitojë, ata që e kundërshtojnë këtë gjë, apo ne.

[…]

Radovicka: Unë kam qenë student i shkëlqyer dhe të gjitha provimet i kam marrë shkëlqyeshëm, duke u mbështetur në shënimet që mbaja vetë.

Shehu: Nga këto që ti thua, shoku Petrit, del qartë se nuk je dakord që të shkruhen leksionet. Natyrisht ai që predikon një gjë të tillë, është mendjemadh ose dembel dhe në këtë rast ti je mëndjemadh, më fal që po ta them, por me këto që the e tregove veten se je i tillë. E theksoj edhe një herë që ti nuk i shkruan leksionet se je mendjemadh, ndërsa të tjerët janë dembelë.

[…]

Shehu: E vë veten ti, shoku Petrit, në lëkurën e studentit shqiptar, për të cilin ekziston biblioteka, por nuk e shfrytëzon dot, sepse nuk di gjuhë të huaj, ndërsa ti dije gjuhë ruse dhe kishe me qindra volume që mund të studioje? Por me sa na the këtu, këtë nuk e ke parasysh, prandaj na thua “unë kam qenë student i shkëlqyer, kam marrë provimet shkëlqyeshëm, etj. etj.”

Radovicka: Unë kam qenë student i shkëlqyer dhe kam mësuar pa bibliotekë.

Shehu: Ti mund të jesh fenomen. Shoku Petrit po e vërteton vetë mendjemadhësinë tënde.

Unë kam mendimin se e ke jashtëzakonisht shtrembër nga ana pedagogjike një gjë të tillë dhe po të duash konsultoju edhe me pedagogët e tjerë për këtë çështje dhe shikoni se ku jeni.

Radovicka: Unë thashë mendimin tim.

Shehu: Shumë keq vepron që thua mendimin tënd, dhe nuk thua mendimin e të gjithëve. Nuk është aspak e hijshme që Rektori i Universitetit të thotë përpara Qeverisë mendimin e tij, të profesor Petrit Radovickës dhe jo të shokëve të Universitetit. Nga diskutimi tënd unë kuptova se këtë çështje ju as e kini diskutuar fare në Universitet, megjithëse për këtë ju kemi porositur disa herë.

[… Shehu e tregon më në fund qëllimin e “rrahjes”.]

Radovicka: Unë ndoshta e fillova gabim diskutimin tim. Në fakt ju më kini vlerësuar shuëm më tepër nga sa e meritoj, këtë ua them me gjithë sinqeritetin tim. Si student unë kam qenë më të vërtetë i shkëlqyer, ndërsa si teknik, etj. ju më kini vlerësuar më shumë se sa jam në fakt dhe për këtë ju faleminderit, sado që ju të më kritikoni, përsëri nuk barazohet.

Shehu: Ne sot nuk po diskutojmë për çështjen e hidrocentraleve, por se si Rektori i Universitetit duhet ta drejtojë këtë institucion kaq të rëndësishëm.

Çarçani: Ti e ke kuptuar plotësisht detyrën, funksionin tënd si Rektor i Universitetit? Me sa dëgjuam nga diskutimi tënd na le të kuptojmë se ti nuk e kuptuar funksionin që të është ngarkuar.

[Biseda kalon serish te leksionet ku Radovicka merr goditjet e tjera të “kungimit”. Më pas Shehu i drejtohet L. Xhuvelit të Institutit të Lartë Bujqësor dhe të tjerë marrin pjesë në bisedë për çështjet e teksteve.]

 

6 Komente

  1. Pozicioni hierarkik, percaktonte edhe natyren e rolit qe do te luaje secili, viktime a xhelat… Te bie menjehere ne sy se pas nje mbrojtjeje te natyres “me breke neper gjunje”, si recitim i shpejte i nje roli te shkruar keq, viktimat i nenshtrohen dhe pranojne logjiken e xhelatit, i cili nga ana vet, do te nderroje rol ne lidhje me ate qe ka mbi.

    1. Prandaj kam idene se keta nuk e shihnin nga u vinte… Mblidhnin kaq shume armiq rrugeve, benin teatro me skenare te mire-kalkuluar por te keq-shkruar, sa kur u vinte radha perceptohej si nderhyrja e nje force madhore.

  2. Procesverbali orwellian dhe komentet shoqëruese të autorit, të sjella në formën e një drame, mund të qëndronin më vete shumë më mirë – duke filluar te Kafkasçe (1976) dhe më tej – pa qenë nevoja për të futur në shkrim monologët e Ramës dhe rumpallën në arsimin e lartë sot; këto të fundit autori, po t’ua ketë ngenë dhe nervat, mund t’i nxjerrë si analizë më vete, ose si akt i dytë, por tani në formën e Satirë – Parodisë; mëkat, po i vogël ama..:)

  3. E bukur! Natyra “Shehu” gjindet jo vetem tek Rama e te tjere ne Shqiperi, por e gjen edhe kendej ne perendim akoma sot e kesaj dite, ndonese me te rafinuar. Sidomos neper firma dhe koncerne te ndryshme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin