KURORËZIMI I TALK SHOW-T

Një zakon që po shndërrohet në ritual: pas talk-show-eve të mbrëmjes në TV, vjen e nesërmja dhe portalet – përfshi këtu edhe ato të gazetave “të mëdha” – rimarrin në krye dhe me tituj të mëdhenj momentet kryesore të debatit, të shoqëruara me video. Si teknikë, kjo u ngjan përmbledhjeve, ose highlights të ndeshjeve të futbollit; dhe njëlloj si në këto përmbledhje, publikut i jepen para së gjithash golat: si ia përplasi, si ia numëroi, si ia tha të gjitha, si i përmendi gruan e ndarë, si desh shkoi puna te thonjtë në fyt. Dhe nëse golat janë vërtet synimi dhe arritja e çdo ndeshjeje futbolli, mbase duhet ta pranojmë se kacafytjet, përfshi ato fizike, janë synimi dhe arritja e çdo debati dhe talk-show që kërkon të zbavitë publikun.

Bisedat politike në emisionet televizive, një formulë që kushton fare pak dhe lejon të mbushen orët aq fitimprurëse të mbrëmjes me çfarë janë kryesisht gjepura mund të shërbenin, idealisht, për të çuar më tutje pozicione dhe propozime dhe kritika të palëve ndaj njëra-tjetrës, rreth temave mirëfilli me interes për shikuesit; sikurse mund t’u shërbenin politikanëve për t’iu prezantuar publikut përtej kornizave të ngushta të mitingjeve, ose të faqeve që kanë në rrjetet sociale.

Por rrallë herë qëllon – në mos asnjëherë – që portalet të vënë në dukje një pasazh të bukur, të fortë, me logjikë të hekurt, të kopsitur mirë, nga ndërhyrja e një të ftuari në studio; duke e ofruar si model të ligjërimit politik. Ndoshta ngaqë nuk i kanë mjetet dhe kapacitetet për ta bërë këtë; ndoshta ngaqë talk show-t nuk e nxitin këtë lloj cilësie; ndoshta ngaqë të ftuarit vetë nuk janë në lartësinë e karriges dhe mikrofonit që u ofrohen. Çfarë edhe bën pastaj që e vetmja gjë për t’u mbajtur mend, për t’u vënë në pah, për t’iu risjellë publikut e shkëputur nga konteksti i debatit, të jetë zënia haptazi, sharja, kërcënimi, cërklat e pështymës dhe akte të ngjashme, të cilat përfaqësojnë, në të vërtetë, ndërprerjen e bisedës, ose falimentimin e talk show-t si format.

Apo ndoshta jo? Na thonë se këto biseda mbrëmësore dhe nokturne synojnë artikulimin e politikës dhe të kritikës politike – shërbim publik për t’u përshëndetur. Por praktika televizive, të paktën e televizioneve komerciale që kërkojnë argëtimin e publikut, e përgënjeshtron këtë deklaratë misioni: në kuptimin që vënia përballë e kundërshtarëve dhe platforma mass-mediatike që u ofrohet këtyre, janë kushte të domosdoshme (dhe shpesh të mjaftueshme) që këta të zihen. Çfarë edhe e kthen talk-show-n në ring, ku pjesëmarrësit nxiten – nga vetë konteksti – që të bëjnë boks me shoku-shokun. Si të thuash, është formula që e kërkon sharjen, fyerjen dhe kacafytjen, njëlloj siç e kërkon ndeshja e futbollit golin.

Natyrisht, sharjet dhe fyerjet dhe shpesh edhe grushtat janë tashmë efekte të menjëhershme të çdo kontakti mes palëve kundërshtare në politikë – aq sa këto janë mësuar të ekzistojnë dhe të riprodhohen duke pështyrë njëra-tjetrën; aq sa edhe publiku i pret që ta bëjnë këtë sa herë t’u jepet mundësia dhe mikrofoni, përndryshe Facebook-u (!) mund të reagojë për keq. Televizioni komercial, me varfërinë e vet të madhe dhe nivelin e mjerë, nuk ka ndonjë meritë të madhe në këtë mes, veç asaj që e ka kuptuar mirë vlerën argëtuese të zënies live mes emrash të njohur. Nuk do të habitesha, po të dëgjoja se disa nga këto duele të padenja bëhen me marrëveshje, ose inskenohen për të mbajtur publikun të ngjitur pas ekranit. Edhe pse gjakrat në politikën shqiptare janë aq të ndezura; dhe mjetet retorike (ligjërimore) që zotërojnë politikanët aq të pakta, sa nuk ka nevojë që televizioni të merakoset, dhe as që të investojë në inskenime. Shumë nga të ftuarit në talk-show-t e sjellin zënien me vete, në kuptimin që garantojnë spektakël. Dhe formula është kaq e suksesshme, sa asnjë televizion komercial nuk do ta zëvendësonte me diçka më të denjë: do të ishte si të zëvendësoje një emision soft porn me një për qëndistarinë. Madje në rrethanat kur nuk gjen dot politikan në Shqipëri që të dijë të qëndisë (fjalën).

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.

3 Komente

  1. Shkrim shumë i vlefshëm. Urime autorit.

    Niveli i televizioneve komerciale, si dhe gazetave “të mëdha” në atdhe është për të vënë duart në kokë.

    Shembulli tipik, dhe më i mjerë i një moderatoreje “ringu” është njëfarë E.V., që e mat suksesin e vet kur pjestarët e panelit të saj “fillojnë boksin”. Domethënë, kur fillon sherri në panel.

    Prej saj nuk ka asnjë ndërhyrje, asnjë rregull, asnjë thirrje për kortezi, asnjë ndërprerje, asnjë pushim: sapo fillon “boksi” i sharjeve midis pjesëmarrësve, atëhere mbaron edhe puna e saj.

    E qetë dhe e lumtur, E.V. ul shikimin në ekranin që ka nën tryezë, dhe e lë “boksin” të vijojë, natyrisht me bashkëpunimin e kameramenëve dhe të regjisë…

    Shumë mirë e ka kapur autorin edhe jehonën që gazetat “e mëdha” i bëjnë kësaj shfaqjeje të shëmtuar mediatike.

    Këtu kryet e vendit, pse të mos ta themi, e zë Panorama, gazeta e vetëquajtur “etalon” i gazetarisë bashkëkohëse shqiptare. Edhe sepse atje na shkruakan pendat më të mëdha të Shqypnisë…

    Ende pa mbaruar fjalinë sharëse Iksi tek emisioni i A.Ç. apo i E.V., punonjësi përkatës i Panoramës e ka marrë dhe i ka bërë jehonë “boksit” në faqen kryesore të gazetës online.

    Për vete kam kohë që e kam zgjidhur: si televizion shikoj vetëm Tiranën. Të paktën në RTSH ke ç’mëson, dhe madje argëtohesh e pasurohesh kulturalisht.

    Kurse si shtyp të shkruar, ka vite që refuzoj ta blej Panoramën në treg.

    I hedh një sy vetëm tek kafeneja e mëngjesit. Kjo më mjafton.

    Nuk më duhet fare gara e klikueshmërisë midis mediave vizive dhe të shkruara, që nuk përfaqësojnë tjetër veç mjerimin shpirtëror të pronarëve dhe gazetarëve të vet,

  2. Qe niveli i medias vizive dhe shtypit ne Shqiperine tone shkon poshte e me poshte, kete e dime. Por qe gazetat “e medha” te botojne cdo budallallek qe u vjen ne posten elektronike, kjo nuk ka bere vaki.

    “Perdorimi i gjuhes si manipulim” eshte editoriali kryesor sot ne Panorama.

    Nuk ke nga ta kapesh kete fare shkrimi, edhe pse citon Comksin, Adornon apo “sociologe” ne teresi.

    Autori paska marre dikur goxha cmim edhe nga Ambasada Spanjolle:

    https://www.shqiperia.com/Agim-Baci-nderohet-si-Don-Kishot-ne-letersi.3826/

    Eh, sa poshte ka rene katundi, d.m.th. gazetat “e medhaja” ne Shqiperi…

  3. 1. Shtypi i shkruar.

    Mjerimi i shtypit të shkruar të cilin ne që jetojmë larg Shqipërisë mundohemi ta lexojmë nga interneti, është alarmant. Pak shërbim, shumë pak mjeshtëri (profesionalizëm) në të shkruar. Artikuj pa vlerë, të kopjuar e përkthyer (keq). Në shumë raste, lajmet vijnë nga Instagrami i vajzave bukuroshe që fotografohen pothuajse lakuriq. Mjafton të hapësh GSH, apo dhe Shekulli, për të vërtetuar sesa i është fryrë buza apo gjoksi kësaj apo asaj vajze. Rasti i prodhimeve bujqësore me ngjyrues apo të tjera kimikate (pesticides!) është tregues i mirë sesa të papërgatitur i kemi gazetat dhe gazetarët për të trajtuar dhe njoftuar publikun. Tek Tema, lajmet janë vetëm tronditëse në titull, pour në brendësi, kur lexon, ndjen se je mashtruar nga gazetari sepse ai apo ajo, nuk kanë thënë asgjë, por vetëm një lajm të shkruar shpejt, në shumë raste e kopjuar nga deklaratat e policisë së shteti. Gazetarët shpesh ndjehen gjykatës, prokurorë apo avokatë, kurse punën e tyre e harrojnë. Mbase shkolla nuk i ka dhënë mjaftueshëm shembuj të mirë për t’iu përveshur me guxim këtj profesioni (shërbimi) që ai i bën shoqërisë në të cilën ai jeton.

    2. Emisionet-diskutimet-kritikët-analistët.

    Shoh, ndjek, nganjëherë emisionin Opinion të BF dhe Hapur të EV. Të gjithë ata që i ndjekin këto emisione, e kuptojnë se përleshjet në studio janë vetëm pasqyra e këtij apo atij politikani, apo dhe mendimtari politik. Me pasqyrë flas për kulturën e cekët, arrogancën, keqtrajtimin e gjuhës (atraksion thoshte ministri i jashtëm, mbase nuk e di se kemi fjalën joshje, tërheqje vëmendje!!!) dhe mbi të gjitha klimën e frikën përmes sharjeve, cënimeve dhe injorancës në të shprehur. Të gjitha këto mund t’i përmbledhësh në: “mungesë të theksuar edukate”. Analistet/ët e ftuar janë të detyruar të ngrejnë volumin e zërit, për t’u dëgjuar, të ndërpresin tjetrin për të ekzistuar. Kurse gazetari (pronari i emisionit) e ka të vështirë të ndërhyjë.
    Vetëm një gjë është pozitive me këtë myk në kanalet telvizive shqiptare, reklamat kanë një gjendje shendetsore të mrekullueshme. Në të njejtën kohë, injoranca dhe ashpërsia, nguliten çdo mbrëmje ne ekranet e shqiptarëve dhe ne jemi të pafuqishëm ta ndërrojmë stilin e kohës.
    Shpresojmë që ky blog të lexohet po aq sa artikujt bosh të GSH, SHekulli apo Panorama.
    Faleminderit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin