REFLEKTIME PËR DITËN E GRAVE

nga Joana Xhemali

Dita ndërkombëtare e grave është një event mbarë-botëror, që kremton arritjet politike, ekonomike dhe sociale të grave. Njëkohësisht, është një ditë reflektimi kolektiv e advokimi mbarë-global për të ndërmarrë masa konkrete, për përmbushjen e të drejtave të grave dhe arritjen e barazisë gjinore. Padyshim, situata e grave dhe arritjet në fushën e barazisë gjinore duhen shikuar ngushtësisht brenda kontekstit të çdo shoqërie e shteti. Në Shqipëri, 8 marsi nuk duhet konceptualizuar si ditë mimozash e ligjëratash boshe institucionale, por duhet konfiguruar si një ditë reflektimi në lidhje me veten, shoqërinë civile, institucionet edukuese, kulturore, mediatike, vendimmarrëse dhe ato ligj-zbatuese, për t’u vetëdijësuar mbi kontributin tonë si individ, shoqëri dhe shtet, në luftën kundër pabarazive gjinore dhe përpjekjeve për përmirësimin e jetës së grave.

Kur përdor termin “gratë shqiptare”, nuk i referohem domosdoshmërisht një kategorie të ngushtë analitike, që përkon me gratë hetereoseksuale, të bardha, klasën socio-ekonomike të mesme apo të lartë, moshën e re dhe atyre, që gëzojnë privelegjin e të jetuarit brenda një trupi të shëndetshëm; por, u referohem të gjitha grave të klasës punëtore, atyre që u përkasin pakicave të ndryshme, rome, egjyptiane, moshës së tretë, homoseksuale, biseksuale, transgjinore e me aftësi fizike të ndryshme.

Dita e grave duhet të na shërbejë si ditë reflektimi mbi të drejtat ekonomike, politike dhe shoqërore jo vetëm ndaj atyre grave shqiptare, që ndodhen në pozita të privilegjuara, por më tepër ndaj atyre që jetojnë në pozita të disfavorshme dhe, që përballen me diskriminime të shumëfishta. Të drejtat e studenteve, grave rurale dhe gjithë atyre, që nuk patën mundësi të shkolloheshin, të grave të pastreha, të punëtoreve, që punojnë me orë të tejzgjatura në kushte çnjerëzore dhe me pagesë minimale, të grave me aftësi të kufizuara, që përjashtohen socio-ekonomikisht nga sistemi apo atyre, që dergjen në shtratin e sëmundjes dhe s’kanë mundësi ekonomike të kurohen. Nuk mund të lihen në harresën e frikshme kolektive, gratë e dhunuara nga partneri, baballarët dhe institucionet, gratë dhe vajzat, që kanë humbur jetën për shkak të dhunës patriarkale, gratë – nëna të papuna, që s’mund të ushqejnë fëmijët të tyre, pasi asistenca sociale është e pamjaftueshme, gratë lesbike, biseksuale e transgjinore që përjetojnë diskriminim të shumëfishtë, për shkak të orientimit të tyre seksual.

Është tronditës dhe i dhimbshëm fakti, që sot shumica e grave dhe vajzave në Shqipëri janë subjekt i vazhdueshëm i dhunës me bazë gjinore. Dhunë, që manifestohet në mënyrë sistematike, strukturore dhe të institucionalizuar, dhunë, e cila merr jetë dhe fashit shpresën, për të jetuar në një shoqëri demokratike e të drejtë, ku të gjithë kemi të drejta të barabarta, pavarësisht identitetit tonë gjinor, orientimit seksual, klasës socio-ekonomike, përkatësisë etnike e fetare, moshës dhe aftësive fizike.

Gratë shqiptare vazhdojnë të jenë subjekt i diskriminimit gjinor dhe stigmatizimit shoqëror, për shkak të stereotipave shoqërorë, roleve shtypëse gjinore dhe standarteve të dyfishta seksuale. Produkt ky, jo i një mentaliteti primitiv, por i një shoqërie patriarkale, që justifikon marrëdhëniet asimetrike të pushtetit mes grave dhe burrave, duke i përligjur këtyre të fundit, pozitat dominuese dhe lirinë seksuale. Mjafton, që të shtypësh në platformën e kërkimit google fjalët kyçe “8 Marsi në Shqipëri” dhe menjëherë shfaqen një seri artikujsh machist- ë, që e vendosin theksin te harbimi dhe tërbimet e grave shqiptare në festa striptizmi të mbajtuara në klubet e kryeqytetit, me rastin e kremtimit të ditës së grave.

Me sa duket, këta pseudo-profesionistë, përfaqësues të denjë të machism-it toksik, shqetësohen së tepërmi, kur gratë “devijojnë” nga normat sociale të seksualitetit dhe roleve gjinore. Nga ana tjetër, nuk e prishin aspak terezinë kur media e shkruar dhe ajo audio – vizive, i paraqet gratë e vajzat vazhdimisht, si objekte seksuale apo kur ato masakrohen nga partnerët e tyre. Shoqëria shqiptare është e ngërthyer nga një histerizëm patologjik, që e konfiguron gruan dhe vajzën si një pronë, që lëviz nga duart e babait te ato të burrit, si një objekt pa subjektivitet, që nuk ka as zë e as zotësi për të vepruar, por është e destinuar të ngelet nën tutelën patriarkale.

Po ashtu, kultura e fajësimit të viktimave në rastin e përdhunimeve apo ngacmimeve seksuale, flet shumë, se si një shoqëri patriarkale si e jona, përligj dhe normalizon dhunën ndaj grave dhe justifikon dhunuesin. Nuk ishte ajo, që e deshi dhe as minifundi apo dekolteja e saj që e kërkoi, por rendi patriarkal, që legjitimon burrat të cënojnë integritetin trupor, lirinë seksuale dhe dinjitetin e grave. Nuk duhet t’u mësohet grave e vajzave se si të vishen apo të sillen, por ne si shoqëri kemi obligimin moral t’u mësojmë burrave si të mos përdhunojnë, dhunojnë e masakrojnë.

Mungesa e lirisë seksuale shprehet dhe në pamundësinë dhe vështirësinë që kanë gratë e vajzat shqiptare për të shprehur e jetuar lirisht seksualitetin e tyre. Të jesh grua heteroseksuale në Shqipëri, do të thotë të kanalizosh seksualitetin tënd brenda institucionit të bashkëjetesës e martesës, për qëllime riprodhuese. Kur ndodh, që ky seksualitet del jashtë këtyre kornizave dhe jetohet në kuadrin e dëshirave trupore, rrezikon të cilësohesh, si e përdalë apo e pamoralshme. Ndërsa të jesh grua transgjinore, lesbike dhe biseksuale, do të thotë të jetosh në makthin e së padukshmes, të jetosh me dhimbjen e përjashtimit nga familja e shoqëria dhe të përballesh me rrezikun e përditshëm të të paragjykuarit e të dhunuarit, si devijante e abnormale.

Diskriminimet gjinore mishërohen dhe në aspektin ekonomik, në marrjen e pagesave më të ulëta për kryerjen e së njëjtës punë dhe nënpërfaqësimin e grave në poste të larta drejtuese në institucione publike e kompani private. Për shkak të presioneve shoqërore e pabarazive gjinore, gratë dhe vajzat shqiptare vazhdojnë të sakrifikojnë karrierën profesionale. Në rastin më të mirë kryejnë punë të dyfishtë, mbajnë mbi shpatulla edhe përgjegjësinë e edukimit dhe përkujdesjes për fëmijët e familjet, ndërsa partnerët e tyre kanë luksin të ngjisin lehtësisht shkallët e karrierës profesionale, duke u promovuar në pozita të larta drejtuese. Nuk duhet të harrojmë, se përkujdesja familjare ndaj fëmijëve, përbëjnë punë të papaguar, që kontribuon si në ekonominë familjare, por edhe në atë shtetërore.

Lexuesit e këtij shkrimi ndoshta mund t’i konsiderojnë këto konstatime, edhe pse jo shteruese, si jo relevante duke menduar se ka gra shqiptare në poste të larta drejtuese e vendimmarrëse.  I ftoj të reflektojnë për një çast, mbi faktin se shumica e këtyre grave kanë pasur mundësinë ekonomike të arsimohen brenda dhe jashtë vendit dhe se ato nuk përfaqësojnë realitetin e hidhur, as pasqyrojnë vështirësitë ekonomike e sociale me të cilat hasen shumica e grave urbane dhe rurale shqiptare.

Pabarazitë gjinore, prevalente në shoqërinë shqiptare pengojnë fuqizimin ekonomik, social, politik dhe kulturor të grave si dhe përforcojnë pozitat e tyre nënshtruese. Kësisoj, mendoj se dita ndërkombëtare e grave në një shoqëri patriarkale si e jona duhet të na shërbejë si një moment kremtimi kolektiv për të nderuar luftën e përditshme personale të grave, në përballje me dhunën dhe diskriminimet me bazë gjinore, si dhe vështirësitë ekonomike e sociale me të cilat ato ndeshen. Mbi të gjitha, kjo ditë duhet të na shërbejë, si një ditë proteste e rebelimi kolektiv kundër padrejtësive e pabarazive gjinore, dhe si një moment vetëdijësimi social e institucional, ku secili prej nesh të ndërgjegjësohet e reflektojë, se si të kontribuojmë për ndërtimin e një shoqërie të lirë, demokratike e të barabartë, e cila mikpret pa kushte mënyrat e pafundme, të të qënit dhe t’u bërit grua, dhe ku të drejtat e grave, mos të cënohen dhe shkelen sistematikisht e arbitrarisht.

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: copyright për imazhin në kopertinë i Maria Inmaculada Ramos Pizarro.

3 Komente

  1. Edhe une dakort jam! Me shumicen, sic thote edhe populli. Dhe, se per pak harrova: gezuar festen!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin