PËR DEBAT

Do të doja të hap një diskutim me ju, për diçka që më gërryen prej kohësh, por që nuk i jap dot dum vetë, sidomos ngaqë më mungon përgatitja, por edhe informacioni i mjaftë.

Pikërisht, kërkoj përgjigje për pyetjen: A ka krizë kushtetuese në Shqipëri?

Dhe kur pyes kështu, nisem në radhë të parë nga parimi i ndarjes së pushteteve.

Cili është statusi i pushtetit gjyqësor sot në Shqipëri, përkundrejt konsolidimit në mos zgjerimit të kriminalitetit të organizuar, të lidhur me trafikun e drogës; dhe përpjekjet e dokumentuara dhe të përfolura të bandave kriminale për të ndërhyrë në politikë?

Kam përshtypjen se gjyqësori është goditur rëndë nga vetting-u, tejet rëndë, dhe i është nënshtruar madje gjunjëzuar ekzekutivit, edhe pse nuk ka as provë as arsye që ekzekutivi të ketë ndonjë epërsi kushtetuese a morale ndaj gjyqësorit. Për shembull, vetëm para pak ditësh, u njoftua në lajme se policia kish ushtruar kontroll në banesat e tre gjyqtarëve (pasi këta morën një vendim të diskutueshëm). Mua kjo më duket ngjarje pa precedent, e cila u jep një sinjal alarmant (avvertimento) të gjithë atyre gjyqtarëve që duan të ruajnë pavarësinë nga ekzekutivi, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre – nëse do të më thoni se të tillë nuk ka (nuk ka më), le të kemi aq guxim sa të kthehemi te kadilerët dhe pleqësitë e Kanunit

Për t’u shënuar edhe se Gjykata e Lartë nuk funksionon prej një viti dhe se Prokurori i Përgjithshëm e ka statusin ende të përkohshëm (pa shtuar që zgjedhjen e tij Opozita e pat quajtur “putsch kushtetues” atëherë).

Nga ana e vet, legjislativi është gjymtuar tashmë rëndë, me djegien e mandateve nga ana e deputetëve të Opozitës – edhe pse nuk e kam të qartë nëse mandatet mund të digjen vërtet, si mandate, nga pikërisht ata që janë betuar kur i kanë pranuar; dhe nëse djegësit duhet të mbajnë apo jo përgjegjësi para ligjit (dhe para zgjedhësve të tyre).

Pavarësisht nga ky incident i fundit, sa kohë që PS-ja ka pasur dhe shfrytëzuar brutalisht shumicën aritmetike në Kuvend, ky i fundit po shërbente kryesisht si teatër batutash dhe argalisjesh javore, teksa lubrifikonte dhe kalonte çdo ligj që i kërkohej nga ekzekutivi – përfshi edhe ligjin famëkeq, ad hoc, për ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe truallin përreth.

Si kurrë më parë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, diskursi i përfaqësuesve të popullit në Kuvend nuk ka qenë kaq i varfër dhe i mjeruar; kaq i sheshuar në ide, arsyetime dhe retorikë; kaq i zbrazur nga kultura dhe etika, kaq i mbytur me batuta dhe personazhe filmash të Realizmit Socialist, sa ky i këtij legjislacioni. Për këtë mbajnë përgjegjësi të dyja palët, edhe ajo në pushtet edhe Opozita, sikurse mbajnë përgjegjësi qytetarët që i votuan këto figura kur iu kërkua.

Gjykata Kushtetuese nuk funksionon edhe ajo që prej një viti, gjithnjë besoj për arsye të vetting-ut, çfarë i ka hequr ekzekutivit një pengesë serioze për të realizuar planet dhe dëshirat e veta.

Me fjalë të tjera, mekanizmi i checks and balances sikur ka dalë jashtë përdorimit – në kuptimin që kryeministri Rama sot ka shumë më tepër liri faktike veprimi dhe vendimi se ç’ka, bie fjala, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump; çfarë nuk është gjë e mirë për Ramën.

Presidenti i Republikës, Meta, si Kryetar i Shtetit, të cilin e prisja të përvishte mëngët gjatë kësaj krize, është mënjanuar dhe merret me gjëra të dorës së tretë. Në vend që të funksionojë si rakordues i tre pushteteve, ai është reduktuar (e kanë reduktuar?) në një figurë protokollare, që shpërndan medalje tunxhi, shkon në varrime dhe shkëmben qoka me ambasadorët. Në një kohë që bashkëshortja e Presidentit ose “zonja e parë (!)” ka marrë në sy të udhëheqë Opozitën në orvatjet për mua donkishoteske për ta rrëzuar kryeministrin Rama me dhunë!

(Madje duke e tërhequr zvarrë, siç thotë.)

Qeverinë Kryeministri Rama po e trajton si oborrin e lodrave të veta, duke vendosur në poste ministeriale njerëz anonimë, pa eksperiencë pune, pa prestigj dhe ndonjëherë asgjë më tepër se projeksione të prejardhjes së tyre. Këto veprime arbitrare ia miraton rregullisht parlamenti dhe, kur Presidenti fillon të bëjë ndonjë protestë të vogël, menjëherë përfundon i shtyrë mënjanë, siç ndodhi me zv. Ministrin e Jashtëm, Cakaj.

Animoziteti personal midis disa pak figurave të ekspozuara, si Rama, Basha, Berisha, Balla, Paloka e ndonjë tjetër, e kanë kthyer dialogun dhe debatin politik në farsë, e cila edhe në qoftë e shtirur, mbetet e padenjë për qytetarët, shtetin dhe institucionet. Unë nuk e di ku përpunohet diskursi politik sot në Tiranë, por nuk do të doja të më konfirmonin që kjo ndodh në Facebook dhe në talk shows televizive.

Dhe, në çdo rast, me tërheqjen e Opozitës nga institucionet, Rama do të tundohet gjithnjë e më tepër të veprojë arbitrarisht, meqë nuk ka kush t’i bëjë më rezistencë, as në parim.

Arbitraritet nuk do të thotë doemos autoritarizëm: tek e fundit, Ramës i duhet edhe të përligjë sjelljet e veta përballë miqve dhe këshilltarëve të tij në Europë dhe gjetiu. Por kohët e fundit edhe këtyre po u lëviz toka nën këmbë – çfarë duket se i ka dhënë zemër Opozitës, të paktën në afat të mesëm, duke e inkurajuar të guxojë edhe veprime drastike, si dalja në rrugë dhe djegia e mandateve.

Tani, nëse këto që kam shkruar qëndrojnë, atëherë ka krizë kushtetuese në Shqipëri, apo jo? Dhe a nuk po shprehet kjo krizë kushtetuese në prirjen e qëndrueshme, shumë-vjeçare, për t’i gjymtuar dhe neutralizuar pushtetet e pavarura (legjislativin, gjyqësorin, përfaqësimtarinë), në favor të pushtetit ekzekutiv, si një artifakt të induktuar nga sistemi vetë, sipas parimit të shtegut të rezistencës më të vogël (least resistance path), që i detyrohet mendësisë politike primitive të elitave, dhe jo doemos ndonjë patologjie autoritariste të Ramës vetë?

Mendimi juaj më intereson, edhe për të korrigjuar çdo pasaktësi që më ka shpëtuar më lart, edhe për të komentuar për të gjitha shfaqjet e krizës, por mundësisht duke iu ruajtur teorive të komplotit dhe deklaratave të tipit “ata janë shitur të gjithë”.

Qëllimisht i kam lënë mënjanë problemet ekonomike të qytetarëve dhe të Shqipërisë dhe katastrofën e ikjes së shqiptarëve në mërgim nga këto shënime (sikurse kam lënë jashtë Kosovën dhe problemet e saj sot), për t’u kufizuar vetëm në aspektin kushtetues të krizës – meqë kam frikë se, çfarë po ndodh, po vërteton jo vetëm që klasa politike shqiptare nuk e ka kuptuar mirëfilli thelbin e kushtetutës (filozofinë e kushtetutës), por edhe që vetë sistemi që kemi adoptuar – përfshi ndarjen e pushteteve, pluralizmin, checks and balances, sovranitetin popullor, mbikëqyrjen juridike, barazinë e qytetarëve para ligjit, republikanizmin – nuk përkon me realitetin politik dhe social në Shqipëri; është një gjë eksperimentale, e transplantuar që trupi i shoqërisë shqiptare tashmë e ka flakur (rejected).

Ndonjë jurist mbase do të gjejë kohë për të ma hedhur poshtë këtë frikë që kam për një authoritarian drift të sistemit; meqë përndryshe do të duheshin rishikuar shumë gjëra, duke filluar nga Kushtetuta. Dhe natyrisht, shpresoj që ky debat t’u interesojë dhe t’u shërbejë të gjithëve.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

79 Komente

  1. Po te bej nje korrigjim Ardian. Terminollogjia “krize kushtetuese” kuptohet keq dhe mbrapsh edhe nga shumica e mediave ne bote, ndaj dhe gabimi yt me lart, tek e lidh kete terminollogji me “djegien” (kupto: lenien) e mandateve, eshte sot mese “normal”. Lenia e mandateve ne vetvete nuk perben krize kushtetuese, sepse kushtetuta e parashikon lenien e mandatit te deputetit. Por ketu kemi nje fenomen te metejshem, qe teksa disa deputete nuk i kane lene mandatet, ata jane perjashtuar nga partia (PD), pra te jepet pershtypja se e gjithe partia (te dyja partite) e ka lene mandatin e deputetit, cfre do te thote largim i saj nga politika dhe shuarje e saj, si ne kohen e Hitlerit me SPD-n dhe disa te tjera. Kete fenomen te ralle (mund te quhet edhe i paprecedent) nuk e parashikon kushtetuta shqiptare. Por serish kjo nuk quhet krize kushtetuese, por politike, sepse jane po keto parti e po keta deputete qe e kane bere kete kushtetute, me gjithe ndryshimet e her pas hershme. E aq me pak mund te quhet krize kushtetuese, kur leshimi i mandateve -sic eshte deklaruar nga vet ata- eshte bere individualisht.
    Kriza ne Shqiperi eshte e gjithanshme, pra ka dhe krize kushtetore, por nga fakti se vete kjo kushtetute ka mjaft mangesi. Disa aktivitete i kap ne detaje, cfar nuk eshte e nevojshme, e mjaft te tjera nuk i trajton, ose i trajton fare pak dhe pergjithshem. Por kjo eshte nje teme e gjate teorike, qe nuk mund te ezaurohet ne nje koment.

  2. Them se në krye të hierarkisë në krizën kushtetuese (nëse ka) janë çështjet e mungesës së institucioneve të drejtësisë, Gjykatës së Lartë / Gjykatë Kushtetuese.

    Habia më ë madhe është që Reforma në Drejtësi të mos ketë parashikuar vakumin institucional që ajo vetë do krijonte.

    Vallë të kenë qënë gjithë shkruesit, ankimuesit dhe çertifikuesit e këtij ligji kaq të paaftë?

    Ky them është një fakt kurioz që ka nevojë të sqarohet nga juristët.

    1. Vakumi u krijua për shkak se reforma nisi “nga sipër”, e jo “nga poshtë”, siç ta do logjika, pikërisht për të evituar një vakum të tillë. Në mendimin tim, dhe ndjesë që po futem në terren konspiracioni, mendoj se ky “lapsus” është bërë qëllimisht, pasi më duket e pamundur (qoftë edhe statistikisht) që në morinë e personave profesionalisht/teknikisht të përgatitur në këtë fushë, mos ta ketë parashikuar/paraprirë njeri këtë skenar.

      1. AK,

        Nuk ka nevojë fare të hysh në konspiracion. Fakti që vetingu llogjikisht duhej të kishte filluar nga posht lart, por që në fakt u bë e kundërta, mund të shpjegohet lehtë me nevojën për rezultate të shpejta – një ankth i shprehur hapur nga politika dhe nga promovuesit e ligjit (protektorët po deshe).

        Është bërë zakon tashmë në Shqipëri që sa herë ka një ligj apo një inisiativë të mirë do dali ndonjë politikan apo arsye politike që me dashje apo pa dashje i vë një stërkëmbësh të madh.

  3. 1- Kushtetutat në fazën fillestare janë si tip wannabe, dmth sovrani nuk kushtetutëzon realitetin për si është, por për si dëshiron të jetë, pra fut aspiratat e modele qeverisëse, të cilat shpreson të realizohen sa më parë.
    Më tej çdo vend ka/formon traditën e tij kushtetuese, e cila kushtëzon qasjen ndaj Kushtetutës.
    Kush ka qenë 86 vjeç ne 1998, ka qenë lindur në kohën e turkut dhe ka pare nja 7 a 8 statute themeltare e kushtetuta gjatë jetës së tij.
    Për shkaqe të ndryshme, të brendshme e të jashtme, sovrani shqiptar gjatë historisë kushtetuese në Shqipëri nuk ka parë ndonjë gjë të hatashme tek koncepti i shkeljes së Kushtetutës. Rendi i vërtetë kushtetues, e thotë ligji/a, përditësohet në kokën e tij.
    Pra, sovrani nuk ka në plan, ende, që të pranojë supremacinë e Kushtetutës ndaj tij. Në këto kushte kreu i qeverisë, i cili mbledh e përfaqëson këtë sovranitet, nuk e ka hallin tek Kushtetuta sa tek opozita.
    Pra Kushtetuta në Shqipëri ruhet nga opozita me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Kur ndërkombëtarët e shohin Kushtetutën si pengesë i heqin mbështetjen opozitës, rasti i vetingut.
    Megjithatë duhet thënë se edhe në vendet perëndimore Kushtetutat ruhen nga opozitat, të cilat për çdo vendim a projektligj që nuk u pëlqen shohin menjëherë në është kushtetues apo jo. Në Shqipëri është më e theksuar për arsye që pak a shumë dihen apo merren lehtë me mend.

    2- Për të ardhur më konkretisht tek pyetja e debatit, nga pikëpamja formale krizë kushtetuese nuk ka.
    Vetingu u miratua nga parlamenti, dmth u bënë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, të cilat u miratuan në çast edhe nga përqafimi entuziast i Vllahutines me Lunë.
    Pra që gjyqësori do të jetë rrumpallë derisa të mbarojë vetingu, kjo është parashikuar në Kushtetutë.

    Mandatet parlamentare mund të digjen pa shkaktuar asnjë problem kushtetues, Fehmi Abdiu dixit apo ipse dixit. I hodha një sy kushtetutës italiane, vakancat e listave plotësohen brenda të njëjtit koalicion, parashikohen votime të pjesshme vetëm për listat e Valle Daostes dhe për vakancat uninominale dmth që dalin nga mazhoritari.

    Përsa i takon ligjeve haptazi ose jo antikushtetuese të Ramës, vetëm Gj.K. mund të shprehet. Në fakt, në praktikat qeverisëse të gjithë Perëndimit, ka edhe akte që janë jokushtetuese, sepse nuk është e thënë që kryeministri apo Presidenti të jetë autoritet kostitucionalist apo që gjithë ekspertët të jenë të një mendjeje, biles edhe vetë Gj.K. mund ta shpallë nje akt si jokushtetues me votim 5 vs 4.
    Në këto kushte Rama mund të marrë vendime e bëjë ligje jokushtetuese, derisa të përfundojë vetingu e të kemi mbrapsht Gjykatën Kushtetuese. Formalisht Rama është në rregull, kushtetutshmëria e këtyre akteve tashmë i takon sheshit, sepse sovrani bën ça i do kokrra e qejfit, me apo pa Gj. Kushtetuese. Vetingu nuk u parashikua i shoqëruar me problemin se çfarë do të ndodhë me kushtetutshmërinë e akteve të Qeverisë e Parlamentit, për si është, kushtetutshmëria e këtyre akteve do të shihet pasi Gj.K. të ketë numrin e mjaftueshëm të gjykatësve.

    1. Për “sovranin”, siç e quan ti, ndarja e pushteteve është koncept përgjithësisht i huaj. I huaj dhe i pakuptueshëm.

      “Sovrani” në Shqipëri – që veç sovran nuk është as ka qenë ndonjëherë – priret natyrshëm ndaj autoritarizmit ose “dorës së fortë”.

      1. Jam dakort qe sovranit ia kane grabitur rregullisht sovranitetin, po ky proces eshte i njohur ne histori edhe kur sovrani ishte mbreti, psh sulltanet turq per nja dy shekuj. Po ne nuk mund ti kuptojme dot pushtetet e sistemet pa nje nderhyrje fillestare te sovranit apo ne 97, ose edhe mbajtjen e pushtetit me armiqesi te madhe popullore, me perjashtim te viteve te fundit te Zogut. Biles tek ne Makroni me mbeshtetje 20% do kishte fluturuar me kohe, mesa kam vene re tek ne poshte 30% mbeshtetje per qeverine apo koalicionin qeveritar, ska qene askush ndonjehere, as Saliu ne ’97. Perjashtojme Zogun ne vitet e fundit kur nuk e donte njeri hiq matjanet. Kjo nuk eshte merite e sovranit si i tille sa i opozitave te cilat sapo shohin se mbeshtetja per qeverite bien, turren per te marre pushtetin, po serisht eshte mbeshtetja e sovranit qe e mundeson. Une vete kam krijuar bindjen, duke bere paralelizmin popull-parlament, se nqs shumica kushtetuese dmth 2/3 e popullit nuk e do qeverine, pra mbeshtetja e qeverise eshte 33% e poshte atehere duhen zgjedhje te parakohshme. E shoh si pa kuptim nje qeverisje te metejshme per hir te shifrave, stabilitetit, tradites demokratike a cfaredo qofte. Pyetja qe kam une eshte, a eshte Rama me mbeshtetje 33% e poshte ?

    2. Hyllin shkruan:” Pra që gjyqësori do të jetë rrumpallë derisa të mbarojë vetingu, kjo është parashikuar në Kushtetutë.”

      Më duket interesant koncepti që një Kushtetutë parashikon “rrumpallë”. Una kam patur përshtypjen që dokumente si Kushtetuta mundohen të jenë kaq të qarta jo vetëm nga ana kuptimore po edhe në aspektin linguistic aq sa edhe një shenjë pikësimi mund të analizohet për një kohë të gjatë nga Gjykatat Kushtetuese.

      Ndoshta Kushtetutë-bërësit tanë janë duke sjellë risi në këtë lëm!

      I

  4. Reforma ne drejtesi, ajo e lena per gjysem ne polici, ne arsim, qeverisjes vendore e ndarjes administrative etj. ishin nje tej-tendosje per qeverine, e cila qe me reformen ne arsim e humbi vrullin dhe shteroi energjite. Nryshe nga Gjeorgjia apo Armenia, reformat ishin shume te ngadalta dhe humben Monentum. Prandaj dhe qeveria ka zgjedhur te fshihet pas propagandes, nuj zoteron as burimet, por as kellcet per te tilla reforma. Ndersa, authoritarian drift filloi qe me ndryshimin e kodit zgjedhor ne 2009.

    Ne 2009 mua me pelqyen ndryshimet, se partite duhet te shtrengonin radhet (kohesionin) e krijonin politikane profesioniste. Por ja qe dol gjithcka ndryshe. Ato u konsoliduan si organizata mafioze.dhe u strukturuan si kompani private. Vota, punesimi, nderi e dinjiteti i shiten ofruesit ne ankandin elektoral.

  5. Pa dyshim pyetja që bën Ardiani është një pyetje e rëndësishme që kemi nevojë ta kuptojmë më mirë sidomos ne që nuk jemi “të zanatit”.

    E megjithatë kam përshtypjen që edhe një përgjigje bindëse ndaj kësaj pyetje mund të mbetet në nivelin abstrakt apo teorik pa patur mundësi apo fuqi të gjenerojë ndryshim domethënës në dimensionin real të jetës së Shqiptarëve qoftë në nivelin individual dhe në atë shoqëror – një binom ky dialektik gjithmonë në gjendje rikonfigurimi.

    E them këtë sepse mendoj se është e rëndësishme të bëjmë një pyetje tjetër, e cila në një farë mënyre influencon në mënyrë të qenësishme shumë pyetje legjitime dhe të rëndësishme si kjo që parashtrohet në këtë diskutim.
    Pyetja që kam në mend – jam i sigurt shumëkush e ka bërë apo vazhdon ta bëjë këtë pyetje sepse është në natyrën e kësaj pyetje të jetë në një “gjendje” ndryshimi të vazhdueshëm (fluid state) – është një pyetje sa e thjeshtë aq edhe e thellë, që mund të themi se i përket kategorisë së “mbretit lakuriq”!

    Pra pyetja është:

    A ka krizë vlerash në Shqipëri?

    Për mendimin tim përgjigja apo përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje, ose më mirë proceset e domosdoshme që një shoqëri formon për të arritur në përgjigje që janë relevante dhe të zbatueshme për mirëqenien e saj, bëhet “themeli” mbi të cilin ndërtohet shtëpia ku kemi dëshirë të banojmë.

    Për shembull, parimi i ndarjes së pushteteve, një parim themelor qeverisës për demokracitë Europiano-Perëndimore apo të Amerikës Veriore, reflekton vlerat e shoqërive përkatëse të arritura nëpërmjet një procesi të gjatë dhe shpeshherë të dhimbshëm por megjithatë organik, d.m.th. të pa imponuar në mënyrë arbitrare nga jashtë.

    Mund të themi, shpresoj pa u shmangur shumë nga e vërteta, që shoqëria Shqiptare në shekujt 20 dhe 21 nuk reflekton këtë trajektore zhvillimi organik. Kështu që realitete -jo vetëm koncepte – si demokracia, ndarja e pushteteve, zbatimi i kushtetutës etj., mbeten akoma si “ gjethe fiku” që mundohen të mbulojnë lakuriqësinë e mungesës së vlerave mbi të cilat këto realitete ndërtohen.

    Një shembull që për mendimin tim ilustron mendimin e mësipërm është vështirësia që kemi pasur dhe akoma vazhdojmë të kemi për të pasur zgjedhje të lira. Kjo për mendimin tim nuk është një problem “teknik” që mund të zgjidhet teknikisht. Vështirësia për të pasur zgjedhje të lira reflekton “besimin” e shumë prej nesh që demokracia (të cilën nuk e kemi shijuar akoma) nuk është forma më e mirë e qeverisjes. Ne duket se akoma vazhdojmë të besojmë se tribalizmi, patriarkalizmi apo “të qënit nga fshati im” janë mënyra më të mira për të organizuar shoqërinë dhe shtetin.

    Shpresoj se këto mendime nuk janë një degëzim i panevojshëm në lidhje me pyetjen fillestare.

    Ju falënderoj dhe përgëzoj për cilësinë e “Peizazhe” dhe mundësinë që na ofroni për të reflektuar dhe për të “ushtruar” artin e dialogut.

    Gjithë të mirat,

    Ilir Mitrushi

    1. Shumë e drejtë.

      Këtu do të shtoja që sistemi i tanishëm – ndarje pushtetesh, pluralizëm, barazi para ligjit, etj. – jo vetëm që u importua, por edhe nuk mund të implementohej, përveçse nga një elitë.

      Kjo elitë sot e ka humbur besimin e njerëzve: që mund ta ndjekin, sepse ka pushtetin, por jo sepse ka autoritetin moral për t’u pranuar si elita që u mëson qytetarëve sistemin politik perëndimor.

      Prandaj edhe qytetarët nuk e vrasin mendjen për Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë: nuk është tyrja dhe ata që e implementojnë, po e përdorin si instrument për të riprodhuar veten si klasë sunduese.

      Presim vërtet që t’u dalë njerëzve gjumi natën për vetingun, në një kohë që sistemi i tenderimit publik pjell monstra korruptive të hatashme, në sy të së gjithëve?

      Dhe kur këtë sistem të zhvatjes së parasë publike e mbështet ekzekutivi, vallë do ta ndalë dot ai gjyqtari i shkretë që mezi e ka kaluar vetingun dhe i ka të gjithë, madje edhe djalin e hallës, të punësuar në shtet?

      (Unë tenderimin publik do ta nxirrja jashtë ligji. Por temë tjetër kjo.)

      Kjo zbythje e “shtetit të së drejtës” erdhi bashkë me zbythjen e madhe të Europës. Shqipëria e humbi shansin për t’iu bashkuar BE-së kur kjo kish ndonjë farë vlere.

    2. imitrushi çështja e krizës së vlerave nuk ka ndonjë vlerë praktike, zakonisht është tip shashke tymuese që heq vëmendjen nga problemi, i cili është politik dhe kushtetues. Nuk besoj se ftesa për debat është ftesë për vajtim publik, të mblidhen vajticat e të qajnë sipër halleve.

      Zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira, as të ndershme, por hiq 1996, palët kanë luftuar me të njëjtat armë dhe qeveritë janë krijuar nga shumica në mos absolute, shumica relative . Po me shumicë relative e të krijuar shpesh me ngjitje-shqitje funksionon gjithë Perëndimi.
      Demokracia parlamentare bazohet tek shumica relative e popullit dhe shumica absolute e parlamentit, nëpërmjet pragjeve e premi di maggioranza lënë jashtë parlamentit shumë parti të vogla.
      Në Francë prej sistemit zgjedhor një parti e madhe prej 12-15% ka ngelur jashtë parlamentit ose ka shumë pak deputetë.

      Në tërësi, pavarësisht parregullsive e farsave ka fituar shumica relative ose absolute.

      Ndarja e pushteteve është e shpërfillur rëndshëm në demokracinë parlamentare, check and balance është e papërkthyeshme në vendet e demokracive parlamentare.
      Sovrani/populli zgjedh legjislativin, legjislativi zgjedh ekzekutivin, legjislativi bashkë me ekzekutivin zgjedhin gjyqësorin.
      Këtu është e qartë që legjitimiteti i ekzekutivit dhe gjyqësorit, varen prej humorit të legjislativit dhe jo prej humorit të popullit.
      Tre pushtetet janë ngërthyer me njëri-tjetrin me një formulë diabolike, e cila ka për qëllim të perjashtojë sovranin/popullin nga e drejta për të zgjedhur ekzekutivin dhe gjyqësorin si ndodh në Amerikë.

      Kështu që nuk është aspak çudi që popujt krijojnë apo pranojnë modalitete të ndryshme, të cilat krijojnë qeveri të forta e të qëndrueshme, si psh në Gjermani ku ne 36 vitet e fundit është qeverisur per 16 vjet nga Kohli dhe 13 vjet nga Merkelja. Po më herët Gjermania ka pasur Adenauerin që qeverisi 14 vjet, pra secili nga këta të tre ka qeverisur për më shumë vite sesa Hitleri.

      Nga pikëpamja teorike është një gjë pa shumë kuptim që një vend i cili ka nevojë për reforma të thella, sepse është 100 vjet prapa botës, të lihet ne duart e një mekanizimi qeverisës te dobët si është demokracia parlamentare.
      Populli ka pasur dhe ka nevojë për reforma të thella, jo per edukim qytetar. Që shqiptarët kanë edukim qytetar të mjaftueshëm e kanë treguar ne emigracion e në shumë shtete.

      Shqiptarëve u duhen reforma të thella dhe për këtë demokracia parlamantare është sistem i gabuar, sepse kryeministri nuk ka hallin e reformave, po si të mos i zhgrëpet pushteti nga parlamenti dhe nga të vetët, që janë rreziku më i madh, sepse mjaft ti kalojnë votat me opozitën dhe pushteti mori fund.

      1. Përshëndetje Hyllin,

        Pra ti mendon se nuk ka lidhje organike apo dialektike midis krizave politike apo shtetërore dhe vlerave relevante të një shoqërie? Zgjidhja apo zgjidhjet për mendimin tënd mund të vijnë si rrjedhojë e kalimit nga një demokraci parlamentare qenësisht (intrinsicaly) e dobët në një qeverisje sipas modelit Amerikan apo jo?

        Unë kam njohuri të kufizuara për sa i përket modeleve të qeverisjes kështu që e kam të vështirë të bëj një analizë krahasuese midis modeleve të ndryshme, ndoshta kjo mund të ishte një temë për t’u paraqitur nga specialistë dhe diskutuar këtu në “Peizazhe”.

        Ajo që unë u përpoqa të shpreh në prurjen time ishte sugjerimi se krizat e natyrave të ndryshme në një shoqëri, qofshin ato politike, shtetërore, arsimore, kulturore etj., pasqyrojnë dhe janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme ose më mirë dialektike me vlerat e një shoqërie. Kuptohet ky është një përgjithësim, apo një “skelet” ideor që ka nevojë për shumë “mish” për tu bërë realitet.

        Thellimi i mëtejshëm i shqyrtimit të rolit të vlerave në një shoqëri do të kërkonte përsiatje në shumë disiplina si epistemologjia, filozofia, linguistika, antropologjia, socio-ekonomia etj., gjë kjo e vështirë për t’u konsumuar si pjesë e diskutimeve në “Peizashe”.

        Megjithatë nuk ka asgjë të keqe të “lundrojmë në ujra më të cekta” për sa kohë që jemi të ndërgjegjshëm për këtë dhe të hapur për të ndryshuar apo zhvilluar mendimet tona.

        Gjithë të mirat,

        Iliri

        1. Përshëndetje Ilir, kjo çështja e krizave politike si krizë vlerash është tezë sociologjike me vlerë shumë anësore. Kjo do të hapte më së pari debatin e vlerave, mirëpo nuk mund të depërtojnë vlera të reja nqs nuk vihen ne krizë vlerat e vjetra dhe në Perëndim për krizë vlerash ka nja 200 vjet që flitet me kulmin tek Niçja që profetizoi për përmbysje e rishikim të të gjitha vlerave. Rilindja tek ne u mor me vlerat, komunizmi po ashtu, sot po e po.

          Koncepti është aq i gjerë e spekullativ, saqë nuk na jep ndonjë gjë konkrete për rastin ne fjalë dhe pavarësisht se është dëgjuar vazhdimisht këto 30 vjet, nuk kam parë ndonjëherë diçka me vlerë praktike ne shpjegimin e rasteve specifike, as në këtë rast. Gjithçka që arrihet është që ky vend nuk ka sesi bëhet, duhet punuar per edukimin qytetar edhe nja 20-200 apo 2000 vjet.

          Mirëpo jeta jonë është e shkurtër që të merremi me të tilla kohë dhe vende te ndryshme kanë ecur dhe ecin shpejt, pra nuk është ndonjë fatalitet apo pashmangshmeri universalisht e shqueshme apo verifikueshme.
          Spanja deri në 1974 njihej prej shekujsh si vendi katolik më bigot dhe prej 35 vjetësh nën autokracinë nacionaliste ose edhe parafashiste të Frankos. Megjithatë pavarësisht një tradite të konsoliduar të njëshit, të mungesës së mendimit të lirë etj Spanja eci me shpejtësi rrufeje drejt modelit demokratik.

          Në skajin tjetër Japonia, me një traditë shogunësh, daymosh dhe militaristësh nacional-imperialistë, mes një krizë të thellë vlerash menjëherë paslufte bëri hapa gjigandë si në ekonomi si në demokraci.

          Është suksesi ekonomik e politik ai që krijon vlerën e shtuar të vlerave dhe jo vlerat që krijojnë vlerën e shtuar të suksesit. Rrjedhimisht është mungesa e suksesit që ul vlerën e vlerave. Kështu pas suksesit, Spanja bigote nuk paskësh qenë në thelb aq bigote, vlerat japoneze të denigruara nga vetë japonezet filluan të rivlerësoheshin nga japonezët e gjithë bota.

          Përsa i takon modeleve parlamentare e presidenciale, kush politikan i futet punës për të qenë autokrat nuk pyet per model. Ndalimi i këtyre politikanëve është i mundur më shumë prej një ndërhyrjeje të komunitetit ndërkombëtar të interesuar, sesa prej modeleve kushtetuese.

          Modeli ynë është hibridizuar për keq, dmth shfaq pushtet te tepruar presidencal duke mbajtur formulën diabolike parlamentariste të ngërthyerjes së pushteteve. Populli as nuk i voton 3 pushtetet si ne presidencializëm, as nuk i voton deputetët që do, sepse as ka mazhoritar as ka lista të hapura, se i nxjerr kryetari nga mendja dhe xhepi në sekondë të fundit.

          Pra ne votojmë vetëm Kryetarin, në vend të tre pushteteve votojmë për 3 kryetarë. Kaq janë zgjedhjet tona. As Likja që bëri grevë urie asokohe nuk është kundër, ndërkombëtarët jo e jo, se do kishim dëgjuar bubullimat e do kishim ndjerë shiun, populli ska pse të jetë kundër kur janë dakort gjithë të mëdhenjtë.

          Këta nuk do të ndryshojnë gjë, sepse presidencializmi u pakëson pushtetin dhe u kufizon mandatet, kurse kthimi mbrapsht është pa kuptim.

          Sot kemi betejën e tre kryetarëve, se në kaq është reduktuar politika dhe për këtë nuk e ka fajin kriza e vlerave në shoqëri, po një evolucion politik i nisur keq e vazhduar si mos më keq dhe një ndërhyrje e pamjaftueshme ndërkombëtare – psh për të rrëzuar ligjin zgjedhor do të mjaftonte të ishte tek një nga kriteret për anëtarësim-.

      2. Hyllin, meqë kam përshtypjen se ti e njeh sistemin italian dhe ke jetuar në Itali: nuk e ke vënë re se çfarë pushteti ka gjyqësori në Itali?

        Çfarë respekti ka për magjistratët dhe magjistraturën? Si u dëgjohet fjala?

        Atë kam parasysh unë, jo SHBA. Krahasimi i Shqipërisë me SHBA është si të krahasosh orën me zile dhe dashin me këmborë.

        Madje edhe me Italinë krahasimi është tejet ambicioz. Mbase mund të krahasohemi normalisht me Gabonin ose Taxhikistanin.

        1. Kur në Amerikë u vendos Kushtetuta, kishte pak a shumë po kaq banorë sa Shqipëria, kishte analfabetizim të madh e sigurisht që ishte më e varfer se Shqipëria sot, për shkak të disnivelit teknologjik që është krijuar këto 2 shekuj. Pastaj kishte një sërë gjërash negative që nuk po i përmendim, po që pamundësuan demokracinë në Amerikë për si e njohim në shekujt 20 e 21.

          Gjyqësori në Itali ka prestigj për shumë arsye, po gjyqtarë e prokurorë janë zgjedhur historikisht nëpërmjet legjislativit e ekzekutivit -psh KLD vendos nqs një gjyqtar rri ne Vaccarizzo Albanese apo në Milano-, kështu që nuk gabon kush nqs i quan demokristianë e komunistë/socialistë/majtistë. Gjëja shihet edhe tek universitetet publike, ku pushtetin e kanë pleq demokristianë e majtistë.
          Punë tjetër që pavarësisht përzgjedhjes, gjyqtarë e prokurorë kanë profesionalizëm. Nuk është merita e sistemit të përzgjedhjes e ngritjes në detyrë, po e një deontologjie profesionale shumë të hershme.

          Sistemi i përzgjedhjes dhe ngritjes në detyrë nuk respekton askush ndarjen e pushteteve, biles gjyqësori është ai ku fusin hundët të gjithë – në këtë të pasvetingut edhe shoqëria civile, e cila as nuk ekziston si koncept ne Kushtetutën e ndonjë vendi-.

  6. Nuk dua të jem aspak cinik dhe e kam sinqerisht këtë, por për mendimin tim kriza kushtetuese është një fenomen i cili buron nga kushtetuta vetë; është një lloj amendamenti i pashkruar i saj, madje është preambula e vërtetë e kushtetutës se Shqipërisë.

    Kur vendit ju imponuan kushtetutat e pas 91, me ndarjen faktike të pushteteve, shoqëria shqiptare nuk ishte fare në atë nivel apo rruge zhvillimit, që të ndjente të nevojshme ndarjen e pushteteve. Këto mënyra të organizimit të shtetit erdhën nga jashtë dhe natyrisht që nuk kishin asnjë shans që të bëheshin ndonjëherë pjesë e vetëkuptueshme e të menduarit dhe të vlerësuarit të shtetit. Ideja shqiptare e të bërit shtet ishte formalisht një lufte për të shpallur pavarësinë, për ta ruajtur pavarësinë dhe për ta zgjeruar territorin (apo mbrojtur territorin nga rreziku i zvogëlimit) dhe këtu ku fillon kjo ide aty edhe mbaron. Më shumë nuk ka, më shumë shqiptarët nuk dinë të bëjnë, po të lihen t’i bëjnë gjërat vetë.

    Faktikisht shqiptarët janë qytetarë shumë të mirë por si të tillë në një shtet tjetër.
    Për mendimin tim shtete të tilla të dështuara duhet që të administrohen nga guvernatorë të huaj të deleguar nga një ekzekutiv tjetër, të cilët janë të plotfuqishëm dhe i nënshtrohen kontrollit parlamentar të një shteti të huaj. Danimarkës për shembull. E drejta ndërkombëtare publike e shekullit 21, dhe nëse nuk e kemi hedhur në erë këtë planet me herët, edhe ajo e shekullit 22 do të duhet dalëngadalë të përpunoje instrumentet, se si shtete të tilla të vogla, përpara se të degjenerojnë krejtësisht në republika bananesh të vihen nën kontrollin e një institucioni të huaj, i cili qëndron mbi gjerat. Shqipëria kështu ka funksionuar gjithnjë më mirë se kur është qeverisur nga shqiptarët vetë.

    Brenda 20 – 30 vitesh shqiptarët do të jenë më të lumtur në Shqipëri, vendi do të jetë më i lulëzuar dhe para se gjithave do të fillojë të kultivohet një lloj qytetarie, e cila është e bazuar vetëm në vlerat morale, se në pushtet nuk është askush prej shqiptarëve.
    Ndoshta do të duhet dalëngadalë që një rilindje e re kombëtare të fillojë të punojë në atë drejtim, pra të dorëzimit të sovranitetit shtetëror në mënyrë të parevokueshme tek një autoritet i huaj, i cili operon jashtë sistemit. Ka disa ishuj që pasi morën pavarësinë nga vitet 60 të shekullit të shkuar, kanë filluar të thërrasin ish-fuqitë koloniale, që të rikthehen. Ndoshta një grup patriotësh të mirë mund të krijojnë ndonjë komitet të shpëtimit kombëtar, i cili të ketë për qëllim të vetmin pushimin e sovranitetit kombëtar dhe dorëzimin e tij diku tjetër, ku të jetë në duar të sigurta.

    Shqipëria ka nevojë vetëm për një legjislacion civil të mirë dhe për një sistem të shkollimit të juristeve, i cili të jetë elitar. Kjo gjë mund të zgjidhet duke e mbështetur sistemin legjislativ civil shqiptar tek ai i një shteti serioz dhe të zhvilluar, në mënyrë që praktika juridike ku do të mbështeten gjykatat shqiptare të jetë elaboruar diku tjetër; pra të ketë një certifikim akademik cilësor jashtë-shqiptar. Juristët shqiptarë të shkollohen në shkolla teorike të buruara nga keto sisteme te huaja, në mënyrë që kompetenca e tyre profesionale të matet me kritere “jashtë-shqiptare”. Pra nuk ngrehet dikush për arsye triviale, siç ndodh tani, por ngaqë ka mbaruar ne Grac të Austrisë me këtë apo atë notë. Kështu krijohet një kastë juristësh, që gjeneron dikur veten.

    Shqipëria ka nevojë për një sistem penal të fortë, i cili gjithashtu mbështetet fuqimisht në elementin e huaj. Pra jo vetëm që shërbimet sekrete të hyjnë e të dalin lirisht, por që të funksionojë mirë bashkëpunimi i organeve të ndjekjes penale në kuadrin e ndihmës juridike ndërkombëtare.

    Por në momentin kur njerëzit do të kenë të ardhme kanë për ta gjetur me lehtë rrugën e perëndisë dhe më pak do të kihet nevojë për mjete represive, burgje e policë.

    Kjo lloj krize kushtetuese ku ndodhet vendi është e vetmja gjendje, në të cilën mund të ekzistojë shteti shqiptar; dhe nëse është vërtetë kështu, nuk mund të flitet për krizë, pasi kriza në vetvete është një fenomen përjashtimor, i përkohshëm dhe i kapërcyeshëm.

    1. Pifto, faleminderit për sinqeritetin dhe indinjatën qytetare që duket që përshkon mendimet e tua.

      Pa dashur të komentoj në “zgjidhjen” që ti preferon po vetëm për të bërë pak humor, megjithëse tema është shumë e rëndësishme, mu kujtua një barcaletë e vjetër e tipit “Nastradin-or”.

      Episodi thuhet se ndodh në një nga parlamentet shqiptare të para Luftës së Dytë Botërore. Baballarët e kombit ishin duke rrahur mendimet në lidhje me vështirësitë financiare që kalonte vendi. Një nga deputetët hodhi idenë se një zgjidhje mund të ishte shpallja e luftës ndaj Amerikës dhe humbja e luftës dhe pushtimi që do të pasonte do të mundësonte mbajtën me bukë të popullit nga pushtuesit.

      Thuhet se pas hedhjes së kësaj ideje u bë një ndërhyrje nga një deputet (thuhet që ishte nga Labëria po kjo mund të ketë qenë shpifje e qëllimshme) i cili bëri pyetjen që do ta kishte zili edhe një “deconstructionist” i shekullit të 21-të.

      Dhe pyetja ishte:

      “Po sikur ta pushtojmë ne Amerikën si do ta mbajmë me bukë gjithë atë milet?!”

      I

  7. E them qysh në fillim se nuk jam juriste e ndaj lyp ndjesë paraprakisht për amatorizmin.

    Dua të them gjithsesi se me sa kuptoj unë krizë mirëfilli kushtetuese nuk ka ende, sa kohë që sistemi vijon të funksionojë. Nuk po them si e qysh po funksionon, as edhe sa i madh është kazani ku vlerat janë flakur si rrecka të fëlliqura e janë vënë të ziejnë në ujë purgatori. Sa kohë që legjislativi, ashtu i gjysmuar, arrin të miratojë ligje, sa kohë që ekzekutivi, me dilema e kriza shpirtërore, vazhdon të administrojë këtë vend, sa kohë që gjyqet vijojnë të kryhen me një të dhjetën e kapacitetit, aq edhe kriza vijon të rrijë prapa derës.

    Gjithsesi, impassin kushtetues e shkakton edhe përfundimi i legjitimitetit e besueshmërisë morale që në vetvete sjellin dështim të funksionalitetit të sistemit. Një administrate e demoralizuar (dhe e demonizuar) nuk është aq e motivuar të vërë në jetë ligjet e urdhëresat; krimbat e dyshimit, të pendesës, të hutimit, të pafuqisë, të depresionit, të mosbesimit, të fajit, do ta brejnë sistemin deri në atë pikë sa të implodojë.

    Prandaj unë besoj se fundi i këtij regjimi nuk do të vijë nga eksplodimi revolucionar, por nga implodimi prej atyre krimbave që përmenda më lart.

    1. Thote Sopheshqip “…Gjithsesi, impassin kushtetues e shkakton edhe përfundimi i legjitimitetit e besueshmërisë morale që në vetvete sjellin dështim të funksionalitetit të sistemit…” dhe nuk e di pse kam pershtrypjen se ketu qendron nje pjese e madhe e se vertetes.

      1. Tamam. Dhe do të shtoja: deri në ç’pikë mundet ligji të kompensojë amoralitetin? Nëse një shoqëri i humb vlerat morale, të paktën sa i përket bashkëjetës sociale – si qytetarë të një shteti (jo si pjesëtarë të një fisi, as si banorë të një fshati), sa mund të kompensojë ligji për anominë morale?

  8. Nuk ka krize kushtetuese ne Shqiperi. Mund te kete kriza te tjera, por kushtetuese jo.
    Gjykata Kushtetuese mund te mos kete quorum te plote por nuk ka ligj qe e ndalon kete Gjykate qe te jape vendime pa bango te plote – mendoni nje gjykates te vete-perjashtuar nga nje ceshtje psh.
    Po ashtu kryeprokurorja eshte e perkohshme ne sensin kohor, por jo edhe ne autoritet. Ky koncept konfuzohet shpesh me kast nga aktoret politike ne Shqiperi.
    Deputet qe lane mandatet jane lehtesisht dhe sistemakisht te zevendesueshem-kjo eshte nje nonissue.
    Po shoh qe komentojne njerez me disclaimer perpara “sjam jurist” dhe “nuk jam i fushes”.
    Kam pare ketu shkrime nga njerez ( te tjere) qe ne fakt jane te fushes.
    Mendimet e ketyre pres me interes te lexoj…
    Se keshtu opinione intuitive, nuk besoj se e shtyjne perpara Dijen tone te perbashket.

    1. Vendet Tona: sepse kam përshtypjen që kjo faqe është e hapur për lexuesit dhe që fusha e diplomimit të shkollës së lartë nuk shërben për t’u kualifikuar si komentues në këtë apo atë temë. Ruaje interesin për njerëzit e fushës dhe ndihu i/e lirë të anashkalosh opinionet intuitive të ne amatorëve vdekatarë të rëndomtë. Ndërkohë, irritimi për prurjet amatoreske mund të jetë maksimumi një e drejtë e të zotit të shtëpisë.
      Ti qartazi e ke vendosur në mendjen tënde që nuk ka krizë e ndaj nuk e kuptoj përse bezdisesh nga naivët si puna ime. Po nejse, kjo gjithashtu është një nonissue.

    2. Po komentoj paragraf pas paragrafi:

      Gjykata Kushtetuese mund te mos kete quorum te plote por nuk ka ligj qe e ndalon kete Gjykate qe te jape vendime pa bango te plote – mendoni nje gjykates te vete-perjashtuar nga nje ceshtje psh.

      Meqë paskeni dijeni për këtë çështje, ma tregoni ju lutem ligjin a paragrafin e Kushtetutës që përcakton si funksionon GJK në rrethanat kur ndodh që i mungojnë anëtarët ose kryetari. Unë nuk e gjeta dot. Dhe me sa di, GJK nuk funksionon që prej një viti. Pse? Të jenë futur në grevë?

      Që Parlamenti kalon ligje, të cilat nuk po shqyrtohen nga GJK, më duket shumë e rëndë. Shkelje e Kushtetutës. Me të dyja këmbët.

      Po ashtu kryeprokurorja eshte e perkohshme ne sensin kohor, por jo edhe ne autoritet. Ky koncept konfuzohet shpesh me kast nga aktoret politike ne Shqiperi.

      Në sensin kohor jemi të gjithë të përkohshëm. Por ka diçka që nuk shkon, edhe me mënyrën si u caktua kjo kryeprokurore, mu në kohën kur Gjyqësori (si një pa pushtetet) po i nënshtrohej vetting-ut.

      Deputet qe lane mandatet jane lehtesisht dhe sistemakisht te zevendesueshem-kjo eshte nje nonissue.

      Këtu nuk është fjala për lënie të mandateve, po për djegie të tyre. Ka një dallim, besoj unë. I cili i shkon mu në thelb nocionit themelor të mandatit. Prandaj edhe pyeta nëse kjo është apo jo e mundshme, konstitucionalisht e mundshme.

      Po shoh qe komentojne njerez me disclaimer perpara “sjam jurist” dhe “nuk jam i fushes”.

      Është gjë shumë e mirë. Sepse i këtyre njerëzve është edhe shteti, edhe kushtetuta. Këta ua paguajnë edhe rrogat specialistëve (juristëve). Ndonjëherë ndërhyrjet e tyre janë pyetje, edhe kur nuk mbarojnë me pikëpyetje.

      Kam pare ketu shkrime nga njerez ( te tjere) qe ne fakt jane te fushes.

      Në fakt edhe te kjo temë kanë shkruar njerëz të fushës, pavarësisht nga pseudonimet (që nuk janë të fushës).

      Mendimet e ketyre pres me interes te lexoj… Se keshtu opinione intuitive, nuk besoj se e shtyjne perpara Dijen tone te perbashket.

      Opinionet “intuitive” – kanë edhe ato vendin e tyre. Siç e thashë, edhe kur madje sidomos kur vijnë si pyetje ose paqartësi. Natyrisht, ka edhe gjëra që nuk shkojnë, në komentet. Por korrigjimi i tyre sërish ka vlerë.

      1. A.V.
        Nuk ka ligj qe e lejon kete apo posibilitet deri sa nje skenar i caktuar te mberrije ne gjykaten perkatese (case of first impression), dhe gjykata ta konsideroje te vlefshme dhenien e mendimit per efekt sqarimi.
        Numri i anetareve te nje gjykate eshte numer maksimal i gjykatesve- nje si sigurese qe qeverite e rradhes te mos munden ta manipulojne gjykaten duke shtuar anetare qe i shkojne pas midese. Nuk eshte numer minimal per te funksionuar.
        Nje pyetje interesante lindi para disa kohesh: a eshte nje gjykates i lejuar te rrije ne post edhe pas mbarimit te afatit, deri sa vendi bosh nuk eshte plotesuar?
        Gjykata Kushtetuese i dha nje pergjigje te qarte: Jo!
        Nje tjeter precedent ky per te bindur skeptiket qe Gjykata mund te funksionoje edhe me me pak anetare se c’parashikon ligji.
        Kjo (numri max vs. numri minimal i gjykatesve) eshte nje nga ato aksiomat e jurisprudences perendimore qe ne e kemi adoptuar kallup qe kur vendosem te marrim mend nga keshilltaret perendimore per pune jurisprudence, dhe kur ja nisem rruges per ne Perendim.

        Prokurori i Pergjithshem ka afat ne zyre – perpara ketij afati mund ta heqesh vetem ” for cause”. Ky eshte thelbi i perkohshmerise, pra eshte i pushueshem edhe pa “cause” – ne rastin konkret, pushohet/zevendesohet edhe pa bere gje te keqe/shkelje – kur te zgjidhet Prokurori i Pergjithshem i rregullt. Kjo eshte perkohshmeria relevante ketu, jo perkohshmeria ne sensin filozofik, por une dyshoj qe ti e dije kete edhe para se ta thoja une.

        Djegja e mandatit eshte nje “term of art” qe nuk ka asnje peshe juridike. Nje person eshte deputet, pastaj nuk eshte me. Arsyeja nuk ka asnje peshe ne procesin qe ve ne levizje – procesi i zevendesimit te tij/saj me nje person tjeter. Eshte ndryshimi i statusit te mandatit qe nis rroten te levize, jo arsyeja e personit qe mban kete mandat.

        Pjesa tjeter e komentit tend eshte dicka per te cilen dy njerez te arsyeshem mund te kene opinione te ndryshme, keshtu qe une nuk di c’te them tjeter pervec se nese kjo do ishte nje fushe ku ti di me shume se ne te tjeret, si zor ta besoj qe ti do ishe kaq tolerant ndaj njerezve qe vijne e japin mend me argumentin ” qe kjo eshte gjuha e te gjitheve, dhe te gjithe kane dicka te dobishme per te na mesuar”, fjala vjen, per pune gjuhesie…
        Me te drejte do thoja une.

        Me te mira

        1. Më ka bërë përshtypje që deputetët e PD-së dhe të tjerët flasin gjithnjë për “djegie”, jo për lënie. Mbase dikush – një jurist – duhet të dalë dhe t’ua sqarojë që po flasin me metafora. Siç e kisha kuptuar unë, me “djegie” ata kishin parasysh, në praktikë, që Partia përkatëse nuk do t’i zëvendësonte, siç do të ndodhte për lënien.

        2. Gjykatat mund të funksionojnë me më pak anëtarë, por janë në çdo kohë në proçes plotësimi, pra nuk ekziston hipoteza se gjykatat nuk do të jenë në proçes plotësimi.
          Këtu nuk po flitet a mund të funksionojë parlamenti ndërsa është në proçes plotësimi të numrit kushtetues 140, sigurisht që mund të funksionojë, mjaft të ketë 71 deputetë.
          Ketu po flitet në rast se Kuvendi nuk do të jetë në proçes plotësimi dhe do të ketë më pak se numri kushtetues 140 deputetë.
          Analogjia bie qartësisht poshtë.

  9. Se mos dukem sikur jam me Ramën, po dallim midis lënies dhe djegjes së mandatit nuk ka, dmth legjislatori nuk hyn tek shkaqet apo qëllimet që deputeti ka për dorëzimin e mandatit. Arsyet nuk prodhojnë ndonjë efekt, fakti i dorëzimit prodhon efekte, dmth sipas rastit mund të zëvendësohet nqs ka lista proporcioniali, mund të behen zgjedhje në zonën vendore nqs deputeti ka dalë me mazhoritar.

    Problemi është politik, por jo kushtetues, dmth nuk parashikohen zgjedhje të përkohshme, të pjesshme apo të përgjithshme. Në rast se legjislatori do të kish parashikuar zgjedhje të parakohshme, do të arrinim ne paradoksin që një parti që hyn e vetme në zgjedhje dhe fiton vetëm 1 deputet, do të mjaftonte të digjte 1 mandat dhe vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

    Nga ana tjetër, duke përdorur këtë opsion opozitat do digjnin mandatet në çdo kohë dhe vendi do kalonte nga një palë zgjedhje tek tjetra në infinit, sepse i rrëzuari nga pushteti do bënte po të njëjtën gjë. Opozita do ta bënte edhe thjesht për probleme të brendshme, kryetarit i del në parti një grup kundër, kalon gjithë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe djeg grupin kundër.

    Është e qartë besoj, se preçedenti i krijuar duhet trajtuar si preçedent politik dhe nga suksesi ose jo do të shihet edhe vlera në të ardhmen. Nqs opozita arrin të ketë sukses, me siguri që djegja e mandateve do te ndodhë sërisht në të ardhmen.

    Në këtë kuptim edhe pse nuk jam kundër këtij akti opozitar, sepse parlamenti aktual është i një kotësie të llahtarshme, as si farsë nuk ka ndonjë vlerë, prapëseprapë nuk jam dakort me zgjedhjet e parakohshme apo qeverinë teknike. Qeveria teknike duhet fshirë nga fjalori, se është si tip grushti shteti ndaj sovranit, kurse zgjedhjet e parakohshme mund të vijnë për shumë arsye, por jo nga kjo e mandateve, se është shumë e rrezikshme.

    Nqs opozita ka mbështetje popullore sa thotë le të bëjë protesta 2 mujore, pastaj të justifikohet çështja e zgjedhjeve të parakohshme, si vullnet i popullit, por jo për shkak të lënies së mandateve si vullnet politik i 2-3 kokrrave.

    1. Edhe mua më duket e rëndë djegia e mandateve – që, e përsëris, nuk është e njëjtë me “lënien”; lënia parakupton zëvendësim: e lë Hasani, i shkon Hysenit; djegia jo. Kjo ka të bëjë me atë çfarë është pikërisht “mandati” dhe kujt i përket. Unë besoj se “mandati” i JEPET një deputeti, por nuk i përket deputetit (nuk është TITULL, as POST). U përket zgjedhësve (si mandat, ose si autorizim përfaqësimi). Unë si zgjedhës ta jap ty mandatin që ti të më përfaqësosh mua; ti mund të heqësh dorë nga përfaqësimi, por nuk mund të ASGJËSOSH një gjë që nuk është jotja, por imja.

      Prandaj, vetë ideja se një deputet mund ta DJEGË mandatin (si e ndryshme nga lënia) më duket me shumë zarar. Unë do t’i dënoja penalisht, këta që vendosin ta DJEGIN mandatin, të thuash se po djegin TAPINË e tokës që ua ka lënë babai. Është atentat ndaj “sovranit”, siç e quan ti – ose fyen themelin e Kushtetutës. Që ta kuptojnë ata të PD-së sa e rëndë është “djegia” e mandatit, unë do ta shihja me vend sikur gjykata t’u hiqte ish-deputetëve të drejtat civile, për aq sa ç’do të vazhdonte mandati “i djegur”. Me këto gjëra nuk bëhen shaka.

      1. Kushtetuta përdor saktësisht *heq dorë*, as lënie, as djegje, as braktisje, as dorëheqje, as dorëzim, megjithëse heq dorë po në kushtetutë përdoret tjetërkund edhe në kuptimin e dorëheqjes.
        Mandati nuk është partiak, por vetjak dhe deputeti përfaqëson popullin në kuptimin e sovranit, jo në kuptimin e popullit që e ka zgjedhur, votuesit të tij, apo të zonës zgjedhore ku është zgjedhur, gjithë zgjedhësit e një zone.
        Deputeti nuk përfaqëson as partinë, por lirisht mund të bashkohet me një grup parlamentar e po aq lirisht mund të ikë e të shkojë tek një grup tjetër parlamentar.

        Duke qenë se përfaqëson popullin në cilësinë e sovranit deputeti është teorikisht vetë zot e vetë shkop.

        Djeg apo nuk djeg partia apo kryetari i grupit parlamentar, deputeti dhe Kushtetuta janë indiferentë.

        I vetmi problem ne këtë mes është se Kushtetuta thotë që Kuvendi ka 140 përfaqësues, dmth që sovrani përfaqësohet nga 140 njerëz, dmth fizikisht të tille.
        Neni 64 i cilëson si 140 deputetë, pra behet fjalë për njerëz prej mishi e kocke.

        Ligji zgjedhor si në Shqipëri, si në Itali nuk parashikon asgjë përtej vakancave të proporcionalit që plotësohen nga e njëjta parti apo koalicion.

        Pra hëpërhë proçesi i zëvendësimit të vakancave nga të tjerët, të radhës, në listat e dorëzuara në KQZ , është plotësisht ligjor dhe kushtetues.

        Kur të mbarojnë njerëzit e listave dhe sdo të ketë më të tjerë, ateherë do të lindë problemi i nenit 64, dmth pse ky Kuvend nuk ka 140 deputetë si e parashikon Kushtetuta.

        Në këto kushte, problemi është i ligjit, i cili nuk e parashikon mundësinë që Kuvendi në çdo rast duhet të ketë 140 deputetë ose 140 njerëz prej mishi e kocke qe marrin rrogën ne bordero.

        Në një diskutim të mëhershëm të rastit ne real mu duk me vend që Kushtetuta të parashikonte zgjedhje të parakohshme në rast se Kuvendi nuk kishte aq njerëz të regjistruar në bordero, sa të kryente funksionet kushtetuese të detyrueshme deri në fund te mandatit, pra 3/5, sepse deri ne fund të mandatit duhen zgjedhur me detyrim Prokurori i Përgjithshëm apo anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

        Pra pak a shumë mendoj se Kuvendi mund të funksionojë pa 140 deputetë në bordero, gjë që thoshte dhe Abdiu, po ai thoshte edhe me 71 deputetë, gjë që nuk më duket korrekte me principin, sepse parlamenti ka brenda mandateve edhe akte të detyrueshme me 3/5.

        Puna është që Kushtetuta duhet ta parashikojë shprehimisht një funksionim të tillë te Kuvendit, përndryshe Kuvendi thotë duhet të ketë 140 deputetë prej mishi e kocke dhe brenda aftësive të tyre mendore.

        Duhet një intepretim i Gjykatës Kushtetuese, sapo të verifikohet se mandatet nuk do të plotësohen prej listave. Deri atëherë për mendimin tim duhet të mbizotërojë principi i qeverisshmërisë, pra parlamenti vazhdon punën me deputetët e mbetur, të cilët gjithsesi sot janë tek 3/5, pra teorikisht mund ta perfundojnë mandatin pa cënuar shifrat e nevojshme për vendimmarrjen parlamentare.

        1. Po mendoja se këta mund ta thellojnë krizën politike dhe institucionale me anë të Metës, i cili kur të përfundojë proçesi i plotësimit të vakancave dhe të mos jenë 140 deputetë, duke iu apeluar nenit 64 të Kushtetutës, mund të shpallë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.

          Kuvendi do e hedhë poshtë se Kushtetuta ia njeh të drejtën, po Presidenti dhe Parlamenti do jenë në krizë të plotë insitucionale, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet rreth nenit 64, me pak fjalë derisa të piqen rrushtë, do kemi Parlament të gjymtuar dhe President që do ta shpërndajë.

  10. problemi kryesor per mua eshte se vota ne shqiperi eshte ose perceptohet si nje mjet transaksioni, si dikur per njeriun e shpellave lekura, apo prodhimet bujqesore, guackat etj. me jep votat per nje vend pune, me jep voten qe te te shlyej borxhin e keshtu me rradhe. shtet qe prodhon kliente dhe nepotizem

    pas komentit te piftos me duket se ato shkrimet e AV-se mbi ”cargo cult” duhet te ribotohen dhe te rilexohen

  11. Ardian, sikurse e kanë thënë edhe të tjerë këtu, djegia e mandatit nuk ekziston nga pikëpamja juridike. Duke përdorur shprehjen djegie mandatesh, opozita shpreh një vullnet të sajin, spekulativ do thoja, por juridikisht është nul. Vendimi për të pranuar apo jo një mandat NUK është partiak, por individual. Partia në këtë rast, i kërkon listës të mos pranojnë postin, por NUK i detyron dot.

    Tani, sipas ligjit, kur dikush lë mandatin, ky i shkon tjetrit në radhë. Nëse radha mbaron dhe ka ende mandate të lira, këto i shkojnë partisë me herësin më të madh në koalicion. Meqë koalicione nuk ka pasur, ka një ngërç. Ligji nuk shprehet nëse mund ti shkojnë partisë më herësin më të madh, që në këtë rast është PS.

    Fryma e do që mbi të gjitha të ruhet vazhdimësia institucionale, që do të thotë se interpretimi më normal këtu do ishte që këto mandate mund ti shkojnë edhe PS, sepse vetëm kështu do bëhej e mundur që mandatet të mos ngelin pa përfaqësim dhe parlamenti të jetë i gjymtuar.

    Per mua rasti i vetëm hipotetik dhe i dyshimtë për një krizë kushtetuese do të ishte ky : Po nqs as PS nuk i pranon këto mandate, çfarë ndodh? Do kalojnë në partinë më herësin e dytë më të madh e kështu me radhë. Nqs lista ezaurohet me të gjitha partitë e regjistruara dhe ka ende qoftë edhe një mandat të vetëm të lirë, a ka një krizë kushtetuese? A është kushtetues një kuvend që nuk e plotëson dot numrin e vetë të plotë?

    Vetëm në këtë rast mandati mund të quhet i ‘djegur’, dhe për mua kjo ha debat. Mund ta quajmë mangësi të ligjit, por edhe fantazi të shfrenuar shqiptarësh që e tejkalojnë çdo limit. Por teorikisht është shumë shumë e vështirë të ndodhë, sepse edhe vetë PS nuk ka interes të arrijë në këtë pikë.

    1. ResPublica shpjegonte sot se përfaqësues të opozitës

      “kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mandatet e listave shumëemërore. Kështu, të paktën sipas opozitës do të frenohet zbatimi i dispozitës që zëvendëson deputetët e larguar me të tjerë.”

      Dhe kjo, gjithnjë sipas këtij opinioni, do ta bëjë të pamundur që Kuvendi të rikonstituojë numrin prej 140 deputetësh, siç e përcakton Kushtetuta.

      [M]e reduktimin numerik, Kuvendit, si pushtet kolegjial legjislativ, i ka rënë një nga premisat kushtetuese të konstituimit të tij. Numri 140 nuk është arbitrar dhe relativ. Ai është numri kushtetues për Kuvendin që duket se ka hyrë në vorbullën e dyshimit nëse është më apo jo kushtetues.

      Sa qëndron ky argument? Të jetë pikërisht ky dorëzim listash djegia e pretenduar e mandateve?

      1. Po pra, ekzakt. Opozita, në mënyrë performative, ka dorëzuar mandatet e atyre që NUK pranojnë ti marrin. Çdo refuzim mandati është individual, sikurse vendimi për ta pranuar apo jo. Opozita thjesht i ka mbledhur bashkë dhe i ka dorëzuar. Vetëm se lista është shumë më e madhe sesa aq. Jo çdokush si pjesë e listës së PD ka pranuar ta refuzojë mandatin. Pastaj sikurse e shpjegova, edhe sikur të gjithë nga PD dhe LSI ta refuzojnë, ka parti të tjera. I vetmi rast hipotetik është kur listat e të gjitha partive ezaurohen, dhe ka ende qoftë edhe një mandat të vetëm të lirë.

        Përveçse e vështirë që kjo të ndodhë, në rastin më të mirë do të kërkonte shumë shumë kohë, dhe deri atëherë diçka do jetë bërë 😉

        1. Kjo që fryma institucionale kërkon që mandatet e PD-se ti shkojnë PS është gjë për zbavitje, sepse ligji nuk interpretohet nga KQZ, por zbatohet. Nqs partive u mbarojnë njerëzit në listë, meqë ska koalicion, KQZ-ja, thotë unë e mbarova punën time. Nuk ka tagër KQZ-ja të japë mandatin e një partie jashtë koalicionit ku kjo parti bën pjesë, se është për burg.
          Jepet mandati brenda në koalicion, sepse koalicioni përfaqëson subjekt zgjedhor ku partitë mblidhen në mënyrë vullnetare dhe votuesi voton për këtë subjekt.
          Dhënia e mandatit jashtë koalicionit, është dhunim i të gjitha principeve që lidhen me votën dhe demokracinë, sovrani i kthyer përmbys dhe i defekuar sipër.

          Që mandatet e PD-së ti shkojnë PS-së është ftesë për kryengritje të armatosur.

  12. Këto kryengritjet e armatosura mi kurse të kam rixha. Është rast i diskutueshëm, nuk ka precedentë. KQZ ligjin zbaton, por ligji nuk është I prerë me thikë. Ja psh, e zëmë se një deputet i pavarur heq dorë nga mandati, si i bëhet? I shkon ky mandat një partie politike apo jo? Apo ka krizë kushtetuese sepse mandati si kalon dot asnjë partie dhe bie parlamenti ? E kupton se çfarë kështjellë rëre kemi kështu?

  13. Këtë hipotezë e kam thënë vetë më lart.
    Nuk është zgjidhja krijimi i një parlamenti si i Saliut të 1996, kryengritjen e armatosur e ke tek dera.
    Ligji është i prerë me thikë, shkohet deri tek i fundmit i listës së partisë/koalicionit nese ka. Po të ishte mazhoritar zgjedhje të parakohshme në atë zonë ku deputeti lë mandatin, si në ligjin e mëparshëm, por edhe në ligjin aktual italian.
    Legjislatori nuk është Edi Rama, po një figurë abstrakte e arsyeshme.

    Mandati nuk shkon këndej e andej si i thotë mendja KQZ-së, në mazhoritar zgjedhjet do të përsëriteshin në po aq zona sa mandate do të ishin djegur, duke ndëshkuar kështu opozitën, që heq dorë nga mandatet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme duke ia kaluar legalisht dhe kushtetutshmërisht mandatet atij që do i fitojë, pra si princip opozita duhet ndëshkuar.
    Por jo në tavolinë, as legalisht, as kushtetutshmërisht.
    Një gjest i tillë nga KQZ do të thotë që Rama do të grabisë mandatet, pra do të vendosë qartazi autokracinë me 100 e kusur deputetë, rrjedhimisht kryengritja e armatosur bëhet opsion legjitim, biles i vetmi sipas standarteve gjykuese amerikane.

    Duhet një opsion që ndëshkon opozitën dhe që nuk përshkallëzon gjendjen duke i hedhur benzinë zjarrit.

    1. Nga një paralelizëm mes mazhoritarit dhe proporcionalit, një hipotezë mund të jetë zgjedhjet e pjesshme në çdo qark për mandatet e djegura. Mandatet e tjera janë në rregull, votohet qark më qark për sa mandate janë ne lojë. nqs në TIranë janë 10 të djegura përshtatet qarku për 10 mandate, nqs në Gjirokastër apo Kukës nga një përshtaten qarqet e kështu me radhë.
      Po kjo mund ti shtohet ligjit në të ardhmen se nuk besoj se mund të dalë nga kuadri i sotëm ligjor e kushtetues.

      1. Hyllin, nuk ma dhe një përgjigje. Si i bëhet pra kur mandatin e lë një deputet i pavarur ? Nuk kemi mazhoritar, jemi në kushtet e sotshme, me këtë kod zgjedhor.

        U përpoqa ta gjej më sipër ndërhyrjen tënde për këtë hipotezë por s’po e gjej dot, të lutem më ndihmo.

        Që parlamenti të bëhet si i Saliut ne 96, ky është një interpretim politik, por vlen zero kur vjen puna te kodi zgjedhor dhe kushtetuta. Pikërisht këtë lloj arsyetimi duhet të shmangë KQZ, kolegji zgjedhor e gjykatat.
        Parlamenti nuk është as i Edit as i Salës. Ekziston mundësia që me votë, nje parti e vetme të marrë 100 e kusur deputetë, ashtu e vendos sovrani. Cfarë do të thotë kjo, që jemi në autokraci ? Aspak.

        Hipotezën e deputetit te pavarur e solla për nje lloj analogjie të parimit :

        KQZ vendos që mandatin e dhënë një subjekti zgjedhor A (deputeti i pavarur) t’ja kalojë një subjekti zgjedhor B (partia me herësin më të madh) kur ky nuk e pranon ose heq dorë nga mandati.

        Tani ky deputeti, teorikisht, mund të jetë totalisht kundra qendrimeve dhe programit të partisë së cilës i shkon mandati, rrjedhimisht edhe sovrani që ja ka dhënë këtë mandat ka votuar KUNDRA edhe kësaj partie. E megjithatë, nuk mund të kalosh në krizë kushtetuese parlamentin vetëm se nuk zëvendëson dot një mandat. Do s’do, do ja kalosh kësaj partisë. Besoj më kupton.

        1. Që mandati i një të zgjedhuri të PD-së t’i kalojë një kandidati të PS-së, kjo do të ishte karikaturë e demokracisë zgjedhore. Ose thjesht provë se ligji përkatës ka qenë problematik që në krye – meqë zbatimi i tij “à la lettre” shpie në absurditet. Një nga ato situata që kërkojnë automatikisht zgjedhje të parakohshme.

        2. E hodha hipotezen njesoj, por me te mire ne analogji e me te mundshme. Nje parti e cila garon e vetme, fiton vetem 1 deputet dhe vendos ta djege mandatin duke kushtezuar te tjeret e listes. Ky eshte rasti i le ta quajme deputetit Herkul, i cili hedh poshte parlamentin dhe qeverine dhe ngjarjen hipotetike si bema e 13 e Herkulit. Penalizimi i doreheqjes prej mandatit nuk mund te “vrase sovranin”, sepse ne hierarkine e rendit te gjerave duke qene se eshte vullneti i sovranit qe te pajiset me kushtetute, atehere vullneti i sovranit > kushtetuta. Pra ne kushtet e tashme o i ben karshillek sovranit o i ben karshillek kushtetutes. Une them qe 140 duhet trajtuar si numer qe per kete here eshte relativ, derisa te shprehet Gj.K. Pastaj nga ana praktike keta do e gjejne nje zgjidhje ose gjendja e tensioniar do e prodhoje nje zgjidhje se nje parlament i ketille nuk ka gjasa te ekzistoje 2 vjet e gjys te tjera.

        3. Nje hipoteze si mund te relativizohet shifra kushtetuese 140 deputete.
          Kuvendi mjaft te kete 71 pranishem dhe mund te marre vendime, pra minimumi teorik 36 deputete vendosin per shume ligje, meqe 36 eshte 50%+1 e 71 deputeteve te pranishem.
          Ka vendime qe merren me shumice absolute te 140, pra 71, ka ligje me 3/5 dhe vetem ndryshimet kushtetuese 2/3 e 140.
          Nuk ka asnje ligj qe kerkon unanimitet 140 deputete, pra asnjehere nuk eshte e domosdoshme qe Kuvendi te kete 140 deputete.

          Numri pra ne vendimmarrje është relativ. Nuk ështe relativ kur mbi te aplikohet matematika kushtetuese e nevojshme per te nxjerre shumicat vendimmarrese, pra 71, 84 e 94.

          Ne kete kuptim 140 deputete eshte e barazvlefshme me 140 mandate ose 140 ulëse, ne italisht quhen edhe seggi qe do te thote pikerisht ulëse.
          sèggio s. m. [der. del lat. sedere «star seduto»; cfr. sedia e le forme in -gg- […] luogo su cui si sta seduti:

          Pra neni 64 flet per 140 deputete, por ne fakt flet per 140 ulëse ose mandate për tu ulur ne parlament, jo per 140 njerez.

          Numri i uleseve nuk ka ndonje funksion ne vendimmarrje sepse asnje vendimmarje nuk ka nevoje per 140 vota, por ka funksion matematikor per te nxjerre shifrat e vendimmarrjes ne nje demokraci parlamentare.

          Kuvendi mund te kete serisht 140 ulëse nga pikepamja formale, sepse ulëset nuk digjen dot, funksioni matematikor i atij numri vazhdon te kete vlere dhe funksioni matematikor eshte substanca e numrit 140, i cili perndryshe ska asnje permbajtje.

          Uleset pa perfaqesim nuk e cenojne formalisht numrin 140, sepse aq ulese do te jene gjithnje kur te kerkohet prej kushtetutes nje shumice 3/5 apo 50%+1 ose edhe 2/3.

          Pra Kuvendi mund të vazhdojë punën me 94 deputetë ose 2/3, meqenese 46 uleset e tjera kane vetem funksion formal matematikor, pra mund te trajtohen si numer arbitrar pa vlere substanciale.

        4. Meqenese as ligji italian nuk jep pergjigje se cfare ndodh me listat e proporcionalit nese nje parti ose koalicion djeg mandatet doja ta vazhdoja spekullimin e mesiperm me nje ndarje te uleseve ne 94 ulese substanciale dmth 2/3, qe jane te mjaftueshme per te perfaqesuar substancialisht sovranin dhe 46 ulese formale qe jane te nevojshme per perfaqesimin formal te sovranit.

          Keshtu ligji zgjedhor qe sdo te krijonte asnjehere ngerc kushtetues me mandatet do te ishte, perpos atij mazhoritar ku shkohet ne zgjedhje te pjesshme, nje ligj i perzier ku ka

          94 ulëse mazhoritari, te cilat garantojne ne cdo rast nepermjet rizgjedhjes perfaqesimin substancial te sovranit
          46 ulëse me lista proporcionali, ku keta te bejne cte duan, mandati i tyre nuk ka per ti shkuar asnjehere nje force tjeter politike jo ne koalicion, pra sovranit nuk i çnatyrohet asnjehere vota.

  14. Sikunder Pifto, nuk dua te tregohem cinik (gjithsesi pak fare) duke shtuar se mbase ka ardhur koha qe te shihet seriozisht mundësia per ta vene Shqipërinë nen protektorat, për shkak të paaftësisë së saj vetëqeverisëse. I dëgjoj qe këtu ulërimat (sidomos ne radhët e politikaneve, te atyre qe u hiqet e drejta e protektoratit aktual te brendshëm dhe të disa romantikeve që ecin me këmbët në mut e recitojnë bagëti e bujqësinë) tek thonë se kjo është nje ide e armiqve te Shqipërisë. Ne fakt kështu është, kjo ide e kombit pa aftësi vetqeverisëse ka lindur ne disa qarqe evropiane ende pa lindur vete shteti shqiptar. Por mua kjo nuk me shqetëson fare. Ajo që ngjan si një ëndërr e keqe është se që prej më shumë se njëqind vjetësh ne nuk po japim prova për të kundërtën, nuk po provojmë dot të kundërtën, nuk po sjellim një shembull të mirë vetëqeverisjeje, per “t’u thyer hundet armiqve”.
    Funksionuam pak sa ishim protektorat i Italisë, pastaj i Jugosllavisë, pastaj i Rusisë, pastaj i Kinës. Dhe kur vendosëm të dalim përfundimisht “më vete” Shqipëria ra!

    Tani ndryshe nga Pifto qe shkon e i kërkon guvernatorët tanë të ardhshëm deri në Danimarkë (nëse e kam kuptuar mirë), unë nuk do të shkoja aq larg. Çdo vend ballkanik mund ta bëjë fare mirë një gjë të tillë, duke filluar me Maqedoninë e vogël, një vend që më ka ngjallur admirim të veçantë për faktin se drejtësia e tij (ajo qe na mungon egersisht) në të dy nivelet dënoi një ish kryeministër për blerjen e një Mercedesi, ndërkohë që politikanët shqiptarë e kanë futur Shqipërinë në thes dhe për t’i shpërblyer Shqipëria i zgjedh ata në majat më të larta të strukturave shtetërore. Ka prove me uleritese?
    Gjithsesi, nisur nga fakti se për shkak të njohjes së gjuhës, Maqedonia ka rrezik që të dërgojë në Shqipëri guvernatorë nga popullsia e saj shqipfolëse, atëherë mund të shihet pak më larg.

    Por gjithsesi, koncepti i protektoratit të sotëm nuk duhet shoqëruar me atë të paraluftës. Nuk duhet ngatërruar f.v.j. me formën e protektoratit japonez në Mançuri apo të Gjermanisë në Bohemi etj., etj. Më fort duhet parë rasti i Litejnshtajnit, mënyrë se si Franca qeveris ato që quhen territore e departamente përtej detit etj., por ky është një problem që mund të trajtohet veç.

    1. Lyss,

      Po ndërhyj, i ndërgjegjshëm se po dal pak nga tema.

      Argumenti se ne kemi më shumë se njëqind vjet që përpiqemi të bëjmë shtet, dhe nuk kemi mundur, është pleh i mirë për ta rritur jo vetëm cinicizmin, por edhe negativizmin po deshe.
      Por në emër të të qenit realist, pranoj më mirë cinicizmin dhe negativizmin, sesa zgjidhje gjysëm ose aspak të pjekura. Shqipërinë nuk kanë dashur ta mbajnë protektorat atëherë kur protektoratet ishin në modë. Tashmë duket shumë vonë. E shumta që na sugjeruan atëherë ishte të na ndanin midis fqinjve tanë. Për mirë apo për keq ajo kohë në histori ka kaluar.

      Kurse sot protektorati me gjithë makinacionet e mundshme politike dhe ekonomike më së shumti do t’i ngjajë asaj që faktikisht kemi me protektorët dhe ambasadorët e huaj (më fal por nuk e marr dot seriozosht Litejnshtajnin me një territor sa i Tiranës i kyçur midis Zvicrës dhe Austrisë). Ndërkohë sot kemi një linjë ndarëse shumë të fortë midis mbështetësve të proteksionizmit dhe vetëvendosjes në të dy shtetet shqiptare: njëri i përfaqsuar nga Rama e Thaçi, dhe tjetri nga Haradinaj e Vetëvendosja. Fatmirësisht asnjë drekë dhe darkë që shtron Rama dhe Thaçi nuk kanë për t’ia hequr Serbisë taksën në Kosovë, në kuptimin që ideja e pavarësisë shqiptare është e pakthyeshme, dhe idetë e tjera janë jorealiste.

      Por nëse flasim seriozisht për zgjidhje bëjmë mirë të kuptojmë se ku qëndron problemi.
      Për mendimin tim Shqipëria ka probleme menaxhimi, dhe këtu duhet të fokusohemi. Dhe problemet e menaxhimit vijnë për shka të ndërhyrjes politike, ose e thënë ndryshe me ndihmën një batute të njohur: Shqipëria prodhon më shumë politikë sesa mund të mbaj nga ana ekonomike. Ne i ngjajmë një biznesi privat që ndërsa punonjësit punojnë me orë të zgjatura dhe paguhen keq, ose fare, bosat lëvizin me makina të shtrënjta, bodyguard, bëjnë qoka dhe hanë e pijnë.

      Pa e zgjatur, kjo situatë kërkon, gjithmonë sipas mendimit tim, tkurrjen e ambicieve politike të shqiptarëve, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe së brendhsmi. Në arenën ndërkombëtare zgjidhet duke shpallur neutralittin dhe duke u tërhequr nga dissa organizma ndërkombëtarë, përfshi këtu edhe NATO-n (I am sure Trump couldn’t agree more.)

      Kurse së brendshmi propozoj ndalimin e partive politke me kushtetutë, dhe caktimin ose votimin e menagerëve në qeveri, prokurorëve, gjyqtarëve me kritere dhe me detyra të mirëpërcaktuara. Ligjet nëse është e mundur le t’i marrim drejtëpërdrejt nga Europa (nga Komisioni i Venecias) dhe me referendum. Nuk kemi nevojë për parlament. Parlamenti ka qënë një shaka e madhe dhe e rrezikshme në Shqipëri. Le të fokusohemi tek mirëqeverisja, pa ndarje partiake.

        1. Lyss,

          Nëse e marim për të vërtet disa gjëra që janë thënë këtu nga disa bashkëbisedues, përshembull që “shqiptarët në përgjithësi janë qytetatrë të mirë kur jetojnë në vënde të administruara mire”, atëherë llogjikisht problemi duhet të jetë me aftësinë tonë për të administruar mirë në vendin tonë.

          Unë nuk po parashikoj dot nëse ne do jemi ndonjëherë në gjëndje të administrojmë siç duhet. Por për sa kohë e kemi fokusin tek politika dhe jo tek administrimi, them se nuk kemi për ta marrë vesh ndonjëherë.

      1. Me duket se je inatosur ca nga fundi kur thua:…”Kurse së brendshmi propozoj ndalimin e partive politke me kushtetutë….
        Ne rastin me te mire (me pak optimizem) mund te besohet se nje mase e tille mund te rregulloje disi kuadrin ekonomik, por vendi do te akumuloje nje mije probleme te tjera sociale e politike qe dikur do te shperthejne. Eshte ne natyren e individit te plotfuqishem qe nuk ka kush e kontrrollon me.

        1. Lyss,

          Nuk e di pse ju duket se jam i inatosur. Them se jam shumë i arsyeshëm.

          Nëse është e vërtet se në këto njëzetë e tetë vjëte duke nisur nga PD, LSI dhe PS kanë vjedhur vota me ndihmën e listave të deputetëve me të shkuar kriminale, atëherë mua më duket vetëm llogjike që këto t’i karakterizosh si grupe kriminale dhe t’I nxjerrësh jashtë ligjit.

          Së fundmi, sipas lajmenve dhe pohimeve Live në TV, deputetët e listës së mandateve të ‘djegura’ po blihen 300 mijë euro secili. Kjo sipas Sazan Gurit, i cili paskësh qënë vetë në listë, por i pohuar edhe nga Majko në një dalje tjetër.

          Kujt i shërben ky parlament dhe kjo llojë politike ?

          Këtu çështja nuk shtrohet më “a duhet të dalin këto parti jashtë ligjit?”, por “si mund dhe si duhet të arrihet kjo?”.

          Ndërkohë nëse ka nevojë për grupime politike, le të përfaqsohen ato në nivel lokal, për tu marrë me referendumet dhe përditshmërinë e manaxhimit. Partitë e mëdha e kanë humbur legjitimitetin.

          Me ndërgjegje më lehtë do e kemi të votojmë një grup menaxherësh me standarte dhe me CV të verifikuar, sesa një grup dallkautësh anonim në parlament.

          Ndërkohë, vetë grupimet e mëdha politike, me lëvizjet antiestablishment, po e humbasin kuptimin dhe legjitimitetin edhe në perëndim. Ndaj nuk shoh ndonjë hata të madhe që një vënd si Shqipëria më në fund të lajë duart me klasën e vetë politike.

        2. Lyss,

          Nuk e di nëse më keni kuptuar që nuk po kërkoj një grup menaxherësh të vetëemëruar. Po kërkoj zgjedhjen e një grupi menaxherësh me votë të drejtëpërdrejt nga populli, pa nevojën e parlamentit dhe të partive politike. Njësoj sikur t’i imagjinosh si parlamentin dhe partitë ploitike si apandesit. Por dhe kjo u bën nder. Sepse më shumë janë si kancer.

  15. Sikurse dhe Rumania para do kohesh, edhe Shqipëria, pasi beri ndryshimet e nevojshme kushtetuese, eshte ne agun e lindjes se asaj qe ne frengjisht e quajne “la république des juges”, nje e keqe e domosdoshme por qe lindja e se ciles po shoqerohet me dhimbjet e para.

    ps: po tani qe kane nje rrogë më pak, si ja del çifti presidencial per te paguar harxhet e 3 femijeve te tyre qe jetojne ne Londer?

  16. Kino, nuk e kuptova arsyen e linkut te fundit qe solle. Mbase per te treguar se Rama as qe e kupton fare se çfare po ndodh, se nderkohe qe Vespa sjell si shkak te protestave te fundit kontrastet midis te pasurve dhe te varferve, ai si te qe nje adoleshent i pergjigjet se keshtu eshte edhe ne Itali, se edhe ketu ka te pasur e te varfer?
    Po qe keshtu; urgjent protektoriati!!!
    Nuk e di pse dikur kisha besim te ky njeri.

    1. Pikerisht pikerisht, ai eshte protektorati (mijra italiane qe punojne ne Itali me nje sistem taksash qe ne Itali as qe mund te enderrohen).

      Jemi ne shekullin e XXI Lyss, protektoratet jane ‘veçse’ ekonomikë

  17. Për mendimin tim është më mirë të na sjellin ndonjë guvernator të plotfuqishëm nga Kina ose ndoshta Mongolia.
    Këto janë vende që kanë ndër rritjet më të larta të PBB dhe për më tepër ështê provuar nga studime ekonomike se rregjimet gjysëm autoritare janë ato që kanë zhvillimin më të mire ekonomik. S’ka ç’na duhet danezi, apo suedezi: demokracitë nuk ecin mire nga kjo ana ekonomike.
    Në fakt baza e problemit është ekonomik. Nëse sheh indikatorin e demokracisë (ku përfshihen edhe niveli I qeverisjes dhe ai I procesit zgjedhor) për 2018, Shqipëria me vlerën 5.98 ndodhet mes Maqedonisë (5.87), Moldavisë (5.85), Malit të Zi (5.74), Ukrainës (5.69), Gjeorgjisë (5.50), dhe – me vlerë më të lartë kemi përara nesh – Rumaninë (6.38) dhe Serbinë (6.41). Burimi: https://fr.wikipedia.org/wiki/Indice_de_d%C3%A9mocratie
    Lyss me tê drejtë përmend Maqedoninë dhe rastin e dënimit të Gruevskit, por përderisa indikatori I demokracisë është I përafërt me siguri edhe në Maqedoni ka probleme demokracie. Në fund tê fundit në këtê vend përpara disa vitesh shërbimet sekrete bashkë me qeverinë organizuan një kasaphanë në Kumanovë, për të hequr vemendjen prej protestave të opozitës.
    Pra është e qartë se kemi nivel të përafërt demokracie pasi kemi edhe nivel të përafërt ekonomik. Ne rankohemi mes këtyre shteteve edhe në indikatorët ekonomikë: duke pasur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia PBB/person më të ulët, ndërsa të tjerat më të lartë.
    Pra për ta mbyllur për të pasur nivelin e demokracisë së ShBA apo Danimarkës duhet për mendimin tim të kemi edhe PIB/person të këtyre të dyjave apo tê shteteve të ngjashme. Këtu të hyn në punë ndonjë satrap kinez apo mongol

    1. Gjergj, ti thua qe ne vend te kinezo-amerikanit Lu qe iku, te vije nje kinez safi, 24 karatesh, kinez e bir kinezi. Po nuk te duket se je pak si heret, duhen edhe nja 20-30 vjet qe te ndodhe kjo, apo nqs e kerkojme vete pershpejtohet koha ? Po se mos na e korruptojne keta tanet, se kush kalon ketej nuk iken mbrapsh pa ndonje zarf tek xhepi.

      1. Unë nuk e kisha seriozissht, por është e vërtetë se Lu është një shembull i mire. Zakonisht mendoj se jemi si gjithë popujt e tjerë, me vlera, dëshira, prishtëmëri siç të tjerët e me një hierarki nevojash ku prioritare janë ato fiziologjike e sekuritare e më pas vijnë nevojat për të drejtat e tjera. Dhe prandaj s’më pëlqejnë gjithëfarë teorish që qarkullojnë dhe të cilat nisin prej asaj për prejardhjen e lashtë dhe të fisme, gjakun e papërzierë etj e vazhdojnë e deri tek “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë”.
        Por ndoshta e kemi në fakt një ndryshim prej popujve tjerëve: dikush na e ka futur në tru (kushedi rregjimi komunist, ose kjo vjen prej një kohe të mêparshme?!) idenë se jemi njëfarë populli special dhe mjaft i veçantë, dhe këtë e ka bërë për tê keqen tonë.

        1. Edhe mua Lu njeri pozitiv mu duk, i buzeqeshur, energjik, ndoqa edhe ndonje lajm se cu be me te ne Kirgizstan, e pashe ne foto, ishte i qeshur duke pjekur gjelin e detit per punonjesit e ambasades amerikane. Mbase peshqit e medhenj si kap dot , po gjelin e detit e kishte pjekur per merak. E pashe qe ishte ne rregull e dukej ne qejf e u ktheva ketej ku na mungon Gjykata Kushtetuese se ne veting nuk e cau koken njeri per te dhe po mendoja sa na duhej tani nje Gjykate Kushtetuese.

  18. Mendoj se po te behemi protektorat i Turqise bashke ma baba Erdogrullin i biem grekit e marrim Camerine. Ose si te barcaleta e Ilirit i shpallim lufte Amerikes e keshtu fitojme statusin e portorikaneve, skemi me nevoje per lloton sa te kemi Sem Agane.

  19. Jam dakort Ardian, kjo eshte nje karikature e demokracise.

    Vecse kjo nuk vjen si pasoje e ligjit, por e nje veprimi opozitar te cilin une do ta quaja anti-kushtetues.

    Te dorezosh mandatet ne mase (ate cfare opozita quan djegie pra), me qellimin per te destabilizuar institucionin e parlamentit, eshte e rrezikshme, anti-kushtetuese. Se keta jane te lezetshem, e pranojne edhe vete :

    https://balkanweb.com/kryemadhi-maxhoranca-sot-shah-mat-parlamenti-ska-140-deputete/

    Une personalisht mendoj se keshtu si erdhi puna, duhen bere zgjedhje te parakohshme. Por me nje kusht – te gjithe deputetet ose kandidatet qe kane dorezuar ose refuzuar mandatin, te mos lejohen me te kandidojne.

    1. E pata thënë edhe te një koment tjetër: deputetët që “djegin” mandatet duhen dënuar – p.sh. me heqjen e të drejtave civile për aq kohë sa do t’u zgjaste mandati. Ose me gjobë të rëndë, proporcionale me të ardhurat që kanë.

  20. Nuk jam i sigurte, po me duket se KQZ-ja duhet te kete te drejte te kerkoje opinionin e Gj. Kushtetuese ne intepretimin e ligjit zgjedhor, duhet te ekzistoje diku nje norme kur institucionet e shtetit kerkojne nga Gj.K. te shprehet per interpretimin e nje ligji ose norme kushtetuese, zbatimi i te cilit eshte i nevojshem per punen e tyre.

    Ne kete rast, pas mbarimit te emrave neper lista, KQZ-ja dërgon nje kerkese te tille ne Gj.K. proçesi i plotësimit te vakancave vazhdon derisa te shprehet GJ.K. qe i bie jo brenda ketij mandati, keshtu Kuvendi është plotesisht ne rregull edhe me nenin 64 e shifren 140.

    Ky shahu mat, mbase nuk eshte mat, nqs kjo norme ekziston, mat behet opozita.

      1. Nuk besoj se eshte rastesi, me duket se keta qenkan tape. Ruçi, sipas Panorames paska thene per nje proçedure qe kuorumi tani qe Kuvendi ka 78 anetare mund te mos bazohet tek shifra 140, por 78 dhe u ka kerkuar te pranishmeshmve ne keshillin e madateve meqe jane 4 juriste ta intepretojne ne qendron apo jo.

        Me pak fjale, relativizimi i shifres 140 nuk eshte formal, nepermjet konceptit te uleseve me perfaqesim dhe uleseve pa perfaqesim, ulese efektive dhe ulese joefektive, por substancial, kuorumet mund te dalin nga shifra 78, pra me 2/3 e 78 qe i bie 52 deputete u ndryshoka kushtetuta dhe me 40 behet qeveria. Nga vitorja ne vitorje e nga qyfyrja ne qyfyrje.

        Kjo e KQZ i bie qe duan ta interpretojne vete ligjin e tia japin PS-se gjithe vakancat e PD-se e LSI-se. Ngaqe jane tape do hyjne ne nje qorrsokak pa asnje dalje.

      2. Denar Biba eshte formalisht propozim i Partise Republikane dhe nuk eshte cudi qe pasi ta urdherojne te dale e te thote: Jam opozitar ne KQZ qe votoj njesoj si koleget socialiste.

        Si Lefter Maliqi qe thote se do perfaqesoje demokratet dhe PD-ne ne Parlament nderkohe qe vete PD-ja iku.

        Harmaqellua shqiptare nuk ka te paguar kur vjen puna per te argetuar edhe Zotin qe este qiell.

  21. Perfundimisht ky eshte rrethi vicioz i cdo proporcionali, cdo liste. Ne cdo proporcional paraqitet Paradoksi i deputetit Herkul, i cili nuk zgjidhet dot me ndeshkim, jo se cdo ndeshkim del antikushtetues, por sepse nuk e zgjidh paradoksin, edhe po ta pushkatosh deputetin Herkul, ai mund te preferoje martirizimin. Ketu duhet nje akt arbitrar i sovranit, i cili te jete sa me i arsyeshem dhe kete mund ta beje ne emer te sovranit vetem Gj. Kushtetuese, as parlamenti, as ndonje asamble kushtetuese. Ne mazhoritar te paster paradoksi nuk paraqitet, pra eshte qartazi problem i proporcionalit.

  22. Kam përshtypjen se partitë politike shqiptare bashkë me apologjetët e tyre majtas dhe djathtas jo vetëm që nuk e kuptojnë se çfarë janë duke bërë këto ditë por, në mungesë të plotë të pjekurisë, përgjegjshmërisë dhe të kapacitetit intelektual për të parashikuar pasojat dhe për të shmangur rreziqet e veprimeve të tyre, ato po marshojnë symbyllas bashkë me vendin drejt katastrofës; janë sleepwalkers, si ata të Christopher Clark-ut.

    Që pozita socialiste beson se mund të bëj sikur nuk ka ndodhur gjë edhe pasi eksponentë të saj janë kapur që kanë blerë vota në bashkëpunim me kriminelë në zgjedhjet e fundit; që opozita nga ana e saj beson se mund të djegë sipas qejfit mandatet parlamentare dhe se pushteti mund të mirret në rrugë dhe nga rruga; që qeveria luan shejtan-budallain se ajo mund ta nxjerrë fare nga skena politike opozitën tani që kjo e nxorri veten nga parlamenti, duke ia zëvendësuar mandatet e saj aty me politikanë figurantë sipas oreksit të vetë, këto janë si të luash me shkrepse në depon e barutit.

    Duke ndjekur ngjarjet e javëve të fundit në Shqipëri, i shtangur nga mëndjengushtësia dhe mendjelehtësia e elitave të Tiranës (dhe duke marrë përsipër riskun që të etiketohem si alarmist), unë nuk mund t’i interpretoj ndryshe këto zhvillime veçse si aktet e fundit të klasës politike shqiptare para djegies së radhës që po i kanoset vendit. Uroj që të jem gabim.

      1. Një Don Kishot është zakonisht i padëmshëm, por një duzinë Don Kishotësh me disa dhjetëra apo qindra Sanço që i ndjekin pas mund të (na) bëjnë hatanë; dhe jo sepse kanë ndonjë plan apo taktikë apo strategji të hatashme, por thjesht nga budallallëku dhe debillëku.

Lini një Përgjigje te r.th. Anuloje përgjigjen

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
error: Content is protected !!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: