KAOSI I REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PATUNDSHME: NJË RRUGËDALJE

nga Agron Alibali, LL.M.

Kazusi hipotetik është i thjeshtë: Ara e Bardhë, pronë e padiskutueshme e Gjergj Mullagës, është regjistruar përndryshe në emër të Shaban Murrizit, pronar i Arës së Zezë, që ndahet me të parën nga Përroi i Thatë. Nuk dihet se me çfarë lloj marifeti Murrizi e ka regjistruar nën emrin e vet edhe Arën e Bardhë të Mullagës. Pyetja është se çfarë duhet të bëjë Gjergj Mullaga që atë çka posedon de facto, ta bëjë të njohur e ta regjistrojë edhe de jure?[1]

Në traktate juridike të së drejtës angleze [common law], emërtimet simbolike të pronave si White Acre [Ara e Bardhë], Black Acre [Ara e Zezë], Green Acre [Ara e Gjelbërt], përdoren rëndom për të shtjelluar parimet themelore të së drejtës. Të shkruara ato i gjejmë herët tek filozofi dhe juristi i shquar Francis Bacon,[2] si dhe tek kundërshtari i rreptë në profesion, dhe rivali i tij në dashuri, Edward Cooke.[3] Pranohet se Bacon analizoi me mprehtësi traditën juridike gojore të common law ,dhe hodhi themelet për kodifikimin e parimeve të saj në vendin e vet, të pasqyruara gati dy shekuj më vonë përtej La Manshit e më gjerë me Kodin e Napoleonit.

I. Gjendja dhe rrethanat e sotme

Për të kaluar në realitetin e sotëm shqiptar, gjendja e kaosit në titujt e pronësisë së pasurive të paluajtshme ka krijuar shqetësime të mëdha dhe të ligjshme për shtetin dhe për mbarë shoqërinë shqiptare, si dhe kosto të pallogaritshme sociale.

Si pasojë e veprimeve dhe ndërhyrjeve të paligjshme, me mijëra hektarë tokë pronë shtetërore janë tjetërsuar përmes akteve administrative korruptive dhe të cenueshme. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe një numër i konsiderueshëm pasurish të paluajtshme të vetë shtetasve.

Zgjidhja e këtyre konflikteve pronësore përfundon mandej në gjykatat shqiptare, ku çështjet mund të zgjasin edhe me dekada, e madje mund të përfundojnë edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Vërehet se praktika e sotme administrative është që, për akte të cenueshme administrative të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të miratuara për shkaqe korrupsioni, paaftësie, lajthimi, etj, rruga e vetme e shqyrtimit apo revokimit që u sugjerohet qytetarëve apo shtetit është rruga gjyqësore, duke e rënduar dhe shumëfishuar kalvarin e pronarit shtet apo individ, të cilit i është tjetërsuar prona.

Mirëpo, gjykata shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të jetë stacioni i parë i shqyrtimit apo revokimit të akteve administrative të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.  Për akte administrative të nxjerra nga një organ i administratës publike, instanca fillestare për të garantuar të drejtat e cënuara të individëve, duhet të jetë organi epror i organit që ka nxjerrë aktin, një parim i përgjithshëm në të drejtën administrative.

Një Vendim i Gjykatës Kushtetuese [Vendim Nr. 17, dt. 23.04.2010, V – 17 -10] e ka thelluar më tej konfuzionin në këtë drejtim.

Ky punim shqyrton dhe argumenton zbatimin e diskrecionit administrativ nga Kryeregjistruesi për fshirjen e regjistrimit të parë.

Theksohet se Vendimi i sipërcituar i Gjykatës Kushtetuese nuk ndalon apo nuk kufizon aspak të drejtën e organeve shtetërore për fshirjen me rrugë administrative të regjistrimeve të para, të kryera me mënyra korruptive, abuzive dhe të kundërligjshme.

Kodi i Procedurave Administrative [i pari] ose KPA I, Ligji 8485, dt. 12.05.1999, i cili hyri në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, d.m.th. përafërsisht në fund të dhjetorit 1999, parashikon rrugën administrative si rrugë parësore për shfuqizimin e akteve administrative.  Diskrecioni administrativ përkufizohet si e drejta e administratës publike “që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit”. [Neni 7 i KPA].

Kodi i Procedurave Administrative (i pari), ka qenë në fuqi, përafërsisht nga data 1 janar 2000 e deri me 29 maj 2016. Mund të arsyetohet se pikërisht gjatë këtij harku kohor 16 vjeçar janë kryer shumica e falsifikimeve, tjetërsimeve, mbivendosjeve, shkurt, batërdia kriminale ndaj pronave shtetërore dhe private me pronarë të ligjshëm shtetin dhe shtetasit shqiptarë.

Pushtetit diskrecional normalisht duhet t’i nënshtrohen edhe aktet e zyrave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.  Rruga administrative, në të vërtetë autorizohet, shprehimisht edhe nga Ligji 33/2012, Për Regjistrimin e Paurive të Paluajtshme, Neni 37.3, për “raste mbivendosjesh”, mirëpo nuk ekzistojnë rregullimet të tjera ligjore që t’i japin rrugë “realizimit të qëllimit të ligjshëm” për korigjimin, përmes çregjistrimit, të akteve të gabuara të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Rrjedhimisht, në rastet kur zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kanë kryer regjistrime të para në kundërshtim me ligjin, nuk ka pse të mos vihet në lëvizje diskrecioni administrativ. Pra, për akte administrative dhe tituj pronësie të cenueshme, të lëshuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme gjatë periudhës 2000 – 2016, kur në fuqi ishte Kodi i parë i Procedurave Administrative [KPA I], Kryeregjistruesi mund dhe duhet të ushtrojë pushtetin diskrecional për fshirjen e regjistrimit të parë.

Duhet pranuar se Kodi i Procedurave Administrative në fuqi, Ligji 44/2015, e ka kufizuar diskrecionin si mjet administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative, përfshirë edhe atyre që kanë të bëjnë me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.  Diskrecioni i organit publik sot përkufizohet si e drejta e organit publik “për të ushtruar autoritet publik për të përmbushur një qëllim të ligjshëm, në rastet kur ligji parashikon pjesërisht modalitetet për të arritur këtë, duke i dhënë hapësirë vlerësimi zgjidhjes së organit publik”. [Neni 3.3 i KPA në fuqi].

Siç shihet, pra, dispozita përkatëse, Neni 37.3 i Ligjit 33/2012, ka mbetur e vetmuar dhe e pazbatueshme, pasi edhe pse mund të argumentohet se “ligji parashikon pjesërisht modalitetet” për arritjen e qëllimit të ligjshëm”, Neni 37.3  i Ligjit 33/2012 nuk mjafton për t’i dhënë “hapësirë vlerësimi zgjidhjes së organit publik”.

Kodi i Procedurave Administrative i sotshëm është miratuar me datë 30.04.2015, dhe ka hyrë në fuqi 1 vit pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ai është botuar në Fletoren Zyrtare Nr 87, datë 28 maj 2015, dhe data e hyrjes në fuqi është 29 maji 2016.

Pra, mund të argumentohet se, për akte dhe tituj të cenueshme të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të lëshuara pas datës 29 maj 2016, numri i të cilave duhet të jetë shumë më i vogël në krahasim me periudhën 2000 – 2016 të mbuluar nga KPA e përparshme, mund të bëhen rregullimet dhe plotësimet e duhura ligjore.

Më poshtë paraqen argumentet kushtetuese e juridike që i mundësojnë Kryeregjistruesit të Republikës, dhe për analogji, edhe Ministres së Drejtësisë, si organ epror, që të shqufizojnë administrativisht aktet e cenueshme të zyrave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar fillimisht dhe ekskluzivisht gjykatës.

Në përfundim, sugjerohet se një Udhëzim ose Urdhëresë e Ministres së Drejtësisë mund t’i çelte shtegun e duhur ligjor zgjidhjes me rrugë administrative, përmes ndërhyrjes diskrecionale të Kryeregjistruesit, të një numri të madh mosmarrëveshjes dhe konfliktesh pasurore të buruara në periudhën 1 janar 2000 – 28 maj 2016.

II. Shtjellimi juridik

  1. Aktet që rregullojnë veprimtarinë e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme [ZRPP] janë Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Civil, Kodi Penal, Kodi i Procedurave Administrative, Ligji 33/2012 për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, rregullore të brendshme të ZRPP-së etj. Analiza e mëposhtme bëhet mbështetur vetëm në Kodin e Procedurave Administrative, Ligj Nr. 8485, dt. 12.5.1999, dhe rrjedhimisht mbulon akte administrative të nxjerra në hapësirën kohore kur ky Kod ka qenë në fuqi, d.m.th. 1 janar 2000 – 29 maj 2016.
  2. Sikurse janë shprehur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, “e drejta e pronësisë që rezulton nga akti publik qoftë dhe e pa regjistruar gëzon mbrojtje juridike të lartë ndaj të drejtës së pronësisë, që rezulton nga akti publik i regjistruar i pari.”[4]
  1. Rrjedhimisht, pala e cila e pretendon pronën, por nuk e ka të regjistruar atë për çfarëdolloj arsyeje, është juridikisht në pozita të krahasueshme me palën “pronare”, e cila e ka regjistruar të njëjtën pasuri e para, edhe përmes metodave dhe mjeteve të paligjshme.
  2. Mirëpo, në praktikë, gjatë shqyrtimit në themel të konflikteve të pronësisë, parimi i barazisë së palëve në procesin gjyqësor cënohet rëndë dhe në thelb pasi, pala që ka regjistruar e para pasurinë objekt kontestimit konsiderohet, në sytë e gjykatës, si pronare e ligjshme thjesht për faktin se ka qenë ajo e para që ka kryer regjistrimin e parë.
  1. Kjo situatë e vendos shtetin dhe individin në pozita të pabarabarta dhe të pafavorshme, në rastet kur interesat pasurore të tyre janë cenuar rëndë si pasojë e veprimeve të paligjshme, të parregullta e korruptive të palës që ka kryer regjistrimin e parë, dhe të përcjella përmes aktesh të cenueshme të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

 II.1 – Rruga administrative si rrugë parësore 

  1. Në raste analoge vetë Ligji 33/2012 parashikon rrugën administrative si rrugën parësore. Me të vërtetë, Neni 37.3 saktëson se “në rastet kur dokumentet e paraqitura për regjistrim krijojnë mbivendosje me një pasuri të regjistruar më parë, regjistruesi, me urdhër të arsyetuar, refuzon regjistrimin e pasurisë për atë pjesë që krijon mbivendosje, deri në zgjidhjen gjyqësore dhe orienton kërkuesin për zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative a gjyqësore”.
  1. Po ashtu, e drejta administrative dhe jurisprudenca përkatëse në Shqipëri dhe në botë në asnjë rast nuk përcaktojnë se vetë vendimi i parë administrativ, që bëhet i kontestueshëm, përbën shterje të rekursit administrativ, çka sjell që konflikti duhet detyrimisht të shyrtohet gjyqësisht, dhe jo nga organet eprore administrative. Mirëpo kjo është pikërisht ajo që ndodh sot në Shqipëri: për çdo kontestim nga shteti apo qytetari kundrejt një regjistrimi të gabuar apo të cenueshëm të pasurisë nga zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme [ZRPP], përgjigja që jepet nga këto të fundit palëve të cenuara është “drejtojuni gjykatës”. Ligji nr. 33/2012 ka përcaktuar faktin se regjistruesi e orienton kërkuesin për zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative, për arsyen se një rrugë e tillë do të garantonte të drejtat e tij në një afat kohor më të shkurtër dhe më të arsyeshëm, pa qënë nevoja që të investohej gjykata.
  1. Prandaj, ne mendojmë se, përmes diskrecionit administrativ, Kodi i Procedurave Administrative [i pari] ia njeh Kryeregjistruesit tagrin të ndërhyjë administrativisht për ndërmarrjen e veprimeve të domosdoshme korigjuese, përfshirë edhe urdhërimin e fshirjes së regjistrimit të parë.

     II.3. – Kryeregjistruesi ka pushtetin diskrecional të veprojë

  1. Pushteti diskrecional i Kryeregjistruesit për të vepruar buron drejtpërdrejtë nga Neni 7 i Kodit të Procedurave Administrative [KPA], sipas të cilit “me pushtet diskrecial të administratës publike do të kuptohet e drejta e kësaj të fundit [në rastin tonë, e Kryeregjistruesit], për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe pa autorizim të shprehur të ligjit”.[5]
  1. ZRPP është organ administrativ, dhe aktet e saj janë akte administrative, të cilat, rrjedhimisht rregullohen me Kodin e Procedurave Administrative dhe me ligj. Bazuar sa më sipër, si dhe në parimin e hierarkisë ligjore, që nënkupton se Kodet prevalojnë mbi ligjet dhe aktet nënligjore, boshllëku eventual ligjor nuk e cënon tagrin diskrecional të Kryeregjistruesit, të buruar nga Neni 7 i KPA për të ndërhyrë. Përkundrazi, është pikërisht mungesa e “autorizimit të shprehur të ligjit” që e lind dhe e autorizon ligjërisht Kryeregjistruesin për të ndërhyrë për ushtrimin e autoritetit publik “për realizimin e një qëllimi të ligjshëm”, dhe këtë ta realizojë përmes diskrecionit administrativ.
  2. Po ashtu, tagri i Kryeregjistruesit për të vepruar del edhe nga parimi i kontrollit të brendshëm [Neni 18 i KPA], i cili, si parim i përgjithshëm, “është i detyrueshëm për të gjitha aktet administrative”, [Neni 1, i KPA, Fusha e Zbatimit], si dhe nga parime të tjera të përgjithshme, të përmendura më tej.
  1. Rrjedhimisht, Kryeregjistruesi i ka të gjitha tagret, të cilat rrjedhin nga Kodi i Procedurave Administrative dhe aktet ligjore, për të shqyrtuar, revokuar dhe shfuqizuar aktet administrative të kontestueshme të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. 

II.4. – Kryeregjistruesi mund ta deklarojë të pavlefshëm aktin administrativ në çdo kohë

  1. Ne mendojmë se Kryeregjistruesi ka tagrin ta ndërmarrë vetë dhe në çdo kohë nismën e deklarimit të pavlefshëm të aktit administrativ. Me të vërtetë:

“Organi administrativ kompetent, me nismën e tij, mundet të deklarojë një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm në çdo kohë.”  [KPA, Neni 117.2].

Pra, në ato raste kur regjistrimi i një pasurie të caktuar bazohet mbi një vendim administrativ të ZRPP-së, i i cili paraqet shkelje të rënda në ligj dhe në procedurë, dhe i përmbush kushtet për t’u konsideruar akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, Kryeregjistruesi ka të drejtë të ndërmarrë veprim korigjues përmes pushtetit të tij diskrecionar, dhe nuk ka se pse çështja t’i referohet menjëherë gjykatës.

  1. Neni 116 përcakton rastet kur akti administrativ mund të shpallet “absolutisht i pavlefshëm”.
  1. b) kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore;
  2. c) kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.[6]
  1. Rrjedhimisht, në rast se për shkak të shkeljes së ligjit ose kapërcimit të kompetencave të organizmit regjistrues, akti i regjistrimit sjell si pasojë mohimin e të drejtave të ligjshme pasurore të një pale të interesuar, dhe atëhere Kryeregjistruesi mund të marrë nismën për ta deklaruar aktin administrativ absolutisht të pavlefshëm.

  II.4. – Kryeregjistruesi ka tagrin ligjor e diskrecional të fshijë regjistrimin e parë

  1. Përmendet shpesh një vendim i Gjykatës Kushtetuese sikur kinse ia ka prerë krahët Kryeregjistruesit për të vepruar përmes pushtetit të tij diskrecional administrativ për fshirjen e regjistrimeve të cenueshme. Mirëpo, leximi i vëmendshëm dhe interpretimi i saktë i vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese sjell në konkluzione të tjera. Në fakt, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 17/2010 ndërpreu praktikën e fshirjes së regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë, kur mbi pasurinë janë bërë më shumë se disa regjistrime të parrjedhura nga njeri tjetri, duke shfuqizuar dispozitat përkatëse ligjore dhe nënligjore.[7] Me të vërtetë, objekt shqyrtimi dhe shfuqizimi për Gjykatën Kushtetuese në atë çështje ishte kjo dispozitë ligjore:

“Në rastet kur, për të njëjtën pasuri, janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi, me vendim të arsyetuar, i kërkon Kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të kryera pas regjistrimit të parë…” [8]

Pra, është mëse e qartë se Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur asnjëherë, dhe as nuk e ka mohuar tagrin e kryeregjistruesit për fshirjen e regjistrimit të parë, kur ky është kryer në shkelje të plotë dhe flagrante të dispozitave dhe kërkesave ligjore.

  1. Duhet patur gjithnjë parasysh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhen me çështje, fakte dhe rrethana konkrete dhe të caktuara. Ato rrjedhimisht kanë vlera përgjithësuese në rrafsh kushtetues, por kursesi ato nuk mund të përmbajnë vlera përgjithësuese absolute, dhe nuk janë e as nuk mund të jenë të gdhendura në gur. Me të vërtetë, legjislacioni përkatës dhe praktika gjyqësore dhe administrative kanë evoluar qysh nga koha dhe rrethanat e vitit 2010 kur është marrë edhe ai vendim. Gjithsesi, për sa i takon objektit dhe arsyetimit të kësaj Memoje, është mëse e qartë se Gjykata Kushtetuese i ka hequr ZRPP-së vetëm tagrin “të fshijë” regjistrime të pasme, por aspak ato “të parme”.
  2. Regjistruesi, po ashtu, ka ruajtur tagrin të “korigjojë”, më saktë, “të korigjojë gabimet materiale në certifikatë dhe/ose kartelën e pasurisë së paluajtshme, me kërkesë të pronarit, “kur, pas një rilevimi, del se një sipërfaqe e treguar në kartelë nuk është në përputhje me aktin e fitimit të pronësisë. Në këtë rast, regjistruesi njofton më parë të gjithë personat e shënuar në regjistër, të cilët janë të interesuar ose që preken nga ky korigjim i propozuar”.[9]
  1. E drejta e Kryeregjistruesit për fshirjen e regjistrimeve të para në rastet kur këto janë të cenueshme përputhet plotësisht me opinionin e Gjykatës Kushtetuese ku, ndër të tjera, parashikohet se “e drejta e pronës, e fituar përmes një akti publik apo vendimi gjyqësor të formës së prerë, nuk mund të cenohet në këtë masë dhe për një kohë kaq të papërcaktuar përmes një procedure administrative, përveçse një procedurë gjyqësore“.[10] Në dukje, kjo dicta e Gjykatës Kushtetuese krijon përshtypjen e gabuar se përjashton përfshirjen e procedurave administrative. Do të ishte absurde të mendohej se Gjykata Kushtetuese, në Vendimin e sipërcituar, e mohon apo përjashton, me një të rënë të lapsit, një nga shtyllat themelore të rendit kushtetues dhe shtetit së së drejtës, dhe pikërisht të drejtën dhe tagrin e pushtetit ekzekutiv për të ndërmarrë veprime korigjuese a vetëkorigjuese të akteve administrative. Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, nga organi publik që e ka nxjerrë atë apo organi epror i tij, në çdo kohë parashikohet dhe në Kodin e Procedurave Administrative që është aktualisht në fuqi. Ky është një parim ligjor i përgjithshëm që rrjedh nga vetë natyra e një akti absolutisht të pavlefshëm, i cili është “nul” dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike.
  1. Eshtë e natyrshme dhe plotësisht e logjikshme të arsyetohet se Gjykata Kushtetuese këtu i referohet “një akti publik” të ligjshëm, dhe kurrsesi një akti publik (administrativ) “abolutisht të pavlefshëm”, i cili mund të atakohet në çdo kohë, administrativisht dhe gjyqësisht, dhe efektet juridike të të cilit janë nul.

II.5. – Regjistrimi si akt administrativ vetëm pasqyron, dhe nuk e krijon pronësinë

  1. Pranohet përgjithësisht se regjistrimi, si akt administrativ, vetëm publikon faktin juridik të pronësisë dhe nuk e krijon atë të drejtë:[11]

“Bazuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe në dispozitat e Kodit Civil, është e njohur se shqyrtimi i vlefshmërisë ose jo të titujve të pronësisë i përket juridiksionit të gjykatave të zakonshme.”[12]

  1. Akti administrativ i zyrave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme që lidhet me një pasuri të caktuar është, pra, vetëm “akt publikimi”; ai nuk mund të jetë kurrsesi akt “krijimi” i të drejtave të pronësisë. Mirëpo, në rast se një pasuri e caktuar, e poseduar, gëzuar dhe disponuar lirisht, ligjërisht, historikisht dhe aktualisht nga shteti apo individi, i njihet një të treti përmes aktit administrativ të cenueshëm, ky akt duhet fillimisht të shqyrtohet, dhe mundësisht të revokohet, administrativisht.
  1. Rrjedhimisht, Kryeregjistruesi ka tagrin për të ndërmarrë veprim korrigjues si organ epror administrativ përmes fshirjes së regjistrimit të parë.[13]

III. Konkluzione

  1. Nëse Akti Administrativ, përfshirë regjistrimin e parë të pasurisë së paluajtshme, është kryer “në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji”, atëhere ai mund të shpallet absolutisht i pavlefshëm nga vetë organi administrativ “kompetent”, që ka lëshuar aktin, që në këtë rast mund të jetë regjistruesi ose Kryeregjistruesi [Neni 117.2 i KPA]. Veprimi korigjues mund të ndërmerret edhe përmes pushtetit diskrecionar administrativ. Kjo përputhet plotësisht me parimin e ligjshmërisë [Neni 9 i KPA], parimin e mbrojtjes së të drejtave të personave privatë [Neni 10 i KPA], parimin e drejtësisë dhe paanësisë [Neni 12 i KPA], parimin e përgjegjshmërisë [Neni 14 i KPA], parimin e marrjes së vendimeve [Neni 15 i KPA] dhe parimin e kontrollit të brendshëm [Neni 18 i KPA], që si parime të përgjithshme, “janë të detyrueshme për të gjitha aktet administrative” [Neni 1 i KPA].
  1. Kundërargumenti se kinse përdorimi i sotshëm i diskrecionit administrativ ndaj akteve të kundërligjshme të kaluara përmban elemente retroaktiviteti, sidomos me zbatimin e Kodit të Procedurave Administrative (i pari), ndërkohë që sot është në fuqi Kodi i ri i Procedurave Administrative, nuk qëndron. Retroaktiviteti, në thelb, është zbatimi i legjislacionit aktual ndaj veprimeve, akteve dhe rrethanave të kaluara, që normalisht duhet t’i nënshtroheshin legjislacionit të kohës. Në rastin tonë thjesht nuk bëhet aspak fjalë për zbatimin e legjislacionit të sotshëm ndaj akteve të kaluara, por vetëm për trajtimin e tyre tërësisht brenda frymës dhe gërmës së legjislacionit të atëhershëm në fuqi. Kjo mund të lehtësohej përmes një akti nënligjor sqarues.
  1. Përfundimisht, sugjerohet se Ministria e Drejtësisë, përmes një Urdhërese ose Udhëzimi të shkurtër dhe të thjeshtë, të qartësojë tagrin e Kryeregjistruesit të Republikës së Shqipërisë, duke njohur shprehimisht pushtetin diskrecional të Kryeregjistruesit për të shqyrtuar administrativisht dhe, sipas rastit, edhe duke i revokuar, aktet administrative të cenueshme të lëshuara në periudhën 1 janar 2000 – 29 maj 2016], të lidhura me regjistrime pasurish në mënyrë të paligjshme dhe të parregullt, përfshirë fshirjen e regjistrimit të parë, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, në përputhje me Vendimin e sipërcituar të Gjykatës Kushtetuese, mbështetur në Kodin e Procedurave Administrative Nr. 8485, dt. 12.5.1999 dhe në Ligjin 33/2014, Neni 37.3. etj.
  1. Theksojmë në fund se ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë nuk cenon aspak të drejtën e pronës. Përkundrazi, theksojmë se e drejta e pronës kurrsesi nuk mund të burojë nga akte të paligjshme dhe as nuk mund të mbështetet dhe të justifikohet tek to. Ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë, duke ia njohur e sqaruar pushtetin diskrecional të Kryeregjistruesit, ndihmon pikërisht afirmimin e së drejtës së pronës për pronarët realë, të ligjshëm dhe të vërtetë të saj, duke i vendosur kontestuesit e pasurisë së caktuar në pozita krejt të barabarta para gjykatës që shqyrton në themel konfliktin pasuror objekt kontestimi.
  1. Kjo ndërhyrje ndihmon në thelb edhe procesin e rregullt gjyqësor, pasi e asiston gjykatën në trajtimin objektiv, të saktë dhe të paanshëm të akteve të ligjshme të administratës publike, duke shfuqizuar dhe fshirë aktet e paligjshme e të pavlefshme.
  1. Së fundi, ndërhyrja e Ministres së Drejtësisë përmes një Udhëzimi ose Urdhërese do të përbëjë ndihmesë thelbësore në parimin e sigurisë juridike, pasi askush nuk mund të mbështetet në një akt të paligjshëm e të pavlefshëm të administratës shtetërore për afirmimin e pretendimeve pronësore të tij ndaj një pasurie të caktuar.[14]

(c) 2018, autori

[1] Emrat janë fiktivë, dhe çdo ngashmëri e kazusit hipotetik me raste konkrete është krejt e rastit.

[2] Francis Bacon, The Elements of the Common Lavves of England: Branched into a Double Tract, London, 1639, f.  39.  Shih më herët, 1601, edhe Cy ensuont ascun nouel Cases , Collectes per le iades trefrenerend Iudge, Mounsieur Iasques Dyer, chiefe Justice del Commoon Banke, Ore Nouelment publies & imprimies. Londini in Aedibus Thomae Wight,1601, Cum privilegio, ff. 16, 87.

[3] Sir Edward Coke, Sir Thomas Littleton, The first part of The Institvtes of the Lawes of England, London, 1929,Lib, 2, Cap. 2, Of Rents, Sed. 222

[4] Vendim Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Nr. 1, datë 6.1.2009, Nr. 6/4 i Regj. Themeltar.

[5] Kodi i Procedurave Administrative, Neni 7, Ligj Nr. 8485, dt. 12.5.1999.

[6] Kodi i Procedurës Administrative, Ligj Nr. 8485, datë 12.05.1999, i ndryshuar, Neni 116, b, c.

[7] Vendim nr. 17, dt. 23.04.2010 (V-17-10) i Gjykatës Kushtetuese.

[8] Ligji nr. 9701, datë 2.4.2007, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar. Neni 5 i tij pat ndryshuar Nenin 10 të ligjit të përparshëm, duke shtuar paragrafët objekt kontestimi.

[9] Neni 63, 1. b, i Ligjit Nr. 33/2012 Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, i ndryshuar.

[10] Vendim nr. 17, dt. 23.04.2010 (V-17-10) i Gjykatës Kushtetuese, para. 27.

[11] Shih p.sh. VGJK 17/2010, Opinion i Pakicës, f. 18.

[12] VGJK 17/2010, f. 18.

[13] Në raste të veçanta, kur konstaton pavleshmërinë absolute të aktit të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, dhe kur ballafaqohet me dokumentacion me saktësi të padiskutueshme, Kryeregjistruesi përveç fshirjes së regjistrimit të parë, mund të kryejë ri-regjistrimin e pasurisë së caktuar në favor të pronarëve të ligjshëm. Përkundrazi, mosveprimi i Kryeregjistruesit në këtë rast do ta vendoste atë në pozitat e mohimit të së drejtës së pronës ndaj palës kërkuese, çka është jashtë kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore.

[14] Si akt normativ nënligjor, Udhëzimi ose Urdhëresa e Ministres së Drejtësisë mund t’i nështrohet edhe shqyrtimit paraprak për pajtueshmëri kushtetuese. Shih Nenin 41.1 të Ligjit Nr. 8566, dt. 10.02.2000 për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar).

1 Koment

  1. Nje nga rastet kur perdoret pushteti diskrecional eshte VKM-ja nr. 781, datë 14.11.2007, qe ka per baze te veten juridike Kodin e Procedurave Administrative, nenin 7 qe sanksionon pikerisht se cfare eshte pushteti diskrecional.

    Me pushtet diskrecial të administratës publike do të kuptohet e drejta e kësaj të
    fundit që të ushtrojë autoritet publik për realizimin e një qëllimi të ligjshëm, qoftë edhe
    pa autorizim të shprehur të ligjit.

    http://www.hidaa.gov.al/ligje/Ligji%20nr.%208485.pdf

    Ky eshte nje vendim qe ka patur ndikime themelore pasi ka sanksionuar rregullat per pajisjen me kasa fiskale te subjekteve. Eshte interesante te shihet sesi per nje proces te tille kaq te rendesishem parashikohet pushteti diskrecional.
    Ne cdo rast ky pushtet merr kuptim ne kete rast ne saje te nje vullneti te qarte politik dhe gatishmerie institucionale per te imponuar rregulla te caktuara.

    Me duket pak teorike te kerkosh aplikimin e pushtetit diskrecional ne rastin e prones kur eshte e qarte se mungon vullneti politik dhe kur autoriteti i Zyrave te Regjistrimit eshte i kompromentuar rende. Nuk dihet sesi nje udhezim ministri do te kete fuqi reale per nje Kryeregjistrues pa hapur paraprakisht procesin e shuarjes se mbivendosjeve. Vetem per ligjin nr. 7501, ligji me kriminal qe mund te kete pjelle ndonjehere mendja e ndonje shqiptari, thuhet se ka abuzime deri ne 120 mije ha. Ketu nuk po llogarisim pasojen qe prodhon akti i regjistrimit ne vite cka edhe nese do te korrigjohet permes nje akti te Kryeregjistruesit do te perfundonte patjeter ne Gjykate per shkak se raporti i vendosur me perdoruesin dhe perfituesin e regjistrimit fillestar, krijon marredhenie juridike njohese dhe pranon investimet e bera ne kohe. Nga ana tjeter ligji i legalizimeve i jep perparesi uzurpuesit dhe ne fakt, ne kuptim praktik, asnje Zyre Regjistrimi, apo drejtues nuk do donte ta kishte ate pushtet vec per te abuzuar vete.
    Ceshtja e prones me duket se kerkon vullnet politik perpara se te perfundoje ne procedure . Ligji per investimet strategjike parashikon shpronesim per shprehje interesi te nje privati qe klasifikohet si strategjik, nderkohe qe regjimi pronesor eshte shume i pasigurte.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin