Para pak ditësh një tërmet prej rreth 5 ballësh goditi Tiranën dhe zona të tjera në Shqipëri; dhe siç mund të pritej, kryebashkiaku Veliaj përmes një statusi në Facebook dha disa porosi për qyetarët, të tilla si “evitoni ndërtesat” dhe “telefononi emergjencat”, së bashku me një thirrje për ta përballuar këtë situatë #BASHKË dhe, çfarë më tërhoqi vëmendjen, disa imazhe që tregojnë se si duhet vepruar, kur ka lëkundje tërmeti.
Teksti që shoqëronte dhe shpjegonte këto imazhe ishte në anglishte, jo në shqipe. Tani, ose Veliaj kish qenë vetë në “emergjencë” të madhe dhe nuk kish pasur kohë ta përpunojë statusin e vet deri në atë shkallë sa ta jepte në shqip; ose kjo pjesë e statusit u drejtohej anglisht-folësve që frekuentojnë faqen e tij në Facebook, sidomos në raste “emergjencash”; ose kryebashkiaku i Tiranës u jep përparësi imazheve në statuset e veta, ndërsa fjalët i trajton siç trajtojnë disa të tjerët imazhet (emojit, fotografitë), ose për ilustrim fakultativ.
Në fakt, edhe mua që nuk kam ndonjë ekspertizë grafike për të nxjerrë në pazar, nuk do të më duheshin më shumë se pesë minuta, për ta zëvendësuar anglishten me shqipen, tek ai imazh. Nëse kjo nuk ka ndodhur te Veliaj, gjasat janë që zyra e Marrëdhënieve me Publikun, që i përgatit dhe i mirëmban këto statuse, të mos i japë rëndësi komunikimit mirëfilli gjuhësor që ndodh në faqe; por të përqendrohet në anën vizuale, përfshi këtu fotot, emojit dhe mesazhe të tjera ikonike. Pa çka se, për një lexues që nuk e njeh anglishten, mesazhi nuk besoj se është dhe kaq i tejdukshëm: Të jetë vallë fjala për viktima të tërmetit, që kanë nevojë për ndihmë mjekësore? Apo imazhet tregojnë se çfarë mund t’i ndodhë dikujt, gjatë lëkundjeve të tërmetit?
Ndryshe nga emojit, figurat në atë imazh janë tërësisht të depersonalizuara: nuk kanë as tipare fytyre, as veshje: janë thjesht ekzemplarë të një homo algebricus, të de-humanizuar, i cili ekziston në atë masë që ilustron/shembëllzon zbatimin e një urdhri (drop! cover!). Duke qenë tërmeti arsye për shqetësim, por i pashfrytëzueshëm për të komunikuar hare dhe entuziazëm, hiperventilim prej fizkulturisti, cheerleading dhe “hajde djema!”, emojit ua lënë vendin hieroglifeve të disiplinës, ose mesazheve që rregullojnë sjelljen e turmave në hapësirat anonime të “mos-vendeve” (të Marc Augé-së).
Kjo anglishte e papritur, në faqen zyrtare shqip të një funksionari publik të një vendi ku shqipja është (ende) gjuhë zyrtare, më sugjeron se autori i statusit – që po e identifikoj me Veliajn për lehtësi – nuk i jep më rëndësi dallimit mes shenjës gjuhësore dhe shenjës ikonike (emojit) në komunikimin me publikun. Dhe nëse është kështu, tolerimi i anglishtes në një poster me gjasë të rëndësishëm (meqë tregon si duhet të veprojmë për t’u mbrojtur, në rast se tërmeti na kap në mjedise të brendshme) sjell me vete një farë ngjashmërie me përdorimin dekorativ (ornamental) të fjalëve të shkruara anglishte në imazheritë e gjuhëve aziatike (Kinë, Japoni, Kore). Në kontekste të tilla, anglishtja e humb fuqinë denotative, për të ruajtur vetëm konotacionin e prestigjit. E njëjta dukuri ndodh kur amerikanët dhe qytetarë të tjerë në Perëndim bëjnë tatuazhe të shenjave të kinezçes, pa e pasur idenë se çfarë kuptimi kanë ose mund të marrin (ky blog i kushton vëmendje dukurisë së përdorimit ornamental të shenjës gjuhësore).
Anglishtja ornamentale në tekste të tilla mund të krahasohet me adoptimin e disa emojive që u referohen gjesteve kultural-specifike të kulturës amerikane, por që mund të interpretohen ndryshe në kultura të tjera – si dora me gishtin e madh të ngritur lart, me kuptim miratues ose “çdo gjë në rregull”; edhe pse i njëjti gjest, në kulturën tradicionale shqiptare ka pasur kuptim tjetër, fyes. Edhe emoji i përdorur për “OK” është kultural-specifik dhe gjesti përkatës, tek ne, ende përdoret me kuptim fyes ose kërcënues. Sidoqë pakkush do t’i interpretojë gabim emoji të tilla, sidomos kur ato shfaqen në tekste me ekspozim të madh publik si ato të një kryebashkiaku, sërish gjasat janë që personi që i përdor, në këtë rast Veliaj, të shihet si “i amerikanizuar”, meqë huazimi i gjesteve nga një “gjuhë” tjetër (vizuale) nuk ndryshon, në thelb, nga huazimi i fjalëve të huaja. Në të dy herët, përftesa e drejton lexuesin e tekstit tek autori dhe duhet marrë si shenjë (indeks) subjektiviteti.
Shenjat gjuhësore dhe shenjat vizuale (ikonat, konkretisht emojit) e përcjellin kuptimin në mënyra të ndryshme – duke qenë të parat praktikisht arbitrare, ndërsa të dytat praktikisht jo; për ç’arsye edhe emojit i depërtojnë lehtë barrierat ndërgjuhësore, ndërsa fjalët jo: kalit i thonë cavallo në italisht, Pferd në gjermanisht dhe horse në anglisht, por ikonëza (emoji) e kalit nuk ka arsye pse të ndryshojë pamje nga një gjuhë dhe kulturë në tjetrën.
Megjithatë, në periferi të shenjëzimit gjuhësor, gjen elemente/shenja të cilat nuk janë tërësisht arbitrare, pse i ruajnë lidhjet ikonike/indeksikale me referentët e tyre – e kam fjalën për fjalë të tilla si pasthirrmat (ah! oh! psst! uh! oh-le-le! shhht! eh! firifiu! qyqja! ku mutin!) dhe onomatopetë a fjalët onomatopeike (dum-dum, ciu-ciu, cic-mic, ham-ham, guguftu, çak-çak). Pasthirrmat zakonisht shprehin një ndjenjë a reaksion të vetvetishëm; ndërsa onomatopetë emërtojnë diçka në bazë të tingullit a të zhurmës që i bashkëlidhet (fëshfërin, shushurin, cicërin, turfullon, bubullin, tringëllin).
Brenda kulturës pop amerikane, dhe që andej edhe kudo gjetiu në botë, pasthirrmat dhe sidomos onomatopetë gjetën përdorim të gjerë në stripat vizatimorë (comic strips, comic books), ku fjalë të tilla si BANG! CRUNCH! KABOOM! BAM! WHAM! BANG! SPLAT! POOF! CRACK! ZAP! SNAP! SMASH! ARGH! OOPS! WHOOSH! BOOM! OUCH! i ndesh rëndom të kombinuara me vizatimet (dhe ndonjëherë në font të posaçëm dhe me efekte të tjera vizuale), për t’i shtuar narrativës elemente “të drejtpërdrejta” të aksionit, të zhurmës, të ndërveprimit fizik. Këto janë momente kur gjuha nuk rrëfen (tell) por tregon (shows). Stripat vizatimorë përmbajnë lloje të ndryshme shenjash – që nga vizatimet, te “efektet zanore” dhe teksti gjuhësor, që mund të vendoset në flluskë kur përcjell çfarë thonë ose çfarë mendojnë personazhet, ose poshtë imazhit kryesor; nga pikëpamja semiotike, nuk është e vështirë të gjesh ngjashmëri të theksuara me tekstet e sotme të chat-it dhe të statuseve në rrjetet sociale, me një dallim: zakonisht, në stripat vizatimorë teksti gjuhësor shoqëron dhe plotëson imazhet, ndërsa në ligjërimin e sotëm miks të Internetit ndodh e kundërta, janë imazhet (emojit) që plotësojnë tekstin gjuhësor. Por kjo pranëvënie, kjo bashkekzistencë kodesh të ndryshme, bën që shenjat të afrohen edhe funksionalisht mes tyre dhe të shkëmbejnë polen, duke marrë imazhet disa tipare të shenjave gjuhësore dhe e kundërta.[1] Për shembull, “efektet zanore” në stripat vizatimorë vijnë tejet të stilizuara (“BANG!” do të shënjojë shkrepjen e një revolveri), duke marrë karakteristika të fjalës; por edhe fjalët mund ta humbin funksionin referencial dhe të përdoren vetëm për konotacion, si në rastin e anglishtes te statusi në krye të këtij shkrimi. Gjithsesi, le të mbajmë parasysh që një fjalë onomatopeike si WOOF!, duke imituar (rimarrë) të lehurën e qenit në anglishte (HAM-HAM! në shqipe), vendos me të një marrëdhënie ikonike në thelb të njëjtë me atë që vendos emoji i një qeni, me qenin. Kjo do të vlente edhe për marrëdhënien midis emojive ekspresive dhe pasthirrmave; dhe, mutatis mutandis, midis emojive të pikësimit (ato që mbyllin një varg tekstor) dhe shenjave të pikësimit, si pikëçuditja, pikëpyetja, tripikëshi etj.
Gjithsesi emojit përshkruese (si ajo e biçikletës që shoqëron një tekst çfarëdo për korsitë e biçikletave në Tiranë), jo vetëm që nuk i shtojnë gjë kuptimit denotativ të tekstit, por edhe e varfërojnë atë, sepse ia heqin fjalës pasurinë kuptimore, për ta kthyer në sinjal prej kartoni. Fjala biçikletë sjell me vete potencialin për t’u përdorur edhe në një informacion për një aksident të dikujt që ecte me biçikletë, edhe për të përcjellë një lajm për një etapë të Tour de France, edhe për të njoftuar se ata që ecin me biçikletë në një qytet të ndotur aq keq u ekspozohen partikulateve në atmosferë, aq sa një shëtitje prej 30 minutash, më shumë e dëmton shëndetin, se sa i bën mirë. Por emoji i biçikletës nuk e ka këtë potencial: përdorimi i tij në tekste është artificial, redundant dhe tejet i kodifikuar – duke shënjuar, në rastin e statusit të Veliajt, preokupimin e tij dhe të institucionit të tij me biçikletarinë në Tiranë.
[vijon]© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet reptësisht riprodhimi.
Shënim: Kjo është pjesa e katërt e kësaj eseje. Pjesët e tjera i gjeni këtu, këtu dhe këtu.
[1] Efekte të ngjashme gjen edhe në mangat japoneze, të cilat kanë origjinë të pavarur nga stripat vizatimorë, por pastaj i kanë bashkëndarë disa karakteristika. Por nuk është këtu vendi për t’u zgjatur më tej në analiza intertekstuale.