RRËFIMET E NJË POETI

nga Ylljet Aliçka

Ishte fare e lehtë të merrje me mend sa shumë vuante shpirtërisht poeti i famshëm N. kur e takova një ditë dhe më tha:

– Po si do mund të ketë kohë të lexojë ky popull, ky popull që nuk le asnjë rast pa demonstruar cipën e vet të plasur, pra pa vrapuar pas parasë. Unë e pranoj se në kohëra tronditjesh shoqërore askush nuk e çan më kokën për letërsinë e vërtetë dhe shoqëria s’ka më nge të merret me ty. Por të lutem jo kështu, jo deri në këtë pikë, të na braktisin kaq shpejt e kaq pashpirt. Po sa mund të durojë njeriu vallë? – Këtë letërsia nuk do i a falë kurrë shoqërisë njerëzore. Ç’paturpësi ! – tha kështu me zërin e tij patetik dhe pasi mori dhe miratimin tim për ato që tha u largua ashtu kurrizdalë duke hequr këmbët zvarrë, me këpucët që i dilnin nga këmba. Përveç se shpirtërisht, dukej se poeti vuante dhe financiarisht.

E takova pas ca kohe. Si çdo poet i talentuar në botë, ai e kishte kapur veten.

– Më dukesh mirë, – i thashë. – Si ndodhi? – D.m.th., me çfarë merresh?

– Thur vargje për ngushëllime vdekjesh – më tha qartë e prerë – dhe mund të të them se fitoj mirë.

– Po poezi shkruan më? – e pyeta

– Po më fal or mik, – i ndriti atij fytyra, – pse të zgjedhësh më të vështirën kur mund të zgjedhësh më të lehtën? – Hë pse? –

E pasi nderi në fytyrë një çehre serioze shtoi:

– Pra merrem me njoftime vdekjesh, ngushëllime e përkujtimore. Kanë ardhur kohë të tjera, Yllo, shoqëria është civilizuar, lajmërimet e vdekjes nuk dalin më në tabelat e shpifura por në gazetë, aty ku njerëzit sipas mundësisë financiare shprehin emocionalisht dhembjen për të afërmin e tyre që sapo ka ndërruar jetë.

E kapa unë i pari, – vazhdoi ai – kur gazeta më e madhe në vend filloi për herë të parë të aplikojë këtë praktikë bashkëkohore në vendin tonë. Dhe kërkonin dikë që ta ndiqte këtë punë. Unë iu duka më i përshtatshmi, jo vetëm për reputacionin tim por dhe për aftësinë për të formuluar një mori ngushëllimesh me karakter të theksuar poetik.

Dhe çmimet për çdo ngushëllim variojnë nga minimalet për variantet e shkurtra të llojit U nda nga kjo jetë filani, apo Ndërroi jetë filania, deri në ato më të gjatat si U shua shpirti i burrit, vëllait, djalit… apo. . . . Të zeza do jenë ditët e paskëtajme…apo Të trishtueshme do të jenë ditët për ne paskëtaj, o vëlla, o bir, o burrë, etj.

Pra vetëkuptohet, sa më i gjatë të jetë ngushëllimi, aq më shumë paguhet. Është si puna e telegramit që paguhet sipas numrit të fjalëve apo shenjave. Ja pra, kjo më bën që këtej e tutje t’i bie vdekjes pas, or mik…. d.m.th. të informohem sa më shumë dhe më shpejt për të propozuar menjëherë ngushëllimin përkatës. Po të kërkosh, gjen miku im– tha poeti– pasi të flasim hapur, njerëzve u ka hyrë tahmaja. Ashtu siç deri disa vite më parë karshillëku bëhej për një arkivol me gdhendje a një varr mermeri grek me skulpturë mbi të, tani klientët, desha të them njerëzit, bëjnë karshillëk me njëri tjetrin se kush ka mbishkrimin më prekës mbi varr apo kush ka ngushëllimin më të gjatë e më të bukur në gazetë. Është modë kjo Yllo …

E di ç’më thosh një ditë skulptori i njohur M. , i cili tashmë merret vetëm me skulptura varresh:

– Ah të vijë dhe njëherë marsi i ’97, i dashur koleg, pa s’do kishin më nevojë për para as nipërit tanë.

Të njëjtën preokupim kanë dhe arkitektët e varreve, tregtarët e arkivoleve… Ja kështu. Dhe kanë të drejtë. Unë e vë re vetë. Një epidemi gripi kinez të bjerë dhe puna rritet aq shumë sa ti nuk gjen më hapësirë në gazetë për të venë shpalljen e humbjes të të dashurit tënd. E natyrisht që paratë në këto raste vinë me grushte.

Iu futa kësaj pune në fillim me pasionin që na karakterizon ne poetët, pra thurja poezi ngushëllimi, aq sa ndonjëherë prekesha dhe vetë, por me kohë m’u bë punë rutinë dhe që nga takimi i parë me familjen e të ndjerit e kuptoj sa do u marr, pra se me ç’variant do ngushëllojnë ata në gazetë.

– Si? – e pyeta unë.

– Po që sapo hyn në shtëpinë e të ndjerit kjo gjë duket sheshit: cilësia e arkivolit, (shiten sot në treg arkivole kompensate që ka rrezik të bjerë xhenazja pa u kallur në dhe), orenditë shtëpiake, veshja e xhenazes… Pra thjesht nga gjendja ekonomike e familjarëve unë propozoj një variant të gjatë apo të shkurtër, bie fjala një variant të thjeshtë të llojit U nda nga kjo jetë apo një variant të gjatë Të trishtueshme do të jenë ditët për ne paskëtaj, o vëlla, o bir, o burrë … dhe respektivisht…  për ne o bijë, o grua o motër, o nënë.

Ç’të të them, – vazhdoi poeti– ja me tri ngushëllime të llojit … U shua shpirti i burrit, vëllait, djalit… apo. . . . Të zeza do jenë ditët e paskëtajme…dhe. ja ku nxjerr pagesën e celularit që kam në dorë. Pra, i dashuri im, boll të ketë vdekje. Dhe vdekje ka pasur, ka e do ketë, Zotit i qofshim falë !Kurse mua s’më mbetet veç ta marr vesh sa më shpejt e t’u bëj të afërmve ofertën përkatëse të ngushëllimit.

– Po nga i merr vesh, kush vdiq, adresën e të ndjerit? – pyeta unë i përpirë tashmë nga kurioziteti.

– Miqtë, familja, morgu, zyra e funeraleve, spitalet…nga të duash ti. Prandaj bleva dhe celularin që të informohem sa më shpejt. Pra, sado vigjilent të jesh, po nuk pate rrjetin tënd, nuk kap as dhe një ngushëllim në javë. Prandaj kam krijuar kudo rrjetin përkatës.

Mjaft të të them se në çdo pavijon spitalor, natyrisht në ato më prioritaret për mua, si kirurgjia, kardiologjia dhe padyshim, padyshim, onkologjia që përbën kontingjentin potencial më të pasur, unë kam njeriun tim të informacionit, troç infermierin, të cilin natyrisht e motivoj me diçka nga fitimi.

Fillimisht shkoja vetë nëpër spitale, por druaj se dikush nga të sëmurët me tumor afatgjatë në kokë hodhi dyshime mbi arsyet e vërteta të vizitave të mia të shpeshta. Unë e pikasa këtë nga vështrimi i tij plot urrejtje. E pasi urova me gjithë zemër që tipi me tumor në kokë të jepte shpirt ngadalë e me vuajtje (sado që këtyre njerëzve vetë sëmundja ua pështiros fare vdekjen)që nga ajo ditë nuk shkoj më vetë, por marr informacione me celular nga infermieri. Madje nga dëshira e madhe për fitim ata, infermierët pra, më paralajmërojnë dhe për vdekjet e mundshme në të ardhmen e afërt e të largët, p.sh. më thonë: « pacienti N me adresë X hyri në koma, bëhu gati se s’e ka të gjatë ». Vetëkuptohet që atyre nuk i dalin gjithmonë parashikimet, pasi shpesh ja fusin fare kot nga etja e pangopur për fitim, apo edhe pse natyra bën çudira. Ndodh që të sëmurë që figurojnë në listat e tumoreve afatgjata papritur e pakujtuar të lenë shëndenë në mesnatë, apo në të kundërt, ata që priten me sot me nesër, për habinë e të gjithëve e shtyjnë me muaj pa dhënë shpirt.

Dhe kuptohet që në këto raste infermieri humbet në para dhe kredibilitet.

Sidoqoftë miku im, në këtë punë kurrë nuk duhet neglizhuar asnjë informacion sado i rëndomtë të duket në pamje të parë. Është punë parash. Para ca kohësh, p.sh., kur shkova në një vdekje, kuptohet për tu propozuar ngushëllimin përkatëse, dëgjova se e ndjera paskësh marrë pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Atëherë unë menjëherë u propozova të afërmve variantin:

Ndërroi jetë veterania e Luftës Nacional-Çlirimtare, duke lënë në pikëllim familjarët dhe veteranët e mbarë vendit.

Pa një pa dy, të afërmit ranë menjëherë dakord me shumën e këtij lloj ngushëllimi. Pra eci për mrekulli.

Pas këtij rasti, para se të bëj ofertën, unë u bëj të afërmve të të ndjerit dhe pyetje të tilla: A ka marrë pjesë i ndjeri në luftën nacional– çlirimtare apo jo? – A ka marrë çmime a dekorata në punë? – A ka marrë çmime ndërkombëtare? – Nëse po, ç’dekoratë a nderim ka marrë, ku i ka shokët e luftës? – Ç’institucion ia ka dhënë çmimin a medaljen? – He…he…he. . të tëra këto për mua janë burim për shtim fjalësh.

Shiko vetë se sa shumë shqiptarë po marrin këto kohët e fundit çmime të mëdha ndërkombëtare që po mbërrijnë me bollëk nga Oksfordi apo Kembrixhi, apo ku ta di unë dhe që po shpallin një mori shqiptarësh « Njeriu i shquar i globit apo i shekullit. », gjë që natyrisht mua më shpalos variante të reja ngushëllimi.

E dëgjova për herë të parë rastësisht gjatë një ceremonie varrimi, kur unë kisha dalë nga varrezat për të lexuar pllakat e varreve.

– Çne me pllakat e varreve? – ndërhyra unë.

– Po thjesht për të lexuar ç’shkruhet mbi to. E di si, të ndodh që fjalët e ngushëllimit mbarohen dhe ti fillon e përsërit veten. Dhe kur s’ke më frymëzim drejtoju gurrës së popullit. Me mençurinë e tij populli ka dëshmuar se di të qajë humbjen e të afërmve me një dhembje e trishtim aq të ëmbël, sa s’ka poet në botë ti krijojë. E ti mahnitesh me magjinë e tyre. Janë të ndjera Yllo, i vdes tjetrit njeriu i tij dhe ai shfryn spontanisht dufin e shpirtit. Ashtu spontane, të ndjera siç janë populli i hedh, pra i gdhend mbi gurët e varreve Këto pra janë gjithmonë burim pune për mua, pasi në fund të fundit puna që bëj unë është, si të thuash, një parathënie mbi gurë varresh.

Por, ku e lashë? – – u kujtua poeti,

– Te çmimet ndërkombëtare– e kujtova unë

– Po, po ja bëri ai– siç të thashë, teksa asistoja në një ceremoni të zakonshme vdekjeje, një prej të afërmve të të ndjerit, e nisi leximin përkujtimor me këto fjalë:

« Zonja e Zotërinj, na la Njeriu i shquar i shekullit » dhe pas pak shtoi: « Vëllezër na la Sotiraqi ynë ». Unë shqeva sytë dhe pyeta një mik të të ndjerit aty pranë se ç’kuptim kish kjo që sapo u tha.

« Po, ma rikonfirmoi ai. Të ndjerit sapo i kishte mbërritur nga Oksfordi një kartë me firmë e vulë me nderimin « Sotiraq R. Njeriu i shquar i shekullit » dhe i kërkohej të paguante për këtë shumën prej afro 500 USD. I ndjeri mblodhi me mjaft mundim shumën përkatëse, por nuk arriti ta gëzonte medaljen me familjen e tij. Dha shpirt dy ditë para se të mbërrinte medalja me postë. Punoi tërë jetën me nder si llogaritar në një ndërmarrje bujqësore. » më tha miku i të ndjerit.

Pasi heshti pak poeti psherëtiu:

– Zot ! Ç’po na dëgjojnë veshët në këtë tranzicion, Yllo. Me këtë ritëm ka rrezik që shumë shpejt të kemi nga një Njeri të shquar të globit për çdo shkallë pallati.

Deri tani kam botuar dy raste « Na la njeriu i shquar i shekullit, duke lënë në trishtim e brengosje familjarët e bashkëkombësit e tij». Rasti tjetër qe me Njeriu i shquar i globit…

Kuptohet që në të ardhmen do vijnë të tjera raste, s’kanë ku shkojnë.

– Ashtu është, – pohova unë.

– Por ka njerëz e njerëz, Yllo, të qëllojnë nganjëherë familje aq kurnace, saqë e bëjnë veten për një fjalë më shumë. Kështu, kur në një rast zbulova se e ndjera kishte qenë veterane dhe unë propozova variantin Ndërroi jetë veterania e Luftës Nacional-Çlirimtare, duke lënë në pikëllim familjarët dhe veteranët e mbarë vendit, ata, familjarët pra, pasi morën vesh rritjen e çmimit për çdo fjalë të shtuar, pa iu dredhur fare syri, e shkurtuan lajmërimin sipas variantit të mëposhtëm:

 Ndërroi jetë veterania e L. N. C. Familja dhe veteranët e L.

Por ka dhe më keq, – dhe fytyra e poetit mori në çast një trishtim pafund. Pasi, si çdo punë, dhe kjo e imja ka telashet e saja. E sheh këtë shenjën mbi vetull? – më pyeti ai duke më treguar me gisht një të çarë mbi sy.

– Po, i thashë.

– Ishte vetëm një rast, por rast i shëmtuar ama, i cili dëshmon dhe një herë se me ç’popull cipëplasur jetojmë.

E vërteta është se gabimi i parë ishte i imi, por unë nuk mund ta justifikoj apo përligj kurrë atë arrogancë dhe agresivitet nga ana e familjarëve të të ndjerit. Kurrë.

Në të vërtetë gjithë fajin ma ka ai humbamenoja i morgut, i cili do ketë qenë xurxull kur më informoi në telefon: « E pat dhe Nuri te onkologjiku. Sapo ma prunë. »

Dhe krejt normalisht unë e mora Nurin për mashkull, pra « e pat Nuriu » e pasi mora në telefon miratimin e familjes përkatëse për një variant të gjatë, botova ngushëllimin e mëposhtëm:

Ndërroi jetë Nuri P.

Po pse e vrave shpirtin tënd o Nuri, o burrë, o vëlla o baba? – Pse? –

Familja P.

Të nesërmen ndodhi hataja: xhenazja paskësh qenë femër dhe e kish emrin Nurie dhe jo Nuri. Pra binte poshtë tërë ajo përshpirtje publike që pretendonin të kishin thënë të afërmit në gazetë. Me ta marrë vesh gabimin, unë u kërkova ndjesë thellësisht dhe u përpoqa ti marr me të mirë se do e rregulloja shumë shpejt këtë punë duke zëvendësuar të nesërmen me variantin femëror, pra me Po pse e vrave shpirtin tënd o Nurie, o grua, o motër, o nënë? – Pse? –

Pse flitej me ta? – !

Sido që u ktheva paratë deri më një, familjarët grindavec më fyenin duke më kërcënuar me vdekje « për tallje e nëpërkëmbje të dinjitetit të familjes së të ndjerës Nurie. »

Midis zallamahisë së krijuar, me dëshirën e mirë për të qetësuar gjakrat, unë u propozova dhe botimin e një varianti tjetër, që jo vetëm nuk do të jepte asnjë shenjë emri familjar, por që do të ruante njëkohësisht nderin e familjes dhe kredibilitetin e gazetës. Dhe ja ç’propozova:

Duke u kërkuar ndjesë familjes së të ndjerës ftojmë lexuesit që ngushëllimin e djeshëm Nr…. ta lexojnë me zëvendësimet e mëposhtme: fjala burrë të zëvendësohet me grua, fjala vëlla me motër, dhe fjala baba me nënë. Të tjerat të lexohen ashtu siç janë.

Por kjo gjë i egërsoi të afërmit e Nuries më shumë « Ç’kërkon tjetër mor poetuc…. , – mu hakërruan ata, – pasi na bëre gaz i botës, do që njerëzit të qeshin tërë jetën me ne? – » dhe fap më godisnin me grushte. Nga ata e kam këtë shenjë pra. – e mbylli poeti historinë e trishtuar të keqkuptimit dhe heshti duke më lënë të kuptoja se s’kish se ç’thosh tjetër.

Heshta dhe unë. Kish ardhur koha të ndaheshim.

– Mirupafshim– i thashë, – u ftoh. . .

– Mirupafshim, tha poeti, mirupafshim, dimri po afron vërtet…he … he, – qeshi ai, – puna rritet gjithashtu…– dhe u largua me hapa të zhurmshëm prej poeti.

2 Comments

  1. Nje poet me te vertete i pakuptuar nga bashkekohesit!

    Besoj qe vazhdimi do te jete i tille qe dikush (nje businesswoman e sukseseshme), qe i ka vdekur burri, merr persiper ta paguaje ne natyre (gojet e keqia thonte se as per nje etikete te tille ajo nuk do te nxjerre ndonje dyshke nga xhepi). Nje transaksion i tille alternativ ben qe poeti, ne perendim te jetes se tij te zbuloje ate mister te cilit i ka ardhur rrotull gjithe jeten, por nuk ka mundur ta zhbiriloje. Rastesite e fatit njerzor! I njejti zbulim trondites, se nuk mund te jete ndryshe, ka ndodhur edhe ne krahun tjeter.

    Qe nga ai çast te dy vihen te kryejne vepra bamiresie.Sipas profilit te tij, poeti (qe tashme nuk ka me probleme financiare) nis e lexon falas te shkollat e Babrruse ato poezi qe dikur askush nuk kishte denjuar te hapte edhe zarfin per t’i lexuar.

    Sot ka fjale, se edhe per te ne Oksford po pergatitet nje titull.

Comments are closed.