SHEKSPIROTËT: NOVELA ME MOZAIK

nga Oltion Kadaifçiu

Shekspirotët. Pas nderimeve të mëhershme e para të mëvonshmeve, Ministria e Kulturës zgjodhi veprën Shekspirotët të Idlir Azizit për ta nderuar me çmimin e vet më të lartë për këtë vit, a dyvjeçar. Novela dramaturgjike. Pas një romani labirint, fjalor dosjesh, nga Bashkim Shehu, një duzinë novelash dramaturgjike promovohen prej Ministrisë, që edhe këtë herë mbetet mbështetëse e letërsisë së angazhuar shoqërisht e politikisht. Megjithëse, në këtë rast, frymëzimi vjen prej dëshpërimit për një shoqëri pashpresë, herë banale deri në absurd e herë kalorësiake deri në kalërim monumentesh, e përthyhet si thirrje e veprimtarit ekzistencialist për iluminizëm kombëtar të pamundur.

Te Shekspirotët, protagonist në mënyrë të përsëritur shfaqet një aktor, me ndjeshmëri të lartë dhe paksa i destabilizueshëm, edhe pse ka raste kur ai mungon. Ka të tjerë atëherë. Bashkë me aktorin nëpër novela udhëton edhe një regjisor. Ndonjëherë protagonist është ngjarja, e për rrëfimtar kemi një gazetar. Ndonjëherë autori lejon që veta e parë e rrëfyesit të jetë aty si vetja.

Shekspirotë në një lundrim nëpër Shqipëri totalitare ose të mëvonët. Edhe një brendësi, po edhe një tëhuajësim disi pesimist inatçor. Patriotik. Poetizëm. Delir revolucionar pas ngadhënjimit të kundërrevolucionit. Një raportim. E gjithandej e gjithandej. Në Shekspir edhe si prani me personazhe me komplote. E ndonjëherë edhe me komplot të ngjarjes. Në transferim. Një fjalim vjen prej Rikardësh a Henrësh të katrapestë. Binjakët që i ndau stuhia në Shekspir, tani nuk dinë t’i shqiten njëri-tjetrit.

Shikoni se ç’thuhet në shënimin në kopertinë të jashtme nga pas të librit: “Një trupë teatri mbërrin në Gërdec pas shpërthimit të depos së armëve, për të vënë në skenë Hamletin, por tani në vend të babait fantazma është vetë qyteza e shkatërruar…. Një aktor që reciton një monolog kombëtar në festën e pavarësisë, pastaj vjen një motër e një vëlla. …. por që udhëtojnë nëpër peizazhin shekspirian.”

Kur në fakt renditja e kapitujve në libër vjen e tillë.

Fillimisht, janë këta motër e vëlla që hetohen për shkrimin e tyre identik. Vërtet nën hetim, por ata më në fund po gjejnë një kuptim për atë ekzistencë në shëmti e injorim që e vuanin prej jetës së pamatë. Ekspertët e policisë dhe gazetarët kuriozohen për shkrimet binjake. Një si uverturë kafkiane, sipas mendimit tim. Një sinjal një veshi që përgjon i çakërryer në errësirë? Apo një dilemë për problemet e autorësisë në kohët moderne apo ndoshta në të gjitha kohët? Apo një mendim fort shtrembëronjës i subjektit të natës së dymbëdhjetë. Prandaj edhe novela e parë dramaturgjike sjell fjalë të parë atë të gaztorit të zonjës Olivia: “Jo, nuk jam klouni i saj, por korruptori i fjalëve” nga komedia Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit, që këtu vjen si e Nata e njëzetenjëjtë ose komedia e terroreve. Terroreve? Pas një udhëtimi në kujtime e zhvillime e hetime të protagonistëve, pjesa përfundon në ekspozim të tyre ndaj hakërrimit prej një polici që tërbohet prej një realiteti të mjerë e provokativ të vetin.

Pastaj vjen “Sa gishta ka grushti i shtetit.” Që siç u thënka në një varg nga Stuhia e Shekspirit është “Një fjalim, që bën shurdhin me veshë.” Gërdeci dhe gërditja që ai ndolli për një politikë, e shtet e atdhe janë filli që thuret. Përzier me Hamlet, me aktorin që shfaqet. Secili personazh Hamlet me njëfarë shquarje skicohet në atë situatë. Poloni pa një bir ta dëgjojë, mbretër të shpërqendruar me gjamë. E mbret i vdekur është vetë qyteza. Me dritaret si sy.

Pastaj kemi një përshkrim të dukjes së një ngjarjeje gjeografike, që po ndodh në cepin jugperëndimor të gadishullit ballkanik, prej dritares së anijes kozmike, pa lidhje me Shekspirin. “Me syrin e një astroboji” e ka titullin. Në një udhëtim hapësinor prej anijes kozmike shohin se si përmbytet prej një vërshimi jashtëqitjesh njerëzore atdheu ynë i dashur. Në këtë trip, shqipfolësit anembanë i zë e dhjerë e paprerë dhe në lumin e atij muti rreziku është i madh. Angazhimi që merr teksti në shprehje të një revolte përçmuese e disi shumë fatkeqe nuk është se na entuziazmon shumë. Pjesa përfundon me hënën e qiellit të përshkruar si “… një monedhë alumini e regjimit të kaluar ngecur nëpër ullukun e seksit plakaruq të një shtrige që e ka humbur fuqinë e magjisë menjëherë, brenda ditës.”

Kur shiko ti, vjen “14 tonë monolog”. Monolog. “Actor probacio incumbit (I takon akuzuesit të provojë). Qenka fjalë e ligjit latin, që pasohet prej thënies, “Nikolë, mos na mërzit shumë! Sidomos sot.”, që e paska thënë Philip Noiret në filmin “Le grand bouffe” të Ferrerës. Këto hapin ugarin e parë në faqe e letrës, pas titullit. Po kjo Nikola kush është vallë? Shikoni në YouTube. Le grand bouffe. Unë e kisha parë dikur te këta filmat pragmëngjesorë të Retequattros, e u gëzova ta rigjeja. Nikola nuk më kujtohet tamam kush ishte, por vajzat aty ishin mendjehapura dhe me njëfarë epshi që i bënte sa të bindura aq edhe nxitëse.

Pjesa fillon me përkujtimin e ndodhisë turpndjellëse me tortën famëkeqe që iu soll shoqërisë sonë si bakshish në një njëqindpërvjetor pavarësie dhe botës si video e foto në një vit normal. E shkreta shoqëri nuk diti si ta hante, megjithëse organizatorët pa dyshim kishin pompuar entuziazëm për tortat sa për tre popuj. Dhe atë natë ky aktori ynë protagonist, për të risjellë energjitë e mpakura nga një ditë sfilitëse, ha pak tortë prej legenit me të cilin e kish rrëmbyer një pastruese e varfër prej sheshit Skënderbej, ku e patën e shtruar në verandë të operës. Dhe prej mbetjeve të saj, nëpër gojë i mbin anës gjuhës shtojca e shëmtuar që rritet shpejt e si gjuhë e dytë brenda së njëjtës gojë. E pastaj ai nuk di të flasë, gjuha tjetër ja prish monologun patriotik, që ministri e ka porositur dhe pret në sallë ta dëgjojë. E dekori është një fashë e gjatë e kuqe e me shkabë që ngec në çikrikun që e mban.

Pastaj vjen novela tjetër e rëndësishme, “Shtesa”. Aktori shkon në emisionin Zonë e Lirë, por aty meket e s’i del fjalë prej goje, pse rrugës pat parë që kali i Skënderbeut kishte mbetur bosh. Ai kish hipur në kalin monumental, kishte pritur të habiste për këtë zëvendësim të Skënderbeut, por njerëzit nuk ishin marrë me të. Dhe donte ta tregonte këtë në emision, po ishte trembur se nuk do ta besonin dhe ishte humbur në arsyetimet absurde pro e kundër që i buronin prej realitetit vjetak dhe mbetet aty. Një obsesion. I ndodhur në transmetim direkt e i komentuar prej dy gazetaresh e një psikologeje, prej një njeriu që di të përhapë hamendësime konspiracionesh dhe një eksperti për ndërtim të shtesave të banesave. Në fund mësojmë se ai do ta kalojë bllokimin, pastaj e lënë të luajë Falstafin, që qenka një personazh që Shekspiri e paska andej-këndej nëpër pjesët e veta si personazh të tretë a të katërt. Disi pijanik e fort finok.

Pastaj vjen pjesa Piramida. Që çelka me vargun “Furia e këllira e venave njerëzore” nga poema Bizanti, e poetit irlandez William Butler Yeats. Te Piramida, i ashtuquajturi DeFormatori është i vetmi i mbijetuar i një vetëvrasjeje kolektive. Në fakt, më vonë mund të dyshojmë se nuk ishte vetëvrasje. Ai thjesht ishte njëri prej shumë dëshmitarëve të Holokaustit. Në fakt pastaj ndodh popullimi i piramidës muzeale me tingullime të njohura. Copëra interpretimesh historie popullojnë pjesën. Një valle pas bishtit të kryesuesit të vetëm.

Pastaj kemi tre novela që ndihen prej cope tjetër, megjithëse ka mbetur i njëjti autor. Letër një mikeshe serbe, udhëshiu, sazan. Në të treja këto novela, si dhe tek e para, rrëfyesi dhe protagonisti janë më pranë njëri-tjetrit. Megjithëse mbeten politike e poetike, këto pjesë lejojnë autorin të jetë më shprehës. Më shumë dritë dite ndër to. Më lehtë të shijohet fraza.

Por mos tregoj gjithë librin, po shkoj direkt e në fund, ku snajperistit të 21 janarit i vijnë periodat dhe pasi familja i kërkon ndihmë Avokatit të Popullit, një gazetar nis hetimin. Dhe si në novelat e tjera, kërkimi i tij e bashkon me njerëz, të vetët e të tjerë. Me nënën e snajperistit që pas kësaj ngjarje të së birit, “dukej që kishte rënë në pus të krupshëm, ku nata ia hipën sipër, me lugatë, me majën e gjarprit e ku pa zanore rri folja.” Me mjekësinë, me një albanolog që përzien Homerin dhe Akilin, me një studiuese të çështjeve gjinore, me një shok, me regjisorin prapë, me një trupë aktorësh, me një praktikë aktrimi, me shqiptarët, etj., nëpër të (ashtu si dhe tjetër kund në libër) ka vjersha. Ja e fundit prej tyre, por jo më e mira:

Tuj shëtit në male kodër
Demos në kraci pa fletë
Një snajper na hyri n’lodër
Edhe vrau tjerë të mjerë
Eja homicidor
Se me ty kam turp-kurorë
Dile futu ti snajper
Që të vdesësh dhe një herë
Je banor në infopopull
Trupi në shqipri
Kot pret ti gjino-studime
Krytin ke seks pa lavdi
Eja shpifu ti vrastor
Të kanë përdhunu me votë
Bota alegori televizor
Dikur mbase ke qenë pa faj
Por si zog je veç gërmadhë!

Ajo që mund të them nga eksperienca ime në lexim është se libri rekomandohet të lexohet në copa të vogla, sot e nesër. Të shprehurit, në mënyrë të përsëritur, është fort i hijshëm, edhe ngjarjet historike për të shprehur një qëndrim politik, një gjykim politik, mendoj se janë fort të spikatura e me leverdi për tjerrje absurdi. Edhe shtyrja e imagjinatës në larmi të situatave nuk mund të mbesë e padalluar, por pastaj fragmentimi aforistik, me gjarpërime eseistike dhe etike në letrarishten e tjerrë gjatë, lodh. Shtatë kilometra tela mbuluar me guna për t’i kapërcyer i vetëm.

Gjithë ajo surprizë e revoltë që, me siguri, e përjeton vetëm një poet. Gjithë ajo politikë e filozofi, e gjykime që vetëm një ese i mban bashkë. Dhe në dorë kemi novela dramaturgjike, me orientim të përbashkuar fort, që nuk na nxisin as për të thënë jo se shiko se ky zhvillim politik nuk ishte tamam ashtu, ose se një normalitet i zhvillimit historik fshihet diku, ose se edhe ndryshe ka gjasa të mos jetë aq radikalisht ndryshe. Se nuk kalërohen kuajt monumentalë. Ne prozë kemi folë gjithë jetën, thotë edhe Zhurdeni i Molierit.

Stili i të shkruarit na tingëllon disi familjar prej universalitetit të madh që përmban. Edhe faktikisht është një stil relativisht i përdorur prej autorësh shqiptarë, që lejon emocione e informacione të bashkëjetojnë pa u përzier fort. Disi më i lehtë për t’u realizuar, ndoshta, po edhe krijues mundësish për shprehje si askush.

Ndjesia ime se nëpër libër fshihet një roman (ose dy) mund të jetë thjesht nevoja për një fill disi të qëndrueshëm, aq e madhe është larmia e shprehive që përdoren në rrjedhat e mendimit jo po aq të larmishme. Megjithëse plot ngjarje, plot prerje, plot personazhe, autori i është qepur malit vetëm për dy lloje lulesh, fjalinë e bukur dhe mendimin e spikatur (të paktën në pjesën e madhe të librit). Dhe është kjo mbiushqyerje që lodh. Sapo ndiejnë se po vëzhgohen, fjalitë derdhen me vrap në pak rrjedha kuptimore e emocionale dhe lënë vend për shoqet, pa ngritur ndonjëfarë ngrehine ku të futësh pak kokën. Intelektualizimi i përgjithshëm dhe ndërgjegjësimi, i llojit të caktuar tek lexuesi, detyra mbi detyra. Por, shpesh në fjali të thurura bukur në skena të përshtatshme, që nuk mund të mos vlerësohen e pëlqehen me bollëk të madh.