SHEQERKA PËR TË GJITHË

Thonë se arkeologët që kërkonin në zonën e lumit Jordan për dëshmi arkeologjike rreth ngjarjeve të përshkruara në Dhjatën e Vjetër, duke u përpjekur të bindin popullsinë lokale – më të shumtën beduinë – për t’i ndihmuar, patën shpallur se do të shpërblenin bujarisht çdo vendës që u sillte një objekt me vlerë, përfshi këtu edhe pllaka guri dhe tableta prej balte të pjekur me mbishkrime të lashta.

Përpjekja pati sukses, madje më shumë se ç’shpresonin nismëtarët. Beduinët e njihnin mirë territorin dhe dinin si të kërkonin për artifakte – madje, për mbishkrimet në pllaka guri dhe tableta, e kuptuan shpejt se do të paguheshin njëlloj si për pllaka dhe tableta të plota, si për copa pllakash dhe tabletash. Edhe pse arkeologët ishin nisur nga qëllimi i mirë që të rikuperonin gjithçka të mundshme, përfshi këtu edhe objekte të dëmtuara nga koha dhe elementet, mënyra si patën njoftuar se do të paguanin për artifaktet pati një pasojë të papritur: pasi gjenin pllaka dhe tableta të plota, beduinët i thyenin ato në copa para se t’i dorëzonin, sepse ashtu fitonin më shumë; tek e fundit, për ta këto artifakte nuk kishin ndonjë vlerë tjetër.

Kjo histori më është kujtuar sa herë që kam parë njoftimet e Ministrisë së Kulturës për mbështetje financiare të projekteve në lëmin e artit dhe të kulturës, ose për përkthime, ose për të ndihmuar autorët që të botojnë librat që kanë në proces. Dëshira e atyre që e kanë formuluar politikën përkatëse mund të ketë qenë e mirë: “le të ndihmojmë sa më shumë krijues”; mirëpo kjo ka çuar në copëtimin e fondeve në dispozicion në pjesë aq të vogla, sa të mos mjaftojnë praktikisht për asgjë, përveçse për të gënjyer veten.

Është thënë se qeveria shqiptare shpenzon për kulturën, nga buxheti i shtetit, më pak se çdo shtet tjetër në Europë; pa çka se burime të tjera financimi në Shqipëri, p.sh. fondacione ose ente private, janë të papërfillshme dhe nuk kanë kurrfarë tradite. Ironikisht, pjesa e luanit nga këto fonde të kulturës të shpenzuara u ka shkuar projekteve me natyrë propagandistike, ose që u kanë dhënë përparësi krijimeve dhe artistëve dhe veprimtarive pa ndonjë impakt në jetën kulturore të qytetarëve (Bienalet e ndryshme do të ishin një shembull për këtë, por edhe festivalet folklorike, panairet e qelesheve dhe të fustanellave dhe veprimtari të ngjashme). Krundet janë përdorur pastaj për të kënaqur një numër sa më të madh aplikantësh, të cilëve u janë dhënë shuma minimale, ndonjëherë qesharake, për projektet e tyre.

Për mendimin tim, ky copëzim i mbështetjes financiare, si parim i politikës kulturore publike, nuk e ka ndihmuar, por përkundrazi e ka dëmtuar kulturën dhe krijimtarinë letrare-artistike në tërësi dhe veçan për ata që kanë përfituar – meqë u ka dhënë përfituesve dhe në përgjithësi pjesëmarrësve iluzionin se mund të bëjnë diçka. Më mirë do të kish qenë sikur fondet t’u jepeshin më pak aplikantëve, por me kriterin që asnjë projekt të mos ndihmohej me, të themi, më pak se 8000 euro. Kjo mund t’ia hiqte nismës qeveritare vernikun propagandistik dhe do të linte shumë aplikantë të pakënaqur, por të paktën me 8000 euro edhe mund të realizosh diçka që mbetet, duke iu përkushtuar, të themi, me muaj.

E vërteta është se shumë nga aplikantët individualë për këto fonde, duke e ditur se me shumat që u jep Ministria e Kulturës nuk mund të bëjnë dot shumë, kërkojnë fonde edhe nga burime të tjera; çfarë është në thelb harxhim kohe që përndryshe duhej t’i kushtohej krijimit vetë, por edhe bën që projektet shpesh të dështojnë sepse skemat e financimit nuk funksionojnë dhe fondet publike të mbeten të patërhequra.

Projektet kulturore dhe artistike ambicioze, ose të tilla që të lënë gjurmë në jetën kulturore të qytetarëve, kërkojnë jo vetëm impenjim, talent dhe sakrificë nga krijuesit, por edhe shpenzime të mëdha; por nëse krijuesit binden se nuk kanë shpresë veçse për t’u ushqyer me thërrime nga institucionet, atëherë edhe do të detyrohen t’i ripërmasojnë ambiciet dhe të aplikojnë për gjëra të vogla, ndonjëherë edhe çikërrima. Kjo mbase do të ishte edhe një nga shkaqet pse kultura në Shqipëri sot është e ndarë përgjysmë midis kitsch-it kombëtarist populist dhe veprimtarive super-elitiste, shpesh të financuara nga jashtë, që nuk i interesojnë askujt veç organizatorëve të tyre.

Shembulli që solla me arkeologët në Lindjen e Mesme dhe fajin e tyre për shkatërrimin e artifakteve me vlerë të paçmuar po më kujton tani një shembull tjetër – atë të njërit prej atletëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ukrainasit Sergei Bubka, rekordmen botëror i kërcimit me shkop në stadium të hapur dhe të mbuluar, nga viti 1984 deri në vitin 2014. Bubka e theu rekordin botëror – të vetin – 35 herë; dhe veçanërisht, midis viteve 1991 dhe 1993 ia doli ta thyejë 14 herë.

E megjithatë, specialistët e fushës mendojnë se atleti ukrainas nuk arriti të realizojë maksimumin e kapacitetit të vet sportiv, për një arsye të thjeshtë: nuk deshi. Kontrata e sponsorizimit që kish nënshkruar me Nike, i siguronte gati 100,000 USD për çdo thyerje të re rekordi – çfarë edhe shpjegon pse Bubka zgjodhi që t’i përmirësonte rekordet e veta me jo më shumë 1-3 cm njëherësh. Ndoshta sikur Nike të bindej të paguante jo për rekord, por për centimetër, arritja sportive e Bubkës do të kish qenë tjetërlloj.

Shembujt nuk janë argumente, por ndoshta ndihmojnë për t’i parë financimet nga një perspektivë tjetër; aq më tepër tani që argumentet e mirëfillta nuk i dëgjon më kush.

1 Koment

  1. Dinjiteti specifik si ministri e kultures eshte shpikje e Rames, ne publik mbahen mend si e arsimit, kultures e sporteve, rinise e kjo pune u be pri ketu e shto atje, derisa Rama e tereziti t’i jape kultures nje dinjitet specifik.
    Ne Itali ministria ka nje emer jo te zakonshem per veshet tane, e te mirave dhe aktiviteteve kulturore dhe turizmit. Ne turizmin e kemi te ngjitur me ekonomine,tregtine e sipermarrjen.

    Keto prerje, ngjitje, shtesa, kalime na japin te kuptojme sesi konceptohet nje institucion. Keshtu Rama duket se i dha dinjitet te posaçem. Nga menyra sesi pershkruhet (dhe jam dakort) duket se kemi te bejme me ”ministrine e asistences sociale dhe turizmit”, gjithnje ne kuptimin kulturor.
    Pra, sapo zberthejme me çfare kemi te bejme, shohim se objektivat jane turizmi kulturor dhe asistenca sociale per njerezit e kultures.
    Dinjiteti specifik, si Ministri e Kultures, ne fakt eshte vetem nje gjethe fiku, sepse behet fjale per promovimin e turizmit dhe asistence sociale. Kultura si krijimtari e mirefillte ne kete mes nuk ekziston. Kemi nje pasuri kulturore apo te mira kulturore, kemi njerez qe merren me çeshtje kulturore, atehere le t’i mbajme me buke njerezit , nga njera ane se duhen mbajtur nga ana tjeter se duhen per turizmin kulturor.

    Pra, propozimi per te rritur fondet ne ta zeme 8 mije euro (e bejme edhe 10 mije, se ç’beri 8, çberi 10), ne fakt bie ndesh me ekzistencen e Ministrise, sepse fondet duhen per publicizimin e brand-it ”Made in Albania” dhe ça ngel, krundet, duhen per te çuar ne minimum pakenaqesite e krijuesve.
    Prandaj, mendoj se emertimi ”Ministria e Kultures” çon logjikisht ne keqkuptime, sepse te jep pershtypjen qe eshte me ne fund domen i kultures ne radhe te pare si krijimtari kulturore.

    Para ca kohesh po merresha me diçka dhe hasa ne nje projekt te fuqishem te soft-power nga ana e BE-se, diplomacia kulturore e paresia e kultures ne lidhjet mes njerezve, me Mogherinin qe leshonte me bindje broçkulla pas broçkullave, po qe gjithsesi ideja eshte se kultura trajtohej si mjet per diplomacine, turizmin dhe ekonomine, integrimin e me radhe. Normalisht si realist i pandrenqshem ne politiken e jashtme, qe njeh si vendimtar vetem kapacitetin per te projektuar hard power, por edhe dashamires i kultures, u interesova me teper dhe pashe qe tashme kultura ne vetvete nuk perben me interes europian, ne kuptim e elites europiane, ka nevoje per mirembajtes e promovues te kultures, te kulturave te ndryshme, por jo per krijues.

    Ne kete kuptim edhe vizioni i Rames per kulturen del me i qarte e menyra si funksionon kjo ministri.

    Ka pasur nje vizion e praktike gati dyshekullore te kultures dhe rolit te shtetit ne kulture qe pajtonte deri te diku te gjitha palet, krijues,iluministe,progresiste, demokrate,nacionaliste etj, dmth qe shteti duhet te investohet ne drejtim te ndihmes konkrete e shume serioze ne drejtim te talenteve te reja, por ja qe mesa duken bathen, keta e kane bitisur ne nivel kontinetal e mbase interkontinental, qe gjerat duhet te ndryshojne radikalisht tani e tutje, shteti me krijuesin ndahen ne menyre perfundimtare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin