TË FLASËSH APO TË THUASH (II)

Të flasësh në publik është akt, madje akt i pavarur nga çfarë thua; mund të vendosësh të flasësh ose të mos flasësh, sikurse mund të vendosësh edhe se çfarë të thuash. Liria e fjalës, si e drejtë njerëzore themelore, i mbulon të dyja këto, por pa ua rrafshuar diferencat mes tyre.

Kështu, nën regjimin totalitar, praktikisht kushdo kish të drejtën e fjalës, në kuptimin e së drejtës për të marrë fjalën në publik; por kjo nuk përkthehej gjë në të drejtën për të thënë lirisht diçka, pa rrezikuar ndëshkimin. Përkundrazi, e drejta për të marrë fjalën i bashkëlidhej nevojës së nënkuptuar për të folur pa thënë asgjë.

Të gjithë ne që e kemi jetuar atë periudhë, do ta mbajmë mend momentin kur, gjatë një mbledhjeje, na kërkohej që “të flisnim”; këtu të folurit i kundërvihej heshtjes, meqë heshtja në një kontekst ku duhej folur do të interpretohej sakaq si distancim, indiferencë ose edhe disidencë. Të merrje fjalën rregullisht në mbledhje konsiderohej si provë e qytetarisë së mirë dhe shtohej në karakteristikë.

Kush merrte fjalën, ishte pastaj i detyruar jo vetëm të thoshte gjëra të caktuara, duke iu referuar modeleve diskursive të gatshme; por edhe t’i thoshte këto në një mënyrë të caktuar. Çdo shmangie nga këto modele, qoftë ajo edhe e arsyeshme për kontekstin politik, do të shihej shtrembër – meqë do të interpretohej si shenjë e moskonformimit.

Për shembull, në një mbledhje kolektivi, ti mund të zotoheshe për të forcuar luftën kundër “shfaqjeve të huaja”, por jo për të siguruar “paqen në botë”; ky zotim i fundit nuk pritej, as kërkohej prej kujt që ta merrte; madje mund të tingëllonte “revizionist.”

Në thelb, marrja e fjalës në publik i shërbente konfirmimit të besnikërisë së qytetarit ndaj regjimit dhe riprodhimit të pushtetit.

Nuk kish ndonjë dallim të madh midis fjalës së individit, në një mbledhje kolektivi, dhe fjalës së kolektivit, që shprehej në letrat e hapura që i dërgoheshin KQ të PPSH ose ndonjë institucioni tjetër qendror.

Për shembull, ekipi i femrave të volejbollit të “Dinamos” do të solidarizohej, me një letër të hapur, me vendimet e Kongresit VII të PPSh-së; letër e cila do të botohej në disa organe të shtypit dhe do të lexohej në radio dhe në televizion.

Teksti i letrave të tilla nuk ishte veçse një kompilim formulaik citatesh dhe klishesh, ku rëndësi kish të ruhej jo vetëm konformimi me vijën politike të regjimit, por edhe konformimi me dogmat diskursive – që nga klishetë, te rregullsitë e tjera, të shprehura dhe të pashprehura, për emërtime, deklarata, premtime, zotime dhe përbetime.

Për shembull, një klishe si “Lart frymën revolucionare!”, ku ndajfolja lart merrte mbi vete edhe predikativitetin e foljes munguese (“ta mbajmë lart…”) nuk mund të parafrazohej me “Lart shpirtin revolucionar” – meqë kjo formë alternative gjithnjë do të ngrinte vetulla, sa kohë që autoritetet mund të tundoheshin të pyesnin se çfarë pikërisht nuk u pëlqye te “fryma”.

Ligjërimi totalitar përcaktonte jo vetëm se çfarë duhej thënë, por edhe si duhej thënë; meqë përmbajtja e ligjërimit gjithnjë kish më pak rëndësi se konformimi i tij me ligjërimet e mëparshme, nëpërmjet citacionalizmit, si formë të skajshme të intertekstualitetit.

Gjithë kjo praktikë kaq e kodifikuar e fjalës publike, ku edhe folësit edhe dëgjuesit nuk prisnin të merrnin ndonjë informacion të ri nga çfarë thuhej, por vetëm sa angazhoheshin në një praktikë performative rituale, e shndërronte diskursin publik në një formë ezoterike të ligjërimit formular, ku nuk shkëmbehej asgjë, por vetëm sa provohej besnikëria e individit (ose e kolektivit) ndaj regjimit.

Çfarë edhe e shndërronte pastaj fjalën në një version ligjërimor të temenasë.

Regjimi ishte i vetëdijshëm për këtë përçudnim të komunikimit, sa kohë që mbante aktive edhe forma të tjera, gjysmë publike, të shkëmbimit të informacionit mes institucioneve, autoritetit dhe masës – për shembull ankesat, letrat anonime, denoncimet, raportimet, raportet, mbledhjet me dyer të mbyllura e kështu me radhë.

Këtë dyzim të komunikimit mund ta shohësh edhe po të krahasosh se çfarë thuhej gjatë një mbledhjeje me natyrë pak a shumë formale dhe solemne, si Kongresi i PPSh-së; dhe një mbledhjeje të ngjashme, por me dyer të mbyllura, si Plenumi i KQ të Partisë; ose edhe një mbledhjeje kolektivi për të përshëndetur një event të tillë, dhe një mbledhjeje kolektivi për të kryqëzuar një kuadër që kish gabuar. E njëjta diferencë, por edhe më e spikatur, do të gjendej pastaj në raportimet për evente të tilla në mediat.

Kështu, në një mbledhje kolektivi ta zëmë të Uzinës “Enver” do të merrte pjesë edhe një anëtar i Byrosë Politike, bie fjala shoku Q.; në raportimin e nesërm për mbledhjen, në gazetën “Zëri i Popullit” do të thuhej, si rregull, se “në fund të takimit e mori fjalën edhe shoku Q.”

Kaq edhe do të mjaftonte; sepse edhe fjala e shokut Q. do të ishte po aq rutinë sa edhe e të tjerëve që kishin marrë fjalën në mbledhje; edhe shoku Q. do të përmendte ndonjë porosi të shokut Enver Hoxha dhe do të citonte nga ndonjë direktivë e Kongresit të PPSh; për të vazhduar pastaj me urdhrat dhe udhëzimet përkatëse – si të rritej rendimenti ose të forcohej vigjilenca, e kështu me radhë.

Kjo dukuri e klisheizimit progresiv të fjalës publike nuk është se ndeshet vetëm në regjimet totalitare, por edhe në të gjitha ato kontekste ku autoritetet ose elita kanë nevojë për mbështetjen e qytetarëve, por jo për kontributin ose mendjen e tyre.

Prandaj edhe sot qëllon rëndom që një udhëheqës i lartë i shtetit – p.sh. kryeministri ose Presidenti ose një ministër – të marrë pjesë në një tubim publik vetëm e vetëm që të shihet se ka marrë pjesë; dhe ta marrë fjalën vetëm e vetëm që të merret vesh se ka marrë fjalën. Akti i të folurit në publik mbetet edhe kështu i ndarë nga përmbajtja e fjalës; madje e ruan përparësinë ndaj kësaj të fundit.

Për ta ilustruar me një shembull të aktualitetit politik: që Dritan Hila shkoi dhe foli në çadrën e opozitës është trajtuar si më e rëndësishme të atyre që tha atje Dritan Hila; dhe jo vetëm sepse hyrja në çadër dhe vendimi për të folur atje ishin akt, ndërsa çfarë u tha pikërisht llafe; por sepse ne vazhdojmë të besojmë te performativiteti, sikurse vazhdojmë të besojmë se fjala në publik shërben për të vendosur, ruajtur dhe riprodhuar marrëdhënie të tjera, jo-diskursive; dhe se pushteti nuk është diçka që mund të negociohet me fjalë në publik, ose për të cilën mund të deliberohet.

Mbeturinë nga e djeshmja? Mundet që të jetë ashtu; por le të mos harrojmë se e djeshmja vetë ishte produkt edhe ajo i një tradite të fjalës publike, që i paraprinte totalitarizmit; sidomos i traditës autoritariste dhe nevojës që ka pasur gjithnjë paria për ta konfirmuar statusin e vet social në publik, pavarësisht nga idetë që e frymëzojnë ose nga çfarë kërkon të bëjë, në politikë dhe gjetiu.

Çfarë humbet, në këto rrethana, është oratoria e folësit, ose mundësia teorike që i jepet kujtdo, për t’i bindur të tjerët në lidhje me çfarë ai e mendon si të drejtë, si të nevojshme, si të vërtetë ose si të dëshirueshme. Madje edhe forma të reja të komunikimit publik, si ato që mundësohen nga rrjetet sociale (p.sh. Facebook-u), shumë shpejt kapen prej klisheve; dhe akti i të adresuarit të publikut nëpërmjet tyre fillon të diktojë dhe të disiplinojë se çfarë do të thuhet atje.

Natyrisht, kjo nuk është veçse një formë e re e censurës, ose e cenimit të lirisë së fjalës; jo duke e ndaluar atë, por duke e zbrazur atë nga përmbajtja, në emër të konsolidimit të aktit të së folurit; çfarë do të ishte edhe, në kushtet e “pluralizmit”, fundi i politikës, sa kohë që të gjithë do të kishin të njëjtat gjëra për të thënë (integrimi europian, pro-amerikanizmi, NATO-ja, nxitja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me fqinjët, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve) dhe i vetmi dallim do të ishte midis atyre që arrijnë ta marrin fjalën, dhe atyre të tjerëve që presin radhën.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin