KËMBË PREJ ARGJILI

Ndërsa po mëtoja të hidhja këto radhë, m’u bë e qartë se qysh nga viti i largët ’90 s’paskam lexuar për bé asnjë libër të realizmit-socialist. Dhe as kam ndërmend ta bëj këtë vitet që më kanë mbetur për të gjalluar. Dhe, ma do mendja, kjo i ndodh shumëkujt. Pasi realizmi-socialist ka vdekur, u bë kohë, realizmi-socialist lindi i vdekur e polli të tilla vepra, të vdekura, pa frymë, të stisura, pa asnjë shenjë jete të vërtetë.

Ndërsa para ’90-ës kam lexuar shumë vepra të tilla. Jo se më pëlqenin, apo se pas rënies së diktaturës paskam ndryshuar tërësisht shijet ose parapëlqesat, jo. Thjesht në atë kohë jo vetëm që isha më i ngeshëm dhe se na duhej t’i lexonim më së paku në shkollë, por edhe se në vepra të tilla mund të qëmtoje, kur e po të doje, arsyet e shkaqet e tua për të mos e dashur propagandën dhe ideologjinë e kohës.

»Njeriu i ri« që mëtonte të krijonte Partia – ide e huazuar kjo tjetërkund, si gjithë ideologjia marksiste e leniniste xhanëm – pa çka se në jetën reale nuk u bë i gjallë kurrë, përpos si kriminel e spiun, si kopje jo vetëm e dobët, por edhe e pamoralshme e modelit të tij abstrakt përplot me virtyte, »njeriu i ri« gjallonte për bukuri vetëm në artin e kohës, vepronte me forcë atje me drapër e çekan, me kazmë e me pushkë, dashurohej me vajza familjesh me biografi të mirë (dëshmorësh) apo nga ato që e kishin përkrahur luftën, flinte nëpër baza gjatë kësaj, luftës pra, dhe në banesa modeste pas saj, i rrinte mendja gjithë kohës ose te hallet e popullit, ose si t’ia ngrinte edhe ca rendimentin sidoqoftë tepër të lartë fabrikës ku punonte apo kooperativës ku korrte e shinte, ishte më së pari punëtor, proletar, trim dhe parimor, pastaj edhe fshatar, rrallë intelektual, ishte natyrisht i dhënë, i talentuar për ta lënë jetën për një ideal, për atdhe e parti, porse edhe goxha kënddrejtë, disi katror, me nofulla të prera e hundë me kockë – të paktën kështu jepej në tablotë e pafund në ekspozitat për 25 vjetorin e më vonë të çlirimit dhe në romanet e kohës.

Vetëm koha, Kronosi, ka tagrin dhe ngeshmërinë që të merret me të tilla kimera dhe ashtu ndodhi: a ka më lexues vallë – po të heqim këtu veteranët e parqeve, Hysni Milloshin dhe nostalgjikët e pandreqshëm, që janë shpesh e njëjta gjë – a ka ndonjë lexues akoma vallë, që ta dijë se kush kanë qenë e ç’kanë shkruar Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kolë Jakova, Loni Papa, Alfred Uçi, Fatmir Gjata e dhjetëra e dhjetëra emra të tjerë, që do të më hanin disa faqe këtu po t’i përmendja të tërë? Sa e tromaksur duhet të jetë një qenie e sotme njerëzore që të lexojë, bie fjala, »Para Agimit« në dy a tre vëllime, »Çlirimtarët«, »Në labirintet e modernizmit«, »Tri ngjyra të kohës«, »Këneta«, etj.?

Mirëpo, nuk ka shumë, një çerek shekulli e ca, e një letërsi e tillë konsiderohej jo vetëm e mirëshkruar, por nga më e mira e shkruar ndonjëherë anëve tona e më gjerë. Ndërsa gjëja më e mirë e shkruar ndonjëherë nga njeriu ishte romani »Nëna« i M. Gorkit.

Do të isha vërtet kureshtar nëse ky roman në kohët tona tërhiqet ende bibliotekave, jo nga studies e kritikë letërsie, por nga lexues normalë, madje do të vija një bast të madh që jo, që gjashtë muajt e fundit, më së paku, në të tërë botën, asnjë njeri i zakonshëm nuk e ka vrarë kohën që i është dhënë për të shfletuar këtë gjëmë. Dhe kur shënoj »gjëmë«, nuk e kam fjalën aspak për ideologjinë; jo, e kam fjalën për skematizmin e frikshëm dhe absurd të kësaj vepre, me të cilin mund të konkuronin veç ca blockbuster-a të Holliwood-it.

Dhe vërtet, nuk do të ishte e kotë një vënie pranë e pranë e »Iron Man«-it, (njeriut të hekurt), nga njëra anë, fjala vjen, dhe »Si u kalit çeliku«, nga ana tjetër. »Superman«-i dhe baba Stalini, Maoja, Enveri, etj. si personazhe artistikë kanë shumë më tepër të përbashkëta se ç’duket në një vështrim të parë: kriptoni i të parit është »e vërteta« e të dytëve, pasi ideologjia e realizmit-socialist pohon as më shumë e as më pak se të qenit në pronësi të një të vërtete fundore, diçkaje ultimative, vezës së Kolombit dhe gurit filozofal në një. Pikërisht ky pozicionim ndaj historisë, njeriut, klasave, shkencës e me radhë, i jep realizmit-socialist një hije të patjetërsueshme prej comic-u, prej mëshimi absolut, prej një universi paralel me këtë tonin, që i ngjan këtij ku jetojmë ne vetëm për nga butaforia, porse heronjtë i ka kryekëput nga zonat mitologjike të një bote tjetër, të sajuar, në mos të sëmurë, prej jermi. I njëjti teprim vihet re pa asnjë mundim në artin e paçartur të një soc.-i tjetër, të nacional-socializmit, që është, me pak nuanca, e njëjta gjë si realizmi-socialist; hiq kryqin e thyer e vër ndonjë copë yll a ndonjë çekan dhe dilet po aty: në asgjëkund, në fiksion të pastër e të frikshëm, që ishte dhe qenkësh problemi.

Të frikshëm, sepse asokohe ky lloj arti e ndikonte jetën e përditshme së prapthi: modelet në jetë e në të folur merreshin nga ky i pari, ndërkohë që arti jepte një version të sublimuar keq të kësaj. Një art i këtillë mund të mbahej në këmbë vetëm duke manipuluar njëkohësisht dhe publikun e tij, duke mbajtur në këmbë me gjilpëra shtetërore e propagandistike një makineri të tërë, një butafori të tërë. Në këtë kuptim, ai ishte një gjigant me këmbë prej argjile.

Me t’iu zbutur këmbët e me të rënë këto, strukturat artificiale të leximit, vlerësimit dhe inkurajimit, me të rënë jeta e ndërtuar kinse sipas modeleve artistike e këto sipas një jete kinse reale, ndonëse qeniet që e popullonin kishin më shumë të përbashkëta me të ashtuquajturit »reptiloidë« në ca teori radikale konspirative (mjaft të lexuara e të komentuara në Tiranën e kohës sonë, kam dëgjuar); me t’iu thyer këmbët pra gjigantit e me t’u shembur ky përdhe nga pesha e vet, ra vetvetiu edhe nevoja për ta analizuar apo kundruar këtë, parë që kundrimi i tij tani si ç’duhej ishte sidoqoftë thuajse vetiu i pamundur. Kimera të tilla mund të gjallojnë vetëm në bllok, vetëm në bashkëqenie me sistemin që i prodhon e kur ky bie, nuk është as e nevojshme më të merresh me to, pasi ato kanë marrë në qafë veten me ta bërë këtë.

Në këtë kuptim, ky shkrim është i tepërt. Pasi realizmi-socialist jo vetëm që ka vdekur, por nuk i dihet as nami e as nishani, nuk dihet se ku është varrosur. E as nuk i intereson më kujt kjo. As vendvarrimi i tij. Aq sa do të mund t’i interesonte se ku gjendet e varrosur ndonjë kërmë e kësaj bote, ajo e E. Hoxhës, për shembull. Mua jo njëherë, jo në këtë jetë, jo në këtë botë. Jo më.

5 Komente

  1. I nderuar zoteri, shume falemnderit, me dhe kenqaesine e te qenit dakord pa sforcime, pra edhe nje here falemnderit.

    Po te hedh nje sfide te vockel, provo ta botosh ne ndonje nga gazetat e Tiranes, psh Tema, apo Dita dhe pastaj ndonje dite kur kushedi per cfare arsye mazokiste do te te kete marre malli te shahesh me rrenje e me dege, lexo komentet.

    1. Faleminderit për fjalët e mira – ndërsa për të sharën me rrënjë e me degë; do dalë nesër, pasnesër, te revista “Saras”, oniline, një version i zgjeruar i këtij shkrimi.
      Për fat të mirë, gjëja është në PDF e nuk pranon komente; për fat edhe më të mirë akoma, unë kam vendosur të shkruaj me akronim, kështu që mund të më shajnë, por jo me rrënjë e degë dhe sipërfaqja e sulmit kur i kanosesh një gjysmë të panjohuri është po aq e hollë sa edhe tehu i thikës; zëre se do flasin me vete e mund edhe të priten.

      Sidoqoftë, hundët më hanë për ndonjë sherr të mundshëm me ndonjë nga këta nostalgjikët, vetëm se këta të mbaruarit janë zakonisht edhe gjysmë analfabetë, – ose dhe harbutë, nëse bëhet fjalë për këta të tjerët, të palës së egër demokrate, hordhive të malësorëve – kupto: gotëve – që na pru Berisha poshtë nga zonat e ftohta ku ha pula gur.

      Me një fjalë, gjasat janë të pakta që unë të rrihem më dikë atyre anëve për çështje ideologjie a letërsie. Nuk di njeriu i gjorë se ç’të thotë këtu: shyqyr a gjynah…

  2. Përshëndetje Arb Elo,

    mirë që e hape këtë diskutim. Për të hequr që në fillim çdo dyshim, unë nuk kam asnjë nostalgji për atë kohë dhe jam shumë i lumtur, që ajo epokë u përmbys.

    Megjithatë nuk jam dakord me radikalizmin se si i je qasur problemit. Ke ngatërruar pa dashje ndoshta qepët me hudhrat. Një gjë ishte një diktatura dhe një gjë tjetër është arti dhe veçanërisht letërsia e krijuar në atë kohë. Për mendimin ta marrësh dhe ta hedhësh në plehra letërsinë shqiptare të realizmit historik mund të jetë një veprim prej djaloshi revolucionar, i kryer në afekt e sipër, por ndonjë nevojë shkencore apo historike nuk më duket se ka, madje përkundrazi.

    Letërsia e realizmit socialist shqiptar është e vetmja formë kompakte dhe afatgjatë e letërsisë shqiptare, e cila në mënyrë gjithëpërfshirëse shoqëroi një ndër proceset më të rëndësishme të krijimit të shoqërisë shqiptare në formën të cilën ne e njohim atë sot, dhe do ta njohim ende edhe për shumë kohë. Po të mbahet parasysh se ajo letërsi nuk pati gjë një paraardhëse të sajën, qoftë edhe në kuptimin kronologjik të fjalës, ajo mbetet e vetmja e tillë, e cila ndikoi drejtpërdrejtë në krijimin e njeriut të ri shqiptar, dhe më këtë “njeriun e ri” nuk kam gjë parasysh atë që synonte propaganda e ideologjisë në pushtet, por atë njeriun e ri konkret, i cili ndryshonte nga paraardhësi i menjëhershëm historik i tij, ai osman, apo post-osman, që ishte palexuar dhe i pashkolluar.

    Parë thjeshtë, nëse do të kuptosh Shqipërinë dhe shqiptarin sot, në fillim duhet të kuptosh Shqipërinë dhe shqiptarin e djeshëm. Do të kuptosh Shqipërinë dhe shqiptarin e djeshëm, do të duhet t’ju kthehesh burimeve të kohës, fillimisht të ndërgjegjësohesh për nevojën dhe më pas të aftësohesh që të vjelësh atë “sekondare” në atë histori. Pra, duke kapërcyer mesazhin e parë primar, që ajo letërsi duhej të komunikonte për arsye zyrtare, të fokusohesh në rrafshet e dyta apo edhe të treta narrative të saj, për të takuar paraardhësin tënd në fqinjësinë historike më të afërme. Nga ajo letërsi, e cila u krijua me bollëk, ka jashtëzakonisht shumë material për të ri-konstruktuar struktura të harrura për brezin tonë, që e jetuam atë periudhë si të rinj apo të pjekur, por edhe për brezin e mëvonshëm. Në këtë kuptim për mendimin tim letërsia e realizmit socialist socialist shqiptar do të duhej të ishte një minierë ari për studime ndërdisiplinore në fushën e kulturës dhe të historisë së Shqipërisë.

    Edhe unë nuk besoj se dikush në Shqipëri është i interesuar vërtetë t’i qaset në këtë formë asaj pasurie kulturore dhe se studime të tilla do të jenë më tepër sporadike, të parrjetëzuara akademikisht me njëra tjetrën, dhe do të ekzistojnë vetëm si fragmente kockash të një dinozauri, prej nga ku duke spekuluar gjithkush do të ngrejë një skelet të vetin për ta besuar si modeli i vetëm i mundshëm.

    Tani, jo se jam më i mençur se ty, ngaqë një vit më parë edhe unë mund t’i ndaja ato gjykime të shprehura në shkrimin tënd, por në këtë vitin e fundit, për arsye krejt personale dhe “pa lidhje” unë ju ktheva letërsisë shqiptare të realizmit socialist, dhe mbeta me nofullën e poshtme të varur poshtë nga habia. Wowww!

    Domethënë, jo shumë ndryshe nga ty, edhe unë në rininë time kisha lexuar çdo gjë që më binte në dorë, pushimet verore në shkollë ishin 90 ditë të gjata, gjë tjetër veç se të lexoja, nuk kisha se çfarë të bëja, deri sa erdhi dita dikur, tashmë më larg se një çerek shekulli më herët, për të ikur e mos e kthyer më kokën mbrapa. Lexova edhe më pas çdo gjë, me përjashtim të letërsisë shqiptare të pas ’90, ngaqë disa tentativa që ndërmora, rashë dhe theva për pak qafën (kush e ka lexuar “Darkën e gabuar” të IK, e di se për çfarë e kam fjalën), dhe një ditë, një ditë shumë të gjatë dhe pa asnjë atraksion, duke qëndruar në bibloteken e shtëpisë në Tiranë, pa asnjë plan, pa asnjë dëshirë për të vajtur përsëri tek “Sofra e Ariut”, i gjej përsëri ata libra atje, siç i kisha lënë herën e fundit, ngjitur njëri me tjetrin, (për fat në shtëpi i ndanim përkthimet nga letërsia shqipe) dhe zgjas dorën dhe tërheq njërin prej tyre, të cilin e kisha lexuar vite më parë dy herë (va bene, confesso…). As më pak e as më shumë se: “Nën harqet e zjarrta” të Skifter Këlliçit, romani i vetëm kinez shqiptar, roman i cili për nga skematizmi dhe klishetë të lë vërtetë pa frymë, roman, që për nga dramatika që ka pësuar autori kur e ka shkruar dhe që e realizon kur je duke e lexuar, përjeton të një përzierje hormonale që shoqërojnë tmerrin, të ngjashme me atë që të ndodh edhe kur lexon 1984.

    Po të më pyesnin mua do të thosha që ai roman është më i arrirë i realizmit socialist shqiptar. Kur njerëzit e familjes, pasi u ktheva në këtë botën time, prej të cilëve askush nuk flet e kupton shqip, filluan të më shikonin me dyshim, se ç’më kishte gjetur me atë libër të ngrirë ne dorë e më sy të ngulur në të, dikur u bënë bashkë për të më kërkuar shpjegim për këtë lloj izolacionizmi letrar eklatant, e vetmja gjë që munda t’u thoja ishte se bëhej fjalë për ndoshta romanin e vetëm të shkruar ndonjëherë, ku autorit i kanë mbajtur, ndërsa ky shkruante çdo rresht të tijin, një pistoletë të mbushur dhe pa siguresë të puthitur në tëmth të kokës.

    Edhe një herë Skëfter Këlliçi, “Nën harqet e zjarrta”.

    Literatura e realizmit socialist shqiptar ka edhe ajo zhvillimin e vet historik, se ky romani kinez i mësipërm është shkruar dikur në fund të epokës, kur shpresës i kishte ardhur fundit, por ka edhe një të tillë, e cila në fillimet e veta të ofron një përshtypje të drejtpërdrejtë dhe të freskët të kohës, se cilës i referohet. Sikur të më ndodhte mua, që për një arsye, apo një tjetër do të të më duhej të rija ca kohë në burg, do ta vazhdoja me “Buzë liqenit” të Sterio Spase, të cilit vetëm nga emri i duhet lexuar të paktën një roman. Edhe këtë e fillova me një entuziazëm të paparë, dhe t’ju them të vërtetën më surprizoi. Klishetë janë natyrisht eklatante, por kur fillon dhe ndjek ato linjat sekondare, marrëdhëniet private midis anëtarëve të një familjeje, e cila nuk gjendet momentalisht gjë në barrikadat e luftës së urdhëruar të klasave, shikon një botë tjetër, e cila është dhe nuk është e ytja. Takon paraardhës direkt të familjes tënde, të cilët nuk i ke parë kurrë, ngaqë kur ke lindur ti, ata kishin vdekur prej kohësh. Mëson se si gjykojnë ata për shartimin e një mollë, për mbathjen e një kali me patkonj, për pasionet e tyre të ndrydhura, dhe pse jo, edhe për moralin seksual. Natyrisht, janë detajet ato që e bëjnë atë letërsi me vlerë të njëhershme historike dhe kulturore. Në këtë kuptim, mos i hidhni ato libra.

    Letërsia e realizmit socialist shqiptar tashmë është ajo pjesë e pasurisë kulturore shqiptare, të cilës lexuesi i ri nuk mund t’i qaset spontanisht, apo edhe për snob. Ajo kërkon një bagazh kulturor të caktuar dhe veçanërisht aftësi për të analizuar në mënyrë kritike, për pyetur, për të këmbëngulur për të gjetur përgjigje. Ajo nuk ka qenë dhe nuk është letërsi argëtuese, nuk mund të keqkuptohet dot për “belletristik”, por është një instrument për njohjen e një epoke të shkuar e cila na ndikon me hir apo pahir drejtpërsëdrejti ende në mënyrën se si jemi.

    1. Pifto: “Një gjë është diktatura e tjetër gjë është arti dhe veçanërisht letërsia e krijuar në atë kohë” – shkruani.

      Nuk e shoh kështu, nuk e shoh fare ashtu, mirëpo, për të shtjelluar pse nuk e shoh ashtu, do të më duheshin të paktën nja 50 faqe e kjo do të ishte vetëm hyrja.

      Tani, unë studiues letërsie nuk jam ( e as nuk po dua të jem – kam zanat më të këndshëm se ky dhe gjëra më të mira për të bërë se ta kaloj jetën time me Mark Dodanin, bie fjala) dhe nuk duhet harruar se po shkruajmë në një blog paksa elitar, por të hapur, e jo në ndonjë anual të degës së semiotikës apo të cinizmit të stërhollë.

      Dua të them me këtë, pa çka se unë e kuptoj – apo më bëhet sikur e kuptoj ironinë tuaj me “harqet e zjarrta” a si e paska ai libri – se ku e keni fjalën, pa çka se unë në shtëpinë time mund të dëgjoj thrash metal apo të rri lakuriq, bie fjala, kjo nuk do të thotë se duhet të shkoj në opera i veshur me kostumin përkatës të thrash metal-it a i zhveshur fare, me çizme e xhaketë lëkure apo cullak.

      Dua të them se ju ngatërroni subjektivitetin personal me objektivitetin publik dhe seriozitetin minimal që i duhet një publikimi – ju i pari do të më kishit bërë copë, nëse unë do të kisha jo vetëm shkruar atë që shkruani ju dhe mëtoni se duhej ta kisha shkruar unë, pale ta publikoja këtu. Dyshoj se edhe i zoti i blogut do ta kalonte një shkrim të tillë – me shumë të drejtë, duhet shtuar.

      Për të mos folur për atë që nuk do të na merrte askush më seriozisht pastaj. Mu si autorët e librat që përmendni ju, – se nuk po dua ta besoj që nuk e paskeni me humor komentin – por edhe nuk do habitesha nga ana tjetër. Ju nuk ju njoh për t’ju gjykuar e nuk kam as pse, se një koment është e përsa kohë nuk shahet e ofendohet kush, nuk ka asgjë të keqe, por ka edhe tipa të çuditshëm sa të duash vërdallë (nuk ka të bëjë me ju kjo tani). Vështirë sot të çuditësh njeri, vërtet.

      Megjithatë: blogu ja ky është: uluni e shkruani atë që paskëshit patur ndërmend të shkruanit vjet, atë që do të mundnit, por s’e paskëshit bërë, pasi ky problemi i potencës më së shumti nënkuptohet e pak vihet në jetë: qëndisni ju ndonjë shkrim e të komentojmë ne pastaj, pasi, pa çka se komenti juaj është goxha i gjatë, tjetër gjë është ky e tjetër gjë një shkrim. Pa ironi kjo. Me të mira.

  3. Shkrimi me kujtoi ca tregime koreano-veriore, apo kineze! ArbElo revolucionari i ri qe perbuz, shqelmon dhe permbys te gjithe boten e vjeter! Edhe vete e ashtuquajtura letersi e realizmit socialist shqiptar nuk ishte kaq revolucionare sa ky shkrim! Kishte ne ‘te edhe perkujdesje, falje, dashuri, cfar nuk ishin ato kryesoret ne ate sistem “revolucionar”. Kishte sa e sa vepra (tregime, novela, romane) qe vertiteshin rreth botes se njeriut apolitik, si “Rusha” e Gjergj Zhejit, “Kthesa te forta” te Razi Brahimit, “Me valet e jetes” se Vedad Kokones, “Qyteti i fundit” i Petro Markos, e sa e sa te tjera me qindra mund te permend, midis te cilave edhe disa nga I.Kadare dhe D. Agolli, pa permendur pastaj librat me tregime, ne te cilat gjejme mes disa pak tregimeve socialiste, shume tregime me ngjarje njerezore, qe pak kishin te benin me sistemin; pa llogaritur librat me poezi, qe kishin sa e sa poezi per dashurine, per vendin, per njerezit, ndersa ato per partine ishin me gishta; pa llogaritur letersine fantastiko-shk. e cila rralle prekte sistemin socialist; ketu edhe romani me i politizuar “Njeriu gjigand” i Skender Drinit” merret me Ameriken e ardhme; apo dhe librat me diversante merreshin me shume me aksione, se sa me fraza boshe per partine dhe socializmin; apo librat e femijve si “Shpella e piratve” e P. Markos, ose “Kalamajte e pallatit tim” e Bedri Dedes, etj., as qe merreshin me probleme politike. E pa permendur pastaj mijra libra te perkthyer nga letersite e huaja, fillo me ate franceze e deri ate amerikane, qe ishin shkruar gjate shek. 19 e me pare. Do thoja se edhe “Tri ngjyrat e kohes” e Ali Abdihoxhes, apo sidomos “Keneta” e Fatmir Gjates, panvarsisht se denigrojne disa intelektuale me emer te kohes, pra se prape mbeten vepra me ngerthim te paarrire artistik. Vete “Epopeja e Baliit Kombetar” e Shqefqet Musarajt, panvarsisht se nuk tregon 100% realitetin e asaj kohe, mbetet sugjestionuese dhe pjeserisht e vertete, sepse ato qe ne lexojme per shqiptaret e asaj kohe, fare qarte i shikojme sot te ndodhin me shqiptaret. Sot, njerez me flamurin shqiptar ne dore dhe bertitje kundra komunizmit, korruptojne ose korruptohen per hir te xhepit te tyre, per hir te nje biznesi privat, per hir te nje posti te caktuar, nje donatimi fonanciar te caktuar, etj. Pra, ajo letersi permbante ne vetvete me shume konstruktivin se sa destruktivin, ndaj dhe mbijetoi dhe vazhdon te mbijetoje akoma; nje pjese e saj natyrisht qe eshte harruar, por nje pjese e saj do te vazhdoj edhe ne te ardhmen te jetoje. Duam apo s’duam ne! Mendoj qe shkrimi i mesiperm eshte bere ose nga inati i pergjithshem ndaj sistemit qe lame, keshtu ngaterrohet keku dhe byreku, duke i meshuar padashur destruktivitetit, ose shkrimi i hap rrugen nje pozicionimi qe afron donatime financiare dhe postesh, ose eshte nje loje per perfitime te tjera. Mbi te gjitha shkrimi mbetet opinion i pergjithshem; dhe opinione ka te drejte te shfaqi kushdo.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin