EMRI I VJETËR SHQIP PËR SLLAVËT

Etnonimi shqa, të cilin shqipja (kryesisht gegërishtja) e përdor sot e kësaj dite për t’iu referuar fqinjëve sllavë, por që është i mbarë gjuhës, është një nga fjalët historikisht më intriguese të shqipes, së cilës gjuhëtari dhe filologu Bardhyl Demiraj i ka kushtuar një studim të mëvetësishëm dhe shterues, Shqau ndër shqiptarë, brenda një monografie ku merret gjerësisht edhe me çështje të tjera të ndërlidhura (Shqiptar dhe shqa, Histori popujsh përmes dy emrave etnikë, Naimi, 2014).

Demiraj, i cili e ka analizuar me hollësi të madhe fjalën shqa si në përhapjen e saj dialektore të sotme, ashtu edhe në histori, përfshi këtu edhe daljet e saj në tekste të vjetra të shqipes, ka dalluar këto kuptime të saj, të cilat po i sjell më poshtë të thjeshtuara:

  1. Emër përmbledhës për fqinjët sllavë të jugut dhe sllavishtfolësit (serbët, malazezët, sllavo-maqedonët, bullgarët).
  2. Emërtim popullor për këdo që i përket ortodoksisë sllave, pavarësisht nga identiteti gjuhësor dhe etnik.
  3. Në arbërorët e Greqisë (arvanitët), emër për një person a grup njerëzish të bashkësisë etno-gjuhësore greke (me këtë lidhet edhe shklerisht, “greqisht”).
  4. Në arbëreshët e Italisë së Jugut, atribut për një person “të huaj”, ose që nuk i përket bashkësisë gjuhësore arbëreshe.

Etimologjikisht, vëren B. Demiraj, këtë fjalë e nxjerrin si të rrjedhur ose nga latinishtja mesjetare sclavus[1], ose nga greqishtja bizantine σκλάβος, e cila lidhet, në analizë të fundit me proto-sllavishten *slověninŭ.

Shtoj se për etimologjinë e latinishtes mesjetare sclavus nuk ka ndonjë konsensus, edhe pse shumë gjuhëtarë e lidhin me emrin e lashtë të sllavëve (në sllavishten e vjetër kishtare словѣнинъ, словѣне), meqë këta i kapnin dhe i përdornin masivisht si “skllevër” në Mesjetën e Hershme.

Kujtoj edhe se latinishtja klasike kishte tjetër fjalë për skllavin: servus (gjithashtu, mancipium).[2]

Latinishtja sclavus me kuptimin “sllav” (por jo me kuptimin “rob, skllav”) dëshmohet për herë të parë dikur në vitet 800; ndërsa greqishtja σκλάβος dikur nga fundi i viteve 500.[3] Kuptimi tjetër, “skllav”, është zhvilluar më vonë.[4]

Mes dy etimologjive të mundshme të fjalës shqipe, B. Demiraj anon nga ajo e latinishtes ballkanike, meqë sclavus ka dhënë fjalë të ngjashme edhe në gjuhë të tjera romane të Ballkanit – si rumanishtja șcheau/șchiau, me të njëjtin kuptim si shqipja shqa.

Ai autor e argumenton zgjedhjen e vet duke përmendur fjalë si shkinë (tosk. shqirë), të cilat nuk mund të kenë rrjedhur veçse nga një formë e latinishtes mesjetare *sclavina; në një kohë që disa karakteristika fonetike, si metafonia a/e (shqa/shqe), rotacizmi (shkinë/shkirë), “bëjnë të zbresim pa vështirësi në fazën e fundit të ndikimit latin në shqipe, pikërisht në një periudhë aty rreth shek. VI-VII, kur këto dukuri vepronin rregullisht në mbarë gjuhën (metafonia) përkatësisht në njërin dialekt të saj (rotacizmi).”

Gjithnjë sipas B. Demirajt, kjo përkon me kohën kur tributë e sllavëve të jugut depërtuan, u dyndën dhe u vendosën në Ballkan.

Por këtu del një problem: nëse fjala shqa ka hyrë në shqipe gjatë një periudhe aty rreth shek. VI-VII, kjo të paktën bie ndesh me faktin që sclavus në latinishte duket se dëshmohet më vonë se aq; dhe po të jetë i mirëqenë datimi i saj rreth viteve 800 (të cilin unë me intuitë e dyshoj), kjo e problematizon edhe metafoninë (shqa/shqe), edhe rotacizmin (që ndeshet në fjalë si Shkjeni/Shqeri edhe si emra vendesh ose shqenisht (shkenisht)/shqerisht (shklerisht), të gjitha këto të dëshmuara gjerësisht, siç e provon B. Demiraj në studimin e lartcituar[5]), sepse në atë kohë këto dy procese fonetike nuk besohet se vepronin më në shqipe.

Një zgjidhje do të ishte të pranonim se latinishtja ballkanike sclavum ka qenë përdorur, të paktën në Ballkan, 2-3 shekuj më herët se koha kur shfaqet për herë të parë në tekstet në Perëndim.

Ashtu mund të ndërtohet kjo kronologji: (1) fiset sllave shfaqen në Ballkan në shekullin VI; (2) emri me të cilin ato quajnë veten përfundon si σκλάβος në greqishten e asaj kohe dhe si sclavus (edhe) në latinishten ballkanike[6]; (3) dhe nga një prej këtyre dy gjuhëve kalon pastaj në shqipen[7] shqa, para se te kjo e fundit të përfundonte së vepruari metafonia dhe rotacizmi.[8]

Dhe meqë këto dy procese zakonisht i konsiderojnë si të përfunduara njëkohësisht me fillimin e kontakteve të shqipes me sllavishten (si bullgarishte dhe si serbishte), atëherë dritarja se kur mund të ketë ndodhur huazimi i shqa në shqipe ngushtohet aq shumë, sa të kërkojë rishikim edhe jo doemos kundërshtim të hipotezës së prejardhjes së fjalës qoftë nga latinishtja sclavus, qoftë nga greqishtja σκλάβος.

Për ta thënë ndryshe: një fjalë si shqa, që rrjedh, në thelb, nga etnonim vetjak i sllavëve të Jugut i ndërmjetësuar nga ekzonimi përkatës në gjuhët josllave të Ballkanit të Mesjetës së hershme, vështirë se mund të ketë hyrë në shqipe dhe pastaj të ketë pasur kohën e nevojshme për t’iu nënshtruar disa proceseve fonetike specifike të cilat besohet se kanë ndalur pasi shqipja dhe sllavishtja erdhën në kontakt mes tyre.[9]

Një hipotezë alternative, në këtë rast, do të ishte mundësia që shqipja ta ketë marrë fjalën shqa nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me fiset sllave, në momentin kur këto po zbrisnin në Ballkan – ose nga një rrënjë e ndërtuar si *slověninŭ. Mirëpo këtë hipotezë e rrëzon, të paktën pjesërisht, fakti që grupi nistor sl, në shqipe, të paktën në fjalët e trashëguara, ka dhënë rregullisht ll[10].

Nga ana tjetër, format me të cilat shfaqet fjala shqa në disa dialekte (sipas dëshmive të cituara prej B. Demirajt, në arbërishten e Greqisë, shkla shumës shkle; dhe në arbërishten e Italisë, shklan) e konfirmojnë që forma e vjetër e fjalës shqa ka pasur një skl– nistore, e cila sërish na shpie tek fjalët e latinishtes dhe të greqishtes.

Këtu duhet vërejtur edhe se latinishten sclavus e sjellin të ardhur nga greqishtja σκλάβος; por të dyja këto vijnë, me gjasë, nga një më e hershme sclaveni në latinishte dhe σκλάβηνοι (sklavenoi) në greqishte, emri i një fisi sllavësh të jugut që u dynd në Ballkan në Mesjetën e Hershme; dhe që quhen kështu nga autorë bashkëkohës, si Prokopi (shekulli VI) dhe Jordani (ky i fundit, një burokrat romak, gjithashtu i shekullit VI). Sipas këtyre dy historianëve, sklavenët, së bashku me fise të tjera, u dyndën në Thrakë dhe në Iliri në vitet 549 dhe 550.

Si te sclavus (σκλάβος), ashtu edhe te sclaveni (σκλάβηνοι), ajo k-ja epentetike midis s-së dhe l-së së origjinalit të supozuar *slověninŭ, është shtuar për të lehtësuar shqiptimin e një grupi bashkëtingëllor që, për greqisht-folësit dhe latinisht-folësit e kohës do të kish qenë përndryshe i vështirë për t’u nyjëtuar (sl-). Ndeshen edhe forma me një θ (th) në vend të k-së, si Σθλαβηνοί/Sthlauenoi. Në këtë mes, duhet mbajtur parasysh edhe se askush nuk e di si e shqiptonin tamam sllavët vetë këtë sl- nistore.

Le të supozojmë, pra, se sllavët shfaqen në Ballkan dikur në shekujt V-VI, aty marrin edhe një emër sipas emrit që përdornin për veten, por që do të nisë me /skl-/, qoftë në greqishte qoftë në latinishte; dhe pastaj i njëjti emër hyn edhe në shqipe, por gjithsesi para shekujve VII-VIII, për arsyet fonetike që sqaruam më lart.

Nga sa pamë gjithashtu më lart, ajo -k- nuk ka gjasa të jetë shtuar brenda shqipes; është e greqishtes dhe e latinishtes.

Mund të spekulojmë dhe të themi se emri i këtyre fiseve është përdorur më parë nga shtresat e mesme qytetare dhe elitat kulturore përkatëse në Ballkan, të cilat ndiheshin të parat të kërcënuara nga dyndjet barbare dhe i mbanin fiset e ardhura, si të thuash, në fokus.

Dhe kur vjen puna për këto elita, sidomos në Ballkanin Perëndimor, dallimi përkatësisht mes greqisht-folësve dhe latinisht-folësve elitarë, latinisht-folësve elitarë dhe latinisht-folësve vulgarë, dhe latinisht-folësve vulgarë e shqip-folësve nuk ka ngritur shumë peshë, të paktën në epokën e shpërbërjes së sundimit romak në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.

Prandaj unë do të anoja nga hipoteza e mëposhtme: fjala shqa, me formën që ka marrë dhe historinë fonetike që mund t’i rindërtohet, do të ketë hyrë në shqipe brenda një mjedisi gjuhësor të përzier, ku shqip-folësit dhe latinisht-folësit vulgarë jetonin së bashku; i njëjti mjedis të cilit shqipja ia detyron edhe numrin e madh të huazimeve latine që i ka sot e kësaj dite.

Kështu ndoshta mund ta shpjegojmë më lehtë pse forma me skl- u përdor në shqipe aq herët, sa t’u nënshtrohej proceseve fonetike të cilat pastaj pushuan së vepruari, kur nisën kontaktet shqiptaro-sllave; meqë shqipfolësit e bënë të tyren menjëherë pas latinisht-folësve, me të cilët bashkëjetonin. Kështu mund ta shpjegojmë edhe ngjashmërinë aq të madhe të fjalës shqa në shqipe me fjalën përgjegjëse të rumanishtes – duke e përfshirë në ato fjalë që dëshmojnë kontaktin e ngushtë mes stërgjyshërve të shqiptarëve të sotëm dhe stërgjyshërve të rumunëve të sotëm, para vendosjes së sllavëve në Ballkan.

[1] Këtu duhet shënuar se shqipja e ka huazuar edhe një herë tjetër, shumë më vonë, këtë fjalë në trajtën skllav. Për nga forma, skllav nuk shpjegohet lehtë – më një anë, ruajtja e grupit sk-, ose mos-shndërrimi i tij në shk- flet për moshë të re të huazimit; por nga ana tjetër duhet shpjeguar velarizimi i l-së në ll; sikurse duhet shpjeguar vetë pania e kësaj l-je, në një kohë që ajo ka rënë, bie fjala në italishte: schiavo. Kështu në vështrim të parë, vjen në vështrim rumanishtja sclav dhe gjermanishtja Sklave, çfarë sugjeron një huazim jo nga latinishtja mesjetare, por pas gjase të llojit dituror, në periudhën e Rilindjes; ndërkohë që forma vetë mund të jetë edhe një rindërtim i llojit “etimologjik” (por sërish mbetet i pashpjegueshëm për mua velarizimi i l-së). Një huazim dituror fonetikisht i ngjashëm, si sklerozë, nuk e ka pësuar këtë ndryshim, ndoshta ngaqë ka hyrë vonë; por duhet pranuar se grupet nistore skl-/skll- në shqipen e sotme janë relativisht të rralla. Ndërkohë, edhe sjellja gramatikore e fjalës në shqipe kërkon shpjegim, sa i përket shumësit: skllevër, ku ndeshet metafonia a:e, edhe pse fjala pa dyshim ka hyrë shumë më vonë se koha kur metafonia në shqipe ende vepronte; por edhe një prapashtesë shumësi disi arkaike, si -ër. Për nga modeli, shumësi skllevër i përket grupit deshër, etër, kunetër, cjepër, lebër, shtretër; edhe pse kjo përkatësi nuk ka të bëjë me historinë e saj, por i detyrohet analogjisë. Për t’u shënuar këtu se një fjalë si sllav, që ka hyrë në shqipe pas gjase më herët se skllav, nuk u është nënshtruar të tillave shndërrime analogjike (edhe pse nga huazimet diturore të dy shekujve të fundit, ka edhe të tjera që nuk shpjegohen dot menjëherë nga ana fonetike, si ato të tipit universitet, deputet, dinjitet, etj. ose kushtetutë, ministrí etj.). Për t’u shënuar gjithashtu se tek autorët e vjetër të Veriut, me sa më rezulton, përdoret me këtë kuptim fjala rob. Në studimin e cituar, B. Demiraj përmend disa përdorime, më shumë periferike dhe dialektore, të fjalës shqa me kuptimin “rob, shërbëtor, skllav” (si në proverbin “më mundo si shkjanë, më duaj si vëllanë”, që ia thotë kali të zotit dhe që del te Leotti; por me të drejtë ai autor e merr me rezervë këtë kuptim të fjalës, përndryshe krejt të rrallë). Në përgjithësi, nuk duket të ketë ndonjë provë bindëse që fjala latine mesjetare sclavus të ketë hyrë në shqipen mesjetare dhe të jetë ruajtur atje me kuptimin “skllav”; dhe aq më pak që fjala shqa të ketë pasur ndonjëherë kuptimin “skllav”, të cilin e mori në rrethana historike shumë specifike dhe gjithsesi larg trojeve të shqipes.

[2] Jashtë teme, por me rëndësi: kronologjikisht, etnonimi i sllavëve (që sot del si slave, Slawe, eslavo, slavo etj. në gjuhë të ndryshme europiane) i paraprin fjalës sclavus dhe formave që mori kjo në ato gjuhë, në kuptimin “skllav”; ideja se sllavët e morën këtë emër (ekzonim) nga romakët ngaqë përdoreshin gjerësisht si “skllevër” është e pambrojtshme.

[3] Për këtë kronologji shih http://www.dictionary.com/browse/slav.

[4] Shih për këtë Charles Verlinden, L’origine de sclavus = eslave, Union Académique Internationale, Bruxelles, Belgique, 1942, i shkarkueshëm këtu; dhe Georg Korth, Zur Etymologie des Wortes ‘Slavus’ (Sklave), në Glotta, 48. Bd., 1./2. H. (1970), pp. 145-153.

[5] Edhe toponimi Shqeri, që ndeshet në trojet e toskërishtes më se një herë, mund t’i referohet një Sklavinia, me kuptimin “vend ku jetojnë sllavët”; për kronologjinë e kësaj fjale, shih Florin Curta, Sklaviniai and Ethnic Adjectives: A Clarification, Byzantion Nea Hellás, 30, 2011: 85-98; i shkarkueshëm këtu. Autori përmend, në artikull, se fjala del në Kronikën e Teofan Rrëfyesit, të mbaruar në vitet 810; dhe së paku në një rast, i referohet një zone në Maqedoni, jo larg Selanikut. Në çdo rast, vëren Curta te ky artikull, termi Sklavinia shfaqet në një libër homilish, Mrekullitë e Shën Dhimitrit, në lidhje me rrethimin e Selanikut, në 586, nga 100,000 sclavenes dhe barbarë të tjerë, nën komandën e avarëve.

[6] Pasi të jetë përdorur fillimisht si σκλάβηνοι (sclaveni), shih më poshtë në shkrim.

[7] Teknikisht, bëhet fjalë për një periudhë kur gjuha shqipe ishte ende duke u formuar; por në këtë shkrim do të quajmë shqipe edhe atë gjuhë që flisnin të parët tanë para se shqipja të formohej si gjuhë, me tiparet konstitutive që ka sot.

[8] Kolec Topalli për metafoninë: “Lidhur me cakun kohor të shuarjes së kësaj dukurie, mungesa e saj në huazimet më të reja nga italishtja, sllavishtja e greqishtja e re dëshmon se kjo dukuri, me rrugë fonetike, ishte shuar para kontakteve të shqipes me sllavishten, domethënë para shekujve VII-VIII.” Fonetika historike e gjuhës shqipe, Dituria 2007, f. 208. Për rotacizmin, mendohet se ky mund të zgjatur edhe pak më tej, deri nga fundi i shekullit IX (po aty, f. 250). Thotë Topalli: “[R]otacizmi është një dukuri përgjithësisht parasllave, e zhvilluar në mijëvjeçarin e parë […] që arrin deri në kontaktet e para [të shqipes] me sllavishten dhe italishten.” (f. 251). Këtu autori u referohet burimeve të njohura për fonetikën historike të shqipes, dhe veçanërisht Joklit, Çabejt dhe Sh. Demirajt, të cilët janë marrë me kronologjinë e këtyre proceseve; por edhe ndonjë autori tjetër, si Bernd Janson, sa i përket rotacizmit.

[9] Ky argument mbështetet në faktin se huazimet e shqipes nga sllavishtja, si rregull, nuk i nënshtrohen as metafonisë, as rotacizmit (për këtë dukuri të fundit, me pak përjashtime).

[10] Topalli, Kolec, Fonetika historike e gjuhës shqipe, Dituria 2007, f. 325. Për fat të keq, historia fonetike e këtij grupi bashkëtingëllor në shqipe nuk mund të ndiqet me huazimet e shqipes nga latinishtja, meqë struktura fonetike e latinishtes klasike (dhe ballkanike) nuk e ka grupin sl. Në periudhën e kontakteve shqiptaro-sllave, grupi sl më rezulton të jetë pasqyruar si sll, ose me l të velarizuar.

4 Komente

  1. Ka diçka qe nuk duket fort e qarte, forma fillestare e huazimit. Duket e veshtire te pranohet forma ”shkla”, ne nje kohe qe kemi ne arberisht formen ”shklan” apo shumesin ”shklen” i cili sigurisht qe ne nje njejes do kete qene ”shklan”.
    Me tej perderisa kemi shkine<shkline<sklavenus<sklavenos, ketu mua gjerat me duket se e heqin hipotezen qe shkja/shqa te vije nga sklavos/sklavus.
    Nuk e di si e shpjegojne autoret formen ''shklan'' dhe shumesin ''shklen'', perderisa e kane vendosur qe fjala vjen nga sklavos/us, e cila detyrimisht te çon te shkla/shqa.

    Duket mjaft e sforcuar ne kete paraqitje qe mashkullorja shkla te vije nga sklav-us ndersa femerorja shkine nga sklaven-us.

    Nqs pranohet njejesi mashk. shklan, del i natyrshem shumesi shklen e njejesi femeror shqine<shkine<shkline.

    Nga pikepamja kohore ( te pakten e dokumentuara ne lidhje me shqete) pranohet qe sklavus<sklavenus,e meqe nuk duhet te futemi tek shekulli VII apo te pranojme lidhjen e sllaveve me sklleverit, atehere kemi nje dritare kohore nga 550-600/610 kur nga gr ''sklavenos'' te kete ardhur lat. sklavenus dhe shqipja shklan , normalisht nepermjet humbjes se rrokjes se ndermjetme ''ve'', si sklan-us, shklan e mandej femerore, shumes e rotacizem.

    Perndryshe pas vitit 610, Bizanti humb krejt kontrollin e kufirit danubian dhe sllavet fillojne e hyjne lirisht ngado, keshtu qe fillojne komunikimet e panderprera dhe kolonizimi i ngadalte i territorit prej sllaveve.

    Persa i perket formes rumune, ajo me shume ngaterron sesa ndihmon, dihet aq pak gje e sigurte per rumunet saqe mund te pohohet se mes rumuneve te hershem kishte nje qerre me shqipfoles dhe te kesh nje hipoteze nder duar. Asokohe te gjithe banoret ballkanike te Perandorise, si te flisnin latinisht si greqisht si shqip, kishin te njejtin identitet si romake, keshtu qe mes gjithe atyre barinjve qe kapercyen danubin drejt vllahise, banatit e transilvanise ( deri ne sllovaki e moravi ka permendje vllehesh) mund te kete pasur lirisht shqipfoles, latinishtfoles e greqishtfoles.

    Nuk e di xha xha nese ke kohe qe t'i rikthehesh trajtimit per nje sqarim sesi e kane perjashtuar autoret formen ''shklan'' si forme fillestare e rrjedhimisht sklavenus si burimin e huazimit.

    1. Citoj nga studimi i B. Demirajt:

      Variantet e shumta dialektore të dëshmuara: geg. shkinë, shqinë, tosk. shqirë, shkirë, shklirë, f. “(grua) sllave”, mundësojnë ndërtimin pa vështirësi të një baze të përbashkët paradialektore */sklawínā/, e cila nuk mund të shpjegohet ndryshe, veçse si një huazim i drejtpërdrejtë prej lat. Mesjetare sclavina.

      Sa për mundësinë që shqa të ketë ardhur jo nga sclavus por nga sclavenus, po shtoj që forma arbërishte shklan i është kumtuar Demirajt gojarisht nga F. Altimari, përndryshe nuk del e dokumentuar gjëkundi; dhe gjithsesi ajo -n fundore atje nuk do të jetë shumë e vjetër, se përndryshe do të ishte rotacizuar.

      1. Kuptoj, dmth kuptoj nje gje po me del pyetje tjeter, nqs jemi rreth vitit 600 per ”sklawina” paradialektore, atehere dialektet i bie te jene ndare ne shek VII, pra bashkekohes me dyndjet sllave gje qe ne mos gaboj bie ndesh me konkluzione te tjera.
        Thjesht per kronologji deri ne vitin 568 ne veri te danubit ishin gepidet te cilet u akuzuan dhe sulmuan nga bizantinet se ndihmuan sllavet te kalonin danubin drejt trakise/mezise me barkat e tyre(gepide). Me shume sesa sklavenet ishin te njohur ”antet”, keshtu qe edhe forma sklavenos veshtire se ka ekzistuar aq heret sa te pajtoje formen sklawina me ndarjen dialektore.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: