QËRIMI I THËRRIZAVE

Parësitë e rreshtave që vijojnë po i shënoj qysh tani dhe janë për shkruesin të natyrës së padebatueshme: 1. Mos vrit!, 2. Mos vidh! dhe 3. Mos gënje! Në këtë kuptim, parësitë e shkruesit janë të natyrës moralo-etike dhe jo asaj artistike. Këto të dytat janë në varësi të të parave dhe jo anasjelltas.

Nuk do kisha marrë mundimin të ulesha e të shkruaja këto radhë, nëse nuk do të isha përfshirë – me dashjen time, natyrisht – në komentimin e një shkrimi të sjellë nga Ardian Vehbiu po këtu për një temë të hapësirës sonë kulturore, që po i kalon përmasat e një debati artistik a politik qoftë, për të mos folur për përmasat e një blogu e aq më shumë atyre të komenteve, që mbeten vetiu gjithnjë gjysmake e asnjëherë shteruese.

U shprehën për këtë temë dashamirësit e autorit që ndërroi jetë para disa ditësh, por edhe të tjerë që vunë re teprimin e gjithëkudondodhshëm jo vetëm verbal të anëve tona. Bukur e rroku këtë temë në një shkrim të mëparshëm edhe A. Vehbiu i lartpërmendur, që vërente me të drejtë se kultura jonë akoma nuk po di të flasë për veten. Por pse qenkësh kështu, pse grafomanët e zakonshëm të medieve nuk qenkeshin në gjendje të flasin si ç’duhet për kulturën, – konstatim ky, me të cilin shkruesi bie menjëherë në ujdi – autori nuk e trajtonte dhe nuk do të  kishte as pse.

Për mendimin e këtij, shkruesit, problemi i gagaçëve tanë mediatikë, më tepër se natyrës kulturore i përket, siç u shënua qysh në krye, asaj të sferës së moralit dhe etikës, pasi vërtet mund të ketë moral të pakulturuar, – të paqytetëruar, si të thuash – porse në asnjë mënyrë një kulturë që do të mund të quhej dot e tillë vërtet, kulturë e vërtetë pra, pa moralin e domosdoshëm që bën dallimin mes Sodomës dhe Gomorrës dhe Jeruzalemit të Ri, sa për të marrë një shembull fetar.

E natyrisht që kultura, – të paktën siç e përfytyron këtë shkruesi – nuk mund t’i ketë rrënjët në dhunë e në gjak, përndryshe po flasim kodra pas bregut, ndërkohë që brigjet e mia i shënova në tri fjalitë hyrëse të këtyre radhëve.

Po rimarr këtu një ndjesi që kam patur pas leximit të »Mosmarrëveshja« të Kadaresë, jo për ta përmendur këtë në një frymë me Agollin, siç u bë gjithashtu rëndom këto ditë, por sepse e ilustron më së miri nuancën që dua të vë në dukje. Te »Mosmarrëveshja« I. K., pasi përshkruan, – në mënyrë mjeshtërore duhet thënë dhe artistikisht të paqortueshme – një vrasje që ka kryer dikush në bregun e një lumi, e akuzon këtë për krimin kardinal të vrasjes. Problemi që unë pata që andej e tutje me pjesën tjetër të librit, ku mbrohet e përlavdohet figura e heroit tonë kombëtar, ishte pyetja: »Po Skënderbeu vallë, a nuk ishte edhe ky vrasës, pavarësisht motivit?«, për të mbërritur tani drejt e në zemër të çështjes, për të cilën Obama mori para disa vitesh edhe Çmimin Nobel të Paqes e pati paturpësinë – cilësimi është i imi – ta nënvizonte kredon e tij paqedashëse me një fjalim mbi luftërat e drejta dhe të padrejta.

Ndërkohë që kredoja e shkruesit është tërësisht pacifiste, kredoja e lexuesve ka të ngjarë të përmbajë nuanca të tjera e ky, pozicionimi ndaj dhunës pra, do të ndikonte medoemos argumentat artistikë që mund të jepeshin, ende pa nisur me parashtrimin e tyre.

Natyrisht që nuk munguan të sillen edhe shembujt e njohur të artistëve, arti i të cilëve bie ndesh me këto dilema, që mund të përmblidheshin, të paktën për këtë shkrim, në atë që e dallon Erih Maria Remarkun nga Ernst Jyngeri, apo D’Anuncion nga Herman Hese, bie fjala,: qëndrimi ndaj dhunës.

Për një lexues në lexim e sipër, të ri apo jo fort të lexuar, ka të ngjarë që dilema që përfaqëson Agolli në rastin tonë të shtrohet si udhëkryqëse dhe vërtet, të paktën kjo është përshtypja që i krijohet një të jashtmi: majtas ose djathtas, zgjidh e merr: o komunistët, Dantonët, Majakovskët, Gorkit e Agollët, Elyarët, Nerudat e Riverat nga njëra anë, o fashistët: Paundët, Celinët e D’Anunciot nga ana tjetër, a thua se kultura botërore nuk paskësh tjetër gjë për të ofruar, nuk paskësh më shumë se dualizmin e vobekët të politikës së përditshme kuq e zi.

Po në këtë formë ndodhi edhe elegjia a nekrofilia e Agollit në fjalë, madje dikush ia uronte vdekjen me të madhe, e mallkonte ende duke qenë ky gjallë, ndërkohë që pjesa dërrmuese për pak sa nuk shkruajtën të lemerishmen: »Marrç nga ditët tona!«

Në këtë kuptim shkruesit i vjen zor të përflasë një të sapovdekur, madje gjen rastin këtu t’i shprehë të afërmve ngushëllimet e zakonshme në të tilla raste. Porse ky është rrafshi personal, individual.

Për atë që ndodh në rrafshin shoqëror vetë i ndjeri ka bërë ç’ka mundur që të përflitet kësisoj. Madje, ata që e përflasin për mirë ka fort të ngjarë të kenë bërë ku më pak e ku më shumë të njëjtën gjë.

Pala tjetër që e kritikon e që nuk dihet të ketë bërë gjë, mund të kritikohej pikërisht për këtë: për mosbërjen.

Problemi me këta, (dhe prononcimet e tyre negative për Agollin) nuk është se këta po thonë atë që mendojnë; problemi qëndron kur tjetri nis e bën analistin e politikës e të letërsisë e të artit e ku di unë, bën të mirëditurin pa sjellë asnjë kontribut në këto fusha, asnjë kontribut që do i jepnin sfondin dhe peshën që i duhet të folurit serioz në publik apo në TV, që në Shqipëri është pak a shumë e njëjta gjë. Ai ndoshta ka të drejtë – dhe unë i jap të drejtë kur e dëgjoj, patjetër që ka të drejtë kur thotë që Dritëroi qenkësh ai që qenkësh. Problemi është se, në njëfarë mënyre, ky po bën, në thelb, gabimin që kritikon, pa çka se nuk po fut njeri në burg: ai po bashkëpunon në një sistem tjetër jodiktatorial, jo atë të dhunës, por atë të rrokopujës, kur gjithsekush me një master a kurs specializimi plepash, mendon që, përsa thotë të vërtetën, ka të drejtë ta shprehë atë edhe “publikisht”, duke u nisur nga mendimi se e vërteta bart vetveten, pavarësisht se kush e thotë, por ja që edhe bartësi i saj, mediumi, luan rol – për mendimin tim gjithnjë – në transmetimin e saj të tjerëve. Në këtë kuptim, e vërteta e shprehur nga Mark Marku në TV., bie fjala, (jo se kam gjë me këtë) për Dritëroin, pa çka se mund të ishte rrokje për rrokje e njëjta që mund të shprehej nga dikush tjetër, që ka sjellë ndërkaq kontributet munguese të Markut, është e çalë, është dylekëshe, është cheap, pasi nuk duhet ndonjë masterizim i stërholluar për të shpallur që Dritëroi nuk qenkësh Kadareja e as që libri “Vrima” i Petros nuk qenkësh pornografi, siç deklaroi nuk ka shumë e shoqja dhe drejtorja e Bibliotekës Kombëtare. Problemi është goxha më i nuancuar e pikërisht këto nuanca nuk mund të presësh të t’i shtjellojnë njerëz me kontribut provincial si në rastin e Shehrit, apo pa kontribut fare, si në rastin e të shoqit, që kur e sjell rasti e ngjyejnë që çke me atë çapën e tyre në çorbën e turbullt të demokratëve, në komisione letrare e kulturore, pa u vramendur aspak se pa ndonjë kontribut të mirëfilltë nuk ka se si të ndodhë një kontribut i dytë.

Pala e parë e ka këtë kontribut – por cili qenkësh ky? – dhe e dyta e ndërton virtytin e saj mbi mungesën e tij, pikërisht duke aluduar se më mirë asnjë kontribut se një kontribut kësisoj. Natyrisht që të dyja palët gabohen e nuk ka se si të jetë ndryshe, kur harrohet më së pari vendi e mënyra ku shpërfaqet ky debat, media e hallakatur e porno-makabre e Çelos me të mbathura nën fustanin e tejdukshëm në Festival të Këngës, në të njëjtin program ku vriten live 4 vetë në bulevard e hidhen në erë ca më tutje, në Gërdec, nuk e di sa të tjerë. Sipas vendit edhe kuvendi, thotë populli.

Rama që i pat nisur vitet ’90 me matrapik kulturor në dorë, me mëtimin për të shembur gjithë ngrehinën kulturore, për t’i bërë vend monumentit të Trebeshinës së lartpërmendur dhe ca ideve abstrakte që shkruesi nuk është në gjendje t’i rrokë as tani, po i vazhdon ato në kah të kundërt, si përmbarues xhenazesh të po asaj kulture, për të cilën u rrah nga barbarët e Berishës ato vite. Ndërsa për të tjerët as ia vlen të lodhësh kompjuterin e të harxhosh energji.

Po le t’i kthehemi kontributit artistik të Agollit. A do të mbetet diçka nga vepra e tij, nisur që me »Nënë Shqipëri« e »Njeriu i mirë« pak gjasa ka të përshtypësh dikë sot, në kohën e selfie-ve dhe pornostareve të para të sukseshme shqiptare?

Ja që pikërisht për të dalë këtu, te kontributi artistik i Agollit, shkruesit iu desh të bënte gjithë këtë hyrje të gjatë, për të arritur së fundmi në përfundimin se ky, shqyrtimi kritiko-artistik i veprës së tij nuk ka se si të ndodhë pa u qëruar më parë orizi etiko-moral i shoqërisë sonë, pa u hapur dosjet dhe sqaruar e kaluara siç duhet, pa ia kontrolluar kryet nxënëses së fillores europiane në shkollimin e vështirë kulturor, i cili, në fund të fundit, nuk ka se si të ndodhë në një zonë efemere, përtej së mirës e së keqes së përditshme, pa vënë qysh më parë ca sinorë aksiomash morali: 1. Mos vrit!, 2. Mos vidh! e 3. Mos gënje!

6 Komente

  1. Porosine e te mos genyerit (per ta sjelle konform moralit mijravjeçar te njerzimit, pra tutje çdo ideologjie) une do t’i lejoja vetes ta ndryshoja ca per ta afruar me ate rrasen e gurit qe ai shoku gjeti ne Sinai: Mos bej deshmi te rreme. ( l’Exode 20, 16)
    E them kete sepse kushdo por me shume njerzit e letrave, me ate qe thone e shkruajne, lene nje deshimi te kohes se tyre per pasardhesit.

    1. Thuhet edhe që urdhëresa “Nuk duhet të vrasësh!” duhet përkthyer: “Nuk duhet të shfarosësh!”, ndaj kam bërë një prerje të atyre të Sinait me ato të budizmit, ku gjërat janë shumë më të qarta. Për sa i përket rrenës, budizmi është më i këndshëm, ai thotë vetëm: “Shih të mos flasësh gjëra të rreme!” dhe thjesht: “Shih të mos vrasësh fare!”, pa rënë në silogjizma.

      Në këtë kuptim, shkruesit parapëlqen më fort “Dao-de-Jing”-u se libri plot me gjak e rrëmujë i Biblës.

      1. Keshtu si ia ke nisur kesaj pune me “prit e ngjit” duke perzier librat e shenjte ne kazanin kinez ka rrezik te na krijosh nje fe te re. Leri me mire ashtu siç jane, te paperziera, te lulezojne 100 lulet e te konkurrojne 100 shkollat.

        1. Bëhet fjalë për moralin dhe etikën, jo për fenë. Moralin e Maos e kemi tashmë; po të ishim 1 miliardë ne, mendo se sa do të ishin – të amplifikuara – viktimat, më keq se live te “Motörhead”, grupit më zulmëmadh në botë. Në çfarë ta mbështesim etikën tonë? Në katolicizmin e korruptuar të këtyre? Mbetet vetëm Lao-ja, parë që ka jetuar 2500 më parë, në paska jetuar vërtet e nuk qenkësh edhe ky i çiqëtëmënzuar – më pëlqen fort ky fjalëformim i Plasarit: pa ironi fare kjo.

  2. Monolog:
    Janë bërë të tërë si Abrahami, ashtu si ç’jepet ky në Kuran: marrin varenë e menjëherë në odën e idhujve e i çapëlojnë këta natën. Kur ngrihesh ti në mëngjes nga gjumi e nisesh të marrësh abdes-in e përditshëm, gjen Kadarenë copë në njërën anë, Kutelin të groposur në anën tjetër, Migjenin me grafiti, Agollin me Ngjelën dhe Markun në anën tjetër: Fevziu u mat kohën me kronometër: njëri e çmonton, tjetri e ngre po aty në qiell: çështje minutash emisioni dhe shikueshmërie. Ore po ç’bëhet kështu, thua me vete? Po tani o profetë, kë të besojmë? Tani është dy duar për një kokë, të gjegjen: në e ke bosh atë, kalo andej nga hyrja, aty ku rrinë skribët, diktoi atyre frymëzimin tënd, ata ta shkruajnë, ta hedhin në internet, ose te Panorama a te MaPo, nesër të vëmë ty në krye të vendit. Mirëpo, mendon ti, po veç ca frone janë, nja tre a katër në Panteon, te piramida, si i bëhet? Është si ajo loja me karriget, të thonë, tre karrige, katër persona me sy të lidhur, hopla-hopla, stop: secilit të vetën. Kush mbetet pa bukë, veten pastë në qafë! Tre karrige për gjashtë milionë është pak si pak, apo? Ky pra është tregu i lirë, nuk e kupton? Zhgrap copën tënde të qiellit dhe nxito, përndryshe mbetesh pa koromane fare. Nejse, u pa puna, po rilexojmë Kafkën edhe një herë, “Artisti i urisë”, lexim i vështirë dhe ekzistencial, sidomos kur ta bëjnë tatuazh brinjëve me uri…

  3. Monolog (2)
    Sot në Shqipëri, po të kesh lexuar “shumë”, të marrin te Fevziu. Ore, më tha një shok i dikurshëm shkolle (më shkroi këtu, te chat-i), që tani zotëron dy televizione, tri kompani ndërtimi dhe disa ferma për mbarështrimin e karasit, atij peshkut kinez, – që i thonë edhe ballgjërë, i cili nuk do t’ia dijë as për antitank: peshkatarët e dikurshëm të Liqenit Artificial e dinë se ku e kam fjalën dhe u dhemb – ore më thotë ky i njohuri, hajde plako të të nxjerrim në TV., ku të duash, o te Big Brother-i, o te Gjebrea, o te Krasta, o te Xhunga! Ta mendoj i thashë, erdha në shtëpi, drejt e bodrum, nxora varenë dhe e bëra fërtele flat-in e ri. Ç’pate ore, më tha Ksanthipi, kur erdhi nga puna, e mbufatur siç është nga të ngrënat dasmave, me ato llërët kanosëse që ngjajnë me mortadelën e lidhur me spango. Asgjë e dashur, i thashë. E ke parasysh atë kthesën muzikore në stil te “A Momentary Lapse of Reason” të Pink Floyd-ave? Ja, atë pata. Ke bërë ndonjë gjë për të ngrënë – ajo – se më griu uria mua? Kam fërguar sallamin – i thashë – atë mortadelën e mirë, që ta dhuroi ajo shoqja nga Polonia. Nuk je edhe aq torollak ti jo – u zbut tani, – tani hopla, futi një fshesë me korrent dhomës, ndërsa unë, pasi të kem ngrënë, po e marr me leckë të lagur. A ta marr unë me leckë? – e pyeta, porse në fakt po kërkoja të merrja në zotërim legenin me ujë. Sepse me Ksanthipin nuk i dihet asnjëherë, tani buzëqeshet, tani është e ngrysur, mu si qielli, me re nganjëherë e shiu nuk vonon pastaj…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin