PARA DHE PAS: DISTANCAT NË HISTORI

Një koleg, emër i njohur në media, duke rrëfyer një bisedë imagjinare me të birin gjatë një udhëtimi në Veri, i thoshte këtij se “kështjella e fundit që pushtuan turqit në Shqipëri, 20-30 vjet mbas rënies së Krujës së Gjergj Kastriotit, ishte Shkodra.”

Më bëri të shkoj t’i verifikoj datat në një libër historie: në fakt, vetëm një vit pat kaluar midis rënies së Krujës (1478) dhe rënies së Shkodrës (1479) në duart e osmanëve. Të dyja këto kryeqendra, tashmë në duart e venedikasve, u pushtuan njëra pas tjetrës, pas rrethimesh të ashpra dhe të përgjakshme.

Po si ndodhi që u kalua kështu nga një vit në “20-30 vjet”?

Nuk dua të gjykoj personin më lart; edhe unë mund ta kisha bërë një gabim të ngjashëm. Madje më duhet të rrëfej se, kur po e lexoja, pata një ndjesi kontradiktore – edhe e kuptova se kish diçka që nuk shkonte në atë distancë 20-30 vjeçare të projektuar nga kolegu midis dy eventeve që në fakt i ndan një vit i vetëm; edhe m’u duk sikur një farë distancë kohore e konsiderueshme përnjëmend ekzistonte.

Prandaj më intereson më tepër të diskutoj këtu se për ç’arsye i bëjmë gabime të tilla historike elementare, pa thirrur në ndihmë “efektin Mandela”, ose ekzistencën e asaj bote paralele, ku Shkodra vërtet ra në duart e osmanëve disa dekada pas Krujës.

Një hipotezë së cilës i besoj, do të ishte se ne ngatërrojmë rënien e Krujës me vdekjen e Skënderbeut, në vitin 1468; çfarë do të thotë se, me mendjen tonë, rënia e Krujës dhe vdekja e Skënderbeut janë në thelb një ngjarje e vetme, së paku në kalendarin e madh të Historisë kombëtare.

Përkundrazi, Shkodra nuk pat qenë ndonjëherë pjesë e Arbërisë së Skënderbeut, madje nuk më rezulton që heroi i rezistencës anti-osmane të ketë dhënë e të ketë marrë shumë me këtë kryeqendër të Arbërisë Venedikase (por mos ma merrni për të mirëqenë këtë pohim; nuk e kam verifikuar); ndryshe nga ç’ka ndodhur, bie fjala, me Lezhën.

Çfarë do të thotë se, gjithnjë në mendjen tonë prej shqiptarësh të shekullit XXI, Shkodra dhe Kruja nuk bashkëjetonin brenda të njëjtit realitet gjeo-historik. Gabimi, në një rast të tillë, do të ishte të projektonim në histori një konfigurim gjeografik, demografik, politik dhe kulturor që i përket bashkëkohësisë; ose shpërfillja e mundësisë që realitete të tilla ndryshojnë në kohë.

Ky lloj aberracioni, në përfytyrimin që kemi për historinë kombëtare, nuk është veçse pasojë e faktit që shqiptarët – dhe arbrit para tyre – kanë jetuar gjatë nën regjime kohore të ndryshme: Bizanti, Venediku, Perandoria Osmane; të cilat nuk janë detyrimisht të bashkëmatshme (çfarë e dëshmon edhe përdorimi zyrtar i tre kalendarëve të ndryshëm, edhe pse kjo nuk është krejt relevante për temën këtu).

Rënia e Krujës në 1478 ishte akti përfundimtar i një drame historike, e cila e ka fillimin në 1443, ose momentin kur Krujën e shtiu në dorë Gjergj Kastrioti, për ta shndërruar nga një qytet të kontrolluar prej osmanëve, në një bastion të rezistencës ndaj ekspansionit osman drejt Perëndimit.

Rënia e Shkodrës, përkundrazi, i përket historisë së zotërimeve të Venedikut në Arbëri (brenda së cilës histori, Durrësi ra në duart e osmanëve në 1501).

Të dyja këto histori kanë pika të përbashkëta, sepse tek e fundit Skënderbeu dhe Venediku shpesh bashkëpunuan në përpjekjet e tyre për t’ua ndalur vrullin dhe oreksin pushtues osmanëve; por nuk janë e njëjta histori, sa kohë që synimet e Venedikut në trojet që kontrollonte në Ballkan nuk përkonin gjithnjë me ato të Skënderbeut.

Për arsye të ngjashme, ne e kemi të vështirë të themi, sa për të sjellë një shembull, nëse Pjetër Bogdani e ka shkruar “Çetën e profetëve” para apo pasi të shkruante Nezimi “Divanin”; ose, ngjashëm, para apo pasi të shkruante Jul Variboba “Gjellën e Shën Mërisë Virgjër”.

Madje në këto kontekste ndoshta as do të kishte kuptim të flisje për “para” ose “pas”, sepse konteksti kulturor i Bogdanit nuk kish ndonjë lidhje organike me kontekstin kulturor të Nezimit; dhe lidhjet organike të Bogdanit me kulturën arbëreshe nuk mund të konsiderohen veçse të dobëta e sporadike, edhe në skenarin më të mirë.

Mënyra si zgjedhin të veprojnë tekstet e historisë së letërsisë shqipe, kur i vendosin këta autorë brenda të njëjtës kronologji, është në fakt një orvatje për të bashkuar, në histori, atë çfarë e bashkon kryesisht, në mos vetëm gjuha.

Shembulli i rënies së Krujës dhe të Shkodrës ndihmon, në këtë mes, jo ngaqë këto dy ngjarje historike nuk kanë lidhje organike mes tyre (doemos kanë); por për të kuptuar se, edhe kur lidhja organike në fakt ekziston, ne sërish priremi ta rindërtojmë kronologjinë sipas atij vizioni subjektiv që e kemi krijuar nëpërmjet leximeve, muhabeteve, përvetësimit të mitologjisë kombëtare dhe historisë që na kanë mësuar në shkollë.

Në fakt, Kruja dhe Shkodra ranë njëra pas tjetrës, si efekt i së njëjtës përpjekje osmane për t’i dhënë fund përgjithmonë rezistencës në këtë anë të Ballkanit, veçanërisht pas vdekjes së Skënderbeut; dhe Shkodra ndoshta nuk do të kish rënë, po të mos kish rënë më parë Kruja. Lidhja organike ndihmon, kështu, për t’i dhënë një kuptim të pranueshëm koncepteve para dhe pas përtej krahasimit mes datave në kalendar; por – sikurse e tregon edhe shembulli i sjellë në krye – nuk ndihmon për të përfytyruar distancat kohore.

Ndoshta po për këtë arsye, e kemi të vështirë të përfytyrojmë se çfarë ka ndodhur në trojet shqiptare gjatë shekujve XVI dhe XVII; njëlloj sikurse nuk e rrokim dot vërtet hapësirën prej gati pesë shekujsh, që ka zgjatur sundimi osman mbi këto troje. Kjo, megjithëse jemi të sigurt që Ali Pasha, bie fjala, ka ardhur pas Ballaban Pashës…

5 Komente

  1. Ne rastin ne fjale mund te thuhet edhe se sasia e viteve meton te vere ne pah heroizmin e Shkodres. Dihet se Shkodra u dorezua ne baze te traktatit te paqes turko-venedikas, qe i fha fund luftes se tyre 1463-1479, nuk u pushtua dot me force as nga uria (sikunder ra Kruja).
    Nga ana tjeter ne bisede imagjinare ose jo me te birin apo me femije ne pergjithesi, supozohet se rrefimi nuk eshte historik i mirefillte, ka gjithnje nje element mitik transmetimi i dijes historike tek nje i vogel, kur nuk kalon nga institucionet formale. Kete gabim e kuptojme per nga konteksti, perndryshe nuk ia falim mesuesit te historise ne ore te mesimit.
    Ta zeme nje prind nuk mund t’i thote femijes se Shqiperia u clirua nga gjermani ne 28 apo 29 Nentor, sepse gjermanet vendosen qe te terhiqeshin nga Shkodra per nje front me te sigurte ne Mal te zi, por do i thote se partizanet ate date (cilado qofte data) po ndiqnin kembakembes gjermanin e fundit ( mundesisht do shtoje nga xhepi, pasi i shpartalluan gjermanet ne nje beteje te ashper- imagjinare- per Shkodren).

    Ne njefare menyre rrefimi mitik ”rregullon” ngjarjen historike, dmth i vesh disa elemente se si duhet te kish ndodhur, ne menyre qe ngjarja te rrezatoje nje vlere me te madhe, cka e ben ne fund te fundit edhe me terheqese e interesante ngjarjen sidomos per te voglin (per kedo, por te voglin ne veçanti). Duhet edhe pranuar qe eshte teper e koklavitur t’i shpjegosh nje femije apo edhe te rrituri qe s’ka interes, motivet e medha gjeopolitike qe gjenden gjithnje prapa nje ngjarjeje te madhe historike.

    Thjeshtimi ka vlere pedagogjike, ama thjeshtimi duke mos rrokur aspekte kryesore te ngjarjes, perfundon ne futjen e elementit mitik, i cili ne fakt kryen funksionin e shpjegimit te ngjarjes ne mungese te aktoreve e faktoreve historike te munguar.

    Nga ana tjeter interesante ceshtja e moslidhjes organike qe duke pasur kontekste te vecanta e te vecuara e bejne te pamundur nje para dhe pas nje ngjarjeje specifike, e thene ndryshe histori paralele.
    Natyrisht nuk mund t’i vishet rastit ne fjale, meqe s’kemi kontekste paralele, perderisa prej 1463 deri kur ra Kruja ishim aleate koke e kembe me Venedikun, por ka vertet ngjarje paralele.

    Ne kesi rastesh mendimi historiografik operon mbi bazen e preferences se historise (vargut te ngjarjeve) e cila nepermjet efektit shkak-pasoje ka ndikim vendimtar mbi te sotmen, keshtu qe historia paralele jo vetem qe nuk sherben si pike referimi per nje para apo nje pas, por pothuajse zhduket nga qarkullimi.

    Historia e shek 16-17 te cilen e dine pakkush te specializuar ne periudhen otomane perben ne njefare menyre nje histori paralele, meqenese cka bene politikisht shqiptaret (perfshi Qyprillinjte e famshem), i perket historise otomane.
    Anullimi i vullnetit politik te nje bashkesie gjate pushtimit, krijon nje degezim, i cili nuk perben me pike referimi, kur bashkesia e rifiton vullnetin politik.
    Por, duhet edhe pranuar qe ne shek. 16-17 u vune bazat e transformimit fetar, i cili eshte vendimtar ne kuptimin e historise kombetare, keshtu qe anipse historia politike e asaj periudhe eshte paralele, sepse otomane, historia fetare i takon historise tone, sepse ka nje vullnet komunitar ne ate transformim.

  2. Doja te ndaloja pak specifikisht tek thjeshtimi si arsye e futjes se elementit mitik. Natyrisht nuk dua te kontestoj efektin e ideologjise, thjesht te qartesoj sesi thjeshtimi e ben te domosdoshem elementin mitik ne nje ngjarje specifike.

    Ne mungese te njohjes se faktoreve historike apo pamundesise se degjuesit per t’i rrokur ato faktore (se eshte i vogel apo i painteresuar, pra pa njohje baze), atehere futet thjeshtimi ( keshtu psh historia e klases 4 eshte me e thjeshtuar se e klases 8-9 apo e gjimnazit). Thjeshtimi per nga vete natyra le boshlleqe te medha per ate qe pyet.

    Rimarr per nje cast shembullin e gjermanit te fundit. Eshte e pamundur te shpjegosh se ushtria gjermane si cdo ushtri ne bote vepronte sipas disa linjave te medha strategjike mbrojtese, dhe qe per shkak te sulmeve sovjetike ne lindje dhe anglo-amerikane ne France e Itali, u detyrua te terhiqej ne linja te reja mbrojtese, ku Shqiperia gjendej jashte. Pastaj duhet argumentuar pse kjo linje e re e linte jashte e keshtu ceshtja e Clirimit do te kthehej ne nje argumentim 27 faqesh rreth gjendjes se Gjermanise ne Nentor 1944. Natyrisht, argumenti mund te thjeshtohet me faktin qe qytetet shqiptare u cliruan ne mase te madhe pasi gjermanet i lane vete qytetet gjate terheqjes strategjike per ne veri, po perseri per degjuesin kjo eshte dicka e dyshimte (si u terhiqka vete), prandaj do riktheheshe tek argumentimi 27 faqesh rreth gjendjes se Gjermanise ne Nentor 1944.

    Mandej degjuesi mund te irritohet sepse shqiptaret luftuan, cka eshte absolutisht e vertete, kurse nqs eshte femije ai nuk irritohet por pyet e pse u terhoqen vete. Ti nuk e shpjegon dot keshtu qe si ka thene me ironi (ose seriozisht) Gorgias, asgjeja eshte, nqs ka dicka, eshte e parrokshme e nese eshte e rrokshme eshte e pakomunikueshme.

    Keshtu qe thjeshtimi thote, gjermanin e debuan ne filan date partizanet, sepse partizanet ishin trima. Pamundesia per te komunikuar 27 faqe argumentim gjeostrategjik e gjeoushtarak, ben qe te hyje elementi mitik i partizaneve trima.
    Me tej meqe gjermani u ndoq nga Shkodra sepse partizanet ishin trima, vetiu pyetjes se femijes po beteja ne Shkodres ishte shume e ashper, i rrituri t’i pergjigjet me nje rrene apo element mitik. Po patjeter, beteja e Shkodres ishte shume e ashper. A shume mire thote femija apo i rrituri i painteresuar me pare, keshtu ka lezet, dmth tek ai gjithe gjerat tani shpjegohen me se miri.
    Per ate qarku u mbyll partizanet trima ne 28 nentor 1944 shpartalluan gjermanet ne betejen e ashper te Shkodres dhe i ndoqen kemba-kembes deri ne kufi.

    Ky zbukurim mitik ne te vertete eshte i domosdoshem per arsyen e thjeshtimit, i cili duhet te jete nder te tjera edhe shterues persa i perket psese madhore. Nqs thjeshtimi nuk i pergjigjet psese madhore atehere eshte i paperfunduar.
    Pra nuk eshte thjesht ideologjia qe kerkon nje version te caktuar, vete komunikimi i ngjarjes behet me i lehte ose i mundur fale thjeshtimit.

    Pastaj kur behet fjale per ngjarje qe kane ndodhur shekuj me pare, komunikimi i se vertetes behet shume i koklavitur.
    Per ta thene serisht me Gorgian
    Nqs ka dicka eshte e parrokshme, nqs eshte e rrokshme eshte e pakomunikueshme, pra asgjeja eshte.

    Problemi kur kalojne shume shekuj eshte se ngjarja fillon e behet e parrokshme ne teresine e saj prej vete studiuesit, e nqs eshte e parrokshme eshte vetiu e pakomunikueshme.
    Ne kushtet kur ngjarjet e tilla lihen prej studiesve me shume pse, pikerisht sepse s’jane rrokur dot, si do te mund te komunikohet kjo ngjarje ne menyren e duhur. Keshtu krijohen kushtet per interpretim, i cili eshte gjithnje subjektiv, e ne kete menyre vijme tek elementi mitik i cili eshte forma me e tretshme e komunikimit drejt te painteresuarve te drejtperdrejt ne argument.

    1. Kur u flet fëmijëve për rënien – të Krujës, të Shkodrës – prindi (mësuesi) duhet të gjejë edhe mënyrën më të mirë për t’ua prezantuar humbjen/disfatën/katastrofën. Koncepti fëminor i historisë (history), që nuk ndahet dot nga koncepti fëminor i historive (stories) duhet të mbarojë me fitore (happy ending). Historia e Skënderbeut vjen me shumë fitore – të ndërkëmbyeshme – por mbyllet keq: më parë vdekja, pastaj katastrofa (rënia e Krujës). Sfida nuk është vetëm pedagogjike. Mjaft të shohësh serbët, për mitologjizimin që i kanë bërë një disfate të ngjashme. Në fakt, mbi rënien e Krujës mund të ngresh mite gjithfarësh – që nga martirizimi (kristian), te sakrifica, amaneti, hakmarrja, ringjallja; ose edhe viktimizimi. Ne si shqiptarë, këtë gjysmë shekulli, kemi zgjedhur t’i mëshojmë aspektit të qëndresës, të cilën e kemi metaforizuar pastaj siç kemi dashur. Madje duke e transferuar qëndresën nga historia në karakter, kemi bërë të mundur ta shmangim fare temën e humbjes – sepse rezistenca vazhdon edhe pasi bien muret e kalasë së fundit; pa çka se ky kalim nga historia në psikologji e mjegullon vetë perceptimin e kohës.

      1. Mendoj se cfare realisht ngelet eshte vepra apo interpretimi i vepres, domethene aspekti kronologjik i historise eshte domen i te interesuarve. Shqiptaret nuk dine ne mase te madhe se cilit shekull i takon Skenderbeu, por ama kane 25 vjet qe zihen per 28 apo 29 Nentorin (pas nja 25 vjetesh do zihen per diten po do harrojne vitin), sepse kronologjia sjell interes.

        Ne kete kuptim koha eshte e denuar me harrese, sado te perpiqen institucionet (meqe ra llafi kur eshte dita e Republikes, se sinqerisht me ka dale nga kujtesa… ).

        Ndersa gjithe shek 15 ishte shekull rezistence ndaj turkut ne keto ane, deri tek i mbiquajturi Skenderbeu i Ri, eshte izoluar per kujtesen kolektive vetem 25 vjecari i Skenderbeut. Qendresa si motiv dakort, por jo qendresa ne vetvete, qendresa e lidhur me lidershipin.
        Ajo qe duam realisht nga ajo periudhe eshte Lidershipi e Uniteti, qendresa e suksesshme pastaj konsiderohet si pasoje e natyrshme nese ka unitet e lidership.

        Pra, interpretimi i vepres, perpos qe anashkalon aspektin kronologjik, anashkalon edhe cdo realitet te asaj kohe i cili nuk na mundeson vlerat e Unitetit dhe Lidershipit. Kjo perpos nevoje e shtetit keto 100 vjet, krijon edhe idene e pathyeshmerise se shqiptareve ( aq e dashur ne kohen e Enverit qe luftonte me gjithe Boten). Uniteti nuk mjafton pa lidership.

        Nderkaq qendresa ne vetvete eshte me shume interpretim i Kadarese, i filozofise historike te shqiptareve te pare prej tij. Mandej qendresa eshte produkt i deshires per liri e le te themi qe ketu kemi nje interpretim hegelian, ku historia eshte rruga drejt lirise. Kadareja eshte hegelian me zgjedhje te vetedijshme apo me rruge personale drejt konceptit.

        Por Skenderbeu nuk eshte nje nga aktoret e kesaj historie shqiptare qe shkon drejt lirise nepermjet qendreses, sikunder historia e botes e pare nga kendveshtrimi hegelian. Per Kadarene eshte Aktori, simboli i kesaj filozofie.

        Serbet kane tjeter filozofi historie, sepse jane viktimiste e viktimizmi eshte koncept shume praktik, nuk i del liria do demshperblim. Serbet duan demshperblim sepse kane qene viktima, kane vuajtur ne humbjen e tyre. Viktima e te humbur kane qene te gjithe ne periudha te caktuara, po te pakte jane ata popuj si serbet qe duan me cdo kusht demshperblim.

        Nejse, per t’u rikthyer tek Skendebeu, ai si figure eshte shume i pasur, ne keto 100 vjet na eshte dashur uniteti e lidershipi i kemi marre, duhej qendresa e pathyeshmeria, keto na vijne vetiu prej te parave. ca te tjere duan t’i marrin gjera te tjera si feja, sakrifica etj, aty jane.

        Kjo pasuri karakteristike ( Skenderbeu polisemik ke pase shkruajtur dikur), krijon edhe pamundesi per ta rrokur personazhin historikisht.
        Une besoj se sado te studiohet Skenderbeu aq me e veshtire behet te rroket personazhi, eshte i pakapshem. Kjo veshtiresi te rrokuri pastaj perkthehet ne veshtiresi karakterizimi e veshtiresi komunikimi. Veshtiresia e komunikimit sjell veshtiresi pedagogjike.
        Pedagogjia eshte e mundshme per te zakonshmen, kur i duhet te trajtoje te jashtezakonshem, si eshte figura e Skenderbeut, nuk ka mjetet e duhura. E jashtezakonshmja duhet thjeshtuar e aty thjeshtimi do mundesoje nje element mitik ne te dyja menyrat, thjeshtohet duke thene se ne te vertete nuk eshte jashtezakonshme, por edhe thjeshtohet duke i dhene pergjigje te zbukuruara.

        Thene kjo, une per vete renien e Shkodres e kam perjetuar ne menyre heroiko-tragjike nga libri i Marin Barletit, me heret se te ma thoshte mesuesja e historise. Kruja e meritonte nje Marin Barlet, po ja qe se pati fat, ra ne anonimitet te plote. Ndoshta anonimiteti i renies se Krujes, ngre me shume figuren e Skenderbeut, nje heroizem si ai qe gjendet te Barleti, do ridimensiononte deri diku 3 rrethimet e Krujes nen Skenderbeun.

  3. Edhe mua me duket (sic thekson hylli) se ngjarja e treguar ka brenda elemente mitike, si gjithmone thuaj. Ndaj nuk ka pse ngaterrohet fare me (hipo)tezen nwse Skenderbeu kishte lidhje me Shkodren apo jo! Duke qene se venedikasit ishin “te zotet” e Kalase se Shkodres, dhe me venedikasit Skenderbeu kishte gjithnje mosmarrveshje, si per shkak te kalase se Danjes, apo dhe me vete familjen e Dukagjinasve (aleatet nr. 1 te Venedikut) kishte fillimisht mosmarrveshje, kjo na jep te kuptojme se Skenderbeu nuk kish pse te fuste hundet ne Shkoder. E te mos harrojme faktin, qe deri ne betejat kundra osmanve, Skenderbeu ishte akoma me i panjohur ne ate zone nga Dukagjinasit, qe ishin prej shekujsh paria ne ate zone. Mendoj se me interes per historiografine tone shqiptare do te ishte animi perher e me i madh i Skenderbeut nga katolicizmi (i ati Gjoni) tek ordoksia. Kjo teme eshte rrahur pak.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin