Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

METAFIZIKA E PRAGMATIZMIT HISTORIK

A ka dëgjuar kush për bab Lymin e Vaqarrit?

Natyrisht që s’bëhet fjalë për të singjashmin e tij të famshëm të Pezës, për hir të bëmave të luftës i shëndrruar në Atlas që mbante peshën e Kuvendit Popullor mbi shpinë, por për një bujk qimethinjur dhe arnaqepur që gjithë ditën e lume ulte e ngrinte levën e një maqine primitive bujqësore të prodhimit të kubikëve dhe që veç Zoti në se e mban mend mbiemrin e tij… Xhabafti apo Shkreta?

I riu që isha këtu e kush-e-sa vite më parë, në 75′ (të shekullit të kaluar) bënte stazhin pas maturës në kooperativë bashkë me një tufë shokësh dhe mes tyre, një ditë, dikush pati atë mendim të prapë të ngacmonte Lymin:

– Ô Lymo, na trego si i keni hudh italjanët pri Peze n’det.

– Çer taljonsh kena hudh mër, ata hykën se erdh gjermoni.

– Mir pra, na thuj pak si i qëruet gjermonët pri Tirone!

– Çere Tirone mër, po gjermonët hykën veet.. a m’ndigjon? ata hykën veeet…

Hilariteti ngjitës i shkaktuar nga heterodoksia lymjane u zhduk në kthim, kur im atë më hapi derën. Thjesht qënia e tij përballë më rikujtoi një tjetër rrëfim, atë të një biri të një familjeje fort të kamur qytetëse, që kish braktisur Liceun e Korçës që në moshën 17 vjeçare për t’u ngjitur në mal, partizan i çetës Gorë-Opar, më tej i Brigadës së IV – “i lindur me këmishë” sikundër thoshte, pasi numëronte shokët e tij që plumbi i kish përzgjedhur disa centimetra më majtas apo më djathtas; pasi kujtonte rrethimin e pashpresë nga gjermanët në majë të Ostrovicës në janar të vitit 1944; rendjen e tij po aq të dëshpëruar sa edhe të vetmuar drejt Korçës, i braktisur si praparojë nga brigada e lavdishme sulmuese në verë të po atij viti; arrestimin vijues të prindërve nga ballistët dhe nisjen e tyre drejt kampit Mat’hausen….

Përfundimisht, cila nga këto skena kontradiktore i përgjigjej realitetit: ishte Lymi që hajgarosej me një tufë kaqolësh gjimnazistë apo im atë që i mburrej të birit me bëma të paqëna?

* * *

Sikundër çdo vit, qasja e 29 nëntorit – besa nga të rrallat data që ju rikujton ende shqiptarëve faktin se dikur, lufta e dytë e përbotshme preku edhe vendin e tyre, më jep rastin të zbavitem me ndeshjen e pasionuar mes dy kampeve të papajtueshëm, partizanëve dhe kundërshtarëve të festimit të ditës së çlirimit.

Kësaj rradhe, sezoni u çel me botimin nga Panorama të një përqasjeje ndryshe: Semantika konsensuale mbi luftën antifashiste. Them ndryshe pasi është e pazakontë që një historian, për më tepër specialist i historisë moderne, të përdorë një degë të gjuhësisë si semantika për të analizuar përmbajtjen e faktit historik, paçka se një hap më tej – dhe krejt me logjikë, kjo përçapje tërhoqi vëmendjen e gjuhëtarit që e riqendërzoi shënjestrën me shkrimin Gramatika e rrëfimit historik.

  1. Në pamje të parë, ajo çka shfaqet si risi e ketij shkrimi përmblidhet thjesht nga përfundimi se kur flitet për përpjekjen Antifashiste, të gjitha palët dikur të angazhuara në konflikt – qoftë ajo komuniste, qoftë ajo balliste apo legaliste, përdorin trajtën pësore kur përmendin luftën kundër armikut pushtues. E thënë ndryshe, fashistët italjanë “largohen” dhe nazistët gjermanë “tërhiqen“. Në të kundërt, trajta e foljeve të përdorura shëndrrohet në veprore kur bëhet fjalë për vëllavrasjen mes shqiptarësh – ballistët “shpartallohen“, partizanët “ngadhënjejnë“. Një mendje më thotë se nuk ishte aspak as prirja e tij prej historiani as edhe mbështetja në instrumentat gjuhësorë – por pragmatizmi fshatarak që kish modeluar narrativën historiografike popullore të atij farë Lymi të mësipërm, këtu e dyzet-e-kusur vjet më parë!
  2. Në të vërtetë, sjellja origjinale e shkrimit të lartpërmendur nuk është semantika që i rri si yll në ballë por pikërisht ajo çka ajo mban si feste: konsensualiteti. Ndryshe, përpjekja e autorit për t’i përbashkuar të gjitha forcat politike të skenës lokale – komuniste, balliste apo legaliste, nën etiketën antifashiste. Çka është antifashisti? ai që është kundër fashizmit = ai-që-kundërshton-ndërmarrjen-fashiste-të-pushtimit-italjan-dhe-më-tej-gjerman-të-vendit. Vallahile, a s’u gjend kështu asnjë shqiptar që veshi këmishën e zezë apo uniformën e Wehrmacht-it? A s’pati asnjë politikan vendas që morri pjesë në qeveritë lokale proitaljane apo filogjermane gjatë asaj periudhe? A s’u shfaq qoftë edhe një e vetme njësi e armatosur lokale që ju bashkangjit forcave ushtarake të pushtimit? Në ç’kategori hyjnë këta individe, grupe, formacione politike apo njësi të armatosura? cilave forca ju përkasin vallë?

Bile edhe vetë përdorimi i konceptit të konsensualitetit paraqet një shkallë vështirësie të papritur që ndershmëria e historianit dashur-pa-dashur e ka vënë re dhe e ka nxjerrë në pah:

… Të gjitha studimet e kryera, nga cilado palë, qoftë nga historiografia enveriste apo nacionaliste e sjellin Luftën Antifashiste të përshkruar në mënyrë shumë të ngjashme, madje mund të thuhet në përputhshmëri të plotë, pavarësisht palës apo qasjes që mbështesin studiuesit e ndryshëm.

Bëhet fjalë në të vërtetë për një dukuri fenomenologjike, që karakterizon jo thjesht apo vetëm periudhën e Luftës Antifashiste por edhe periudha të tjera të historisë së vendit – atë të epopesë skënderbejane apo të historisë së lashtë, të ilirëve, dhe që më ka shtyrë dikur të ngre pyetjen e mëposhtme:

Si është e mundur që dy grupe të ndryshme studiuesish – i pari brenda vendit, i lidhur me pushtetin (komunist) dhe, nga ky fakt, pa pasur “tjetër horizont, veçse të ndjekë rrugën e treguar nga ky pushtet”; i dyti jashtë vendit, kundërshtar i betuar i atij regjimi dhe, si rrjedhojë, i lirë si era në opinionet e tij – riprodhojnë të njëjtat skema përshkruese?

Si duhet interpretuar kjo mosndryshueshmëri e lëndës ose e dijes historike në lidhje me ideologjinë?

Ndoshta duke pranuar thjeshtësisht që historiografia dhe ideologjia nuk janë gjë tjetër, veçse dy aspekte të ndryshme të të njëjtit thelb(1).

Veçse, ky përfundim i fundit është i një rëndësie të veçantë pasi në mos hedh poshtë pa asnjë mëdyzje – të paktën, lëkund thellë çdo përpjekje qoftë edhe instiktive apo bindje të përpunuar si ato të shprehura nga historiani i mësipërm në një shkrim të fundit të tij, ku ai thotë:

Historia asht shkencë dhe pikë. E shoh si shkencë ekzakte, dhe mbase guxoj, por kështu e mendoj. Ashtu sikurse Ajnshtajni sillte nji këndvështrim të ri nga ai i Njutonit, apo ashtu sikurse çdo nobelist sjell diçka të re në shkencën përkatëse, ashtu edhe shkollat historiografike nuk janë tjetër veçse hapa të ndryshëm në të njëjtën rrugë të shkencës, të faktit, të së vërtetës(2).

  1. Përfundimisht, ajo çka s’përmendet fare por që djersit mes rreshtave, gjithmonë tek ai shkrim që çeli këtë shkëmbim opinionesh, është pikërisht përqasja pragmatike në histori: ajo bashkësi kërkimesh empirike, prurjesh, referencash dhe rrëfimesh – një mënyrë për të justifikuar ushtrimin e zanatit të historianit dhe një metodë fort e përdorur në sociohistorinë bashkëkohore që, fundja, spjegon dhe justifikon zgjedhjet strategjike të palëve, aksionet praktike të tyre në funksion të qëllimit të kërkuar.

Kështu, për komunistët që synonin marrjen e pushtetit paslufte, s’kishte ndonjë rëndësi të veçantë fakti nëse pushtuesit italjanë apo gjermanë do të shporreshin apo do të largoheshin vetë si pasojë e zhvillimeve gjeostrategjike në horizont, nga momenti që kishin mundur të krijonin një dinamikë njerëzore aktive dhe një raport pozitiv forcash në nivelin lokal që premtonte asgjësimin e konkurrentëve të tyre politikë. Në të njejtën mënyrë, për ballistët që synonin edhe ata marrjen e pushtetit paslufte si edhe eliminimin e palës kundërshtare komuniste, pak rëndësi kish fakti se mbështetja eliminuese vinte nga gjermanët në ikje apo nga anglezët në ardhje – mjaft që këta të fundit të përshpejtonin me forcën e armëve apo me anë të diplomacisë arritjen e qëllimit të tyre. Së fundi edhe për zogistët që synonin rimarrjen e pushtetit të dikurshëm, s’kishte aspak rëndësi emërtimi i forcës politike me të cilën do të lidhnin kompromisin, mjaft që ky kompromis t’ju siguronte mbajtjen e tyre aktive në skenë me qëllim afishimin e pretendimeve legale të tyre dhe riafirmimin politik të Mbretit si përfaqsues legjitim i pushtetit.

Racionaliteti i përqasjes pragmatike qëndron kryesisht në pohimin se të vërtetat e përpunuara nga persona të caktuar janë të ndërvarura nga bashkësitë e interesave dhe të kompetencave të grupit ku ata bëjnë pjesë. E thënë konkretisht për objektin historik në fjalë: një thelb përbashkues si ai i pushtetit gjeneron narrativa të ngjashme, përmason diskurse historiografike të krahasueshme, farkëton mjete shprehëse të njejta – gjë e cila detyron studiuesit të qëmtojnë diferencat thjesht në trajtat pësore apo veprore të foljeve të përdorura, në ndërtimet kalimtare apo jokalimtare….

* * *

Guximi i historianit që përdor vegjën e gjuhësisë për të thurur një të tillë pëlhurë Penelope, i jep frymë metafizikës të përdorë velën e oksimorës për të rrahur detrat në kêrkim të Uliksit të përhumbur. Historia premton se ai do të kthehet ndërkohë që filozofia paralajmëron se ai kthim është i përjetshëm!

Kanë kaluar mbi 70 vjet që nga fundi i asaj lufte dhe me shuarjen e bardëve të fundit, tashmë është thuaj e pamundur të dallosh jehonën e mitit nga kundërjehona. Bile edhe Telemaku Velo, asokohe ende i mitur, nëse do të jetë ende gjallë, do ta ketë shumë të vështirë të njohë atë që do të shfaqet befas si hije në prag të portës – a është i ati, ai heroi i legjendës apo Lymi i Vaqarrit?

 

_________________________________________

(1) Gjergj XEXO – Përjetësisht të panjohur, P.1, fq. 235, botimet TOENA, Tiranë 2015.

(2) Ardian MUHAJ – Rrena si disiplinë ndihmëse e historiografisë, revista MAPO, 19 shtator 2016.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë