MJEKËT APO SPITALI?

Një skenar që po rishfaqet më shpesh se ç’mund të pranohet: vdes ose lëndohet rëndë një pacient në një institucion shëndetësor – dhe kjo shoqërohet me valë zemërate në mediat dhe në opinionin publik, kundër edhe rrëgjimit të infrastrukturës shëndetësore publike në Shqipëri, edhe amoralitetit dhe korrupsionit të personelit mjekësor – mjekëve dhe infermierëve dhe, në një nivel tjetër, edhe administratorëve. Në mes të këtij kaosi, të afërmit e viktimës kërkojnë shpjegime dhe më pas tregojnë me gisht mjekët si fajtorë për shkak të neglizhencës në detyrë dhe kërkojnë “të vendoset drejtësi”, herë-herë edhe duke kërcënuar edhe se përndryshe do të marrin hak vetë ose do të bëjnë “vetëgjyqësi”.

Këtu ka një paradoks që duhet shtjelluar.

Kemi dëgjuar, edhe nga kryeministri Rama edhe nga ministri i Shëndetësisë Beqja, se këto aksidente madje edhe fatale ndodhin kudo në botë dhe një pjesë e mirë e tyre nuk mund të shmangen; meqë jo çdo ndërlikim mund të parashikohet dhe të kapet në kohë dhe të parandalohet. Argumenti logjikisht qëndron, por në kontekstin e tanishëm në Shqipëri nuk pi ujë. Dhe nuk pi ujë, nga njëra anë sepse infrastruktura shëndetësore – spitalet, klinikat, furnizimi me barna, shërbimi i urgjencës, higjiena, etj. shpesh nuk plotësojnë as kriteret minimale të sektorit; dhe nga ana tjetër, ngaqë besohet tashmë botërisht që çdo lloj shërbimi në strukturat shëndetësore publike duhet paguar dy herë: nëpërmjet taksave, dhe pastaj edhe “nën dorë.”

Këtyre dy faktorëve u është shtuar tani vonë edhe bindja se shumë mjekë dhe infermierë që punojnë në strukturat publike janë të paaftë në përgjithësi dhe sidomos të pazotët për të marrë vendimet e duhura në momente kritike, kur vendoset jeta ose vdekja e një pacienti.

Në rast se ndodh diçka e papritur, për shembull kur pacienti merr një infeksion kur është i shtruar në spital, kjo fare mirë mund t’i detyrohet fatalitetit, ose asaj përqindjeje të pashmangshme për të cilat flasin autoritetet; por publiku nuk e beson më këtë, sepse është tashmë i bindur se edhe infrastruktura shëndetësore publike është në gjendje të mjeruar, edhe mjekët e infermierët nuk e çajnë më kryet, madje edhe po t’i paguash. Prandaj, edhe sikur gjëja më e vogël të shkojë keq, të afërmit e të sëmurit ose viktima vetë do të akuzojnë menjëherë se kjo ndodhi për shkak të neglizhencës, të shtetit që i financon spitalet publike dhe përgjigjet për to, ose të mjekëve dhe të personelit klinik në përgjithësi.

Tani, neglizhenca mund të jetë një faktor, por në qoftë se institucioni shëndetësor e ka të vështirë të plotësojë deri edhe kriteret minimale për të qenë i tillë, atëherë edhe personeli mjekësor më i përkushtuar nuk mund t’i shmangë disa pasoja dhe efekte të caktuara. Prandaj, logjika ta do që, sa më i rrëgjuar të jetë një spital, aq më të larta janë gjasat që aksidentet të mos shmangen dot, edhe nga mjekët më të zotët dhe infermierët më të kujdesshëm. Po ashtu, një mjek i keq, i papërgatitur, i pamotivuar ose amoral do të bëjë dëme edhe në strukturën shëndetësore më moderne.

Dhe unë këtu e shoh paradoksin: sa kohë që e dimë me siguri që infrastruktura shëndetësore publike është copë-copë, atëherë ta pranojmë që aksidentet dhe fatalitetet që ndodhin në këtë strukturë janë pasojë më shumë e neglizhencës institucionale, ose të shtetit; sesa të mjekëve që punojnë aty. Sepse nuk ka shumë kuptim që të shkosh për t’u mjekuar në një spital publik të lënë pas dore, dhe pastaj të akuzosh mjekun kur diçka nuk shkon. Gjithë duke pranuar edhe se në institucione të tilla ndodh seleksion negativ dhe përfundojnë mjekët më pak të aftë, meqë të tjerët tërhiqen nga institucionet shëndetësore private ose thjesht vendosin të emigrojnë jashtë Shqipërisë, sërish nuk ka ndonjë korrelacion të fortë midis një spitali shkatërrinë dhe përkushtimit të mjekëve dhe të infermierëve që punojnë atje.

Akuza kryesore që objektivisht dhe a priori mund t’u bëhet mjekëve dhe në përgjithësi personelit në institucione shëndetësore publike që nuk plotësojnë as kriteret minimale të sektorit është se pse të gjithë këta vazhdojnë ta pranojnë realitetin e përditshëm, pa ngritur zërin dhe pa protestuar me të madhe dhe me të gjitha mënyrat, përfshi këtu edhe denoncimet haptazi në prokurori ose në mediat dhe grevën. Prej personelit shëndetësor pritet që të mbajë edhe qëndrim moral në çdo aspekt të përditshmërisë; dhe një mjek që e sheh se spitali ku punon është katandisur në një set filmi horror të kategorisë së tretë e ka për detyrë morale që të protestojë.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: