TË SHKRUASH ME GABIME (VI)

Vetë fakti që i gjejmë gabimet drejtshkrimore, tregon së paku dy gjëra: (1) që ne vetë i njohim rregullat e drejtshkrimit dhe (2) që presim nga teksti përkatës që t’i ndjekë këto rregulla. Këtu mund të pyesim edhe nëse këto dy gjëra spikatin vetëm për ne, si gjetës të gabimeve, apo edhe për autorin e tyre, ose “fajtorin.” Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje rrezikon të jetë shumë komplekse. Kuptohet vetiu që ne presim, para së gjithash, që tekstet publike, si artikujt në gazetat, tekstet e librave, titujt e ndryshëm ose tekstet në  shpalljet a në shenjat publike të jenë pa gabime; nga njëra anë, shkalla e pritmërive tona varet nga dukshmëria e teksteve në fjalë – një gabim në një tabelë rrugore a poster teatri do të na irritojë shumë më tepër se një gabim në një lajmërim për mbledhje të banorëve të mëhallës; nga ana tjetër, veçanërisht nuk i tolerojmë gabimet në tekste që kërkojnë të na kujtojnë për rregulla të ndryshme ose të na i mësojnë ato – për shembull, në tekstin shkollor të gjuhës shqipe. Por edhe vetë pritmëritë tona që tekstet publike të jenë mundësisht pa gabime, tregojnë se ne presim të gjejmë në ato tekste manifestimin e një autoriteti të ngjashëm me atë të vetë rregullave të drejtshkrimit; ose të paktën të një mekanizmi që do të ndihmonte drejtpërdrejt në përhapjen, riprodhimin dhe përforcimin e këtyre rregullave si shprehi. Duam pra që tekste të tilla të mos kenë gabime njëlloj sikurse duam që polici rrugor të zbatojë rregullat e qarkullimit dhe, më tej akoma, sikurse duam që një fushë futbolli, të paktën gjatë një ndeshjeje të kampionatit, të ketë formën e një katërkëndëshi kënddrejtë dhe jo të një trapezi ose me keq. Kjo kënaqësi gati çliruese, që na vjen, kur shohim objekte të disiplinuara, ose të radhitura mirë, ndoshta lidhet me konfirmimin e tërthortë, që marrim, se autoriteti publik është në kontroll dhe punon në mënyrë kompetente, ose profesionale; ose, për ta thënë me Shvejkun, që “gjithçka punon si sahat.” Gabimet drejtshkrimore, për shembull në një banderolë ose në titullin e një libri në kopertinë a të një filmi në afishen përkatëse tregojnë se personat që qëndrojnë pas këtyre teksteve “defektoze”, nuk e kanë bërë mirë punën e tyre; për shembull, duke mos pajtuar shërbimet e një korrektori teknik ose duke mos ua dhënë tekstet në fjalë një syri të freskët për kontrollin përfundimtar. Përndryshe, janë pikërisht këto lloj gabimesh flagrante që na bëjnë të mendojmë se hartimi profesional qoftë edhe i një teksti të thjeshtë kërkon një kompetencë të caktuar, e cila më pas do të përfaqësojë, në sytë e publikut, autoritetin e institucionit që flet nëpërmjet teksteve publike. Me fjalë të tjera, ne i duam këto tekste pa gabime jo sepse edhe vetë shkruajmë pa gabime; por sepse duam të sigurohemi se krijuesit e tyre kanë treguar kujdes, vëmendje ose shqetësim për “gjënë publike”, ku hyn edhe kontakti ynë, si lexues ose publik, me ato tekste; të cilat ne i përdorim, bie fjala, për t’u informuar. Dhe kjo marrëdhënie e ngushtë, që për të gjithë ne ekziston midis autoritetit dhe mungesës së gabimeve në të shkruar i ka rrënjët që në shkollën fillore, ose në kohën kur të gjithë ne shkruanim me gabime dhe personi që përfaqësonte madje mishëronte para nesh autoritetin publik – mësuesi – na i vinte në dukje, na i korrigjonte, dhe sipas rastit vlerësonte rendimentin tonë shkollor në bazë të gabimeve që bënim. Asnjë nxënës nuk guxon të sfidojë autoritetin “drejtshkrimor” të mësuesit, ose të vërë në diskutim kompetencën e tij; dhe pikërisht kjo siguri transferohet më pas, shumë më pas, në pritmërinë tonë për tekste publike pa gabime, duke filluar natyrisht nga ato drejtshkrimoret. Sot publiku do të arsyetonte pak a shumë kështu: nëse shteti ose res publica është burim dhe legjitimim i së drejtës, përfshi edhe së drejtës shkrimore ose drejtshkrimit, atëherë kur shteti ose res publica nuk arrin t’i përmbahet rregullave që sanksionuar vetë dhe ka marrë përsipër t’i respektojë dhe t’i mbrojë anembanë territorit të vet, atëherë vetë rendi publik vihet në pikëpyetje dhe mund të pësojë kolaps. Përkundrazi, rrethanat kur dikush tjetër me status të barabartë ose më të ulët se autori – një lexues, një koleg ose një i panjohur në një forum a në një rrjet social – i vë autorit në dukje se e ka shkruar tekstin me gabime, kjo i përmbys menjëherë rolet në skenë; sepse normalisht autori duhej të përfaqësonte edhe “autoritetin”, siç e sugjeron vetë fjala; por në fakt tani është publiku që merr përsipër të përçojë autoritetin e rregullave të drejtshkrimit, duke ushtruar një lloj sovraniteti që prej publikut, përndryshe, pritet në rrethana të jashtëzakonshme; ose pikërisht atëherë kur profesionistët e ngarkuar për të mbrojtur rendin, përfshi edhe rendin drejtshkrimor por pa u kufizuar me të, dështojnë në punën e tyre ose janë në krizë. Në dukje, ai që e qorton autorin për gabime bën një shërbim ose ndërhyrje të krahasueshme me atë të qytetarit që i tërheq vëmendjen një qytetari tjetër, kur ky hedh letrën e byrekut përtokë; ose të atij qytetarit tjetër, që ndërhyn për të mos lejuar që një nënë të rrahë fëmijën e vet në rrugë. E megjithatë, për shkak të një loje rolesh me të cilën jemi mësuar që të vegjël, ku personi që merr përsipër të imponojë rregullat është edhe personi më me autoritet, ne në përgjithësi nuk e presim mirë, kur dikush e sheh të nevojshme të na qortojë gabimet drejtshkrimore, ose gabimet gjuhësore në përgjithësi, pra të na “vlerësojë me notë” në publik; sepse ky konstituohet si një lloj autoriteti të cilin ne nuk e njohim si të tillë, ose refuzojmë ta njohim. Tek e fundit, kur dikush boton një shkrim në gazetë, është detyrë e redaksisë së gazetës të kujdeset që shkrimi të dalë pa gabime gjuhësore, përfshi këtu edhe ato drejtshkrimoret; prandaj edhe qortimi, idealisht, duhej t’i shkonte në adresë gazetës vetë. Nga ana tjetër, kritikat për gabime gjuhësore shpesh u drejtohen teksteve të cilat nuk përmbajnë shmangie nga norma drejtshkrimore, por synojnë të ndjekin një normë alternative (p.sh. teksteve të shkruara në gegnishten letrare); ose janë ideologjikisht të frymëzuara, si në rastin e atyre kritikave – të rëndomta – se autori ka përdorur shumë fjalë të huaja dhe që mbështeten në parimin (në thelb ideologjik) se shqipja duhet mbajtur “e pastër” nga fjalët e huaja. Pa folur pastaj për ato kritika të cilat kanë për synim thjesht të denigrojnë autorin, të zhvendosin vëmendjen nga çfarë flitet në tekst, ose – në rastin më të skajshëm – të riprodhojnë autoritetin fiktiv, në çështje gjuhësore, të personit që e formulon kritikën. Për arsye të ngjashme, të gjithë do të habiteshim sikur një i panjohur të na tërhiqte për mënge, në mes të ditës në trotuar, për të na qortuar se e kapërcyem rrugën duke ecur përmes trafikut, në vend që të ecnim në vijat e bardha; ose për të na kujtuar se kishim hedhur përtokë një letër karameleje ose një paketë cigaresh të zhubrosur; ose për të na vënë në dukje se e kemi parkuar keq makinën. Do të habiteshim, jo sepse kritika nuk qëndron; por sepse nuk do ta pranonim lehtë rolin prej autoriteti të tjetrit, sa kohë që e kemi mësuar veten me idenë se autoriteti duhet të jetë gjithnjë profesional dhe, mundësisht, me natyrë institucionale.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: