JEHONA E MËSUESIT

Është e vështirë të shtosh diçka origjinale, pas fjalëve të miqve, studiuesve, kolegëve, studentëve, dashamirësve, lexuesve, të Umberto Ecos, kur shprehen për humbjen e pësuar, kujtojnë përvoja të përbashkëta e japin përshtypje të afërta e të largëta. Studime, simpoziume, dokumentarë e veprimtari përkujtimore do të vijojnë edhe pasi jehona mediatike e shkurtit 2016, pas ndërrimit të jetës të semiologut të madh, të jetë shuar.

Por për cilin Umberto Eco të flasësh? Për semiologun, filozofin, shkrimtarin, eseistin, kritikun, publicistin, bibliofilin, botuesin, medievistin, gjuhëtarin, docentin, intelektualin, apo për njeriun? E tek semiologu për cilën vepër të flasësh: për “Traktatin e Semiotikës së Përgjithshme”, apo për “Lector in fabula”? Cilin roman të shkrimtarit Eco të analizosh? “Emrin e trëndafilit”, apo “Baudolinon”; “Varrezat e Pragës”, apo “Numrin zero”? Të përmendesh Eco-n intelektual? Atë që shkruante në faqet e revistave, që firmoste letra të hapura, apo atë që në moshën 84 vjeçare ndërmori aventurë të re botuese për hir të lirisë?…

Përmasa të jashtëzakonshme të një personaliteti të jashtëzakonshëm.

Nuk kam pasur fatin ta njoh nga afër, personalisht, por për mua ka qenë mësues i çmuar. Pohimi mund të duket me kontradiktë intrinseke, sepse në kuptimin tradicional, mësues është ai që të jep mësim në klasë e gjithsesi në afërsi fizike. Mirëpo, falë botimeve të shumta, pranisë aktive në kulturën bashkëkohore, e përse jo, falë edhe mjeteve moderne të komunikimit, Eco ishte bërë mësues i disa brezave. Ndaj edhe ishte më i pranishëm se sa një mësues, që të korrigjon detyrat me laps të kuq.

Në Universitetin italian “La Sapienza”, Fakultetin e Letrave dhe të Filozofisë, andej nga fundi i viteve 1980, nuk kishte katedër të Semiotikës, megjithatë ndikimi i Eco-s ndihej i drejtpërdrejtë, kryesisht në atmosferën e në kontekstin e studimeve letrare e gjuhësore. Studimet semiotike në atë kohë zienin kudo në Europë, ndoshta kishin kapur pikën e vlimit, duke kushtëzuar e “ndotur” edhe fusha të tjera të dijes. Ndihej, gjithashtu, përplasja midis konceptimit të mykur nocionist të fushave klasike dhe freskisë së risive interpretuese me prejardhje strukturaliste. Pa folur për prapavijat filozofike dhe rrymat studimore. Dinamika të vështira për t’u rrokur nga një i porsaardhur nga Shqipëria, por edhe vendasit nuk e kishin të lehtë t’i qëronin nga teprimet ideologjike, pushtetore, mediatike e instrumentale.

Për dikë si puna ime, që kishte ardhur nga periferia e periferisë, orientimi në oqeanin e njohurive ishte më shumë instiktiv, se sa i arsyetuar. Por shtysat ishin sa energjike, aq edhe të pavetëdijshme. Si për shembull kureshtja e dëshira për të mësuar diçka të re, alternative, serioze, mundësisht të ndaluar. Por edhe dëshira për të mësuar si të lexosh, se sa të lexosh.

Sharmi e magnetizmi i dijes së semiologut italian varej me siguri edhe nga origjina e tij provinciale, në kuptimin që ishte lindur e rritur në një familje të thjeshtë (i ati punonte në një dyqan hekurishtesh) të provincës italiane, saktësisht në Alessandria, krahina Piemonte. Kush i njeh sadopak ato zona, ose thelbin e provincës italiane, e ka më të lehtë për ta kuptuar. Përmasën e provincës e kishte pasuruar më pas me atë europiane dhe globale, pa humbur asnjërën, por duke i plotësuar në një mozaik dijesh trepërmasore, që e lejonte të fliste nga problemet më konkrete të jetës tek teoritë e vështira të shenjave. Popullor dhe elitar në të njëjtën kohë. Ndoshta për këtë më pëlqente, se ishte modern me këmbë në tokë.

Umberto Eco, si dijetar, ishte peshë e rëndë dhe e lehtë njëkohësisht, oksimoron i gjallë, rëndësi e lehtësi në të njëjtën hapësirë. Dinte t’i sfidonte ligjet gravitacionale të seriozitetit të shkencës dhe të komunikimit, duke i shndërruar konceptet e vështira në të thjeshta, ndërlidhjet komplekse në lineare.

Në një botë dijetarësh, akademikësh e titullarësh, ku të gjithë e marrin veten seriozisht, madje shumë seriozisht; ku të gjithë marrin poza mendimtarësh të padiskutueshëm; ku kërkojnë të ngjiten në shkallët e karrierës mundësisht drejt monumentit të babait të kombit, të kulturës, apo të shkencës; e pra në një botë të tillë, e zymtë sepse e rreme, Eco shkrimtar e publicist vishte ndonjëherë tesha me ngjyra dhe merrte papritur (falë edhe personazheve të veta) rolin e paparë të “palaços erudit”, të atij që ia thotë gjërat troç, me mprehtësi e natyrisht me seriozitet thelbësor, mbretit Klishé e mbretëreshës Banale, duke e argëtuar publikun (por veten në radhë të parë) me aftësinë intriguese të zbërthimit të temave. Në të njëjtën mënyrë u qasej teorive të komplotit, ku serioziteti është premisa e boshti i mekanizmit.

Umberto-Eco-1Shkrimet dhe intervistat e Eco-s janë plot humor të hollë e autoironi, mallra të rralla në botën e sotme, ku pamja dhe roli social e vret njeriun dhe kënaqësinë e komunikimit me tjetrin. Nuk di ç’të them për aftësinë e tij për të treguar barsoleta – thonë që dinte t’i tregonte bukur -, por çdo lexues e kuptonte që tekstet e tij ishin lunaparqe të fjalës, cirqe të mendimit, ku zbavitja ishte rregull i lojës, ku rrëfimi ishte jeta vetë. E kush vjen nga një botë totalitare, me seriozitet prej funerali, e vlerëson më shumë këtë aspekt të shkrimtarit.

Edhe pse i merrte seriozisht problemet aktuale dhe temat moderne, asnjëherë nuk fliste nga katedra e së Vërtetës absolute, çka e bënte edhe një farë antisnobizmi të padeshifrueshëm nga kategoria e snobëve. Por, siç ndodh në kësi rastesh, është pikërisht kultura e madhe që të jep antidotin ndaj mendjemadhësisë, sikurse të ofron vaksinën e përulësisë.

Si lexues i hershëm i Ecos, u habita me veten time, që nuk më kishte vajtur mendja më parë: se duhet t’i kishin dhënë çmimin Nobel për letërsinë. Më erdhi ndër mend kur lexova dëshirën e një miku të tij, shprehur post mortem, dhe një dëshmi tjetër, sipas të cilës Shkrimtari nuk e vriste mendjen për çmimin, sepse kishte shumë për të punuar. Fakt është se në opinionin publik italian nuk janë parë as mobilizime publike, as histerizma për të kërkuar çmimin Nobel për shkrimtarin e famshëm. Nga artikujt që botonte Eco intelektual, dallohej që parapëlqente dashamirës, jo ithtarë fanatikë. Edhe kritikat i merrte me shumë sportivitet. Ishte ai që përqafoi pa hezitim teknologjinë informatike që në fillesat e saj, ishte po ai që ushtoi kundër budallenjve të internetit të sotëm. Tek e fundit, Eco nuk la ndonjë shkollë (rrymë) të vetën, as kam dëgjuar për ekoianë, apo ekoistë në katedra a gjetiu.

Së fundi, Umberto Eco-n e vlerësoja për atë ndjenjën e lirisë, që të jepnin e të frymëzonin shkrimet, studimet e romanet e tij. Edhe kur nuk të bindnin deri në fund. Megjithatë, edhe sot, ngado që të ndalojnë sytë, nga “Struktura e munguar” tek “Lavjerrësi i Foucault-it”, nga “Kufijtë e interpretimit” tek “Flaka e fshehtë e mbretëreshës Luana”, nga “Apokaliptikë e të Integruar” tek “Ndërtimi i armikut e shkrime të tjera”, mendja është e lirë të fluturojë e të endet mbi ide, koncepte, histori, rrëfime, botë, njohuri enciklopedike… të pafund; tekste të lidhura nga urat e analogjisë, metaforës, logjikës e simbolikës, të ndërtuara si labirinte magjike, ku udhëtimet reale e imagjinare anojnë drejt së vërtetës pa e arritur kurrë, ku e vetmja forcë e rrugëtimit është kureshtja, ndërsa Eco, herë bashkudhëtar dhe herë udhërrëfyes.

1 Koment

  1. Falemnderit Pishak! Dhe po ashtu nderime për thjeshtësinë e shprehjes, autenticitetin e veneracionit për mjeshtrin, dhe aftësinë për ta ruajtur subjektin si protagonist të shkrimit!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin