TREBICKA SJELL GOTTSCHALK-UN NË TIRANË

Ditën e premte, në sallën e Teatrit të Operas, pianistja Maniola Camuset Trebicka dha një koncert recital. Të them të drejtën e prisja me një lloj kureshtjeje. Trebickën e kisha dëgjuar në interpretimet online dhe njihja së largu karrierën e suksesshme në Francë.

E kam çmuar në mënyrë të veçantë, për shembull, interpretimin që ajo i bën Tokatës së Feim Ibrahimit, që është pjesë e pandarë e interpretimeve të saj, pa përmendur këtu repertorin standard, që është  “pasaporta” e një pianisti klasik.

Me një aktivitet shumë të pasur pedagogjik e koncertistik në Francë, ardhjet solistike të Maniola Trebickës në Tiranë kanë qenë të pakta. Për t’u përmendur një interpretim i plotë i baladave të Chopin-it, përpara 13 vjetësh, ndërkohë që në skenën e Teatrit të Operas ajo kthehet pas 30 vjetësh. Por kureshtja që kisha ndaj koncertit më vinte mbi të gjitha për shkak të natyrës së programit që pianistja kishte zgjedhur. Luante 10 pjesë nga Louis Moreau Gottschalk, një pianist dhe kompozitor amerikan, i gjysmës e dytë të shek. XIX. Lindur në New Orleans, ai qëndroi shumë afër muzikës europiane të kohës. U shkollua në Paris dhe krijoi lidhje shumë të afërta me establishmentin muzikor të asaj periudhe. Nga një anë për shkak të prejardhjes së tij jo-europiane dhe nga ana tjetër për aftësitë  e tij të jashtëzakonshme teknike në piano, Gottshcalk u bë një ndër pianistët më popullorë, ndonëse jo fort i interpretuar dhe i njohur tanimë krahasuar me ata figurat përfaqësuese të pianizmit të asaj kohe.

 

Gottschalk luhej për herë të parë në Shqipëri dhe zgjedhja e Trebickës në përfundim të tij e gjeta tepër të veçantë. Recitali është një sfidë për çdo instrumentist dhe përzgjedhja e programit luan një rol kyç në prezantimin e tij publik. Nuk është çështja vetëm te bravura apo talenti. Për një pianiste karriere me një përvojë të gjatë si ajo e Maniola Trebickës, këto gjëra nuk vihen në dyshim. Çështja është te mënyra sesi ajo kishte vendosur të prezantonte vetveten: loja e saj individuale nëpërmjet portretit muzikor të një autori veprat e të cilit dalloheshin për teknikën akrobatike, për një melodizëm tepër evokativ dhe mbi të gjitha, për përballje të skajshme gjendjesh emocionale: nga një ritmikë impulsive, pasionante, gati gati e papërmbajtur në energjinë e vet, te situata prehjeje, ku mbizotëron një kantilenë e qetë, e ndrojtur dhe delikate. Trebicka i ndërtoi shumë mirë këto kundërvënie. Pianizmi i saj ishte sa brilant nga ana teknike, aq edhe elegant e fin, dëshmi e një pune të detajuar me tingullin dhe sidomos me teknikën ose më saktë, teknikat e lojës në piano.

Maniola TrebickaPërveç këtyre elementëve, Maniola Trebicka rrëfeu me shumë finesë, ndjeshmëri dhe inteligjencë, cilësitë kozmopolite të muzikës së Gottschalk-ut. Ky për mendimin tim ishte edhe aspekti më interesant i kësaj muzike. I prejardhur ndoshta nga rrënjët kreole të tij por edhe nga përvoja e udhëtimeve në vende të ndryshme, veprat e tij përshkohen nga një frymë kozmopolitizmi. Gottschalk nuk ngurron të merret me ritme dhe melodi nga gjeografi të ndryshme muzikore: spanjolle, po aq edhe andaluziane, kubane, portorikane, tarantella italiane e kështu me rradhë; pa harruar edhe modelet popullore të valsit, polkës apo marshit. E parë nga një situatë kulturore më e gjerë, Maniola Trebicka evidentoi gjithashtu një pianizëm që pasi kishte përfituar shprehitë karakteristike romantike, kishte nisur të shkëputej nga establishmenti muzikor europian i fjala vjen, Liszt-t dhe Chopin-it për t’u bërë pjesë e botës.

Ai i Gottschalk-ut ishte gjithashtu një pianizëm që “zjente” brenda vetes, ndoshta edhe sepse e ndjente që nuk do të shkonte shumë gjatë (Gottschalk
vdes në moshën 40 vjeç). Dhe brenda kësaj vorbulle dëgjojmë shprehje që pak vite më vonë do të marrin një fizionomi shumë të qartë e do të identifikohen sidomos me ragtime-in, por edhe me kulturat muzikore afro-amerikane, latino-amerikane, protagonistët e të cilave po afirmoheshin në “botën e re” me një forcë dhe një estetikë të guximshme.

Një pianizëm pra për t’u vlerësuar dhe një koncert për t’u mbajtur gjatë në mend.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin