REQUIEM

nga Eleana Zhako (*)

[…] “dhe atëherë, fëmijë të prindërve të tyre në fillim, gra të burrave të tyre, miq të miqve të tyre dhe njerëz të një gjaku, u ndanë në mënyrë të dhimbshme”, dhe djelmosha me gjysmë pashë qime në gjoks dhe vrëndëllimën e rrufesë së Zeusit të mbledhur në organe, të cilat puqen në harlisjen më të përndezur sensuale, tek i shikon të qiten pesëdhjetë e pesëdhjetë para trupave ekzekutuese, me qëllim që fara e jetës brenda tyre të zhduket dhe ujrat të përskuqen si trëndafil gjaku, dhe njerëzit të çmenden nga gjëmat e papërballueshme dhe të vrapojnë andej – këtej të nxirë nga lotët, duke ulëritur si çakaj dhe duke çjerrë faqet brenda vorbullës së një vertigoje të pamëshirtë të shkaktuar nga zbulimi i vakuumit të zjarrtë të jetës dhe nën tmerrin e përshkimit të atij caku, i cili e bën këtë zbulim aq të padurueshëm, sa dhe një grusht qymyri i ndezur i futur në gojë […]

chagall_006full[…] asnjë frymë optimizmi nuk ndihej në ajër, madje e kundërta, shpresat sa vinin e shuheshin (ato çaste, asgjë tjetër nuk ishte më e papërcaktuar sa fjala shpresë dhe asgjë më e errët se kuptimi i saj), ndërkohë që me lajmin e rënies edhe të frontit të lindjes, njerëzit u detyruan të përshpejtojnë rrugën drejt veriut; brenda këtij kaosi të përgjithshëm, nxitimi drejt veriut ngjante me një veprim të shtyrë nga një dëshpërim real me tipare autokatastrofike dhe vetëmbijetese në një vend të rrethuar nga të gjitha anët, por që  shpatmalet e tij në veri të krijonin sadopak iluzionin e rremë dhe ndjenjën lehtësuese të një vendstrehimi të pathyeshëm, por ngaqë nuk ekzistonte asnjë dalje në det, ndjenja e asfiksisë dhe e qorrsokakut, e kurthit, e shtrëngesës, e lakut, e mbytjes, i detyronte turmat, ato që kishin ngelur ende në qytete, por dhe ato që kishin zënë gjithë shtegkalimet mes maleve të sillen padukshmërisht rreth vetes, derisa pa dallim, ndaluan dhe filluan të prisnin, njësoj si një i pagjumë që rrotullohet vazhdimisht në shtrat dhe lëvron çdo kthinë të tij duke u munduar t’i shmanget arsyes së pagjumësisë, por që pavarësisht yshtjeve gjumëndjellëse, kërcënimi i pagjumësisë rikthehet më kanosës, derisa i cfilitur, me gjuhën jashtë nga lodhja dhe me shkumën e epileptikut në gojë dhe trurin të mbivendosur në një teh brisku te mprehtë, ngelet peng i lëmshit të ngatërruar të pamundësisë së vet, që ngjan sikur e ka lidhur; dhe atëherë vjen si profeci ajo që pritej të vinte më herët, por që shpirti bënte çmos t’i shpëtonte, duke u përleshur deri në fund me vuajtet e mesnatës, derisa të mposhtet prej tyre. […]

Pjesë e shkëputur nga libri:

“Vdes siç vdes një vend”

Autori: Dimitris Dimitriadis

               Botimet “Zenit”


(*) Autorja është përkthyesja e librit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin