Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Përkthim

PROZA E SHARL BODLERIT

Në vëllimin e katërt të veprave të plota të Sharl Bodlerit (Charles Baudelaire)  të botuara më 1869, dy vjet pas vdekjes së tij, për herë të parë u përmblodhën edhe pesëdhjetë tregime të shkurtra. Botuesi i titulloi Poema të vogla në prozë. E vërteta është se një pjesë e tyre ishin bërë të njohura më  parë në gazeta të mëdha parisiane që në gjallje të autorit. Në njërën nga ato, në Le Figaro, disa tregime të tilla vetë Bodleri i kishte botuar  nën titullin Spleen-i Parisit (Le spleen de Paris). Kjo i ka shtyrë botuesit e mëvonshëm që krijimtarinë e tij në prozë ta ribotojnë duke ruajtur të dy titujt e mësipërm, atë me të cilin ai i kishte paraqitur vetë në shtypin e kohës dhe titullin me  të cilin u botuan të plota pas vdekjes. Një praktikë të tillë e respekton edhe ky botimi i tyre plotë  në shqip.

Vetë origjina e një termi aq të  veçantë, Spleen, ka të bëjë me një interpretim të mjekësisë antike e cila u njihte organeve të ndryshme të trupit  të njeriut aftësinë e prodhimit të lëngjeve që shkaktonin gjendje të veçanta psikologjike. Në këtë rast shpretka (lat: splen, angl: spleen), sipas mjekësisë së vjetër, është në origjinë të  një gjendje të rëndë sëndisjeje e trishtimi që i afrohet depresionit, të një topitjeje dhe  veselitjeje nga jeta.Charles Baudelaire

Njohësve të krijimtarisë së Bodlerit, titulli që shoqëron prozën e tij të shkurtër do t’u sjellë menjëherë ndërmend edhe një pjesë e poezive të vëllimit  Lulet e së keqes, ato që gjenden nën titullin Spleen dhe ideal (Spleen et Ideal). Kjo lë të kuptojë se Spleen-i për të nuk është një term i rastit për të treguar thjesht një gjendje të caktuar kalimtare, por një nocion që shkon thellë dhe që përbën në vetvete një pamje të botës, një realitet të cilit nuk mund t’i anashkalosh. Eshtë fjala për diçka të  pranishme edhe kur ai përshkruan “…fizionominë e paqtë të atyre që janë të dënuar të shpresojnë gjithë jetën.”, siç ndodh te rrëfimi “Secili përbindëshin e tij”.

Nëse në vëllimin Lulet e së keqes, poeti i madh e shtrin më fort universin e eksplorimeve të tij  në thellësi të shpirtit njerëzor, proza e tij e drejton vëmendjen tonë te labirintet e një metropoli të madh urban, siç ishte shndërruar Parisi në kohën e Perandorisë së  Dytë, te fenomenet e reja  që u mbiviheshin atyre të vjetrave dhe që në një farë mënyre edhe ato ishin të lidhura me lindjen e një  shoqërie industriale, e cila kishte sjellë një problematikë të re sociale dhe estetike. Poemat në prozë janë Lulet e së keqes, thoshte ai, por më të veçanta se ato, kanë më shumë liri dhe detaje…

Me titullin që zgjodhi vetë për gazetën Le Figaro, Bodleri  duket sikur ka dashur të na lërë në dorë një çelës për të  kuptuar më mirë thelbin e prozës së tij, rrethanat  në të cilat e shkroi nga viti në vit, gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhej, idetë që kishte. Por jo bindjet. Nuk kam baza te kem bindje, thotë ai diku, mbase për të  na dhënë  të  kuptojmë se nuk e gjykon realitetin pas filtrit të  ndonjë ideologjie, që  ishin aq në  modë në shekullin e tij e më pas.

Duke ia dedikuar botuesit të tij A. Houssaye një cikël të këtyre rrëfimeve aq të veçanta,  ai shkruan: “… Hiqi një vertebër dhe dy copat e kësaj fantazie plot spërdredhje do të ngjiten pa vështirësi. Grije copa-copa me latë dhe do të shihni që secila mund të jetojë më vete. Duke shpresuar se ndonjëra prej këtyre copave do të jetë aq e gjallë sa t’ju pëlqejë dhe zbavitë, marr guximin t’ju dedikoj të gjithë gjarprin.”

Nëse shumë vetë në këtë dedikim shohin një gjest oportunizmi të autorit ndaj botuesit, ne na shërben të njohim më mirë mënyrën se si ai e kishte konceptuar këtë seri tregimesh, unitetin e tyre të brendshëm, logjikën e përbashkët artistike.

Në një letër që i shkruan së ëmës më1865 ai thotë se vepra e tij e re do të vendoste bashkë “të frikshmen dhe gaztorin, butësinë me urrejtjen…”  Ndërsa një mikut të tij i shprehej se ca nga ato proza do të bënin të dështonin lexueset e tij shtatzëna.

Nga studimet e shumta që i janë kushtuar kësaj vepre, del qartë se për këtë lloj proze të zhdërvjellët e shprehëse, Bodleri do të jetë ndikuar edhe nga arti i piktorëve bashkëkohës, një pjesë e mirë e të cilëve ishin miq të tij të afërt. Midis tyre përmendet C. Guys, i cili qe bërë i njohur për skicat me subjekt universin urban, krimin, vuajtjen, vetminë, braktisjen dhe gjithçka tjetër që mbetet pothuaj e përjetshme.

Në një studim interesant që Bodleri  ka bërë për mikun e tij,  E. Delacroix, ai nënvizon një thënie të vetë piktorit gjenial: « Nëse ju nuk keni shkathtësinë e duhur të bëni vizatimin e një njeriu që hidhet nga dritarja përgjatë kohës që atij i duhet të bjerë përtokë që nga kati i katërt, ju kurrë nuk mund të bëni gjëra të mëdha ». Duke lexuar këto tregime duket sikur edhe vetë Bodleri  me penën e tij e ka bërë të veten këtë shprehje dhe me shkathtësi të admirueshme përshkruan pamje jetësh të   pazakonshme, fate njerëzish që i ndesh në rrugë, jep tablo mbresëlënëse dhe tronditëse, karaktere të përçudnuara që shfaqen krejt papritur në rrugët e një metropoli që ka nisur të konfigurojë tiparet e megapoleve të ardhshëm.

Mund të thuhet se duke përfshirë si motiv krijimtarie të  përditshmen e padukshme për sytë e zakonshëm, metamorfozat e mëdha të shoqërisë moderne, ai pret urat me estetikën klasike, me mënyrën tradicionale të qasjes ndaj subjekteve të aktualitetit, duke treguar në formën më shpërthyese shpirtin e tij prej rebeli dhe shkrimtari jokonformist.

Janë të panumërta edhe studimet për formën e krijimtarisë së tij në prozë, më saktë për pjesën e « poemës » që përmban ajo. Ka nga ata që origjinën e një mënyre të tillë të shkruari duan ta shohin që te Ungjijtë apo te shkrimet e Shën Agustinit, por kur një gjë e tillë u shfaq më qartë e në mënyrë të qëllimshme në shek. XVIII-të studiuesit mendojnë se synimi ishte që ajo të përmblidhte elementë të traditës së rrëfimit dhe të lirikës. Vetë  Bodleri nga ana e tij përmend poetin dhe dramaturgun  A. Bertrand (1807-1841), të cilin e njeh si krijues të  poemës në prozë. E megjithatë, mendimi i përgjithshëm është se do të jetë vetë ai që do ta përpunojë dhe ngrejë këtë lloj arti në nivele të mahnitshme zhdërvjelltësie.

Duke qenë se jetoi në një periudhë kur ishte ende i gjallë shpirti i romantikëve të cilët që  prej kohësh ishin vënë në kërkim të kulturave dhe letërsive të popujve të tjerë, nuk mund të përjashtohet që Bodleri të ketë patur dijeni edhe për krijimtarinë poetike në Ballkan e madje, edhe për universin folklorik shqiptar.  Është fjala për një thesar artistik ndaj të cilit nuk rrinin indiferente edhe revista të mëdha të kohës dhe jehona e tij ishte e pranishme në qarqet artistike e intelektuale edhe nëpërmjet përshkrimeve të udhëtarëve të ndryshëm. Pak a shumë, kur Bodleri përgatiste vëllimin e tij të famshëm, Lulet e së keqes, A. Lamartini (1790-1869), i shkruante De Radës: “Poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet.”

Një nga revistat e mëdha franceze në të cilën shkruhej shumë edhe për historinë, kulturën dhe poezinë e popujve të  tjerë e në këtë mes edhe për ngjarjet që preknin Shqipërinë e kohës, ishte  Revue de deux mondes, (aq shumë e cituar në studimet shqiptare), e cila nisi të dalë që më 1829 dhe vazhdon të botohet edhe sot. Një kërkim i thjeshtë në arkivin e saj tregon se në faqet kësaj reviste edhe Bodleri ishte i pranishëm me krijimtarinë e tij poetike.

Më tej, dokumente dhe dëshmi të ndryshme të bashkëkohësve tregojnë se ai ka qenë mjaft i afërt me Auguste Dozon-in (1822-1891), poet, studiues dhe autor mjaft i njohur i Manualit të Gjuhës shqipe, që u botua në Paris aty nga viti 1870. Në të vërtetë po ta shohësh me kujdes, në atë libër ka edhe një gramatikë e fjalorth shqipes, por pjesa më e madhe e tij është e mbushur me folklor shqiptar. Në krye të librit të tij Dozon thotë vetë  se ishte nisur të mblidhte këngë e legjenda shqiptare, por nevoja e transkriptimit sa më të saktë të tyre e shtyri të studiojë dhe kuptojë natyrën e gjuhës shqipe.

E pra, në Paris, që në rininë e tij, A. Dozon bënte pjesë në një grup miqsh ku qe i pranishëm edhe Bodleri. Ata duket se kishin bindje të përafërta estetike dhe letrare, madje mendohet se kanë marrë pjesë në  botimin e përbashkët të ndonjë vëllimi me vargje (Charles Baudelaire, Editions Gallimard, Paris 2006, fq 206).

Albanologu  ynë (në fakt një term i tillë nuk ekzistonte dhe A. Dozon vetë propozon emrin albanist) në mënyrë të padyshimtë  ka tërhequr vëmendjen e Bodlerit edhe me historitë,  këngët e rrëfimet   të  çuditshme që  mblodhi maleve të Shqipërisë, por megjithatë, deri më sot ne nuk kemi ndonjë dëshmi a opinion sikundër ai që ka lënë Lamartini.

Vetiu vjen edhe një pyetje e dytë: A ka patur ndikim në Shqipëri  vepra e Bodlerit?  Dua të besoj se po.  Dhe hë për hë le të përmendim vetëm emrin e Migjenit. Gjithçka tregon se ky poet dhe prozator i jashtëzakonshëm shqiptar, veç Luleve të së keqes do të ketë njohur mirë edhe  prozën e  Bodlerit. Dhe është ndikuar prej tyre.

Kjo së pari vërehet në frymën  e krijimtarisë, në notat e forta të dëshpërimit dhe  melankolisë dhe në  praninë e një spleen-i të vërtetë në shpirtin e tij. Ajo që Bodleri e quan “armiku i zymtë që gërryen zemrat”, “helmi” që i rrjedh në vena, ajo mërzi që i bën njerëzit të duken si hije që ecin apo si fantazma që mendojnë, është e gjithpranishme edhe te poeti shqiptar. Te poezia Vetmia, Migjeni  ndërton një tablo emocionalisht tronditëse: Më plak mërzitja/që vetmia më sjell/ përbuzja, urrejtja/të gjith sendet m’i mbështjell…

Përsa i përket prozës, tërheq vëmendjen jo vetëm atmosfera e veçantë, gjendja psikologjike dhe sociale e personazheve, por edhe një  numër subjektesh të përafërta të dy autorëve tanë. Midis tyre le të  marrim tregimin Sytë e të varfërve të Bodlerit dhe Molla e ndalueme e Migjenit. Ndërsa në të parin kemi përshkrimi e dhimbshëm të një babai që së bashku me dy fëmijët e tij të mitur ndalon gojëhapur para vitrinës luksoze të një lokali modern parisian, në një nga bulevardet e rinj që ndërton prefekti i Parisit, baroni Haussman, në rastin e dyte kemi një  krijesë tjetër të mizerjes që qëndron para vitrinës së dyqanit të një qyteti verior të Shqipërisë, ku kanë nisur të zbresin malësorë pa tokë e të dëshpëruar. Por vërehet se ndërsa në rastin e parë lexuesi ndjek përshkrimin e shkathët e plot detaje të autorit dhe e ka të vështirë të dalë jashtë piketave që i ka vënë ai, në rastin e dytë, lexuesi ndjen në shpirt dhimbjen e vetë poetit më shumë se rrëfimin e tij dhe kjo i lë mundësi të mendojë se në një çast të jetës a në një  tjetër,  të gjithë ndeshen me një mungesë  të caktuar dhe qëndrojnë  të  frustruar para një  “molle të ndalueme.”

Nëpër faqet e krijimtarisë së Migjenit është e pamundur të mos vëresh të njëjtën thyerje   që solli Bodleri në raport me poezinë dhe prozën e autorëve të tjerë bashkëkohës. Sikundër te Bodleri, edhe te Migjeni vërehet po ajo aftësi dhe shtysë për t’u ngritur kundër kulteve, për ta modernizuar poezinë dhe narracionin me subjekte dhe pamje “qytetëse”, në dukje krejt të zakonshme, por të panjohura më parë në letërsi, vërehet aftësia për të  pikasur dramën njerëzore që fshihet pas pamjesh që i ikin syrit të zakonshëm apo vështrimit të atyre që hedhin sytë gjithandej por nuk shohin gjë.

Personazhet e qytetit tonë verior nuk lëvizin në ndonjë peizazh të magjishëm mrizesh të populluara me legjenda e qenie mitologjike, siç ndodhte në  krijimtarinë  e mjaft prej bashkëkohësve të  tij, ata nuk fshihen pas frëngjish duke ushqyer “shtazën e hakmarrjes” në shpirtin e tyre, ata janë apatikë dhe të  mërzitur nga jeta. Janë personazhe që tërheqin zvarrë  ekzistencën e tyre nëpër një mjedis urban që refuzon të pranojë në gjirin e tij fatet e mjera, hijet anonime, prostitutat, njerëzit e braktisur, mjerimin. Dhe si lëndë lidhëse për të gjithë këtë materie të mjerimit shërben llurba e një gjendjeje psikologjike të rënduar, nga e cila nuk gjen shpëtim as vetë  poeti, që e ndjen shpirtin të zvjerdhur dhe trupin të lodhur. Edhe në këtë pikë krijimtaria e të dy shkrimtarëve ka një simetri që nuk mund ta cilësosh si të zakonshme, si të rastësishme.

Ky përkthim i plotë i prozës artistike të Bodlerit vjen në shqip më se një shekull e gjysmë pas krijimit të saj. E lënë pak mënjanë për shkak të stuhisë që shkaktoi në botën e letrave vëllimi poetik Lulet e së keqes, proza e “poetit të mallkuar” u rizbulua për lexuesin francez në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të  shkuar. Që prej atëherë ribotimet e saj janë të panumërta. Kjo ka shtyrë studiues të ndryshëm që suksesin e saj ta shohin edhe në përshkrimin e mjaft aspekteve të psikopatologjisë së jetës së përditshme të njeriut të ditëve tona, të cilat Bodleri i ka vënë në qendër të krijimtarisë së tij shumë kohë më parë se kjo anë e ekzistencës  së njeriut të merrej në analizë nga figurat eminente të psikologjisë sociale e të psikanalizës.

Shënim:

Proza e Sharl Bodlerit së bashku me ndonjë tjetër libër të përkthyer prej meje janë paraqitur sot në stendën e Botimeve Uegen, në Panairin e Librit në Tiranë. Natyrisht “poeti i mallkuar” frëng nuk është më i panjohur për lexuesin shqiptar, por nëse i kërkova botuesit në fjalë botimin e këtyre pesëdhjetë tregimeve të shkurtra,  kjo ndodhi thjesht për të realizuar një dëshirë që e ruaj që prej më shumë se dyzet vjetësh, që kur e gjeta së pari këtë libër në një raft të rrënuar të aneksit të Biblotekës Kombëtare ne Tiranë. Dhe më magjepsi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin