PROPOZIM MODEST

Në një editorial të paradokohshëm, të botuar pastaj radhazi në mediat online aq sa nuk po ia gjej dot zanafillën, Ben Andoni ankohej – me të drejtë – për fjalorin rrugaçor të politikanëve të Tiranës.

Dukuria nuk lë shumë vend për koment, edhe pse mund, madje duhet diskutuar nëse bëhet fjalë thjesht për teatër, apo këta njerëz janë vërtet kaq vulgarë sa ç’duken. Pa pasur prova të mirëfillta, unë anoj nga hipoteza se protagonistët e lapërdhive janë vërtet aq vulgarë sa ç’hiqen, por edhe luajnë teatër.

Gjithsesi, për këtë kam folur gjetiu. Sikurse kam folur edhe për efektin, në publik, të shfaqjes që jep përjavë, në mos edhe më shpesh, kjo pari që u ngjan personazheve të një filmi të keq me ciganë a një dokumentari që përshkruan, me kontraste të forta hiper-realiste, i Quartieri Spagnoli në Napoli.

Këtu vetëm dua të shtoj diçka në lidhje me mjekimin e mundshëm të kësaj histerie. Dikur patologji të tilla i lehtësonin e zbutnin duke i mbështjellë të sëmurët me çarçafë të lagur me ujë të akullt e duke u bërë pastaj lavazhe stomaku dhe klizma – sikurse na e kujton me delikatesë Shvejku. Më pas kanë provuar edhe malarien, komën insulinike dhe, sërish, klizmën radikale: të gjitha metoda çnjerëzore, që nuk mund të rekomandohen më, megjithëse ma merr mendja ndokush ndihet tashmë të paktën i tunduar.

Ben Andoni shpreson që të dalë në skenë një forcë politike e cila “ta ketë në kodin e saj etik që të mos ofendojë.”

Por unë do të sugjeroja një zgjidhje tjetër, i nisur nga fakti i thjeshtë se këto sharje, pështyma, mallkime, qesëndi, përgojime, nofka dhe abuzime prej të burgosurish ordinerë në pajtoz publiku nuk i dëgjon as  i lexon drejtpërdrejt, por i merr nëpërmjet mediave që ia përcjellin “besnikërisht” përditë, madje shumë herë në ditë.

Në kuptimin që mediat, të cilat kanë edhe një farë misioni etik ndaj publikut, sado turp që t’u vijë nga kjo dhe sado të përpiqen ta mohojnë në emër të një pluralizmi të cilin e kuptojnë njëlloj siç e kupton deveja ajsbergun; mediat, pra, mund edhe të vendosin, kanë aq fuqi sa të vendosin që t’i bojkotojnë krejt praktikat e diskursit politik abuziv në Tiranë dhe transmetimet e këtyre telenovelave me mafiozë, të fortë dhe kusarë që merren vesh mes tyre duke u sharë; t’i bojkotojnë duke i zëvendësuar – bie fjala – me muzikë popullore nga trevat shqiptare, ose me këngë korale nga operat tona të traditës, ose edhe thjesht fare, me regjistrime live nga një stallë e përparuar lopësh, të paktën sa i përket televizionit, këtij sporti ende të praktikuar në masë, për ta mbajtur ndjesinë atdhetare të unitetit kombëtar në formë të mirë fizike dhe shpirtërore.

Herën e fundit kur propozova një bojkotim të ngjashëm, më gjuajtën menjëherë me topuz jeniçerët e një faqeje të shumë-vizituar online, të cilët kushedi vërtet paguhen nga të ardhurat e siguruara duke ia përcjellë publikut sylesh lapërdhitë e larme të politikanëve dhe të tjerëve celebritete – të cilat Tirana i ka me burí. Nëse ka ndonjë komplot djallëzor prapa këtij amplifikimi të fëlliqësisë, këtë nuk di ta them; sikurse nuk di të them nëse liria e fjalës po përdoret si varé për të shembur ato institucione që praktikisht duhej ta garantonin vetë këtë liri, së bashku me të drejta të tjera themelore.

Gjithsesi ka kaluar ca kohë që atëherë, dhe po dua t’i kthehem temës sërish (se edhe kapëset nga plagët e kokës i kam hequr ndërkaq): nëse politika ndyn, atëherë mediat le të shmangin rolin e pështirë të megafonit dhe të marrin përsipër atë çfarë do të pritej prej tyre – konstituimin e mirëfilltë të një pushteti të katërt, që nuk i gjunjëzohet politikës dhe as i bën shantazh, por ndërmjetëson midis palëve të komunikimit publik, duke ruajtur dhe kultivuar pozicionet e veta autonome. Madje kështu shumë gazetarë dhe përzgjedhës lajmesh do të çliroheshin edhe nga dyshimet dhe akuzat që u bëhen ndonjëherë, se janë thjesht mercenarë të politikës: tek e fundit, sot më mirë të kujtojnë për ty se je mercenar i anti-politikës!

Kur e kam propozuar këtë më parë, më kanë thënë se jam duke sugjeruar, në thelb, rikthim të censurës. Mirëpo, në fakt, kur një televizion ose gazetë përplas pisllëkun politik të ditës në faqe të parë ose në kryetitujt, nuk është se po pozicionohet gjë kundër censurës, as se po ushtron të drejtën e fjalës. Të hapësh një rubrikë të rregullt që u kushtohet “qyfyreve të Parlamentit” nuk kërkon ndonjë guxim kushedi çfarë, as sfidon ndonjë lloj censure – aq më tepër në kulturën e sotme të pranisë me çdo kusht, kur VIP-at riprodhohen si të tillë nëpërmjet numrit të herëve që arrijnë ta nxjerrin fytyrën (dhe pjesë të tjera të ngjashme të trupit, sipas rastit dhe rolit) në ekran.

Për të kuptuar se si funksionon media, edhe ajo e Tiranës, le të mendojmë për një çast, se çfarë është duke u lënë jashtë vëmendjes së publikut, teksa këtij të fundit i ofrohen shfryrjet, ofshamat dhe shpërthimet e elitës kombëtare në Parlament, në qeveri dhe në sallonet e larta të politikës. Unë do të thoja praktikisht gjithçka, në kuptimin që censura nëpërmjet shurdhimit i mbyt më të shumtën e atyre lajmeve dhe informacioneve që do të meritonin t’i silleshin publikut – duke filluar nga ai lloj diskursi që përpunohet nga gazetarët vetë, jo aq në rolin e editorialistëve dhe të komentuesve dhe të biografëve zyrtarë të VIP-ave, sesa të prodhuesve të lajmit.

Natyrisht, gjendja në mediat elektronike dhe në Internet është më e pashpresë se në shtypin e shkruar; prandaj edhe këtu kushedi duhet të fillojë protesta dhe, pse jo, bojkotimi. Tek e fundit, askush nuk ka provuar, me argumente ose me shifra, se publiku vërtet dëshiron të lexojë dhe të dëgjojë, nga mëngjesi në mbrëmje, çdo fjalë që del nga goja e politikanëve të rëndomtë të Tiranës, të cilët me pak përjashtime nuk shquhen as për intelekt, as për urtësi dhe as për humor (por shquhen për dinakëri, intriga, arrogancë, nuhatje dhe intuitë, pabesi dhe dyfytyrësi).

Duke parafrazuar tani një batutë të mirënjohur të William F. Buckley-t, do të vëreja këtu se gazetarët kuriozë dhe mendjehapur mbase do të gjenin më shumë lajme, batuta dhe ide me interes për publikun në çfarëdo kafeneje të Tiranës, sesa në Parlament ose në mjediset dhe sallonet e tjera të politikës së madhe në kryeqytet; dhe se unë, shpresoj së bashku me shumë të tjerë, do të parapëlqeja që ta hapja ditën me çfarë mendojnë dhe thonë publikisht fshesarët ose kamerierët ose kambistët e rrugës, sesa deputetët ose ministrat e tanishëm, që ia kanë ulur nivelin diskursit publik deri në gjiriz; me bashkëfajësinë totale të mediave, që shesin klikime duke u thënë lexuesve dhe shikuesve: ja, këta janë përfaqësuesit tuaj, njerëzit që u keni dhënë votën dhe u keni besuar të ardhmen e vendit tuaj dhe mirëqenien tuajën si qytetarë dhe të fëmijëve dhe familjeve tuaja.

Do të më kundërshtojnë me argumentin se ashtu rrezikojmë të kthehemi tek ajo kohë kur, për ta thënë me vargjet e harruara të një poeti të njohur, “N’Evropë jemi vendi i vetëm/Që në mbrëmje më parë se gjithçka/Japim lajme për njerëzit e thjeshtë/Të uzinave dhe fushave të mëdha.” Por le të fillohet një herë me bojkotimin e të mëdhenjve – dhe pastaj ndoshta bindemi të gjithë se ka vend për ta risjellë në vëmendje mohimin e mohimit – me kusht që të ketë mbetur ndonjë gazetar në Tiranë që ende i beson dhe i falet Hegelit.

16 Komente

  1. … nëse politika ndyn, atëherë mediat le të shmangin rolin e pështirë të megafonit dhe të marrin përsipër atë çfarë do të pritej prej tyre… – shkruan.

    Ndonëse bojkoti në këtë rast do t’i afrohej shumë zgjidhjes së vetme – të detyruar, duhet shtuar, nga rrethanat – ajo e cila duhej bojkotuar e para duhej të qe jo politika nga media, por vetë media zyrtare si e tillë, pasi, dhe kjo më mungoi dhimbshëm në shkrimin tënd, kjo e fundit është kthyer në borizane të politikës së shëmtuar të harbutëve që fitojnë zgjedhjet me populizëm, me dhunë, me mashtrim e korrupsion.

    Është kthyer është shprehja e gabuar; ka qenë qysh në fillesë e tillë, pasi vetë media në Shqipëri nuk përbën pushtet të katërt, porse është zgjatim i propagandave partiake dhe atyre të interesit qysh në fillesë; ajo ka lindur si e tillë, për të manipuluar publikun jo aq të pafajshëm që e lë veten të trulloset e të gjejë shkak për të mallkuar, porse edhe për t’u nanuritur me Bidai dhe Sulejman e shëmbëlltyrat e tyre mëmëdhetare.

    Nuk është sekret e gjithkush e di që pronarët e mediave janë bërë të tillë me kapital të dyshimtë, fillesa e të cilit është vështirë të zhbirilohet, por që me rregullin e tre policëve i bie të jetë korruptive – Becchetti qe shembulli i fundit për këtë -, që gazetarët janë amatorë të paguar keq, që lajmet kopjohen keq andej – këtej e kështu me radhë, me një fjalë: për median shqiptare zor se mund të përdoret me vend fjala “media”.

    Gjithashtu, publiku, të cilit i shërbehet kjo gjellë e gatuar keq, nuk është edhe ai i dëlirë me përkufizim: çdo shikues (lexues, dëgjues) ka median që meriton; ajo që nuk do të duhej bërë, nga ana e medias kësaj radhe (por për median shqiptare folëm më sipër), do të qe ndoshta sugjerimi për të mos e ushqyer publikun me hedhurina, po kujt do i drejtoheshim në këtë rast, duke qenë se harbutëria e saj, e medias pra, fare mirë e konkurron atë të politikanëve që ti përshkruaje në shkrim.

    Por le të mos mbetemi vetëm në rrafshin e kritikës e të përpiqemi ta bëjmë vetë mirë gabimin që po kritikojmë: e vetmja zgjidhje do të qe një media alternative, shembull i mirë i së cilës ky blog është.

    Le të inkurajojmë gazetarinë e pavarur, njerëzit që kanë vërtet diçka tjetër, diçka ndryshe për të thënë: interneti ofron vetiu platformën e duhur për këtë e gjasat janë që një ditë, në mos sot e nesër, kjo ( po ndodh) do të ndodhë.

    1. E mora për të mirëqenë kritikën ndaj mediave, sikurse edhe iu referova një shkrimit tim të mëparshëm, për të cilin u “ndëshkova” pastaj nga Gjekmarkaj – kur ishte fjala për të bojkotuar një gazetë, ku diskutohej haptazi nëse disa këngëtare të këtu e 30 vjetëve më parë kishin qenë apo jo “kurva.” Prandaj ky shkrim duhet parë edhe në kontekstin e disa shkrimeve të mëparshme, për tema të ngjashme – sepse ky është një muhabet që unë e mbaj të hapur me lexuesit dhe që e ndërtoj dora-dorës.

      Gjithsesi, për të kuptuar sa poshtë ka rënë katundi në Tiranë, hidhini një sy këtij lajmi të freskët, marrë sot nga faqja opozita.com:

      https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/11/opozita.jpg

      Një shoqëri që i toleron këto pisllëqe, në fakt i meriton.

  2. Shume i bukur ky shkrim! Doja te shtoja edhe dicka te lidhur me kete. Eksperienca ime e viteve te fundit ne Tirane me ka bere te kuptoj se elita, pra ai grup njerezish qe kane pushtet politik, ekonomik e shoqeror, eshte njekohesisht edhe grupi qe tregon me pak korrektesi, dashamiresi e miresjellje. Ne nje fare menyre shume prej ketyre njerezve iu duket se pushteti qe kane i lejon ata te jene me pak “njerezore”. Edhe mungesa e modestise eshte shokuese. Ne kete kuptim, edhe politika eshte shprehja me e larte e ketij “trendi”. Prandaj ne popull eshte krijuar bindja se pushteti eshte i barabarte me “laclek”, per ta thene me troc.
    Si Xhaxhai mendoj se kjo lloj sjelljeje duhet injoruar, shmangur si dicka qe bie ere te rende, mosperfillur. Perndryshe shikimet e klikimet kthehen ne vemendje te publikut dhe kjo e fundit ka vlere te madhe ne epoken e mosvemendjes.

  3. dydog: Eksperienca ime e viteve te fundit ne Tirane me ka bere te kuptoj se elita, pra ai grup njerezish qe kane pushtet politik, ekonomik e shoqeror, eshte njekohesisht edhe grupi qe tregon me pak korrektesi, dashamiresi e miresjellje.

    Perdorimi i fjales “elite”: nuk shoh asnje kontradikte ne ate qe elitat zakonisht jane pjesa qe “kane pushtet politik, ekonomik e shoqeror”. Aplikimi i kesaj fjale ne situaten shqiptare eshte paksa tallese, qe stimulon vete-gudulisjen, por edhe cimbuese, therese, jo pa ironi; te krijon pershtypje te gabuara, qe ne anglisht mund te konsiderohet si “misleading characterization”.

    A jane ata/ato qe kane frenat e pushtetit “elita” shqiptare? Duke u nisur nga sensi etimologjik i fjales “elite” karakterizmi i saj mbeshtetet ne vlere apo vlera(disa), sigurisht pozitive, me te mirat. Ne kete sens duhet ta mendojme eliten nje lloj grupimi social, si perfaqesuese e vlerave me te spikatura ne sensin e me te mires, per te cilen pjesa tjeter e shoqerise duhet te jete krenare duke e zgjedhur si perfaqesuese e shoqerise brenda dhe jashte vendit; ne rastin tone te Shqiperise.

    Ngjan qe percaktimin elite nuk mund t’ia aplikojme klikes politike te Tiranes. 🙂 E di(me) qe eshte mjerim i madh!

  4. Për shumë gjëma që kanë goditur Shqipërinë është thënë kështu e meriton ky popull. Populli është masë shumë më madhe se sa grushti i elitave pushtetare apo intelektuale, sepse vërtetë këto s’janë identike. E duke qenë vetëm një grusht, për këto mund të flitet më lehtë. Aq më tepër, sepse palët që marrin përsipër të drejtojnë punët e një vendi, si edhe të jenë në pararojë të mendimit informativ dhe analitik, kanë përgjegjësi të ndryshme nga populli, as mund të servirin atë që mendojnë ata se kërkon populli. Ky do ishte, e para, padronizim i sferës publike, dhe e dyta do asgjësonte rolin udhërrëfyes të atyre që kanë dalë në bash të popullit.

    Të pranosh që shqiptarët këto media i meritojnë do të thotë t’i kuptosh mediat në funksionin e tyre reflektues, pra sikur ato thjeshtë përçojnë me shkrim a kamera atë që ndodh përditë. Po ky është kuptim naiv, sepse mediat masive kanë dhe kanë pasur që në embrion (mjafton të lexohet Habermasi) funksion performativ, pra nuk reflektojnë por edhe krijojnë e ndërtojnë imazhin e realitetit, ndër të tjera duke zgjedhur (lat. eligere, nga vjen edhe fjala elite) materialin e ofruar si realiteti. Prandaj, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e tyre nuk justifikohet edhe sikur të jenë duke komunikuar me lopët, pa çka se as këto nuk do e meritonin këtë trajtim.

    Dhe po qe fjala për hak, e vetmja që mund ta meritojë përzierjen toksike të mediave shqiptare është në fakt vetë elita, dhe akoma më shumë se ajo pushtetare, ajo mendimtare, intelektuale, analitike, që pranon ta ndajë rubrikën e kulturës me mbathjet e spostuara të pornyllkës së radhës. E keqja është se këta janë, ndër të tjerë po ata njerëz që kontribuojnë për të mirën e kulturës shqip dhe shqiptare, njerëz edhe të blogjeve avantgardiste shqip, por që për një çast fame, për një klikim më shumë, pranojnë të bashkëjetojnë me anti-kulturë. Këta janë njerëzit që s’duan bojkot, por simbiozë amorale. This is the rub, tha Hamleti.

    1. Populli meriton median që ka, pasi kohët kanë ndryshuar; vetë populli prodhon median e tij (forumet, rrjetet sociale, etj.) e cila ndërvepron me “median” zyrtare; kufiri këtu është i lëngët e është vështirë të merret vesh tash se ku nis njëra e ku mbaron tjetra.
      Ajo që nuk është kuptuar ende nga “elita” kulturaliste – intelektuale e vendit është se sot gjithkush ka mundësinë të shkruajë vetë, të hedhë video, të merret me art, të thotë fjalën e tij në publik; në këtë kuptim, roli i mediave tradicionale, ndonëse në Mëmëdhe duan të shohin Bidain dhe jo, ta zemë, Tarkovskin falas në internet, është edukues vetëm për ata që e kërkojnë vetë atë moçal për t’u zhgërryer.
      Porse alternativat janë edhe ato të pafundme.
      Se pse njerëzit nisen e ndjekin (në qoftë kështu, por nuk e besoj se është vetëm kështu – statistikat mungojnë) jojo-në e politikës vulgare shqiptare, pse duan medoemos të shohin krahërore të fryrë apo edhe mendere pafund, ky është vetëm deri-diku faji i medias, pasi, siç thamë, me një klik mund të shohësh edhe Leonardon; nuk është me detyrim kalimi i kohës në Porn-Tube.
      Demokratizimi i shkrimit shkon krah për krah me masovizmin, populizmin e këtij të fundit; turmave po u dëgjohet zëri si kurrë më parë; se pse bërtasin e dinë vetëm ata, nëse e dinë, për të mos cituar “se nuk e dinë se ç’bëjnë”.
      Ndarja artificiale e “elitave” nga popullsia nuk na çon asgjëkundi; fundja, po të lemë mënjanë manipulimet, politikanët janë zgjedhur ne votime deri-diku të lira dhe stani atë bulmet do.
      Pak e sikletshme spagata e fajit të disave, të të shumtëve, apo të të tërëve sipas Berishës, edhe nën diktaturë; kjo është temë tjetër, por një gjë është e sigurtë; më të shumtët nuk janë pa gjë.
      Siç thoshte Bias: “Më të shumtët janë të ligj”.

  5. Sigurisht që të gjithë kanë mundësinë të thonë të tyren sot, po të kesh pushtet të dalësh në forumin online nuk krahasohet me pushtetin që të nxjerr në ball të gazetës më të madhe të vendit apo TV më të ndjekur.

    Ndërsa, kufiri mund të jetë i lëngët mes medias zyrtare dhe asaj popullore, por përgjegjësitë duhet të ishin më të qarta, siç duket se janë në vende më të përparuara se ne. Një përdorues online që replikon stilin rrugaçor të një politikani apo gazetari (se ka nga këta te ne që janë pedagogë të arsimit të lartë) justifikohet më lehtë se një politikan që shkon e ngjyen penë e gjuhë në ligatinën virtuale. As nuk justifikohet një intelektual që flet për vëllimin e fundit të punës së tij të vyer faqe më faqe me flash news-et soft porn. Sepse as ky lloj ekspozimi nuk është me detyrim. Është zgjedhje.

    1. Mua më ngjan se problemi këtu ndodh në rrafshin moral. Nëse në vendet më të përparuara që thoni ekziston edhe aty plaga që përshkruhet në shkrimin e XhaXhait (edhe atje gjenden të pasme e gjokse me botoks me shumicë – fundja, mjerimi i medias shqiptare është vetëm i kopjuar keq nga starletat e Kardashiankat e kësaj bote), porse gjenden, nga ana tjetër, edhe gazeta e media serioze, siç edhe intelektualë me integritet, te ne mungojnë dhimbshëm këta të fundit, me pak përjashtime, natyrisht.
      Ku janë Gandhi-t, Havel-ët tanë? Thjesht nuk kemi (për momentin).
      Problemi është i llojit moral e jo medoemos i injektuar kur vjedhja, tarafllëku, ngjyerja e dorës në kasën shtetërore, mosdhënia e biletës në autobus, futja e pesëmijëlekëshit në xhep doktorit, ndërtimi pa leje, prostitucioni, mospagimi i taksave, korrupsioni në të gjitha nivelet e me radhë ndodhin në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe, më e keqja, merren si të dhëna.
      Mirëpo këtu nisim e dalim nga diapazoni i shkrimit të XhaXhait dhe hapërdahemi nëpër plagë që ngjajnë më të mëdha se ne; neve na duhet të mbetemi në kornizat e mundësive tona e të bëjmë siç duhet atë që dimë të bëjmë më mirë; në këtë sens, ky blog, shkrimet, por edhe ky shkëmbim komentesh është kontributi jo më i keq që mund të japim, ndërsa të folurit nga jashtë vendit (ku supozoj që gjendeni edhe ju, po e marr të dhënë) sjell edhe aludimin e rehatllëkut për vete, nxjerrjen e gështenjave nga zjarri prej atyre që jetojnë në atë vend e ka diçka cinike, cinike sepse jo bashkëvuajtëse me ata që e bëjnë vërtet këtë.

        1. Se si mund të jetë erudit një student për master, këtë vetëm MaPo-ja e di. Se me erudicion nënkuptohet edhe një moshë mbi të pesëdhjetat, mendoj, për arsye të llogaritshme thjesht. Por ndoshta është savant; sidoqoftë, uroj që ky djali të jetë vërtet i tillë dhe po, potencial kemi, dijetarësh, porse ajo që po nënkuptoja në komentin tim nuk ishte potenciali iluminist (siç e sqaroj në një koment më poshtë), porse ai moral.
          Njerëz me moral të mirë na mungojnë, por, duke qenë se nuk kam nga t’i njoh të tërë, aq më pak nga kjo anë, shpresoj se (do të) kemi e shpresa vdes e fundit.

  6. Që të ketë prej atyre që ende i besojnë e i falen Hegelit, së pari duhet të ketë prej atyre që e njohin Hegelin, më shumë se ç’njohin, ta zëmë, kushëririn e tretë të gruas. Me këtë s’dua të them se unë e njoh më mirë, përkundrazi, megjithëse ndoshta do të duhej për diplomën që kam (që në fakt s’e kam sepse më ka humbur prej kohësh), por ja që gjithë ç’më ka mbetur në mend prej Hegelit është një lloj kurbe e progresit historik që seç më ngatërrohet me ato të trigonometrisë. Megjithatë konstatoj i lumtur se mosnjohja e Hegelit nuk qenkësh pengesë për të kuptuar se ç’ndodh përreth në një rreze që përfshin, po deshe, edhe luginat ku gjarpëron mendimi e estetika perëndimore, apo thjesht për ta ndarë shapin nga sheqeri në jetë, për çka bën fjalë ky shkrim që admirueshëm i drejtohet një morali njerëzor në thelb, por që me këtë të fundit rrezikon t’i vërë në siklet të madh e si përfundim t’i përjashtojë nga kauza të gjithë ata gazetarë që nuk e njohin Hegelin por që njëkohësisht e marrin shumë seriozisht idhujtarinë e mbiemrave, e që me një përfytyrim të vogël mund të themi se s’janë hiç pak.

  7. Mendoj se çdo diskutim i tipit “eshte populli pa jane ata” apo “jane ata pa eshte populli” eshte nje lloj dileme pula-vezen apo veza-pulen qe nuk do ta kemi te lehte ta zgjidhim ne ketu. Ky fenomen, ai i degradimit te komunikimit publik por edhe privat (dhe kjo ishte ideja e komentit tim te meparshem) duhet analizuar ne fillim pjese-pjese e vetem shume me pas, ne teresine e tij. Na mungojne shume elemente per te gjendur shkaktarin fillestar dhe, duke qene se ketu nuk po gjykojme njeri, pak duhet te na interesoje kjo gje.
    Une mendoj se “elita” (faleminderi Read Me) shqiptare duhet vendosur me shume para pergjegjesise pasi ndryshe nga “populli” ka mundesi ekonomike me te medha per t’u edukuar, kulturuar dhe lartesuar moralisht. Nje popull i varfer, i cili deri diku vuan per buken e gojes, e ka te veshtire, ne mos te pamundur te civilizohet me ritme te shpejta. Nderkohe qe elita nuk has ne te njejtat pengesa, ose jo me te njejtin intensitet. Shqiperise pra nuk i mungojne njerezit e edukuar, brenda dhe jashte vendit, apo te pasur, edhe duke i krahasuar me te pasurit e jashtem, per t’u gjendur ne kete gjendje te mjeruar te nivelit te diskursit publik.
    Me absurdja eshte pastaj se pikerisht ata qe jane edhe me te “edukuar” nga pamja e jashtme, apo imazhi qe percjellin ne publik, privatisht tregojne shpesh nje mungese te theksuar etike. Kjo eshte tronditese per mua! Per te dhene nje shembull te nje gjesti te vogel e ndoshta te parendesishem, por qe eshte konkret dhe me ndihmon shume ne ilustrimin e asaj qe dua te them: nuk arrij te mesohem me njerezit qe te nderpresin fjaline (tenden ose tyren) ne mes, per t’iu pergjigjur nje mesazhi ne telefon… dhe jo nje here ne nje takim, por me dhjetera here. Ne pothuajse 20 vjet qe kam jetuar dhe jetoj jashte, nuk e kam hasur askund kete lloj sjelljeje. Vetem une e kam hasur kete? Po kjo “elita” jone e dale dhe e edukuar, me para, nuk e ka kuptuar sa harbute eshte kjo gje?

    1. Një nga iluzionet më të dhimbshme të iluminizmit ishte pikërisht ky: që dija dhe edukimi (për atë shkollor besoj se e keni fjalën) të bën edhe “të urtë”, në mos “të mirë”. Por nuk është ashtu, siç e tregoi qartë shembulli i Gjermanisë naziste të Rajhut të Tretë, kur një nga popujt më të kulturuar të botës (ose një masë e konsiderueshme e tij) kreu krime të përbinndshme.
      Etika pa moral është e destinuar të jetë boshe; në këtë kuptim, do të dëshiroja drejtues që ma ndërpresin fjalën, që sillen pa etiketë, por që s’gënjejnë e që s’vjedhin e s’grabisin edhe më këtë popull të drobitur nga bijtë e vet (këto 70 vitet e fundit).

      1. Jam dakort qe etika pa moral nuk perben zgjidhje dhe nuk me duket se sugjerova kete. Kam pershtypjen se mungesa e etikes dhe mosrespektimi i nje etikete baze (qe eshte nje kerkese edhe me siperfaqesore) eshte ne vetvete tregues i mungeses se moralit ne disa shtresa “elitare”. Pra, per t’iu kthyer temes fillestare, niveli i ulet i cilesise se komunikimit eshte simptome e disa semundjeve me te renda qe kane kapluar shoqerine shqiptare.

  8. Duke i vendosur gjerat hierarkisht (sipas meje) demi me i madh ne kete rast eshte tek fakti qe sharjet dhe batutat vulgare dhe dylekshe te politikaneve per sho-shoqin, te percjella neper media me zellin dhe tam-tamin e breaking news, censurojne diskursin publik qe duhej te behej ne vend te porno-batuterise. Kjo terapi vulg-shoku e mafio-parise shqiptare (ortake te se ciles jane shumica e mediave kryesore) vret cdo dite me sukses shanset per zhvillimin e nje shoqeri civile, te nje vetedije njerezore per realitetin shqiptar, e mbi te gjitha, mbi shkaqet dhe mundesite per t’i shpetuar ketij makthi tashme cerekshekullor.

    Plus qe ne raste specifike behet teper flagrante situata, edhe per nje vend si Shqiperia. P.sh. Kryeministri i quan pula vajzat studente qe i hodhen vezet (jane kakarisje normale, tha), sic e quan mese normale dhunen policore (psikologjike e fizike), ndaj tyre, per mbi 8 ore, ne makinat dhe rajonet e policise, duke e karakterizuar si mase normale sigurie (ndaj dy vezeve qe gjuajten makinen e tij). Dhe nuk sfidohet aspak nga media per kete fjalor e kete autoritarizem kaq pubik, thene me kaq karshillek. Eshte veshtire te imagjinosh nje “kurajo” te tille vulgare dhe autoritare, jo vetem ne shumicen e vendeve demokratike, por dhe shumicen e vendeve formalisht autokratike.

    Por, gazetarit te shurdher shqiptar, edhe po t’i mungonte censura e pronarit, me gjase as qe i ben pershtypje fjalori i Kryeministrit (te sotshmit, apo atij te djeshmit) ndaj sovranit, se gazetari keto persheshe vulgare ia servir popullit per lajme dite per dite. E Kryeministri e di shume mire kete, ndaj perdor kete fjalor para gazetareve shqiptare, dhe jo atyre te huaj.

    Sa i perket popullit, vertet qe ka mekatet e veta, por nuk eshte argument qasja “e meriton populli median”, apo “media i servir sepse populli i pelqen”. Edhe ketu ne Amerike populli (si kudo) pelqen filmat horror, pelqen te shashtiset pas aksidenteve, etj etj, por mediat amerikane s’jane duke i servirur ne krye te faqes vulgaritete te tilla duke ia shitur si diskurs politik; ato vulgaritete jepen ne shfaqje dhe orare te caktuara.

    Jam plotesisht dakort per thirrjen e 2xha per t’i vene mediat para pergjegjsise (minimale si media), qofte dhe nepermjet bojkotit.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: