HISTORIA NË SHENJË DHE IMAZH

Sot u hap lajmi se “pllakën e Sulejmanit” e hoqën nga muri i kalasë së Lezhës, për ta restauruar dhe, pas gjase, për ta ruajtur nga shkatërrimi total. Nuk di njeriu nëse ta interpretojë këtë akt të autoriteteve si reagim të arsyeshëm , apo si zbythje para presionit të turmës.

Këto lloj vandalizmash të shënjestruara nuk kanë ndonjë traditë në Shqipëri; madje respekti për monumentet ka qenë përfshirë në kodin aq të lëvduar të “tolerancës” sonë për diversitetin, e cila i tejkalon caqet e marrëdhënieve ndërfetare.

Nuk ka pasur asgjë të veçantë ajo pllakë, që të meritonte zemërimin “popullor” – të tilla gjen anembanë Shqipërisë. Megjithatë, vetë suksesi që pati këtë herë me turmën propaganda kombëtariste kërkon një shpjegim.

I cili duhet të nisë nga natyra e vetë pllakës, e cila tek e fundit i përket asaj kategorie mbishkrimesh që, në epigrafi, njihen si mbishkrime ndërtesash; dhe që nuk është se i shpikën osmanët, as i përdorën për ndonjë qëllim shtypës a shkombëtarizues.

INVENTARIZIM (Krypa)

Krypa: Inventarizim

Pllaka e Sulejmanit, në fakt, lajmëron – me shkronja në gur – për datën dhe “porositësin” e një vepre inxhinierike; dhe duke lajmëruar e sanksionon ose e certifikon atë. Për këtë arsye, artifakte të tilla kur u mbijetojnë kohëve kanë për funksion ta stabilizojnë historinë, duke ofruar një lloj ankorimi në realitet.

Prandaj do të thoja që ky ankorim i historisë bie ndesh me dëshirën difuze të kombëtarizmit populist për ta “ndrequr” historinë, ose për ta rishkruar në trajta etnocentrike – njëkohësisht edhe duke e spastruar nga lidhjet me truallin.

Nuk them se këtë kanë menduar pikërisht vandalët që e dëmtuan pllakën dhe as nxitësit e tyre në mediat, përfshi këtu demagogët dhe fanatikët e qëndrueshëm; por vetëm që artifakte të tilla objektivisht e pengojnë manipulimin e historisë ose ngjeshjen e saj artificiale në dy përmasa – duke reduktuar në zero distancën kohore nga ngjarjet.

Të vjen frikë të mendosh se, që nga momenti kur turmat bëhen forcërisht pjesë e një ideologjie manipulative që synon adhurimin pa kushte të identitetit kombëtar, ato do të kërkojnë ta riformatojnë të shkuarën, nëpërmjet një procesi katarsisi të vrrullshëm, në mos të dhunshëm.

Në Shqipëri, këtë proces irracional e ka katalizuar edhe shndërrimi gradual, i narrativës historike dhe i reflekseve të saj në mit, nga teksti në imazheri – piktura, filma, monumente, ndërtesa, objekte muzeale, mbishkrime të padeshifrueshme – së cilës imazheri ne e kemi të vështirë, në mos të pamundur, t’i qasemi në mënyrë kritike; sepse shkolla nuk arrin të na përgatitë për ta bërë këtë në mënyrë autonome.

Ironikisht, zhurma e madhe që u bë në mediat rreth këtij incidenti do të ketë efekt të kundërt; tash e tutje publiku ka rrezik që ta shoqërojë mendërisht kalanë e Lezhës me Sulejmanin dhe pllakën e tij. Imazhin zero, ose vrimën e lënë prej pllakës në mur, nuk e shkatërron dot kush.

Nuk ka komente

  1. E bukura do jete sikur ne vend te kesaj pllake “turpe” te vene ne mur te kalase ( keshtjelles ne fakt, se kala eshte llafe turpe gjithashtu) dy gisht pecikllaz te skalitur me nje adrese interneti qe te fton t’a kundrosh tabelen origjinale ne http://www.filanministri/fondi-me-spec.gov.al

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin