MADE IN ALBANIA

nga Eleana Zhako

Në Shqipëri kanë një adhurim të pafund për atë që në Perëndimin e civilizuar njihet si Ora e Tokës. Gjatë Orës së Tokës perëndimorë e jo perëndimorë “të ndërgjegjshëm” mbyllin çelësin e dritave duke pasur iluzionin e rremë se fetihu i Orës së Tokës mund t’u sigurojë përjetësinë kur të vijë Dita e Gjykimit apo, që ashtu si Noa do jenë njerëzit e zgjedhur të Perëndisë – Natyrë në varkën e shpëtimit ( të mbytjes më mirë).

Por, në Shqipëri Ora e Tokës nuk fiket një herë në vit siç ndodh atjekund, madje nuk fiket në një orë të caktuar, por vend e pa vend, kohë e pa kohë, orë e pa orë, pa sebep domethënë. Thjesht, shpejt, bukur, e saktë… Ora e Tokës është e pranishme në çdo hall e gëzim të shqiptarëve. Është bërë pjesë e pandashme e phototyre, i jep më tepër romanticitet lidhjes në çift (që e kërkonin me qiri këtë romanticitet dhe se gjenin), fsheh mbeturinat dhe plehrat e lagjes (që bëhen një me errësirën), puçrrat bezdisëse me pak qelb që lulëzojnë në moshën e adoleshencës, cipën e verdhë të dhëmbëve, njollën e vajit që ka pikuar shkarazi mbi pantallona, zullumet e të vegjëlmëdhenjve, shkëndijat makbethiane të një truri të buhavitur, kafshët e shtypura nën thundrat e tytyve, lypsarët e rrugëve…”Të faltë Zoti, më jep ndonji lek”…

Shyqyr që dritat i kemi bio, nuk u hedhim “pesticide” që të rriten me bollëk dhe të bëhen ashtu si halldupe, por i rrisim me kursim e me munde të mëdha, nuk i konsumojmë por i konservojmë në dollapin e errësirës. ”Rritja e temperaturës globale dhe fenomeni i ndryshimit të klimës ka prekur edhe vendin tonë. Ju flet Radio Tirana”… “derdhet Vjosa, fryhet Buna”…  ”dhe një zë vëngon nga lumi/më buçet, më zgjon nga gjumi”… Është zëri i mamasë sime. Mungesa e dritave gjatë natës shkriu ajsbergun e frigoriferit “Obodin”. Uf… gjysma e së keqes… gjysma e punës u bë vetë, u vetëpastrua frigoriferi. Po na mbarojnë dhe qirinjtë. Ah, ato Fjalët e Qiririt”… ”Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke u përvëluar”… RIP Qiriri

Dëgjohet një zhurmë gjeneratori. Gjeneratorët janë si banesat afër trenave dhe aeroplaneve. Kur nanurisesh me zhurmën e tyre, nuk ç’ mësohesh dot ndryshe. Do gjithmonë të ndodhesh afër një treni, aeroplani, gjeneratori. Gjeneratorët janë antibiotikët e ç’ dritave shqiptare. Sa kolliten pak dritat, ato menjëherë i përvishen punës, si milingonat gjeneratore (punëtore). Mjafton pak benzinë dhe ia marrin këngës. Misioni i shkencëtarëve shqiptarë në botë është përmirësimi i gjeneratorëve të së ardhmes, që në vend të zhurmës, të dëgjohet muzikë, mundësisht muzika e preferencës së secilit (fol e thuaj), të punojnë me vaj bio dhe të minimalizohen përmasat e tyre, sipas modelit të fundit të iphone. Të hyjë kudo dhe të transportohen lehtësisht… Ja u zgjidh dhe ky muhabet.

Tani, seriozisht, këtë punën e dritave se kam marrë vesh. Shqipëria: vend në tranzicion, sistem tranzicioni, ekonomi tranzicioni, errësirë tranzicioni, energji tranzicioni. Sa i gjatë paska qenë ky tranzicioni, s’po merrka fund. Do ua lëmë trashëgimi gjeneratave dhe gjeneratorëve të ardhshëm si pasuri kombëtare. Do mësojnë në të ardhmen se paraardhësit e tyre harxhuan dhe energjinë (frymën) e fundit të tyre për të shpëtuar sadopak nga burimet energjetike të vendit. Për këtë gjë Shqipëria meriton të renditet në listën e vendeve që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “Save our Planet”! Kështu, Shqipëria nuk do lakohet në shtypin e brendshëm dhe të jashtëm për numrin e madh të azilkërkuesve, por për numrin e madh të energjishpëtuesve. “Katundarë e punëtorë, që nga Shkodra der në Vlorë….”

“Save our Planet, Save Albania!”

 

Nuk ka komente

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin