KUR TË FLET RAPSODI

Eurasia Review ka intervistuar ambasadorin e RSh në Turqi, z. Genci Muçaj.

Intervista është me interes për të kuptuar shtrirjen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rolin e diplomacisë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Megjithatë, duke pasur në mendje që një ambasador në këto funksione përfaqëson shtetin përkatës dhe jo vetveten, më tërhoqën vëmendje disa pohime në lidhje me raportin mes kombësisë dhe fesë, në kontekstin e identitetit kombëtar të shqiptarit.

Së pari, ngaqë kur bie fjala për shqiptarët që jetojnë aktualisht në Turqi, z. Muça deklaron se:

“Sipas vlerësimeve tona, ka rreth 5 milion, edhe pse nuk ka shifra të sakta zyrtare. 100% e shqiptarëve janë krenarë që janë shqiptarë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.”

[We estimate approximately 5 Million but there’s no official accurate numbers. 100% of Albanians are proud of being Albanian. No question on that.]

Se ku e bazon z. Muça këtë siguri absolute në lidhje me çfarë janë “krenarë” këta 100% të shqiptarëve, kjo nuk shpjegohet gjëkundi.

Krenar-qe-jam-Shqiptar-Bags-Aq më tepër që statusi i këtyre “5 milion” shqiptarëve në Turqi ka nevojë të sqarohet mirë – meqë një numër i konsiderueshëm prej tyre kushedi vetëm sa mbajnë mend që të parët e tyre kanë ardhur nga Ballkani; por nuk dinë as gjuhën, as kanë ruajtur gjë lidhje me vendet e origjinës. Ku e bazoj unë këtë që them? Atje ku e bazon edhe ambasadori: në çfarë nuk e kam thënë.

Aq më tepër edhe që, për shumë nga këta shtetas turq, prejardhja shqiptare shërben si një kuriozitet folklorik, ose një çengel ku të varin mitin e tyre specifik familjar; nëse kjo mund të quhet pastaj “krenari”, për këtë ia vlen të diskutohet, edhe pse është vështirë të marrësh vesh për çfarë mund të jetë krenar dikush.

Kam njohur edhe vetë të tillë, që nuk dinë asnjë fjalë shqip; por që kanë dashamirësi të veçantë për shqiptarët, sepse i konsiderojnë si vëllezër. S’ka asgjë të keqe në këtë, përkundrazi. Por të flasësh për “5 milion shqiptarë” tingëllon e tepruar – ka diçka ushtarake në këto numërime dhe vringëllima milionash, që duket sikur i shoqëron ndonjë daulle lufte. Dhe, në çdo rast, prej një ambasadori do të pritej të respektonte statistikat e shtetit mikpritës; madje edhe kur i vënë me shpatulla për muri – në kuptimin që shqiptarëve që jetojnë në Turqi nuk mund t’ua bëjë censusin ambasada jonë në Ankara (në rrethanat kur shteti shqiptar nuk arrin të numërojë saktë as shqiptarët që ka brenda kufijve të vet).

I pyetur pastaj për marrëdhëniet mes feve në Shqipëri, dhe veçanërisht për atë nëse shqiptarët e besimeve të ndryshme mblidhen bashkë në eventet kulturore të komuniteteve etnike në Turqi, ambasadori shpjegon:

Njerëzit lindin në kombësi, jo në fe. Kombësia i bën njerëzit bashkë, jo feja. Feja e shqiptarëve është shqiptaria. Edhe pse kushtetuta jonë e mbron lirinë e besimit, feja në Shqipëri nuk është mënyrë jetese, por një shprehje e besimit.

[People are born with nationality not religion. Nationality brings people together not religion. The religion of Albanians is Albanian. Although freedom of religion is protected by our constitution, religion is not a way of living in Albania but an expression of believe.]

Le të mbajmë këtu parasysh se anglishtja e kësaj interviste nuk është e nivelit të Financial Times; por, në çdo rast, te ky paragraf z. Muça ka folur më shumë si rapsod, se si ambasador.

Ç’kuptim ka të thuhet që “njerëzit lindin në kombësi”, sa kohë që identiteti kombëtar, njëlloj si ai fetar, i detyrohet socializimit të fëmijës dhe jo ADN-së së tij? Si mund të përligjet pohimi se njerëzit i bën bashkë kombësia jo feja? Historia – e Europës dhe e botës mbarë – dëshmon të kundërtën: dhe pikërisht rolin e madh bashkues të feve.

E kuptoj që z. Muça ka dashur të thotë, me fjalët më sipër, se çfarë i bën bashkë shqiptarët nuk është feja – meqë ata u përkasin feve të ndryshme; por identiteti ose përkatësia kombëtare. Mirëpo, nga të gjitha mënyrat si mund të shprehet kjo pikëpamje, ai ka zgjedhur pikërisht atë që lë shteg për keqkuptime.

Të krijohet përshtypja sikur ambasadorin, te këto pasazhe ku flitet për identitetin kombëtar, e ka folur një lloj ideologjie kombëtariste folk, të cilën e dëgjojmë shpesh të marrë fjalën, në tubime me diasporën dhe sebepe të tjera, ku kërkohet me çdo kusht një emërues i vogël i përbashkët. Kontrollin ndaj diskursit të vet, si nëpunës zyrtar i shtetit, ai ia ka lënë përkohësisht në dorë automatizmave populiste dhe, për fat të keq, jo në lartësinë e statusit të tij.

Nga ana tjetër, ky rol i dëshiruar i përkatësisë dhe identitetit kombëtar në bashkimin e shqiptarëve sot për sot praktikisht ka dështuar; sepse – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë – shqiptarët po bëhen bashkë vetëm për ndeshje futbolli; ndërsa kur vjen puna për gjëra të tjera të rëndësishme të jetës së komuniteteve, ata e shtyjnë jetën nga një përçarje në tjetrën, nga një konflikt në tjetrin, nga një pështymë në tjetrën. Z. Muça do t’i mjaftonte të dëgjonte një seancë nga punimet e Parlamentit në Tiranë, për të verifikuar se sa i ka bërë bashkë bashkëqytetarët e tij të qenit shqiptar.

Në fakt, edhe në kushte ideale, shqiptaria nuk do të mund të mjaftonte si parim agregator i komuniteteve të shqiptarëve; dhe sidomos, nuk do të mund të zëvendësonte as rolin e qytetarisë, as atë të feve në mirëmbajtjen e shoqërisë shqiptare.

Pa përmendur pastaj që shumë bashkëqytetarë të z. Muça, fetarë të bindur dhe të devotshëm, do të habiteshin në mos do të zemëroheshin, sikur të merrnin vesh prej personit që i përfaqëson në Ankara, se “feja e tyre është shqiptaria.” Për arsyen e thjeshtë që, bona pace Vaso Pasha, shqiptaria nuk është fe, as mund të jetë fe.

Të dëgjosh sot një ambasador, përfaqësues të shtetit shqiptar, të flasë si Rilindësit këtu e një shekull e gjysmë më parë, nuk mund veç të pikëllohesh, për vend-numëro-në dhe shterpësinë ideore të qytetarisë mes shqiptarëve, së paku që nga shpallja e pavarësisë në 1912.

Të jesh krenar për prejardhjen tënde gjenetike, edhe kur kjo nuk të vjen thjesht si gromësimë raciste, tradhton një kompleks inferioriteti – të cilin disa prej nesh – që nuk e gjejnë identitetin në shkallët e stadiumit ku luan Kukësi – thjesht do ta refuzonin.

Ambasadori Muça ka folur në disa momente të këtaj interviste si ideolog kombëtarist; pa çka se kombëtarizmi nuk është gjë ideologji zyrtare e shtetit që ai përfaqëson, as u shwrben vetvetiu interesave të këtij shteti.

Shënim: Ky shkrim është pronë intelektuale e blogut Peizazhe të Fjalës. Ndalohet reptësisht riprodhimi i tij pa leje nga media të tjera. Çdo citim i pjesshëm duhet të shoqërohet me link-un përkatës.

Nuk ka komente

  1. E lexova intervistën në origjinal: përtej folklorizmave që në gojën e një futbollisti apo aktori do të mund të tingëllonin romantike (dhe që në gojën e një ambasadori tingëllojnë provinciale dhe servile), duket se Ambasador Muçaj paskësh qenë i ftuar në programin e TV Kombëtar Turk TRT për të promovuar kuzhinën dhe kulturën shqiptare (“… promoting Albanian cuisine and culture.”).

    Pyetur nga gazetarja Ambasadori përgjigjet se keku Tres Leces do të thotë “keku i tre qumështrave” dhe përbëhet nga qumësht dhie, deleje dhe lope. Tani ndonjë turk i zellshëm i apasionuar të gjejë rrënjët e veta shqiptare, do të ketë shënuar me siguri në fjalorthin e vet të xhepit (atë që ka qepur me pe qysh në fëmijëri dhe ku ka shënuar të gjitha fjalët shqip që dëgjonte ëmbël nga gjyshja shqiptare) që Tres Leces është një ëmbëlsirë shqiptare e famshme në mbarë botën dhe që vjen nga shqipja “Tre Qumështrat”.

    Të paktën të kish gatuar Ambasadori Tavën e Elbasanit që është vërtet e famshme në Turqi si “Elbasan Tavası”, apo mëlçitë e gatuara alla shqiptarçe që i gjen në çdo cep rruge të qyteteve dhe fshatrave turke nën emrin “Arnavut Ciğeri” ose të kish përdorur piperin e kuq të famshëm ndër turq me emrin “Arnavut Biberi”…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin