HIQENI

Herë pas here lexon lajme për dëmtime që i bëhen Monumentit të Pavarësisë në Tiranë – zakonisht duke i vjedhur pllakat e bronzit, ose duke lënë mbishkrime mbi të, ose edhe duke e përmjerë.

Tani së fundi, një lajm të tillë e ndesha edhe te Shekulli – dhe në fakt nuk do të më kish bërë përshtypje, sikur të mos lexoja në tekst se “ky monumenti i shkatërruar, është prova që shqiptarët nuk janë aq patriotë sa duhet.”

Dhe jo se shqetësohem ngaqë shqiptarët janë apo jo “aq patriotë sa duhet”; por ngaqë pamundësia ose paaftësia për të shpjeguar vandalizmin urban mu në qendër të Tiranës më duket po aq e rëndë sa edhe vetë shqepja sistematike që i bëhet monumentit.

img1Vepër e artistëve Visar Obrija dhe Kai Kiklas, dhe i vlerësuar – nga ministri i atëhershëm i Kulturës (2012) Aldo Bumçi për “simbolikën e marrë nga kullat shqiptare”, ky monument kushtoi 355 mijë euro, ndërsa autorët u shpërblyen me 35 mijë euro.

Duhet thënë që, që nga çasti i përurimit, këtë vepër e kritikuan si kitsch, ose të papërshtatshme, ose thjesht të shëmtuar. Për shumë banorë të Tiranës, ky kiosk i prerë më dysh dhe i ngritur në një cep të parkut do të përfaqësonte në mos një urinore, të paktën një simbol të urinimit publik.

Shkatërrimi sistematik që po i bëhet monumentit – duke pasur parasysh edhe se çdo pllakë bronzi kushton rreth 400 euro, nuk do marrë aq si tregues i patriotizmit të banorëve të kryeqytetit dhe vizitorëve dhe as si dëshmi e frymës sonë plaçkitëse; sesa si provë që shqiptarët ende nuk janë gati për t’u mahnitur para çdo lloj simboli a ikone kombëtariste që u tund përpara shteti.

Fakti që të tilla dëmtime nuk dëgjojmë të ndodhin te monumenti i pavarësisë në Vlorë, sa për të sjellë një shembull, lë vend për një interpretim tjetër: objekti i Parkut Rinia nuk shihet si “monument” nga publiku, sepse nuk përçon atë lloj patriotizmi simbolik me të cilin ky publik është mësuar.

Aty sheh një shqiponjë, simbol i konsumuar deri në zero; sikurse sheh edhe përvijimet e deklaratës të shpalljes së pavarësisë.

Me sa duket, shqiponjën publiku nuk e shoqëron me Pavarësinë, por thjesht me identitetin kombëtar; në një kohë që ende nuk është gati t’i japë vlerë “monumentale” një letre të nënshkruar.

Dua të them: pasi shqiptarëve u thuhet në shkollë, nga fillorja në të mesme, se pavarësia u fitua me luftra dhe kryengritje të përgjakshme, duket sipërmarrje e pashpresë që t’u kërkosh pastaj të përulen me nderim para një deklarate me firma.

Edhe forma që i është dhënë monumentit nuk ndihmon. Për fat të keq, realizmi socialist dhe totalitarizmi e kanë edukuar publikun me piedestale; dhe me refleksin e kushtëzuar të shoqërimit të monumentalitetit me lartësinë.

Asnjë nga këto karakteristika nuk i përmbush monumenti i tanishëm; i cili për më tepër është i vendosur në një vend krejt të rastit, në një pikë çfarëdo në mes të një parku çfarëdo.

Dhe sikurse kam shkruar edhe më parë, simbolika aq e kremtuar e kullës për qytetarin sot përfaqëson më shumë provincën e thellë, prapambetjen, paranojën, kanunin dhe gjakmarrjen. Ndoshta nuk është kështu për vizitorët; edhe po të gjykosh nga origjina e artistëve amatorë që çdo ditë e “plotësojnë” monumentin me nënshkrime të reja, vështirë të thuash se kjo kulla-simbol po u flet këtyre me gjuhë tjetër, më fisnike.

Zgjedhja e kullës për model ikonik të monumentit, nga ana e artistëve, më duket tipike për dikë që i qaset simbolikës identitare shqiptare nga jashtë – kulla është ekuivalenti etnografik i bunkerit.

Sot për sot, kjo barrakë prej bronzi në qendër të Tiranës përfaqëson veç një monument të shpërdorimit të parasë publike nga ana e institucioneve publike; por edhe të vizionit primitiv që kanë këto institucione për simbolikat patriotike, edhe ato primitive por tjetërlloj, të publikut.

Dhe nuk është vetëm monumenti si vepër arti që ka dështuar – por krejt filozofia e transplantimit të artit bashkëkohor në një truall plot kalbësirë simbolike tradicionale; shpresa se modernizmi dhe “europeizmi” mund të bashkëjetojnë me frymën e padijes dhe pseudo-epizmin që i është mëkuar publikut që në vezë; shpresa tjetër se konkurset “ndërkombëtare” dhe artistët e konceptet e importuara si të ishin futbollistë mund të sjellin emancipimin aq të nevojshëm në jetën urbane dhe në marrëdhëniet e publikut me historinë; ideja se monumentaliteti totalitar, si formë kyçe e propagandës shtetërore dhe indoktrinimit, mund të “reformohet” duke paguar disa qindra mijëra euro.

Dhe ja rezultati: këtë ngrehinë ka njerëz që e shohin jo si imazh dhe ikonë të Pavarësisë, por si monument të kioskëzimit, ose të periudhës së deregulation në vitet 1990; dhe e bëjnë këtë ngaqë forma gjeometrike e objektit jo vetëm të sjell në mend një kiosk, por edhe ngaqë vetë Parku Rinia, ku ngrihet tani monumenti, dikur ishte nga hapësirat publike më të ndotura me kioske në kryeqytet. Çka edhe konfirmon se marrëdhëniet e një objekti artistik monumental me hapësirën ku vendoset nuk mund të vendosen aq arbitrarisht; dhe se asnjë konkurs dhe komision nuk mund të kompensojë për mungesën e shijes dhe paaftësinë institucionale për të bashkëtingëlluar me jetën dhe ndjeshmërinë urbane.

Ndoshta një qeveri e djathtë do ta kishte privatizuar këtë rrënojë; por kjo e tanishmja thjesht duhet ta heqë që andej.

Nuk ka komente

  1. Eshte hedhur vemendje disa here tek ky objekt duke shkuar deri aty sa te propozohet heqja si alternativa me e mire e “ruajtjes” por nuk di qe ndonje insitucion te jete vene ne levizje per sensibilizim dhe mbrojtje te monumentit dhe deri diku dinjitetit kombetar qe lidhet ngushte me cka perfaqeson monumenti.

    Nderkohe dua te ve ne dukje nje aktivizim te theksuar keto dy dite nga Ministria e Kultures per te denoncuar vandalizimin e mermerit te Kolonave. Me poshte dy deklarata te njepasnjeshme te Ministres Mirela Kumbaro ne faqen e saj ne FB tregojne sa seriosisht po angazhohet kjo qeveri per mbrojtjen e monumenteve.

    Nuk ka paqe e as dashuri në shëmti e barbari!
    Verën e kaluar çliruam, pastruam, restauruam, rikthyem shkëlqimin e sheshit Nënë Tereza dhe të skenës së kolonave. E bëmë me paratë e taksapaguesve, tuajat, tonat!
    Hapësira e kolonave është përdorur si skenë kulturore për aktivitete e ekspozita, për të shëtitur e për të luajtur!
    Por duhet ta mbajmë e ta mirëmbajmë të gjithë!
    Ju e keni ndotur, dëmtuar, shëmtuar!
    Ne do ta pastrojmë sërish! Por edhe do t’ju përndjekim ju që e bëtë! Filmimet e kamerave të sigurisë do të vendosen në dispozicion të policisë së shtetit për të gjetur dëmtuesit e pronës publike dhe të monumenteve të kulturës!
    kujdesen bashkë me ne!


    Ministria e Kulturës ka detyre te mirembaje monumentet e kultures, te cilat amortizohen nga koha, nga agjentet atmosferike, nga harresa qe u ka bere shoqeria dhe shteti prej dekadash. Kjo gje ka kosto te larte dhe duhet punuar cdo dite, cka po e bejme, madje edhe duke fituar kohen e humbur ne gjithe ato vite.
    Por asnje institucion kulturor nuk ka mundesine per te luftuar vandalizmin dhe keqtrajtimin e monumenteve apo te hapesirave urbane.
    Per kete ka vetem dy menyra:
    – njera eshte afatgjate: edukim dhe qyteterim permes kultures cka duhet ta bejme te gjithe bashke, te gjithe aktoret e shoqerise, cdo dite dhe kudo e me kedo, sidomos me te rinjte.
    – tjetra eshte ndeshkim dhe reagim i forte i te gjithe shoqerise, kunder cdo akti qe degradon trashegimine kulturore, dhe kjo behet jo thjesht me muhabete te zemeruara fejsbuku, por sa here qe kemi rast te mos jemi indiferente para bukeshkaleve te kultures.
    Sot, restauratoret e Drejtoria Rajonale e Kultures Kombetare Durres-Tirane punuan per te pastruar me shume veshtiresi mermerin e Kolonave, dhe kete pune e paguam ne te gjithe nga taksat tona! Tani eshte detyre e te gjitheve t’i ruajme!
    Poshte indiferentizmi!

    Reagimi eshte i duhur por te vjen keq kur kete shqetesim nuk sheh te shprehur per Monumentin e Pavaresise edhe pse shkaterrimi i tij ka terhequr reagim publik disa here. Ka dy skenare te mundshem: 1. Ministria e Kultures eshte dakort qe duhet te hiqet por nuk eshte e gatcme ta pranoj kete publikisht dhe ja ka lene ne dore fatit qe ta heq qafe ne menyren me barbare; 2. meqe monumenti eshte projekt i qeverise Berisha, Ministria e Kultures nuk ka ndonje simpati dhe nuk e sheh veten si pergjegjese per mirembajten e tij. Ne skenarin e pare indiferenca eshte estetike, ne rastin e dyte politike.

  2. Xha Xha,

    Shumë me vënd. Do vëreja gjithashtu se monumentaliteti në këtë kontekst, por edhe në hapësirën publike në përgjithësi, flet nëpërmjet arketipes, që është së bashku me gjuhën e funksionalitetit ( kur flitet për një objekt që prezantohet edhe si arkitekturë) gjuha kryesore me të cilën ato komunikojnë me publikun.

    Në një kontekst tjetër, p.sh. e ekspozuar tek MOMA, edhe mund të flasi ndryshe. Sepse shkalla por edhe vëndi dhe pritshmëria janë të ndryshme (objekti prezantohet në rrafshin e ideve, dhe jo si objekt).

    Për t’iu kthyer arketipit: qytetarit në hapësirën urbane një arkitekturë e dekoruar me rrush e gjethe prej qerpiçi nuk mund veçse t’i kujtojë dhe simbolizojë një kopësht. Po ashtu një kullë e mirëfilltë nuk i kujton njeriut të thjeshtë (sidomos të ardhurve rishtas nga malësia), hyjnoren dhe të lartën por të përditshmen (sado i stërvitur apo i pa stërvitur të jetë ai me veprat e realizmit socialist).

    Por nuk është vetëm në kontekst ku ky objek ka dështuar, por edhe në tipologji.

    Ai nuk i ka dhënë një zgjidhje ambiguitetit midis arkitekturës (objekt funksional) dhe skulpturës (objekt formal). Futja e arkitektektonikes në munumente është “thikë me dy presa”, sepse funksionaliteti duhet t’i përgjigjet qëllimit të monumentit.

    Por, monumentet rrallë herë janë funksional. Edhe kur janë, funksionaliteti i kthen ato kokëposhtë: nga “monumente” në “arkitekturë monumentale”. Për shembull kishat dhe tempujt nuk qëndrojnë dot si monumente.

    Një rast për t’u vecuar mund të jetë promënada përgjat Vietnam Veterans Memorial Wall nga Maya Lin në W. DC që mundëson unitetin e natyrës dhe monumentit (murit) për të evokuar të përjetshmen. Por edhe këtu elementi arkitektonik është më pak se dominant.

    E stilizuar dhe abstrakte siç është paraqitur kulla në këtë rast, lidhja me tipologjinë e nevojtores publike bëhet mëse natyrshëm – me dy kthina të fshehura dhe pllakat majolike të zëvendësuara nga pllakat e bronzit.

  3. Para pak ditësh, tifozët e ekipit holandez të Feyenoord-it shëtitën pak në Romë dhe bënë atë që dinë të bëjnë zakonisht tifozët: i prishën ca gjëra. Për fat të keq, mes këtyre gjërave që u prishën, ishte edhe një shatërvan i Bernini-t në Piazza di Spagna, i njohur si Fontana della Barcaccia, të cilin holandezët e goditën me shishe qelqi (mbase për ta pagëzuar, siç pagëzohen anijet), duke i shkaktuar dëme të përhershme. Ndoqa kalimthi shqetësimin e qytetarëve të Romës për këtë, të shprehur deri në dhimbje; për një nga mijëra veprat e artit që hijeshojnë kryeqytetin italian – por që banorët e atjeshëm e duan si ta kishin të vetmin.

    Nuk di se për çfarë ndërtese në Tiranë do të shqetësoheshin ashtu kryeqytetasit – shpresoj për Kullën e Sahatit, dhe jo vetëm ngaqë e kam personazh të librit tim të parë (në shqip). Përndryshe, regjimet kanë ardhur dhe kanë ikur, me monumentet, pompën dhe arkitekturat e tyre; por këto mund të them se i kanë impresionuar tiranasit deri në një farë shkalle. Tirana pranoi, tek e fundit, statujën e Skënderbeut në qendër; por nuk më duket se pranoi ndonjëherë statujën e Enver Hoxhës, sërish në qendër, dhe jo thjesht për arsye politike: kjo e dyta ishte tejet e shëmtuar.

    Dhe kur flasim për monumente, duhet të kemi parasysh edhe relevancën e ngjarjes ose të figurës që përkujtohet në mendësinë kolektive. Shqiptari – për fat të keq – ende është mësuar ta përjetojë historinë si një narrativë heronjsh; ku ngjarjet janë gjithnjë në funksion të figurave dhe nuk mund të adhurohen në vetvete. Kështu, ne do të pranojmë më lehtë një statujë të Ismail Qemalit, sesa një monument që i kushtohet deklaratës së Pavarësisë. Shto pastaj edhe se disa data mund të jenë të rëndësishme për elitat – p.sh. data e shpalljes së Pavarësisë; por jo për këtë janë automatikisht të rëndësishme edhe për njeriun e rrugës. Dhe aq më tepër kur procesi i pavarësisë së Shqipërisë, i para një shekulli, nuk ka pasur ndonjë lidhje as gjeografike as historike me Tiranën vetë.

    Ka qenë një kohë kur elitave u mjaftonte dëshira, për t’ia imponuar monumentet publikut; por kjo kohë ka kaluar. Vëreni edhe monumentin e Zogut në Tiranë, sa i trishtuar që qëndron; vëreni edhe fatin e monumentit të Nënë Terezës në Rinas, që dukej si ndonjë spirancë anijeje e ekspozuar në një muze të marinës oqeanike. Elitat e tanishme janë patetike me monumentet e tyre të reja; dhe jo sepse këto u referohen figurave dhe ngjarjeve pa vlerë historike dhe morale, por sepse publiku nuk dëgjon më nga ai vesh, sa kohë që respekti ndaj versionit “zyrtar” të historisë nuk është më “me detyrim”, por varet tashmë nga vetëdija historike e publikut vetë.

    Dhe, tek e fundit, tingëllon pak qesharake t’i kërkosh publikut të përdëllehet për Pavarësinë, në një kohë që gjatë këtij shekulli që shteti shqiptar ka qenë i pavarur, vetë shqiptarët – si nënshtetas dhe si shtetas – kryesisht kanë ngrënë dynjanë. Përkundrazi, elitave pavarësia nuk u ka dalë dhe aq keq: prandaj festojeni ju si elita dhe na lini ne të tjerëve rehat, duket sikur thotë ai qyqari që shkon të pshurrë te struktura dhe që kapacitetin e tij për të respektuar historinë e ka konsumuar së bashku me tortën kuqezi që hëngri në nëntor të vitit 2012.

  4. “Kështu, ne do të pranojmë më lehtë një statujë të Ismail Qemalit, sesa një monument që i kushtohet deklaratës së Pavarësisë”-Xha Xhai

    Edhe pse logjika eshte tunduese, historia e trajtimit te monumenteve ne Shqiperi nuk e mbeshtet. Mjafton te pyesesh cdo vlonjat e do te tregoje se varri i Ismail Qemalit ne Vlore ka sherbyer tradicionalisht si shurrtore publike. Apo permendorja e Qemal Stafes ne Tirane qe sherben si raft kepucesh. Dhe busti i Vojo Kusht qe u zhduk nje dite ne drejtim te panjohur, kushedi per skrap…

    http://www.gazetatema.net/web/2014/12/02/monumentet-e-qemal-stafes-dhe-vojo-kushit-te-kthyera-ne-shitore-kepucesh-dhe-peshqish/

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin