PROJEKT-LIGJI I ARSIMIT TË LARTË 2015

nga Arjan Shahini

Sot shtiva në dorë projekt-ligjin e arsimit të lartë. Besoj se është një dokument paraprak, edhe pse gazeta Panorama ka komentuar përciptazi mbi të si të ishte një draft formal. Madje gazeta pretendon se ky projekt-ligj do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave për miratim.

Dyshoj në vërtetësinë e këtij lajmi. Megjithëse Myqerem Tafaj, ish-ministri i arsimit, është shprehur se ky draft i ka shkuar institucioneve për mendim në afat 48 orë për përgjigje.

Ligji kërkon një redaktim të mirë (p.sh. qëllimi është në nenin 1, objekti i ligjit nuk figuron kurrkund, ndërsa përkufizimet janë në nenin 6). Shumë aspekte janë të vagullta, sidomos sa i përket ndarjes së përgjegjësive ndërmjet autoriteteve drejtuese dhe shtetit.

Në dallim nga ligji i mëparshëm (2007) projekt-ligji përmban rreth 50 nene më shumë. Risitë më të rëndësishme janë: ndryshimi i formës së financimit nëpërmjet tre granteve (për zhvillimin, mësimdhënien dhe shkencën) dhe prezantimi i kredisë studentore; shteti heq dorë nga financimi i arsimit të lartë për të gjithë; forcimi i strukturave administrative në institucionet publike; krijimi i institucioneve me status të veçantë në bazë të programit apo në bazë të pronësisë e administrimit (institucionet e pavarura publike); autorizimi i institucioneve publike për të marrë kredi; dhe heqja e provimit të maturës si kriter për pranimin në arsimin e lartë.

Projekt-ligji në tërësinë e vetë ka një frymë etatiste. Roli i shtetit në qeverisjen e arsimit të lartë mbizotëron ende. Megjithëse ky rol nuk është i përligjur nga premtimi për financim. Ligji ka reduktuar aspekte të përfaqësimit të studentëve në qeverisjen e institucioneve të arsimit të lartë, ka kufizuar autoritetin e rektorit vetëm në drejtimin akademik dhe ka rritur autoritetin e administratorit (ish-kancelarit).

Më poshtë paraqiten përshtypjet e para mbi disa aspekte kryesore: mbi parimin e autonomisë, raportet me studentët, qeverisja e arsimit të lartë, qeverisja akademike dhe financimi.

Mbi autonominë

Së pari që në fillim neni 1 (mbi qëllimin) në pikën a. dhe b., si dhe neni  3, bien në kundërshtim me parimet e autonomisë së shprehura në nenin 4; ku shteti duhet të “krijojë një sistem të unifikuar dhe të standardizuar të mësimdhënies”. Ideja e sistemit të unifikuar, shprehur edhe në planin e reformës, është konkretizuar më tej me një matematikë të çuditshme që i detyron institucionet të njësojnë programet me 80% për profesionet e rregulluara (neni 85 për mësuesinë, neni 87 për profesionet e rregulluara) apo me 70% për të tjera programe me emërim të njëjtë (neni 87). Ligji nuk thotë gjëkundi se në bazë të cilit kriter e program unifikues do të realizohet kjo. Gjithashtu, ky unifikim cenon autonominë akademike, dhe synimin e institucioneve për tu dalluar në tregun e arsimit të lartë nëpërmjet misionit të tyre. Kjo bie në kundërshtim dhe me parimin e nenit 1, pika b. “mbi parimin e konkurrencës së lirë mes institucioneve të arsimit të lartë, personelit akademik dhe studentëve.” Mbi cilat baza zhvillohet konkurrenca, në mos në cilësinë e produktit (studentë dhe programe studimi)?

Përveç se institucionit të arsimit të lartë i është vendosur edhe një mision tjetër, “të mbrojë dijet”[?, neni 1], tanimë shteti zotohet të vlerësojë “cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe [atë] kërkimore-shkencore” (neni 3). Pasi ligji sqaron se përfshin aspekte organizative (neni 1), në nenin 4, institucioneve i premtohet autonomi organizative dhe akademike. Por në aspektin operacional këto premtime kundërshtohen më tej: P.sh. fillimisht pretendohet që institucionet i vendosin vetë kriteret e pranimit (neni 4 & 5), pastaj është qeveria që vendos pragun e rezultateve të pranueshme (neni 14/2) apo në fushën e sporteve e arteve (neni 72/4) dhe sipas kapaciteteve që vlerëson ministria për fushat e tjera (neni 72/5). Ndërsa në këtë mish-mash është përfshirë edhe ministria e arsimit që “i propozon Këshillit të Ministrave kriteret për aplikim për vijimin e studimeve të ciklit të parë, apo atyre të integruara të ciklit të dytë” (neni 7/e). Institucionet duhet të ofrojnë programe vetëm në gjuhën shqipe (neni 89). Përkundër trendeve botërore ku personeli me kohë të plotë po kalon në pakicë si pasojë e lidhjes së universiteteve me bizneset, në Shqipëri institucionet duhet të mbulojnë 2/3 e ngarkesës me personel me kohë të plotë dhe ngarkesa minimale për personelin përcaktohet me Këshill të Ministrave (neni 65).

Ka edhe paqartësi në organizimin e programeve të studimit. P.sh. në nenin 72 janë parashikuar vetëm tre lloje studimesh (me kohë të plotë, të zgjatur dhe të vazhduar), më pas diku në nenin 82/2, kemi edhe doktoratë me kohë të pjesshme, ndërsa në përkufizime kemi edukim me distancë (neni 6) përmendur shkarazi edhe në nenin 88/4. Por forma e organizimit të studimeve është e pamundur ti lihet institucioneve.

Mbi studentët

Shteti tanimë financon vetëm nëpërmjet bursave dhe vetëm për studentët në nevojë (neni 5 dhe neni 117). Studentët, nga cilido institucion publik apo privat kanë të drejtë të marrin kredi studentore. Raportet që ligji koncepton ndërmjet institucionit dhe studentëve janë aspak demokratike. Së pari Në aspektin e përfaqësimit në organet vendimmarrëse, studenti është pjesëmarrës vetëm në senatin akademik (neni 40), por peshën e përfaqësimit ligji ja lë statutit të institucionit. Në çështje të administrimit studentët nuk kanë zë.  Të drejtat e tyre janë kufizuar më tej: P.sh. në vendosjen e një kufiri 5 vjeçar për përfundimet e programet e doktoratës, neni 80/4 (ndërkohë që në botë periudha mesatare është mbi 7 vjet, e në SHBA edhe 10 vjet); për programet e ciklit të parë koha maksimale është dyfishi i kohës normale (edhe pse mund të paguhen nga shteti), neni 91, por studentit i lejohet të ndërrojë institucionin nëse nuk përfundon në kohë studimet(?); studentit i ndalohet, edhe pse anti-kushtetuese, të studiojë njëkohësisht dy programe studimi, neni 102/3.

Mbi qeverisjen e arsimit të lartë në vend

Projekt-ligji parashikon disa ndryshime në qeverisjen dhe autoritetet e arsimit të lartë dhe ka decentralizuar procedurat administrative nga ministria në agjencitë përkatëse. Por ka ngatërresa jo vetëm në kompetencat ndërmjet tyre por edhe në prezantimin e tyre.

Inspektoriati Shtetëror i Arsimi të Lartë del tërthorazi në nenin 72, por nuk përmendet përndryshe gjëkundi. Këshilli i Arsimi të Lartë dhe Konferenca e Rektorëve nuk kanë asnjë kompetencë të shprehur në ligj (neni 19/3 parashikon që konferenca jep mendime, po se ku i çon ato).

Agjencia Kombëtare e Financimi të Arsimit të Lartë merr përsipër shpërndarjen e fondeve publike (neni 15, pika 4 është bosh) dhe garanton kreditë studentore, por është Ministria që ndërmjetëson kredinë (?, neni 121). Nëse kjo agjenci është institucion publik, ç’ne ministria që ndërmjetëson? Në nenin 15 flitet për një letër prioritetesh të kësaj agjencie, por vetëm kur renditen përkufizimet (neni 6) nënkuptohet se ç’është, por jo se për çfarë shërben. Më sipër kemi përmendur mungesën e koherencës sa i përket autonomisë së institucioneve në përcaktimin e formës së programit të studimit apo kritereve të pranimit.

Mbi qeverisjen institucionale

Në këtë ligj është dobësuar autoriteti i rektorit, i cili tanimë vetëm firmos vendimet e senatit dhe të njësive më të ulëta. Problemi është se ka paqartësi në lidhje me kompetencat e emërimit dhe të shkarkimit apo anëtarësimin e organeve drejtuese. P.sh. ministri urdhëron shkarkimin e rektorit (neni 7/c, ndërkohë që emërohet nga presidenti, neni 42/8); ministri mund të shkarkojë një autoritet drejtues, por këtë e emëron rektori (neni 45/3). Rektori nënshkruan kontratat e punës për personelin akademik (neni 42/5) edhe pse nuk i emëron apo zgjedh ai.

Mbi qeverisjen akademike

Në politikat e personelit akademik ka disa ndryshime thelbësore. Në dallim nga sa u planifikua në dokumentin e reformës, agjencia e kërkimit shkencor nuk do të angazhohet në procedurat e promovimit, por ministria administron regjistrin e titujve akademikë. Por ka disa paqartësi mbi promovimin. Procedurat i janë lënë institucionit, por standardet si për institucionin dhe për titujt i vendos Këshilli i Ministrave (neni 63/3, dhe pse nuk përmenden në nenet 3 & 7, që liston kompetencat e shtetit dhe të ministrisë). Pastaj ka ndërhyrje të çuditshme që përligjin faktet në institucionet publike. P.sh. neni 69 heq kufirin e moshës së pensionit, duke u mbyllur derën të rinjve në institucionet publike dhe ligjëruar një brez 80-vjeçarësh tru mykur që pleqërojnë në universitetet publike. Ndërsa ka dallime ndërmjet personelit akademik, i cili gëzon trajtim të veçantë me vendim qeverie (neni 61), dhe administratorëve që mund ta caktojnë rrogën vetë (neni 70).

Standardet mbi numrin e pedagogëve të punësuar pranë institucionit janë sërish 7 për departament nga ku 3 me tituj, por kur vendosen kritere për institucionet që kanë të drejtë promovimi, numri i përgjithshëm duhet të jetë 18 profesorë (neni 63/c).

Mbi institucionet e arsimit me status të veçantë

Për herë të parë qeveria krijon stimuj për krijimin e institucioneve jofitimprurëse, në formën e institucioneve të pavarura publike. Origjina e tyre mund të jetë publike ose private, por administrimi është ndryshe. Qeveria merr përsipër Kur qeveria dërgoi në parlament një ligj që do të jepte truall për ndërtimin e shkollave, pati disa zëra nga PS-ja që e vlerësonin, ndoshta me të drejtë, si një nismë klienteliste e radhës. E njëjta nismë vjen në këtë ligj me institucionet e pavarura publike, ku qeveria mund të japë prona të paluajtshme dhe të paluajtshme në formë financimi për këto institucione (neni 130, i shkruar me ngut). Shpresojmë që këtë radhë kjo nismë të mos paragjykohet, sidomos nëse bëhet fjalë për ish-reparte ushtarake që deri dje kanë funksionuar për të tjera biznese më pak fisnike.

Nëse qeveria heq afatin 48 orë për rishikim, ndoshta do të shkruajmë më tej për aspekte të financimit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: