KUKULLA E KADARESË – MBRESA LEXIMI

nga Arb Elo

Admiruesit e Kadaresë me siguri janë trishtuar goxha kur mjeshtri deklaroi publikisht para disa vitesh se nuk do të shkruante më letërsi të mirëfilltë. Për fat të mirë ai nuk po e mban fjalën.

Pjesa më e madhe e librit të tij të fundit „Mëngjeset në Kafe Rostand“ është letërsi e mirëfilltë, madje e një niveli të tillë që jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë, por edhe duke i tejkaluar ato shpeshherë, nëse mund të flitet me terma të tillë që i shkojnë më për shtat atletikës, se sa letërsisë, aq më pak letërsisë shumë të mirë, për të mos thënë të shkëlqyer, që K., siç dihet botërisht, shkruan.

Nëse copat e tjera të këtij vëllimi i përforcojnë lexuesit mbresën se K. vazhdon të shkruajë me të njëjtën cilësi si gjithnjë, qoftë edhe shënime kritike, portrete, mëtime për letërsinë bashkëkohore shqipe a klasike, historike apo politike etj., dy pjesët më të gjata „Coffeehouse days“ dhe „Kukulla“, e sidomos kjo e fundit, dëshmojnë një lirizëm e drejtpeshim delikat të disa regjistrave që nuk po dimë t’i kemi hasur në formë kaq të kulluar e të përqëndruar tek autori e që do të kërkonin një penë tjetër, ku e ku më të fisme se atë të shkruesit të këtyre radhëve, për t’i qëmtuar siç duhet.

Tek „Kukulla“ çdo fjalë është në vendin e saj; struktura kristaline e këtyre „kujtimeve“, por që nuk janë veç të tilla, si çdo gjë e bukur që nuk është veç një, mbahet nga vetvetja, nga mjeshtëria e rrëfyesit, nga vërtetësia, nga humori i tij i hollë, nga brishtësia e dhembshurisë jo vetëm për nënën, të cilës i kushtohet kjo novelë, të themi, por për njeriun, siç është ai vërtet e, jo së fundmi, nga këndvështrimi që ka zgjedhur autori për ta bërë këtë.

KabukiNëse do të kishim një humor tipik shqiptar, siç thuhet për anglezët p.sh., ai shfaqet këtu në formën e tij më të kultivuar, e cila nuk të bëjë aspak me të qeshurit me të madhe, apo gajasjen, por me një lloj gazmendi të brendshëm jo pa melankoli, që nuk e kalon kurrë një skaj të caktuar qesëndie, që është, nga ana tjetër, edhe toleranca maksimale për ta pranuar tjetrin siç është, e që përzihet në zonat asnjanëse me dhembshurinë për këtë të fundit, duke shmangur kështu mjeshtërisht rreziqet kryesore që i kanosen gjithkujt, kur nis të shprehë të tilla ndjesi: patetikën, klishetë, apo edhe kitsch-in.

E njëjta gjë ndodh edhe me dhembshurinë, që këtu vjen në formë bryme, aq delikate e aq e brishtë, saqë vetiu të ndërmenden Hokusai, Lindja e Largët, haiku dhe teatri japonez Kabuki, të cilin autori, që është mëse i vetëdijshëm për atë bën, e përmend edhe vetë diku në hyrje dhe që e përcjell si lajtmotiv gjithkund me asosiacionet e gipsit, të kukullës, të lehtësisë e, jo së fundmi, me figurën e Izmini Kokobobos, apo thjesht emrin e saj, që vetëm si i tillë do kish qenë i vetëmjaftueshëm për ndonjë kompozim modern alla John Cage: Izmini Kokobobo; pikë.

E vendosur kjo fillimisht në sfondin e Gjirokastrës së „Kronikë në gur“ për t’u zhvendosur më pas drejt Tiranës së pasluftës, ç’prej shtëpisë danteske të Kadarenjve drejt këndeve të drejta të apartamenteve minimaliste alla Le Corbusier pa shpirtin e këtij të fundit, prej një kohe tejet të hershme, pothuajse surreale drejt realitetit të thatë e irreal socialist, kohë që mund të lidhen me njëra-tjetrën veç me ndonjë „deus ex machina“ e që tek K. është fillimisht një udhëtim absurd me taksi e pastaj, përfundimisht kësaj here, me një kamion të mbushur me velenxa, relikte e gjithfarë gjësendesh prej bakri, për të shtegtuar edhe më larg në një kohë tjetër, drejt Moskës e së fundmi drejt Parisit, rrugëtimi i rrëfyesit, më shumë se në kujtesë, apo në gjeografi, ndodh në veprën e krijuar prej atij vetë: gjen aty „Koha(ën) e shkrimeve“, „Kronikë(n) në gur“ – siç u përmend më sipër, „Muzgun e perëndive të stepës“, „Dimrin…“ e shumë e shumë remineshenca nga vepra të tjera: ky udhëtim është në thelb autobiografik si i tillë, por jo vetëm aq: në do të bënim një krahasim nga bota e muzikës moderne, ai është mbi të gjitha një „Best of“ i Kadaresë, remastered, ku përpos motiveve e këngëve të njohura, të cilave autori, që i ka interpretuar ato edhe një herë, le të themi unplugged, u ka shtuar edhe disa të reja.

E nëse do të bënim një krahasim me botën e gurëve të çmuar, që K. i ka aq për zemër si figura letrare, mund të thoshim se koleksionit të tij të perlave, bizhuve më të shumtën të errëta, ai u ka shtuar edhe një tjetër të tillë, të madhe e fort të çmuar, me ngjyrë të çelët, si të thuash, topazi a sedefi.

Jua rekomandojmë fort!

*P.S.: shkruesi i këtyre rreshtave nuk është as studiues e as kritik i letërsisë, por vetëm thjesht lexues, ndaj këto shënime mëtojnë të jenë veç mbresa leximi e aspak shteruese.

 

Nuk ka komente

  1. Gjithnje ne vale mbresash, kur thoni ‘jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë,’ ne c’kuptim, mund ta ilustroni pasurimin e dyfishte?

  2. Megjithese, sic thote autori, nuk eshte kritik letrar, sjell tek lexuesi i PTF, nepermjet pershtypjeve te tij mbi librin e fundit te Kadarese, nje perqasje, nje “attitude” krejt pozitive ndaj autorit te mirenjohur shqiptar. Une vete nuk e kam lexuar librin, por nxitja, nje shkase, supriza tashme ekziston, qe te bej perpjekje ta gjej e ta kaloj neper duar. Per sugjerime te tilla kemi nevoje te gjithe, sepse me siguri do te ndjehemi me mire pas nje leximi te kendeshem ku mesohet dicka.

    Eshte interesante, por I.K. mbetet gjithmone, si letrar dhe si njeri, nje subjekt qe njerezit nuk rreshtin se prekuri e komentuari. Kjo tregon se vazhdon te mbetet i vetem ne majen e Olimpit te letrave shqiptare. Une nuk jam ndonje admirues i vecante i tij. Si letersi, ate te Kadarene, e kam kapercuar shume kohe me pare, por me cfare shoh, lexoj, degjoj, tregon se askush deri tash, nuk ka mundur ta superoje si titan i mendimit dhe artit shqiptar kudo, ne Shqiperi dhe jashte.

    Kjo nuk eshte shenje e mire per letrat shqiptare, qe si ne cdo leme tjeter, tregon se tranzicioni i kombit shqiptar, po i ngjan nje lloj lengimi te gjate, ku te gjithe presin qe dicka mbaroje si cikel, te vdese, pastaj te vendoset dhe te nderohet ne Panteonin e arritjeve te se kaluaren, per t’ia lene vendin dickaje tjeter.

    Njerezit e letrave sot, jane kthyer ne qesharake, te mbetur ne nje “impasse” krijimi, te sjellurit te dickaje te re, ku artistikisht te mmund te hulumtohet e sotmja, qe ka kaq shume per te thene per te kaluaren, te tashmen dhe te ardhmen, merren me Kadarene; disa per ta denigruar, per ta demontuar, dekonstruktuar disa per te ruajtur shkelqimin e skulptures se tij mbi piedestalin e Olimpit, njelloj si te nje Zeusi te plakur.

    Nje si une i thote, lereni rehat Kadarene. Ai e ka vendin e vet te konsoliduar ne historine shqiptare te letrave. Nese dikush mund te fitoje pavdekesine eshte Kadareja. Ne te tjeret vdekatare, te mos ushqejme iluzionin se duke i lustruar atij kepucet, apo duke i baltosur ato, do te ndajme me te ADN-ne e tij, ndoshta me shpresen se do te mbetemi gjalle edhe pas vdekjes te priteshme fizike.

  3. “Eshte interesante, por I.K. mbetet gjithmone, si letrar dhe si njeri, nje subjekt qe njerezit nuk rreshtin se prekuri e komentuari.”
    Me interesantja eshte se I.K, si askush tjeter ne letersisne shqipe, nuk ka reshtur se prekuri/rishkruar, rishikuar/perpunuar dhe komentuar krijimtarine e tij letrare ( kontekstet e shkrimit, per kuptimet, nenkuptimet e teksteve letrare ) por edhe per raportet e shkrimtarit me diktaturen. Jane dhjetra intervista, te shperndara prej 25 vjetesh ne shtypin vendas e te huaj por edhe libra (Ftese ne studio, Dialoge me Alen Bosque, Kater perkthyesit, Kohe barbare) e se fundmi, e ndoshta jo i fundit-Mengjeset ne kafe Rostand-ku I.K i kthehet , rikthehet me durim e nje detajisti, lemimit te skulptures se Tij. Mengjeset eshte nje rikthim ne rrugen e krijimtarise se tij , nje miksazh me mbresa, kujtime, portrete, vezhgime, persiatje(Zonjat e vogla te leterise shqipe, Makbeth, Nje prill per Fredin) nje metatekst me komente per “prapaskenat” e krijimit te disa veprave te tij si Gjenerali, Dimri, Dasma dhe, ne fund, nje mozaikal ku spikat nje histori me qen, pergjigje paksa e vonuar (aq sa meria te arrinte piken e vlimit e te mos duronte me pa u derdhur) per zhurmen , dyshimet dhe akuzat qe shoqeruan Mjegullat e botuar ne veren e nxehte te vitit qe sapo lame pas.

    1. Duket interes simbiotik, Shpend. S’i kam lexuar “Mëngjeset”, pavarësisht se për mua Kadareja (më sakt “Kështjella” dhe “Prilli i Thyer”) ka qenë ura nga librat e mi, tip “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel”, tek ata të prindërve të mi. Por ti i paske lexuar, me sa shoh. Ç’përshtypje të lanë, e ndanë mendimin e Arb Elos?

  4. Po militschi, e kam lexuar “Mengjeset”, dhe me shume vemendje. Leximet e nje libri jane aq individuale sa mbresat mund te mos jene perhere te njejta. Nje liber nuk eshte si nje torte e cila le te njeten shije tek te gjithe ata qe e shijojne. Aq me teper nje liber si Mengjeset i cili, sikurse kam thene ne komentin me lart, eshte nje miksazh.
    Arb Elo thote: Pjesa më e madhe e librit të tij të fundit „Mëngjeset në Kafe Rostand“ është letërsi e mirëfilltë, madje e një niveli të tillë që jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë, por edhe duke i tejkaluar ato shpeshherë,..”
    Ndryshe nga Arb Elo , mendoj se pjesen me te madhe te librit e zene tekste jo fiction,ese, kujtime te letrarizuara, te cilat risjellin copeza jete, ndodhi, fakte autobiografike dhe atmosferen e kohes kur u ngjizen disa nga veprat e tij. Duke mos qene fiction i mirefillte, madje as Kukulla, nje kronike e jetes familjare , nga banesa e Gjirokastres ne apartamentin ne pallatin aq te perfolur per kubizem ne rrugen e Dibres, stili i te shkruarit eshte pa dyshim po ai, kadareian.
    Stili i tij eshte i pangaterrueshem, si te kenduarit e Leonard Cohen, edhe kur kenget e tij muzikojne tekste jo aq poetike dhe te ngjeshura me ide.
    Eshte e vertete qe autori ne kete liber rimer motive te trajtuara me pare dhe sjell dicka te re, sikunder eshte meditimi per raportet e letersise me figuren e femres ( Zonjat e vogla te letersise shqipe-nga me te mirat shkrime, mendoj une, ne kete liber) .Ose eseja “Makbeth” ku autori i rikthehet magjepsjes prej kesaj kryevepre qysh kur ishte gjimnazist e ku le te kuptohet , jo pa nje narcisizem te dukshem, se ai, I.K d.v kishte ardhur ne letersi si nje Shekspir i koheve moderne per te deshmuar, me te njetin talent, mbi krimet dhe gjemat e komunizmit.
    Galeria e personazheve qe shperfaqen ne liber jane njerez reale, bashkestudente, shkrimtare, botues, njerez te artit e kultures,familjare.Disa prej tyre si D.Siliqi, Dilaver Dilaveri (kritik) jane miqte konfidente me te cilet autori ndante idete fillestare dhe doreshkrimet e romaneve.Ndonjeri prej tyre madje e ysht autorin ne dredhine me censuren , duke e keshilluar te kombinonte “temat e vdekjes” (Gjenerali) me temat per “jeten socialiste” (Dasma) ose tema te aktualitetit. Te gjitha pjeset me kujtime per kohen e shkrimit te disa nga veprave me te diskutuara te tij por edhe ato te censuruara, percjellin mesazhin e raporteve jomiqesore, madje te dyshuara te shkrimtarit me shtetin dhe deshmojne se I.K , qysh ne fillimet e krijimtarise se tij, kur provoi ndalimet e para dhe paraljmerimin e miqve, ishte i vetedijshem se po shkruante nje letersi ndryshe nga ajo me kooperativiste te gezuar dhe punetore te lumtur.
    Duke qene me se shumti me kujtime te letrarizuara dhe ese, me duket pak i nxituar pohimi se ky liber konkuron disa nga veprat e tij me te mira e madje i tejkalon ato !

    1. “Duke qene me se shumti me kujtime te letrarizuara dhe ese, me duket pak i nxituar pohimi se ky liber konkuron disa nga veprat e tij me te mira e madje i tejkalon ato !”

      • Shpend Bytyçi,

      Së pari, siç e rrëfen edhe titulli i shkrimit, nuk bëhej fjalë aty për të tërë “librin”, por për pjesën “Kukulla” dhe diçka më pak për “Coffeehouse days”.

      Aty unë shikoja remineshenca të “Muzgu i perëndive të stepës”, “Kronikë në gur”,”Koha e shkrimeve” -“Përbindëshi” më paskësh dalë nga mendja kur bëra shkrimin – që janë edhe këto, siç dihet, “kujtime të letrarizuara”.

      So what?

      Sa për tejkalimin, ky, siç edhe e pohoja vetë, jo pa qesëndi, nuk është diçka e matshme, aq më tepër kur flitet për letërsi shumë të mirë – por le ta themi fjalën e mirë, nëse na ka pëlqyer diçka, për sa kohë nuk e përskajojmë drejt mllefit a kultit të individit.

      Nuk po dua as të diskutoj me ju, që të kuptohemi: le të mbetemi në kuadrin e bisedës, por edhe kjo e fundit kërkon maturi e të peshuarit e fjalës e këtë nuk po e gjej në fjalinë që citova.

      -bonodushku

      “Gjithnje ne vale mbresash, kur thoni ‘jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë,’ ne c’kuptim, mund ta ilustroni pasurimin e dyfishte?” – shkruan bonodushku më sipër,

      a thua se i kemi borxh ndonjë sqarim e memzi po presim të ndriçojmë njerëzinë.

      -Read Me,

      nga ana tjetër, na bën me dije menjëherë qëndrimin e TIJ për këtë çështje: i këshillojmë ta bëjë nikun: HIER I AM.

      “Nje si une i thote, lereni rehat Kadarene”… shkruan ai.

      Nëse është kështu zotëri, pse nuk nisni ju i pari me këtë, duke e lënë rehat si Kadarenë, ashtu edhe ne, në mos edhe veten tuaj?

      Pak harbutçe e gjitha kjo, por dozave të cinizmit, në mos nihilizmit, nuk ke se si u përgjigjesh ndryshe…

      1. “-bonodushku

        “Gjithnje ne vale mbresash, kur thoni ‘jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë,’ ne c’kuptim, mund ta ilustroni pasurimin e dyfishte?” – shkruan bonodushku më sipër,

        a thua se i kemi borxh ndonjë sqarim e memzi po presim të ndriçojmë njerëzinë.”

        Kjo eshte pergjigja e Arbelos, me sens pergjegjesie e respekti te nje harabele. “A thua se memzi po presim te ndricojme njerezit”– Pergjigja le te kuptosh qe autori e ka nxjerr kete shkrim rigorozisht per veten e vet.
        Me mbetet vec te ngre duart lart para nje kapslleku kritik si ky!

      2. Arb Elo, se pari duhet te them se ne kete blog vijme here pas here sepse gjejme nje hapsire ku mund te shkembejme mendime , ku secili te thote te veten per nje teme te caktuar, pa arrogance, fyerje dhe pa pretenduar monopolin e se vertetetes.Aq me teper kur shkembejme mendime rreth mbresave te leximit te nje libri , i cili, dhe ketu po ju citoj per te shprehur dakortesine “si çdo gjë e bukur që nuk është veç një” paraqitet si nje realitet i shumefishte.
        Duke qene i tille, ajo qe i humbet njerit permes leximit, kapet nga leximi qe ben nje tjeter .Ne kete kuptim, personalisht lexoj me interes cdo recension, mbresa apo kritike te mirefillte per nje liber qe e kam lexuar dhe vete, per te verifikuar dhe pasuruar qasjen personale. Me po kaq interes dhe kenaqsi e lexova dhe shkrimin tuaj mbreselenes per “Mengjeset”.
        Jam dakort kur tek “Kukulla” konstatoni reminishenca nga Muzgu, Kronika, Perbindeshi, Koha e shkrimeve Sic vren kritika e specializuar, nje nga vecorite e krijimtarise se I.K eshte intertekstualiteti, ai rrjet marredheniesh ndertekstore , here i fshehur e here me i drejtperdrejte . Ne disa romane (fiction) te I.K , elementet ose gjurmet autobiografike jane me te dukshme dhe te tretura mjeshterisht ne pelhuren tekstore te trillimit artistik.”Kronike ne gur” eshte padyshim nja nga romanet me te shenjuar nga elementet autobiografike te autorit .Kjo lidhet jo vetem me hapsiren gjeografike te rrefimit, Gjirokastren, e cila ne krijimtarine e tij behet si “Makonda” e G.G.Markez por edhe me personazhin-narrator, femijen pas te cilit eshte autori, femije dhe i rritur njekohesisht. Po keshtu “Muzgu” ka gjurme autobiografike te tretura mjeshterisht ne nje fiction.
        Ju thoni se nuk i kam peshuar mire fjalet dhe nuk kam treguar maturi.Mundet, por e shkruara mbetet dhe me duhet t’ju citoj perseri per te qene korrekt: Pjesa më e madhe e librit të tij të fundit „Mëngjeset në Kafe Rostand“ është letërsi e mirëfilltë, …” Edhe nje liber me mbresa udhetimesh mund te shkruhet me stil te mahnitshem letrar, te procedoje me teknika dhe elemente te fiction por nuk eshte letersi e mirefillte. Nga 340 f qe ka libri “Mengjeset”, “Kukulla”, pa medyshje e shkruar me te gjitha ato cilesi qe ju nenvizoni, eshte 85 f. U shterngova te sjell argumenta nga fusha e matematikes , duke ju shmangur percaktimeve si “letersi shume e mire” dhe “tejkalimeve” , sepse ketu fillon fusha e relativitetit te shijeve dhe qasjeve personale.
        Shpresoj te gjej mirekuptimin tuaj.

        1. Shpend, faleminderit për përshtypjet dhe analizën (nëse mund të drejtohem me ti). Interpretimi që i bë Macbeth-it përkon me ngjyrat që i ka dhënë IK në një intervistë (s’më kujtohet burimi). E trajtonte si vepër syçelëse, me ethosin e të cilit identifikohej si shkrimtar. M’u shtua dëshira t’i lexoj “Mēngjeset” tash që mësova se disa pjesë paskan natyrë eseiste, sepse në atë zhanër e gjej ekonominë e stilit Kadarejan më të kthjellët.

          Dy fjalë per Arb Elon: kur lexova komentin tuaj, thashë se kisha humbur rrugën në bodrumet e Peshkut pa Ujë, sepse PTF-ja është hapësirë që synon nivel të lartë bashkëbisedimi mes komentuesve dhe autorëve. Familjarizohuni me këtë hapësirë dhe do shihni në çdo faqe të përmenden “përpjekjet tona për ta mbajtur dritën ndezur”, dmth keni borxh edhe ju të bëni dritë.
          Nje vërejtje e fundit: i juaji “royal plural”, si tek “jua rekomandojmë fort”, e shpërthen formatin e mbresëdhënies, mjaftohuni me njëjësin modest të lexuesit, meqë si të tillë e cilësoni veten.

          1. “…ndoshta me shpresen se do te mbetemi gjalle edhe pas vdekjes te priteshme fizike…” – shkruan më sipër një nga ata “që mbajnë dritën ndezur”, që nuk është asgjë me shumë në këtë rast se dritë morgu.

            Militschi: mirësjellja formale nënkupton shpesh qasjen kirurgjikale, kur të afrohet tjetri, me bisturi e trapan për të të dhënë dorën.

            Ndërsa orientimin nëpër katakombe mund të na linit ta zgjidhnim vetë; vendndodhja, ashtu siç edhe veshja, nuk është medoemos qenësore.

            Dhe së fundmi: nuk po më kujtohet t’ju qeshë drejtuar më lart… që përkthehet: na i kurseni qëmtimet tuaja anësore, në mundni, për llojin e frakut; nuk ju ftoi njeri zotëri të bëni komentatorin sportiv të sherrit.

            Me të mira sidoqoftë!

            1. Me vjen keq qe per nje teme kaq te vlefshme te degradohet diskutimi ne nivel sporti. Nuk po dua te futem me gershere ndaj ju lutem qe te perqendrohemi edhe nje here tek Kadareja yne i dashur dhe mbresat e leximit.

              E mirekuptoj deshiren e komentuesve per nje fare pritshmerie prandaj le ta respektojme ate duke respektuar fillimisht kete hapsire te vyer qe i veme vetes ne dispozicion. Jeni ju pa jemi ne. Por i pari le te jete Kadareja. Arb Elo, si autor i shkrimit, te lutem ti i pari te zbutesh tonin.

  5. Arb Elo: Pak harbutçe e gjitha kjo, por dozave të cinizmit, në mos nihilizmit, nuk ke se si u përgjigjesh ndryshe…

    Kjo ne esence, tregon se nuk te mungon edhe harbuteria(dhe me rradhe cinizmi, nihilizmi, etj…), pavarsisht se mund ta mbulosh edhe me tisin e poetit, qe mesa di une, zakonisht duhet te jete “a humble creature”, cilesi qe sic duket e ke deficiente, te mungon.

    Une prandaj bej komente, kam zgjedhur rolin e komentuesit, qe te provoj ekzistencen time(Here I’m), 🙂 dhe kam kete pseudonimin Read Me, ndoshta ka se cfare te mesohet nga une, duke filluar nga gjera qe nuk i ke degjuar ndonjere, apo si ke imagjinuar ndonjere, per me teper duke patur parsysh imagjinaten e ndezuar te poetit. Tingellon arrogante he…pastaj..

    E perseris edhe nje here: Lereni rehat Kadarene, se po e beni veten telef parsegjithash, me keto persiatje, nderkohe qe robi Kadare, gezon pleqerine e tij, i pa shqetesuar nga pickimet e mizave te te gjitha ngjyrave. Fati i tij, qe ka mjaft kohe ne dore, te punoje me skulpturen e tij, qe ta lemoje dhe t’ia zbuse thepat e te dalurat qe nuk i pelqejne. Ai punon per pavdekesine, nderkohe qe cmimet, ribotimet, rishikimet, perkthimet dhe aureolat i shtohen listes se gjate.

    Sa here qe e kam kaluar neper duar Kadarene, sidomos ate te pas 90-tes, e kam verejtur, e kam kete ndjesi, se nuk kam se cfare te mesoj me nga ai dhe letersia, realiteti apo mitologjia qe ai eksploron, eseistika e tij. He cannot reinvent himself anymore. Sic e kam permendur, per mua, eshte superuar si mendim dhe art qe ne te rite.

    Une as qe merrem me Kadarene, por vras kohen(kur e kam me bollek) me mizat qe zukasin rreth Kadarese, kjo si nje lloj argetimi, zbavitje, ushtrim te shqisave dhe te mendjes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin