KOMBI MIDIS GJUHËVE

Sa herë që bie fjala për “kombin kosovar” – si projekt ose edhe si realitet – kombëtaristët shqiptarë reagojnë me zjarr, duke shpjeguar se diçka e tillë ose nuk ekziston, ose do të sillte përçarje të kombit shqiptar ose të idesë kombëtare.

Në fakt, edhe Fjalori i Shqipes së Sotme (2006), e përkufizon kombin si “bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht, në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shprehet në bashkësinë e kulturës”; çka do t’i përfshinte shqiptarët e Kosovës brenda kombit shqiptar.

Nga ana tjetër, ata autorë që flasin për “komb kosovar” u referohen, mes të tjerash, thënieve dhe deklaratave të liderëve politikë të cilët dhanë ndihmesën vendimtare për çlirimin e Kosovës nga zgjedhja serbe dhe shpalljen e pavarësisë së këtij shteti; dhe në përgjithësi atij diskursi politologjik që u koagulua rreth zhvillimeve politike në Jugosllavinë e pas-1990-ës.

Nexhmedin Spahiu, i cili ka shkruar shpesh për këtë punë, shpjegon sot në një artikull te MAPO se ai përkufizim që e lidh kombin me etninë është kapërcyer tashmë; dhe se pranimi i “kombit kosovar” është implicit në planin e Ahtisaarit dhe në përpjekjet për ta njohur shtetin e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai vëren edhe se, kur Kosova shpalli pavarësinë, ishin Tony Blair dhe Hillary Clinton që, gjatë vizitave të tyre atje, i dëshiruan “jetë të gjatë kombit kosovar.”

Nuk pretendoj t’i jap dum këtij problemi të koklavitur me një shkrim të shkurtër; por vetëm dua të vë në dukje se koncepti i kombit ka edhe ai vetë karakter kombëtar, duke ndryshuar nga gjuha në gjuhë; dhe sidomos se në anglishte – gjuhë të cilën e flasin Blair dhe Clinton – nation përdoret rëndom për të shënjuar shtetin sovran.

Kështu, edhe United Nations është përkthyer në shqip si Kombet e Bashkuara; pa çka se bëhet fjalë për një organizatë shtetesh, jo kombesh në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Kur presidenti i ShBA George W. Bush deklaroi, më 19 shkurt 2008, se “soon we will establish full diplomatic relations with the new nation of Kosovo” ai i referohej, pa dyshim, shtetit të sapothemeluar, jo kombit të Kosovës.

Një kërkim i thjeshtë, në Google, për the new nation of Kosovo, jep rreth 10,600 hite; të cilat pas gjase të gjitha i referohen shtetit të ri kosovar.

Spahiu natyrisht e di këtë, prandaj thekson – që në hyrje të artikullit të lartcituar – se është “gabim i madh” që fjala nation, në dokumente dhe tekste të anglishtes, të përkthehet si “shtet.”

Mirëpo këtu nuk është fjala të shpiken gabime në përkthime; por thjesht të përcaktohet nëse përkthimet reflektojnë gjuhën shqipe si realitet, apo dëshirat e përkthyesve individualë, me ose pa axhendë politike.

Në shqipen e sotme, anglishtja nation mund të përkthehet, sipas rastit, “komb” ose “shtet”: në varësi të kontekstit.

Kështu, Neni 4.1 i Kartës së Kombeve të Bashkuara lexon:

Membership in the United Nations is open to all other peace-loving states which accept the obligations contained in the present Charter and, in the judgment of the Organization, are able and willing to carry out these obligations.

 

Çka dëshmon se, sidoqë organizata në fjalë quhet Kombet e Bashkuara, pjesëtarët e saj janë shtete (states).

Në shqipe ne United Nations e kemi përkthyer vërtet si “Kombet e bashkuara”, por kjo nuk na detyron gjë që të vëmë shenjën e barazimit midis shtetit dhe kombit, si dy realitete të ndryshme, edhe në histori edhe në bashkëkohësi.

Për të njëjtën arsye, kur dëgjon të thuhet, në anglishte, “a Belgian national of Moroccan descent”, nuk bëhet fjalë për dikë që i përket kombit belg, një entitet i diskutueshëm; por thjesht për një nënshtetas të Mbretërisë së Belgjikës.

Po ashtu, an Albanian national është dikush që zotëron një pasaportë të Republikës së Shqipërisë, jo një pjesëtar i kombit shqiptar (mund të jetë minoritar nga Dropulli, bie fjala).

Në botën frankofone, prej nga shqipja ka marrë shumë koncepte të dijes humane bashkë me emrat përkatës, dallohen dy kuptime të fjalës nation: i pari rrjedh nga filozofia gjermane e fillimshekullit XIX, dhe që e përkufizon kombin si një bashkësi njerëzore të themeluar mbi gjuhën, fenë, kulturën, historinë dhe origjinën etnike; ndërsa i dyti, që rrjedh nga idetë e Revolucionit francez dhe filozofia frënge e shekullit XVIII (iluminizmi) dhe që e sheh kombin si një bashkësi njerëzore të themeluar mbi vullnetin “për të jetuar së bashku”.

Nëse është kështu, atëherë koncepti i kombit lidhet me identitetin e pjesëtarëve të tij; ndërsa ai i shtetit me organizimin e tyre politik.

Çfarë erdhi si e re, në gjeografinë politike të Ballkanit të vitit 2008, nuk ishte gjë kombi kosovar, në kuptimin që i jep shqipja kësaj fjale; por shteti kosovar, si shtet i pavarur, me pjesën më të madhe të qytetarëve të vet që i përkasin kombit shqiptar.

Që Kosova quhet nation në anglishte, kjo nuk i bën kosovarët komb në shqipe, pavarësisht se ç’thotë Nexhmedin Spahiu; meqë anglishten ende nuk e kemi pranuar si kushtetutë semantike të koncepteve politike mes shqiptarësh.

 

Nuk ka komente

  1. I kishte ardhur koha këtij saktësimi për gjuhën shqipe, sepse në fushat e shkencave politike, filozofi apo retorik është dashur të precizohet dallimi mes kombit dhe shtetit, dhe gjithmonë e më shumë flitet për “nation-state” (gjerm. Nationalstaat, fr. l’état-nation), për të theksuar se “nation-state” nuk është kategori ontologjike por konstrukt social, politik, ekonomik, etj.
    Në kuadrin e globalizimit, ky lloj saktësimi është bërë edhe më i rëndësishëm siç ndeshet në shumë studime e monografi rreth të drejtave të njeriut dhe kozmopolitizmit (Weltbürgerschaft), ku diskutohet edhe “the demise/end of the nation-state” (ide në vetvete kontroverse, po kjo është tjetër temë).

  2. Tani ripash titullin e shkrimit, dhe fjalën gjuhë në të, që më kujtoi një libër të Judith Butler dhe Gayatri Spivak “Who Sings the Nation-State”, i cili përqëndrohet në aspektet gjuhësore-ideologjike të konceptit.

  3. Perkufizimit te “Fjalorit te Shqipes se Sotme” i mungon vetem nje element: vetedija, ndergjegjja e kesaj perkatesie te perbashket, element qe gjendet ne thuajse te gjitha perkufizimet ne gjuhe te tjera.

    Kosovaret e kane shume te forte vetedijen e te qenit shqiptare, pra ata ndihen pjese e kombit shqiptar.

    Per krahasim, zviceranet qe u perkasin etnive te ndryshme, kane vetedijen e perkatesise kombetare zvicerane. Pavaresisht nga dallimet etnike ata ndihen pjese e kombit zviceran. Po ashtu edhe amerikanet e SHBA, kanadezet, kinezet etj.
    Nga ana tjeter, shqiptaret e Maqedonise, p.sh., ndihen pjese e kombit shqiptar dhe nuk e identifikojne veten me kombin maqedosas, i cili ne fakt nuk ekziston sepse sot per sot ekziston vetem nje etni maqedonase qe nuk ka arritur te shnderrohet ne komb.

    Eshte e gjitha çeshje vetedije dhe vetidentifikimi.

    Teorikisht mund te vije nje dite qe kosovaret ta krijojne nje vetedije kombetare kosovare te ndryshme nga ajo shqiptare, por kjo nuk behet as me urdher te peshkut e as me urdher te Nexhmedin Spahiut. Sot per sot nuk e kane nje vetedije te tille. Ata jane pjese e kombit shqiptar, sepse ndihen dhe vetidentifikohen si te tille.

  4. Më shumë sesa “komb”, koncepti “nation” i anglishtes në shqip vjen me fjallën “popull” – ky i fundit si një grupim njerëzish që jetojnë në bashkësi të organizuar shtetërore. Fakti që shqipja mban në përdorim vjetërimin “Kombet e Bashkuara” për një institucion ombrellë popujsh të organizuar në shtete nuk e ndryshon konceptin e “nacionit” që rrjedh prej anglishtes. Edhe shqipja i bën dallimet qartë mes “kombit” dhe “popullit”. Dhe në këtë prizëm mund flitet pa frikë për “popullin kosovar”, ashtu siç mund të flitet, pa kurrfarë ngatërrese, për “popullin shqiptar” (nocione që përfshijnë brenda tyre edhe minoritetet kombëtare që jetojnë brenda këtyre shteteve), si grupime njerëzish të roganizuar në bashkësi shtetërore. Kush i ngatërron këto me nocionin shqip të “kombit” si shprehëse e një grupi njerëzish që lidhen mes tyre identitarisht nga gjuha e kultura e vijimësisht nga territori, e bën o nga padija, o nga synime jo fort të mira. Aq më tepër pastaj kur, për këto synime, përdor deklarime të huajsh që në gjuhën origjinale thonë krejt tjetër gjë.

  5. Dua të shtoj edhe diçka që m’u kujtua së voni duke reflektuar mbi këtë temë. Duke ndjekur në vija të trasha parimin se populli ndjek emërtimin e emrit të shtetit, popullsia e sotme e Maqedonisë quhet maqedonase, popull maqedonas. Mirëpo problemet mes dy etnive shtetformuese në këtë vend dhe qenia e shqiptarëve atje prej vitesh e vitesh në pozita mbrojtëse karshi politikave përjashtuese dhe asimiluese të ndjekura prej shumicës me etni sllave, ka bërë që elitat shqiptare të kultivojnë (a të reflektojnë ndjesinë popullore, për këtë proces nuk jam shumë i sigurt, për mungesë informacioni) dallimin nuancor mes dy etnive, duke përdorur termin “maqedon” dhe jo “maqedonas” kur vjen fjala për përkufizimin apo identifikimin e qytetarëve maqedonas me etni shqiptare. Kur vjen fjala për të bërë diferencën, dallimin, “maqedon” përdoret njësoj siç përdoret “shqiptar’. Është distanca që ka krijuar një grupim popullsie që nuk e ka ndjerë veten të përfaqësuar, vendimmarrëse dhe bashkëqeverisëse për një kohë të gjatë në atë vend. Popullatë që, dhe kur i referohet vetes si “maqedone”, e bën fare qartë dallimin kur etnisë tjetër i referohet si “maqedonase”.

  6. Ka edhe një gabim tjetër që qarkullon në hapësirën shqiptare. Kombësia ngatërrohet shpeshherë me shtetësinë. Kjo e fundit i referohet përkatësisë shtetërore, jo kombëtare. Në fakt njerëz me kombësi të ndryshme mund të jetojnë në të njëjtin shtet. Sikundër kombësi e njëjtë mund të jetojë në disa shtete. Ideja se kombësia dhe shtetësia duhet të përkojnë detyrimisht e të përputhen krejtësisht i ka rrënjët në periudhën e lindjes së kombeve, revolucioneve përkatëse dhe proceseve të krijimit të shteteve kombëtare. Disa dallime janë të nevojshme. Megjithatë, certifikatat shqiptare i përmbajnë rregullisht konceptet, ndaj i kanë vënë në vija të ndryshme.

  7. Nexhmedin Spahiu ve ne zbatim shqipen e Branko Mrxhanit (Vangjel Kocos) e te Gjergj Fishtes dhe jo shqipen e Enver Hoxhes (Androkli Kostollarit) ne fjalorin e te cilit eshte definicioni i Stalinit per kombin (e konform kesaj gjithe shkolla 70 vjecare ne Shqiperi e Kosove). Ndersa sa i perket OKB, ajo eshte organizate e kombeve, por kombt si komunitete imagjinare s’kane se si te perfaqesohen perveq se permes krijesave te tyre qe quhen shtete. Ne te kunderten edhe Vatikani do t’ishte anetar i OKB, por nuk eshte per shkakun se pronari i ketij shteti eshte indvid (Papa) dhe jo ndonje komb.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin