DOKTORIME TË VJELURA

Para disa javësh një shkrim i Hysamedin Feraj në gazetën Panorama (9 shtator, 2014) kritikonte dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës për nepotizëm, mungesë profesionalizmi, instrumentalizim të postit drejtues për përfitime personale etj. Por Feraj nuk ndalej të analizonte performancën akademike të Fakultetit të Shkencave Sociale, si p.sh. numrin e botimeve, konferencave, të doktoratave, nivelin e  personelit me tituj të lartë akademik etj.

Nga një vështrim sporadik i dy aspekteve kryesore të veprimtarisë akademike në këtë fakultet –  (1) punimet e doktoratës dhe (2) niveli i botimeve të teksteve universitare – tabloja paraqitet aspak e denjë për një fakultet që i ka fillimet nga viti 1965.

1. Marrim një shembull nga punimi i doktoratës së një akademike me temë “Krahasimi i Politikave Bashkëkohore mbi Kërkimin Shkencor – Rasti: Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni”. Trajtimi i kësaj teme përbën një risi pasi studime të këtij lloji krahasimor kanë munguar. Sido që Shqipëria sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore (Strategjia për Kërkim dhe Zhvilli në Ballkanin Perëndimor, SCIMAGO Research Group, 2013) ka një nivel më të lartë të kërkimit shkencor se këto vende, e ndoshta një krahasim me Serbinë do të ishte më interesant për politikbërësit.

Në pjesën e parë punimi nuk paraqet asgjë relevante mbi kërkimin shkencor bashkëkohorkëto vende, por mundohet me historikun e zhvillimit të arsimit kombëtar në Shqipëri. Në këtë pjesë lexon edhe çudira si “Një analizë historike e evoluimit të arsimit dhe të shkencës evidenton se në trojet shqiptare, prania e institucioneve arsimore dëshmohet që në lashtësi. Ka të dhëna për ekzistencën e një sistemi edukimi qysh në periudhën ilire.” (fq. 10). Ky vështrim i hollësishëm historik ofrohet vetëm për Shqipërinë, pasi një krahasim me historikun e vendeve të marra në shqyrtim nuk është vërejtur i nevojshëm, ose autorja ka menduar se ato kanë qenë zona të banuara nga ilirët. Në këtë studim krahasimor Shqipëria zë 65 faqe (gati gjysmën e volumit).

Në kapitullin që duhet të përmbante krahasimet ndërmjet vendeve të ilustruara me tabela mbi nivelin e kërkimit shkencor, numrin e personelit, e të instituteve apo programeve e financimit të tyre etj., shpërndahen bujarisht rekomandime ose përmenden disa shifra nëpër tekst, p.sh. mbi buxhetin në tërësi dhe krahasimet me vendet e BE-së. Të vetmit grafikë që e shoqërojnë studimin janë në gjuhën italiane apo angleze, e nuk përmendin asnjë vend të rastit në studim.

Në metodologji hulumtuesja ka përshirë edhe intervistat si burime informacioni, por asnjë intervistë nuk citohet gjatë tekstit apo në bibliografi. Mbi vlerësimin e performancës së akademikëve, karakteristikave (kompensimin, rekrutimin dhe karrierën), efektet e organizimit të sistemit të kërkimit shkencor ose qasjet teorike që shpjegojnë dallimet apo ngjashmëritë ndërmjet vendeve, lexuesi duhet të kërkojë tjetërkund. Shkurtimisht, nga një vështrim i shpejtë, studimi duket një përmbledhje e dokumenteve zyrtare, të cilat edhe në kapituj janë ndarë sipas dokumenteve strategjikë.

2. Ndërsa niveli i librave universitarë hartuar nga pedagogët e këtij fakulteti është i ngjashëm si rasti i mësipërm. Thashetheme të shumta gëlojnë nëpër qarqet universitare, por pakkush ka dalë të dokumentojë këto zhurma, që në këto kohë të internetit mund të evidentohen shumë lehtë. Së fundmi një i akuzuar ndër të tjera edhe për plagjiaturë të një teksti mbi psikologjinë sociale, doli më në fund me një vepër origjinale, mbi hyperseksualitetin e tij fëmijëror.

P.sh. librat universitarë janë kopjuar rregullisht pa të drejtat e autorit nga pedagogë shqiptarë, të cilët i kanë përdorur këto botime për fitimin e titullit profesor e qëllime fitimprurëse. Një pjesë e këtyre kopjeve janë ndryshuar përtej mundësisë për tu dalluar, si pasojë e përkthimit të keq ose për të humbur gjurmët nga botuesit që kanë të drejtat e autorit. Por unë dua të përqendrohem tek dëmi që shkaktojnë këto libra si mungesë e cilësisë së garantuar nga botimet origjinale.

P.sh. po të krahasojmë librin  Metodologji e Mësimdhënies. (ISBN: 99927-8222-2-6, Tiranë) me atë të Borich D. G. (1996) Effective Teaching Methods (Botimi III-të, ISBN: 0-02-312461-X, New Jersey) arrihet të dallohen mirë pjesët e kopjuara, dhe ato të munguara si njohuri bazë të mësuesit, në rolin e praktikantit dhe të nxënësit për gjatë gjithë jetës.

Libri i Borich (1996) është organizuar në 15 kapituj, ai i M. (2003) në 8 kapituj, pasi janë përmbledhur kapitujt si p.sh. ato të vlerësimit të të nxënurit (në Borich 14+15, ndërsa në shqip 8 “Vlerësimi i përparimit të nxënësit”). Kapitulli i parë: “The effective teacher.” (Borich, 1996) është paraqitur si “Mësuesi, mësimdhënia dhe mjeshtëritë e saj” (M., 2003). Pyetjet në tekstin mësimor janë përkthyer fjalë për fjalë, ndërsa teksti i M. (1996) ka shumë pak referenca dhe pse lista e bibliografisë në libër është e gjatë.

Borich (1996, fq. 2):

image 1

M. (2003, fq. 11):

image 2

Ndërsa në fq. 19 autori e kopjon tërësisht pjesën mbi “Pesë karakteristikat kryesore që ndikojnë në mësimdhënien produktive” (Borich, 1996 “Five key behaviors contributing to effective teaching”, fq. 10), edhe duke përmendur referencat e Borich që nuk figurojnë në bibliografinë e librit të M. (2003, fq.318-19). Më pas teksti i M. (2003) ndjek të njëjtën linjë dhe gjuhë të Borich (1996), por nuk përfshin pjesë të rëndësishme të tekstit. P.sh. në kapitullin 5 “Mjeshtëritë e të pyeturit”, M (2003, fq. 139-41) lë pas evidencën empirike të përdorimit të një metode didaktike dhe shpjegimin teorik të tyre nga Borich (1996, kapitulli 8, fq. 346-348).

Libri është zaptuar nga një narrativë që në dukje i përshtatet problemeve të sistemit shqiptar shkollor e me referenca nga tradita pedagogjike shqiptare. Por libri humb në njohjen e metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Mund të diskutohet sesa e dëshirueshme është të përkthehen libra metodologjikë që janë ndërtuar mbi kontekste të ndryshme shoqërore e historike, sidomos kur kemi mangësi të theksuara të teksteve të mira mësimore në universitet. Por materiali në fjalë, i reduktuar ndjeshëm, nga 711 fq. në Borich (1996) në 317 fq. në M. (2003), nuk besoj se plotëson këto mangësi. Universitetet shqiptare, që përbëjnë një treg shumë të vogël, mund të bien në ujdi me shtëpitë botuese (shih rastin e Indisë) ose të botojnë nëpërmjet shoqatave, ku botimi do t’i nënshtrohej shqyrtimit të një grupi profesionistësh.

Gjithashtu, M. (2003) i imponon tekstit të Borich (1996) agjendën e tij për të hartuar një doracak a udhëzues mbi teknikat e mësimdhënies, pa arsyetimin teorik dhe evidencat për suksesin e metodave. Në këtë mënyrë, libri që i ofrohet mësuesit të ardhshëm është i cungët, pasi nuk argumenton bindshëm epërsinë e metodave të reja didaktike ndaj atyre të vjetra. Për më tepër, nëpërmjet këtyre librave, pa citime e referenca të besueshme, është e pamundur të mësohen teknikat e shkrimit akademik apo të kultivohet mendësia e njohjes së meritave të tjetrit.

Universiteti i Tiranës është ndër të paktët që ka publikuar punimet e doktoratave të mbrojtura dhe kjo lejon një vështrim në nivelin e tyre, paçka kritikës që tërheqin. Universitete të tjera si ai Bujqësor, ku në 2013 doktoroi edhe doktor Xhelal Mziu me plagjiaturë, nuk kanë publikuar ende gjë, e kjo e errëson më shumë vështrimin pesimist ndaj sistemit aktual të kërkimit shkencor në vend. Ndërsa shpresoj që reforma e premtuar e qeverisë të merret edhe me cilësinë e librave universitar, uroj që Biblioteka Kombëtare të publikojë të gjitha punimet e doktoratave online, punime që i zotëron në bazë të ligjit, dhe do të ofronin ushqim për ndjekësit e plagjiaturave.

Shënim: titulli është i PTF.

Nuk ka komente

  1. “tabloja paraqitet aspak e denjë për një fakultet që i ka fillimet nga viti 1965.”

    Kapedan,

    pavaresisht nga ç’shkruhet ne faqen zyrtare te atij fakulteti, e verteta eshte se ai eshte themeluar ne fillim te viteve ’90. Me pare ne Universitetin e Tiranes nuk ka pasur as psikologji, as shkenca politike, as sociologji e as filozofi te mirefillte. Per me teper, thuajse asnje nga profesoret e atij fakulteti nuk ka studiuar dhe nuk eshte diplomuar ne fushen ku jep mesim. Vete Hysamedini qe drejton departamentin e shkencave politike eshte diplomuar per marksizem dhe ka dhene marksizem dhe histori partie para se te konvertohej si me magji ne “shkenca politike”. Pa permendur emra, ne ate fakultet ka profesore te sociologjise dhe te psikologjise qe jane diplomuar per matematike, per edukate fizike, per zooteknike etj.

    Edhe diçka. Libri “Metodologji e Mësimdhënies” nuk pretendon te jete liber origjinal, por liber i perkthyer nga Borich. E shumta, mund te qortohet se eshte perkthyer keq, por jo se eshte kopjuar.

    1. Borich ja kam njohur une meritat me nje perpjekjen time diletanteske ti vendos emrin librin ne faqen e pare. po te shohesh llojin e shkrimit dhe qartesine e tij, dallon nga pjesa tjeter e fotokopjes.

  2. Prej disa kohesh pyes veten: kishte teoriciene te vertete te markisizmit ne Shqiperi? Ose ne mos teoriciene se eshte fjale e madhe, kishte njohes te vertete te marksizmit dhe shkollave qe derivuan prej tij? Eshte paradoks i madh qe i vetmi Think Tank qe ka patur ndonjehere Shqiperia, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, nuk kishte ne te nje personalitet ne leme te marksizmit. Sikur te kishte qene ky drejtim ideologjik i konsoliduar me te vertete ne baza teorike, edhe shkolla e filozofise, apo sociologjise do te kishte sot shume me teper seriozitet. Ketu edhe Marksi i gjymtua, i dhane teseren, ndaj jemi ketu ku jemi. Ne Kosove, gjen tjeter nivel. Te pakten ne botimet e vjetra e kam fjalen.

    1. C’do te thote punimi i doktoratures se nje akademike? Akademik eshte titull me vete, qe nenkupton ta kesh hedhur doktoraturen pas kraheve me kohe e me vakt.

      1. akademike, si personel akademik ne fakultet, jo si akademik anetare e akademise se shkencave. Perdoret rendomte ne anglisht apo gjuhe te tjera, dhe ne shqip kur njihet konteksti, psh. ka tjeter kuptim kur behet fjale per akademik Anastas Angjelin.

  3. Fakulteti i Shkencave Sociale eshte nje fakultet i ri dhe kjo perpjekja qe ben UT per ta lidhur me ate ku mesohej Marksizem-Leninizem dikur duket si nje shaka pa kripe (ose me kripe kur shikon se kush drejtojne aty). Deri ketu nuk ka ndonje problem te madh. Fakulteti mund te vuante nga mungesa e pervojes dhe askush nuk e ka akuzuar per kete. Mirepo problemi eshte se ky fakultet e filloi me kembe te gabuar. Ne vend qe te fillonte me perkthim tekstesh universitare qe do te sherbenin si bosht i shendoshe per fitimin e dijeve te studenteve, ata krijuan traditen e kopjim-pershtatjes. Nje tradite qe qendron e forte edhe sot dhe eshte kthyer ne gangrene. Kesisoj ky fakultet pervec gjynaheve te tjera ka krijuar nga hici ate me te madhin: coroditjen e brezave qe kane studiuar ne te. Edhe sot qe flasim ka lende ne ate fakultet qe nuk jane te mbuluara me tekste universitare te mirefillta. Nderkohe ironia eshte se ai nxjerr me qindra “studime shkencore”. Epo fakultet qe s’ka libra por nxjerr me shumice studime shkencore nuk eshte pare ndonjehere. Sepaku ne kete prizem ky fakultet ka meriten e te qenit avantgard. Respekte per kreativitetin bizar!

  4. Sot qarkullonte ne rrjetet sociale, per tu pasqyruar me pas edhe ne mediat kryesore te Kosoves, nje foto e nje fragmenti nga libri mesimor “Kriminalistika” te Vesel Latifi. Fragmenti mbi KARAKTERISTIKAT E VIKTIMAVE TE MARREDHENIES SEKSUALE ME DHUNE te duket se ka dal nga dora e nje patriarkali te shekujve te kaluar. Ne te, femrat qe dhunohen seksualisht jane jo vetem te perdala e mendjelehta, por kur nuk jane psikopate dhe histerike kallzimet per dhune seksuale u motivohen nga xhelozia. Nuk e kuptoj se perse nje liber mesimor per kriminalistiken duhet te fokusohet kaq shume tek viktima dhe “natyra” e saj dhe jo tek natyra e krimit dhe e dhunuesit. Teksti nuk me habiti dhe aq kur marr parasysh rastet e shumta te dhunes ndaj femres shqiptare ku nje pjese e mire e tyre kane qene per pune morali. Shoqeria shqiptare akoma i sheh viktimat e dhunes seksuale si fajtore sepse doemos do e kene ndjellur ate me epshin e pakufizuar. Por qe edhe qasja ligjore do te ishte kaq e prapambetur nuk e prisja.

    Ne neveri e siper i thash vetes se do te ishte me mire qe ti kopjonim nga jashte te gjitha tekstet baze. Tani mesoj nga komentet ne rrjetet sociale se Veseli e ka vjelur nje pjese te mire te materialit nga tekste serbe.

    Krimininalistika

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: