QASJA E ZYLOS

Shkrimtar i madh, njeri i vogël – ky karakterizim për një personalitet të madh të letrave shqipe u përcoll, këto ditë, në gojën e komentuesve anonimë të Internetit; shumë prej të cilëve synonin të “shpëtonin” veprën e këtij njeriu nga disa probleme të jetëshkrimit të tij; ose të ndanin artin nga realiteti.

Por a nuk ka këtu një kontradiktë, të maskuar me optimizëm? Pavarësisht nga emri, për të cilin u soll ky karakterizim, dhe që nuk na intereson këtu, a është e mundur që njeriu i vogël të krijojë art dhe letërsi të madhe?

Ose, për ta formuluar ndryshe, ç’lidhje ka etika me estetikën?

Disa mendojnë se lidhja kalon nëpërmjet imagjinatës; në kuptimin që nuk mund të jesh mirëfilli etik, pa pasur një instinkt të fortë përfytyrimi të së bukurës.

Filozofi Yi-Fu Tuan, i njohur ndryshe edhe si gjeograf kulturor, mendon se imagjinata është kyçi i jetës së moralshme; meqë ajo na lejon të përfytyrojmë pasojat e akteve tona dhe ta përjetojmë jetën nga pozitat e Tjetrit.

Por këtu po flasim për të kundërtën: a mund të arrish sublimen, në art, pa e pasur brenda vetes?

Biografitë e mirënjohura të qindra artistëve të mëdhenj, madje gjenij, të të gjitha kohërave duket sikur e mbështetin këtë paradoks: dhe pikërisht, që njerëz të vegjël mund të krijojnë art të madh.

Nga ana tjetër, më vjen në mend një batutë nga Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, e Dritero Agollit. “Do të shkruaj një roman karakteresh,” i thotë një koleg Zylos. “Po të kesh vetë karakter, ke ç’t’u japësh personazheve,” i përgjigjet Zyloja.

Dhe ka një të vërtetë edhe këtu.

Aq më tepër që, nëse veprat e mëdha ushqehen nga pasione të mëdha, këto të fundit kërkojnë një zjarr të tillë drame të brendshme, që vetëm prania e virtytit mund ta mbajë të ndezur.

Lexoja këto ditë një ese të Simon Leys* (nga autorët e mi të preferuar) që cek pikërisht këtë dilemë ose paradoks, duke shtuar diçka edhe nga perspektiva kineze. Ai përmend një piktor neo-zelandez, Colin McCahon, i cili pat shkruar se nuk mund ta përmirësonte veprën e vet, pa përmirësuar më parë veten; gjen të njëjtin koncept te Robert Pirsig, autor i best-seller-it Zen-i dhe arti i mirëmbajtjes së motoçikletës, dhe pastaj vëren se, kultura kineze tradicionale e gjen krejt të natyrshëm konceptin se cilësia estetike e një vepre arti pasqyron cilësinë etike të autorit të saj.

Kjo lidhet edhe, shton Leys, me idenë se artisti, duke krijuar, synon para së gjithash përsosjen e vet morale.

Në Perëndim rrallë e dëgjon këtë ide të shfaqur haptazi dhe lakuriq; edhe pse, do të shtoja unë, nuk kanë munguar përpjekjet, nga kritika totalitare, për ta diskredituar veprën e autorëve të padëshiruar prej regjimit – ose për të gjetur të pasqyruara në estetikën e një vepre mangësitë dhe dështimet ideologjike dhe morale të autorit.

Të njëjtin preokupim me përsosmërinë morale të autorit Leys e ndesh, në mënyra të ndryshme edhe te Stendhal-i, Simone Weil-i dhe, veçanërisht, te një thënie e Wittgenstein-it, i cili u pat shprehur dikur kështu për Tolstoin: “Ja një njeri i vërtetë, që ka të drejtën të shkruajë.”

Dilema, që është edhe ajo vetë morale, rishfaqet edhe në kontekstin e artit post-modern, ku jo rrallë artisti kërkon që edhe jeta e tij të jetë pjesë e veprës së tij – që nga mishi dhe gjaku, deri te gjestet e përditshme dhe loja e hollë midis privates dhe publikes.

Çfarë vend i mbetet etikes, në një jetë të pushtuar nga estetika? Apo mundet vërtet estetika ta zëvendësojë etikën, deri në atë shkallë sa artistit t’ia falim gjithçka dhe ta konsiderojmë si sacer, duke e përjashtuar nga të drejtat dhe detyrat që ia njohim vetes dhe të tjerëve si vetja?

Ky spekulim nuk di pse më kujton fatin e aktorëve në Mesjetë, të cilët shpesh nuk i varrosnin sipas ritit të krishterë, meqë kujtonin se, duke kaluar nga një rol në tjetrin dhe nga një maskë në tjetrën, e kishin humbur shpirtin.

Sikurse më bëjnë të mendoj që daljet dhe angazhimi publik i një artisti të madh, që sot ndërmjetësohet kaq lehtë nga mass mediat, interferojnë zakonisht keq, me pritjen e veprës së tij.

Prandaj nuk kam ndonjë përgjigje këtu – përveç asaj që përsosmëria morale, si e tillë, nuk sjell gjë me vete gjeninë krijuese.

*”Ethique et esthétique: la leçon chinoise”, në vëllimin Le Studio de l’inutilité, Champs Flammarion, 2014, f. 189-197.

Nuk ka komente

  1. Ka edhe një rrugë të ndërmjetme mes shenjtërimit dhe matjes së veprës me kutin e jetës etike a morale. Krijimi është krijim, i dalë nga dora dhe brendësia e dikujt, por që në përhapje e sipër ndërron zot dhe nis t’i përkasë lexuesve. Këtu më kujtohe mençuria socio-linguistike e Mikhail Bakhtin që thoshte se në momentin që një fjalë del nga goja ime, rresht së qënuri veç imja dhe i përket kujdo që e dëgjon.
    Pikërisht është nocion Romantik (i periudhës së Romantizmit dhe gjenisë vetmitar) ideja që sublimja e shkrimtarit pret veç telajo në të cilën të shpalosë ngjyrat dhe thellësinë e saj. Sublimen e zbulojnë, formulojnë e emërtojnë lexuesit, madje shumë shpesh ky vlerësim kërkon të konsolidohet nga koha dhe gjenerata të tëra lexuesish. Dhe gati gjithmonë ky vlerësim është i mpleksur me ideologji politiko-kulturore. Për shembull, teatri Shakespear-ian konsiderohej tepër i vrazhdë dhe i pacivilizuar për skenën e Anglisë së shek. XVIII dhe si rezultati i kësaj ndjeshmërie tragjedi si Mbreti Lear rinterpretoheshin me happy-end.

  2. Ekziston nje qasje tjeter, e kundert me ate te Zylos, qe i pergjigjet ne menyre radikale çeshtjes mes te qenit moralisht i “mire” apo i “keq” dhe te qenit i i “vogel” apo “madh”):

    Eshte qasja e Nitzsches te “Also sprach Zarathustra”.

  3. “Prandaj nuk kam ndonjë përgjigje këtu – përveç asaj që përsosmëria morale, si e tillë, nuk sjell gjë me vete gjeninë krijuese.”- Xha xhai

    E vertete por ama ka dicka estetike tek njeriu qe persos veten moralisht. Ne te njejten menyre ka dicka prej morali ne estetike dicka qe te thote “duhet”. Mendoj se eshte jo doze e vogel e tjetres qe keto dy qenie permbajne qe i ben njerezit vazhdimisht kurioze e shpesh konfuze.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin