AS BALTË, AS MJALTË

Po hidhet në mënyrë të përsëritur ideja, hë për hë kryesisht në komente anonimësh, se “Ardian Vehbiu kërkon të hedhë baltë mbi Ismail Kadarenë.”

Duke pasur parasysh se ide të tilla priren të kalojnë me lehtësi nga komentet në depozitat e dijes kolektive, për të përfunduar pastaj si të mirëqena dhe premisa në arsyetime falsifikatorësh dhe provokatorësh profesionistë (që i kemi me bollëk), dua të sqaroj menjëherë dhe përfundimisht se në asnjë rast, rrethanë dhe kontekst nuk kam synuar të “hedh baltë” mbi shkrimtarin Ismail Kadare dhe personin publik Ismail Kadare; se nuk është në natyrën time “të hedh baltë” mbi askënd.

Si autor, publicist, eseist dhe studiues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, mbetem jashtëzakonisht i interesuar për veprën e I.K.-së, të cilën e gjej jo vetëm të kalibrit shumë të lartë në vetvete, por edhe me ndikim të madh në kulturën shqiptare bashkëkohore. I qasem kësaj vepre për të kuptuar strukturën, funksionimin dhe historinë e saj, përfshi këtu edhe historinë e marrëdhënieve të saj me lexuesin, para 1990-ës dhe pas – me frymë kritike, por jo për të kritikuar; por vetëm ngaqë kritika e tekstit është një metodë e mirënjohur për t’ia kuptuar strukturën, funksionimin dhe historinë.

Përndryshe, unë nuk i jap kujt llogari për temat e shkrimeve, të eseve dhe të studimeve të mia, frymën e tyre dhe metodat që ndjek, sa kohë që u mbahem kritereve të objektivitetit, korrektesës akademike dhe parimeve të decencës.

Shtoj këtu se jeta private e I.K.-së nuk më intereson, ndërsa ndikimin e veprës së tij aq të suksesshme në ato vende të botës ku është përkthyer nuk e njoh mirë.

Diskursin kulturor shqiptar, për momentin, po e sundon një qasje sikofantike dhe histerike ndaj I.K.-së, të cilën dyshoj se e ushqejnë dhe e nxitin qarqe të caktuara, për arsye ideologjike dhe politike, që nuk kanë lidhje as me letërsinë, as me kulturën, as me dinamikat e mendimit shqiptar bashkëkohor. Më shumë sesa për lavde, dithirambe dhe temena, I.K.-ja autor sot ka nevojë të lexohet, të interpretohet dhe të studiohet; në mënyrë krahasuese nga një periudhë kohe në tjetërn, por edhe me shkrimtarë të tjerë brenda dhe jashtë hapësirës kulturore shqiptare dhe në disa plane: letrare, gjuhësore dhe historike.

Sikur të mundja, do t’i sugjeroja I.K.-së të distancohej nga lajkat e neveritshme dhe përpjekjet e panumërta për ta sterilizuar dhe balsamosur; këto nuk i vijnë prej miqve, as prej atyre që ia duan dhe ia mbajnë për të shtrenjtë veprën, por prej atyre që duan ta përdorin për synimet e tyre triviale.

Shënim: Ky shkrim nuk është parashikuar të komentohet. Kam arsyet e mia për ta nxjerrë në blog dhe do t’ju lutem që të mos komentoni për të në hapësira komentesh të shkrimeve të tjera. Është thjesht një deklaratë imja publike – besoj do të më lejoni që ta përdor blogun për ta nxjerrë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin