Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

SHQIPËRIME TOPONIMESH

nga Dr. Vincent W.J. van Gerven Oei

Në kontekstin e veprimtarive për 70-vjetorin e Çlirimit, projekti “Hulumtimi mbi lapidarët në Shqipëri,” i organizuar nga Fondacioni “Departamenti i Shqiponjave” në Tiranë është një orvatje e parë për të kataloguar dhe fotografuar lapidarët dhe varrezat e dëshmorëve të ndërtuara në Shqipëri nga viti 1945 deri në fund të viteve 1980. Në arkivat nuk e gjen më informacionin e nevojshëm për t’i lokalizuar të gjitha monumentet, dhe shumë prej këtyre i kanë shkatërruar pas ndryshimit të regjimit në fillim të viteve 1990, dhe pastaj më vonë në 1997.

Që monumente unike në llojin e tyre vazhdojnë të jenë të kërcënuara me shkatërrim, kjo u provua edhe një herë kur, tani vonë, vëllai i nënkryetarit të Bashkisë së Krujës Alfred Mërlika u akuzua se kish shkatërruar lapidarin e 4 dëshmorëve të çlirimit të Krujës. Meqë lapidarët nuk kanë ndonjë status zyrtar si monumente, është e vështirë që incidente të tilla t’i ndjekësh penalisht.

Deri më tash, kemi zbuluar vendndodhjet e rreth 500 lapidarëve anembanë Shqipërisë dhe shpresojmë që, gjatë kërkimeve që do të bëjmë në terren gjatë muajve qershor dhe korrik, të gjejmë edhe deri në 250 të tjerë. Për të planëzuar punën, kemi vrarë mendjen se si të zhvendosemi në territorin e Shqipërisë, për të cilin nuk ekzistojnë harta të mira rrugore, me përjashtim të atyre ushtarake. Deri edhe Google maps bëjnë shpesh gabime dhe nuk e shënjojnë vendndodhjen e çdo fshati të vogël. Për këtë arsye, zgjodhëm të përdorim Koleksionin Bunkertrails të hartave topografike sovjetike 1:50 000 të bazuar në të dhëna survejimesh topografike italiane të viteve 1930 dhe të botuar dikur para viteve 1960. Megjithëse këto harta nuk e tregojnë sistemin e sotëm rrugor ose liqenet e mëdha artificiale në veri (për shembull, ato ende kanë Kukësin e vjetër, para se ky qytet të fundosej në liqenin e Fierzës, në 1976), ato përmbajnë çdo fshat sado të vogël dhe rrugët lokale, të cilat gjithsesi nuk kanë ndryshuar shumë, që prej viteve 1940. Prandaj, ironikisht, për të gjurmuar monumentalitetin komunist na duhet të mbështetemi në harta komuniste, thjesht ngaqë ato janë më të saktat që ekzistojnë (përveç rastit kur ti je gati të shpenzosh mijëra euro, për harta topografike komerciale).

HJ-1500

Duke punuar me këto harta, zbuluam se një numër i madh emrash të vendeve kanë ndryshuar. Për shembull, kemi ri-emërtimin e njohur të Kuçovës si Qyteti Stalin, por kemi edhe shumë ri-emërtime të tjera, ku emrat origjinalë me prejardhje osmane ose sllave janë zëvendësuar me emra “shqiptarë”. Deri më sot, kemi gjetur rregullsitë e mëposhtme (për emrat në hartat sovjetike, kam përdorur transliterimin standard me shkronja latine të alfabetit cirilik):

Emrat e vendeve që perceptoheshin si osmane ose sllave iu nënshtruan shqipërimit, për shembull emrat osmanë Alibejani (tani: Adriatik), Alibelo (tani: Goraj), dhe emri në dukje sllav Zagradeci (tani: Buzëliqen). Arsyeja e ri-emërtimit të një qyteti nuk është gjithnjë e qartë, si në rastin e Gečaj (tani: Prezë) dhe Kerčuk’ja (tani: Kryezi), dhe ndoshta, në ndonjë rast, mund të ketë lidhje me probleme të etimologjisë popullore: Preljuša (tani: Pretushë) dhe Žuke-Grjukepiša (tani: Zhukë-Grykëshqipe).

Emrat e vendeve me konotacione fetare, si Šen-Mertin (tani: Çlirim) dhe Šenkolasi (tani: Fitore), dhe ndoshta edhe Kišbarda-Ljuzaj (tani: Sherishtë) morën emra të rinj, ndonjëherë të lidhur me Luftën Na-Çl (Çlirim, Fitore) ose koncepte të tjera abstrakte Bištkamza (tani: Rinia). Një numër emrash sllavë në jug të vendit u zëvendësuan me një emër që përfundon me prapashtesën –as, si Beragodži (tani: Dardhas),  Nišaveci (tani: Vreshtas), Šulin (tani: Diellas), Božigradi (tani: Miras), dhe Golloborda (tani: Burimas). Ndonjëherë përkthimi ka qenë literal, si në rastin e Belovoda (tani: Ujëbardhë). Zëvendësimi nuk ka qenë, megjithatë, sistematik; përndryshe edhe Çorovodë do të kish përfunduar në Ujë i zi, dhe Ahmetaq si dhe shumë emra të tjerë vendesh do të ishin zëvendësuar gjithashtu.

Një taktikë tjetër është zëvendësimi i emrit joshqip me një emër vendi shqip në afërsi, si Stan-Manastir, që tani quhet Rreth-Libofshë, meqë fusha aty afër, në hartën sovjetike, është shënjuar si Rreti-i-Libofšes. Ndonjëherë emrat janë zhvendosur drejt fshatrave fqinjë. Për shembull, tre fshatrat Ramaj, Gjokalija, dhe Kavaklija tani quhen Gjokalli, Seman, dhe Seman i Ri, përkatësisht. Duket sikur emri Gjokalli kaloi nga një fshat në tjetrin, ndërsa dy emrat e tjerë u ndërruan me variante të emrit Seman.Një tjetër “kërcim” emri shihet me dy fshatrat Verrija dhe Kalmi, të cilat sot quhen Vajkan dhe Verri, përkatësisht.

Që këto emra vendesh ende qëllon të përdoren nga popullsia lokale, kjo na u bë e qartë kur na çuan te një lapidar në Zdërvaskë, i cili doli se kish qenë emri i vjetër i të tanishmit Gështenjas; ndërsa lapidari i Orman-Pojanit u gjend në çfarë sot quhet Sheqeras. Me sa duket, ndryshimi i emrit zyrtar asnjëherë nuk e ka dëbuar – siç mund të pritej – emrin “origjinal”, i cili lidhet me komunitetin lokal, pavarësisht nga etimologjia që mund të ketë. Me reformën e re të territorit, nuk është çudi që edhe një shtresë e re ri-emërtimesh t’u shtohet shtresave ekzistuese.

[Shënim: përkthimi nga 2Xh]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin