MARTESA E HALILIT

nga Gjergji Shuka

Kënga Martesa e Halilit është sot një ndër më të njohurat e Ciklit shqiptar të Kreshnikëve dhe arsyet mund të lidhen me subjektin mjaft tërheqës, poezinë e përshkrimeve dhe përgjithësisht të gjithë mënyrën magjepsëse të rrëfimit prej rapsodit Mëhill Preka. Njëkohësisht gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër vargjet që e kompozojnë kanë një vlerë të konsiderueshme historike dhe gjuhësore.

Kërkimi mbi këtë pjesë të vyer të epikës sonë, nisi me dallimin e afërsive fonetike mes emrit të gjeneralit dardan Germanus Anici dhe emrave apo patronimeve të heronjve të epikës dhe të legjendave të shqiptarëve, malazezëve dhe sllavëve myslimanë; dhe për pak kohë u përqendrua në vetë këngën “Martesa e Halilit”, në të cilën emri i heroinës Tanushë na kujton atë të princeshës ostrogote Matasunta, gruas së dytë të Germanusit.

Në rrafshin historik kërkimi vijoi; mbi ngjarjet e martesës, në gjithë historinë e gjeneralit dardan, në ngjarjet e konfliktit bizantino-vandal në Afrikën veriore të viteve 530; dhe përfundon, për këtu, me paraqitjen e korrespondencave mes vargjeve dhe pasazheve të përkthyera prej teksteve historikë të Mesjetës së Hershme; më së shumti prej kronikave të historianit Prokop i Cezaresë.

Të dhënat e transmetuara në shekuj në malësitë e Nikaj-Mërturit janë të mjaftueshme për të kuptuar dhe vërtetuar se poetë mesjetarë arbër e kanë ndërtuar fillimisht në formën e një poeme të gjatë gjestesh duke u mbështetur në një bazament të konsiderueshëm informacionesh të marra sidomos prej veprës së Prokopit, por do të shohim gjithashtu në shkrimet në vazhdim prova të tjera që e vërtetojnë këtë fakt.

Në shkrim janë paraqitur; në fillim shkurtimisht paralelizmat më të dallueshme mes historisë dhe elementëve të epikës; më pas në pjesën e dytë është propozuar kuadri historik të cilit i referohej, ose mund t’i referohej, rrëfimi i vendosur në poemën burimore; dhe në pjesën e tretë janë sqaruar korrespondencat mes vargjeve dhe çdo informacioni historik të transmetuar që ishte e mundur të kuptohej.

Megjithëse objekti i këtij studimi mbetet gjithnjë vetë kënga e malësorëve shqiptarë; përmenden në të episode të poezisë epike të popujve të tjerë, dhe sidomos të lëndës së Francës. Në vetvete dallimi i lidhjeve mes epeve francezë dhe ballkanikë nuk është një risi; afërsi të shumta dhe shpesh befasuese mes Cikleve më të vjetra franceze me këngë të epikës shqiptare dhe sllave – apo elementë të toponimisë dhe historisë arbre të vendosur në poema franke – janë dalluar duke nisur prej fundit të shekullit XIX nga folkloristë të huaj dhe shqiptarë. Po përmendim këtu emrat e autorëve; Aleksandr Veselovskij, Nikola Banašević, Henri Grégoire, André Vaillant, Kolë Luka dhe Moikom Zeqo. Ndërkohë që pjesët e eposit francez të shënjuara si mbartëse të paraleleizmave me epikën ballkanike janë; Cikli i Gijomit hundëshkurtër (Guillaume au cort nez), poema «Roman de Florimont » dhe Poema e Rolandit; sidomos një pjesë e veçantë e kësaj të fundit, e njohur përgjithësisht me emërtimin « Episodi i Baligantit ».

Në shkrim do të flitet për korrespondenca të mëtejshme dhe për origjinën, të paktën pjesore, të Ciklit të Gijomit, Episodit të Baligantit dhe këngëve të tjera ballkanike nga epika arbëre e shekullit XI, dhe megjithëse, sa për tani, referimet janë në funksion të kuptimit apo vërtetimit të të dhënave të këngës së Halilit dhe Tanushës, studime mbi eposin e fqinjëve ballkanikë dhe lëndën e Francës do të pasojnë në një të kohë jo të largët.

Në përgjithësi bibliografia e kronikave dhe përmbledhjeve me poezinë epike çon drejt veprave që mund të gjenden të publikuara në internet, ndërkohë që për lexime të mëtejshme mund të konsultohen edhe dy shkrime të Xhaxhait në këtë blog, të cilat më kanë ndihmuar për studimin; Rolandi në Epir dhe Gjuha e Halilit.

Shënim: kapitullin të plotë mund ta lexoni këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin