MË SHKAU GOJA

Një ngjarje e rëndë tronditi qytezën Gallarate në veri të Italisë. Pasditen e 3 shkurtit 2014, një komando prej katër vetash, sulmoi furgonin e policisë së burgut pikërisht përballë selisë së gjykatës. Në furgon ishte i burgosuri Domenico Cutri, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime mafioze. Gjatë sulmit pati shkëmbime me armë zjarri. Dy policë u plagosën, kurse i burgosuri u largua. Më vonë, vëllain më të vogël të të dënuarit e gjetën të vdekur nga plagët e marra gjatë përplasjes me armë.

Lajmi i ngjarjes i zaptoi menjëherë faqet online, sepse nuk është e zakontë të shohësh skena spektakolare filmi në rrugët e qytetit. Janë ngjarje të papara, prandaj edhe opinioni publik u përqendrua menjëherë rreth lajmit. Një ditë më pas, shtypi italian njoftoi se lideri aktual i Lidhjes së Veriut (Lega Nord), Matteo Salvini, e paska komentuar në Facebook arratisjen e të dënuarit me burg të përjetshëm me këto fjalë: “SULM kundër furgonit të POLICISË për arratisjen e të burgosurit SHQIPTAR”.

Këtë koment (shkronjat e mëdha janë të autorit) Salvini e paska postuar kur identiteti i të arratisurit ende nuk dihej mirë. Botimi i tij në rrjetet sociale, siç mund të parashikohej, provokoi komente të egra me karakter racist. Megjithatë, pati nga ata, madje anëtarë të Legës, që e korrigjuan liderin e tyre, duke thënë se i burgosuri në fjalë nuk ishte shqiptar, por italian.

“Gafa e Salvinit: ‘Shqiptar i burgosuri i arratisur në Gallarate’” (La gaffe di Salvini: “Albanese il detenuto evaso a Gallarate”) titullonte një organ informativ italian, që bënte me dije se paska pasur zëra që në fillim se i burgosuri ishte shqiptar. I njëjti organ e jepte të plotë mesazhin e Salvinit, ku pasi nënvizohej kombësia e supozuar e të arratisurit, vijohej me çështje politike, si ajo e ligjit të ashtuquajtur “Burgje boshatisësi” nga kundërshtarët e tij, sepse i ngjason sipas tyre amnistisë. Lega Nord është kundër këtij ligji, ndaj edhe mesazhi përfundon me fjalët: “Lidhja është gati për barrikada kundër ligjit që i zbraz burgjet”.

Në faqen e vet zyrtare në Facebook, lideri i Lidhjes së Veriut, postoi më pas edhe një mesazh tjetër, me sa duket pas komenteve të ndryshme, ku shprehej: “I burgosuri i arratisur pas bataresë me armë në Gallarate nuk është shqiptar, siç thoshin lajmet e para, por kalabrez. Për mua mund të ishte edhe Finlandez e pak ndryshon!”. Kush është i vëmendshëm e dallon se fjala “shqiptar” nuk është më me shkronja të mëdha, siç u dha fillimisht, sikurse e kupton se lideri politik shfajësohet për kombësinë duke iu referuar lajmeve në qarkullim. Dashamirësit, përkundrazi, do të shikonin një farë mea culpa të liderit legist për gabimin e bërë, me korrigjimin përkatës. Por ata që janë të djallëzuar do të vinin re se përsëri nënvizohet prejardhja e të burgosurit (kalabrez), çka sjell ndër mend edhe shprehjen latine se errare humanum est, perseverare diabolicum.

Nga ky incident “i vogël” tre janë refleksionet që lindin vetvetiu. I pari ka të bëjë me konfeksionimin e lajmeve, të cilat nuk kuptohet përse, kur janë ende të pakonfirmuara e flitet për ndodhi negative, u referohen automatikisht të huajve. Këtu mund të hapet kapitull i veçantë për paragjykimet që zukatin lirshëm në ajër, dhe papritur pa kujtuar futen nga dritarja vetëm disa prej tyre dhe jo të tjerat. Refleksioni i dytë duhet bërë për përkatësinë etnike dhe krimin. Në shumë raste mediat duan t’u vënë krimeve etiketa etnike, duke nënvizuar gjithnjë përkatësinë ose prejardhjen autorit të krimit, që shpeshherë nuk ka kurrfarë rëndësie nga pikëpamja informative. Saktësimi i kombësisë i jep ngjyrë krimit vetë, duke e karakterizuar atë e njëkohësisht duke e përqasur komunitetin e cituar me krimin e kryer. Veprimi është sa i kritikueshëm, aq edhe i dëmshëm nga pikëpamja e krijimit të paragjykimeve.

Së treti, duhet t’i analizojmë seriozisht ndërthurjet e politikës me temat e migracionit. Historia na jep plot shembuj se problematikat e imigracionit janë përdorur nga politika si bankomat votash. Nuk është hera e parë që politika kërkon ta instrumentalizojë imigracionin dhe frikën që krijohet rreth tij, për të galvanizuar elektoratin. Kjo do të ishte sa e gabuar nga pikëpamja e vlerave njerëzore, aq edhe miope për një vend që e ka imigracionin tashmë të stabilizuar e të domosdoshëm për ekonominë.

Së fundi, mbetet të bëjmë një pyetje tjetër, krejt të thjeshtë, pavarësisht nga deklaratat e njërit apo të tjetrit: Përse u fol që të fillim për përkatësinë shqiptare e të burgosurit të arratisur? Përse nuk u prit derisa të qartësohej situata, ose (larg qoftë) përse nuk u përmend një kombësi tjetër? Por këtu duhen bërë hulumtime të tjera, në fillim me karakter teknik, për të parë se si lindën zërat e parë, qoftë nga një gabim banal, ose keqkuptim në komunikim; pastaj me karakter historik, sepse edhe paragjykimet në kurriz të shqiptarëve nuk është se janë lindur dje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin