SI U SHKALIT ÇELIKU

just-trainSikurse gjetiu në Europë dhe në botën Perëndimore, edhe në Tiranë njerëzit merren me sport për t’u mbajtur në formë fizike ose thjesht për t’u zbavitur: vrapojnë, shkojnë në palestër e në pishinë, luajnë futboll ose tenis.

Mes shtresave disi më të kamura ose elitave, kjo lloj veprimtarie kombinohet me dietat gjithfarësh, vizitat te mjeku, kirurgjinë estetike dhe ndjekjen e modës, për t’u shndërruar në një farë produksioni të shëndetit fizik individual.

Bëra një farë sondazhi fare informal, me të njohurit e mi, për mënyrën si e quajnë veprimtarinë në fjalë: mes përgjigjeve që mora, më të shpeshtat ishin bëj sport, merrem me sport, bëj vrap, shkoj në palestër, shkoj në gym (shqiptuar: xhim), shkoj në pishinë, bëj shtanga, dal nga Liqeni.

Nga këto fjalë e shprehje, bëj sport, merrem me sport dhe bëj vrap priteshin; ndërsa element i ri është palestra, e quajtur ndonjëherë edhe gym (xhim), si një lloj biblioteke e trupit, ose një vend i posaçëm a tempull ku shkohet për të kultivuar virtytin fizik.

Vetëm dy dekada më parë, palestra njihej vetëm si pjesë e shkollës, ku nxënësit zhvillonin orën e fizkulturës, sidomos në dimër ose në kohë të keqe. Përndryshe, në totalitarizëm ky lloj kujdesi dhe vëmendjeje për formën fizike si pjesë e identitetit individual nuk ekzistonte.

Gjatë një bisede/performance publike të para disa javëve, psikanalistja J. Penotet-Nathanaili vuri në dukje se fjala kalitje, shpesh e kombinuar në togfjalëshin kalitje fizike, nuk po përdoret më në shqipen e sotme. Këtu do të kisha shtuar edhe fjalën fizkulturë, e cila edhe ajo ka ardhur duke dalë nga përdorimi i përditshëm, ose në kontekste joteknike (si ora e fizkulturës); së bashku me fjalën tjetër gjimnastikë, e cila tani priret të shenjojë kryesisht sportin olimpik përkatës.

Vërejtja më lart u bë shkas për një diskutim që ceku, ndër të tjera, vetë natyrën e raportit të qytetarit me trupin e vet, në të shkuarën dhe sot.

Në fakt, folja kalit është sllavizëm relativisht i vjetër në shqipe dhe i përket (së bashku me emrin prejfoljor kalitje dhe mbiemrin i kalitur) terminologjisë së farkëtarisë ose të përpunimit të metaleve. Përdorimi në lëmin e veprimtarisë fizike është metaforik dhe, gjithsesi, i ri.

Origjina e këtij përdorimi duhet kërkuar në fushën tematike metaforike të metalurgjisë, të përdorur për të shenjuar, poetikisht, procesin e formimit të njeriut të ri në socializëm, falë edhe imazheve të furrnaltave, çelikut të shkrirë dhe vetë shkrirësve.

Nga njëra anë kemi Stalinin, liderin totalitar sovjetik që kish zgjedhur të mbiquhej sipas emrit rusisht të çelikut (сталь); nga ana tjetër një nga romanet më të rëndësishme të realizmit socialist, Si u kalit çeliku (Как закалялась сталь) të Nikolai Ostrovskit, lexim i detyruar në shkollat e mesme të krejt kampit socialist.

Ideja e përçuar nga ky roman, dhe nga vepra të tjera të panumërta letrare, artistike të kohës; si dhe nga ideologjia totalitare sovjetike, ishte se njeriu i ri kishte nevojë të kalitej, ose të forcohej përmes stresit fizik dhe/ose psikologjik, për t’u bërë ballë vështirësive të ndërtimit të socializmit.

Në Shqipëri ky nocion i kalitjes erdhi natyrisht nga Moska, edhe pse u kristalizua në vitet e revolucionit kulturor (1966-1973), nëpërmjet imponimit të të ashtuquajturit trekëndësh revolucionar: mësim, punë prodhuese, kalitje fizike dhe ushtarake në sistemin arsimor kombëtar.

Kësisoj kalitja fizike ishte pjesë e edukimit revolucionar; nuk ishte veprimtari individuale, por kolektive; dhe synonte, tek e fundit, nga njëra anë përgatitjen fizike të shqiptarëve për të ndërtuar socializmin dhe për të mbrojtur vendin; dhe nga ana tjetër kalitjen e karakterit.

Trekëndëshi revolucionar me kohë do të reduktohej edhe në parullën koncize “mësojmë, punojmë, kalitemi”, të cilën e brohorisnin manifestuesit në paradën e 1 majit, por e shihje edhe të shkruar në mure ose atje ku sot vendosen reklamat, në stadiume (krahas me “më shpejt, më lart, më larg”).

Gjatë viteve 1960 të revolucionarizimit të shkollës dhe të jetës së vendit, përmirësimi i formës fizike të qytetarit ose kalitja fizike u lidh pandashëm me stërvitjen ushtarake, ose përgatitjen e qytetarit-ushtar, që do të luftonte për mbrojtjen e atdheut.

Shkruante Enver Hoxha në 20 janar 1966 (Vepra 31):

I vetmi shembull i mirë dhe i vetmi vend ku zhvillohet si duhet kultura fizike, është ushtria. Atje, gjatë gjithë kohës së shërbimit ushtarak, si nëpërmjet ushtrimeve, ashtu edhe në mënyrë të veçantë, kultura fizike dhe sportet zhvillohen në mënyrë masive, dhe e gjithë kjo punë zhvillohet nën parullën për mbrojtjen e atdheut.

E lexuar sot, kjo mund edhe të interpretohet edhe si një orvatje për të zbatuar, me nxënësit e shkollave dhe të gjithë popullin, metodat karakteristike për përgatitjen fizike të forcave të armatosura. Edhe pse rezultati mund të jetë, edhe në këtë rast, mirëmbajtja e trupit dhe produksioni i shëndetit në nivel individual, synimi është, në thelb, militarizimi i popullatës; meqë shëndeti i individit nuk është veçse një parakusht që ky të luftojë për çfarëdo qëllimi që do t’i caktojë pushteti.

Stërvitja fizike dhe ushtarake e masave zhvillohej paralelisht me përhapjen dhe imponimin e gjimnastikës së mëngjesit: në shkolla dhe në qendra pune, institucione dhe kudo ku njerëzit punonin së bashku. Në ato vite Radio Tirana transmetonte çdo mëngjes herët një program ushtrimesh, të cilat mund të ekzekutoheshin edhe në shtëpi; edhe ose shpesh kjo ndodhte në vende ku qytetarët jetonin kolektivisht.

Ndryshe nga kalitja fizike-ushtarake e mirëfilltë, gjimnastika e mëngjesit synonte disiplinimin e trupit dhe të mendjes nëpërmjet zbatimit të menjëhershëm të komandave verbale dhe gjestuale; veçanërisht, kur ekzekutohej në grup, nën drejtimin e një instruktori të përgatitjes fizike, ajo duhej të ndihmonte në krijimin dhe konsolidimin e grupit, si një ansambël që vepronte në mënyrë të bashkërenduar dhe të harmonishme, nën drejtimin e një udhëheqësi.

Si praktikë kulturore, gjimnastika e mëngjesit në shkolla dhe në qendra pune dhe institucione duket të jetë importuar nga Kina, ku një traditë e tillë ekzistonte prej kohësh, madje thuhet të ketë qenë nxitur drejtpërdrejt prej Maos.

Vetë puna prodhuese, pjesë e trekëndëshit, ishte menduar që t’i shërbente jo vetëm edukimit revolucionar të masave – dhe veçanërisht të nxënësve, studentëve dhe punonjësve të punës mendore – por edhe kalitjes, të kuptuar si forcim të trupit dhe të mendjes.

Sërish Enver Hoxha, në 4 qershor 1966 (Vepra 33):

Disa sportin e nënvleftësojnë, por edhe kjo fushë e aktivitetit njerëzor ka shumë rëndësi, sepse ne duam të kemi njerëz të zhdërvjellët, të zotë fizikisht, të pastër moralisht, që të bëhen luftëtarë të aftë për të kapërcyer çdo vështirësi që kemi dhe mund të kemi në të ardhmen.

Në përgjithësi, orientimi ideologjik gjatë viteve revolucionarizuese 1960 ishte i tillë, që ta shihte veprimtarinë fizike ose sportin si formë të kalitjes, ose të përgatitjes së individit për t’u bërë pjesë e projektit totalitar: edukimit revolucionar të njeriut të ri, ndërtimit të vendit dhe mbrojtjes ndaj rrezikut të jashtëm. Si veprimtari individuale, kalitja nxitej vetëm në atë masë që përfshihej në marrëdhënien e qytetarit me shtetin totalitar dhe interesat e tij.

Kësisoj, shëndeti dhe forma fizike nuk i përkasin aq individit, sesa marrëdhënies së këtij individi me pushtetin: forma e mirë fizike nuk është virtyt i individit si të tillë, por i individit të përfshirë në një kolektiv dhe në marrëdhënie me interesat, synimet dhe idealet e pushtetit.

Po të krahasojmë, tani, praktikat totalitare të fizkulturës, sportit dhe stërvitjes me këto të sotmet të të bërit sport, vrap ose të shkuarit në gym, çfarë na bie menjëherë në sy është se sot, e njëjta veprimtari nuk i shërben më kolektivizimit të vlerave dhe virtyteve fizike, as vënien e tyre në shërbim të politikës, ideologjisë dhe ekonomisë, por përkundrazi, riprodhimit të individit dhe individualitetit, nëpërmjet mirëmbajtjes narcisike së imazhit të trupit të shëndetshëm.

Zhvillime të tilla paralele, si heqja e shërbimit ushtarak të detyruar, profesionalizimi i sportit dhe koluzioni shpesh kriminal me lojërat e fatit dhe kulti i trupit të bukur, erotizmit thjesht trupor dhe i lakuriqësisë, janë të gjitha të lidhura mes tyre; dhe së bashku dëshmojnë shkëputjen e plotë të praktikave të sotme fizkulturore nga ato të djeshmet.

Në rrafshin ligjërimor, kjo vjen e përthyhet pastaj në tërheqjen nga përdorimi të fjalëve të tilla si kalitje, fizkulturë dhe gjimnastikë, madje edhe stërvitje dhe ushtrime, për t’u zëvendësuar nga të tjera; aq më tepër që sot mirëmbajtja e trupit bëhet për efekte sa thjesht shëndetësore (ose të mbajturit e vetes në formë) aq edhe estetike (të pasurit e një trupi të bukur); çka shpjegon deri në një farë mase edhe përhapjen e praktikës së body-building-ut, ku edukimi thjesht muskulor shkombinohet nga kultivimi i forcës dhe i formës fizike, për t’u shndërruar në qëllim në vetvete; dhe, paralelisht me të, konkurset e miss-eve gjithfarësh.

Në vitet 1960-1970, të rinjtë meshkuj e kultivonin muskulaturën, sidomos të gjymtyrëve të sipërme, edhe jashtë skemave të organizuara institucionale, duke “bërë paralele” ose veprimtari të tjera të ngjashme gjimnastikore, zakonisht në mbrëmje, në veglat sportive metalike rudimentare të ngulura kudo në oborre shkollash. (Përkundrazi, e vetmja mënyrë për vajzat dhe gratë që të modifikonin pamjen e trupit të tyre, ishte nëpërmjet dietës dhe/ose veshjes.)

Veglave gjimnastikore të djeshme sot u përgjigjen makinat e ushtrimeve, zakonisht të importuara nga Perëndimi së bashku me praktikat e stërvitjes individuale, në palestër ose në shtëpi; versione të përditësuara të tubave të hekurt, shtangave dhe pistave rudimentare të vrapimit; makina të cilat sot po përdoren, po t’u besojmë provave anekdotike, gjerësisht nga femrat që duan të mbajnë trupin në formë.

Shto këtu edhe që sporti, me përjashtim të lojërave, e ka lënë mënjanë përbërësen kolektive dhe korale; meqë shumë nga ata që ushtrohen, qoftë në palestër, qoftë në shtëpi, qoftë në mjedise publike ose në parqe, ushtrohen vetëm; desocializim ky që pasqyron, në mënyrën e vet, elementin narcisik të kulluar të të mbajturit në formë, ose të prodhimit të shëndetit të mirë thjesht për konsum vetjak ose (auto)erotik.

Në parim, gjatë periudhës totalitare trupi nuk i përkiste individit por kolektivitetit (shtetit), dhe individit veç sa i ishte dhënë në përdorim – mjaft të kujtojmë, në mbështetje të kësaj, faktin që vetëvrasja (ose orvatja për vetëvrasje) dënohej me ligj, njëlloj siç do të dënohej dëmtimi i pasurisë çfarëdo (por jo njëlloj siç do të dënohej vrasja); dhe se arratisja, ose nxjerrja e vullnetshme e trupit jashtë kufirit shtetëror gjithashtu dënohej si krim kapital. Kësisoj, edhe kalitja ishte pjesë e detyrimit të përgjithshëm të qytetarit për ta mirëmbajtur trupin dhe për ta mbajtur të gatshëm për ato përdorime që ia kërkonte ose mund t’ia kërkonte shteti në çdo minutë.

Përkundrazi, në periudhën post-totalitare, trupi duket sikur i është kthyer në pronësi individit, sa kohë që ky mund të bëjë me të ç’të dojë dhe, sidomos, të bëjë atë që pritet prej individit në një sistem social të sunduar nga tregu: të akumulojë sa më shumë kapital shëndeti duke u ushtruar [Pronger]. Në realitet, megjithatë, sot trupi i individit i përket tregut dhe shëndeti ose gjendja optimale e trupit përftohen në kontekstin e gjerë të këtij tregu, nëpërmjet konsumit të shërbimeve mjekësore e kozmetike (plastike) dhe të veprimtarive fizike.

Sa për këto të fundit, studiuesit kanë vënë re [Pronger] se, falë zhvillimit teknologjik dhe çiftimit mes pajisjeve ushtrimore (p.sh. treadmills, elliptic trainers) dhe pajisjeve monitoruese të parametrave biologjikë – p.sh. matësve të tensionit të gjakut, të rrahjeve të zemrës, të sheqerit në gjak, të oksigjenimit, etj. – po bëhet gjithnjë e më i vështirë, në mos më i kotë, dallimi mes një seance ushtrimesh në palestër dhe një vizite tek mjeku, gjatë së cilës kryen, bie fjala, një stress test; deri edhe muzika techno në sfond është po ajo. Në një shoqëri të sunduar nga ekonomia e tregut, pronësia private dhe dëshira për t’u pasuruar, shëndeti nuk i përket më individit, por është produkt i marrëdhënieve midis individit dhe establishment-it mjekësor dhe biopolitik.

Për këtë arsye, nëse regjimi totalitar u kërkonte qytetarëve të kalitnin trupin e tyre, për ta pasur gjithmonë gati, ose sa herë që ky trup t’i duhej shtetit për diçka (luftë, punë), regjimi i tanishëm i ekonomisë së tregut u imponon qytetarëve imperativin që ta skalitin trupin e tyre, për të qenë kompetitivë në tregun e imazhit dhe të dëshirës; skalitje që realizohet, mes të tjerash, nëpërmjet ushtrimeve në palestër dhe në pishinë, dietave, body-building-ut, kirurgjisë estetike, injeksioneve të botoksit dhe të kolagjenit, dietës, të ushqyerit design ose me ushqime funksionale (energy bars, probiotic drinks, protein mixes), salloneve të nxirjes së lëkurës, salloneve të masazhit, jogës dhe shërbimeve të tjera të ngjashme, mes të cilave mjekësia e mirëqenies ose e mirëmbajtjes së trupit po fiton gjithnjë e më shumë terren; pa lënë këtu mënjanë aspektin thjesht asketik të agjërimit dhe të mundimit fizik të llojit no pain no gain (vrapimet e gjata, dietat drastike) të cilat synojnë një lloj rehabilitimi moral, përballë degradimit të metaforizuar, ose edhe thjesht të përfaqësuar nga mbipesha, konsumi për dukje dhe hedonizmi i shfaqur për publikun.

Ky shndërrim kaq rrënjësor, të cilin shoqëria shqiptare ende nuk e ka rrokur sa duhet teksa është rrokur prej tij, do të mund të përmblidhej, kështu, në kalimin e thjeshtë nga kalitjaskalitjen e trupit.

BIBLIOGRAFI MINIMALE

Pronger, Brian: Body Fascism, Salvation in the Technology of Physical Fitness, University of Toronto Press, 2002.

VIRTYTI NË MISH

Nuk ka komente

  1. Une qe femije ndihesha ne faj se isha e ndergjegjshme se nuk do te arrija dot te lahesha me bore mengjeseve, si ca tipa gjysme-lakuriq, misherimi i kalitjes…

  2. Duke mos pasur mundesine e kujtimeve te sakta te periudhes se viteve para ’90 nuk e di a ka qene vertete ashtu sic pershkruhet ne shkrim por pershtypja eshte se jo, me duket pak si shume e ekzagjeruar.
    Gjithsesi si atehere dhe sot ne nje menyre ose tjetren individi arrin te ushtrohet, stervitet por ajo qe sot verej eshte mungesa e bashkeveprimit gjate aktiviteteve.
    Eshte e vertete fjalia e fundit ne paragrafin e trete nga fundi.

    1. Dritan, Xha xhai jo vetem qe nuk e ka ekzagjeruar, por e ka zbutur ca situaten e asaj kohe. Ne te vertete ka qene me keq se ç’e ka pershkruar ai. Gjate viteve ’70 e deri nga fillimi i viteve ’80 t’i beje bisht gjimnastikes kolektive te mengjesit, te gjente belaja. Me e pakta te hiqnin diten e punes (pagesen ditore), por po te qelloje me biografi te keqe, mblidhej kolektivi dhe te bente gjyqin.

    2. Dritan, thua se nuk i ke të sakta kujtimet nga periudha e para 1990-ës, ndoshta ngaqë je tepër i ri (ose tepër plak dhe të ka lënë kujtesa), por nuk sjell ndonjë provë se pse të duket tabloja e ekzagjeruar. Do të sugjeroja që, në këto rrethana, të përfitoje nga materiali që të jepet për lexim falas, meqë askush nuk të ka kërkuar të japësh gjykim për diçka që, siç e pranon edhe vetë, nuk je në pozicionin të gjykosh. Meqë flasim për përshtypje, imja është se ty, në këtë hapësirë komentesh, nuk të kërkohet asgjë fare.

      1. E kuptoj qe paska qene shume e vertete por qellimi i komentit ishte mungesa e bashkeveprimit edhe pse sot ka “liri” zgjedhje e veprimi.
        Mungesa e bashkevprimit perfshin edhe moskomunikim dhe automatikisht emertimi i aktiviteteve behet individualisht (gym fitness, palester, etj etj) ne dallim nga me pare (fizkulture, gjimnastike, ushtrime, stervitje etj etj).
        Keto jane termat qe perdorim sot dhe disa here e kam menduar si te nevojshme azhornimin e atyre te vjeterve ndaj dhe shkrimin e vleresova shume dhe vura theksin te mungesa e bashkeveprimit qe per mua con dhe ne mungese njohurie. Ndoshta e kam gabim por kjo eshte pershtypja ime, serish.

  3. Une vazhdoj ta perdor “kalit”. Vazhdoj te perdor edhe “gjimnastike”. Vertet qe sot perdoren te gjitha ne kuptime me te ngushta se dikur. Ne nje zone te Korfuzit gjiri ishte shume i ftohte sepse kish burime nenujore. Vajzat e mia nuk donin te laheshin dhe me thane se s’e mbanin dot ate lloj temperature. Folem per faktin se trupi kalitet dhe me kohe nuk ndien dhimbjen e te ftohtit. Une besoj se kenaqesia qe jep uji i ftohte pasi trupi eshte mesuar me te, eshte shume me e madhe se ajo qe jep i ngrohti. Pasi “i kalita” gocat per ca dite, me thane se edhe ato mendonin ashtu. “Gjimnastike” une e perdor kur kercej me litar e bej ushtrime te vogla, te hedhur pupthi etj. Nje fare aerobike. S’e perdor dot ne rastin e vrapit ose te peshave ose te punimit te muskujve. Vajza ime e vogel eshte balerine dhe ushtrohet rreth 3-5 ore ne dite. Atyre u themi “ushtrime” ose themi foljen “kercej”, ndoshta duke perkthyer nga anglishtja.
    Por “Kalit” dhe “fizkulture” mua nuk me sjellin konotacionin socialist. Duhet te me kete vdekur ajo lidhje, sespe e kam perdorur fjalen rregullisht ne nje ekologji te re. Nuk di si i thone tani ne Shqiperi, sepse ora e mesimit duhet te vazhdoje, se paku ne 8-vjecare. Nuk shoh nje ndryshim te madh mes “edukim fizik” qe perdoret thuajse kudo ne bote, dhe “kulture fizike”. Ndoshta me pelqen me shume e dyta.

    Persa i perket manise se sotme per ushtrimin fizik dhe permiresimin e imazhit, edhe une besoj se eshte pergjithesisht nje lloj mode, qe ne bashkeveprim me shume aksione individuale dhe modele sociale me te njejtin qellim, eshte nje lloj rruge pa krye per grate dhe burrat. Une vete vrapoj thuajse per dite, por s’kam provuar te bej diete. Ndaj nuk kam rene ndonjehere ne peshe as per pak e as per shume muaj. Por si per veten time, si per njerez te tjere qe njoh e qe gjithashtu vrapojne, e them me siguri se vrapi jep nje kenaqesi shume te madhe. Sidomos filli i mendimit kur vrapon eshte shume i bukur dhe i pakrahasueshem me te menduarin kur nuk je duke vrapuar. Por kjo ndodh kur vrapon ne natyre. Une nuk ia dal dot te vrapoj ne makine.

    Pa dyshim qellimi i fizkultures dhe zborit/ushtrise ne socializem ishin pjese e realizimit te trekendeshit revolucionar mesim-pune-stervitje u. Por gjithnje kam nje dyshim ne koke qe kenaqesia qe gjej sot duke punuar kopshtin per shume ore, ose duke vrapuar, ose duke mbjelle lule, qofte edhe duke ecur per shume ore, te kete se paku nje cope te vogel informacioni nga ato kohet kur keto i urrenim si artificiale dhe te forcuara. Une mbetem me idene qe asgje s’humbet dhe mund te shnderrohet ne vlere.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin