I DUAM, NA DUAN

Dikur në vitet 1980, një francez që pat ardhur në Tiranë për të mësuar shqipen, e me të cilin më pas u bëmë dhe jemi sot e kësaj dite miq, më pat pyetur se cili ishte ai popull që admironim veçanërisht ne shqiptarët.

Pyetje që më zuri pak ngushtë, jo dhe aq për arsye ideologjike, sesa ngaqë nuk ia kisha bërë kurrë vetes në atë formë; në kuptimin që t’i përfytyroja ose, aq më keq, t’i përkufizoja shqiptarët nëpërmjet popullit që ata donin, admironin, adhuronin; ose nëpërmjet dashurisë.

Për të fituar kohë, e pyeta se ç’kish parasysh pikërisht me këtë; më tha se ja, ne francezët i kemi shumë xhan polakët, gjë që unë s’e kisha ditur. Sot e kësaj dite nuk di nëse kjo ishte vërtet kështu, apo thjesht i dukej atij, apo ishte diçka që e tha sa për të sjellë një shembull; por fakti është se më bëri përshtypje të madhe që francezët, ky popull krenar dhe i lavdishëm, kishin zgjedhur të admironin polakët, një popull “përtej” perdes së hekurt. Dhe pastaj m’u kujtua Chopin-i, të cilin falë Zotit e njihja që atëherë, dhe i dhashë të drejtë.

U përtypa edhe ca dhe i thashë pastaj që ndoshta ne shqiptarët duam italianët; pa çka se nuk kisha parasysh ndonjë gjë më tepër se veten time dhe brezin tim në Tiranë, që ishim rritur të kolonizuar nga kultura italiane pop – muzika, televizioni, filmat, deri diku edhe letërsia.

Qeshi. Po italianët a nuk ju patën pushtuar? më tha; A nuk kanë vrarë dhe kanë djegur këtu? Vërtet, i thashë; por brezi im nuk i ka përjetuar direkt këto gjëra, dhe pastaj mes fqinjëve që kemi, kushedi Italia është treguar më e dhimbsur me ne; na ka pushtuar, vërtet, por nuk është përpjekur gjë të na dëbojë, as të na shpjegojë se këto troje janë të sajat, jo tonat.

Mitologji e kulluar, natyrisht; por një gjë duhet t’ia thoja; dhe kushedi edhe Selam Musai do të më kish dhënë të drejtë!

Atëherë unë mendoja vërtet se shumë shqiptarë e shihnin Italinë me dashuri, si portën që do të na çonte në Perëndim, ose në Tokën e premtuar. Sot, pas kaq kohësh dhe me gjithë përvojën jo tamam mahnitëse të qëndrimit tim shumëvjeçar në Itali, mendoj se shqiptarët duhej t’i kishin mbajtur sytë të kthyer nga Italia – dhe se brezi im i atëhershëm i paskësh bërë zgjedhjet e veta me shumë urtësi, edhe pse nën ndikimin e afërsisë së rastësishme (apo jo dhe aq të rastësishme?) gjeografike dhe radiovalore.

Fakti është se sot Italia shqiptarëve u është larguar sa s’ka, duke zënë vend diku afër Irlandës ose Danimarkës. Ajo shtresë e hollë dhe entuziaste e popullsisë bregdetare që u rrit me Italinë në mendje dhe në zemër, u largua prej Shqipërie sapo iu dha kjo mundësi, ose më mirë e humbi masën kritike për shkak të emigrimit; dhe atë tashmë e gjen vetëm në Facebook, kur mund ta gjesh dhe kur nuk ka humbur gjëkundi në Kanada ose në Minnesota.

Për të tjerët, ose ata që pothuajse nuk i shihnim të ekzistonin, por që tani rezulton se ekzistokëshin shqiptarisht më shumë e më mirë se ne, Italia nuk ka pasur kurrfarë domethënieje të posaçme; në Kosovë, bie fjala, Zvicra është ku e ku më e rëndësishme se Italia; pa folur pastaj për Gjermaninë dhe Serbinë vetë. Ndërkohë, në Jug, Greqisë sa vjen e i shtrihet hija, pa çka se pritet me sevda të përzier me urrejtje. Italianët s’i gjen gjëkundi në këto ekuacione, me përjashtim kushedi të ca bizneseve që tashmë kanë zënë vend në ultësirën perëndimore pa shumë bujë; dhe të ca të tjerëve, mafiozë ose jo, që e trajtojnë Shqipërinë si të ishte rezervat gjahu.

Po për dashuri nuk flet dot. Të bësh sot një anketë me shqiptarët për popullin më të admiruar, me siguri do të gjesh në vendet e para amerikanët dhe pastaj gjermanët; dhe këtë përgjigje do ta marrësh nga të gjitha shtresat dhe profilet, pa dallim klase, feje dhe krahine.

Kur dëgjoj bashkatdhetarët e mi t’i bien gjoksit për “Amerikën”, gjithnjë më kujtohet ajo që më pat thënë miku frëng këtu e 30 vjet të shkuara, për dashurinë e francezëve për polakët. Ajo dashuri me siguri nuk i shtynte as detyronte gjë francezët të frynin gjoksin e të mburreshin, as t’i nxirrnin sytë shoku-shokut me akuza për “anti-polakizëm”, as ta trajtonin ambasadorin polak si legatin e Zotit mbi dhé; por më shumë u nxiste kërshërinë për kulturën dhe historinë polake, shkrimtarët dhe kompozitorët, filmin polak; për katolicizmin polak, sindikatën Solidarnost; qëndresën e polakëve ndaj sovjetikëve dhe sovjetizimit, e kushedi edhe arkitekturën e Varshavës ose të Poznanit.

E krahasoj pastaj me këtë tonën, kaq shumë të shprehur e të nënshkruar, për amerikanët e deri-diku edhe për gjermanët. I kam qëmtuar gjetiu arsyet e filo-amerikanizmit tonë, nuk po dua t’u kthehem, përveçse për të shtuar se, po ta gërvishtësh pak mendjen e atij që të përbetohet për Amerikën, do të gjesh bindjen e çuditshme se Amerika “na do ne shqiptarëve”, na privilegjion ndaj të tjerëve, duke na trajtuar si të nënës, ndërsa ata të tjerët si të njerkës; çfarë e tregon, bie fjala, edhe ndërhyrja e paradokohshme në krahun “tonë”, për të dëbuar dhunën serbe nga Kosova.

Ca të tjerë, pastaj, që hiqen si më të rafinuar dhe të përmendin Gjermaninë, janë gati të shtyhen më thellë e të trazojnë deri edhe Hitlerin vetë, që i paska futur shqiptarët në një qerthull me arianët, ose me “nordikët”; duke na ndarë veç nga tufa e të egjërve dhe duke na dhënë, edhe ai, privilegjet etnike përkatëse; ose “venomet”, fundja si vetë sulltani qëmoti, ose patriarku i domosdoshëm dhe i përhershëm, edhe pse shpesh në dukje mungues, i kolektivitetit tonë kombëtar.

Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, ajo që prezantohet si dashuri ose admirim për popullin tjetër, del se nuk ishte veçse konstatim megaloman se ai tjetri të do, të ka në mendje, të ndan veç e të trajton me pekule; nuk është, pra, dashuri, sesa perceptim – deluzional dhe egocentrik – i dashurisë së tjetrit; me fjalë të tjera, pamundësi për të dashur dikë pa kushte.

Në Panairin e fundit të Librit, disa prej ambasadave në Tiranë kishin hapur stenda të posaçme, ku propagandonin kulturën e tyre; mbaj mend që më pëlqeu ajo e Spanjës, ku vizitorëve u dhuronin një libër (dygjuhësh) kushtuar marrëdhënieve të Skënderbeut me aragonezët dhe eksperiencave paralele të arbëreshëve dhe sefardive të Spanjës; por edhe shtete të tjera të Europës kishin gjëra me të vyera dhe dinjitoze.

Binte në sy për keq, çka më preku personalisht, stenda e amerikanëve, ku ishin rreshtuar disa flamurë kombëtarë dhe ku ftoheshin të rinjtë të plotësonin aplikime për universitete amerikane; në një atmosferë të zbërdhulur që të sillte ndërmend zyrën e rekrutimit ushtarak, mu në zemër të Times Square, në Manhattan.

Dhe m’u kujtua tani Panairi, ngaqë në një panair libri e sheh edhe cilën kulturë ta kërkon më shumë lexuesi yt – shkrimtarët italianë e francezë, apo amerikanët dhe gjermanët, apo hebrenjtë dhe rusët?

Nuk e kam fjalën këtu, natyrisht, për best-sellerët e tipit Fifty Shades of Grey, të cilët me përkufizim nuk i përkasin kulturës, por fast food-it kulturor, njëlloj si filmat me heronj stripash komikë ose Rihanna; por përfaqësues kulturorë të mirëfilltë, sepse Amerika ku jetoj unë ka edhe Don DeLillo, edhe Tom Wolfe, edhe Joyce Carol Oates, edhe Thomas Pynchon, edhe J.D. Salinger, edhe Chuck Palahniuk, edhe Philip Roth; dhe një popull që lektiset pas Amerikës, sikur paraqitemi ne, duhej të kish treguar sadopak interes për këta autorë; pa folur pastaj për klasikët, si Faulkner, Steinbeck e të tjerë; ose qoftë edhe një Raymond Chandler, një Philip K. Dick a një Scott Fitzgerald.

Ironikisht, asnjë nga këta nuk besoj se ka ngjallur qoftë edhe një fraksion të interesit artistik, intelektual dhe thjesht njerëzor që ka pasur dikur mes shqiptarëve për Hemingway-n, Mark Twain-in madje edhe Theodor Dreiser-in!

Fatit të Amerikës kulturore s’i ka shpëtuar as Gjermania; me gjithë përkthimet prej Trakl-it dhe Rilke-s, dhe të tjera bëma e arritje të admirueshme, nga ana e pak të palodhurve elitarë të gjermanishtes. I ndjeri A. Klosi pat bërë një punë të përbindshme për t’ia sjellë lexuesit shijen e kulturës gjermane, punë që arriti ta kurorëzojë me përkthimin që ua bëri tregimeve të Kafkës; pa çka se, si për Amerikën, produkti kulturor më i çmuar i Gjermanisë, për më të shumtën e publikut, mbeten Benz-i dhe BMW-ja, ose perceptimi, gati visheral, i testosteronit ekonomik që rrezatojnë gjermanët; për të mos folur për turpin e përkthimit të Mein Kampf-it dhe sidomos të suksesit në shitjet të atij libri.

Gjithnjë në Panairin e vjetshëm të Librit, pata fatin e mirë të takoj një shkrimtar italian, Alessandro Leogrande, të cilit Dudaj i kishte botuar një libër hetimor për katastrofën e Katrit të Radës, në 1997. Kaluam ca kohë bashkë, folëm për Italinë dhe Shqipërinë, për Italinë që ekziston (nuk ekziston më) në Shqipëri dhe për Shqipërinë e mirë që është duke u përftuar në Itali – një temë që na bashkonte më shumë se ç’kishim kujtuar, aq më tepër që unë e kisha ndjekur dikur nga afër rolin e mediave italiane në përftimin e figurës mitike të “shqiptarit” në vetëdijen kolektive të publikut italian. Leogrande, i cili interesohet seriozisht për fqinjët përtej Adriatikut, ndjek edhe fatet e artistëve shqiptarë në Itali: diku një piktor, diku një poet, diku një instrumentist, diku një këngëtar lirik; tashmë shkrimtare si Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi kanë bërë emër në publikun e atjeshëm, dhe jo thjesht si përfaqësuese të një kulture “minore” dhe Roland Sejko sapo fitoi një çmim prestigjioz David di Donatello me filmin e vet dokumentar “Anija”; pa folur pastaj për artistë vizualë si Sisley Xhafa dhe Adrian Paci që krijojnë brenda hapësirës kulturore të atjeshme dhe po atje vlerësohen e kanë bërë emër; e më në fund edhe, pse jo, Elhaida Danin; në një kohë që përpjekjet për ta mbajtur të qarkullueshëm kanalin me kulturën italiane në Tiranë gjithashtu nuk kanë munguar, siç ma provon edhe vetë Leogrande; por edhe Saviano, gjithnjë i botuar nga Dudaj.

E megjithatë, përshtypja që më jep kultura shqiptare e tanishme, në të gjitha nivelet, është ajo e një populli që, i çliruar më në fund nga izolimi njerëzor dhe ideologjik, ka zgjedhur t’i lëpijë plagët e veta në izolim kulturor; dhe ka ecur së prapthi, duke iu qasur sërish pozicionit mendor të fëmijës, i cili rregullisht ngatërron dashurinë e të tjerëve për të, me dashurinë e tij për të tjerët.

Të ketë qenë vallë thjesht sublimim ajo përleshje e djeshme te biletaria e kinemasë, për të parë një film noir francez ose italian; ose ajo përleshja tjetër, për të blerë romanin e përkthyer së fundi të Hugo-it a të Stendhal-it; apo, më në fund, thyerja e xhamave në Teatrin e Operës dhe të Baletit, me rastin e një koncerti të një pianisti suedez? Apo reduktimi i tanishëm i hartës së Europës e të botës mbarë, për shqiptarin standard, në një tabelë ku shënohen bankat, valutat, Dubai, kazinotë, skuadrat e futbollit dhe organizatat e basteve ka ardhur si pasojë e de-sublimimit total, ose e çshpirtëzimit të shqiptarit?

Nga njëra anë, të bën përshtypje që qytetari në Tiranë as që e kthen më kokën, kur i kalon pranë një i huaj; nuk ia ndien më parfumin; nuk ia dëgjon gjuhën; nuk ia vëren veshjen edhe kur të pazakonshme; nuk ia nxjerr gjuhën prapa kurrizit. Ama, nëse kjo vjen ngaqë i huaji tani është bëri yni, apo ngaqë tani edhe yni është bërë i huaj, këtë nuk e ftillon dot lehtë. Televizionit të huaj ia kanë zënë vendin kanalet vendëse, të cilët përcjellin, në masë të madhe, debate disa-orëshe në studio për çështje të politikës, programe me këngë të viteve 1970, telenovela dhe reality shows, kur nuk transmetojnë lajme nga vendi nonstop ose filma të dikurshëm të Kinostudios; vetë filmi dhe eksperienca e kinemasë tashmë shijohen vetëm nga një elitë, sikurse e tregon edhe numri dramatikisht i vogël i kinemave që kanë mbijetuar; seksioni i librit të huaj, në libraritë kryesore të Tiranës, i ngjan një kioske në një aeroport europian çfarëdo; teatri, baleti, opera, muzika simfonike – të gjitha këto mbahen në këmbë, siç mbahet gjallë lulja e egër që ka mbirë, pa e kuptuar as vetë si dhe pse, në anë të Autobahn-it.

Rrethanat janë të tilla, pra, që vetë pyetja se cilin popull admirojnë shqiptarët nuk ka më kuptim; sepse shqiptarët tashmë po jetojnë në qendër të botës, ose pikërisht aty ku e pat ngulur dikur bastunin Nastradini.

Nuk ka komente

  1. “Rrethanat janë të tilla, pra, që vetë pyetja se cilin popull admirojnë shqiptarët nuk ka më kuptim; sepse shqiptarët tashmë po jetojnë në qendër të botës, ose pikërisht aty ku e pat ngulur dikur bastunin Nastradini” – shkruan.

    Jo tamam: nën shtresën e parë të indiferentizmit për të huajën, për pak kohë e pas disa muhabetesh e kafesh të gjata, do të vesh re që ajo që ngjan si snobizëm, nuk është veçse provincializëm kinse globalist, poli magnetik i të cilit lëviz sa andej-këndej, më së shumti andej nga Amerika, pasi sa më i largët admirimi, aq edhe më i turbullt iluzioni.
    Kompleksi që përzgjatet këtupari nga diktatura akoma ndaj “ja’shtetit” duket menjëherë kur memzi pritet të përfolet gjëkund Shqipëria e kjo të bëhet lajm ( siç e ke vënë re ti edhe vetë me të drejtë gjëkundi në këtë blog); provinciale është p.sh. kur Presidenti e Kryeministri i vendit ftojnë Elhaidën, bashkë me Koçanten, të cilin e dekorojnë në vend, kur ky këndon për të miliontën herë Margeritën e Baba Qemos, kur e veshin mu aty me kostum popullor dhe e nxjerrin në gazetë si “tonin”, kur Gramozi luan me Realin, etj., e kjo ndodh për shkaqe nga më ndryshmet, por ku rolin më të madh mes tyre e luan vetëdija e të qenit, jo kërthiza e botës, por bishti i kavallit.

    1. Në fakt, nuk ke pse të lodhesh e ta arsyetosh. Këto shkrime nuk ofrohen këtu për t’u gjykuar prej teje (dhe kujtdo tjetër), po për të nxitur debat. Kjo do të thotë se je i mirëpritur të shkruash sa dhe si të dëshirosh për Turqinë, turqit dhe këdo popull tjetër që të duket se është lënë jashtë.

        1. Prapë nuk the asgjë. Shkrimin më lart nuk është se ti e ke porositur, sponsorizuar ose urdhëruar në ndonjë farë mënyre; prandaj më duket keqdashëse kjo mani për t’ia gjetur dhe evidentuar mangësitë. Sikurse të thashë, je i mirëpritur të shtosh të gjitha ato që mendon se janë lënë jashtë – ashtu i shërben debatit, vetes (se duke shkruar, edhe mëson), madje edhe mua si autor, duke ma shpërblyer mundimin që ta dhashë këtë shkrim timin për ta lexuar falas.

          1. Po i ke thënë të gjitha or xhaxha, s’më le gjë tjetër për të thënë. Pos, që shkrimi edhe është i mëngët, edhe gabim. Mëngësinë e vërejte, gabimin e ke cekur, por s’e ke shoshitur. Tash ta tregoj sheshazi: për të kuptuar se kë duan *shqiptarët* – që janë më të shumtë e më të mirë tjetërkund, – francezi do të bënte mirë të pyeste ndonjë prift katolik, sepse vetëm këta e dinë. Ajo që ti i tregon francezit është përgjigje se kë duan djemtë e mëhallës.

            Pastaj, çka t’them unë, kur ti e ke vendosur që unë s’mund ta projeksionoj në Amerikë dashurinë time për lirinë e mundësinë gjithnjë të munguar, duke më bërë kontabilist “të dua se më do”?

            Thirrja jote për diskutim – të cilën do të doja ta besoja si fisnike – bie ndesh me llogaritë që i bën dhe me përvojën time këtu: në diskutimet gjithnjë kam humbur, edhepse kam pasur të drejtë. Tash mjaftohem të tërheq vetëm potezat për shah-mat. Interneti është falas, tha. Edhe mendtë.

            1. Alpha, t’u bë një ftesë për të diskutuar e për të thënë mendimet e tua. Me edukatë. Në qoftë se kujton se e ke bërë me këtë koment, të siguroj se e ke gabim. Së pari mban një qëndrim prej gjykatësi që nuk shkon, të paktën në PTF. Nëse një shkrim të frymëzon për të dhënë mendimet e tua, bëji menjëherë duke respektuar rregullat e mirësjelljes. Përndryshe, për të dhënë “vendime gjyqi” më mirë lëre këtë punë. Së dyti, je krejtësisht i çnyjëtuar në ato që thua. Unë nuk të marr vesh se çfarë don të thuash. Ka ca nota viktimizmi, ca referime të pakuptueshme, ndonjë fillim arsyetimi, ca gjysmë koncepte, por hiç më shumë se kaq. Të palidhura fare. Të paktën për mua.
              Sugjerim: po deshe të jesh bashkëbisedues në këtë log, thuaji mendimet e tua siç të vijnë. Por në mënyrë të qartë, që të përfitojmë të gjithë. Temën ta japim ne. Mos u merr me notat e shkrimeve.

  2. Mesa kam vene re, ne pergjithesi francezet te vetmin popull qe duan, eshte populli i tyre dhe ndoshta me te drejte. Edhe nese ndodh qe dikush thote se ka simpati per polaket, serbet etj, besoj se bëjnë nje transpozim te thjeshte; shohin imzhin qe kane per Francen apo kulturën franceze ne to; pra nje vend apo kulture e rrezikuar prej te gjithë tjerave, por qe nuk pranon te dorëzohet, e lufton sa te munde. Me sa kam parë, pikerisht kështu e mendojnë situhatën e vendit të tyre. Ne France behen përpjekje te jashtzakonshme, per te mbrojtur gjuhën nga anglicizmat, per te mbrojtur pasuritë artistike të trshëguara dhe veçantitë e tjera kulturore. Mbaj mend qe me pare diskutohej nje ligj per te dënuar ata qe fishkëllenin Marsejezen ne stadiume, por nuk e di ç’fare u be me kete. Politika e Përbashkët Bujqësore e cila shteron buxhetin vjetor të EU, dhe që siç dihet është projektuar dhe mbështet ne vazhdimësi nga Franca, në fakt mbron fermerët e saj, por njëkohësisht edhe prodhimet e veçanta të vendit si edhe mundëson shpërndarjen e popullsisë në të gjithë territorin. Sërisht, ndoshta kanë të drejtë, askush nuk mund ti akuzojë për këtë; përveç vendëve të tjera jashtë EU, që duhet ti përballin ne treg prodhimet e vendit me prodhimet e subvencionuara franceze. Kjo quhet edhe konkurrence e pandershme ne ekonomi. Por kjo eshte Franca, ky është edhe Bashkimi Europian; bashkim interesash të popujve mjaft të veçantë, që mblidhen për të mbrojtur më mirë pikërisht pasuritë e veçanta të tyre. Per tu rrikthyer tek tema: Francezet besoj se kane te drejte; eshte me mire te duhet njehere vendi yt, dhe me pas te ngjashmit me te.

  3. Duke qene i vetedijshem per prerjen trashe…

    1. Amerikanet. As nuk e dime se c’jane. Eshte me teper nje dashuri lapanjoze per pushtetin se per njerezit. Si kudo ne bote xhanem (perfshi edhe Evropen) por e shprehur me bruto.

    2. Italianet. Nje dashuri e flakte vite me pare por qe nuk e gjeti pergjigjen. Italianet sikur jane kujtuar keto kohet e fundit duke intensifikuar marrdheniet kulturore.Si kofini pas te vjelit. Nuk e di pse kam pershtypjen se sa me teper shqiptaret i njohin ata aq me pak i duan. Nje admirim qe ka rezultuar ne velje e madje edhe ne perbuzje.

    3. Greket. Nje marrdhenie tipike dashuri-urrejtje.

    4. Gjermanet. Nje admirim kryesisht per pushtetin e forcen, e ngjashme me ate te Amerikes. Ndersa per Ameriken admirimi eshte politik, per Gjermanine eshte kryesisht ekonomik dhe teknologjik. Per te mos u neglizhuar edhe admirimi futbollistik qe “cuditerisht” mbledh rreth vetes njerez qe jane te obsesionuar me fitoren, efektivitetin dhe forcen (flas per tifozet e Gjermanise).

    5. Turqit. Me teper sesa nje dashuri kjo eshte nje rehati funksionale qe vjen nga pervoja. Shkurt, ata na e kane gjetur koken me mire se kushdo tjeter, sado qe perpiqemi te bindim veten per te kunderten.

    6. Ruset. Nje dashuri romantike dekada me pare por tashme e zbehur krejt.

  4. Më tërhoqi bashkëbisedimi me frëngun pikërisht sepse më ngjau i natyrshëm; gjithë si admirimi francez për polakët që mbetet më se i vërtetë, dhe me rrënjë të thella madje.

    Përpos faktit se populli polak ngjall simpati dhe admirim të përligjur, për cilindo që është përkulur qoftë edhe për disa pak çaste të kundrojë historinë tragjike të këtij populli të madh dhe vërtet martir, francezët kanë edhe arsye kombëtare t’ua vlerësojnë e admirojnë cilësitë dhe kontributet.

    Historia e dashurisë së madhe nis me Luftërat Napoleoniane, ndërsa një pjesë e qenësishme e aristokracisë polake – shtresë kjo edhe ushtarake, sikurse rëndom në shoqëri të rendit feudal – iu bashkua ushtrive të Napoleonit në betejat e tij kundër Rusisë e Prusisë kryesisht.

    Duhet kuptuar këtu se trevat polake të erës moderne, përfshi edhe fillimet e shekullit XIX kur ndodhin ngjarjet në fjalë, janë të ndara midis Mbretërisë Habsburge, asaj Pruse, dhe asaj Ruse.

    Adversioni polak ndaj Rusisë dhe Prusisë, krejtësisht i përligjur nga trajtimi i padenjë, shtyu një pjesë të aristokracisë polake t’i bashkohej ndërmarrjes napoleoniane, frymëzuar edhe nga fryma e ideologjisë së Revolucionit Francez: liria, progresi dhe emancipimi i shoqërive dhe popujve në shtete kombe.

    Kontributi i talentuar dhe trim i forcave polake në Luftërat Napoleoniane, pas humbjes së këtij të fundit, i detyroi aristorkratët polakë të vendosen përfundimisht në Francë.

    Francezët, kështu, janë njohur që herët me anën më fisnike dhe më të talentuar të polakëve. Kultura dhe cilësitë që aristokratët polakë sollën me vete, ndërthurur me besimin e përbashkët katolik të palëve – ruajtuar në kushte jo pak tragjike – pa harruar martesat mikse, krijuan natyrshëm afinitete të favorshme dhe kushte për admirim.

    Qëndresa e polakëve në vazhdim ndaj Gjermanisë naziste, sovjetikëve; masakra e Katyn-it, kurajoja e Solidarnostit; pa përmendur kulturën e shquar, lëvruar në kushte aspak të favorshme, vijuan t’i ruanin të gjalla simpatitë dhe admirimin për këtë popull, që e ka merituar kaherë respektin.

    Francezët, ndërkaq, vlerësojnë lart dhe admirojnë sinqerisht popullin japonez, ruajnë admidrim edhe për atë rus, e jo vetëm këta. Por kjo është një tjetër histori, që s’mund të përmblidhet këtu.

  5. Urime autorit për shkrimin dhe vështrimin largpamës. Fatkeqësisht dhe jo rrallë dikush, i paditur dhe i paedukuar në komunikim, i qaset këtij bllogu dhe shkreh pisqollën në ajër, i pakënaqur, që nuk i ke përmendur për mirë ndonjë xhaxha të pushkatuar nga komunistët apo të vrarë nga ballistët, por ti tashmë e ke lëkurën e trashë dhe shpresoj ta kalosh sypatrembur. Më pëlqen mënyra jote më e drejtpërdrejtë e kohëve të fundit, për t’ju treguar menjëherë portën kujt vjen me pretendimin “nëma se s’ma ke”.
    Të kthehem në temë. Tema e “Italisë së humbur” është e një domethënie tragjike dhe fatale, ngaqë siç e vë re edhe ti vetë, Italia do të duhej të ishte shndërruar në busullën tonë kombëtare të orientimit politik dhe kulturor me të mirat dhe të këqijat e veta; dhe kjo për arsyen e vetme dhe të thjeshtë, se ne, në kohën kur dolëm nga diktatura ishim pak dhe donim shumë të bëheshim si Italia, shumëkush fliste një italishte të keqe e kuptonte një më mirë dhe, nëse mund të flitej për një Shqipëri moderne në shekullin e kaluar, kjo kishte lindur nën hijen e Italisë, pra ishte një ngrehinë e thjeshtë në miniaturë e asaj republike. E fillova kryesisht me shtetin, pasi jam edhe më i familjarizuar në këtë fushë dhe dua të them se i gjithë sistemi i organizimit të republikës, legjislacionit dhe realizimi i hierarkive administrative në shtetin shqiptar, ishin një shëmbëlltyrë e shteti Italian të paraluftës. Ishte Italia ajo që shërbeu si model për për ngritjen e shtetit të ri shqiptar të viteve 20 – 30. Dhe nuk kam parasysh këtu vijimin formal të gjerave, pasi në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike mbase Italia nuk ishte aq dominuese për përcaktimet e fateve të shqiptareve në momentin e shkëputjes nga Perandoria Osmane, por ishte pikërisht Italia ajo, që shqiptarët deshën të ngrinin në shtëpinë e tyre sipas parimit “shif e bëj”. Dhe kështu ndodhi. Unë jam i bindur, se ajo farë që u hodh ne truallin e shteti të brishtë është ai produkt që kemi edhe sot përpara syve. Në këtë kuptim “humbja e Italisë” është një rrethanë tragjike që do të na kushtojë shumë kohë për ta rikompensuar. Po marr një shembull të thjeshtë. Shtete të vogla si rregull disa gjëra nuk i zhvillojnë vetë nga e para, sepse për këtë nuk kanë ato kapacitete intelektuale të nevojshme. “Praktika juridike” është diçka e tille. Natyrisht që praktika juridike është produkt i gjykatave shqiptare duke u mbështetet konceptualisht në legjislacionin kombëtar, por për shtete të vogla ky legjislacion gjithepërfshirës merret/kopjohet si rregull nga shtete më të mëdha, që i kanë resurset ta shpikin rrotën nga e para. Si rregull, për arsye historike dhe kushtëzuar nga përafërsitë kulturore, zgjidhen si udhërrëfyese përvoja shtetesh fqinje. Në këtë kuptim mund të shkollohet më pas e gjithë kasta e juristëve sipas një shkolle, e cila është provuar në rrethana shumë më komplekse që është efikase. Në praktikën juridike parimet dhe gjykimet mbi ndërvarësinë e gjërave merren nga këto sisteme dhe vetëm me pak modifikime vihen në punë për mrekulli në sistemin kombëtar. Janë module logjike kompatibël, si loja me gurët LEGO. Mjafton që elitat kulturore ta orientojnë një herë busullën diku dhe të jenë konsekuente. Çdo kapërcim nga një sistem në një tjetër kushton kohë të matshme me epoka, dhe kjo kohë e humbur (një herë Italia, pastaj Bashkimi Sovjetik, pastaj Kina, pastaj Izolimi, pastaj ShBA) është vetën në disfavorin e shqiptarëve. Për këtë duhet (do të duhej) që Italishtja të ishte bërë prej kohësh gjuha e mendimit të kultivuar, siç ishte dy herë, fatkeqësisht për një kohë të shkurtër. Unë kam një eksperiencë të gjatë me kolegë tunizian, të cilët përfaqësonin midis tyre botëkuptime aq të ndryshme, sa ishin edhe për mua tejet evidente. Por emëruesi i tyre i përbashkët ishte Franca dhe mendimi frëng. Sapo ju duhej të notonin nëpër ujëra evropiane, por edhe kur ishin me njëri tjetrin, sapo ju duhej të gjenin mirëkuptimin, viheshin në emërues të përbashkët frëng, dhe ishin të kuptueshëm; për njëri – tjetrin, për mua, për evropianoveriorët e përtej-alpeve, me një fjalë ishin të dukshëm, të komunikueshëm dhe gjenin vend.

    Për shqiptarët do të kishte qenë mirë, që një elitë politike me një vizion progresiv ta kishte njohur nevojën që në fillim të viteve ’90 dhe të kishte vendosur prioritete si gjuha e mësuar mirë, studimi i literaturës italiane, i mendimit social-kritik të realiteteve të atjeshme, leximi i shtypit prestigjioz, RADIO3, RADIO3, RADIO3, literaturë italiane, film italian, komunikim publik në italisht, me një fjalë një afrim organik tek realitetet e atjeshme, do të na kishin vyer shumë.

    Përndryshe nuk e kam kompetencën e nevojshme për t’u shprehur edhe për lehtësitë për pasurimin dhe bashkëkohësizimin e shqipes nëpërmjet italishtes, kur mekanizmat e hyrjes se terminologjisë së huaj dhe ndërvarësive logjike përkatëse nga italishtja në shqip ekzistojnë si më shumë se me asnjë gjuhë tjetër. Apo të zgjatem edhe më tej për kënaqësitë e të lexuari të një literature fqinje aq të afërt nga pikëpamja emocionale, apo të shtoj diçka edhe për banalitete të tilla të karakterit konvencional, si ato pak kilometra që na ndajnë gjeofizikisht nga njëri – tjetri.
    Është edhe Franca, por nuk ka qenë asnjëherë aq afër, sikurse është edhe Turqia, por vërtetë do të ishte ky një opsion?

    1. “Do të vijë dita kur me veprimet e mia do të masësh kulturën” i tha Ai që e theu xhamin e biletarisë së kinemasë zyrtarit korrektues që i ngryste ditët në gjykatë.

      (Pishak, nëse nuk e kupton këtë fjali dhe nuk je në gjendje të ndërtosh një tregim nga kjo fjali hyrëse, nuk ja vlen të merresh më me shkrime!)

  6. Nje pershtypje te ngjashme me shkrimin e XhaXhait pata gjate votimeve te Eurovizion 2012, kur Shqiperia mori pjese ne finale. Patjeter qe nuk mund te merren per baze piket e dhena ne Eurovizion, pasi behet fjale per kenge dhe per shije muzikore, biles te nje gjinie te caktuar, por gjithsesi nje lloj tendence mund te shihej. Kryesorja qe me ra ne sy ishte se Italia kishte kaluar ne vend te 4 ne shijet e Shqiptareve duke u kaluar edhe nga Maqedonia.
    Nderkohe sigurisht qe ndershmeria apo korrektesia e pikeve qe jep cdo shtet ne raport me votat me sms te publikut, sidomos tek ne, nuk mund te merret kurre si e mireqene. Megjithate dicka binte ne sy kur Shqiperia votoi:
    Greqi: 12
    Turqi: 10
    Maqedoni: 8
    Itali: 7
    Qipro: 6
    Suedi: 5 (kenga fituese)
    Azerbajxhan: 4
    Rusi: 3
    Gjermani: 2
    Serbi: 1
    http://en.wikipedia.org/wiki/Eurovision_Song_Contest_2012
    Mendoj se dy dashurite me interesante nga ana psikologjike tek shqiptaret jane: (1) ajo e deklaruara me fanatizem dhe pompozitet per gjermanet dhe (2) ajo e fshehta tashme, e veshur me adhurim per serbet. Cdo “dashuri” e shpreur ne pike me lart eshte interesante te analizohet me vete, por mendoj se keto dy te fundit qe ndoshta ndodhen edhe me thelle ne subkoshience jane me pikantet.
    “Dashurite” e tjera te shpallura shqiptare per Ameriken dhe Angline, sidomos pas 98-tes, mendoj nga ana tjeter, jane teper te kuptueshme dhe pse jo shume te shendetshme. Interesante eshte te shikosh ndonjehere, per eksperiment mendor, se si ‘Amerika’ ka marre pak a shume rolin e “superegos” tek ne, dmth mutatis mutandis rolin e babait. Rol qe mendoj e meriton tek ne, pasi mendoj se ne shekullin e fundit, pra pertej kontributit historik te arberesheve te Italise ne ruajtjen e identitetit shqiptar, eksistenca jone ne harten politiko-gjeografike eshte kryesisht ne saje te tyre.

  7. Teme komplekse, per shume arsye. Ne rradhe te pare bie ndesh me “populli foli.” Nese populli nuk eshte agjent i cili mund te shtroje pyetje per zgjedhje, atehere populli nuk eshte as agjent i cili mund te artikuloje dashurine e tij.

    Ne rradhe te dyte, ne duam popujt e duhur per arsyet e gabuara. Amerikanet kane shume arsye per te qene objekt dashurie i shqiptareve, problemi eshte qe asnje nga keto arsye nuk sillet per te justifikuar kete dashuri, si c’e ka vene re edhe Xhaxhai ne shkrim me shembullin e nje kulture te pafund amerikane nderkohe qe vijne e perkthehen Danielle Steele. E kush nuk e do Ameriken dhe principet e saj republike qe jane me te vjetrat sot per sot ne bote. Ameriken e deklarates se pavaresise dhe te Washingtonit, Ameriken e Linkolnit, te MLK, etj, etj. Problemi eshte qe shqiptaret e duan sepse, si c’u riperserit ketu, Amerika eshte me e forta. Ne kete rast shqiptaret jane si ai femija qe behet tifoz i thekur i Barcelones sepse qellon qe kur ky femije vjen ne moshe te ndjeki futboll, Barcelona eshte ekipi me i pakontestueshem.

    Por e treta dhe me kryesorja, qe ka lidhje edhe me te dyten, dashuria per nje objekt eshte e tille qe arsyeja e duhur per kete dashuri eshte arsye qe i perket gjithmone rangut te fantazise. Per Lacan, psh, objet petit a, objekti i paarritshem i deshires, mund te gjendet vetem ne nje matrice apo harte fantastike, por jo ne realitet. Keshtu psh, gjithmone do te kete mosmarrveshje mes nje cifti te dashuruarish, mosmarreveshje qe e kane origjinen tek fakti qe ata nuk kane rene ne dashuri me njeri tjetrin, por me imazhin qe kishin krijuar per njeri tjetrin, tek virtytet qe i kishin mveshur njeri tjetrit. Po ashtu edhe shqiptaret, jo se kishin rene ne dashuri me italianet nje here nje kohe, por kishin rene ne dashuri me imazhin qe kishin krijuar mbi italianet nisur nga televizioni italian, a thua se italianet ne fakt jetonin si neper reklama. Edhe dashuria e sotshme per Ameriken apo Gjermanine, eshte nje dashuri per imazhin e ketyre vendeve jo vetem si vende te fuqishme por edhe si vende te drejta, te tilla qe e drejta (fairness) dhe fuqia nuk jane ne kontradikte me njera tjetren. Te qenit i fuqishem pa qene i drejte nuk eshte atribut i dashurueshem, dhe shqiptaret nuk jane aq budallenj. Mirepo ky vend ku fuqia dhe drejtesia nuk jane ne kontradikte me njera tjetren, e ky popull qe fuqine di ta komplementoje me drejtesi dhe drejtesine me fuqi, eshte pikerisht ai vend dhe ai popull koordinatat e te cilit ndodhen ne fantazi. “Second star to the right, straight on till morning,” tha.

    1. Shkruan:

      Teme komplekse, per shume arsye. Ne rradhe te pare bie ndesh me “populli foli.” Nese populli nuk eshte agjent i cili mund te shtroje pyetje per zgjedhje, atehere populli nuk eshte as agjent i cili mund te artikuloje dashurine e tij.

      Jo nuk bie ndesh, dhe le të mos humbasim kot kohë me semantikë shkollareske.

      Më lart unë nuk flas për vullnet politik dhe agjenci, por për afinitet kulturor, madje edhe këtë, në thelb, të reduktuar tek elitat kulturore. Nga kjo pikëpamje, fakti që një qyqar në Gollokamje mendon se bakllavanë më të mirë e bëjnë në Izmir të Turqisë nuk ngre peshë – por vota e tij, ndërkohë, vlen po aq sa e imja.

      1. Ke te drejte qe nuk ia vlen te humbasim kohe me terma shkollaresk, por c’e keqe na gjeti qe humbem pak kohe ne semantike? Pasi thelbi, qe ky afinitet ne kete shkrim ishte i reduktuar tek elitat kulturore, mua nuk mu duk shume eksplicit.

  8. S’më vjen aspak mirë që reagimi im nxjerr tifo nga shpellat për të shkepur moral zyshesh të parealizuara: të nderuar, edukatën e kam për vete dhe s’po ju kërkoj. Pullat i keni ju, shtypeni atë block zezën. Nëse ju pengon sarkazmi im, atëherë ju lutem pranoni drejtpërdrejt vlerësimin tim të hipokrizisë suaj: kur xhaxhai e nënqesh dikë që jeton diku më shumë *shqiptarisht*, më lejoni t’ia përqesh përzgjedhjen e *urtë* (por shterpe) të Italisë si pikë referimi në emër të shqiptarëve. E gjitha kjo për të transmetuar idenë se vetdeklarimi i flamurtarëve të qytetarisë nuk dallon aspak në thelb nga vetdeklarimi i flamurëtarëve të kombëtarizmit, apo flamurtarëve të llojeve tjera.

    Pra, pyetja e temës me të vërtetë nuk ka kuptim, por jo se shqiptarët e kanë vënë bastunin aty ku nuk jeni ju, por se shqiptarët janë tragjikisht fragemntar, pak-a-shumë duke ju falënderuar edhe juve.

    Megjithatë, lum ne për FK Kukësin që na bashkon në fitore, sepse shqiptari i bakllavës e ka kuptuar që në Europë shkohet me këmbë, e jo me laps.

  9. Tema qe ka trajtuar autori eshte bukur po r autori nuk ka aftesi te thote te vertetat. O ka frike, ose nuk i njeh.
    Se pari niveli i simpative ndertohet ne baze bashkepunimi ekonomik, kulturor. Jo me perralla Polake. Mjafton te shikosh nivelin e investimeve te Italise neSshqiperi dhe ta krahasosh me Malin e Zi dhe do shikosh qe per Italine Shqiperia ka shume me pak rendesi. Nuk po flas per Serbine.

    Se dyti duhet te njohesh se cfare dine italianet per Shqiperine. ASGJE. vetem dokumentaret me refugjate qe autori i lavderon * dhe nuk mendon se cfare pasojash le tek imazhi i shqiptareve ne Itali). Italianet nuk mesojne asgje per Shqiperine as ne shkolle askund. prandaj nuk kane asnje interes qe akoma per ata prodhon emigrante.

    Nderkohe imazhi i italianve ne Shqiperi eshte i shkaterruar. Qe nga korrupsioni galopant i Ambasades Italiane me Vizat, injoranca e theksuar e Institutit Italian te Kultures dhe institutit Luce deri tek Televizionet qe autori i lavderoka, por qe jane shkaku kryesor ku shoqeria italiane ka degraduar.
    Autori na kujton rinine e tij te hershme kur paska pare RAI. ne kohen e sotme eshte Interneti, ku njeriu zbulon dhe Planetin Mars, dhe fatkeqsisht Italia nuk ka me ate dinamike kultore dhe ekonomike ne syte tane, sic kishte tek autori para 30 vjetesh. Shqiptaret e duan kulturen Italiane dhe evropiane, ndoshta me shume sesa popuj te tjere ne ballkan. Por fatkeqsisht fqinji yne eshte prezantuar ne nivelin me injorant te mundshem.
    edhe dicka. italai eshte me eshtrenjte se Gjermania, dhe shume me pak cilesore ne te gjitha drejtimet. dhe me Avion arrihet njesoj si ne Mynih si ne venecia.
    Prandaj i dashur Autor merru me te madhin, jo me te voglin. fatkeqesisht italia eshte kthyer ne treg dytesor te kultures. Kjo eshte fatkqesi per ne, sepse eshte i vetmi fqinj qe ka kulture te madhe por per ne ka interes vetem ne kuader te Emigracionit.

    1. Siluhetai, me sa keni shkruar më lart, tregoni se jeni pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Njëlloj si shqiptari i përshkruar në esenë time, ju flisni për dashuri ndaj tjetrit, por e matni këtë me dashurinë e tjetrit. Dua të them se qëndrimi juaj është patetik dhe njëkohësisht folklorik – dhe jo në kuptimin e mirë të këtyre dy termave.

      1. nqs e ke lexuar une flas per interesin e tjetrit jo dashurine. titullin me dashuri e ke ti.patetiku jeni ju qe tregoni sukseset nepermjet elhaida danit.
        fatkeqesisht difekti ne Shqiperi eshte brezi juaj zz. Vehbiu. Ju sbete asgje ne diktature sbet asgje as ne demokraci. vetem beni teorira duke bere krahasime qe jo vetem i ka ikur koha por jane tradicionalisht te prapanueshme. Kontemporanitetin e keni si informacion por nuk e njihni.
        te keshilloj ta shikosh rihanen ne koncert se do mesosh me shume se nga RAI

  10. Pershendetje !
    Per mua,kryet e vendit e ze Amerika per shume arsye.Kohe me pare,lexova librin e Uesli Klarkut “Te besh lufte moderne” dhe aty ne nje bisede me S.Talbot per zgjidhjen e çeshtjes se Kosoves,ky i fundit e pyet per delegacionet e ballkanasve qe kishin ardhur ne Rambuje.
    “Po shqiptaret si t’u duken”-e pyet Talboti.
    “Ngjajne shume me neve (amerikanet),veçse janë të ndrojtur…” pergjigjet Klarku.,http://www.amazon.com/Waging-Modern-War-Bosnia-Kosovo/dp/1586481398.
    Duke qene se per vallezim dhe dashuri duhen dy pale dhe duke iu pergjigjur edhe titullit te shkrimit te Xha Xhait,ky eshte rasti qe Amerikes t’i japim çmimin e pare.
    Pastaj,vijne Gjermania,Anglia etj.
    Gati harrova ! Per çdo vit me 4 korrik ne Prishtine festohet ditelindja e SHBA-se,jo nga ambasada amerikane por nga populli shqiptar.

  11. Shikoni deklaraten per Lazaratin. 900 ton hashash me vlere 4.5miliard euro. keto jane lajme qe nxjerr ne evrope Italia per shqiperine. Kolumbia qarkullon rreth 12 Miliard dollare me kokaine, kurse Lazarati, nje cope fshat qe speshon me shume se 600 ton bashke me katunaret, prodhon 900 ton hashash. Pse behet kjo?
    italia ka partnere strategjike ne ballkan ish jugosllavine ( Srbine) dhe Turqine. per shqiperine si ka plasur ndonjehere. Kur ishte kriza e Kosoves nuk u be ndonje demostrate pro shqiptareve. Vetem kunder bombardimeve.
    shqiperi eshte shfrytezuar per ta kriminalizuar ne menyre qe Italia te thithi fonde per Shqiperine nga EU.
    Ketu ka qene ne Plan te pare : Emigracioni
    Jua merr mendja qe Marina italiane nuk eshte afte te ndaloje gomonet e rrugaceve nga Vlora? sigurisht qe mundet. Por emigrantet ne jug duheshin per te thithur fonde nga Eu per emigracionin. keto fonde pastaj kanalizoheshin nepermjet fondeve te pensioneve.
    droga dhe Prostitucioni. e njejta teori ka vlere per drogen dhe prostitucionin. Edhe ketu Italia ka dashur gjithmone te dale si vendi qe lufton drogen ne Mesdhe. Per te marre fonde. por per kete duhet shpikur dhe vendi qe ka droge. dhe u zgjodh shqiperia. Nuk theksohet qe kjo droge kalon portet italiane dhe arrin deri ne danimarke por theksohet qe prodhoihet ne shqiperi, dhe vlen 4.5 mild.
    Injoranca.
    italia ka sjellur ne shqiperi subjektet me te pakultuivuar. subjektet me injorante ne shqiperi jane promovuar ne Itali me qellim qe te kufizohet shlkembimi i gjere. Mardheniet jane limituar vetem ne fushen e kultures ( qe ka qene mediokritet i vertete). ketu mos ngaterroni ata artiste, sidomos muzikante shqiptare qe me mundin e tyre kane care. nga ana tjeter nuk ka ekzistuar bashkepunimi shekncor, prodhues, industrial, teknologjik, inxhinierise, mjekesor.

    Autori merret me dokumenatere me refugjate apo me Elhaida dani. Po pse ore ky eshte zhvillimi dhe shkembimi mes shteteve. Apo RAI qe eshte me keq se TVSH jone.
    Z. Vehbi te keshilloj te rritesh profesionalisht, te thuash te vertetat. kzy artikull eshte aq feminor, naiv sa sinqerisht u habita qe e keni shkruar ju.

  12. Dashurite me te mira dhe me plot historira jane mes komshijve duke filluar nga shkalla e pallatit, tek rrugica,tek qyteti…Ndersa dashurite me yjet,diellin a henen jane idilike.

    Komshijte e dashuruar kane dhe lezet,pasi gjith’heret do te shkrihet ‘dashuri-urrejtje’, te cilat e bejne te perjetshem kete nderveprim,pasi po nuk doli me ‘ylli’ atje lart ne horizont, ne pas ca kohe e harrojme.

    Mua me cudit sa me s’ka vetem dashuria shqiptare per pushtuesit,ata te vertetet,qe kane shkelur me thundren e tyre livadhet tona,ndac per te mire a te keq, si turqit,italianet,gjermanet…

    Te dashurohesh me amerikanet per demokraci,te bie te fiket,pasi burimi i demokracise eshte ketu prane nesh,ne brinje.Te dashurohesh me francezet per letersine,alivanosesh,pasi shkruesit e pare jane pas nesh ne jug.Te dashurohesh pas filozofise angleze duhet te mos harrosh nga e ka prejardhjen kjo fjale.Te dashurohesh pas ‘picave’ te rilindjes,pas ‘makinave’,pas ‘robin hudeve’,pas…eshte tjeter lloj ndjesie qe vetem dashuri nuk e meriton emertimin.

    Dashuria ne fund te fundit eshte bashkejetese, aty ku shfaqen vezullimet dhe hijezimet, aty ku lindin ‘puthjet dhe krimet’,…

    Te duash e te mos te duan eshte te vuash deri ne vetvrasje.

    Dhe nuk eshte ‘cunam’ qe here pas here te ndryshojme dashuri e bashkejetese.

    1. Safo: “Te duash e te mos te duan eshte te vuash deri ne vetvrasje”.

      Ka diçka nga të vërtetat sublime kjo fjali. Prandaj është më mirë të mos flitet për dashuri midis popujve e kombeve, por për ndjenjë respekti reciprok kulturash, historish, etj. Kjo ka qenë edhe fatkeqësia e madhe e shqiptarëve, sepse në vendin e shqipes, është folur për dashuri, nje psikoze e semure e delirante dashurishe midis popujve, popullit shqiptar dhe popullin italian, grek, francez, gjerman, sovjetik, kinez, etj.

      Kur flitet për dashuri bie në një grackë që nuk di të dalësh. Pavarësisht përmasës, kalimit nga një marrëdhënie midis dy individësh, në dimensionin e komuniteteve dhe kombeve, dashuria e mos reciprokuar është njëlloj si të vazhdosh të këmbëngulësh, të jetosh në një subjektivizëm të frikshëm mendor, i rrethuar nga një mentalitet prej të izoluari të pashpresë, asnjëherë të kuptuar dhe të ndjerë.

      Siç e përshkruan shprehja e perifrazuar se “nëse nuk reciprokohet dashuria prej atyre që pritet të ta japin, nuk bëhet gjë tjetër veçse vazhdohet kërkohet, të lypet prej tyre, në pafundësi”.

      Kur kjo marrëdhënie e tillë shkon gjatë, dashuria mund të kthehet në gjysmë franxholle që forcohet dhe e zë myku; një gjysmë franxholle e hidhëruar.

      Dashuria mbetet në thellësi, pavarësisht shfaqjes së jashtme që mund të reflektojë frustracionet, zemërimin dhe injorimit të gjatë. Dashuria e pa reciprokuar nuk shteron, për me shumë, nuk kthehet kurrë në indiference.

      Është njelloj si të mbash peshën e një dënimi biblik.

      Duke qenë se mbetet e pa përmbushur, për kërkuesit e saj do të sjellë një gjendje morboze, shkakton luhatje midis gjendjeve euforike dhe depresionit, sikurse në një të sëmurë mendor. Traumat e mëdha në jetë shkaktojnë edhe shfaqen e sëmundjeve psikike. Gjithmonë do të shoqëroje si një kryq mbi shpinë ndjenja e nënvleftësimit, ankthi, pavarësisht se fizikisht e mendërisht mund të kesh vetzgjedhur izolimin apo ekzilin.

      1. S’e kisha menduar që semantika do të dominonte komentet rreth këtij shkrimi.

        Ka një dallim mes dua dhe dashuroj, që italishtja e shpreh me “ti voglio bene” vs. “ti amo.” Unë shkruaj për konceptin e parë, jo të dytin; të cilin, në shqipe, mund ta themi edhe “të kam xhan.”

          1. Nuk e marr vesh pse pikërisht kjo temë (që nuk ishte dhe aq polemizuese) tërhoqi një tufë kërriçash të këtij kalibri. Çfarë i shqetësoi kaq shumë, xhanëm?

        1. Unë personalisht nuk shoh problem me përdorimin e foljes “dua”(me dasht) dhe e kuptoj se çfarë është dashur të projektohet nëpërmjet shkrimit.

          A do ta lidhja me ndryshimin semantik midis “amo” dhe “voglio”, kjo për mua është tjetër gjë. Për dikë siç është rasti im dhe me siguri dhe i juaji 2xha,
          ndoshta edhe shumë të tjerëve, kur gjuha(italishtja) të ka drithëruar emocionalisht, kur e ke mësuar në të shkruar(dhe në të folur), njëkohësisht kur pasuroje e mësoje në të shkruar gjuhën e nënës, interpretimi vjen natyral.

          Mendoj se kuptimin e foljes “voglio” e nxjerr nga thellësia e pusit të ndjenjave njerëzore, duke dëgjuar këngën e Lucio Dalla(es) “Caruso” (Te voglio bene assai/te voglio tanto bene sai/è una catena ormai/che scioglie il sangue dint’e vene sai… sidomos kënduar nga Dalla dhe Pavarotti).

          Shkurt pra, nuk mund të projektosh “amore”(pavarësisht se nuk duhet harruar “l’amore per la patria” 🙂 duke u kujtuar se eshte me shume faji i poeteve qe krijuan kete marredhenie dashurie), nuk mund të projektosh “dashuri” qoftë ndaj njerëzve, qoftë ndaj popujve apo kombeve. Është shume egoiste, që të bën të humbasësh racionalitetin. Është me shumë fizike, prej mishi. Mos harrojme heronjte qe dhane jeten per atdheun. 🙂

          Kurse “volere” është një ndjenjë shumë më përfshirëse, më e thellë njerëzore. Ne të gjithë “vogliamo bene” nënat, baballarët, vëllezërit, motrat, fëmijët, shokët, bashkëshortet, etj. Nuk e di se është një projektim marrëdhëniesh, se sa më shumë një lidhje e thellë, që ekziston apo zhvillohet që në lindje dhe gjate rritjes, shpirtërore pëlqimesh, dëshirash, aspiratash të përbashkëta, etj.

          Kur flet për popuj e kombe të tjerë flet për marrëdhënie: admirime apo mospërputhje kulturash, dëshirash të përbashkëta për të komunikuar, për të shkëmbyer eksperienca apo për të qëndruar larg njëri-tjetrit. Të gjitha janë të lidhura me histori interesash, marrëdhënie, shkëmbime kulturore apo materiale, histori bashkëjetese, etj (më pëlqen kultura X or Y, dua të mësoj kulturën, gjuhën X ose Y, dëshiroj të ndjek studimet apo të jetoj në X ose Y, etj.)

          Në fund, mendoj se problemet semantike lidhen edhe me vet foljet dashuroj, dua, etj, aplikimin dhe përdorimin e tyre, që siç mund të merret me mend lehtë, i ke për zemër vetë dhe është si të thuash “il tuo cavallo di battaglia”.

  13. pas 8 vjetesh Irani e nderroi liderin e vet. ahmanidexhad nuk figuron me ne jete politike te Iranit. Kurse nee itali Andreoti, berluskoni, d’alema. Dini, PRODI etj kane nga 40 vjet. Kjo tregon shume per Italine dhe i jep pergjigje dilemave tuaja.

  14. Kohe te bukura ato kur donim Italine. Toto Cotugno, Ambra Angioini, Topo Gigio, etj (besoj se duket qe dashuria ime ndaj saj, ka qene e fillim viteve 90′). Idilike, romantike, platonike, madje edhe magjike deri diku. Te pakten per mua, kur nje dite te bukur me duket sikur me moren nga kanapeja ku isha ulur me pult ne dore e po shihja “Bim Bum Bam-in” e me cuan ne kryeqytetin e Regio Basilicata-s – Potenza. Binjakezim shkollash na thane. Keshtu u njoha me Italine, do kem qene jo me shume se 15 vjec. Pershtypjet ishin mbreselenese. Italia e reklamave te “kinder sorpresa-s” ishte aty, e prekshme dhe shkelqente. Koha kur e vizitova (dy here) perkoi nje here me festen e Krishtlindjeve dhe heren tjeter me Pashken. Kishim bujtur neper familje me femije qe ishin ne moshen tone te atehershme. Italia me dukej mrekullia vete – atehere. Duhet te kete ngelur e bukur, besoj.

    Por Italia pothuajse nuk e ka marre ndonjehere seriozisht Shqiperine. Nder heret e pakta qe e ka bere, ka qene kur e ka pushtuar… Sipas tradites labe, sikur t’i shpallnim edhe nje here lufte e te “na mbante me buke” nuk do ish keq.

    Italia ka qene dritarja e vetme e Perendimit per shqiptaret, per shume vjet pas nderrimit te sistemit madje. Pastaj fale Bill Gates-it dritaret u shumuan dhe Italia e gjeti veten si nje prej dritareve dhe pothuajse gjithmone jo ajo me e deshirueshmja.Ndodhi nje riperkufizim i vetes nepermjet krijimit te diaspores – qe prej greqishtes do te thote “shperndarje” (prape po futin hundet keta greket), keshtu Italia nuk eshte me “ajo e para”.

    Me duket se shkrimi aludon qe, mungesa e nje “Italie” si toke e deshirave dhe endrrave, perkon me nje mungese fantazie, ideali dhe vizioni. Nese po, edhe une mendoj se eshte keshtu. Evropa ne teresine e vet, nuk po arrin ta zevendesoje dot Italine e atehershme. Teper abstrakte dhe e komplikuar per nje popull pragmatist.

    1. Eh, kam qenë edhe unë në Potenza, dikur në 1995. Qytet i vogël i qetë që më kujtoi Gjirokastrën – më bëri përshtypje që njerëzit atje bënin xhiron e mbrëmjes, njëlloj si në Tiranë.

      Përndryshe, më duket fare i cekët reagimi i ca të panjohurve këtu, që krahasojnë imazhin “tonë” të Italisë, me realitetin e atjeshëm; a thua se realiteti italian paskësh më shumë rëndësi për ne, sesa imazhi që ne kemi në mendje!

      Edhe një gjë tjetër; marrëdhëniet kulturore dhe njerëzore mes italianëve dhe shqiptarëve, pas vitit 1945, i kam parë gjithnjë me interes dhe i kam ndjekur në historinë e tyre për dekada; dhe më vjen keq kur blogu, për shkak të formatit që ka, më vë tani në kontakt me njerëz jo vetëm të pagdhendur (lexo: të trashë), por edhe arrogantë në padijen e tyre. Kujtesa e shkurtër është rruga më e sigurt për të ecur në vend numëro, edhe pse ne, si shqiptarë, nuk kemi shumë ç’të përsëritim nga historia!

      1. Nese sebepi per te qene ju ne Potenza ka qene nje grup femijesh prej Gjirokastre, kjo do ishte surprize vertet e bukur. Une nuk e mbaj mend mire, ose Krishtlindjet e 95′ ose 96′. Me shume se gjithcka tjeter, Italia me tregoi fytyren e vet me te ngrohte e njerezore te mundshme, meqe bujta ne nje familje tradicionale dhe ndejta aty per plot dy jave. Qyteti ishte vertet i bukur, megjithese i vogel, por i ngrohte dhe i paster.

        Xha Xha, une jam dakord me Pifton per trajtimin e trogloditeve qe u bie rruga ketej pari.

        1. Jo, në fakt më pat thirrur një kompani ujësjellësi, për t’i ndihmuar me një material që duhej të përkthenin urgjentisht; ata më paguan dhe hotelin, për aq ditë sa ndenja.

  15. Pas 1997 ne Itali ka pas nje perbuzje gjithnje e ne rritje ndaj shqiptarevei. Diku dukej qart dhe hapur diku nenkuprohej. pas vitesh qendirim aty kam arritur ne perfundimin se jan nje popull aspak serioz.

  16. si nuk degjuam nje fjale pozitive per shqiptaret qe jetojne e punojne rregullisht ne Itali prej vitesh. E kur jepej ndonje emision i tille ne TV zakonisht shfaqej ne oret ku nuk e shikon njeri maximumi disa pleq te rrjedhur me nostalgjine e luftes ne shqiperi. Me beri pershtypje nje dite tek kaloja ne rruget e nje qyteti lexova te afishuara disa lajmerime te dhene nga komuna, ishin ne te gjitha gjuhet e te huajve migrante ne Itali, mungonin ne gjuhen Shqipe.
    Nuk ka dashuri mes shqiptareve dhe italianeve perderisa ata urrejne vet popullin e tyre mendo sharjet veri-jug.
    Italia ishte porta e pare qe na u hap drejt botes kapitaliste. Kush me shpejt e kuptoj se Italia ishte qendrim i perkohshme per te ikur me tej dhe mori çfare ishte me e mira aty fitoj shume. Shqiperia kopjoj nipotizmin e tyre dhe mafien e tyre te shemtuar e sot jemi ketu ku jemi. Saluti

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin