BURSA E DIPLOMAVE

Në qoftë se fakultetet e letrave nëpër botë lotojnë prej kohësh, në Shqipëri tashmë qarja bëhet me dënesë. Dhjetëvjeçarët e fundit kanë qenë dëshmitarë të erozionit të vazhdueshëm të fakulteteve ku studiohen degë si historia, filologjia, filozofia, gjuha shqipe, letërsia, gjuhët e huaja, gjeografia. Gërryerja ka prekur si prestigjin e këtyre fakulteteve, ashtu edhe numrin e studentëve që i ndjekin ato. Në Shqipëri fakultetet e letrave nuk janë aq të kërkuara, në krahasim me simotrat e fushave të tjera.

Të dhënat që jepen në shtypin ndërkombëtar janë vërtet shqetësuese. Në fakultetin e Harvard, vetëm 20 për qind e studentëve kanë përfunduar diplomën në histori. Një shifër tejet e ulët po të kihet parasysh tradita e pasur e këtij fakulteti në lëmin e historisë. Gjithashtu negative janë të dhënat nga universitetet e tjera amerikane. Lëndët e humanistikës nuk ndiqen më si dikur as në Europë. Në Itali, vendi par excellence i artit dhe i kulturës, fakultetet përkatëse kanë pësuar rënie të studentëve me 27 për qind. Edhe në Francë, vendi tjetër sinonim i kulturës botërore, situata nuk duket optimiste.

Që auditorët e fakulteteve të letrave po boshatisen vit pas viti është përballë syve tanë. Për më tepër e vërtetuar nga shifrat zyrtare. Në bursën e diplomave duken si letra pa vlerë. Për të gjetur arsyet e shkretimit të shkollave letrare nuk lipsen studime të posaçme. Studentët parapëlqejnë degë të tjera që mund t’u sigurojnë punë të sigurtë, ndaj edhe zgjedhin ekonomi, inxhinieri, arkitekturë, informatikë, juridik, mjekësi, etj. Sidomos pas zhvillimit të vrullshëm të teknologjive moderne. Në Shqipëri, vitet e fundit, kulti i diplomës universitare është pasuruar me shenjtërimin e degës ekonomi-biznes, ose financë-kontabilitet, ku janë të paktë ata që nuk kanë marrë një copë master, kurs specializimi, apo diçka të ngjashme.

Përshtypja është se pas dehjes me juridik, ku u diplomuan të gjithë të diplomueshmit, tani klientela shqiptare i është kthyer me babëzi administrim-biznesit. Fakti është se askush nuk e kthen kokën nga gjuhë letërsia, ose nga historia, përveçse nga halli. Madje kush ka mbaruar studime të tilla, e ndjen se diçka nuk shkon në përgatitjen e tij për jetën, e si rrjedhim i futet juridikut, ose biznesit, në kuptimin e degës studimore. Universitetet private nuk duken të interesuara për të hapur fakultete të fushës histori-filologji, çka tregon se nuk ka treg.

Dydiplomësia në Shqipëri është bërë e zakonshme, në modë, madje në prag të perëndimit, të konsumimit, meqë në derë herët e vonë do të trokasë tridiplomësia. Falë edhe sistemit të part-time. Sipas gjasës, degët e letrave do të dalin edhe nga listat e diplomave për t’u marrë në konsideratë. Studentët që nuk i zgjedhin janë në thelb viktima të një sistemi të mangët.

Edhe pse mbrojtja e degëve të humanistikës duket e tepërt, edhe pse ndoshta kërkon hapësirë tjetër, duhet kujtuar se mendimi, qoftë brenda degëve aktualisht në modë, ka nevojë të krijohet, të organizohet, të nyjëtohet e të shprehet. Për këtë mbetet e domosdoshme kultura e përgjithshme, por edhe gjuha si mjet shprehjeje. Ekonomistët e juristët më të mirë janë ata që e njohin njeriun e njerëzimin, skutat e shpirtit të tij, që mund të njihen vetëm duke studiuar mbi të gjitha filozofi, histori e letërsi.

Kundërshtia e braktisjes së këtyre lëndëve më shumë se kudo vihet re në Shqipëri. Vendi ynë ka nevojë ta njohë veten, pra historinë, gjuhën, kulturën; e t’i bëjë pyetje vetes si bashkësi për të ardhmen që duhet të ndërtojë. Ndonjëherë në mënyrë të pavetëdijshme kjo kërkesë shfaqet në diskutimet për gjuhën dhe historinë, që kapin jo rrallë majat e histerizmit, sepse kanë të bëjnë me identitetin shqiptar e riprodhimin e tij. Kur preken tema të tilla, pak janë ata që tërhiqen nga debati, nga forumet e internetit tek kafeneja, pavarësisht nga përgatitja e formimi. Mirëpo, kjo kërkesë “e brendshme”, në analizë të fundit, nuk ngre peshë në zgjedhjen e atyre lëndëve që përndryshe do të prodhonte vetëm mësues province.

Ka ardhur koha që institucionet të merren seriozisht me prestigjin e atyre fushave nga të cilat varet shqiptaria e vërtetë, e djeshmja, e tashmja dhe e ardhmja. Nga lëndët humaniste varen edhe rregullat e bashkëjetesës e si rrjedhim ekonomia dhe biznesi, e drejta dhe demokracia, mjekësia dhe arkitektura. Por mbi të gjitha shkencat e studimeve njerëzore e shoqërore farkëtojnë mendimin kritik, pa të cilin asnjë fushë nuk mund të ecë përpara.

Nuk ka komente

  1. Tamam keshtu! Ne rastin e universiteteve amerikane, nje tjeter arsye (e lidhur, sido qofte) per renien e theksuar te ketyre degeve vec faktit qe studentet vete jane te interesuar ne dege te tjera qe paguhen me mire, eshte edhe se vete administrata e universiteteve me te mira shkurton hapesirat e departamenteve te humaniteteve edhe atehere kur ka kerkesa studentesh. Ose nuk hap linja “tenure” per profesorat te ri, ose kur dikush prej ketyre departamenteve del ne pension, e mbyllin fushen ose linjen e studimeve ne vend qe ta zevendesojne. Pa zene me goje pastaj faktin me te turpshem qe rroga e nje profesori ne filozofi ose histori eshte sa gjysma e njerit ne inxhenjeri, business apo juridik (Law). Arsyeja eshte se me konceptimin e universiteteve si qendra qe nxjerrin parane e vet, te gjithe universitetet duan departamente qe e sjellin parane nga jashte (grants dhe kontrata me kompani e fondacione). Aq me shume eshte keshtu tani qe shteti perkates paguan minimalisht per universitetet e ashtuquajtura “shteterore” qe vetem te tilla nuk jane me. Shqiperia ne kete rast meson nga “me te miret”.

  2. po te shohesh kuotat e miratuara nga qeveria nuk jane edhe aq pak, ve re kuotat per mesuesi ne universitetet e korces, elbasanit, shkodres, durresit dhe tiranes ( p.sh. per ciklin e dyte, pra master, Vendim i KM, Nr.565, Dt. Aktit: 27.06.2013, Dt. Miratimit: 27.06.2013, Flet.Zyrtare Nr.121, Faqe:5223), si edhe vendimet per kuotat e studenteve me kohe te pjesshme e te ciklit te pare. Nga nje perllogaritje e shpejte me excel p.sh. er ciklin e dyte, pra master, Tirana ka kerkuar 1972 studente ndersa Korca 420 ne gjuhe letersi, histori dhe gjuhe te huaja. Tirana ka pra gati 36% te 5400 e ca studenteve, dhe kjo vetem per ciklin e dyte.

    Sidomos ne shqiperi, eshte bere tradite qe filologjiku te krijoje disa tipa amfibe qe notojne ne mesuesi dhe ne shkencen e gjuhes apo te historise njekohesisht e shifrat nuk mund te dalin te qarta.

    1. Para se të shkruaja artikullin më ranë në dorë kuotat e shtesave sipas fakulteteve dhe degëve. Fakultetet e histori – filologjisë (humanistika) kishin më pak nga të gjitha. Tregues kuptimplotë në një sistem ku shkolla e lartë ka kuota pranimi do të ishte zgjedhja e parë. Po të kisha mundësi do të kërkoja shifrat e zgjedhjes së parë që bëjnë studentët. Jo ku përfundojnë “nga halli”. Do të hulumtoja edhe cilësinë e zgjedhjes, në kuptimin që shpeshherë shkolla e lartë bëhet sa për të pasur në xhep një diplomë universitare.
      Tregues tjetër i rëndësishëm është mungesa e këtyre degëve në universitetet private. Po të kishte pasur kërkesa e dëshirë do të ngriheshin me dhjetëra fakultete si kërpudhat pas shiut.

      1. kjo ngase, sic edhe thashe me pare, nuk ve re se mesuesia i ka gllaberuar si disiplina te aplikuara dhe jo lemi kerkimi. Nder privatet te them se cilat kane mesuesi, per histori, gjuhesi etj. 1. shkollat koti: Albanian University (mesuesi dhe anglisht), kristal (mesuesi te gjitha ciklet dhe lemite), akademia pedagogjike e tiranes (musa kraja) ka mesuesi, nena mbretereshe geraldine (burrel, i ben konkurrenc Kristal nga zona e matit), Vitrina, e te tjera qe nuk me shkojne ndermend si dy shkolla private ne Shkoder, por edhe shkolla te mira si 2. UET dhe Beder ofrojne mesuesi per gjuhesi etj.

        1. Ne gjuhesi dhe ne fushat studimore-kerkimore te saj mund te futesh nga dritare te ndryshme akademike te nivelit bacelor, vecanerisht prej shkencave humaniste. Megjithate duhet shtuar nje “por”, qe nenkupton me pas domosdoshmerine e specializimit, doktoraturat, prane katedrave apo personave qe konsiderohen specialiste te njohur, me reputacion ne fushen perkatese, ne rastin tone ne linguistike, etj.

          Stazhi studimor, marrja e titujve, doktoraturave dhe produktiviteti ne nivelin e literatures shkencore eshte cka ben dallimin me vone.

          Problemi eshte se per vende te tilla pune, nuk ka kerkesa te medha, jane fusha te specializuara dhe ne tregun privat kerkojne kreativitet edhe iniciative.

          Keshtu duke e pergjithesuar rastin, me vjen ndermend rasti i afro-amerikanes Janet Byron Anderson, e cila doktoraturen e ka mbrojtur ne fushen e lingustikes dhe si teme ka patur studimin e krijimit te standartit ne Shqiperi, kurse sot hulumton “medical linguistics” duke patur kompanine e vete konsulente, nderkohe qe nuk ka pushuar aktivitetin e saj si linguiste me artikuj dhe editore ne fushen e leksikografise mjekesore.

          Ne rastin e Shqiperise sot, mendoj se shteti nuk i ka kellqet ekonomike si perpara te stimuloje financiarisht fushat dhe deget qe merren me lingustiken apo humanistiken. Duket se gjuhetaret dhe studiuesit e fushave humaniste jane me shume ne dore te benefaktoreve, iniciativave private, granteve apo pronareve te universiteteve apo instituteve private.

  3. Citoj:

    “Ekonomistët e juristët më të mirë janë ata që e njohin njeriun e njerëzimin, skutat e shpirtit të tij, që mund të njihen vetëm duke studiuar mbi të gjitha filozofi, histori e letërsi. Kundërshtia e braktisjes së këtyre lëndëve më shumë se kudo vihet re në Shqipëri.”

    Po, mendoj se problemi me i madh, e qe shkrimi e thekson me te drejte, eshte mungesa e formimit humanist ne te gjitha deget universitare, e sidomos ne deget qe nuk i perkasin shkencave shoqerore. Menjanimi i lendeve si letersia, historia e filozofia nga kurrikulat e degeve me te kerkuara sic jane ekonomiku, juridiku, e shkencat politike eshte krejtesisht i papranueshem po te marrim me mend se te diplomuarit do te jene ata qe do te menaxhojne njerezit, politikat, drejtesine. Pse eshte kaq e veshtire te kuptohet se ka nje njohje te natyres njerezore qe perftohet prej studimit te nje romani ne shkolle dhe e cila paraqet nje epistemologji qe eshte ndryshe, e ndoshta me e sterholluar, se njohja qe ofron psikologjia si shkence apo marketingu si disipline?

    Mungesa e lendeve te humanistikes neper te gjitha deget universitare me duket problem edhe me i madh sesa mospelqimi apo mosfrekuentimi i mjaftueshem i degeve te fushes se humanistikes.

    1. serish ky eshte nje perceptim i gabuar qe nuk ka baze reale. Ne sistemin e arsimit te larte tonin humanistet kane dy kanale kryesore percimi: nepermjet programeve te studimit (kurrikules) dhe personelit te angazhuar.

      se pari, ne te gjitha programet e studimit bachelor, per cdo disipline, ka nje sere lendesh te pergjithshme nga shkencat humanitare qe zene deri ne 60 credite (ECTS) cfare perben 1/3 e studimit ne kohe dhe ne permbatje. Keto lende jane zakonisht: shkrim akademik, metoda kerkimi, anglisht a ndonje tjeter gjuhe e huaj, logjike per disa dege ose hyrje ne psikologji, sociologji, histori etj.

      se dyti, te pakten nga vezhgimet e mia sporadike, rezulton se personeli akademik i angazhuar ne shkollat e larta vjen nga nje tradite e hershme e edukimit humanist ne shqiperi, packa se e lidhur me ideologjine e sistemit te vjeter. P.sh. eshte shume e zakonshme te shohesh se metodat e kerkimit i jep nje filozof i marksizem-leninizmit apo psikolog, ose shkrim akademik te jepet nga psikologe, gjuhetare, historiane etj. Dhe kjo shkon deri aty sa te shohesh se lende te cuditshme, te gatitura per te zene njerezit me pune ose plotesuar ngarkesen e caktuar mesimore ne fakultete, jepen nga personel pa kurrfare lidhje me temen, lidhje kjo e munguar qofte nga edukimi i meparshem apo nga pervoja akademike.

      1. Ashtu shpresoj dhe une, qe te mos jete gje tjeter vecse nje perceptim i gabuar personal. Ju dukeni qe keni me shume informacion mbi kurrikulat, ndaj dhe jam i prirur t’i ve veshin verejtjes tuaj. Megjithate le te keqyrim per nje cast nje aspekt te caktuar, pasi kjo problematike qe shtrohet eshte kaq e gjere dhe e shperndare saqe te mos evidentohen kollaj defektet konkrete te sistemit.

        I vetmi ilustrim qe une dhashe ne komentin tim kish te bente me letersine. Pra thashe se studimi i romanit (apo poezise a drames) mungon si lende nderdisiplinare (jashte deges se gjuhe-letersise) ne kurrikulat e fakulteteve te tilla si juridik, ekonomik, shkenca politike. Kjo mbetet keshtu edhe pasi ju keni listuar nje sere lendesh te humanistikes qe thoni se ofrohen gjeresisht. Shkrimi akademik, nje disipline shume e rendesishme kjo per te mesuar ushtrimin e zhanrit te esese, apo edhe perpilimin e dokumentave te llojit te biznesit (projekte, raporte etj.), nuk e prek letersine. Gjuha e huaj, zakonisht gjuha angleze qe dominon neper shume fakultete, zhvillohet ne menyre te tille qe programi t’i pershtatet fushes ne te cilen studentet po specializohen. Pra, studenteve te mjekesise u ofrohet anglishtja mjekesore, atyre te juridikut u mesohet zhargoni i specializuar ligjor e keshtu me rradhe. Gjithcka ne rregull, por ama letersia nuk mbulohet ne programin e gjuhes.

        Pare ne kete prizem te ngushte, pra mungesa e komponentit letrar ne formimin e pergjithshem universitar, pohimi juaj se perceptimi im “nuk ka baze reale” me duket se nuk qendron plotesisht. Kjo qe thashe vlen gjithmone per letersine. Autori i shkrimit permendi dhe filozofine e historine dhe une i mora keto si te mireqena qe mungojne. Ju po thoni se ka disa lende si, citoj, “llogjike” apo “hyrje ne histori”; por nuk eshte e qarte nese keto aplikohen ne ndonje nga fushat specifike per te cilat une po flisja: ekonomik, juridik, shkenca politike.

        Nese iu behet mbare ta vazhdoni diskutimin mendoj se mund te mesojme dic me shume ne menyre reciproke. Me siguri une do te jem ai qe do mesoj me shume me ate rast, por kjo pak rendesi ka. Ideja eshte: sa komponente humaniste ka sistemi, dhe sa duhet te kete ne fakt?

        1. por nuk eshte e qarte nese keto aplikohen ne ndonje nga fushat specifike per te cilat une po flisja: ekonomik, juridik, shkenca politike.

          mjafton te shohesh programin e juridikut p.sh. dhe do te shohesh se faktikisht eshte i shembur ne histori dhe shume pak teknika te interpretimit juridik. Ne programin e juridikut ke cudira te tilla si “institucione nderkombetare” apo “filozofi e se drejtes” qe faktikisht organizohen kryekeput si lende historie dhe te drejtuara nga historiane, edhe me libra po aq te cuditshem pa kurrfare citimi e bibliografie si libri i Arben Putos, tjeter historian.

          ne programin e ekonomikut ke p.sh. histori te institucioneve financiare apo histori te mendimit/teorive ekonomik, qe jane pjese e kurrikules edhe ne shkollat perendimore.

          ne shkenca politike p.sh. ke histori institucionesh, histori bashkekohore, te mendimit politik etj. Madje, perceptimi im eshte se shkencat politike dhe marredheniet nderkombetare nuk kane arritur ne shqiperi te emancipohen ende nga veshtrimi historiografik (ndoshta pse nje pjese e pedagogeve vijne nga italia ku eshte e njejta gje) dhe te kalojne ne ate teorik, filozofik, te krahasuar e aplikativ, kjo se p.sh. lenden “marredheniet nderkombetare” e japin historiane pa kurrfare pergatitje teorike ne teorite e marredhenieve nderkombetare dhe te institucioneve nderkombetare.

          persa i perket letersise apo artit. Sot gjithkund ne perendim kerkohet qe studentet te perballen me njohuri nderdisiplinore dhe kriteret e vleresimit kalojne pertej kerkesave te nje fushe te caktuar: nje teze duhet te jete stilistikisht e shkruajtur mire, e pasur ne kendveshtrime te larmishme dhe instrumente te ndryshme per percjelljen e saj (multimediale etj.), e nderthurur, gati eklektike, e sajuar ne menyre origjinale ne konstruktin e saj teorik etj, shkurt: te perdoret nje lloj kreativiteti. Gjithashtu edhe seminaret pedagoget duhet t’i organizojne ne menyre nderdisiplinore e kreative. P.sh. nuk mund te flitet teorikisht mbi konfliktin e luftes se ftohte ne marredheniet nderkombetare pa e nderthurur me shfaqjen e ndonje filmi si i Kubrick (Dr. strangelove … ) apo qe studentet te mos organizojne debate a ndonje teater per inskenimin e konfliktit. Por kjo ngelet ne vendimin e pedagogut dhe kohes se tij (e veshtire me sallat e leksioneve qe shperthejne nga viti ne vit ne Shqiperi).

          1. Falemnderit per informacionin konkret. Keto te dhena e plotesojne pak perspektiven e problemit.

            Desha ta ndjek pak me tej ceshtjen e letersise dhe artit ne kurrikulat e degeve te ndryshme, qofte ne shkencat shoqerore e, pse jo, edhe ne shkencat egzakte. Sistemi universitar amerikan, prej pikeveshtrimit te se cilit nisem dhe une, i ka integruar letersine dhe artet si pjese e pandashme e te gjithe sistemit e ku cdo student, i shkencave shoqerore a egzakte qofte, duhet te kete kredite prej lendeve te tilla, qofte edhe nese behet fjale per nje a dy lende letrare-artistike ne kater vjet studimesh. Kjo tregon dicka per filozofine e arsimit ne ShBA ku eshte gjetur menyra per te balancuar specializimin e skajshem e te ngushte teknik me nje qasje me gjitheperfshirese kulturore (‘holistic approach’). Meqenese ne kete qyteterim zhvillimet e tregut e teknologjise kapin ritme marramendese, sistemi kerkon vazhdimisht menyra per te parandaluar kthimin e qytetareve ne ‘makina’ te punes dhe tregut. Ndaj nje kombinim i specializimit shkencor e profesional me kulturen e pergjithshme, qe e ofrojne lendet e humanistikes, eshte vital. Filozofja e njohur Martha Nussbaum, nga universiteti i Chicago-s, i ka kushtuar vemendje raportit mes demokracise funksionale dhe kultures se qytetareve qe e ndertojne kete demokraci. Keshtu, ne nje liber te saj te koheve te fundit,_Not For Profit: Why Democracy Needs the Humanities_, ajo ngre shqetesimin se pa nje trajnim te mirefillte ne lende letrare e shoqerore bota do te mbushet me “punonjes te specializuar por me mendje te ngushte” ne vend qe te kete “qytetare te kompletuar te cilet jane te afte te mendojne vete, te jene kritike te tradites dhe autoriteteve, si dhe te kuptojne domethenien e vuajtjeve apo sukseseve te dikujt tjeter”.
            (http://news.stanford.edu/news/2012/february/nussbaum-democracy-humanities-020912.html)

            Kam pershtypjen se nje bindje e tille si filozofi arsimi mungon ne Shqiperi, pra ne nivelet perkatese ku merren vendime mbi permbajtjen e kurrikulave mesimore. Me sa kuptoj, ju jeni duke folur per sistemin universitar shteteror. Nderkohe nje numer gjithnje ne rritje diplomash po dalin nga sistemi privat, ku lendet letrare duket se jane minimalisht te perfshira, per te mos thene inegzistente. Shoqeria shqiptare mund te kete arsye te tjera nga ajo amerikane se pse i duhen brezit te ri lendet e humanistikes. Por rezultatet do ishin njelloj te vlefshme, nese do te huazohej dicka nga filozofia arsimore amerikane ne kete mes.

  4. Të them të vërtetën po e ndiqja me shumë interes këtë shkrim, dmth komentet që do të (po) ndiqnin shkrimin e Pishakut.

    Për më tepër që, të paktën mua personalisht, nuk mund kurrsesi të më shpëtonte një shprehje si kjo “Për këtë mbetet e domosdoshme kultura e përgjithshme, por edhe gjuha si mjet shprehjeje.”.

    Unë e shoh të sforcuar një shprehje të tillë, ku termi kulturë uzurpohet nga kultura thjeshtë e vetëm humaniste, për të mos thënë vetëm letrare apo filozofike, (kjo e fundit aq më tepër e një lloji të caktuar)…

    Pa dashur ta zgjas shumë, duket se vazhdohet kokëfortësisht të lihet jashtë kulturës së përgjithshme, kultura shkencore. Kjo ndodh jo aq me eksponentët e lartë, të moderuar sesa me disa qarqe të caktuara që ecin me inerci dhe pa sens kritik. Dua të them, dhe jam i bindur, sikundër shumë të tjerë, se ka ardhur koha që kultura e përgjithshme, edhe në konceptimin e profanit të ketë të brendatrupëzuar kulturën shkencore.

    Nuk e kam me shkrimin e Pishakut, aspak, sepse ngre një shqetësim që duhet medoemos të ekzistojë, por e kam me frymën e përgjithshme, apo forma mentis-in që mbizotëron në masat e gjëra.

    Dua të përmend këtu, jo aq për mbështetje sesa për ilustrim, esenë apo sprovën e C.P.Snow (The two cultures) të shkruar këtu e një gjysmë shekulli më parë. Snow, padyshim një shtyllë e konsoliduar e kulturës së kohës dhe një mendimtar që ka hedhur, mendoj, i pari shikimin drejt një kricjeje, sipas tij, asokohe, të pashmengshme mes dy kulturave… nëse nuk ndërhyej në mënyrë të rrufeshme. Ai apelin e vet ai drejtonte vendit të tij, Anglisë, duke kritikuar sistemin mësimor anglez, gjatë krahasimit të këtij me atë amrikan dhe rus.

    Snow, i cili nuk besoj se do të ketë mirësinë të akuzohet nga askush si i pakulturuar, meqë edhe ai vet shkruante libra, sadoqë ishte fizikant, apelonte për më shumë kulturë shkencore. Kjo sepse zhvillimi i Anglisë kishte nevojë pikërisht për këtë…

    Dhe shtronte pyetjen, bazuar në eksperiencën e vet: se sa nga humanistët do të dinin të përshkruanin ligjin e dytë të termodinamikës, që, thotë Snow, do të ishte ekuivalenti i të lexuarit të një vepre të Shekspirit.

    Në fakt, Snow, duke parë turinjtë e shtrembëruar të shokëve të vetë humanistë, që ironikisht e quanin (quajnë) veten zotërues të kulturës, së përgjithshme, pra në mungesë të përgjigjes, e ul pak stekën, dhe pyet: Sa nga ju do të dinin të përkufizonin “masën” apo “përshpejtimin”? E kotë të them, thotë Snow, se përgjigjia ishte sërisht negative. Dhe kjo është ekuivalenti i alfabetizimit shkencor, të paktën në fushën e fizikës.

    Jam totalisht dakord se shoqërisë i duhen individë me sens kritik; të tillë i janë dashur ngahera. Por nuk kuptoj se si letërsia apo lëndët humaniste mund të shërbejnë si humus dhe stimul për sensin kritik apo të përgjegjësisë. Këtë e them duke patur ndërmend, subjektivitetin e skajshëm të letërsisë, e aq më tepër të njëfarëlloj filozofie.

    Dua të kujtoj këtu, frymën dhe interpretimin tendencioz që u bëhet rezultateve të zbulimeve shkencore.
    Dua ta lidh për një moment me temën tjetër që ka hapur xhaxhai (I DUAM, NA DUAN). Do të heq nja dy paralele mes kulturës italiane të shekullit të shkuar dhe asaj që mbizotëronte gjatë diktaturës komuniste shqiptare, dhe nxjerr ende sot kokën hera herës.
    Italia ka vuajtur dhe vuan ende sot nga trashëgimia e hidhur e filozofëve si Kroçe. Gangrena e Shqipërisë ka qenë marksizmi, apo le të themi tentativat e të kuptuarit të tij, dhe iracioalizmi i kupolës komuniste.
    Italinë madhështore dhe Shqipërinë diktatoriale i lidh një traditë e fortë, pothuaj anti shkencore, që ushqehej me paradokse, keqkuptime, dhe salltro absurde pozicionesh.

    Shqipëria diktatoriale pavarësisht implementimit të disa teknikave të reja elementare, nuk kishte asgjë shkencore as në sistemin e vet arsimor e as në frymën e përgjithshme që mbizotëronte në vend.

    Sadoqë trumpetohej si shtet ateist, aty nuk kishte asgjë prej shpirtit ateist të mirëfilltë. Ekzistonte një ateizëm fals, në disa raste ateizëm militant, shkatërrimtar, ku zoti ishte zëvendësuar nga Partia dhe një drejtues, do të thoja, me probbleme mendore padyshim.

    Nga ana tjetër Kroçe, që modeloi gjithë rrugëtimin e kulturës italiane të viteve ‘900. Aktiviteti i tij, interpretimi i tij gjysmak, luajti rolin e një guri varri për autonominë e kërkimit shkencor italian, që në kohën për të cilën flas, ishte pjesë e një vendi ende të ri dhe të papregatitur. Sipas Kroçes, pamja naturalistike- evolucionare jo vetëm që nuk e gjallëron intelektin, por edhe ngurtëson shpirtin e njeiut etj. duke shkuar e mistifikuar edhe mbi evolucionin dhe interpretimin e tij, pa patur të qarta as konceptet më elementare.

    Sikur të kishim patur më shumë kulturë shkencore, më shumë kulturë të korrektësisë, të empiricizmit, të objektivitetit, kritike, mendoj, madje jam i bindur, se nuk do të kishim vuajtur aq gjatë nën gangrenën komuniste.

    E vërtetë që nën diktaturë kemi patur pak Darvin, por nga ana tjetër si një forcë, një frymë asgësuese ekzistonte (sikundër në simotrën e kësaj paraleleje, Italinë) marksizën-(katolicizëm)-iracionalizmi post-fashist…

    Sikur të kishim patur me të vërtetë empiricizëm dhe rreptësi objektive, shkencë të vërtetë dhe llogjikë shkencore, nuk do të ishim sot një popull supersticioz, antishkenccor, seksist, homofob, populist, anti-human që mohon edhe masakrat dhe gjëmat e komunizmit shqiptar.

    Them pra, se bëhet shumë gabim, të ngatërrohet kultura e njohjes dhe e gjykimit të saktë, ajo e bazuara në fakte, në objektivizëm, me sharlatanizmin e diktaturës pseudo-ateiste që kërcente sa andej-këndej, në varësi të ëndrrave dhe psikikës së udhëheqësit dhe shpurës së tij.

    1. Pa kundërshtuar sa thua më lart, dua të shtoj se problemi madhor sot në shoqërinë shqiptare ka natyrë etike (mungon në mënyrë të theksuar njerëzillëku, dhembshuria, solidariteti madje edhe idealizmi, nëse duam të shprehemi kështu), dhe etikën vështirë se mund t’ia edukosh tjetrit duke e ekspozuar ndaj shkencës. Jashtë etikës, shkenca përfton zakonisht ekspertë robotikë, që rregullisht vihen në shërbim të pisllëkut.

    2. Nevoja për kulturë shkencore në Shqipëri nuk mund të mohohet, është evidente, por aktualisht përparësia u shkon lëndëve humanistike për disa arsye. Në radhë të parë ekziston një çekuilibër në favor të degëve të tjera. Pastaj, siç e tha edhe Xha Xhai, shoqëria shqiptare ka domosdoshmërinë e etikës, çka nuk mund të studiohet në fakultetet e inxhinierisë. Në sistemin universitar shqiptar, ku pajisja me dy diploma është bërë e modës, do të kisha pasur dëshirë që pas diplomës në fakultetet shkencore, ose financë, administrim, biznes, të merrej një diplomë në degët e letrave. Përsetë i thamë më lart, por duhet shtuar se edhe inxhinieri i mirë, edhe ekonomisti i zoti, edhe biologu i përgatitur, duhet ta njohin gjuhën shqipe, të paktën sepse u shërben për të komunikuar me pjesën tjetër të shoqërisë.

      Kohë më parë, një koleg që jepte mësim në degën e gazetarisë në Tiranë, ankohej për përgatitjen e pamjaftueshme të studentëve në lëmin e gjuhë letërsisë. A mund të jetë dikush gazetar kur nuk zotëron shqipen, mjetin kryesor të punës? Kur cilësia ka rënë brenda fushës, merret me mend si paraqitet situata në degët e tjera. Dikur kjo mungesë përmbushej nga shkollat e mesme, por edhe të larta, që me themelet e tyre i jepnin rëndësi gjuhës shqipe dhe në tërësi letrave. Përveç kësaj, ishte kultura e përgjithshme që u jepte vend të rëndësishëm lëndëve të humanistikës. Për këtë arsye gjeje ekspertë të gjeologjisë e të kontabilitetit, mjekë e matematicienë, që mbanin gjithnjë mbi komodinë veprat e klasikëve botërorë e shqiptarë. Ndërkohë zotërimi i pranueshëm i shqipes ishte kthyer në conditio sine qua non për t’u konsideruar pjesë e elitës. Ky formim krijonte një rreth vicioz pozitiv, sepse ai që i njeh fushat e humanistikës bëhet më i zoti në sektorin e vet të specializimit, përveçse qytetar i mirë. Kam frikë se sot gjërat kanë ndryshuar për keq. E jo vetëm në Shqipëri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin