REVOLUCIONI I MUNGUAR

Intervista e Gjergji Bojaxhiut në revistën Java i kujtoi edhe njëherë shoqërisë sonë se, nismat e shpallura të qeverisë së rradhës për të luftuar korrupsionin nuk ishin kurrë të sinqerta.  Përtej kujës së rastit ndaj kësaj dukurie, Gjergj Bojaxhi përbën dëshminë aktuale të politikanëve burokratë apo teknicienëve, me doza të konsiderueshme idealizmi dhe vullneti, të cilët vendosin në shërbim të qeverisë aftësitë e tyre profesionale, e më pas zhgënjehen.

Rasti i zhgënjimit të Bojaxhiut sjell vëmëndjen në të gjithë atë plejadë profesionistësh që, ku heshtazi e ku me pak bujë, janë larguar të pezmatuar e pesimistë nga sektori publik. Por, si edhe shprehet Bojaxhiu, përtej përjetimit të zhgënjimit personal, përpjekjet me gjasme të Partisë Demokratike për të sjellë një tjetër moral politik në qeverisje, janë mbi të gjitha “dështim për shoqërinë shqiptare” dhe “8 vjetë kohë të humbura kot”.

Përkushtimi fillestar dhe i shpallur i qeverisë “Berisha I” synonte të përcillte tek njerëzit se, pas dështimit në 1997, ai kishte ndryshuar, dukë vendosur në pararojë shpurën e të rinjve që sollën shpresë për të ardhmen, sidomos në përballje me përvojën e hidhur të qeverisë Nano. Gjithsekush do ta vlerësonte seriozisht thirrjen e Berishës kundër korrupsionit nëse do të shqyrtonte programin e tij shembullor që bazohej në këto strategji: (1) zhvillimi  dhe shpallja e një programi anti-korrupsioni të integruar të pasuar nga krijimi i njësive të zbatimit e përcaktimin e autoriteteve përkatëse; (2) masat legjislative për forcimin e institucioneve të qeverisjes dhe llogaridhënies; (3) përshtatjen e konventave ndërkombëtare  në legjislacionin shqiptar dhe aderimin në organizatat ndërkombëtare.

Partia Demokratike fitoi zgjedhjet në 2005-ën me një premtim të madh: “Projektprogram për Transparencën, Mirëqenien dhe Luftën Kundër Korrupsionit”. Programi synonte reduktimin gradual e të qëndrueshëm të korrupsionit, ndryshimin e mendësisë së shoqërisë dhe të rriste transparencën e pjesëmarrjen e publikut në procesin e vendimmarrjes.  Instrumentet që u propozuan për realizimin e tyre dukeshin sikur ishin marrë nga ndonjë libër universitar mbi korrupsionin dhe një pjesë e tyre u realizuan vërtet: (1) instrumente institucionale si krijimi i njësive të posaçme pranë Këshillit të Ministrave si Task Force apo Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit; (2) instrumente ligjore, si ligji për parandalimin e konfliktit të interesave, deklarimin e pasurise, imunitetin, ndryshimet në nenet mbi financimin e partive etj.; (3) rritja e transparencës nëpërmjet informimit të publikut, përfshirja e shoqërisë civile në vendimmarrje dhe ndërtimi i një sistemi elektronik adminstrativ (e-government); (4) ngritja e besimit tek institucionet, rasti i maturës shtetërore cilësohet si histori suksesi; (5) forcimi i sistemit të drejtësisë nëpërmjet përmirësimit të procedurave gjyqësore, përdorimit të teknologjisë së informacionit etj.; (6) përmirësimi i shërbimeve publike nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit si one-stop shop për regjistrimin e biznesit, licencimet, prokurimet elektronike apo deklarimet e detyrimeve tatimore; (7) aderimin në organizatat ndërkombëtare për këtë qëllim, ratifikimin e marrëveshjeve apo pjesëmarrjen në “Stability Pact Anti-Corruption Initiative”, “OECD anti-bribery Convention”,  “Council of Europe’s Criminal and Civil Law Conventions on Corruption,” “Convention on Laundering, Search, Seizure and Confiscation of the Proceeds against Corruption (GRECO)”, shih projektin PACA (Project Against Corruption in Albania).

Zgjidhjet teknike të paraqitura më sipër nuk arritën të ulnin korrupsionin, as atë të perceptuar. Korrupsioni në Shqipëri është ende tepër i lartë për biznesin, në arsim 1, 2 , shëndetësi, gjykatë dhe në forcat e rendit sipas INSTAT. Perceptimi për korrupsionin ka ngelur në të njëjtat shifra sipas indeksit të  perceptimit të korrupsionit (CIP) të Transparency International (nga 1 deri në 10 – shumë i pastër), për vitet 2011=3.1, 2010=3.3, 2009=3.2, 2008=3.4 dhe 2007=2.9.

Në një studim të Bankës Botërore mbi Gjeorgjinë pas revolucionit të vitit 2003 vërehet se ky shtet ka arritur suksese të mëdha pikërisht në luftën ndaj korrupsionit. Strategjia për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri duket të jetë marrë motamo nga programi i Sakashvilit. Gjeorgjia, një nga vendet më të korruptuara të planetit në vitet 2004-2005 (CIP=2.3), tani në vitin 2011 ka një CIP prej 4.1. Por, nëse revolucioni në Gjeorgji ndodhi vërtet, në Shqipëri u përsërit vetëm në dukje dhe formën e tij të rreme.

Reforma e Sakashvilit në 2004, sikur edhe në Shqipërinë e 2005, u përqëndrua në mbledhjen e taksave, gjendjen civile, shërbimin ndaj qytetarit (drita dhe ujë), kuadrin rregullator të biznesit, në dogana, policinë rrugore dhe arsimin e lartë. Brenda vitit 2005 u realizua mbledhja 100% e taksave. Në një nate u pushuan nga puna të gjithë policët rrugorë (16 000 policë). Agjenci shtetërore, që i rrinin si këpusha biznesit në kurriz, u mbyllën menjëherë dhe u reduktuan procedurat e regjistrimit e të taksambledhjes nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit. Tarifat doganore u ulën dhe u pushuan me qindra doganierë. Qeveria i shpalli edhe luftë krimit të organizuar (vor v zakone), u gjykuan dhe dënuan për korrupsion ministra (si ai energjitikës), oligarkë, presidenti i Federatës së Futbollit etj. Oligarkëve apo të korruptuarëve iu dha mundësia t’i paguanin shtetit në këmbim të lirisë qindra milionë dollarë, të cilat shkuan në arkën e shtetit për të paguar pensionet e të tjera shpenzime. Në arsimin e lartë u fut matura shtetërore, u shkarkuan rektorë dhe skema e financimit u ndërtua me bazë studentin. Nga mbi 300 institucione të arsimit privat, ngelën vetëm 70 në bazë të një skeme radikale selektimi e akreditimi (kriter: numri i pedagogëve dhe metrat katrorë për student).

Lufta kundër korrupsionit në Gjeorgji karakterizohej nga (1) një vullnet i fortë politik; (2) shoqëruar me komunikim të vazhdueshëm me publikun për të krijuar besueshmëri (arrestimi i kriminelëve, oligarkëve e zyrtarëve të lartë të korruptuar); (3) rekrutimi i njerëzve të rinj, edhe pse pa përvojë; (4) përdorimi i metodave jo konvencionale (si marrëveshjet me oligarkët); (5) përshtatja e praktikave ndërkombëtare me kushtet vendore; (6) themelimi i njësive për qëllimin e luftës ndaj korrupsionit ; (7) përdorimi i teknologjisë së informacionit; etj.

Në Shqipër mungoi pikërisht  vullneti politik për të zbatuar me koherencë programin kundër korrupsionit. Zgjidhjet teknike nuk mjaftuan, pasi edhe ato u bënë nën trysninë e ndërkombëtarëve e me gjysëm-zemre (si p.sh. procedurat elektronike të prokurimeve publike apo Qendra Kombëtare e Regjistrimit). Qeveria nuk mundi t’i komunikojë publikut përkushtimin e saj kundër korrupsionit. Sali Berisha nuk guxoi të denonconte as Anastas Angjelin, Luan Memushin apo edhe vetë Fatos Nanon, të cilët i kërdiste me akuza gjatë fushatës elektorale. Asnjë ministër deri më sot nuk është dënuar për korrupsion. Asnjë rektor i universiteteve  publike u detyrua të japë dorëheqje, edhe pse është provuar se në universitetet e Tiranës, të Gjirokastrës dhe të Elbasanit shiten diploma apo blihen provime. Asnjë institucioni të arsimit të lartë privat nuk i është hequr licenca apo t’i jetë refuzuar akreditimi, edhe pse shumë pak prej tyre plotësojnë standardet ligjore për numrin e caktuar të pedagogëve.  Madje “konflikti” privat-publik në arsimin e lartë është vetëm në dukje dhe për pazare të punësimit të pedagogëve apo shitjes së diplomave, e jo për cilësinë apo financimin e drejtë. Qeveria me moton “me ne fitojnë të gjithë”, koopton ose dënon me heshtje secilin zë të shqetësuar për korrupsion apo për shkelje të procedurave. Ndërsa institucionet arsimore private blejnë reklama dhe median (Mesdhetari tek respublika, Vitrina tek shqiptarja.com, UET tek Mapo etj.).

Nëse Partia Socialiste dëshiron vërtet dhe me sinqeritet t’i përkushtohet luftës kundër korrupsionit, asaj i duhet një program shumë më i hollësishëm për secilin sektor. Por deri më tani nuk kemi dëgjuar një program të tillë, sidomos për arsimin, përvetëm se disa cicërima apo qortime.

Nuk ka komente

  1. Zotnia juej Kapedan!
    Revolucioni eshte efekti pamor , ne nivelin e nje bashkesie njerezore i transmetimit te nje gjendje te aktivizuar entropike nga nje njesi ose sistem ne nje njesi ose sistem tjeter.Ne mikroboten dhe makroboten aktivizimi entropik eshte nje pasoje,pasoje e injektimit pasiv te energjise ne njesi ,ose sistem. Bota e gjalle ,dhe bashkesia njerezore ne vecanti kane aftesi te riprodhojne kete energji ,dhe nga kendveshtrimi natyral ndodhet ne menyre te perhershme ne gjendje te aktivizuer dhe kjo perben ate qe e quajme EVOLUCION, dhe ka si karakteristike sepse ndodh ne kufijte e njesise.Evolucioni ne natyre eshte ”nje” ,eshte ”nje” ne permasat kohe dhe hapsire.
    Ne dallim nga evolucioni,REVOLUCIONI,krakterizon bashkesine njerezore,sistemin,pra ndodh ne kufijte e bashkesise ,dhe ka kufije kohore dhe hapsinore.Kjo tregon se njeriu gjthmone perpiqet qe te imitoje natyren,por asnjhere nuk mund te beje NATYREN sepse eshte ”njesi” ,nensistem,i sistetemit natyre.
    Meqenese revolucioni ka kufij,percakton dhe faktin e qenies se tij ”njesi’ dhe si cdo njesi riprodhohet nga sistemi pjese e te cilit eshte..Kjo determinon dhe faktin qe bashkesia njerezore ka njohur dhe do te njohe shume revolucione.
    Po cili eshte faktori,forca qe percakton kufijte, ne kohe dhe hapsire te revolucionit?
    DIJA ,DITURIA,NDERGJEGJIA GHITHESHQIPTARE,ENERGJIA MENDORE E CDO SHQIPTARI.
    Shqiptaria,shqiptaret jane me shume nga kombi,jane me shume nga KULLAT,GARDHET,KLANET.KLERET.
    Shqiptaret sot, kemi vetem nje objektiv,si, te shikojme driten e diellit.
    Dija dhe ditueria, jane konvertim i akumulimit te energjise biologjike,mendore ne kendveshtrimin e bashkesise njerezore,te nje shoqerie.
    Kete energji shoqerore ,shqiptare e copezojne,e shfrytezojne per interesat e tyre te ngushta,kullat,klanet,kleret.Ata e kane gardhetuar te drejten shqiptare per revolucion,dhe revolucion me gardhe nuk mund te kete.

    1. Me shume se me korruptimin e shpirtit te shqiptarit, do te doja te merresha me korrupsionin si problem ekonomik dhe social.

      Sidoqofte me vjen mire qe titulli ju ka dhene shtyse e frymezim.

  2. Se ç’ka një gjë që nuk funksionon me shqiptarët. I hyjnë një punë dhe e mbarojnë mbrapsht. Fillojnë të ndërtojnë një shoqëri socialiste dhe përfundojnë në një nga diktaturat më të turpshme të kontinentit. Injorante, barbare, antinjerëzore, kokë-e-këmbë diçka e shëmtuar, joefikase, banale, me një fjalë një monstër. Shëtis ndonjëherë të dielave nëpër pazaret e gjërave të përdorura të Berlinit Lindor dhe gjej gjithfarë botimesh të epokës socialiste gjermano-lindore. Më duken edhe të njohura edhe të huaja sa s’ka më. Sikur vijnë nga një dynja e paralele. Njerëz që jepnin e merrnin për një kauzë të dështuar, por me ambicien për t’i bërë gjërat si duhej. Njerëz jo vetëm besnikë të një kauze, por edhe që i besonin asaj. Njerëz me aspirata në një qorrsokak. Kthej kokën në Shqipërinë Socialiste dhe pataksem nga ai shtet mostër, gjakatar, mesjetar. Më shpifet nga ajo gënjeshtër aq e madhe.

    I hyjnë shqiptarët ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe e bëjnë si sytë e tyre që t’u pëlcasin. Përsëri një monstër. Një saraj. Një batak. Një gënjeshtër e madhe sa Shqipëria vetë. Një turp mbi faqe të dheut. Një puçër.

    Unë besoj se Shqipëria ka dy probleme vdekjeprurëse. I pari është karakteri mizerje i njerëzve hipokritë, servilë, oportunistë, orientalë turkoshakë, ballkanas të kategorisë së fundit fare, pa din, fe e iman. Njerëz të paaftë për të kultivuar asnjë lloj ndjenje sociale integruese, dinjitoze progresive. Njerëz lecka e frikacakë. Unë i pari mbase. Problemi i dytë. Nga ky llum dalin gjithfarë krimbash, lëtyrash, vemjesh e sëmundjesh dhe zënë bashin i vendit, që vdesin në krevat e shqiptarët pastaj i qajnë si mbretër. Enver Hoxha i pari, Sali Berisha i dyti.

    Ky i dyti, kjo lloj bezdie historike, ky hajdut ajri nuk e ka pasur asnjëherë në plan ndërtimin e asaj Shqipërie që shohim në ëndërr. Ky ua ka vjedhur sy për sy e ditën për diell si të parën (Shqipërinë) ashtu edhe të dytën (ëndrrën).

  3. Ishte e qarte qe ne lindjen e KOP-it qe ishte nje manover per rilegjitimimin e Berishes. Perfshirja ne te e njerezve me ideale e me deshire per mire ishte gabim i tyre personal, gabim per te cilin ata mbajne pergjegjesi morale. Sidoqofte nuk eshte vone dhe me daljen ne nje parti tjeter nen nje figure popullore si Topi them se kane shanse.

    Sa i perket nismave ligjore te ndermarra nga qeveria e pare e Berishes ato ishin serish hedhje hi syve. Probleme te renda e plage sociale nuk zgjidhen me “task force” apo “hotline” alla Chavez por kapen nga themelet dhe themeli i korrupsionit ne Shqiperi eshte nje Gjyqesor i perkulur ndaj Ekzekutivit. Nje gjyqesor qe duhet paguar me mire dhe qe duhet te jete me i insuluar nga politika.

    Sakashvili poashtu nuk eshte model i mire. Nuk duhet te harrojme qe Gjeogjia eshte nen nje regjim quasi-autoritar dhe disa suksese fillestare tek korrupsioni nuk do te thote automatikisht venia e themeleve per nje ndarje dhe funksionim normal te pushteteve ne menyre afatgjate. Ishte po Sakashvili dhe pushteti autoritar qe perdor ai qe e coi Gjeorgjine ne konfliktin e armatosur me Rusine ne 2008-ten.

    1. Ne fakt Gjeorgjia eshte shembulli me i mire. Ke nje shtet me nje sovranitet te cenuar (Abkhazia), ku monopoli i dhunes se shtetit shtrihet i kufizuar, por atje ku ekziston eshte i suksesshem ne ushtrimin e tij.

      Shqiperia nuk ka probleme me sovranitetin qe prej Zogut (falja e Shen Naumit, i cili gjendet me mire ne Maqedoni gjithsesi, se do te katandisej si Tushemishti). Shteti teorikisht kontrollon te gjithe territorin, por eshte vete i kapur nga nje grusht oligarkesh politikane.

      Autoritarizem? Me kupto drejt…cdo vendim ne Shqiperi, edhe per licencimin e nje farmacie apo te nje kopshti femijesh, shkon nepermjet Keshillit te Ministrave. Nje shans kjo qe Berisha te mund te pastronte teresisht aparatin e shtetit dhe t’i jepte politikes epersi ndaj klases ekonomike, duke e emancipuar klasen politike. Nuk e shfrytezoi, por u be pale me klasen ekonomike, dhe sot kemi trashegimine e Fatos Nanos, ku klasa politike eshte e nderthurur me, edhe identifikohet si e tille, me klasen ekonomike.

      Shoqeria jone eshte e destinuar te vazhdoje ne stagnacion pikerisht prej mungeses se konfliktit ndermjet klasave. Korrupsioni eshte vetem nje simptome e ketij stagnacioni.

      1. “cdo vendim ne Shqiperi, edhe per licencimin e nje farmacie apo te nje kopshti femijesh, shkon nepermjet Keshillit te Ministrave. Nje shans kjo qe Berisha te mund te pastronte teresisht aparatin e shtetit dhe t’i jepte politikes epersi ndaj klases ekonomike…”

        Kurse sipas meje, pikerisht kanalizimi i pushtetit drejt nje qendre te vetme vendimmarrjeje, menyra ekskluzive berishiane e mbajtjes peng te shtetit (sepse nuk e quaj dot qeverisje), ishte rruga me e sigurt per te perfeksionuar degradimin pothuaj te pakthyeshem te asaj minimal fryme ndryshimi ne sens demokratik, qe kerkohej e vazhdon te kerkohet sot e kesaj dite. Sa per shanset e Berishes per te pastruar e dhene ndonje impuls pozitiv politikes, ato vdiqen me ’97.

        Tutto il resto è noia, tha.

        p.s linkun mbi imunitetet, do ta kisha kursyer, ne konsiderate te natyres draftuese te dokumentit ne fjale si dhe te rezultatit perfundimtar te kesaj bicim perpjekeje per te kundershtuar korrupsionin. Ne fakt i gjithe muhabeti rezultoi ne nje amendim te rregullores se Kuvendit (ne vend te nje ligji kushtetues, ne mos te cilesuar), te pare me sy kritik nga ekspertet (edhe te huaj) dje dhe aq me shume sot, qofte ne modalitetin e nderhyrjes normative te llojit siperfaqesor, qofte ne efektshmerine zero ndaj luftes kunder korrupsionit te zyrtareve te larte te imunizuar. Si punet e Berishes, tha (bis).

        1. Linkun mbi imunitetin e vura per te treguar perpjekjen, edhe pse ekspertet e Komisionit te Venecias e hodhen poshte kete nisme. Interesant ishte komenti i tyre mbi “prakticitetin” e kesaj nisme: ata mendonin se praktikisht imuniteti parlamentar nuk kishte qene asnjehere problem per te nisur hetimin ndaj deputeti, pasi imuniteti ishte i Kuvendit te Shqiperise, si institucion, dhe jo i deputetit si individ. Dhe ne rastin konkret (ky na intereson shume) ne te gjitha rastet kur parlamenti kishte kerkuar heqjen e imunitetit (deri ne 2005 kishte ndodhur vetem nje here), ajo ishte realizuar.

          Ne fakt kjo eshte nje taktike shume e mire e Berishes per te manipuluar kundershtaret te mendojne se jane te kercenuar nga nismat e tij. P.sh. Sikur edhe permendej ne Wikipedia se Berisha e kishte nisur ligjin e lustracionit per te trembur disa gjyqtare dhe jo si nje perpjekje te sinqerte. Kjo taktike e frikes sjell coroditje ne kampin e synuar, sidomos kur perpjekjet jane kaotike edhe jo te gatitura mire. E njejta situate me kete projekt-ligj gjysem-te-gatitur: synonte thjeshte te trembte, pa ndonje efekt te qarte e te parashikuar.

          1. Madje, sipas meje, do kish qene (vazhdon te jete) akoma me e lehte kjo puna e imunitetit: Kuvendi te mjaftohej te bente detyren, duke dhene autorizimin e kerkuar nga organi perkates, pa teprime politike, e duke e lene njekohesisht te qete gjyqesorin ne punen e tij. Por natyrisht, qe te demonizosh ligjet e Kushtetuten si jofunksionale, duke tundur flamurin e reformes alla berishe, te siguron manipulimin masiv edhe per kater-pesevjecarin e ardhshem, me mire, me shpejt, me ne mode.

            [E kjo per nje arsye kryesore: sepse t’i drejtohesh vend e pa vend Kushtetutes per ta ndryshuar, ne varesi te humorit dylekesh te politikes shqiptare perpikmerisht deshtake, vetem sa e diskrediton ate, dhe cka ajo perfaqeson].

  4. Korrupsioni ishte i domosdoshem per te krijuar nje shtrese te pasur, e kam llafin per ate galopant se atij fiziologjik s’ke ç’i ben.
    Problemi eshte se forma galopante hyri ne raport simbiotik me sistemin dhe duhen disa masa te forta qe mund te jene ndonjehere edhe antiligjore dhe qe nxisin autokracine si puna e Gjeorgjise.

    Nuk besoj (s’kam besuar ndonjehere ne keto 7 vjet opozite) se PS-ja do ndryshoje ndonje gje rrenjesore, militanti socialist pret vendin e punes, biznesmeni qe ka 8 vjet ne opozite duke harxhuar don t’i hyjne shpenzimet e te nxjerre fitimet, fytyrat e reja te PS-se duan te pasurohen e me radhe.

    Nuk besoj tek asnje mekanizem manualesh, sikunder nuk besoj se manuali i demokracise parlamentare sjell demokracine.

    Nuk besoj as tek teknokratet, specialistet e çfaredo lloji tjeter i ngjashem.

    Me pak fjale, per mua po nuk u konceptua nje republike e re, po nuk u rrenua kjo e vjetra, nuk ka per te ndodhur asnje ndryshim rrenjesor.

    Vendet kur çalojne rende, s’kane me mundesi reale te ndryshojne, hidhen tek nje konceptim i ri i Republikes. Italia e beri para 20 vjetesh dhe po e ben prape, qeveri teknike, perzierje e letrave ne tavoline, parti e pole qe levizin, don te pjelle nje republike te re. Greqia pas 30 vjetesh afer humneres po ben ate qe duhet te kish bere te pakten nja 7-8 vjet me pare.

    Projekte e programe kunder korrupsionit galopant , kur ky eshte ne simbioze te plote me sistemin, jane hape kunder semundjes terminale, zgjasin jeten edhe ca.

    Shpresoj qe vitin tjeter, pas zgjedhjeve te hapet zyrtarisht kriza e sistemit e te fillohet te mendohet nje republike e re. Po fitoi PS-ja e vetme, vetem Zoti mund te na shpetoje.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin