Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KEMI TË MAJTË DHE TË DJATHTË?

nga Dr. Dritan Osmani

Ky diskutim e ka zanafillën në një citat të Bill Emmott, (kryeredaktorit të gazetës The Economist) në librin e tij „Vision 20/21“ mbi hierarkinë politike në botë në shekullin e 21-të. Në këtë libër Emmott shpreh mendimin që një nga prurjet kryesore të filozofive komuniste e fashiste është se u shërbyen personave të veçantë për të marrë pushtetin. Pra me gjithë diskutimet teorike të komunizmit që fillojnë me Marksin i cili pati qëllimin ambicioz jo vetëm ta shpjegonte botën por edhe ta ndryshonte atë, kanë një përfundim banal por thellësisht praktik, si mjete në duar të demagogëve për të marrë pushtetin politik. Me kalimin e kohës u bë e qartë që real-komunizmi (komunizmi në pushtet) nuk kish të bënte aq me ndryshimin e botës që iu duk komunistëve i vështirë dhe jo „interesant“ sesa me krijimin e një klase të re pushtetarësh, por që i përkisnin një marke dhe ere të mykur e të vjetër feudale.

Por ç’mund të thuhet në qoftë se heqim një paralele me politikën e sotme shqiptare (paralelizmi do marrë me shumë rezerva sepse sistemi politik ku jetojmë është demokratik pra nuk është as komunist dhe as fashist), a ka filozofi politike të djathtë apo të majtë në Shqipëri, apo kjo ndarje është thjesht një koperturë për të mbuluar ambiciet për pushtet (të cilat shpesh janë normale) të personave dhe grupeve të ndryshme shoqërore? Po të hedhësh vështrimin në periudhën e qeverisjes së parë të PD-së, sheh se përveç një politike deri diku antikomuniste nuk mund të flitet për politikë të djathtë; respekti ndaj pronës që është princip kryesor i një politike të djathtë nuk ka qenë pjesë natyrale e politikës së PD-së.

Do të marrim disa shembuj të thjeshtë vetëm për të ilustruar idetë tona. Historia politike e kryetarit të tanishëm të PS-së Edi Rama është shembulli më i mirë për të treguar se kostoja e një filozofie politike kryesisht të pandryshuar për 16 vjet është e lartë në Shqipëri. Rama e ka filluar jetën politike në dhjetor-janar 1990-1991 si një radikal antikomunist. Në një nga tregimet e tij në librin Refleksione ai flet për peshq të kuq (PS) dhe peshq rozë (PD) dhe kuptohet që nuk e shikon veten e tij as te peshqit e kuq dhe as te ata rozë. Eduart Zaloshnja dëshmon se Edi Ramës ia preu Gramoz Pashkoja rrugën e një karriere politike ne PD (“Dhjetor ’90, si u përzu Edi Rama” Shekulli, 12.12.2009). Por edhe po të ishte futur në PD Edi Rama, ka shumë gjasa që të dilte shpejt me mocionistët e parë të Cekës. Shume kohë pas angazhimit në politikë Rama e ka parë veten si pjesëtar natyral të PS-së. Tingëllon e sinqertë dhe afër së vërtetës thënia e Pandeli Majkos (në një intervistë dhënë Zërit të Amërikes në 23/9/2005) se Ramën e kam parë vetëm si mik të PS-së, por jo si pjesë e saj.

Arben Imami është një shembull tjetër, edhe ky një radikal antikomunist dhe figurë me influencë e Dhjetorit 1991, më pas mocionist dhe një kundërshtar i spikatur qeverisjes së parë të Berishës deri edhe në një rol të rëndësishëm në trazirat e 1997, ministër në qeveritë socialiste, shef kabineti i kryeministrit Berisha dhe së fundi ministër i Mbrojtjes.

Të dyja këto personazhe politike nuk besoj se e kanë parashikuar se jeta politike mund t’u rezervonte kaq shumë surpriza dhe lëkundje politike, të cilat nuk janë varur prej tyre. Te dy janë përpjekur të jenë vetëm aktivë dhe energjikë dhe e kanë parë veten herë në një krah dhe herë në një tjetër. Të dy këta politikanë provojnë që krahu i djathtë dhe i majtë nuk janë aq larg sa duken, jeta politike është pushtuar nga individë energjikë që kanë një filozofi të tyren dhe „propagandë“ të tyren gjithashtu. Edhe lufta politike më shumë se luftë parimore ka qenë një luftë për pushtet ku parimet politika dhe morali kanë luajtur rol dytësor (sipas meje kjo vlen për të gjithë aktorët politikë). E vetmja filozofi e konsoliduar politike është antikomunizmi, që i takon më së shumti të djathtës dhe disidencës meqenëse ka luftuar dhe ka sakrifikuar kundër komunizmit. Në një vend me rreth 20 për qind të papunë, pra në një vend me hapësirë të vogël si ky i yni nuk ka vend të mjaftueshëm për filozofi të djathtë a të majtë politike.

Me sa duket Shqipëria ka nevojë më shumë për njerëz aktivë dhe ambiciozë, sesa për parime klasike politike të djathta apo të majta. Luksi i ndryshimit të pozicionit politik u është njohur aktorëve politikë, me kusht që të bëjnë diçka ose më mirë shumëçka për vendin e tyre.

Pa Komente

  1. Sidoqofte, perpjekjet per te marre pushtetin politik duhen shoqeruar nga nje ideologji/filozofi politike per t’i legjitimuar (jashte edhe brenda) dhe argumentuar zgjidhjet e ofruara politike te problemeve.

  2. Disa mangësi sa të mëdha, aq edhe të njohura, të politikës shqiptare bashkëkohore nuk e zhvlerësojnë dikotominë e djathtë/e majtë si të tillë; por vetëm politikën shqiptare si të tillë. Por nuk më duket se mund të konsiderohet ndarja e majtë/e djathtë si koniunkturale, ose e kapërcyer.

    Qëndrimet ndaj barazisë, përkatësisht lirisë; pronës, përkatësisht diferencave në status, etj. do të vazhdojnë t’i ndajnë sistematikisht grupet politike. Nga ana tjetër, as ndarjet në progresistë dhe konservatorë, radikalë dhe të moderuar, populistë dhe elitistë, etj., nuk janë të tilla që ta shfuqizojnë ndarjen me të cilën merret shkrimi.

    Nëse një parti politike ka ndërmend të merret mirëfilli me politikë, përtej gjepurave propagandistike dhe retorike, atëherë i duhet të marrë një qëndrim ndaj çështjeve kardinale të politikës: barazisë, lirisë, pronës, diferencave në të ardhura, punësimit, të drejtave të njeriut, etj.

    Një parti që e formulon qëndrimin e saj ndaj barazisë në mënyrë të majtë, por qëndrimin e saj ndaj pronës në mënyrë të djathtë është një parti e paqartë (ndoshta qëllimisht e paqartë) në qëllimet dhe qëndrimet e veta, por nuk është se po sfidon gjë dikotominë.

    Njëlloj, besoj se nuk duhet ngatërruar fakti që disa politikanë profesionistë e shohin veten rastësisht në njërin nga kampet dhe se mund të kalojnë lirisht nga njëri kamp në tjetrin (shembulli më i qartë është ai i Fini-t në Itali) nuk ka të bëjë me dallimet mes kampeve vetë, të cilat kanë të bëjnë me qasjen ndaj çështjeve themelore të politikës, jo me profesionizmin, përkatësisht militantizmin e protagonistëve të politikës.

  3. Tek çeshtja e pronave nuk duhet ngaterruar nje gje, dmth ligji 7501 nuk eshte i majte por i djathte, ose me sakte reformat agrare ku tokat u hiqen bejlereve dhe u jepen fshatareve pa toke nuk jane te majta, por produkte te revolucioneve demokratiko-borgjeze. Franca psh qe dallohet ne Europe per fshatare-pronare, ne fakt ka ruajtur me xhelozi nje sistem qe i ka fillesat qysh me revolucionin demokratiko-borgjez te 1789-1794.

    Ate qe beri komunizmi me tokat e bejlereve duhet ta kish bere Noli me 1924, disa prova i beri edhe Zogu ne ate drejtim, po u terhoq se s’mund te rrezikonte bazat çifligare te pushtetit.

    E majta shqiptare eshte e vemendshme ndaj pronesise se vogel thjesht si çeshtje trashegimie trashegimie, qe ua hoqi bejlereve, por normalisht ne Shqiperi duhet ta kishte bere borgjezia nacionaliste me kohe e vakt dhe sot duhet ti kishte fshataret votuesit e saj.

    Gjithsesi e majta eshte komplementare, sepse shteti kapitalist administrohet mbi parime te djathta, duke nisur qe nga shenjteria e prones, ligji si autoritet suprem, barazia e vetme e garantuar eshte ajo formale, interesi i shtetit/kombetar si suprem etj.
    Mbi kete strukture ose ADN te djathte, veprojne pastaj edhe te majtet kur marrin pushtetin dhe kane me shume efekte zbutese ndaj radikalizmit te djathte sesa ndonje efekt origjinal. Vete sindikatat ku jane edhe me te majtet e te majteve, kane si rol kyç pengesen ndaj kapitalistit qe mos radikalizoje qendrimin e te beje ujkun.

    Nga fakti qe e majta shqiptare nuk e ka prejardhjen nga fraktura sociale kapitalist-proletar qe u krijua ne Europe gjate revolucionit industrial, vjen edhe ç’interesimi i plote i te majtes shqiptare per punetoret e industrise gjate 20 vjeteve te fundit. Perndyshe frakturat qe i dhane jete partise komuniste gjate Luftes, edhe sot perbejne objektin kryesor te interesit,qe nga kundervenia ndaj ish pronareve, ish-ballisteve, mbretit Zog e deri tek fryma progresiste te cilen e pretendojne ende sot.

    Te majtet s’jane marre me problemet e punetoreve te industrise as 1/10 e asaj qe jane marre se kur e theu qafen gjermani i fundit, me 28 apo 29.

    Me siguri jane nje e majte krejt anormale.

    1. thua:

      “Tek çeshtja e pronave nuk duhet ngaterruar nje gje, dmth ligji 7501 nuk eshte i majte por i djathte…”

      Te pyes, mundet te gjesh nje shembull analog,diku tjeter qe te kete zbatuar parimet e ketij ligji? Se keshtu kuptohet me mire pastaj nese eshte i majte apo i djathte ky ligj. Nga ana tjeter, disa muaj me pare, qeveria e tanishme dhe shumica qe ajo perfaqeson pezulloi zbatimin e metejshem te ketij ligji, i cili mbrohet me fanatizem nga te dyja palet. Pse duhej pezulluar zbatimi i metejshem i tij? Me cfare i pajisi qytetaret ky ligji 7501, me tituj pronesie, apo cfare? Si e ka zgjidhur ky ligj, qe teorikisht me sa di lidhet me token bujqesore, konfliktin me te drejten e prones se trasheguar e cila ne pikepamje kushtetuese gjen reference ne nenin 41 te Kushtetutes?
      Me aq sa di dhe kam folur me njerez te angazhuar per kete ceshtje, ligji ne fjale nuk ka gjetur zbatim ne Veri, por edhe ne disa zona te malesise se Jugut. Ne veri kane shkuar te kufijte e vet, por kjo mbetet e palegalizuar si gjendje kadastrale. Nderkohe qe ne te vertete ky ligj, ne zbatimin e te cilit pretendohet se jane ndare jashte objektit dhe me abuzim, 120 mije ha toke, ka si nyje ekonomike fushen e Tiranes, ate te Gjirokastres dhe tokat bujqesore afer zone bregdetare. Nese themi se 7501 ka qene reforme agrare; pyetja eshte kunder kujt. Sipas statistikave te publikuara ne kohen e Ahmed Zogut, 82% e popullsise ka patur nen zoterim prone te paluajtshme, nderkohe qe rritja e supozuar e popullsise qe sillet si kriter per zbatimin e ketij ligji, kompensohet me faktin e uljes se raportit qytet-fshat. Po keshtu, ish-pronaret e medhenj ne Shqiperi, nuk kane qene me shume se 14 familje, por ata nuk kane ngritur asnjehere zerin per te marre fushat e Myzeqese apo ato Gjirokastres. Keta sipas nje shifre zoteronin rreth 300 mije ha toke, nderkohe qe vetem toka te reja, Partia hapi 400 mije ha. Ku eshte nevoja per kete reforme ketu? Po keshtu ne statutin e Kooperativave Bujqesore, ka ekzistuar dispozita qe parashikonte shperberjen e sipas se ciles ne nese nje gje e tille ndodh, atehere toka u kthehet kontribuesve ne kufijte e meparshem, por ky kthim nuk kalon normen e 40 ha maksimumi. Pra edhe komunizmi njeh gjendjen fillestare si situate referuese.
      Nje problem edhe me i madh edhe moral apo parimor krijon legalizimi. Eshte e vertete se legalizimi i atyre qe kane ndertuar shtepi pa leje, pra kane krijuar zona informale duhet bere, por zoteri i nderuar nese shteti ketyre u njeh titull pronesie ne kete zhvendosje te bere vullnetarisht, pse nuk merr ne konsiderate se u ka dhene edhe nje titull tjeter pronesie me ligjin nr. 7501 ne vendin e origjines. A mos valle do ishte me e udhes qe te behej nje kompensim ne kete forme, sipas cmimit te tregut, ku ta zeme 200 m2 ne Tirane, te zaptuara nje pronari legjitim, te jepen ne kembim te 1000 m2 (ky sa per ilustrim) te leshuara si fond publik p.sh ne Koplik ne menyre qe edhe shtetit te zoteroje nje instrument kompensimi? Propozimi i socialisteve te Nanos ishte qe legalizimi, ose titulli i pronesise jepet atehere kur vlera e investimit te bere, kalon 150% te vleres se truallit, c’ka mund te arsyetohet si llogari ekonomike. Cfare ndodhi? Me 7501, edhe ky i zbatuar qellimisht keq, ndjekim parimin “kush polli me shume, ia hodhi” dhe me legalizimin parimin tjeter “c’a te thote vllai ty? Ti fjete gjume, ndenje ne punen tende”. Se fshatrave, ka mbetur ende si fjale ne perdorim; cfare do bejme me vatanin, duke nenkuptuar token.

  4. Të dy këta politikanë provojnë që krahu i djathtë dhe i majtë nuk janë aq larg sa duken

    Une gjithmone kam pasur pershtypjen qe ne Shqiperi, nuk ka majtas djathtas, por vetem lart e poshte. Nevoja per t’u ravijezuar si i majte dhe i djathte eshte vertet akute, dhe levizjet e fundit te Edi Rames drejt ketij zhvillimi jane per tu pershendetur. Tashme trajektorja e retorikes po ndryshon, sic deshmohet edhe nga debati ketu mbi sistemin e taksimit.

  5. Reformat agrare krijojne gjithnje situata te paqarta qe zgjaten ne kohe. Kur me 1815 ne France u restauruan Borbonet, zgjidhjen ia dhane duke krijuar fondin e kompesimit ne vlere monetare, asokohe 1 miliard franga qe ishte shume e papare.
    Gjithsesi 7501 u be shpejt e shpejt, tokat i dha ne perdorim dhe u supozua se me vone me nge, do shkonte haka tek i zoti.
    Fajin e pare te zgjatjes e ka Sala 1, pastaj PS-ja, kurse tani eshte e pamundur qe ato toka te mos i japesh ne pronesi.

    Natyrisht tokat deri ne 20 ose 40ha, mund edhe te ktheheshin, biles duhet te ktheheshin qe ti jepnin mundesi kapitalizmit te hynte ne fshat, po tani iku ajo mundesi.

    Sidoqofte e permenda ligjin 7501, jo per tu marre me te sa i drejte apo i padrejte eshte, por thjesht per te pahnxjerre se reforma agrare kur nuk sjell kooperative apo NB eshte gjithnje e djathte, biles edhe ashtu si u be ne 1946.

    PD-ja perveç synimit per te vjedh’, po ndjek apo ndoqi edhe nje politike populiste duke zvarritur çeshtjen e pronave ne fshat. Kurse ne qytet ekskluzivisht per te vjedhur, si PD-ja si PS-ja.

  6. Meqe u fol ketu per ceshtjen e pronave; sot shenjtorja Eleonore, vrau veten me pistolete, per shkak te problemeve te pronesise. http://www.balkanweb.com/kryesore/1/tirane-e-veteshpallura-shenjtore-eleonore-vetevritet-per-pronen-74256.html.
    Ajo thoshte se u jepte shprese dhe miresi njerezve, por problemet ligjore per pronat e veniten edhe ate rreze te vogel drite qe si per cudi rrezelliti ne nje vend qe beri bashke nje shenjtore, nje problem pronash, ne lagjen Komuna e Parisit. U raportua se ne vendin e ngjarjes u gjet nje leter shkruar per Zotin, ku nder te tjera shkruhej: Me mirë të vras veten se të le tokën e shenjtë.
    Pa dashur te ironizoj, sepse fatkeqesia mbetet perhere e ketille, them se ngjarja ne vetvete improvizon ironine si reagim ne distance. Pastaj jam shume kurioz te di, nese e permend kjo leter 7501-n e mallkuar? A ka mundesi qe kete leter ta bleje Artan Lame si koleksionist? Fjala tapi lidhet me Topiajt? Dhe ne fund per pak astrologji; sa lidhje ka kjo vetevrasje me librin “Kurban” te Edi Rames?
    PS: Mundet qe kryeministri te beje ngushellime publike, apo druhet se mos u del kunder pronareve?
    Shenjtore me halle njerezore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin